ATV

Author: K.B.

  • Ish-gazetari i njohur emërohet zëvëndësministër

    Ish-gazetari i njohur emërohet zëvëndësministër

    Kryeministri Kurti e uroi z. Arton Konushevci për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z.Arton Konushevci në pozitën e zëvendësministrit të parë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Kryeministri Kurti e uroi z. Arton Konushevci për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja.

  • Sallahu i LVV-së: Dekreti është kundërkushtetues, Kuvendi duhet t’i zhvillojë punimet deri të vendos Kushtetuesja

    Sallahu i LVV-së: Dekreti është kundërkushtetues, Kuvendi duhet t’i zhvillojë punimet deri të vendos Kushtetuesja

    Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha sot se dekreti i presidentes Vjosa Osmani është kundërkushtetues.

    Sallahu në një postim në Facebook shkruan se Kuvendi do të duhej t’i zhvillojë punimet përderisa kemi dekret qartazi kundërkushtetues dhe përderisa Gjykata Kushtetuese të vendos për kërkesën që është dërguar.

    “Dekreti është qartazi kundërkushtetues. Andaj, nuk mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme mbi një bazë kushtetuese inekzistente. Kriteret e nenit 86 dhe 82 par 1.3 të Kushtetutës mbi të të cilat është bazuar dekreti nuk janë përmbushur për ta dërguar vendin në zgjedhje.

    Konsideroj që Kuvendi duhet t’i zhvillojë punimet përderisa kemi dekret qartazi kundërkushtetues dhe përderisa Gjykata Kushtetuese të vendos për kërkesën që është dërguar dhe që mund të dërgohet në të ardhmen për rastin konkret”, shkruan Sallahu.

  • Braziliani ndëshkohet rëndë për deklaratën seksiste ndaj gjyqtares

    Braziliani ndëshkohet rëndë për deklaratën seksiste ndaj gjyqtares

    Futbollisti Gustavo Marques, i cili luan për ekipin brazilian Red Bull Bragantino, është pezulluar me 12 ndeshje për shkak se bëri një deklaratë seksiste në lidhje me një gjyqtare femër pas një ndeshjeje kampionati.

    Incidenti ndodhi pas një ndeshjeje në Superligën e Brazilit midis Bragantino dhe Sao Paulo FC, e cila u drejtua nga gjyqtarja Daiane Muniz.

    Pas humbjes së ekipit të tij, Marques tha në një intervistë për mediat, ku bëri deklarata të papërshtatshme karshi gjyqtares.

    “Nuk ka kuptim të luash kundër Sao Paulos, Palmeiras dhe Corinthians, dhe pastaj të vendosësh një grua në krye të një ndeshjeje të kësaj madhësie… Mendoj se Federata Shtetërore e Futbollit të Sao Paulos duhet t’i kushtojë vëmendje ndeshjeve të kësaj rëndësie dhe jo t’ua caktojë ato grave”, ka thënë Marques.

    Ai gjithashtu pretendoi se gjyqtari “shkatërroi” ëndrrat e ekipit të tij për të arritur në gjysmëfinale ose finale.

    Deklarata e tij shkaktoi reagime të ashpra në publik. Edhe pse më vonë ai kërkoi falje publikisht, autoritetet disiplinore vlerësuan se dëmi ishte bërë tashmë.

    Si rezultat, Marques u pezullua për 12 ndeshje dhe u gjobit me 5,700 dollarë. Përveç kësaj, klubi i tij Red Bull Bragantino e ndëshkoi atë brenda ekipit duke i zbritur gjysmën e pagës mujore.

  • Abdixhiku: Në orën 13:00 jemi në takim te Presidentja për datën e zgjedhjeve

    Abdixhiku: Në orën 13:00 jemi në takim te Presidentja për datën e zgjedhjeve

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se në orën 13:00 do të takohen me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    “Kemi takim në orën 13:00. Nga këtu do të shkojmë, pas vizitës te baca Rifat në kullë, do të shkojmë te takimi i Presidentes për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe besoj se edhe atje do të deklarohem para mediave”, tha Abdixhiku derisa po merrte pjesë në homazhe për familjen heroike Jashari në Prekaz.

