ATV

Author: K.B.

  • Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çfarë nënkupton afati 60-ditor?

    Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çfarë nënkupton afati 60-ditor?

    Gjykata Kushtetuese pritet që së shpejti të marrë një vendim lidhur me çështjen e dekretit të presidentes dhe procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, një zhvillim që konsiderohet kyç për tejkalimin e ngërçit aktual institucional në vend.

    “Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykata Kushtetuese e Kosovës për FrontOnline.

    Në të njëjtën kohë, në media është raportuar se vendimi i mundshëm i kësaj gjykate mund të përfshijë një afat prej 60 ditësh për kryeministrin Albin Kurti, me qëllim që t’i jepet hapësirë institucioneve për zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e një krize më të thellë politike.

    Lidhur me këtë çështje, njohës të Kushtetutës kanë dalë me qëndrime, duke interpretuar bazën ligjore të një afati të tillë dhe rolin që mund të ketë Gjykata Kushtetuese në orientimin e zgjidhjeve politike brenda kornizës kushtetuese.

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, për FrontOnline ka vlerësuar se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa vendimi i mundshëm i Gjykatës për një afat 60-ditor synon të ruajë balancat institucionale dhe të shmangë pasojat e pariparueshme.

    Sipas Kryeziut, roli i Gjykatës Kushtetuese është që të garantojë funksionimin e drejtë të rendit kushtetues dhe të mbajë ekuilibrin mes institucioneve shtetërore.

    “Dekreti i Presidentes ka qenë ligjor dhe legjitim. Gjykata Kushtetuese e ka për detyrë me i ruajtur balancat shtetërore. Nëse ajo ka konsideruar se zbatimi i këtij dekreti ka efekte të pariparueshme, atëherë ka marrë një vendim udhëzues për t’i dhënë hapësirë subjekteve politike për zgjedhjen e Presidentit”, ka deklaruar ai.

    Ai ka theksuar se presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese, duke argumentuar se veprimet e saj kanë qenë të bazuara në dispozitat e Kushtetutës.

    “Jo absolutisht, Osmani nuk ka bërë shkelje Kushtetuese, sepse nuk ka pasur zgjedhje tjetër, edhe sipas nenit 85, pika 6 të Kushtetutës”, u shpreh Kryeziu.

    Profesori i së drejtës kushtetuese, Kolë Krasniqi, për FrontOnline ka komentuar zhvillimet e fundit rreth vendimit të mundshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se ky afat është i lidhur drejtpërdrejt me fillimin e procedurës parlamentare.

    Sipas tij, afati prej 60 ditësh duhet të llogaritet nga momenti kur ka nisur procedura për zgjedhjen e presidentit, konkretisht kur janë paraqitur kandidatët dhe janë verifikuar nga komisioni përkatës i Kuvendit.

    “Procedura ka filluar në momentin kur janë paraqitur dy kandidatë dhe komisioni për verifikim i parlamentit ka konstatuar se ata i plotësojnë kriteret për zgjedhje. Prej atij momenti fillon të rrjedhë afati deri në 60 ditë”, ka deklaruar Krasniqi.

    Ai theksoi se, ndonëse Kushtetuta nuk e përcakton në mënyrë eksplicite këtë afat, në praktikë është respektuar periudha 60-ditore si standard kushtetues.

    “Kushtetuta nuk i ka dhënë afat të prerë, por është respektuar afati 60-ditor, pavarësisht interpretimeve të ndryshme. Gjykata Kushtetuese vetëm sa i ka implementuar këto rregulla kushtetuese”, u shpreh ai për FrontOnline.

    Krasniqi ka vlerësuar gjithashtu se presidentja ka vepruar në përputhje me kompetencat e saj, duke argumentuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të procedojë në kohë zgjedhjen e kreut të shtetit.

    “Presidentja kishte të drejtë, pasi Kuvendi nuk e ka proceduar me kohë zgjedhjen e Presidentit. Megjithatë, Gjykata ka dy opsione dhe duket se po mundohet të gjejë zgjidhje të reja në këtë situatë”, shtoi ai.

    Në fund, Krasniqi paralajmëroi se zhvillimet aktuale mund të çojnë drejt një epilogu politik me zgjedhje të reja në vend.

    “Unë besoj se do të ketë zgjedhje të reja”, përfundoi ai.

