ATV

Author: N.T.

  • Armando Duka: Polonia është e fortë, por ne do të provojmë mundësitë tona

    Armando Duka: Polonia është e fortë, por ne do të provojmë mundësitë tona

    Shqipëria ka mësuar kundërshtarin e fazës së “Play-Off” për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë, një ekip me të cilin janë përballur edhe më parë dhe kanë arritur të fitojnë.

    Pas shortit, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh i buzëqeshur dhe optimist për sfidën:

    “Jam i gëzuar dhe i buzëqeshur, pasi jemi këtu. Polonia është një kundërshtar i fortë, por ne do të provojmë mundësitë tona. Ndeshjen e parë do ta luajmë në Varshavë në mars,” tha Duka.

    Ai theksoi se shorti nuk vendos gjithçka: “Në futboll nuk fitohet ose humbet në short. Shpresojmë që futbollistët të jenë të gjithë në formë të mirë dhe pa dëmtime.”

    Duka shtoi se, edhe pse disa do të preferonin kundërshtarë të tjerë si Sllovakia, Polonia mbetet një sfidë e respektueshme dhe e fortë. Ai gjithashtu komentoi për situatën e Kosovës në play-off: sipas tij, Dardanët po kalojnë një moment të mirë dhe kanë mundësitë për të sfiduar më pas Turqinë ose Rumaninë në finale.

    Ndeshja e parë mes Shqipërisë dhe Polonisë do të zhvillohet në Varshavë në mars 2026, ndërsa kthimi do të luhet më pas në Shqipëri.

  • Ademi optimist para përballjes me Sllovakinë: “Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale”

    Ademi optimist para përballjes me Sllovakinë: “Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale”

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë deklaratën e tij të parë pas shortit të hedhur në Cyrih, ku Kosova mësoi kundërshtarin e gjysmëfinales së “Play-Off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

    Dardanët do të përballen me Sllovakinë në Bratislavë në gjysmëfinale.

    Ademi ka theksuar se çdo ndeshje në këtë fazë është si finale, duke pasur parasysh nivelin e ekipeve pjesëmarrëse, por ka shprehur optimizëm për suksesin e Kosovës.

    “Të gjitha ndeshjet në këtë fazë janë si finale, sepse të gjitha ekipet janë të forta. Nuk e shohim si favorit, por nëse japim 100 përqindshin, mund të kalojmë këtë hap dhe të shkojmë deri te finalja, e cila do të luhet në Prishtinë me Turqinë apo Rumaninë”, tha Ademi.

    Ai shtoi se me përkushtimin e plotë të futbollistëve dhe pa lëndime, Kosova mund të arrijë më të mirën.

    Presidenti i FFK-së shprehu gjithashtu besimin se Dardanët do të kalojnë hapin e parë për të siguruar biletën për finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër fituesit të çiftit Turqi–Rumania.

    “Besoj se hapin e parë do ta kalojmë”, theksoi Ademi.

    Ndeshja kundër Sllovakisë do të zhvillohet më 26 mars 2026 në Bratislavë, ndërsa finalja eventuale më 31 mars 2026 në Prishtinë.

  • Foda optimist para përballjes me Sllovakinë: “Do të jetë ndeshje shumë e barabartë”

    Foda optimist para përballjes me Sllovakinë: “Do të jetë ndeshje shumë e barabartë”

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur optimist para ndeshjes së play-off-it për Kampionatin Botëror 2026 kundër Sllovakisë.

    Kosova do të luajë si mysafir në takimin e parë kundër Sllovakisë, ndërsa në finale do të takohet me fituesin e çiftit Turqi – Rumani.

    Në një deklaratë për faqen zyrtare të FFK-së, Foda theksoi se sfida e parë do të jetë shumë e barabartë.

    “Ndeshja e parë është si mysafir i Sllovakisë. Ata kanë një ekip shumë të mirë dhe fituan ndaj Gjermanisë në shtëpi me rezultat 2-0”, tha Foda.

    Ai shtoi se Kosova ka treguar formë të mirë në ndeshjet e fundit, duke përfshirë fitoret në Suedi, Slloveni dhe kundër Islandës si mysafir. “Ekipi tani ka shumë vetëbesim dhe do të jetë një ndeshje shumë e barabartë”, theksoi përzgjedhësi.

