ATV

Author: K.B.

  • Ky është numri i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë deri tani

    Ky është numri i zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë deri tani

    Qe prej kur ka filluar procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, vetëm 3 mijë e 915 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë e tyre, derisa 4 mijë e 404 zyrtarë ende nuk e kanë nisur këtë proces.

    Ky proces ka filluar, më 1 mars të këtij viti dhe do të zgjasë deri në fund të këtij muaji, 31 mars, raporton Indeksonline.

    ”Deri tani, 3 mijë e 915 zyrtarë publikë apo 37.82% e kanë përfunduar deklarimin e pasurisë, ndërsa edhe 2 mijë e 34 apo 19.65% të tjerë e kanë nisur procesin, por ende nuk e kanë përmbyllur atë. Njëkohësisht, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve, përkatësisht 4 mijë e 404 apo 42.54% ende nuk e kanë filluar procesin e deklarimit”, thuhet në një përgjigje për Indeksonlinen nga APK-ja.

    Por Cilat janë masat që ndërmerren ndaj zyrtarëve që nuk e deklarojnë pasurinë ose e deklarojnë në mënyrë të pasaktë?

    ”Mosdeklarimi brenda afatit, vonesa në deklarim apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje të obligimeve ligjore dhe sanksionohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë gjoba mandatore prej 30% të pagës mujore për vonesa brenda afatit të përcaktuar, ndërsa varësisht nga natyra e shkeljes mund të merren edhe masa të tjera ligjore, përfshirë edhe ngritjen e kallëzimeve penale. Në raste të caktuara, organet kompetente mund të shqiptojnë edhe dënime me burgim, si edhe konfiskim të pasurisë së padeklaruar”, thuhet në përgjigjen e APK-së.

    Deklarimit të rregullt vjetor i pasurisë janë të obliguar t’i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.

  • Izraeli thotë se do të marrë kontrollin e një zone të madhe tampon në jug të Libanit

    Izraeli thotë se do të marrë kontrollin e një zone të madhe tampon në jug të Libanit

    Trupat izraelite do të kontrollojnë një pjesë të madhe të jugut të Libanit si pjesë e fushatës së tyre kundër Hezbollahit, thotë Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

    Katz tha se trupat do të vendosin një zonë sigurie deri në lumin Litani, rreth 30 km nga kufiri Liban-Izrael, dhe banorët e zhvendosur nuk do të lejohet të kthehen deri sa veriu i Izraelit të jetë i sigurt, raporton BBC.

    Pesë ura “të përdorura nga Hezbollah për kalimin e terroristëve dhe armëve” janë shkatërruar, shtoi ai.

    Përshkallëzimi i dhunës pasi Hezbollah, e mbështetur nga Irani, gjuajti raketa në veri të Izraelit në hakmarrje për vrasjen e liderit suprem të Iranit dhe sulmet pothuajse ditore izraelite mbi Libanin, pavarësisht armëpushimit të nëntorit 2024.

  • Gjoshi: PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ – mosemërimi i tij nga Presidentja Osmani, shkelje kushtetuese

    Gjoshi: PDK-së i takon anëtari i dytë në KQZ – mosemërimi i tij nga Presidentja Osmani, shkelje kushtetuese

    Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi thotë se mosemërimi i anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është cenim i kushtetushmërisë, demokracisë dhe i zgjedhjeve nga ana e presidentes Vjosa Osmani.

    Gjoshi, në një konferencë për media, tha se refuzimi i Osmanit dhe fshehja pas referimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese, është dëmtim i qëllimshëm i përfaqësimit të PDK-së në KQZ dhe i dobësimit të rolit të opozitës në këtë fazë kritike politike për shtetin.

    “Presidentja Osmani, në shkresën e datës 9 mars drejtuar kryetarit Bedri Hamza, ka kërkuar që t’i propozojmë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së. Pra, jo propozimin e një kandidati, siç e ka certifikuar tani, por të kandidatëve, në shumës. Prandaj, ajo ka përgjegjësinë që para qytetarëve të sqarojë se çfarë e shtyri që në momentet e fundit të tërhiqej nga rruga kushtetuese dhe ligjore e emërimit të anëtarëve të PDK-së në KQZ”, shtoi ai.

