ATV

Author: K.B.

  • Maqedonci reagon ndaj deklaratave të gjeneralit serb: FSK nuk paraqet kërcënim për komunitetin serb

    Maqedonci reagon ndaj deklaratave të gjeneralit serb: FSK nuk paraqet kërcënim për komunitetin serb

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, reagoi pas deklaratave të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralit Mojsiloviq, i cili tentoi ta paraqesë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) si një kërcënim për komunitetin serb në Kosovë.

    Në një deklaratë publike, Maqedonci tha se pretendimet e gjeneralit janë të pavërteta dhe në kundërshtim me realitetin.

    “Deklaratat e bëra nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Mojsiloviq, të cilat tentojnë ta paraqesin Forcën e Sigurisë së Kosovës si kërcënim për komunitetin serb në Kosovë, janë të pavërteta, të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me realitetin në terren”, ka shkruar Maqedonci.

    Ai theksoi se FSK është një forcë profesionale, që vepron nën kontroll civil dhe sipas ligjeve të Kosovës.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e ndërtuar sipas standardeve më të larta demokratike. Mandati i saj është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, tha ai.

    Maqedonci shtoi se modernizimi i ushtrisë nuk ka karakter kërcënues.

    “Fuqizimi dhe modernizimi i Ushtrisë së Kosovës nuk ka karakter kërcënues ndaj askujt. Ai përbën një të drejtë legjitime të çdo shteti sovran dhe një domosdoshmëri për garantimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në vend dhe në rajon”, theksoi ministri.

    Ministri apeloi gjithashtu kundër narrativeve që synojnë tensione dhe frikësim të komuniteteve:

    “Narrativat që synojnë frikësimin e komuniteteve ose justifikimin e politikave destabilizuese nuk kontribuojnë në paqe dhe stabilitet. Përgjegjësia për sigurinë kërkon maturi, respekt për realitetin dhe përkushtim ndaj paqes, e jo deklarata që nxisin tensione”, tha Maqedonci.

    Ministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe ndërtimit të një mjedisi të sigurt.

    “Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ndaj ndërtimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e saj. Kosova ndërton ushtri për mbrojtje. Kosova ndërton siguri për të gjithë”, u shpreh ai.

  • Përfundon restaurimi i shtëpisë së Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës

    Përfundon restaurimi i shtëpisë së Jusuf Ademit në Leshtar të Kamenicës

    Ministria e Kulturës ka njoftuar përmbylljen e punimeve të restaurimit të shtëpisë së Jusuf Ademit në fshatin Leshtar të Kamenicës.

    Shtëpia, e cila ka mbi 150 vjet jetë, përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të arkitekturës tradicionale kosovare dhe ruan vlera të mëdha historike dhe kulturore.

    Restaurimi synon të sigurojë ruajtjen e saj për brezat e ardhshëm, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në gjithë territorin e vendit.

    Ministria e Kulturës thekson se përmes këtij projekti vazhdon angazhimi për ruajtjen dhe promovimin e pasurisë historike dhe arkitektonike të Kosovës.

  • Kurti paralajmëron se sot do të nisin bisedimet për “Presidentin apo Presidenten”

    Kurti paralajmëron se sot do të nisin bisedimet për “Presidentin apo Presidenten”

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se do të fillojnë diskutimet për çështjen e Presidentit.

    Pak para se të hynte në Kuvend ku po mbahet një seancë e jashtëzakonshme për buxhetin e këtij viti, Kurti tha:

    “Brenda ditës do të fillojmë edhe bisedimet për Presidentin apo Presidenten e Kosovës”.

    Në mbledhjen e parë të qeverisë së re të enjten, Kurti tha se është i gatshëm të bisedojë me partitë e tjera për çështjen e Presidentit.

    “Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë, votimin e buxhetit të vitit 2026 dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”.

  • ​Të akuzuarit për sulmin në “Ibër- Lepenc” deklarohen të pafajshëm

    ​Të akuzuarit për sulmin në “Ibër- Lepenc” deklarohen të pafajshëm

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, vëllezërit Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, të akuzuar për sulmin në kanalin e “Ibër- Lepencit” në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024, u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare, raporton KosovaPress.

    Ata u deklaruan pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu.

