ATV

Author: K.B.

  • Kroacia gati të shtojë forcat në Kosovë, NATO rishikon numrin e trupave të KFOR-it

    Kroacia gati të shtojë forcat në Kosovë, NATO rishikon numrin e trupave të KFOR-it

    Përgatitjet për samitin e NATO-s që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë kanë hyrë në fazën përfundimtare, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare në selinë e Aleancës në Bruksel.

    Samiti pritet të jetë një tjetër përballje mes kërkesave të SHBA-së dhe angazhimeve të aleatëve evropianë, veçanërisht për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake të Evropës.

    Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të ushtrojë presion ndaj aleatëve evropianë, të cilët sipas tij nuk kanë përmbushur objektivat për rritjen e investimeve në mbrojtje. Në fokus do të jetë edhe mënyra se si Evropa do të kompensojë reduktimin e mundshëm të pranisë ushtarake amerikane në kontinent.

    Ndërsa burime diplomatike të huaja bëjnë të ditur jozyrtarisht se disa aleatë evropianë kanë nisur tashmë diskutimet se si mund të kontribuojnë në mbushjen e boshllëkut që do të krijohej pas një tërheqjeje të pjesshme amerikane nga Evropa, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, në një deklaratë për gazetarët të enjten në Bruksel la të kuptohet se Kroacia po ofron rritjen e numrit të ushtarëve të saj në misionin e NATO-s, KFOR, në Kosovë.

    Kjo vjen pasi komandanti suprem i NATO-s për Evropën (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich, njoftoi se po shqyrtohet ulja e numrit të trupave të KFOR-it, shkruan vecernji.hr.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se kontingjenti në Kosovë mund të reduktohet nga rreth 4700 ushtarë aktualisht në rreth 3000–3500, nivel i ngjashëm me periudhën para vitit 2023.

    Ndërkohë, ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth, u ka bërë thirrje aleatëve evropianë që të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.

    “Pritet që aleatët të angazhohen dhe të bëjnë pjesën e tyre”, deklaroi Hegseth, duke paralajmëruar se SHBA do të vëzhgojë nga afër vendet që nuk kontribuojnë mjaftueshëm në përpjekjet e përbashkëta të NATO-s.

    Ai tha gjithashtu se disa aleatë do të dështojnë në këtë “test të ri amerikan”, ndërsa të tjerë do ta kalojnë me sukses, duke theksuar se Uashingtoni pret një rol më të madh nga partnerët evropianë në mbrojtjen e përbashkët.

  • Presidenti polak i heq Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore

    Presidenti polak i heq Zelenskyt dekoratën më të lartë shtetërore

    Presidenti i Polonisë ka vendosur t’i heqë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt, “Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë”, dekorata më e lartë shtetërore polake.

    Vendimi, sipas presidentit polak Karol Nawrocki, nuk është i drejtuar kundër popullit ukrainas dhe nuk ndryshon politikën strategjike të sigurisë së Polonisë.

    “Dua të theksoj se ky vendim nuk është kundër popullit ukrainas. Ai nuk ndryshon drejtimin strategjik të politikës së sigurisë së Polonisë. Ne e kemi mbështetur dhe vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën”, deklaroi Nawrocki.

    Arsyeja e heqjes së dekoratës lidhet me vendimin e Zelenskyt për të emërtuar një njësi speciale të Forcave të Armatosura të Ukrainës me emrin e “heronjve të UPA-së” (Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase).

    Në Poloni, pjesëtarët e UPA-së akuzohen për përfshirje në spastrime etnike ndaj polakëve dhe krime lufte gjatë Luftës së Dytë Botërore, një çështje që vazhdon të jetë shumë e ndjeshme në marrëdhëniet polako-ukrainase.

    Zelensky e kishte marrë Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë në vitin 2023 nga ish-presidenti polak, Andrzej Duda, si vlerësim për rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Polonisë dhe Ukrainës, si dhe për përpjekjet në fushën e sigurisë, rezistencës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

  • ‘‘Është vijë e kuqe’’ – Rukiqi tregon se cili është kushti i LDK’së për marrëveshje politike në krijimin e institucioneve

    ‘‘Është vijë e kuqe’’ – Rukiqi tregon se cili është kushti i LDK’së për marrëveshje politike në krijimin e institucioneve

    Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi zbuloi kushtin e partisë së tij për marrëveshje politike në krijimin e institucioneve të reja shtetërore.

    Rukiqi i ftuar në KlanKosova, deklaroi se LDK e ka pozicion të pa negociueshëm pranimin e gazit amerikan në çdo lloj marrëveshje politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “Ne e kemi si pozicion zyrtar dhe politik se në çdo lloj marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja ku përfshihet LDK, ne kemi kërkesë të panegociueshme, ose vija të kuqe qysh kemi për Listën Serbe në një anë, në anën tjetër vijë e kuqe është çështja e gazit. Kusht i çdo bashkëpunimi institucional është pranimi i gazit amerikan”, tha Rukiqi.

  • Parashikimi i motit për fundjavën

    Parashikimi i motit për fundjavën

    Nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, fundjava do të karakterizohet me mot kryesisht të kthjellët, me intervale me diell dhe vranësira të pakta.

    Të shtunën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa temperaturat maksimale të ditës do të arrijnë ndërmjet 28 dhe 33°C.

    E diel:
    Parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13°C, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 28 deri në 32°C.