  • Hamza në Prekaz: Pas homazheve vizitova edhe bacën Rifat

    Hamza në Prekaz: Pas homazheve vizitova edhe bacën Rifat

    Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, sot ka bërë homazhe në Prekaz, duke nderuar komandantin legjendar Adem Jashari, Hamzën, bacën Shaban dhe të gjithë të rënët e familjes Jashari.

    Pas ceremonisë, Hamza shkroi se ka vizituar edhe bacën Rifat në shtëpinë e familjes Jashari, që u bë simbol i qëndresës dhe lirisë.

    “Në fjalët e tij të qeta dhe në qëndrimin burrëror ndjehet ende pesha e historisë dhe madhështia e një familjeje që e ktheu qëndresën në betim për liri.

    Sakrifica e familjes Jashari mbetet një amanet i përhershëm, që na thërret ta ruajmë dhe forcojmë Kosovën për çdo brez.

    Lavdi e përjetshme komandantit Adem Jashari dhe gjithë të rënëve të familjes Jashari!”, shkroi i pari i PDK-së.

  • Futbollistet iraniane përballen me dënimin me vdekje, u shpallën tradhtare për gjestin e tyre para ndeshjes

    Futbollistet iraniane përballen me dënimin me vdekje, u shpallën tradhtare për gjestin e tyre para ndeshjes

    Futbollistet femra të Iranit u shpallën tradhtare lufte në televizionin shtetëror, të cilat duhet të trajtohen në mënyrë strikte për shkak të gjestit të tyre të guximshëm në Kupën e Azisë, dhe thirrjet drejtuar Australisë për t’u dhënë atyre azil po bëhen gjithnjë e më të forta.

    Sipas Daily Mail, refuzimi i grave iraniane për të kënduar himnin kombëtar para ndeshjes kundër Koresë së Jugut shkaktoi dënime të ashpra, dhe një prezantues në televizionin shtetëror iranian tha se ato duhet të përballen me shenjën e turpit dhe tradhtisë.

    Zëdhënësi i regjimit radikal, Mohammad Reza Shahbazi, tha se autoritetet duhet t’i shpallin ato tradhtare, gjë që dënohet me vdekje në Iran.

    “Do të them vetëm një gjë: tradhtarët duhet të trajtohen më rëndë në kohë lufte. Kushdo që bën diçka kundër vendit në kohë lufte duhet të ndëshkohet më rëndë. Për shembull, rasti i ekipit tonë të futbollit të femrave që nuk këndoi himnin, fotografia e publikuar dhe gjithçka tjetër, të cilën nuk do ta diskutoj në detaje”.

    “Si publiku ashtu edhe autoritetet duhet t’i konsiderojnë këta individë ‘tradhtarë lufte’. Kjo nuk duhet të konsiderohet thjesht një ankesë apo një gjest simbolik”.

    “Shenja e turpit dhe tradhtisë duhet të mbetet në ballin e tyre dhe ata duhet të trajtohen përfundimisht dhe rëndë”, tha Shahbazi, sipas një përkthimi të botuar në platformën X.

    Kujtojmë se të hënën, futbollistet femra dhe trajnerja e tyre Marziyeh Jafari qëndruan në heshtje ndërsa luhej himni kombëtar, gjë që konsiderohet një protestë e heshtur kundër regjimit atje.

    Gjesti ndodhi vetëm dy ditë pas vrasjes së Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei në një sulm amerikano-izraelit.

    Ndryshe nga ndeshja e raundit të parë, futbollistet iraniane kënduan himnin kombëtar para ndeshjes së djeshme kundër ekipit kombëtar australian, në të cilën humbën 4-0.

  • Përparim Rama bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit: Lirinë që gëzojmë sot ia kemi borxh UÇK-së

    Përparim Rama bën homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit: Lirinë që gëzojmë sot ia kemi borxh UÇK-së

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me drejtorët komunalë, ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti në sheshin me të njëjtin emër, me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së. Ai theksoi rolin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

    Rama pas homazheve u shpreh se Kosova i ka borxh për lirinë që Kosova ka sot.