    Gjoshi theksoi se mosemërimi i përfaqësuesit të dytë të PDK-së në KQZ bie ndesh me paragrafin 4 të nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, ku përcaktohet qartë se 6 anëtarë të KQZ-së emërohen nga gjashtë grupet më të mëdha parlamentare, përkatësisht nga subjektet politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, që aktualisht janë LVV, PDK, LDK dhe AAK.

    “Pra, Kushtetuta e Kosovës është e qartë: së pari, sigurohet përfaqësimi proporcional i subjekteve më të mëdha parlamentare. Dhe së dyti, meqenëse pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kuvend janë vetëm 4 grupe parlamentare shqiptare, pra në mungesë të numrit të mjaftueshëm prej 6 grupeve, anëtarët shtesë emërohen nga grupet më të mëdha parlamentare, që në këtë rast janë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës”, sqaroi ai.

    Sipas Gjoshit, ky zhvillim përveç që po e cenon opozitën, po e rrezikon vetë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe standardet demokratike të Republikës së Kosovës.

    “Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme në kërkim të zbatimit të së drejtës së saj për t’u përfaqësuar në KQZ, sipas të drejtës që ia ka dhënë Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, paralajmëroi Gjoshi.

    Gjoshi rikujtoi një rast të ngjashëm kur presidentja Osmani në vitin 2021, ishte përpjekur ta pamundësojë emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së të KQZ-së.

    “Në vitin e parë të mandatit të saj, Osmani ishte përpjekur për të gjetur ndonjë mundësi që të çojë përpara kërkesën kundërkushtetuese të Lëvizjes Vetëvendosje për emërimin e anëtarit të 3-të në KQZ. Por pas refuzimit të trajtimit thelbësor të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, ajo nuk kishte guxuar të aprovonte këtë kërkesë, e cila qartazi binte ndesh me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm për kapjen politike të institucionit të zgjedhjeve”, shtoi ai.

    Tutje, Gjoshi shprehu një shqetësim të dytë që nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të kthejë përgjigje ashtu siç bëri në vitin 2021, pas datës 4 prill në postin e të parës së shtetit do të vendoset si ushtruese detyre, Albulena Haxhiu, e cila mund të vendosë në mënyrë arbitrare që PDK-së të mos i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë.

    “Një person me bagazh të madh antikushtetues dhe antiligjor, e cila sigurisht se është e gatshme për kapitalizimin e shkeljes së radhës të Kushetutës së Kosovës dhe të vendosë në mënyrë arbitrare që PDK-së të mos i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë, duke na detyruar kështu që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, e cila deri sa do ta trajtonte juridikisht çështjen, Lëvizja Vetëvendosje praktikisht do të bënte një mori shkeljesh dhe abuzimesh në organizimin e zgjedhjeve”, tha ai.

    Ai shtoi se me këto veprime Lëvizjes Vetëvendosje po i krijohen mundësitë që në proceset zgjedhore pasuese t’i shkelë ligjet dhe rregullat zgjedhore.

    “Të gjithë jemi dëshmitarë të paligjshmërisë që është nxitur nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, 12 tetorit dhe 28 dhjetorit të vitit 2025, andaj kësaj partie po i krijohen rrethanat që në zgjedhjet e radhës t’i shkelë ligjet dhe rregullat zgjedhore, duke nxjerrë vendime që do të shkatërrojnë procesin zgjedhor dhe të sjellë situata kur nuk do të pranohen rezultatet e zgjedhjeve. Në këtë drejtim, mjafton të kujtohet rasti kur përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ ka kërcënuar publikisht (para mediave) anëtarët e KQZ-së dhe me emër të përveçëm anëtaren nga radhët e komunitetit turk vetëm pse kishin mbështetur amandamentin e përfaqësuesve të PDK-së për të buxhetuar dërgimin e fletëvotimeve origjinale për votuesit jashtë Kosovës, ashtu siç parashihet me aktin nënligjor të KQZ-së për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës.”, potencoi Gjoshi.

