ATV

Author: N.T.

  • CSKA Sofia shton përpjekjet për ta mbajtur Lumbardh Dellovën – oferta e re përfshin edhe pasaportë bullgare

    CSKA Sofia shton përpjekjet për ta mbajtur Lumbardh Dellovën – oferta e re përfshin edhe pasaportë bullgare

    CSKA Sofia po tenton me çdo kusht ta bindë qendërmbrojtësin e Kosovës, Lumbardh Dellova, që të mos largohet nga klubi gjatë verës. Interesi i madh nga klubet evropiane po e shtyn gjigantin bullgar të veprojë shpejt, dhe sipas mediumit bullgar “Tema Sport”, drejtuesit tashmë i kanë bërë 26-vjeçarit një ofertë të veçantë.

    CSKA ka rinisur negociatat me Dellovën me qëllimin e vetëm që të shmangë largimin e tij për vetëm 900 mijë euro, shumën që parasheh klauzola aktuale e mbrojtësit. Për ta bindur lojtarin, klubi i ka ofruar mundësinë e marrjes së pasaportës bullgare, një lehtësi e rëndësishme që do t’i mundësonte atij dhe familjes të lëviznin lirshëm në tërë Evropën.

    Përveç kësaj, Dellova ka marrë në tavolinë një kontratë të re, të vlefshme deri në vitin 2029, me një pagë mujore rreth 30 mijë euro. Pika ku palët ende nuk janë dakorduar mbetet klauzola e largimit: Dellova kërkon që ajo të rritet, por jo mbi 1.5 milionë euro, ndërsa CSKA preferon të mos vendosë fare një klauzolë të tillë.

    Raportet nga Bullgaria thonë se marrëveshja është shumë pranë, pasi CSKA nuk dëshiron ta humbasë futbollistin që këtë sezon është shndërruar në një titullar të patundshëm dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

    Kujtohet se Dellova ishte afër largimit verën e kaluar, por refuzoi një ofertë të majme nga Arabia Saudite, pasi familja e tij nuk dëshironte të braktiste Evropën.

    Mbrojtësi kosovar mbetet gjithashtu një figurë kyçe te Kombëtarja e Kosovës, ku në sistemin e trajnerit Franco Foda formon një treshe solide me Amir Rrahmanin dhe Albian Hajdarin.

  • Montella pas shortit: “Nuk e di kë do preferoja në finale, por synimi ynë është i qartë – të kualifikohemi”

    Montella pas shortit: “Nuk e di kë do preferoja në finale, por synimi ynë është i qartë – të kualifikohemi”

    Përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella, ka reaguar pas shortit të play-offit për Kupën e Botës 2026, ku Turqia mësoi se do të përballet me Rumaninë në gjysmëfinale. Nëse arrin në finale, Turqia do të luajë në udhëtim kundër fituesit të ndeshjes Sllovaki – Kosovë.

    Montella u shpreh se fokusi i tij dhe i ekipit është plotësisht te sfida e parë, ndërsa për finalen nuk ka preferencë, pavarësisht se e vlerëson shumë përzgjedhësin e Sllovakisë, Francesco Calzona.

    “Kemi luajtur shumë mirë në grupe dhe morëm rezultate të mira. Tani i tërë fokusi ynë është në play-off – duam të jemi në finale,” tha ai.

    “Finalja është në udhëtim, por këto janë rregullat. Tërë fokusi ynë është në ndeshjen e parë.”

    Montella foli edhe për një përballje të mundshme me Sllovakinë, duke vlerësuar punën e trajnerit italian Calzona:

    “Sllovakia ka një trajner italian, e njoh mirë. Është një trajner i shkëlqyer dhe ka një skuadër të mirë. Zakonisht luajnë kompakt dhe me besim.”

    Megjithatë, tekniku italian theksoi se për të nuk ka rëndësi kundërshtari i finales:

    “Nuk e di se cilën kombëtare do ta preferoja, por dua që Turqia të jetë në finale.”

