ATV

Author: K.B.

  • Krimet e Rënda po intervistojnë komisionerë në Drenas për falsifikim votash

    Krimet e Rënda po intervistojnë komisionerë në Drenas për falsifikim votash

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur intervistimin e anëtarëve të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht të Qendrës Komunale të Numërimit në Drenas, në kuadër të hetimeve për dyshime për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave.

    Sipas njoftimit zyrtar, veprimet po zhvillohen nga Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, konkretisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, dhe pas autorizimit të Prokurorisë. Hetimet lidhen me dyshime për parregullsi në numërimin e votave të kandidatëve të subjekteve politike.

    Prokuroria bën të ditur se, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Opinioni publik, thuhet në njoftim, do të informohet për çdo zhvillim të mëtejmë.

  • Kryeprokurorja e Speciales kërkon dënim 45 vjet për ish-krerët e UÇK-së

    Kryeprokurorja e Speciales kërkon dënim 45 vjet për ish-krerët e UÇK-së

    Kryeprokurorja Kimberly West, në fjalën e saj në seancën përmbyllëse të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se Zyra e Prokurorit nuk po kërkon dënim ndaj Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vetëm ndaj individëve të akuzuar në këtë proces gjyqësor.

    West bëri të ditur se Prokuroria kërkon një dënim të përbashkët prej 45 vitesh burgim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke u bazuar në përgjegjësinë dhe kontributin individual të secilit në veprat penale që u atribuohen.

    Sipas saj, akuzat përfshijnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat konsiderohen veçanërisht të rënda dhe, siç theksoi ajo, nuk e kanë humbur peshën apo rëndësinë e tyre pavarësisht kalimit të kohës.

    “Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”.

  • Jashari dekoroi me medalje pjesëtarët FSK-së që ishin në operacionin e kërkim shpëtimit në Shqipërisë

    Jashari dekoroi me medalje pjesëtarët FSK-së që ishin në operacionin e kërkim shpëtimit në Shqipërisë

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka dekoruara me medalje pjesëtarët e njësisë së Kërkim Shpëtimit të Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së të cilët kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të kërkim shpëtimit në Republikën e Shqipërisë.

    Fillimisht, Gjeneral Jashari falënderoi pjesëtarët që kanë qenë të angazhuar në operacionin humanitar të kërkim shpëtimit në Klos, të Republikës së Shqipërisë.

    Me këtë rast Jashari i përgëzoi për punën, profesionalizmin dhe angazhimin pjesëtarët në fjalë, të cilët e përfunduan me sukses këtë operacion në kushte të ftohta dimërore.

    “Në fund të takimit, Jashari dekoroi pjesëtarët e angazhuar në këtë operacion humanitar me medaljen “Shërbim Vetëmohues” dhe dekoroi me “mirënjohje” njësinë në fjalë.Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal duke dëshmuar ngritje të kapaciteteve dhe profesionalizëm si brenda ashtu edhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet nw komunikatën e FSK-së.

  • Sulm me sëpatë në Pejë, tre të arrestuar

    Sulm me sëpatë në Pejë, tre të arrestuar

    Tre persona janë arrestuar në Pejë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje kanë kanosur dhe sulmuar një tjetër.

    Sipas raportit policor, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse me ç’rast kanë konfiskuar një sëpatë që dyshohet të jetë përdorur në rast.

    Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Prokurori Special kërkon shpalljen fajtor të mësuesit për përdhosje të simboleve kombëtare në shkollë

    Prokurori Special kërkon shpalljen fajtor të mësuesit për përdhosje të simboleve kombëtare në shkollë

    Prokurori Special Bekim Kodraliu ka kërkuar ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, të akuzuarin Muhamet Hajredinajpër veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale i akuzuari Hajredinaj duke e ditur qe më 27 nëntor 2024 kremtohej në shkollë Dita e flamurit kombëtar, për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve, ka marrë flamurin kuqezi dhe plisin dhe, me gjithë kundërshimet e nxënësve, i ka hedhur në shportën e mbeturinave.