    “Sot jemi këtu tek sheshi “Zahir Pajaziti”, te monumenti i heroit tonë kombëtar, Zahir Pajaziti. Jemi në proces tash të homazheve. Ishe më herët edhe tek dëshmorët e heroit ku edhe treguam respektin tonë për gjithë atë që kanë bërë dëshmorët e heronjtë tanë kombëtarë për lirinë, për demokracinë, për pavarësinë që sot e gëzojmë ne si vend, si shtet, që na kanë bërë të mundshme që të planifikojmë të ardhmen tonë ne e jo dikush tjetër për ne. Si rezultat, jemi përgjithmonë, për jetë, ju kemi borxh për gjithë atë që kanë dhënë, për gjithë këtë që gëzojmë ne sot. Edhe së bashku me ekipin tonë nga kryeqyteti këtu, me zyrën të cilën e kemi krijuar veçanërisht për respektin dhe ngritjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra edhe të gjitha proceset që kanë të bëjnë edhe me epopenë e UÇK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Rama.

    Rama tha se sakrifica e UÇK-së ka rezultuar me pavarësinë e Kosovës.

    “Sot jemi në shenjë respekti për historinë tonë, për të kaluarën që ta respektojmë, ta çmojmë dhe ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Pas kësaj do të shkojmë edhe në Prekaz, së bashku me ekip, të bëjmë homazhe edhe atje për familjen legjendare të komandantit legjendar Adem Jashari, si shenjë respekti për çdo gjë që ka dhënë, për flijimin e jetës së vet dhe të gjithë familjes së tij, të 59 anëtarëve, edhe si rezultat thashë një emancipimi të popullit tonë dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që edhe ka rezultuar me pavarësinë e Republikës së Kosovës”, theksoi ndërkaq Rama.

    Ndërsa kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Naser Pacolli tha se nuk ka investime të duhura në varrezat e dëshmorëve.

    “Sot me rastin e 28 vjetorit të epopesë së ushtarit kosovar, së bashku me komunën, institucionet komunale të Prishtinës, ishim në nderim të dëshmorëve dhe heronjve tanë. Ne këtë agjendë, domethënë, e kemi trashëguar që nga 1998 kur ushtrimi i Adem Jasharit na ka bashkuar dhe sot e asaj dite i përkujtojmë me nderimet më të larta të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e rënë në të gjitha vendet e trojeve tona. Jo, për fat të keq… për fat të keq nuk është bërë aq sa duhet. Edhe sot kur po flasim kemi, domethënë, komplekse të varrezave të dëshmorëve të papërfunduara, kemi dëshmorë që ende nuk janë bartur nëpër komplekse të dëshmorëve, kemi të zhdukur që rreth 1500 që ende nuk dihet për fatin e tyre. Kështu që i inkurajoj institucionet që t’i bashkojnë këtë qëllim, t’i bashkojnë vlerat për të cilat dëshmorët dhe të gjithë të rënët e kanë dhënë për me krijuar këto institucione dhe me i bashkuar forcat dhe me i çuar përpara vendet”, tha Pacolli.

  • KFOR i quan të rreme pretendimet se NATO-ja ka lëshuar raketa nga Kosova në drejtim të Iranit

    KFOR i quan të rreme pretendimet se NATO-ja ka lëshuar raketa nga Kosova në drejtim të Iranit

    KFOR ka reaguar ndaj pretendimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale se “NATO ka lëshuar raketa nga Camp Bondsteel apo objekte të tjera të NATO-s në Kosovë drejt Iranit”, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

    Në një njoftim për media, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë thekson se ky pretendim është i rremë dhe se NATO e hedh poshtë plotësisht një gjë të tillë. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte, ka bërë të qartë se NATO si organizatë nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian.

    Tutje thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë rol kyç në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal në kuadër të misionit të KFOR-it.

    Aktualisht, ShBA-të kanë rreth 600 trupa të dislokuara në KFOR dhe udhëheqin Komandën Rajonale Lindje (RC-East), e cila kontribuon në aktivitetet e përditshme të misionit, përfshirë patrullimet, ushtrimet dhe bashkëpunimin me komunitetet lokale.

    Misioni Paqëruajtësi i Aleancës Veriatlantike, rithekson se vazhdon të përmbushë mandatin për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

  • Deputetja e PDK-së: Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje dhe krenari e madhe

    Deputetja e PDK-së: Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje dhe krenari e madhe

    Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, sot bashkë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, kanë vizituar Rifat Jasharin në kullën e tij.

    Ajo ka bërë me dije se familjet e tyre bashkon një dhimbje dhe një krenari e madhe.

    Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se gjatë marsit të vitit 1998 të dy familjet qëndruan dhe luftuan krah për krah.

    “Me familjen e bacit Rifat, na bashkon një dhimbje e përbashkët, por edhe një krenari e madhe. Në të njëjtat data, familjet tona qëndruan dhe luftuan krah për krah, duke u bërë rezistencë historike e Jasharëve. Ato ditë të rënda na lidhën përgjithmonë me një histori të përbashkët sakrifice, që sot e mbajmë si kujtim, por edhe si përgjegjësi. Kam vetëm mirënjohje dhe respekt për bacën Rifat. Ai mban mbi supe një peshë të madhe, peshën e kujtesës, të qëndresës dhe të dinjitetit që familjet tona e kanë treguar në momentet më të vështira!”, ka shkruar Jashari.

  • Ajrosja e shtëpisë mund të ulë rrezikun për kancer, thonë ekspertët

    Ajrosja e shtëpisë mund të ulë rrezikun për kancer, thonë ekspertët

    Hapja e dritareve çdo ditë dhe disa ndryshime të vogla në shtëpi mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut afatgjatë për kancer, thonë ekspertët.

    Doktoresha Asiya Maula, mjeke e përgjithshme në “The Health Suite” në Leicester, ka shpjeguar se produktet dhe zakonet e përditshme në shtëpi mund të çojnë në ekspozim të vazhdueshëm ndaj kimikaleve të dëmshme, edhe nëse secili produkt veçmas duket i padëmshëm.

    “Rreziku për kancer nuk vjen nga një gjë e vetme. Ka të bëjë me atë që trupi përballon çdo ditë, për vite apo edhe dekada”, ka thënë ajo në një deklaratë për The Mirror.

    Rreziku shpesh lidhet me objekte që njerëzit i konsiderojnë të padëmshme, sidomos në kuzhinë. Enët plastike, shishet dhe qeset plastike për mbështjellje ushqimi mund të lëshojnë kimikale kur nxehen ose konsumohen me kalimin e kohës.

    Maula rekomandon përdorimin e enëve prej qelqi ose çeliku inox dhe shmangien e ngrohjes së ushqimit në mikrovalë brenda plastikës.

    “Ato plastika mund të përmbajnë kimikale që ndërhyjnë në sinjalizimin hormonal”, ka paralajmëruar ajo.

    Cilësia e ajrit brenda shtëpisë është një tjetër faktor i rëndësishëm.

    Avujt nga gatimi, qirinjtë aromatikë, spërkatësit dhe mungesa e ajrosjes mund ta bëjnë ajrin e brendshëm më të ndotur se ai jashtë.

    “Ekspozimi afatgjatë ndaj ndotësve të ajrit të brendshëm mund të kontribuojë në inflamacion në trup”, ka shpjeguar mjekja, duke shtuar se hapja e dritareve çdo ditë dhe përdorimi i aspiratorit gjatë gatimit ndihmojnë në uljen e ekspozimit.

    Edhe produktet e pastrimit dhe pesticidet për përdorim në ambiente të mbyllura paraqesin rrezik për shkak të ekspozimit të përsëritur.

    “Këto produkte janë krijuar për të shkatërruar material biologjik. Ekspozimi i vazhdueshëm në hapësira të mbyllura mund ta irritojë trupin me kalimin e kohës”, ka thënë ajo, duke theksuar se fëmijët janë më të ndjeshmit ndaj kësaj.

    Ajo ka sugjeruar përdorimin e alternativave më të buta, pa aromë, dhe kufizimin e përdorimit të kimikaleve për kontrollin e dëmtuesve brenda shtëpisë.

    Edhe dieta luan rol të rëndësishëm.

    Ushqimet shumë të përpunuara lidhen me obezitetin, rezistencën ndaj insulinës dhe inflamacionin kronik, të gjithë këta faktorë të njohur rreziku për kancer.

    “Në thelb, bëhet fjalë për uljen e ngarkesës totale toksike. Ndryshimet e vogla, të bëra vazhdimisht, grumbullohen me kalimin e kohës. Ta bësh shtëpinë një mjedis me më pak ekspozim është një mënyrë praktike për të mbrojtur shëndetin afatgjatë”, ka përfunduar Maula.