ATV

Author: K.B.

  • 27 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi, Spiropali: Në shërbim të jetës, forca nuk është kërcënim por detyrë

    27 vjet nga bombardimet e NATO-s në Serbi, Spiropali: Në shërbim të jetës, forca nuk është kërcënim por detyrë

    Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali iu është bashkuar reagimeve në kuadër të përvjetorit i 27 të ndërhyrjes së NATO-s kundër Serbisë, duke i dhënë fund luftës në Kosovë.

    Përmes një mesazhi në Facebook, Spiropali theksoi se 24 marsi mbetet një nga ato ditë kur historia nuk shkruhet me fjalë, por me vendime.

    “Më 24 mars 1999, bota demokratike bëri diçka që nuk ndodh shpesh në histori. Vendosi të mos presë më. Bombardoi.
    Kosova po zhbëhej para syve të botës dhe ndërhyrja nuk erdhi si luks i fuqisë, por si detyrim i ndërgjegjes. Ishte momenti kur Perëndimi nuk e mati veten me interes, por me përgjegjësi.

    Dhe pikërisht për këtë arsye, 24 marsi mbetet një nga ato ditë kur historia nuk shkruhet me fjalë, por me vendime.
    Kjo nuk do të thotë se NATO-ja e ka humbur fuqinë.

    Do të thotë se sot e ka më të vështirë ta kthejë fuqinë në vullnet. Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia historike e asaj date. Na kujton një kohë kur aleanca nuk pyeti vetëm sa kushton veprimi, por edhe sa kushton mosveprimi.
    Prandaj 24 marsi nuk i përket vetëm kujtesës së Kosovës.

    I përket biografisë morale të NATO-s. Sepse në Kosovë, aleanca nuk mbrojti vetëm një popull. Mbrojti kuptimin e vetes.
    Sot, 27 vjet më pas, kjo datë është krahasim.

    Bota është më e ndarë, vendimet më të ngadalta, ndërhyrja nuk është më refleks, por dilemë. Por 1999 mbetet provë e pashlyeshme: kishte momente kur neutraliteti nuk ishte paqe, por dorëzim.
    Kosova nuk është vetëm histori çlirimi. Është kujtesë për gjithë botën se forca, kur vihet në shërbim të jetës, nuk është kërcënim. Është detyrë. 24 marsi mbetet. Edhe kur gjithçka tjetër lëviz”, shkruan Spiropali.

  • Ali Ahmeti e deputetë të Kuvendit të Kosovës bëjnë homazhe në Gllogjan

    Ali Ahmeti e deputetë të Kuvendit të Kosovës bëjnë homazhe në Gllogjan

    Qytetarë të shumtë nga të gjitha anët e Kosovës, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës, si dhe ish-eprori i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, kryetar Komunash kanë bërë homazhe me rastin e 28-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit”.

    Homazhet u zhvilluan në Gllogjan, në përkujtim të betejës së 24 marsit 1998, kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përballën me forcat serbe që kishin rrethuar fshatin.

    Të pranishmit vendosën lule dhe bënë nderime pranë varrezave të dëshmorëve, duke kujtuar sakrificën e të rënëve në këtë betejë, e cila konsiderohet ndër ngjarjet më të rëndësishme të luftës së UÇK-së në Dukagjin.

    Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend dhe Agron Mehmetaj, ndërsa beteja e Gllogjanit mbetet një nga përballjet më të njohura të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. /eo

  • Kryeministri Edi Rama takon ministrat në “Vilën 30”, çfarë po diskutohet?

    Kryeministri Edi Rama takon ministrat në “Vilën 30”, çfarë po diskutohet?

    Kryeministri Edi Rama prej të enjtes ka nisur një seri takimesh në “Vilën 30” me secilin ministër të kabinetit qeveritar.

    Takimi i parë është zhvilluar të enjten me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçin.

    Top Channel mëson se këto takime pune vijuan këtë të martë me ministrin e punëve të Brendshme, Besfort Lamallari dhe më pas atë të Drejtësisë, Toni Gogu. Burime nga Ministria e Brendshme treguan se në kë takim nuk është folur për zgjedhjen e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit.

    Formati i takimeve është konceptuar ministër, sekretar i Përgjithshëm dhe drejtor dikasteresh.

    Burime në dijeni të këtyre takimeve, treguan se bëhet fjalë për analizim të punës së deritanishme të secilës ministri, përfshirë zbatimin e prioriteteve.