    Foda gjithashtu nënvizoi se fokusin kryesor e ka tek Sllovakia, ndërsa finalja mund të zhvillohet në Prishtinë nëse Kosova kualifikohet.

    “Nëse e fitojmë këtë ndeshje, pastaj kemi një ndeshje në shtëpi ku mund të vendosim gjithçka. Por, siç e thashë, ndeshja më e rëndësishme është e para në Sllovaki, dhe më pas do të shohim më tej”, përfundoi ai.

    Takimi i parë mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet më 26 nëntor, ndërsa finalja është e parashikuar më 31 dhjetor, nëse “Dardanët” arrijnë aty.

  • Rrahmani ngacmon bashkëlojtarin e tij te Napoli kur Kosova mëson kundërshtarin e play-off-it

    Rrahmani ngacmon bashkëlojtarin e tij te Napoli kur Kosova mëson kundërshtarin e play-off-it

    Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarin e saj në play-off për kualifikim në Kupën e Botës 2026: “Dardanët” do të luajnë ndaj Sllovakisë në transfertë.

    Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ndoqi shortin live nga dhomat e zhveshjes te Napoli. Kur u zbulua kundërshtari, ai nuk i rezistoi humorit – shkoi te bashkëlojtari i tij, Lobotka, i cili luan për Sllovakinë, dhe e ngacmoi në një moment miqësor dhe gazmor, duke treguar shpirtin konkurrues dhe atmosferën e mirë mes lojtarëve.

    Kujtojmë se ndeshja do të zhvillohet në muajin mars, dhe Dardanët do të synojnë një hap historik drejt Kupës së Botës 2026, duke mbajtur shpresat e tifozëve të tyre gjallë.

  • Courtois krahason Ancelottin dhe Xabi Alonson: “Ancelotti ishte si një baba për ne, me Xabin është ndryshe”

    Courtois krahason Ancelottin dhe Xabi Alonson: “Ancelotti ishte si një baba për ne, me Xabin është ndryshe”

    Thibaut Courtois, portieri i Real Madridit, ka folur së fundmi për ndikimin e dy trajnerëve të tij në skuadër, Carlo Ancelotti dhe Xabi Alonso, duke bërë një krahasim interesant midis tyre.

    “Ancelotti ishte si një baba për ne,” tha Courtois, duke treguar lidhjen e ngushtë dhe mbështetjen që italiani u jepte lojtarëve gjatë kohës së tij në Madrid. “Ai dinte si të menaxhonte grupin, si të motivonte lojtarët dhe gjithmonë kishte një fjalë të duhur për çdo situatë. Stili i tij ishte i veçantë dhe shumë njerëz në skuadër e ndjenin atë si një figurë prindërore.”

    Portieri belg theksoi gjithashtu se qasja e Xabi Alonson është krejt e ndryshme: “Me Xabin është ndryshe. Ai ka mënyrën e tij, shumë taktike dhe analitike. Janë dy trajnerë shumë të mirë, dhe të themi se na mungon diçka nga Carlo, do të ishte mungesë respekti ndaj Xabit. Çdo trajner ka mënyrën e vet për të udhëhequr skuadrën dhe të dy kanë dhënë kontribut të madh.”

    Courtois nënvizoi se ndryshimet midis stilesh nuk ndikojnë negativisht në skuadër, përkundrazi, i japin një dimension tjetër dhe mundësi lojtarëve të përshtaten dhe të rriten nën udhëheqjen e trajnerëve të ndryshëm. “Të dy na kanë mësuar diçka, dhe kjo e bën skuadrën më të fortë,” shtoi portieri.

  • Italia ka short të favorshëm për playoff-in e Botërorit

    Italia ka short të favorshëm për playoff-in e Botërorit

    Në Zyrih të Zvicrës u hodh shorti i playoff-it për Botërorin e ardhshëm, dhe vëmendja kryesore ishte mbi skuadrën e Italisë. Të Kaltrit, të cilët do të marrin pjesë për herë të tretë radhazi në playoff, patën një short shumë të favorshëm.

    Goglat vendosën që Italia të përballet në gjysmëfinale me Irlandën e Veriut. Kjo përballje sjell rikthimin e një historie të gjatë, pasi në vitin 1958 Irlanda e Veriut e ndaloi Italinë të luante në Botërorin e Suedisë, një episod që në Itali njihet si ‘disfata e Belfastit’.