    Ndeshjet e gjysmëfinaleve do të zhvillohen më 26 mars, ndërsa finalja e madhe është caktuar për 31 mars 2026, ku do të përcaktohet se kush siguron biletën e artë drejt Botërorit.

  • Courtois reagon ndaj deklaratave të Lamine Yamal: “Në emocionet e ndeshjes thuhet edhe ajo që nuk mendohet”

    Courtois reagon ndaj deklaratave të Lamine Yamal: “Në emocionet e ndeshjes thuhet edhe ajo që nuk mendohet”

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka komentuar polemikat që shpërthyen para “El Clasico”-s së fundit, ku Real Madridi triumfoi 2-1 ndaj Barcelonës. Shkak i tensioneve ishte një deklaratë provokuese e Lamine Yamal, i cili kishte thënë: “Real Madridi vjedh dhe gjithmonë ankohet.”

    Në një intervistë për Cadena Cope, Courtois u shpreh se Yamal është një talent i jashtëzakonshëm, por ndonjëherë futbollistët e rinj flasin nën ndikimin e emocioneve.

    “Mendoj se kur je i qetë dhe rehat, ndonjëherë mund të thuash gjëra që nuk i mendon. Për mua, Lamine është një lojtar i shkëlqyer dhe do të bëjë histori për Barcelonën. Por ai e tha këtë, shkaktoi pak trazirë dhe shtypi u kthye kundër tij…”, deklaroi portieri belg.

    Courtois tregoi se kishte folur me Lamine Yamal edhe pas ndeshjes:

    “E pashë duke folur me Carvajal dhe pastaj shpërtheu një grindje e vogël, kështu që i thashë diçka edhe atij. Kur emocionet janë të larta, thua gjëra që nuk duhet.”

    Portieri i Realit shtoi se tensioni është pjesë e pandashme e “El Clasico”-s dhe madje e domosdoshme për spektaklin.

    “Ky është pikërisht qëllimi i një ‘El Clasico’. Kishim nevojë për atë atmosferë, për atë intensitet, sidomos pas katër humbjeve të vitit të kaluar. Kemi nevojë për këtë ndjenjë se Barcelona është një armik sportiv dhe se duhet t’i sulmojmë. Edhe kur fituam, nuk na treguan respekt. Por këto debate mbeten në fushë.”

    Me këto deklarata, Courtois i dha fund polemikave, duke sjellë një ton më të qetë mes dy ekipeve, pa e humbur aromën e rivalitetit më të madh në futbollin botëror.

  • Bashkimi mbyll debutimin historik në FIBA Europe Cup me tri fitore – eliminimi vjen vetëm nga koshdallimi

    Bashkimi mbyll debutimin historik në FIBA Europe Cup me tri fitore – eliminimi vjen vetëm nga koshdallimi

    Skuadra e Bashkimit ka përfunduar aventurën e saj debutuese në FIBA Europe Cup, duke lënë pas një edicion mbresëlënës me tri fitore në gjashtë ndeshje. Portokallezinjtë fituan nga një herë ndaj secilës skuadër të Grupit J, por gara jashtëzakonisht e ngushtë në këtë grup bëri që fati të vulosej vetëm nga koshdallimi – faktor që i penalizoi rëndë.

    Grupi J ishte tërësisht i paparashikueshëm: të katër ekipet e përfunduan fazën me bilanc identik prej 3 fitore dhe 3 humbje, duke e kthyer koshdallimin në kriterin vendimtar. Ndërsa Reggiana doli me +45 dhe siguroi kualifikimin, Bashkimi mbylli grupin me koshdallim -28, pavarësisht rritjes së jashtëzakonshme në fazën e dytë të garës.

    Një rikthim spektakolar, por jo i mjaftueshëm

    Bashkimi e nisi me tri humbje radhazi, duke e bërë grupin të dukej i paarritshëm. Por portokallezinjtë reaguan fuqishëm, duke shënuar tri fitore të njëpasnjëshme:

    89:69 ndaj Cibonës në Prizren, 77:76 ndaj Reggianas në një ndeshje dramatike, 93:84 në udhëtim ndaj Dijonit, duke u hakmarrë për humbjen në shtëpi 74:83 pas kohës shtesë.