    Të pyetur nga kryetari i trupit gjykues,Vesel Ismajli, se a ndihen fajtorë për veprat, për të cilat akuzohen, Jovan dhe Jovan Viqentijeviq thanë se nuk ndihen fajtorë: “Jo, për asnjërën”.

    Edhe Igor Dimoviq u deklarua njëjtë.

    “Dëshiroj të deklaroj se nuk ndihem fajtor për veprën penale, e cila më vihet barrë”, tha ai.

    Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se të akuzuarit kanë kohë 30 ditë që të ushtrojnë kërkesë për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

    “Seanca e shqyrtimit fillestar me kaq përfundon. Të akuzuarit që nga sot, ju njoftoj, pasi të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për veprat penale që akuzohen, ju keni të drejtë ligjore që nga sot të ushtroni në formë të shkruar kërkesë për hedhjen e aktakuzës, kundërshtimin e provave brenda afatit ligjor prej 30 ditësh. Gjykata do t’i shqyrtojë, do t’i analizojë dhe do marrë një vendim lidhur me kërkesat tuajaj”, tha Ismaili.

    Por, avokati i Jovan Viqentijeviqit, Nebojsha Vllajiq, kërkoi nga trupi gjykues që të bashkohen procedurat penale ndaj klientit të tij, që po zhvillohet edhe në Gjykatën Themelore në Pejë, ku së bashku me vëllain e tij, akuzohet për vrasje.

    “Lidhur me kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ne do t’i parashtrojmë në këtë gjykatë në formë të shkruar brenda afatit, por njëkohësisht do ushtrojmë kërkesë për bashkimin e procedurës penale ndaj të mbrojturit që po zhvillohet në Gjykatën Themelore të Pejës”, tha ai.

    Porse, prokurori special, Bekim Kodraliu shtoi se nuk mund të ndërhyjnë në kompetencat e Gjykatës Themelore në Pejë, ngase do të pengonin hetimet ndaj të akuzuarve për vrasje.

    “Ai (avokati) është profesionist dhe duhet t’i kuptojë disa çështje juridike. Procedura penale në Pejë është duke u zhvilluar, është procedurë nën hetim dhe nuk ka mundësi ligjore që e njëjta lëndë të bashkohet me lëndën që është vetëm duke u zhvilluar. Ne nuk mund të ndërhyjmë në kompetenca të Gjykatës Themelore në Pejë, ngase do të pengonim hetimin në Pejë”, tha ai.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, ne fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër- Lepencit”, infrastrukturë publike, e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

    Në aktakuzën, të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

    Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- “Ibër- Lepencit| i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.

    Kurse, në pikën 2 të aktakuzës, vëllezërit Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas aktakuzës, nga data e pacaktuar e deri me arrestimin e tyre, në shtëpitë e tyre, njëra në Zubin Potok, dhe tjetra në fshatin Prevllak, të po kësaj komune, gjatë kontrolleve të bëra nga ana e Policisë së Kosovës, u janë gjetur në posedim një sasi e konsiderueshme e armatimit luftarak.

    Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.

    Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.

    Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Ndërsa, Igor Dimoviq, në pikën 4 të aktakuzës, akuzohet se nga data e pacaktuar deri më 30 nëntor 2024, rreth orës 6:30 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me konkretisht në shtëpinë e tij, me rastin e kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim tre karikatorë, një fishek, një thikë dhe disa unifiroma ushtarake, të cilat janë sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes. /KP/

    Vëllezërit Viqentijeviq të akuzuar për sulmin në Ibër-Lepenc me duar të lidhura para gjykatës në Prishtinë

  • Hamza dhe Abdixhiku kërkojnë që Prishtina të përfshihet në buxhetin e Kosovës

    Hamza dhe Abdixhiku kërkojnë që Prishtina të përfshihet në buxhetin e Kosovës

    Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet rreth miratimit të buxhetit të vendit, derisa nga opozita ka vërejtje rreth tij.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ndal edhe tek pjesa e buxhetit të Prishtinës, ku kërkoi nga Hekuran Murati, si ministër i Financave që ta bëjë pjesë të buxhetit.