  • Ymeri: Shkuarja në zgjedhje është dëshirë e Kurtit, jo e LDK-së, zgjatime të VV-së nuk votojmë

    Ymeri: Shkuarja në zgjedhje është dëshirë e Kurtit, jo e LDK-së, zgjatime të VV-së nuk votojmë

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se një rikthim i mundshëm në zgjedhje të reja parlamentare nuk do të jetë përgjegjësi e partisë së saj, por e kryeministrit Albin Kurti.

    Në Tëvë1, Ymeri ka theksuar se LDK-ja nuk ka mbështetur dhe nuk do të mbështesë, siç u shpreh ajo, “zgjatime të partisë në pushtet”.

    Ajo ka shtuar se LDK-ja nuk ka pasur numrat e mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president, duke qenë se disponon vetëm 15 vota në Kuvend.

    “Nëse shkojmë në zgjedhje, nuk është dëshira jonë, por ka qenë në diskrecion të qeverisë, përkatësisht të kryeministrit Kurti. LDK-ja nuk ka pasur mundësi as të propozojë emër për president, pasi ka vetëm 15 vota. Kemi pasur mundësi të propozojmë një emër, por jo nënshkrime të mjaftueshme për të kandiduar dikë dhe për ta futur në garë. As Vjosa Osmani dhe as ndonjë emër tjetër nuk kanë qenë në garë, përveç kandidatëve partiakë, siç është rasti me Glauk Konjufcën, dhe ky skenar ka qenë i pritur. Prandaj, qëndrimi i partisë ka qenë i qartë: nuk voton dhe nuk qëndron në sallë për zgjatime të partisë në pushtet”, ka deklaruar Ymeri.

    E pyetur nëse partia do të rikthehej në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje në rast të një mundësie të re për zgjedhjen e presidentit, Ymeri është shprehur se kjo mbetet e hapur.

    “Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse ekziston një shans për zgjidhjen e çështjes së presidentit, atëherë ulemi dhe diskutojmë,” ka thënë ajo.

  • Rusia emëroi Uvarovin në Kosovë: Mbulim diplomatik apo operacion inteligjence?

    Rusia emëroi Uvarovin në Kosovë: Mbulim diplomatik apo operacion inteligjence?

    Tash e mbi dy dekada, në Kosovë operon pothuajse në heshtje Zyra Ndërlidhëse Ruse, nën ombrellën e UNMIK-ut. Në krye të kësaj zyre Rusia ka emëruar Ilia Uvarov, emër që figuron në një databazë që e lidh me inteligjencën ruse. Uvarov e mohon çdo lidhje me shërbimet sekrete, duke nënvizuar se përfaqëson zyrtarisht Rusinë në Kosovë.

    Ndër vite, aktivitetet e kësaj zyre kanë qenë kryesisht të padukshme për publikun e informacionet e pakta, zakonisht kanë të bëjnë me takimet me misione ndërkombëtare.

    Ndonëse në listën e misioneve diplomatike në vend, nuk figuron, Ilia Uvarov, ambasador rus në Beograd, në gusht të vitit të kaluar emërohet nga Rusia si shef i ri i zyrës ndërlidhëse në Prishtinë.

    Ilia Uvarov mbajti disa poste të njohura diplomatike si përfaqësues i Rusisë, por ajo që e vendos emrin e tij në një kontekst më të gjerë, është një databazë e publikuar nga e Instituti i Inteligjencës ukrainase “Molfar” , ku figuron si oficer i Departamentit të Shërbimeve të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë.

    Shumica e njerëzve që figurojnë në listën e regjistruar, thuhet se operojnë nën mbulesë diplomatike në ambasada, konsullata dhe organizata ndërkombëtare, të cilët mund të jenë të përfshirë në mbledhjen e inteligjencës dhe ndërtimin e rrjeteve jashtë vendit.

    Këto pretendime, vetë Uvarov i quan trillime. Duke folur rrjedhshëm në gjuhën shqipe, Uvarov tha se në krye të kësaj zyre është emëruar nga UNMIK-u.

    “Në këto agjenci informacionet ukrainase, e të tjera, janë gënjeshtra dhe mashtrime dhe nuk mund të shtoj diçka tjetër vetëm se duhet të diskutojmë këtë sepse jam i akredituar me UNMIK me misionin e OKB-së në Prishtinë. Jam i vetëm këtu në të vërtetë, përfaqësues rus zyrtar për misionin në Kosovë, kështu që ato janë gënjeshtra shumë të dyshuara, informacione të dyshuara dhe jo të pavërteta”, ka thënë Uvarov.