    Ky reagim e riktheu Bashkimin në garë deri në momentin e fundit, duke dëshmuar karakter, organizim dhe cilësi të nivelit ndërkombëtar.

    Edhe pse rruga u ndërpre për shkak të koshdallimit, Bashkimi e mbyll edicionin me kokën lart. Tri fitore në debutim në grupet e FIBA Europe Cup për nënkampionët e Kosovës përbëjnë një sukses të madh dhe një sinjal të qartë se klubi prizrenas mund të synojë edhe më shumë në edicionet e ardhshme.

    Fakti që grupi u mbyll me barazi të plotë mes katër skuadrAVE vetëm e rrit peshën e këtij edicioni historik për portokallezinjtë.

  • Trajneri i Polonisë, Jan Urban: “Short i mirë për ne – jemi favoritë ndaj Shqipërisë”

    Trajneri i Polonisë, Jan Urban: “Short i mirë për ne – jemi favoritë ndaj Shqipërisë”

    Pas hedhjes së shortit në Cyrih, ku Polonia mësoi se do të përballet me Shqipërinë në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026, ka ardhur edhe reagimi i përzgjedhësit polak, Jan Urban. Ai e cilësoi Shqipërinë si një kundërshtar të fortë, por theksoi se Polonia mbetet favorite në ndeshjen që do të luhet në shtëpi.

    Nuk mendoj se duhet të ankohemi. Kemi short të mirë, jemi favoritë në ndeshjen e parë. Nuk mund ta fshehim këtë. Duhet ta shfrytëzojmë avantazhin e stadiumit si vendas, deklaroi Urban.

    Trajneri polak shtoi se, pavarësisht se ndihen superiorë, respekti ndaj kundërshtarit është i domosdoshëm:

    “Është e qartë që ne jemi favoritë, por duhet të respektojmë çdo ekip. Futbolli të surprizon – e kemi përjetuar vetë, por edhe duke parë përfaqësueset e tjera.”

    Urban theksoi se vetëbesimi do të jetë një armë e rëndësishme në këtë fazë:

    “Respekti është i rëndësishëm, por duhet të kemi vetëbesim. Shorti është i mirë dhe ne kthehemi me besim të plotë në rrugëtimin e play-off-it.”

    Ai konfirmoi se Polonia është e fokusuar te sfida e parë, por pa e lënë pas dore përgatitjen për një finale të mundshme kundër Ukrainës ose Suedisë:

    “Jemi të lumtur me shortin. Dy ndeshje në shtëpi do të ishte një fat i madh. Nëse arrijmë në finale, do të luftojmë fort për vendin në Kupën e Botës. Jemi të fokusuar tek Shqipëria, por nuk harrojmë analizën për Ukrainën dhe Suedinë.”

    Sfida Poloni – Shqipëri do të luhet në mars, në një duel që pritet të jetë vendimtar në rrugën drejt Botërorit 2026.

  • Sylvinho pas shortit: “I njohim mirë kundërshtarët, do të përgatitemi maksimalisht ndaj Polonisë”

    Sylvinho pas shortit: “I njohim mirë kundërshtarët, do të përgatitemi maksimalisht ndaj Polonisë”

    Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka komentuar shortin e play-offit për Kupën e Botës 2026, duke theksuar se e njeh mirë kundërshtarin e parë dhe se ekipi do të përgatitet maksimalisht për sfidën ndaj Polonisë.

    Shqipëria do të udhëtojë për t’u përballur me Poloninë në ndeshjen e parë, ndërsa nëse kalon, në finale do të përballet me fituesin e duelit Ukrainë – Suedi.

    Në një intervistë për faqen zyrtare të FSHF-së, tekniku brazilian u shpreh:

    “Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara.”

    I pyetur për një finale të mundshme, Sylvinho theksoi se edhe Ukraina dhe Suedia mbeten kundërshtarë shumë të fortë:

    “Finalja e mundshme ndaj Ukrainës ose Suedisë? Janë të gjitha skuadra të forta: Polonia fillimisht, por edhe dy kundërshtarët e tjerë nga ana tjetër. Ukrainën e njohim tashmë nga Nations League, ndërsa ndaj Suedisë kemi zhvilluar një miqësore. Janë skuadra me lojtarë të fortë – katër skuadra shumë të forta.”