  • “Falënderim ndaj qytetarëve”, Osmani thotë se s’është fushatë vizita nëpër qytete – s’flet për raportin me Gërvallën

    “Falënderim ndaj qytetarëve”, Osmani thotë se s’është fushatë vizita nëpër qytete – s’flet për raportin me Gërvallën

    Presidentja Vjosa Osmani e cila po qëndron në Mitrovicë, pas akademisë përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së Agim Hajrizit dhe Latif Berishës, u pyet nga gazetarët se mos ka nisur një fushatë në kuadër të vizitave që po zhvillon në qytete të ndryshme të Kosovës, gjë të cilën ajo e mohoi.

    Osmani vizitat që po i zhvillon i ka cilësuar si falënderim ndaj qytetarëve që i kanë dhënë përkrahje për gjatë këtyre pesë viteve.

    “Aludimet janë të pasakta. I falënderoj qytetarët për përkrahjen, për dashurinë që na kanë dhënë, për faktin që kanë qenë pranë nesh çdo ditë përgjatë këtyre pesë viteve edhe për nderin e madh që ma kanë dhënë që t’i përfaqësoj ata brenda dhe jashtë, përgjatë këtyre viteve. Pra thjesht janë takime falënderimi siç i patë edhe shumë prej këtyre që sapo i patëm këtu”, tha Osmani para gazetarëve.

    Presidentja u pyet edhe për raportet aktuale me Donika Gërvallën, por Osmani refuzoi të përgjigjej.

    “Kishim lut për pak respekt për kujtimin e Agim Hajrizit dhe Latif Berishës”, tha Osmani.

  • Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli

    Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli

    Hetimet zbulojnë se mungesa e masave bazë të sigurisë dhe inspektimeve çoi në një aksident fatal në një kantier ndërtimi në Londër

    Një aksident tragjik në një kantier ndërtimi në Londër ka marrë jetën e një 19-vjeçari shqiptar, duke nxjerrë në pah problemet serioze me kushtet e sigurisë në vendin e punës.

    Siç ka shkruar ditë më parë albinfo.ch, viktima, i identifikuar me inicialet R.Ll., ishte duke punuar në çmontimin e skelave në katin e 12-të të një ndërtese në zonën e Actonit, kur ndodhi incidenti fatal. Sipas të dhënave nga hetimet, i riu kishte shkelur mbi një bosht ventilimi të mbuluar në mënyrë të pasigurt, i cili u shemb, duke e bërë atë të rrëzohej nga një lartësi e madhe.

    Autoritetet britanike për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë kanë konstatuar se kushtet në kantier nuk përmbushnin standardet minimale të sigurisë. Hapësira ku ndodhi aksidenti ishte e mbuluar vetëm me materiale të përkohshme dhe të papërshtatshme, si karton gipsi dhe shkumë çatie, të cilat nuk garantonin mbrojtje për punëtorët, transmeton albinfo.ch.

    Po ashtu, hetimet zbuluan mungesë të theksuar të kontrollit dhe inspektimeve rutinë, pasi zona e kopshtit të çatisë nuk ishte përfshirë fare në kontrollet e sigurisë. Kjo bëri që rreziku të mos identifikohej me kohë dhe punëtorët të mos paralajmëroheshin për rrezikun potencial.

    Rasti është cilësuar nga autoritetet si “plotësisht i shmangshëm”, duke theksuar se me masa elementare sigurie, tragjedia mund të ishte parandaluar.

    Si pasojë e shkeljeve të konstatuara, kompania ndërtimore përgjegjëse është shpallur fajtore për mosrespektim të rregullave të punës në lartësi dhe është gjobitur me mijëra funte, si dhe është detyruar të mbulojë shpenzimet gjyqësore.