    Megjithëkëtë, në Kosovë, Uvarov drejton një mision që edhe më tej funksionon në një kornizë të pazakontë diplomatik, e krijuar nga UNMIK-u në vitin 2005.

    ” Si i tillë ai ka në një shërbim diplomatik rreth 20 e disa vite. Ka shërbyer në SHBA, Moldavi dhe konkretisht ka shërbyer në Transinistrin në pjesën e cila është shumë e ndjeshme në Moldavi dhe po ashtu tani do të shërbejë në Zyrën Ndërlidhëse në Kosovës, një zyre që funksionon në një formë shumë të heshtur e cila realisht nuk e dimë çka bën realisht …”, ka thënë Gurakuq Kuqi, nga Instituti “OCTOPUS”.

    Tash ë 21 vjet, sipas njohësve të politikës, ende nuk dihet qartë puna e kësaj zyre e as përbërja e stafit, që nuk ka nevojë për viza, ka të drejtë hyrjeje dhe daljeje pa kufizime dhe gëzon imunitet nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ. Ndërkohë që, veprimtaria e Uvarovit, ngre hipoteza për lidhje të tjera përtej shërbimit diplomat.

    ” Ky person duke pasur parasysh historikun e tij sepse së fundmi në Moldavi ka pasur shumë moldav dhe rus të cilët kanë kryer shërbimet e tyre rekrutuese në Serbi për të kthyer trazira në Moldavi për krijuar trazira dhe nëse e ndjekim këtë lidhje atëherë sigurisht që mund të na ngjallë disa dyshime të caktuar dhe hipoteza të cilat mund të thonë se pse një person që ka shërbyer edhe në Moldavi tani fillon të shërbejë edhe në zyrën ruse ndërlidhëse në Kosovë…”, ka shtuar Kuqi.

    Zyra ndërlidhëse e Rusisë në Prishtinë vazhdon të funksionojë nën ombrellën e UNMIK-ut, ndonëse roli i këtij misioni është dytësor. Ambientet e kësaj zyre vazhdojnë të jenë të paqasshme.

  • Investimet e huaja në Kosovë kalojnë 1 miliard euro në 2025

    Investimet e huaja në Kosovë kalojnë 1 miliard euro në 2025

    Në vitin 2025, investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë arritën në 1.03 miliard euro, duke shënuar një rritje prej 238.2 milion eurosh ose rreth 30% krahasuar me vitin 2024.

    Sipas të dhënave nga Instituti GAP, Gjermania dhe Zvicra janë shtetet që kanë kontribuar më së shumti në këto investime, me 268.7 milion euro dhe 223.9 milion euro përkatësisht.

    Shtetet e tjera kryesore investuese janë Shqipëria me 103.6 milion euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 92.5 milion euro dhe Austria me 59.8 milion euro.

  • Në këtë popull një grua martohet me disa vëllezër – arsyeja do t’ju befasojë

    Në këtë popull një grua martohet me disa vëllezër – arsyeja do t’ju befasojë

    Sherpat në Himalaje praktikojnë poliandrinë për të mbajtur pronën të pandarë dhe për të siguruar mbijetesën në kushte ekstreme

    Në kufirin mes Bhutanit dhe Tibetit, në rajonet e larta të Himalajeve, jetojnë komunitete që kanë zhvilluar forma të veçanta të organizimit familjar. Ndër to është edhe praktika e njohur si poliandri, ku një grua mund të jetë e martuar me disa vëllezër njëkohësisht. Kjo traditë është dokumentuar në disa zona të Nepalit, Tibetit dhe Indisë veriore dhe lidhet ngushtë me kushtet ekonomike dhe gjeografike të jetesës në këto rajone.

    Jeta në kushte ekstreme

    Fshatrat në këto zona ndodhen në lartësi prej 3,000 deri në 4,000 metrash mbi nivelin e detit. Banorët, përfshirë edhe Sherpat, janë të njohur për përshtatjen e tyre në një mjedis me oksigjen të ulët dhe klimë të ashpër. Toka e punueshme është e kufizuar, terreni është i pjerrët dhe sezoni bujqësor është shumë i shkurtër.

    Familjet zakonisht kultivojnë patate, elb dhe disa perime, por prodhimi shpesh nuk mjafton për të mbuluar nevojat gjatë gjithë vitit. Një rol të rëndësishëm në ekonomi kanë jakët, të cilët sigurojnë qumësht, mish, lesh dhe materiale për ngrohje, duke qenë të domosdoshëm për mbijetesën.