    “Ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale të ‘Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, pa mëdyshje është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale e lartcekur. Është vërtetuar gjendja faktike, çka nënkupton që i pandehuri e ka kryer veprën penale. U vërtetua se i pandehuri me 27.11.2024 në shkollën ‘Xhemajl Mustafa’, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar si mësimdhënës, në mënyrë qe ka hyrë në klasën 6/4 i përballur më veshjet kombëtare, ka marrë flamurin dhe plisin nga disa nxënës i ka hedhur në shportën e mbeturinave si dhe ka larguar nga klasa një nxënëse që ka pasur veshje kombëtare. Nga administrimi i provave, nga deklarimet e dëshmitarëve dhe të pandehurit rezulton e vërtetuar se i pandehuri ka ndërmarrë veprime konkrete publike me dashje të drejtpërdrejtë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit. Para nxënësve të mitur, ka përdhosur simbolet kombëtare shqiptare, duke hedhur flamurin dhe plisin, ka larguar nga klasa një nxënëse 11 vjeçare. Janë vërtetuar edhe nga deklarimet e dëshmitarëve me këto veprime nxitur urrejtje. Hedhja e simboleve e shoqëruar me përjashtim e një nxënëse të mitur përbën një akt poshtërues”, thuhet në aktakuzë.

    Më tej është thënë se dëshmohet qartë se veprimi nuk ka qenë i paqëllimshëm, por i qëllimshëm.

    “Ne konsiderojmë se vepra penale është kryer në një ambient arsimor. Bazuar në provat e administruara i pandehuri ka kryer këtë veprën penale, i propozoj Gjykatës ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit dhe ti shqiptohet dënimi plotësues, dënimi nga ushtrimi i detyrës në administratën publike”, ka thënë prokurori special, Bekim Kodraliu.

    E mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Hajredinaj, avokati Muhamet Mujaj, tha se pretendimet e Prokurorisë Speciale janë të pabazuara dhe i pandehuri Muhamet Mujaj nuk e ka kryer veprën mbi të cilën ngarkohet. Ka kërkuar lirimin e tij.

    “Nuk është e vërtetë çka deklarohet prej një prokurori për gjendjen faktike. As provat materiale e as personale se i akuzuari ka ndërmarrë veprim për shkak te motiveve fetare. Kërkesa e tij ka qenë që nxënësit të jenë të veshur me uniformë. Profesori ka kërkuar që plisat, flamuri që të largohen dhe të vazhdojë procesi mësimor. Nuk ka dëshmi që Muhameti ka bërë nxitje të përçarjes… i akuzuari ka deklaruar edhe në gjykatë që ato simbole janë simbole të tij kombëtare. Deklaratat e dëshmitarëve janë shumë kontradiktore me shumë paragjykime. Profesoresha nuk ka arritur të tregojë se ka qenë ose jo prezent kur ka ndodhur rasti.. nuk ka pasur për qëllim ta hedhë flamurin, por ka qenë në efekt. Kërkojmë që ta lironi të akuzuarin”, ka thënë avokati Muhamet Mujaj.

    Fjalën përfundimtare të avokatit e përkrahu edhe vetë i akuzuari Muhamet Hajredinaj. Pas rastit Hajredinaj ishte pezulluar nga puna në shkollën “Xhemail Mustafa”.

    KOHA pati raportuar në ditën e ngjarjes, se si simbolet u bënë shkak që mësimdhënësi i gjuhës anglezë në shkollën “Xhemail Mustafa”, ka përjashtuar një nxënëse nga ora e mësimit qe refuzoi ta heqë plisin nga koka dhe e hodhi në bërllok edhe flamurin kuq e zi.

  • Familja Kola u shua në Itali, mblidhen 75 mijë euro për kthimin e 4 trupave në Shqipëri dhe shpenzimet e funeralit

    Familja Kola u shua në Itali, mblidhen 75 mijë euro për kthimin e 4 trupave në Shqipëri dhe shpenzimet e funeralit

    Fushata e solidaritetit është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i 48-vjeçarit Arti Kola, një nga viktimat e tragjedisë.

    Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore, ndërsa shuma që do të mbetet do t’u shërbejë familjarëve të viktimave.

    Ngjarja e rëndë i mori jetën Arti Kolës, bashkëshortes së tij Jonida, 43-vjeçe, si dhe dy fëmijëve të tyre Hadjarit, 22-vjeç, dhe Xhesikës, 15-vjeçe.

    Të katërt humbën jetën nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga kaldaja e gazit e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.

    Dhjetëra donatorë kanë kontribuar me shuma që variojnë nga 50 deri në 500 euro.

    Hetimet

    Prokuroria e Luccas ka hapur një hetim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar përgjegjësitë e mundshme.

    Kaldaja rezulton të ketë qenë e re dhe dyshohet se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.