    Ngjarja ka rikthyer në fokus rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë në sektorin e ndërtimit, sidomos për punëtorët e rinj, të cilët shpesh ekspozohen ndaj rreziqeve të larta në mungesë të mbrojtjes adekuate./Albinfo.ch

  • Osmani ia jep dorën ftohtë Gërvallës në Mitrovicë, ajo i thotë të ketë kujdes për karrigen – edhe Faton Peci aty

    Osmani ia jep dorën ftohtë Gërvallës në Mitrovicë, ajo i thotë të ketë kujdes për karrigen – edhe Faton Peci aty

    Presidentja Vjosa Osmani ka qëndruar në Mitrovicë në një aktivitet zyrtar, ku është ulur mes Faton Peci dhe Donika Gërvalla.

    Sipas pamjeve që ka publikuar Mitropol, Gërvalla shihet duke i folur Osmanit me buzëqeshje. Pasi presidentja ulet ajo nis t’i ankohet për karrigen, ndërsa presidentja nuk reagon dhe duket se e injoron situatën.

    Osmani shihet e ulur mes Gërvallës e kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci.

    E pas ngjarjes, Vjosa Osmani ka refuzuar të flasë për raportet me Donika Gërvallën pas injorimit që ia bëri sot në Mitrovicë.

  • Zhaklin Lekatari i bën thirrje familjes së Selinit: Denoncojeni Rogertin për ngacmim seksual ndaj vajzës suaj

    Zhaklin Lekatari i bën thirrje familjes së Selinit: Denoncojeni Rogertin për ngacmim seksual ndaj vajzës suaj

    Një tjetër situatë e rëndë ka trazuar Big Brother VIP Albania, pasi gazetarja e njohur, Zhaklin Lekatari ka publikuar pamje që sipas saj përbëjnë një rast të papranueshëm brenda shtëpisë.

    Në reagimin e saj, ajo ka qenë shumë e drejtpërdrejtë, duke bërë thirrje publike: “Ngacmim seksual. Denoncojeni!”, duke kërkuar që rasti të merret seriozisht dhe të mos anashkalohet.

    Deklarata e saj ka shkaktuar reagime të menjëhershme, ndërsa familjarët e Rogertit kanë reaguar duke kundërshtuar këtë interpretim. Ata kanë lënë të kuptohet se situata po keqinterpretohet dhe se
    po bëhen akuza të rënda pa u parë e vërteta e plotë, duke mbrojtur qëndrimin e tij.

    Sipas tyre, pamjet nuk tregojnë atë që pretendohet dhe kërkojnë që publiku të mos nxitojë në gjykime, duke theksuar se gjithçka duhet parë në kontekst.

    Rikujtojmë se pas kritikave të forta të bëra nga opinionisti Arbër Hajdari ndaj Selin në Big Brother VIP Albania, ka reaguar edhe familja e saj, duke dalë publikisht me akuza të drejtpërdrejta. Në reagimin e tyre, ata e kanë cilësuar Hajdarin si “të palexuar dhe të painformuar”.

  • Aksident mes dy veturash në Vranidoll të Prishtinës, lëndohen shtatë persona

    Aksident mes dy veturash në Vranidoll të Prishtinës, lëndohen shtatë persona

    Shtatë persona kanë marrë lëndime trupore sot rreth orës 13:15 në një aksident mes dy veturash në Vranidoll të Prishtinës.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i rajonit të Prishtinës, Agron Borovci.

    Sipas tij, të lënduarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    “Rreth orës 13:15, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në fshatin Vranidoll të Prishtinës. Deri më tani bëhet e ditur se shtatë persona janë lënduar dhe kanë kërkuar ndihmën mjekësore , ndërkaq në aksident janë përfshirë dy vetura”, ka thënë ai.

    Tutje Borovci theksoi se njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.

  • Ministri Muja paralajmëron reforma në sigurinë ushqimore sipas standardeve evropiane

    Ministri Muja paralajmëron reforma në sigurinë ushqimore sipas standardeve evropiane

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, brenda këtij viti do të publikojë një udhërrëfyes kombëtar për përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve, me afate konkrete dhe institucione përgjegjëse, i cili do të jetë i hapur për publikun.