    Këto takime pritet të përmbyllen deri në fund të kësaj jave.

  • Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës më 31 mars ndaj Turqisë ose Rumanisë

    Biletat në shitje për ndeshjen e Kosovës më 31 mars ndaj Turqisë ose Rumanisë

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se kanë dalë në shitje biletat për ndeshjen e radhës së ekipit kombëtar, që do të zhvillohet më 31 mars 2026, me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

    Fati i kësaj ndeshjeje lidhet drejtpërdrejt me përballjen paraprake në Sllovaki. Në rast se Kosova siguron fitore, atëherë përballja e 31 marsit do të jetë finale e “play-off”-it, ku kundërshtar do të jetë fituesi i duelit mes Turqisë dhe Rumanisë.

    Në të kundërtën, nëse “Dardanët” pësojnë humbje, kjo ndeshje do të zhvillohet si miqësore ndaj humbësit të çiftit Turqi–Rumani.

    Interesimi pritet të jetë i madh, pasi bëhet fjalë për një takim me peshë, qoftë për një finale historike apo një përballje testuese me kundërshtarë të fortë evropianë.

  • Shtëpia e Latif Berishës, Shtëpi Muze, Peci: Trashëgimi kulturore e pikë referuese e historisë

    Shtëpia e Latif Berishës, Shtëpi Muze, Peci: Trashëgimi kulturore e pikë referuese e historisë

    Kryetari i komunës së Mitrovicës, Faton Peci ka bërë të ditur se shtëpia e Latif Berishës do të shndërrohet në muze dhe do të shërbejë si pikë referuese e historisë.

    Peci në një postim në Facebook shkruan se kjo shtëpi do të qëndrojë si kujtesë në memorien tonë kolektive si pasuri e trashëgimisë kulturore.

    “Shtëpia e Latif Berishës, Shtëpi Muze!

    Kjo shtëpi e dijes, që dëshmon të kaluarën e lavdishme, do të qëndrojë si kujtesë në memorien tonë kolektive si pasuri e trashëgimisë kulturore.

    Falënderoj Kryeministrin Kurti për mbështetjen në iniciativën tonë që kjo shtëpi të shndërrohet në muze, ku do të shërbejë si pikë referuese e historisë sonë të vonshme”, shkruan Peci.

  • Irani sulmon me raketa balistike Tel Avivin

    Irani sulmon me raketa balistike Tel Avivin

    Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur në Tel Aviv pas një sulmi të ri me raketa të lëshuara nga Iran në orët e para të mëngjesit.

    Sipas shërbimit të emergjencës Magen David Adom, incidenti ndodhi pak pas orës 7:00 (ora lokale), ndërsa ekipet mjekësore ndërhynë menjëherë për të trajtuar të plagosurit dhe për t’i transportuar në spital.

    Shërbimet e emergjencës izraelite konfirmuan se kanë dërguar ekipe shpëtimi në disa zona të ndryshme ku janë regjistruar dëme.

    Sipas zyrtarëve izraelitë, vlerësohet se vetëm një raketë është lëshuar drejt Tel Avivit këtë mëngjes, por dyshohet se ajo mund të ketë qenë një variant i ri i një rakete balistike me rreze të mesme veprimi ose e pajisur me një kokë luftarake me shpërndarje.

    Burimet sugjerojnë se raketa mund të ketë përmbajtur 3 deri në 4 bomba të mëdha, secila me peshë rreth 100 kilogramë, të cilat janë shpërndarë dhe kanë rënë në zona të ndryshme, duke shkaktuar dëme dhe panik te banorët.

  • Rukiqi: Me një vendim qeveria mund ta ulë çmimin e naftës në 1.35 euro

    Rukiqi: Me një vendim qeveria mund ta ulë çmimin e naftës në 1.35 euro

    Berat Rukiqi i Lidhjes Demokratike të Kosovës referuar çmimeve të larta të naftës që kanë kapluar vendin dhe botën pas bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, tha se Qeveria e Kosovës me një vendim të vetëm mund ta ulë çmimin e naftës në 1.35 EUR.

    Kjo po qe se qeveria do të vendoste të ulte Tatimit në Vlerë të Shtuar prej 18 në 8% si dhe të përgjysmojë akcizën.

    Postimi i Rukiqit:

    Me nje vendim, çmimi i naftes bjen ne 1,35 euro

    A e dini sa do të ulej çmimi i naftës dhe benzinës me një vendim?

