ATV

Author: K.B.

  • Nga SHBA në fermë? Salih Buzhala “MagicSal” përflitet si konkurrent në “Ferma VIP 3”

    Nga SHBA në fermë? Salih Buzhala “MagicSal” përflitet si konkurrent në “Ferma VIP 3”

    Magjistari shqiptar Salih Buzhala, i njohur me emrin artistik MagicSal, është një nga emrat që po përfliten për t’iu bashkuar edicionit të tretë të reality show-t “Ferma VIP”, që pritet të nisë më 27 mars.

    MagicSal, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka fituar popullaritet përmes performancave të tij magjike dhe prezencës në rrjetet sociale. Ai ishte përfolur më herët edhe si një nga emrat potencialë për “Big Brother VIP Kosova 4”, megjithatë një gjë e tillë nuk u konfirmua.

    Reality show “Ferma VIP” rikthehet këtë pranverë me sezonin e tretë, nën moderimin e Arbana Osmanit. Formati, i cili ndërthur jetën në fermë me sfida fizike dhe dinamika mes personazheve të njohur, ka arritur të tërheqë vëmendje të madhe të publikut në dy edicionet e para.

    Në këtë spektakël, konkurrentët vendosen në një ambient rural, ku përballen me punët e përditshme të fermës dhe sfida të ndryshme. Kujtojmë se fitues i edicionit të parë u shpall Dijonis Biba, ndërsa në sezonin e dytë triumfoi këngëtari Big Basta.

    Edicioni i tretë pritet të sjellë risi, sfida të reja dhe situata të papritura, megjithatë lista zyrtare e konkurrentëve ende nuk është bërë publike.

    Përveç MagicSal, në media janë përfolur edhe disa emra të tjerë si Indri Shiroka, i njohur për rolin e tij në filmin “Pasaporta” të regjisorit Eduart Grishaj, si dhe Inida Gjata (Zhaku), e cila vitin e kaluar ishte pjesë e formatit në rolin e opinionistes. Po ashtu, përmendet edhe balerini Ilir Shaqiri, i cili mund të ketë një rol drejtues në fermë.

    Në prapaskenë, si pjesë e stafit të produksionit përmenden emra si Eraldo Rexho dhe Zefina Hasani, ndërsa raportohet se disa ish-pjesëtarë të ekipit të “Big Brother Albania” mund t’i bashkohen këtij projekti.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga produksioni për pjesëmarrjen e MagicSal apo të emrave të tjerë, duke lënë gjithçka në kuadër të spekulimeve që vijojnë të qarkullojnë në media dhe rrjete sociale.

  • Përurohet segmenti i rrugës Vushtrri-Prishtinë

    Përurohet segmenti i rrugës Vushtrri-Prishtinë

    Është bërë përurimi i segmentit të rrugës Vushtrri–Prishtinë.

    Në përurimin e këtij segmenti të rrugës po marrin pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.

    Ceremonia e prerjes së shiritit është bërë në fshatin Gojbulë, te hyrja e segmentit të zgjeruar të rrugës nga Vushtrria në drejtim të Prishtinës.

    Ky segment përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh dy qytetet kryesore të Kosovës, duke synuar rritjen e qarkullimit më të mirë dhe lidhshmërisë midis zonave përreth./EO

  • Dy të vdekur dhe dhjetëra aksidente, bilanci 24 orësh i Policisë së Trafikut

    Dy të vdekur dhe dhjetëra aksidente, bilanci 24 orësh i Policisë së Trafikut

    Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut në 24 orët e fundit në Kosovë.

    Sipas raportit të Policisë, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 2 aksidente me fatalitet, 27 aksidente me të lënduar dhe 29 aksidente me dëme materiale, ndërsa janë shqiptuar 2 mijë e 348 tiketa trafiku.

    Një nga aksidentet fatale ka ndodhur në Prizren më 18 mars rreth orës 18:40, ku një drejtues automjeti dyshohet se nga pakujdesia ka goditur një këmbësor në vendkalim. Viktima ka pësuar lëndime vdekjeprurëse dhe ka ndërruar jetë në spital. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

    Rasti tjetër tragjik ka ndodhur në magjistralen Podujevë–Prishtinë më 18 mars rreth orës 07:00, ku një motoçiklist ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur në një shtyllë elektrike. Si pasojë e plagëve të marra, ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i tij është dërguar për obduksion me urdhër të prokurorit.

    Policia apelon për kujdes të shtuar në trafik dhe respektim të rregullave rrugore për të parandaluar raste të tilla tragjike.

  • Kosova dhe Italia me marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfisht

    Kosova dhe Italia me marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfisht

    Administrata Tatimore e Kosovës njofton se ka filluar zbatimi i Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Italisë për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore në fushën e tatimit në të ardhura.