    Kujtojmë se ndeshja e parë mes Shqipërisë dhe Polonisë do të zhvillohet në mars të vitit 2026, një sfidë ku kuqezinjtë synojnë të tregojnë forcën dhe përgatitjen e tyre për Botërorin.

  • Ivan Schranz pas shortit: “Kosovën nuk e njoh shumë, por do të jemi gati deri në mars”

    Ivan Schranz pas shortit: “Kosovën nuk e njoh shumë, por do të jemi gati deri në mars”

    Sulmuesi i Slavia Pragës dhe Kombëtares së Sllovakisë, Ivan Schranz, ka folur pas shortit të playoff-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, ku Sllovakia do të përballet me Kosovën në gjysmëfinale.

    Schranz ka pranuar se aktualisht nuk ka shumë njohuri për ekipin kosovar, por ka theksuar se në këtë fazë çdo kundërshtar është i fortë dhe nuk duhet nënvlerësuar.

    “Nuk kam pasur favorit se me kë do të doja të përballesha, sepse secili kundërshtar në playoff është i fortë. Nuk di shumë për Kosovën për momentin, por deri në mars do të kemi mjaftueshëm informata dhe do ta analizojmë në mënyrë të përkryer,” ka deklaruar ai.

    Sulmuesi 32-vjeçar ka shtuar se fakti që ndeshja e parë do të luhet në shtëpi për Sllovakinë është një avantazh i madh.

    “Jam i lumtur që do të luajmë në shtëpi. Besoj se tifozët do të jenë në numër të madh dhe do të na përkrahin,” u shpreh Schranz.

    Në këtë sezon, Schranz ka zhvilluar 12 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe dhuruar një asistim, duke u bërë një nga armët kryesore të Sllovakisë për duelin e marsit.

    Playoffi pritet të jetë një përballje e fortë, ndërsa të dyja skuadrat synojnë biletën e artë drejt Botërorit 2026.

  • Rúben Amorim: “Kam mësuar shumë këtë vit, tani jam gati për të ardhmen e Manchester United!”

    Rúben Amorim: “Kam mësuar shumë këtë vit, tani jam gati për të ardhmen e Manchester United!”

    Trajneri i Manchester United, Rúben Amorim, po tregon një vizion të qartë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Në një intervistë të fundit, ai u shpreh: “Kam mësuar shumë gjatë vitit të kaluar, tani jam një trajner më i mirë… jam gati për të ardhmen.”

    Amorim thekson se çdo sfidë dhe eksperiencë e ka bërë më të fortë dhe më të përgatitur për të drejtuar një nga klubet më të mëdha të botës. Tifozët e Manchester United mund të presin një trajner që kombinon strategjinë, përvojën dhe vendosmërinë për të rikthyer suksesin në Old Trafford.

    Ekspertët e futbollit e përshkruajnë si një lider modern, që mëson nga çdo ndeshje dhe nuk ndalet para sfidave të mëdha. Sipas tyre, Amorim është trajneri që mund ta rikthejë Manchester United në majat e Premier League dhe Europës.

  • Thibaut Courtois: “Mbappé ka një mentalitet fitues të jashtëzakonshëm, ai është lider”

    Thibaut Courtois: “Mbappé ka një mentalitet fitues të jashtëzakonshëm, ai është lider”

    Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka folur së fundmi për ndikimin dhe mentalitetin e yllit francez, Kylian Mbappé, duke e cilësuar atë jo vetëm një lojtar të jashtëzakonshëm teknikisht, por edhe një lider të vërtetë në fushë. Courtois u shpreh: “Këtë vit po shohim një rritje të madhe në mentalitetin fitues të Mbappé.”

    Ai shtoi gjithashtu: “Duket qartë që ai është një lider.”