    Këtë e bëri të ditur sot ministri i BPZhR-së, Armend Muja, në Konferencën Ndërkombëtare me temën “Roli i EFSA-s në mbështetjen e vendeve të IPA-s në rrugën e tyre drejt standardeve të BE-së për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve”, e organizuar nga MBPZhR dhe AUV në bashkëpunim me Autoritetin Evropian për Sigurinë Ushqimore (EFSA).

    Gjatë fjalimit të tij, ministri Muja theksoi se brenda dymbëdhjetë muajve do të reformohet sistemi i inspektimeve, duke kaluar nga kontrolle formale në kontrolle të bazuara në rrezik, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe uljen e barrës së panevojshme për bizneset që respektojnë rregullat.

    “Deri në vitin 2027, do të ndërtojmë një sistem të plotë të gjurmueshmërisë digjitale, ku çdo produkt mund të ndiqet nga ferma deri në treg, duke rritur transparencën dhe besimin në zinxhirin ushqimor”, tha ministri Muja, bëhet e ditur në njoftim.

    Ndër të tjera, ai theksoi se siguria ushqimore nuk është vetëm një çështje teknike, por një kontratë mes shtetit dhe qytetarit – një marrëdhënie besimi që ndërtohet çdo ditë.

    Duke nënvizuar se bujqësia mbetet një nga sektorët kyç të ekonomisë dhe një burim i rëndësishëm i jetesës për mijëra familje në Kosovë, ministri shtoi se, sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2025 vlera e shtuar bruto në bujqësi ka arritur mbi 811.5 milionë euro, duke dëshmuar potencialin real të këtij sektori për zhvillim dhe rritje. Sipas tij, këto nuk janë vetëm shifra, por mundësi konkrete për zhvillim rural, punësim dhe rritje të eksportit.

    Ministri Muja potencoi se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit në ndërtimin e sistemit të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve.

    “Kemi siguruar financimin e plotë të fushatave të vaksinimit kundër tërbimit për vitet e fundit, kemi avancuar sistemet e kontrollit dhe gjurmueshmërisë ushqimore dhe kemi vendosur bazat për një qasje më moderne dhe më të integruar. Megjithatë, duhet të jemi të sinqertë: jemi ende në një fazë të përgatitjes së moderuar në përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se përpara kemi shumë punë dhe një nevojë urgjente për përshpejtim të reformave”, tha ai, bëhet e ditur në njoftimin për media.

    Duke folur për sigurinë ushqimore moderne, ai theksoi se ajo kërkon një qasje të integruar që lidh shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Për këtë arsye, ministri Muja nënvizoi se do të fuqizohet qasja “One Health” dhe do të ndërtohen mekanizma të koordinuar për të adresuar rreziqe si rezistenca ndaj antibiotikëve dhe sëmundjet zoonotike.

    Sa i përket standardeve të Bashkimit Evropian, ai tha se ato nuk duhet të shihen si barrë për fermerët, por si një mundësi reale për zhvillim dhe eksport.

    “Ato janë një pasaportë që u mundëson produkteve të Kosovës të hyjnë në tregje më të mëdha dhe më konkurruese. Roli i shtetit është që këto standarde t’i bëjë të arritshme përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë, digjitalizimit të shërbimeve dhe zbatimit të drejtë dhe të barabartë të ligjit”, theksoi Muja.

    Për arritjen e suksesit në këto reforma, ministri theksoi se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, organizatat ndërkombëtare dhe partnerët zhvillimorë është thelbësor për ngritjen e kapaciteteve dhe përshpejtimin e reformave. Po aq i rëndësishëm, tha se është edhe partneriteti me fermerët dhe bizneset vendore, të cilët janë aktorët kryesorë të këtij transformimi.

    Ministri tutje tha se siguria ushqimore është siguri kombëtare, shëndet publik dhe zhvillim ekonomik, si dhe rruga drejt Bashkimit Evropian.

    Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të EFSA-s, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës.

  • GJKKO rrëzon kërkesën e familjarëve të Ervis Martinajt, pasuritë e sekuestruara të bosit të lojërave të fatit mbesin të “izoluara”

    GJKKO rrëzon kërkesën e familjarëve të Ervis Martinajt, pasuritë e sekuestruara të bosit të lojërave të fatit mbesin të “izoluara”

    Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës te të zhdukurit Ervis Martinaj dhe familjarëve të tjerë, për të hequr sekuestron e pasurive të sekuestruara më parë.

    Top Channel, raporton se GJKKO e ka rrëzuar këtë kërkesë duke lënë në fuqi sekuestron ndaj pronave të Martinajt dhe familjarëve të tij.

    Lista me pasuritë e sekuestruara:

    Aksionet e KING KASINO ku aksioner është 100% Ervis Martinaj

    50 % të aksioneve të shoqërisë “ALBA TELECOMMUNICATION” në emër të Ervis Martinaj

    Aksionet e shoqërisë “MATI UNION” ku aksioner është 100% Mustafa Martinaj

    Aksionet e shoqërisë “MARTINAJ E.M” ku aksioner është 100% Mustafa Martinaj

    Subjekti “Ervis Martinaj”

    Shoqëria “REAL FENIX” ku aksionere është 100% Roberta Martinaj

    Subjekti “Drenica Martinaj”

    Subjekti “V.K”

    Shoqëria “S.P.E Energy” shpk ku aksioner është 100% V.K

    21% e aksioneve dhe aseteve te shoqëria “S.P.E Gjadër” të zotëruara nga “S.P.E Energy” shpk ku aksioner është 100% V.K

    Një automjet Smart, modeli Passion në pronësi të Erjona Martinaj

    Një automjet Land Rover, modeli Discovery në pronësi të Erjona Martinaj

    Një automjet Mercedez-Benz, modeli GLK 350, në pronësi të Vasilika Martinaj

    Një automjet Fiat, modeli Fiesta, në pronësi të Vasilika Martinaj

    Një automjet BMW, modeli M 550, në pronësi të Vasilika Martinaj

    Një pasuri me sip.82 m2 në lagjen “Pavarësia”, Vlorë në pronësi të Drenica Martinaj dhe një arë në Piqeras, Sarandë në pronësi të Ervis dhe Roberta Martinaj

    Një njësi me sip. 137 m2 në pronësi të Vasilika Martinaj

    Një ullishte me sip.9 800 m2, në Dobresh, Tiranë

    Një arë 3 815 m2 në Fushëkuqe, Kurbin

    Arë me sip.7 000 m2 në Patok

    Arë në Fushëkuqe, Kurbin sip.12 145 m2

    Arë në Patok, Kurbin me sip.1 973 m2

    Arë në Patok, Kurbin me sip. 7050 m2

    Arë dhe truall me sip.1 975 m2 në Fushë-Milot, Kurbin

    Arë me sip.1. 632 m2 në Fushë-Milot, Kurbin

    Truall dhe ndërtesë me sip.300 m2 në emër të Mustafa dhe Vasilika Martinaj

    Arë me sip. 2. 543 m2 në Fushëkuqe, Kurbin

    Arë dhe ndërtesë me sip.410 m2 në Fushëkuqe, Kurbin në emër të Mustafa dhe Vasilika Martinaj

    Arë me sip. 120 m2 dhuruar nga Ervis Martinaj shtetases Bisere Hato

    Truall dhe ndërtesë 580 m2 dhuruar nga Ervis Martinaj shtetases Bisere Hato

    Apartament në rrugën “Dervish Hima”, me sip.105 m2, dhuruar nga Ervis Martinaj shtetases Gelmona Tarja

    Ullishte 2000 m2 në fshatin Gjilekë, Dhërmi

    Pasuri aktualisht ne pronësi te shtetasit Fatmir Ahmet Vuthaj.

    Llogari kursimi për fëmijë