    Ndeshja e gjysmëfinales do të luhet në shtëpi për skuadrën e drejtuar nga Ivan Gennaro Gattuso, ndërsa një finale e mundshme do të zhvillohet në transfertë kundër fitueses së çiftit Uells-Bosnje Hercegovinë.

    Në pjesën tjetër të shortit evropian, Danimarka do të përballet me Maqedoninë e Veriut, ndërsa Çeki me Irlandën. Fitueset e këtyre përballjeve do të ndeshen në finale, dhe ndeshjet e gjysmëfinales janë caktuar për 26 mars, ndërsa finalet do të luhen më 31 mars, ku do të përcaktohen edhe katër skuadrat e fundit evropiane që do të udhëtojnë drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës për edicionin e ardhshëm të Kupës së Botës.

    Shorti i playoff-it ndërkombëtar gjithashtu u zhvillua në Zyrih. Kaledonia e Re do të luajë me Xhamajkën në gjysmëfinale, me fituesen që do të përballet në finale me Republikën Demokratike të Kongos. Çifti tjetër gjysmëfinal, Bolivi-Surinam, do të përcaktojë kundërshtarin e Irakut në finale.

  • Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me xhiron e 14-të pas pauzës së Kombëtareve

    Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me xhiron e 14-të pas pauzës së Kombëtareve

    Pas ndërprerjes për ndeshjet e Kombëtareve, Superliga e Kosovës rikthehet këtë fundjavë me zhvillimin e xhiros së 14-të, e cila pritet të sjellë duele të forta dhe ndeshje me rëndësi të madhe për renditjen në tabelë.

    Sipas programit zyrtar, pesë ndeshje do të luhen në dy ditë, dy të shtunën dhe tri të dielën.

    Ndeshja e parë e kësaj jave do të zhvillohet të shtunën nga ora 13:00, ku Prishtina e Re do të përballet me Dritën në stadiumin e Lipjanit. Po të njëjtën ditë, në orën 18:00, Prishtina do të presë Malishevën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një takim që pritet me interes të veçantë nga tifozët kryeqytetas.

    Të dielën do të luhen tre duelet e mbetura të xhiros. Ballkani, kampioni aktual, do të jetë vendas ndaj Llapit, një sfidë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në garën për kreun e tabelës.

    Ndërkohë, Gjilani përballet me Ferizajn para tifozëve të vet, duke synuar rikthimin te fitorja, ndërsa ndeshja e fundit e kësaj jave do të jetë ajo mes Dukagjinit dhe Drenicës, që gjithmonë sjell rivalitet të madh.

    Me rikthimin e kampionatit, pritet një fundjavë plot emocion dhe duele vendimtare, teksa skuadrat kërkojnë të fitojnë pikë të rëndësishme në vazhdën e sezonit.

  • Karim Benzema: “Nuk ka asgjë si Real Madrid – është thjesht klubi më i mirë”

    Karim Benzema: “Nuk ka asgjë si Real Madrid – është thjesht klubi më i mirë”

    Ish-kapiteni dhe një nga legjendat më të mëdha të Real Madrid, Karim Benzema, ka dhënë një deklaratë të fortë dhe emocionale lidhur me klubin madrilen. Francezi, i cili fitoi gjithçka me “Los Blancos”, u shpreh se Madrid nuk ka të krahasuar dhe se madhështia e klubit është e padiskutueshme.

    “Nuk ka asgjë si Real Madrid. Është thjesht klubi më i mirë dhe kjo është e qartë,” tha Benzema, duke rikujtuar lidhjen e tij të veçantë me klubin ku u bë një prej sulmuesve më të mirë në histori.

    Deklarata e tij nuk ka kaluar pa reagime — tifozët madrilenë e kanë pritur me mall dhe krenari fjalimin e ish-yllit të tyre, i cili vazhdon të ruajë një respekt të jashtëzakonshëm për klubin ku fitoi 5 Liga të Kampionëve, 4 La Liga, Ballon d’Or 2022 dhe shumë trofe të tjerë.

    Mes largimit nga Madridi dhe sfidave të reja në karrierë, Benzema ka treguar edhe një herë se Real Madrid nuk është vetëm një klub, por një simbol i madhështisë, historisë dhe suksesit — një shtëpi që nuk harrohet kurrë.

    Deklarata e tij ka rikthyer nostalgjinë tek tifozët, duke dëshmuar se lidhja e Benzemas me “Santiago Bernabéu” mbetet e përjetshme.