    Sot paguajmë rreth 1.70 €/litër

    Po nëse:

    – TVSH ulet nga 18% → 8%

    – Akciza përgjysmohet

    Çfarë fiton qytetari?

    Nga TVSH → kursen 17 cent/litër

    Nga akciza → kursen 17.5 cent/litër

    Totali: 35 cent më lirë për çdo litër!

    Çmimi i ri:

    1.70 € → 1.35 €/litër

  • Gjenerata Z “fundos” Melonin në referendum, 67% e të rinjve morën pjesë në votim dhe shumica votuan jo

    Gjenerata Z “fundos” Melonin në referendum, 67% e të rinjve morën pjesë në votim dhe shumica votuan jo

    Referendumi i fundit në Itali ka treguar një mobilizim të jashtëzakonshëm të të rinjve.

    Italianët votuan nëse duhej ndryshuar Kushtetuta për të reformuar sistemin gjyqësor — dhe shumica vendosi ta refuzojë reformën.

    Ndërsa pjesëmarrja totale arriti në 58,9%, tek të rinjtë 18–28 vjeç, Gjenerata Z, pjesëmarrja ishte 67%, dhe shumica votuan ‘Jo’ me 58,5%.

    Rezultatet tregojnë se qytetarët më të arsimuar dhe të diplomuar ishin më të vendosur për të refuzuar ndryshimet, ndërsa punonjësit e zakonshëm u ndanë dhe mbështetja për “Po” ishte më e lartë mes amviseve. Në qendër të spektrit politik, mbështetja për ligjin arriti vetëm 31%.

    Pjesëmarrja e lartë, sidomos mes të rinjve, vjen si pasojë e politizimit të referendumit. Tema teknike e reformës nuk duket se ka tërhequr interesin kryesor të votuesve; vendimi i shumicës u bazua më shumë mbi pasojat politike sesa mbi përmbajtjen specifike të reformës. Një pjesë e votuesve që nuk kishin marrë pjesë në zgjedhjet e 2022-ës dhe në ato europiane të 2024-ës u mobilizuan dhe votuan “Jo”, duke rritur ndikimin e rezultateve.

    Analiza sipas moshës dhe statusit shoqëror tregon se pjesëmarrja më e lartë është mes studentëve dhe të rinjve, ndërsa më e ulëta tek të moshuarit dhe të pakënaqurit ekonomikisht. Për Gjeneratën Y (29–44 vjeç) u regjistrua abstensioni më i lartë, me 47,5% të mosvotuesve, gjithmonë me një përparësi për “Jo” prej 54,8%.

    Nga pikëpamja politike, mobilizimi ishte i dukshëm tek partitë e majta dhe të djathta, ndërsa më pak aktivizim u pa tek qendra dhe qendror-djathtas. Vetëm në Partinë Demokratike u regjistrua një diskurs i vogël pro-“Po” (rreth 9%), ndërsa te Mbështetësit e M5S rreth 17% votuan “Po”, megjithëse udhëheqësi i tyre mbështeste “Jo”. Në qendër-djathtas, disa zhvendosje u panë mes votuesve të Lega dhe Forza Italia, respektivisht me 12% dhe 10% pro-“Jo”.

    Analiza sipas të ardhurave dhe statusit social tregon se vota “Jo” dominon tek grupet më të arsimuara dhe ekonomisht të privilegjuara, ndërsa “Po” është më e popullarizuar tek amviset dhe ata me nivel më të ulët arsimor.

    Dështimi i qeverisë dhe veçanërisht i kryetares së Këshillit, Giorgia Meloni, është i qartë sipas Corriere. Pozicioni i saj në muajt e fundit ka reflektuar sfida të shumta, përfshirë kushtet e vështira ekonomike, rritjen e kostove jetësore dhe tensionet ndërkombëtare./TCh/

  • Mediat izraelite: Ja data kur synohet të përfundojë lufta, marrëveshja e Khameneit për negociata

    Mediat izraelite: Ja data kur synohet të përfundojë lufta, marrëveshja e Khameneit për negociata

    Zhvillimet e orëve të fundit në Lindjen e Mesme po japin sinjale të kujdesshme optimizmi për një zbutje të konfliktit, ndërsa mediat izraelite raportojnë për një afat të mundshëm për përfundimin e luftës dhe për lëvizje drejt negociatave mes United States dhe Iran. Sipas gazetës Yedioth Ahronoth dhe faqes Ynetnews, pas vendimit të presidentit Donald Trump për të “ngrirë” sulmet ndaj objekteve energjetike iraniane për pesë ditë, një zyrtar izraelit ka bërë të ditur se Uashingtoni ka vendosur 9 prillin si datë të synuar për përfundimin e konfliktit.