    Në komunikatën për media bëhet e ditur se kjo marrëveshje synon të avancojë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe të forcojë bashkëpunimin në çështjet tatimore. Përmes saj mundësohet eliminimi i barrës së tatimit të dyfishtë për individët dhe bizneset, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime dhe aktivitete ekonomike.

    Po ashtu, bëhet e ditur se më të njëjtën kohë, marrëveshja adreson parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimor, duke kufizuar përdorimin e skemave që çojnë në mos-deklarim apo deklarim jo të saktë. Në kuadër të saj përcaktohen qartë personat e mbuluar dhe mënyra e trajtimit të të ardhurave për qëllime tatimore. Marrëveshja zbatohet për personat rezidentë të njërit apo të të dy shteteve kontraktuese dhe trajton të ardhurat që burojnë përmes subjekteve apo aranzhimeve të ndryshme, në përputhje me legjislacionin përkatës të secilit shtet.

    Gjithashtu, marrëveshja siguron respektimin e të drejtave tatimore të shteteve kontraktuese, duke përcaktuar rastet kur përfitimet nga kjo marrëveshje mund të aplikohen.

    Zbatimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe rritjes së sigurisë ligjore për investitorët dhe bizneset që operojnë në të dy vendet.

    “Republika e Kosovës vazhdon të zgjerojë rrjetin e saj të marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e tatimeve dhe aktualisht ka në fuqi gjithsej 22 marrëveshje për eliminimin e tatimit të dyfishtë me shtete të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

  • Stërvitja e ushtarëve serbë në kufi, Kurti: Njësi që trajnuan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë

    Stërvitja e ushtarëve serbë në kufi, Kurti: Njësi që trajnuan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë

    Kryeministri Albin Kurti është deklaruar lidhur me stërvitjen e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën, gjatë ditës së mërkurë.

    Para mediave, shefi i qeverisë këto ushtrime i quajti provokim ndaj vendit.

    Teksa po merrte pjesë në përurimin e segmentit Vushtrri-Prishtinë, Kurti ndër të tjera veçoi se njësitë serbe që po kryenin aktiviteteve në kufi me Kosovën, sipas tij janë njësi që e kishin trajnuar Milan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë.

    “Provokim i Serbisë. Bëhet fjalë për njësi që e kanë trajnuar kryekriminelin Radoiçiq për sulmin në Banjskë të Zveçanit. Forcat tona janë të përgatitura, dhe kufiri ynë është i mbrojtur”, tha Kurti.

    Kujtojmë se stërvitjet e ushtarëve serbë në afërsi të fshatrave të Gjilanit për Klankosova.tv i ka konfirmuar edhe KFOR-i, i cili tha se janë aktivitete që nuk përbëjnë rrezik për sigurinë.

  • Molliqaj: Opozita duhet t`i vendos vija të kuqe Kurtit, jo të taktizoi me shpresën për koalicion

    Molliqaj: Opozita duhet t`i vendos vija të kuqe Kurtit, jo të taktizoi me shpresën për koalicion

    Kryetari i PSD-së, Dardan Moliqaj, nuk i ka ndalur kritikat për partitë opozitare.

    Ai e ka ftuar opozitën që t`i vendos vija të kuqe bashkëpunimin me Albin Kurtin.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se opozita duhet të heq dorë nga taktizimi për koalicion me VV-në.

    “Presidenti s’u zgjedh jo se partitë opozitare s’deshtën por sepse Kurti s’deshti koalicion me to. Përgjigja e opozitës ndaj autoritarizmit duhet të jetë vija e kuqe e refuzimi i bashkëpunimit, jo taktizimi me shpresën e koalicionit me Kurtin”, ka shkruar ai.

  • Arrestohet një diler i drogës në Prishtinë, policia i gjen kokainë në trup dhe 300 gramë në shtëpi

    Arrestohet një diler i drogës në Prishtinë, policia i gjen kokainë në trup dhe 300 gramë në shtëpi

    Një person është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet për posedim të substancave narkotike.

    Sipas policisë, rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:40, ku i dyshuari mashkull kosovar është ndaluar dhe gjatë kontrollit në trup i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e dyshuar e narkotikëve të llojit kokainë.

    Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar rreth 300 gramë substancë narkotike (lloji ende i papërcaktuar), një veturë dhe një telefon celular, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.

    I dyshuari është intervistuar nga organet e rendit dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje

  • Ligji për të Huajt, Kurti: Veç po e zbatojmë ligjin e para 13 vjetëve

    Ligji për të Huajt, Kurti: Veç po e zbatojmë ligjin e para 13 vjetëve

    Kryeministri Albin Kurti, është pyetur lidhur me marrëveshjen mes Kosovës dhe BE-së për Ligjin për të Huajt.

    Kurti tha se qeveria thjesht po e zbaton ligjin në bashkëpunim me Bashkëpunimin Evropian.

    “Veç po e zbatojmë ligjin e qysh para 13 vjetëve”, tha ai.

    Kështu deklaroi Kurti gjatë përurimit të segmentit të rrugës Vushtrri-Prishtinë.