    “Buxheti i Komunës së Prishtinës nuk është pjesë e këtij buxheti, andaj po i drejtohem ministrit të Financave që të bëhet pjesë e këtij buxheti”, tha Hamza.

    “Për disa çështjeve teknike, nuk duhet që Prishtina të mbetet jashtë këtij buxheti, andaj hapeni sistemin dhe të bëhet pjesë e tij”, shtoi ai.

    Edhe Lumir Abdixhiku, kreu i Lidhjës Demokratike të Kosovës, ka kërkuar që Prishtina të përfshihet në buxhetin e vendit.

    E treta, shumë e rëndësishme për LDK-në që buxheti të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetushmërinë

    “Fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Paradoksalisht ky buxhet i Kosovës nuk e merr parqasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jashtëzakonisht shqetësuese që Kuvendit i sillet një dokument që se respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet, dhe së këndejmi bëhet menjëherë jokushtetues”, potencoi ai.

    “Prishtina e ka miratuar buxhetin me 6 shkurt 2026, buxheti është sjellë në kuvend për herë të parë më 13 shkurt. Nuk ka asnjë arsye as ligjore as logjike e as kushtetuese që një buxhet nacional të mos e merr parasysh vendimin e kuvendit komunal të Prishtinës”, shtoi më tej Abdixhiku.

    Opozita ka kërkuar më shumë kohë që ta trajtojë buxhetin, që sipas tyre një dokument prej 700 faqesh, do të duhej të analizohej më gjatë nga ta dhe jo të kërkohej miratimi me urgjencë.

    Nga Qeveria u bë e ditur se për shkak të bllokadës njëvjeçare, kjo urgjencë ka bërë që të kërkohet votimi sa më i shpejtë.

  • Avokati: ZPS gabimisht po përpiqet të lidh praninë e Krasniqit në vendet ku thotë se janë kryer krime

    Avokati: ZPS gabimisht po përpiqet të lidh praninë e Krasniqit në vendet ku thotë se janë kryer krime

    Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis po paraqet fjalët përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    “Kryerja e krimeve nga anëtarë të policisë ushtarake, nuk është provë sipas nesh, që zotëri Krasniqi të ketë luajtur rol në këtë rregullore, dhe që ky rol të ketë pasur kontribut të konsiderueshëm në kryerjen e krimeve”, tha Ellis.

    Nga ana tjetër, avokati tha se Prokuroria e Specializuar, në dosjen përfundimtare, sipas tij, në mënyrë të gabuar përpiqet të lidh praninë e Krasniqit në disa vende krimesh të pretenduara, me krimet e kryera.

    “Pa dhënë një dëshmi të vetme, apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuar në ndonjë mënyrë në kryerjen e krimeve”, shtoi ai.

  • Pse kjo urgjencë? Hamza: Shpresoj të mos jetë arsyeja zgjedhja e presidentit

    Pse kjo urgjencë? Hamza: Shpresoj të mos jetë arsyeja zgjedhja e presidentit

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur në seancën e Kuvendit për Projektbuxhetin e Kosovës për vitin 2026, duke deklaruar rëndësinë e këtij dokumenti për vendin.

    Ai ka sqaruar se miratimi i buxhetit është i nevojshëm për të siguruar pagesat për të gjitha kategoritë, për të mbështetur shpenzimet operative, por tha se nuk po e kupton këtë urgjencë.

    “Po e kuptoj rëndësinë që vendi me pas buxhet, dhe ne asnjë arsye ose moment mos me pas situata, ku nuk mund t’i kryn pagesat për krejt kategoritë, por ne treguam vullnet të mirë, dhe besoj që kemi bërë mirë që kemi votuar vendimin për zgjatjen e shfrytëzimit për ndarje buxhetore, dhe kështu treguam vullnet të mirë, sepse votuam që kjo pikë e rendit të ditës të vendoset sot, sepse kërkoj shmangie prej procedurave e kemi rreth 1/3 e votave të pranishme. Nuk e kuptoj pse kjo urgjencë kaq e madhe, ne nuk do duam dhe nuk lejojmë vonesa, pse kjo urgjencë, por vetëm dy arsye më shkojnë ndërmend, e para që ti pamundësojmë deputetë opozitë dhe pozitë me diskutimin e tyre, sigurisht që shprehin edhe kritikë, mirëpo të japin propozim edhe alternativë që sigurisht ndihmojnë pozitivisht në këtë dokument kaq të rëndësishëm që po e shfrytëzojmë sot, dhe e dyta nuk dua me besu sepse vendi ka nevojë për stabilitet, dhe nuk dua me besu që kjo çështje lidhet me rastin e zgjedhjes së presidentit apo presidentes. Projektbuxheti për vitin 2026 është buxhet që menaxhon statuquo, kjo si rezultat i rritjes së shpenzimeve operative dhe, posaçërisht, të transfereve dhe subvencioneve, kjo ndihmon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurtër, por në periudhë afatgjatë.Këto shpenzime të rritura, për subvencione dhe transfere, e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme dhe sigurojnë që do ndikojnë në pamundësinë e zgjerimit të bazës prodhuese dhe eksportuese”, tha mes tjerash Hamza.