    Ky afat krijon një dritare prej rreth 20 ditësh për vazhdimin e luftimeve dhe përpjekjeve diplomatike. Sipas të njëjtit burim, bisedimet mes palëve pritet të zhvillohen në Pakistan, megjithëse Izraeli nuk është informuar për kontaktet e drejtpërdrejta me kryetarin e parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.

    Raportimet shkojnë edhe më tej, duke sugjeruar se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i ka komunikuar në mënyrë jozyrtare të dërguarit amerikan Steve Witkoff se udhëheqësi i ri suprem, Mojtaba Khamenei, ka pranuar të hyjë në negociata për një marrëveshje me SHBA-në dhe për përfundimin e shpejtë të luftës. Vetë Trump deklaroi në një intervistë për Fox News se një marrëveshje mund të arrihet “brenda pesë ditësh ose më pak”, duke shtuar se “gjërat po shkojnë shumë mirë”.

    Megjithatë, nga ana tjetër, zyrtarët iranianë kanë mohuar publikisht ekzistencën e negociatave. Një përfaqësues ushtarak i cituar nga Tasnim News Agency paralajmëroi “surpriza” në ditët në vijim, ndërsa zëdhënësi parlamentar Ebrahim Rezaei deklaroi se “nuk ka logjikë për negociata në këto kushte”. Po ashtu, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, konfirmoi se Irani ka marrë mesazhe për bisedime përmes vendeve të treta, por nuk ka dhënë ende përgjigje zyrtare. Ndërkohë, sipas Financial Times, zyrtarë në Pakistan po veprojnë si ndërmjetës, duke përcjellë mesazhe mes përfaqësuesve iranianë dhe emisarëve amerikanë, përfshirë Jared Kushner. Pavarësisht sinjaleve diplomatike, situata në terren mbetet e tensionuar. Ushtria izraelite ka njoftuar për sulme gjatë natës ndaj objektivave të lidhura me Forcën Quds dhe strukturat e Islamic Revolutionary Guard Corps në Teheran.

    Ndërkohë, në Lebanon vazhdojnë goditjet ndaj pozicioneve të Hezbollah. Nga ana tjetër, Irani ka lëshuar një raketë drejt Tel Aviv, duke shkaktuar gjashtë të plagosur. Zhvillimet e fundit tregojnë një situatë të paqëndrueshme, ku diplomacia dhe përshkallëzimi ushtarak po ecin paralelisht, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje brenda afateve të përfolura.

  • Varroset nesër veterani nga Peja që u gjet i vdekur dy vjet më parë

    Varroset nesër veterani nga Peja që u gjet i vdekur dy vjet më parë

    Nesër, më 25 mars do të varroset ish-ushtari i UÇK-së, Samir Puza, i cili u gjet i vdekur më 1 mars të vitit 2024 në një pusetë në Parkun “Karagaq” Pejë.

    Këtë e ka bërë të ditur familja e të ndjerit.

    Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i familjes Puza, avokati Granit Cenaj deklaroi rasti i zhdukjes dhe i vdekjes së Samirit, është hetuar nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe deri në këtë moment, sipas tij, nuk ka asnjë epilog të qartë se çfarë ka ndodhur me të ndjerin.

    “Konkretisht se a është një vrasje pa autor apo është një vdekje natyrale e shkaktuar si pasojë e vdekjes së natyrshme”, ka thënë Cenaj.

    Ai shton se në bazë të të gjeturave (kamerave të sigurisë, dëshmitarëve etj) Prokuroria nuk ka arritur që të ndërlidhë këtë rast me ndonjë autor apo ngjarje tjetër konkrete.

    Sipas ekspertimit mjekoligjor të datës 06.09.2024 rezulton se shkaku i vdekjes së Samir Puzës është i “pa përcaktuar” e gjithashtu edhe mënyra e vdekjes është e “pa përcaktuar”.

    Ndryshe, i ndjeri do varroset me nderime ushtarake ne varrezat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në “Kompleksin Memorial në Koshare” nga ora 14:00.