  • Në prag të festës së Bajramit, përmallohet Selvija: Më plasi zemra nga mungesa jote, Shpat!

    Në prag të festës së Bajramit, përmallohet Selvija: Më plasi zemra nga mungesa jote, Shpat!

    Pak ditë para festës së Fitër Bajramit, Selvija, bashkëshortja e të ndjerit Shpat Kasapi, ka prekur zemrat e gjithsecilit me një postim tejet të dhimbshëm.

    Janë bërë disa muaj që kur Shpati ka ikur nga kjo botë, dhe Selvija ka deklaruar se nuk e di se si do ta presë këtë festë pa praninë e burrit të saj, transmeton Klankosova.

    “M’plasi kjo zemër nga mungesa jote o jetë, sa të vetëm na ke lënë bashkë me Roelin e nuk e di se si do të vijë festa e Bajramit pa praninë tënde”, ka shkruar ajo.

    Kujtojmë se artisti vdiq në Itali pas një arresti kardiak. Atje, ai kishte shkuar bashkë me Selvijen dhe djalin, për shërimin e vogëlushit.

  • Apeli rrëzon vendimin e Themelores, paraburgim për tre personat që u kapën me 1 milion euro në Merdar

    Apeli rrëzon vendimin e Themelores, paraburgim për tre personat që u kapën me 1 milion euro në Merdar

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, duke caktimin e masës së paraburgimit ndaj policit Aurel Kaziu, si dhe Edmir Ahmagjokajt dhe Ardit Laskas, të dyshuar për shpërlarje të parave rreth 1 milion euro, shumë me të cilën më 24 shkurt 2026 u kapën në pikën kufitare në Merdar.

    “II. CAKTOHET masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, e cila masë do t’iu llogaritet nga momenti i arrestimit të të pandehurve dhe do t’iu zgjat deri në përfundimin e afarit prej 30 ditësh, në përputhje me nenin 184 paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2, 1.2.3 të KPP-së, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të përshkruara në hyrje të këtij aktvendimi”, thuhet në aktvendimin e 18 marsit 2026.

    Themelorja më 9 mars 2026 edhe në rivendosje kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kundër këtij aktvendimi, në afat ligjor ka ushtruar ankesë Prokuroria Speciale për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të fakteve.

    Prokuroria kishte propozuae që Gjykata e Apelit të ndryshojë aktvendimin e ankimuar ashtu që ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, ose aktvendimi i ankimuar të prishet dhe çështja të kthehet në rivendosje.

    Kurse, Prokuroria e Apelit e Kosovës, me shkresë ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale dhe ndaj të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit.

    Në ankesë, Prokuroria Speciale pretendon se aktvendimi i ankimuar është nxjerrë si rezultat i interpretimit dhe zbatimit të gabuar të standardit juridik të dyshimit të bazuar të paraparë me nenin 184 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe mbi një vlerësim jo të drejtë dhe jo tërësor të materialit faktik të paraqitur nga Prokuroria.

    Prokuroria pretendoi se gjykata shkallës së parë ka arritur në përfundim të gabuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

    “Me këtë rast, gjykata ka vlerësuar provat në mënyrë të fragmentuar dhe jashtë kontekstit të tyre kumulativ, duke aplikuar një standard provueshmërie më të lartë se ai i kërkuar në këtë fazë procedurale, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në ligjshmërinë e vendimit të nxjerrë”, citohen pretendimet e Prokurorisë.

    Në rastin konkret, PSRK pretendon se dyshimi i bazuar mbështetet në prova konkrete të cilat i ka ofruar në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

    “Gjykata në arsyetimin e saj ka konkluduar se prokuroria nuk ka paraqitur prova që mbështesin dyshimin e bazuar, duke konsideruar se kallëzimi penal, raporti i Doganës, deklaratat e të dyshuarve dhe fotografitë e mjeteve monetare nuk kanë vlerë provuese”, thuhet të ketë pretenduar Prokuroria.

    Një qasje e tillë, sipas Prokurorisë, paraqet interpretim të gabuar të fazës procedurale në të cilën ndodhet çështja penale, pasi që në këtë stad të hershëm të procedurës nuk kërkohet provim i plotë i veprës penale, por ekzistimi i rrethanave objektive që krijojnë probabilitet të arsyesshëm se vepra penale është kryer dhe se personat konkret janë të përfshirë në të.

    “Vetë fakti se gjatë kontrollit kufitar është zbuluar një shumë jashtëzakonisht e madhe monetare, e fshehur në bunker të modifikuar brenda automjetit dhe e pa deklaruar para autoriteteve doganore, përbën rrethanë objektive të mjaftueshme që bindë një vëzhgues objektiv për ekzistimin e mundësisë reale të kryerjes së veprës penale dhe për përfshirjen e personave që ushtronin kontroll faktik mbi automjetin dhe transportin”, thuhet në vendim./BetimipërDrejtësi/