  • Rama: Belinda Balluku më ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, nuk e kam pranuar

    Rama: Belinda Balluku më ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, nuk e kam pranuar

    Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë, ka folur për herë të parë gjatë prezantimit të nismës ligjore për ndryshimet në nenin 242 dhe për dorëheqjen e Belinda Ballukut. Rama ka thënë se ministrja e ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen dhe ai nuk e ka pranuar.

    “Belinda Balluku ma ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen. I kam atje. Herën e parë ma dorëzoi dorëheqjen kur u ngrit akuza, herën e dytë kur u mor vendimi i pezullimit dhe herën e tretë kur Kushtetuesja nuk mori vendim. Por unë nuk i kam pranuar”, tha Rama.

    Ai është shprehur se lidhur me imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku do të shprehet Parlamenti më parë dhe pastaj do të kalojnë ndryshimet në kodin e procedurës penale.

    “Rasti konkret është në proces në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të trajtohet me gjithë përgjegjësinë që kemi si shumicë qeverisëse. Sa i përket aspektit kohor, Parlamenti do të shprehet për imunitetin dhe më pas do të kalojë në votim ky ndryshim.

    Nuk ka asnjë lidhje me rastin konkret. Për aspektin tjetër, nuk është kjo dita për të folur, do të flasim në momentin e duhur, kur të bëhen procedurat e tjera”, tha Rama. /euronews/

  • Edi Rama në Kosovë një ditë para festës së Pavarësisë së Kosovës, takon Osmanin e Kurtin (Agjenda e plotë)

    Edi Rama në Kosovë një ditë para festës së Pavarësisë së Kosovës, takon Osmanin e Kurtin (Agjenda e plotë)

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të zhvillojë sot, një vizitë pune në Kosovë.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kryeministri Rama do të takohet me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe më pas me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Kryeministri Rama do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

    Vizita e kreut të qeverisë vjen një ditë para Ditës së Pavarësisë të Kosovës dhe njëkohësisht protestës që do të bëhet në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK.

    Ndërkohë, policia e Kosovës ka lajmëruar masat që do merret gjatë parakalimit të eskortës së kryeministrit Rama.

    “Më datën 16 shkurt 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama. Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Rreth 4 miliardë euro buxhet, Murati tregon ku do shpërndahen paratë e shtetit

    Rreth 4 miliardë euro buxhet, Murati tregon ku do shpërndahen paratë e shtetit

    Në seancën e kuvendit të Kosovës, ministri Hekuran Murati ka kërkuar që të procedohet projektligji për buxhetin.

    Murati ka thënë se është nevojë emergjente që ky projektligj të miratohet. Ai ka theksuar se e vetmja gjë që ndryshon në këtë projektligj është për pagën e 13’të që të bëhet në fillim të vitit e jo në fund të vitit.

    Tutje, ai ka treguar se si do bëhet ndarja buxhetore.

    “Është një buxhet që kufiri i shpenzimit është rreth 4 miliardë euro. Këto shpenzime mund të zbërthehen në kategori paga dhe shtesa 980 milionë euro, mallra dhe shërbime 545 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliardë e 358 milionë euro, shpenzime kapitale 998.4 milionë euro, si dhe 100 milionë euro të tjera të financuara nga klauzola e investimeve”, deklaroi Murati.