    Pse lindi poliandria

    Një nga sfidat kryesore në këto komunitete është ndarja e tokës. Nëse çdo djalë do të trashëgonte një pjesë të veçantë, toka do të copëzohej me kalimin e brezave dhe do të bëhej e papërdorshme për bujqësi. Për këtë arsye, në disa familje është zhvilluar modeli ku toka mbetet e përbashkët dhe nuk ndahet.

    Në këtë kontekst, vëllezërit qëndrojnë së bashku në një familje të vetme dhe ndajnë një bashkëshorte. Kjo praktikë njihet si poliandri fraterne dhe është një strategji për të ruajtur burimet dhe për të shmangur varfërimin.

    Si funksionon struktura familjare

    Zakonisht vëllai më i madh merr rolin kryesor në familje dhe organizon martesën, ndërsa vëllezërit e tjerë bëhen pjesë e së njëjtës strukturë familjare. Të gjithë burrat konsiderohen bashkëshortë të barabartë, edhe pse në praktikë ekziston një hierarki e lehtë brenda familjes.

    Fëmijët rriten si pjesë e një familjeje të zgjeruar dhe shpesh i konsiderojnë të gjithë burrat si figura atërore. Roli i gruas është qendror në organizimin e jetës së përditshme, menaxhimin e shtëpisë dhe rritjen e fëmijëve.

    Përfitimet e sistemit

    Ky model ndihmon në ruajtjen e tokës dhe stabilitetit ekonomik. Familja ka më shumë burime njerëzore për punë dhe më shumë siguri në rastet kur një anëtar mungon ose përballet me rreziqe, sidomos në zonat malore.

    Gjithashtu, shmanget fragmentimi i pronës dhe ruhet një ekonomi e qëndrueshme familjare, gjë që është thelbësore në një mjedis ku burimet janë të kufizuara.

    Sfidat dhe ndryshimet

    Megjithatë, poliandria nuk është pa sfida. Mund të shfaqen tensione dhe ndjenja xhelozie, ndërsa disa individë zgjedhin të largohen nga ky sistem për të ndërtuar jetë të pavarur.

    Në dekadat e fundit, ndikimi i arsimit, urbanizimit dhe mediave ka sjellë ndryshime të dukshme. Brezat e rinj gjithnjë e më shpesh preferojnë modele tradicionale martesore me një partner të vetëm, ndërsa poliandria është në rënie.

    Ndikimi i zhvillimit modern

    Zhvillimi i infrastrukturës, turizmi dhe mundësitë ekonomike jashtë komunitetit u kanë dhënë familjeve alternativa të reja. Në veçanti, puna në turizëm dhe ekspedita malore u ka mundësuar disa familjeve të mos varen më nga sistemi tradicional.

    Megjithatë, në zona më të izoluara, kjo praktikë vazhdon të ekzistojë si një formë e përshtatjes ndaj kushteve të vështira.

    Një model i lidhur me rrethanat

    Poliandria në Himalaje tregon se mënyrat e organizimit familjar nuk janë universale, por varen nga rrethanat ekonomike dhe mjedisore. Edhe pse mund të duket e pazakontë nga një këndvështrim modern, ajo ka funksionuar si një strategji mbijetese në një nga mjediset më të ashpra në botë.

  • Sot varroset ish-ushtari i UÇK-së, që u gjet i vdekur në një pusetë në Pejë

    Sot varroset ish-ushtari i UÇK-së, që u gjet i vdekur në një pusetë në Pejë

    Sot do të varroset ish-ushtari i UÇK-së, Samir Puza, i cili u gjet i vdekur më 1 mars të vitit 2024 në një pusetë në Parkun “Karagaq” Pejë.

    Këtë e ka bërë të ditur familja e të ndjerit, derisa u bë e ditur se ai do të varroset me nderime ushtarake në varrezat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në “Kompleksin Memorial në Koshare” nga ora 14:00.

    Ndërkohë, përfaqësuesi ligjor i familjes Puza, avokati Granit Cenaj deklaroi rasti i zhdukjes dhe i vdekjes së Samirit, është hetuar nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe deri në këtë moment, sipas tij, nuk ka asnjë epilog të qartë se çfarë ka ndodhur me të ndjerin.

    “Konkretisht se a është një vrasje pa autor apo është një vdekje natyrale e shkaktuar si pasojë e vdekjes së natyrshme”, ka thënë Cenaj.

    Ai shton se në bazë të të gjeturave (kamerave të sigurisë, dëshmitarëve etj) Prokuroria nuk ka arritur që të ndërlidhë këtë rast me ndonjë autor apo ngjarje tjetër konkrete.