  • Kosova publikon listën e gjerë për ndeshjen vendimtare ndaj Shqipërisë në parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029

    Kosova publikon listën e gjerë për ndeshjen vendimtare ndaj Shqipërisë në parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029

    Përfaqësuesja e Kosovës ka shpallur listën e gjerë të basketbollistëve për ndeshjen tepër të rëndësishme ndaj Shqipërisë, e cila do të zhvillohet më 30 nëntor, në kuadër të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2029.

    Përzgjedhësi Bujar Loci, së bashku me stafin teknik, ka përfshirë 15 lojtarë në listën paraprake, e cila më pas do të reduktohet në 12-shen finale që do të zbresë në parket kundër kuqezinjve.

    Një nga lajmet më pozitive për Dardanët është rikthimi i Divine Myles, një nga lojtarët kyç të Kosovës. Po ashtu, trajneri Loci ka ftuar tre emra të rinj:

    Jon Ismajli

    Erolt Rrahmani

    Rron Dahsyla

    Ndërsa Rrahmani dhe Dahsyla do ta veshin fanellën e Kosovës A për herë të parë, pjesa tjetër e lojtarëve të ftuar kanë përvojë të gjatë dhe konsiderohen si bazë solide në misionin e kualifikimit.

    Përgatitjet e Kosovës do të zhvillohen në Prizren, duke filluar nga e hëna mbrëma. Skuadra do të stërvitet aty deri të premten, ndërsa të shtunën pritet stërvitja e parë në Shkodër. Një seancë e fundit përgatitore do të mbahet të dielën në mëngjes — vetëm disa orë para ndeshjes së madhe.

    Kosova dhe Shqipëria përballen më 30 nëntor, në orën 18:00, në ndeshjen e Grupit C, ku bën pjesë edhe Sllovakia.

    Nga tri grupet parakualifikuese, vendi i parë dhe një vend i dytë më i mirë do të sigurojnë kalimin në fazën e ardhshme të eliminatoreve.

    Lista e gjerë e Kosovës

    Dardan Berisha

    Drilon Hajrizi

    Erjon Kastrati

    Mikaile Tmusic

    Divine Myles

    Lis Shoshi

    Gëzim Morina

    Valon Bunjaku

    Musab Mala

    Muhamedali Janjeva

    Dardan Kapiti

    Meriton Ismaili

    Erolt Rrahmani

    Jon Ismajli

    Rron Dahsyla

    Përzgjedhës: Bujar Loci

    Ndihmëstrajnerë: Petrit Zeqiri dhe Andin Rashica

  • Benjamin Šeško pritet të rikthehet brenda një muaji nga lëndimi

    Benjamin Šeško pritet të rikthehet brenda një muaji nga lëndimi

    Sipas raportimeve të Sky Sports, stafi mjekësor i Manchester United pret që sulmuesi slloven Benjamin Šeško të rikthehet në fushë brenda një muaji, pas lëndimit që e ka mbajtur jashtë fushave në javët e fundit.

    Lëndimi i tij nuk ndikoi vetëm te United, por edhe te kombëtarja e Sllovenisë, ku Šeško u detyrua të mungonte në ndeshjen vendimtare kundër Kosovës, e cila u mbyll me fitoren 2-0 të ‘Dardanëve’. Përmes asaj fitoreje historike, Kosova siguroi kualifikimin në play-off të Kupës së Botës, ndërsa Sllovenia e ndjeu dukshëm mungesën e sulmuesit të saj kryesor.

    Në kampin e Manchester United, lajmi për përmirësimin e gjendjes së Šeškos është pritur me optimizëm. Sulmuesi 21-vjeçar shihet si një element kyç në ofensivën e skuadrës dhe rikthimi i tij mund të sjellë më shumë zgjedhje dhe intensitet në repartin e avancuar.

    United shpreson ta ketë lojtarin plotësisht të gatshëm për ndeshjet vendimtare të muajit të ardhshëm, duke qenë se skuadra ka nevojë të rikthehet te rezultatet pozitive dhe te stabiliteti në Premier League.

    Rikthimi i Šeškos jo vetëm që forcon United-in, por i jep një shtytje edhe vetë lojtarit, i cili synon të rikthehet në formën më të mirë për klubin dhe përfaqësuesen e tij pas mungesës në duelin ku Kosova shkëlqeu dhe bëri histori.