    Fjala e portierit belg vjen pas një serie performancash mbresëlënëse nga Mbappé, i cili ka treguar se nuk është vetëm një sulmues i talentuar, por edhe një lojtar që frymëzon dhe udhëheq skuadrën e tij në momentet më të vështira. Ekspertët e futbollit e vlerësojnë këtë kombinim të aftësive teknike, shpejtësisë dhe mentalitetit fitues si një nga arsyet kryesore që e bëjnë Mbappé një nga yjet më të shquar të momentit.

    Sipas Courtois, kjo rritje e vazhdueshme në mentalitetin fitues dhe aftësia për të marrë përgjegjësi në momente kyçe e bëjnë Mbappé një figurë qendrore për çdo skuadër, dhe një shembull frymëzimi për lojtarët e rinj që duan të arrijnë nivelin më të lartë të futbollit profesional.

  • Italia mëson rivalët në play-off të Botërorit 2026 – Gattuso: “Duhet të jemi të fortë, pa gabime”

    Italia mëson rivalët në play-off të Botërorit 2026 – Gattuso: “Duhet të jemi të fortë, pa gabime”

    Kombëtarja e Italisë ka mësuar rrugën e saj drejt Botërorit 2026, pas shortit të hedhur në Zyrih. “Të Kaltërit” do të nisin aventurën në gjysmëfinale kundër Irlandës së Veriut, në një sfidë që do të luhet në shtëpi, ndërsa nëse kalojnë tutje, në finale do t’i presë fituesi i duelit mes Uellsit dhe Bosnjë-Hercegovinës.

    Edhe pse në letër Italia shihet si favoritja kryesore e këtij mini-turneu, trajneri Gennaro Gattuso zgjedh realizmin para entuziazmit. Në një intervistë për Sky Sports, ai paralajmëroi se Irlanda e Veriut nuk është kundërshtar për t’u nënvlerësuar.

    “Irlanda e Veriut është një skuadër fizike, që nuk dorëzohet kurrë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të luajmë lojën tonë,” u shpreh Gattuso.

    “E dinim që play-off-i ishte i pashmangshëm. Duhet të përmirësohemi dhe të shikojmë me besim drejt këtyre ndeshjeve.”

    Trajneri italian foli edhe për rëndësinë e fazës përgatitore, duke nënvizuar se sa më shumë kohë të kenë lojtarët me ekipin, aq më e madhe do të jetë mundësia që Italia të shfaqet në formën më të mirë të saj.

    “Nuk varet nga unë nëse do të kemi një periudhë të zgjeruar grumbullimi – këtë e vendos presidenti i Federatës. Por qartazi, çdo ditë shtesë na ndihmon. Në javët e fundit të kampionatit duhet t’i kem lojtarët afër, të flas me ta, të kuptoj gjendjen e tyre, jo vetëm futbollin por edhe aspektin njerëzor.”

    Gattuso pranoi se ekipi ende vuan nga momentet e brishtësisë, të cilat shpesh kanë rezultuar fatale në ndeshje të mëdha.

    “Duhet të punojmë me brishtësinë tonë. Kur bëjmë gjërat mirë, jemi shumë kompetitivë. Por nuk mund t’i lejojmë vetes gabime si ato kundër Norvegjisë – kjo është e patolerueshme në këtë nivel,” theksoi ai.

    “Ky është prioriteti numër një. Mua më takon t’i përmirësoj këta detaje, ndërsa për pjesën tjetër kemi kohë. Tani do të analizojmë kundërshtarët dhe do të provojmë të minimizojmë çdo rrezik.”

    Italia, e cila sezonet e fundit ka përjetuar luhatje të mëdha në performancë, e sheh këtë play-off si një mundësi për të rikthyer krenarinë dhe pjesëmarrjen në skenën më të madhe të futbollit botëror.

    Me Gattuson që kërkon disiplinë dhe karakter, “Të Kaltërit” hyjnë në këtë fazë vendimtare me vetëdije të plotë: nuk ka vend për gabime. Një tjetër mungesë në Botëror do të ishte katastrofike – dhe trajneri italian duket i vendosur ta shmangë një skenar të tillë.