    Pritet rezultati i analizave toksikologjike për katër viktimat, i cili pritet të jetë vendimtar për vijimin e hetimeve.

    Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri, për t’u përcjellë në banesën e fundit, duke i dhënë fund në mënyrën më të dhimbshme historisë së një familjeje që kishte ndërtuar jetën e saj në Itali me punë dhe sakrifica.

  • Gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

    Gjashtë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë shënuar në 24 orët e fundit.

    Sipas raportit të Policisë të Kosovës rastet janë regjistruar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Dragash, Vushtrri, Mitrovicë e Leposaviq.

    Gjashtë burra janë arrestuar në cilësinë e të dyshuarve.

    Rastet në komunat e ndodhura:

    Fushë Kosovë: Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka sulmuar viktimën femër kosovare. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Prishtinë: Raportohet se pas një mosmarrëveshje dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë sulmuar njëri tjetrin. Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje. Rasti në procedure hetimore.

    Dragash: Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka sulmuar viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Vushtrri: Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon te trajtohet ne procedure te rregullt.

    Mitrovicë Jugu: Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka kanosur dy viktimat kosovarë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore.

    Leposaviq: Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim te prokurorit dërgohet në mbajtje.

    Ndërkohë, në raportin 24-orësh të policisë u raportua edhe një rast tjetër i dhunës në familje, i cili kishte ndodhur të premten e 6 shkurtit.

    Një burrë është arrestuar në Skenderaj pasi kishte ushtruar dhunë ndaj një gruaje.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”.

  • Osmani: Pavarësisht sfidave, rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së është e pandalshme

    Osmani: Pavarësisht sfidave, rruga e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së është e pandalshme

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë sot një postim ku ka shkruar për anëtarësimin e Kosovës në BE e NATO.

    Ajo thotë se pavarësisht sfidave të vazhdueshme, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian është e pandalshme.

    Në një intervistë për median britanike Monocle, ajo ka folur për integrimin euroatlantik, duke theksuar gjithashtu potencialin zhvillimor dhe perspektivën afatgjatë të vendit.

  • Rama publikon pamjet e xhamisë së rikonstruktuar të Ballies në Elbasan: Arkitektura më e bukur në botë

    Rama publikon pamjet e xhamisë së rikonstruktuar të Ballies në Elbasan: Arkitektura më e bukur në botë

    Kryeministri Rama, ka ndarë në Facebook pamje nga Xhamia e Ballies në zemër të Elbasanit, tashmë e rikonstruktuar dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht si një nga objektet më të veçanta të kultit.

    Xhamia ka fituar Çmimin Ndërkombëtar 2025 nga platforma ArchDaily për Arkitekturën më të Bukur Fetare në Botë, duke e vendosur Elbasanin në hartën globale të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës moderne fetare.

    ‘dhe me Xhaminë e Ballies në zemër të Elbasanit, tashme e rilindur e vlerësuar si një nga objektet më të veçanta të kultit në botë dhe fituese e Çmimit Ndërkombëtar 2025 nga ArchDaily për Arkitekturën më të Bukur Fetare, ju uroj një javë të mbarë’, shkruan Rama.

  • Haradinaj i ashpër ndaj Speciales: Turpi i drejtësisë së këtij shekulli

    Haradinaj i ashpër ndaj Speciales: Turpi i drejtësisë së këtij shekulli

    Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, sot në Klan Kosova, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale.

    Haradinaj tha se pavarësisht se çfarë vendimi do të marrë kjo gjykatë, ajo tashmë e ka humbur besueshmërinë dhe do të mbetet njollë në historinë e drejtësisë.

    Sipas tij, proceset e deritanishme janë shoqëruar me shkelje të shumta dhe padrejtësi ndaj të akuzuarve.

    “Çfarëdo vendimi të marrë, kjo gjykatë do të jetë turpi i drejtësisë së këtij shekulli. Edhe me i liru nuk është drejtë, sepse gjatë krejt këtyre proceseve, patjetër që duhet me marrë vendim lirues, nëse ka drejtësi, por edhe nëse merr vendim lirues, kjo gjykatë do të jetë trupi i këti shekulli, sepse i ka bërë të gjitha shkeljet mundshme”, tha ai.

    Ai theksoi se një vendim lirues do të duhej të ishte i pashmangshëm nëse do të kishte drejtësi, por shtoi se edhe një vendim i tillë nuk do të mund ta riparonte dëmin e shkaktuar nga proceset e deritanishme.