    Sipas ekspertimit mjekoligjor të datës 06.09.2024 rezulton se shkaku i vdekjes së Samir Puzës është i “pa përcaktuar” e gjithashtu edhe mënyra e vdekjes është e “pa përcaktuar”.

  • Vdes tragjikisht në Gjermani i riu nga Presheva

    Vdes tragjikisht në Gjermani i riu nga Presheva

    Ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Gjermani, 29-vjeçari nga Rainca e Preshevës, Fatijon Latifi.

    Përmes njoftimit mortor, bëhet e ditur se i riu vdiq pas një aksidenti në Esslingen të Gjermanisë, transmeton Klankosova.

    Ndërsa për ditën dhe kohën e varrimit nuk u dha ndonjë informacion.

  • Krimet serbe: 27 vjet nga masakra në Celinë, Fortesë dhe Brestoc

    Krimet serbe: 27 vjet nga masakra në Celinë, Fortesë dhe Brestoc

    Sot mbushen 27 vjet nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve në fshatrat Fortesë, Brestoc dhe Celinë të Komunës së Rahovecit.

    Gjatë luftës së vitit 1999 në fshatin Fortesë janë vrarë nga forcat serbe 69 martirë, në Brestoc 5 dëshmorë dhe 49 martirë, ndërsa në Celinë janë vrarë 75 martirë.

    Menjëherë pas bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, forcat paramilitare dhe ushtarake të Serbisë nisën masakrat ndaj popullsisë civile.

    Qindra të vdekur e të zhdukur u regjistruan ato ditë të fundit të marsit 1999 në komunën e Rahovecit. Në Brestovc u vranë 59 martirë dhe 5 dëshmorë.

    Në Fortese u masakruan 68 banorë, në Celinë 75. Atë mëngjes te 25 marsit forcat serbe masakruan edhe 10 -tra banorë të fshatit Tërnje të Suharekës!

    26 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në fshatrat Fortesë, Brestoc, Celinë dhe Krushë e Madhe të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

    Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

    Masakra në Krushë të Madhe ishte ehe pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë.

  • Vranësira e intervale me diell sot

    Vranësira e intervale me diell sot

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot pak më i ngrohtë, me intervale kohore me diell dhe vranësira të cilat rrallë në ndonjë rajon mund të kushtëzojnë ndonjë rigë të dobët shiu.

    Temperaturat pritet të luhaten nga 1 ajo minimale deri në 18 gradë Celsius ajo maksimale.

  • Publikuan video me simbolet e Shqipërisë së Madhe, katër shqiptarë arrestohen në Serbi

    Publikuan video me simbolet e Shqipërisë së Madhe, katër shqiptarë arrestohen në Serbi

    Policia në Serbia ka arrestuar katër shtetas shqiptarë, duke i akuzuar për nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.

    Sipas autoriteteve, të ndaluarit janë A.S. (1989), E.V. (1984), E.G. (1978) dhe A.C. (2005). Ngjarja lidhet me publikimin e një videoje në rrjetet sociale, ku ata shfaqen duke udhëtuar me një automjet në autostradë në territorin serb, ndërsa ekspozojnë simbole kombëtare shqiptare.

    Videoja, e postuar nga njëri prej tyre në Facebook, përkon me përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, çka sipas mediave serbe e ka bërë situatën edhe më të ndjeshme.

    Katër të arrestuarit janë vendosur në ndalim për 48 orë dhe pritet të dalin përpara Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.

    Policia serbe shkruan:

    Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë Kriminalistike, kanë arrestuar në territorin e Republikës së Serbisë A. S. (1989), E. V. (1984), E. G. (1978) dhe A. C. (2005), shtetas të Republikës së Shqipërisë, pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.

    Dyshohet se A. S. sot, në ditën e shënimit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka publikuar një video në të cilin ndodhet në një automjet “Audi”, në shoqëri me të dyshuarit e tjerë, gjatë lëvizjes në autostradë nëpër Serbi, ku në mënyrë të papërshtatshme kanë shfaqur simbole të “Shqipërisë së Madhe”, si dhe në mënyrë verbale, në kontekst negativ, kanë përmendur Republikën e Serbisë, duke përdorur fjalë të papërshtatshme.

    Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës, me kallëzim penal, do të dërgohen në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd – Departamenti i posaçëm për luftimin e krimit të teknologjisë së lartë. /TCH/