  • Bekim Haxhiu kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, dorëzon ankesë në PZAP

    Bekim Haxhiu kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, dorëzon ankesë në PZAP

    Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka bërë të ditur se ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kërkuar rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës.

    Haxhiu tha se kërkesa e tij nuk bazohet në pakënaqësi me rezultatin zgjedhor, por në gjetjet e evidentuara gjatë procesit të rinumërimit të zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

    Sipas tij, rinumërimi i 185 vendvotimeve, që përfshijnë rreth 3.52 për qind të votave të PDK-së, ka dëshmuar se në numërimin fillestar ka pasur gabime. Ai theksoi se nga ky proces i janë shtuar gjashtë vota që nuk ishin regjistruar më parë.

    “Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ai ka kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në procesin e deritanishëm të rinumërimit, duke vlerësuar se vetëm një verifikim i plotë mund të garantojë që mandati parlamentar t’i takojë kandidatit që ka marrë mbështetjen e qytetarëve.

    Haxhiu ka theksuar se besimi në procesin zgjedhor ndërtohet mbi transparencën, ligjshmërinë dhe respektimin e vullnetit të votuesve, ndërsa ka shprehur pritjen që PZAP ta shqyrtojë ankesën në mënyrë të paanshme.

    Ai gjithashtu ka deklaruar se saktësia e rezultatit zgjedhor është më e rëndësishme se shpejtësia e publikimit të tij, duke shtuar se edhe në proceset e mëparshme zgjedhore ka identifikuar dhe denoncuar parregullsi, përfshirë ato që, sipas tij, janë evidentuar më 28 dhjetor 2025.

    Për këto arsye, Haxhiu ka bërë të ditur se ka kërkuar ndërhyrjen e PZAP-it për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e çdo vote.

  • Mblidhet Qeveria, merren disa vendime

    Mblidhet Qeveria, merren disa vendime

    Qeveria në detyrë e Kosovës, ka mbajtur një mbledhje elektronike.

    Në njoftimin e zyrës së kryeministrit bëhet e ditur se gjatë kësaj mbledhjeje janë marrë disa vendime, si, miratimi i vendimit për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, dhe, miratimi i vendimit për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Komisioner për Gjuhët.

    Njoftimi:

    Mbledhja e 24-të e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës

    Prishtinë, 19 qershor 2026

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka:

    – Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

    – Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Komisioner për Gjuhët.

    – Miratuar vendimin për emërimin e Komisionit të Pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, për pozitën Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale

    – Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 10/230, të datës 13 nëntor 2024, për themelimin e Komisionit për Vlerësimin e Sistemeve të Informacionit dhe Komunikimit me Rëndësi Strategjike.

    – Miratuar vendimin për vazhdimin e mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i themeluar me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 11/130, të datës 22.02.2023, i ndryshuar dhe i plotësuar me Vendimin Nr. 14/169, të datës 27.10.2023, Vendimin Nr. 19/218, të datës 28.08.2024, Vendimin Nr. 12/249, të datës 26.02.2025, dhe Vendimin Nr. 01/268, të datës 22.08.2025, Vendimin 10\280 të datës 19.12.2025, dhe Vendimin Nr. 16\05 të datës 19.03.2026, i vazhdohet mandati nga data 22.06.2026 deri me datën 22.09.2026.

  • Nesër mbahet testi i maturës, do i nënshtrohen mbi 19 mijë nxënës – Ministria jep detaje

    Nesër mbahet testi i maturës, do i nënshtrohen mbi 19 mijë nxënës – Ministria jep detaje

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka njoftuar se, nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.

    Në njoftim shtohet edhe se, procesi i testimit do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve, dhe se, testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.

    Postimi:

    Njoftim për mbajtjen e Testit të Maturës Shtetërore 2026

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se nesër do të mbahet Testi i Maturës Shtetërore 2026, afati i parë, në të cilin do të marrin pjesë 19,514 nxënës në 152 qendra të testimit në të gjithë vendin.

    Procesi i testimit do të administrohet nga 1,360 administrues dhe 750 kryetarë e anëtarë të komisioneve. Testi do të fillojë në orën 10:00 dhe do të përfundojë në orën 12:30.

    Të gjithë maturantët janë të obliguar të paraqiten në qendrat e tyre të testimit më së voni në orën 09:00, për të përfunduar me kohë procedurat e identifikimit dhe sistemimit në sallat e testimit.

    Testi i Maturës Shtetërore 2026 do të zhvillohet brenda një dite për të gjitha lëndët dhe për të gjithë kandidatët. Testi përmban 100 kërkesa, përkatësisht nga 25 kërkesa për secilën prej katër lëndëve: gjuhën amtare, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore të përzgjedhur nga vetë kandidati/ja.

    Rikujtojmë se posedimi i telefonave mobilë dhe i çdo pajisjeje tjetër elektronike gjatë testimit është rreptësisht i ndaluar. Çdo kandidat/e që konstatohet se posedon telefon ose pajisje tjetër elektronike do të largohet menjëherë nga testi, pavarësisht nëse pajisja është përdorur apo jo.

    Qendra për Vlerësim ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e suksesshëm të testit, ndërsa administruesit dhe anëtarët e komisioneve janë trajnuar dhe pajisur me udhëzimet përkatëse.

    Për informata të detajuara, udhëzime dhe rregulla për kandidatët, vizitoni: https://mash.rks-gov.net/…/informata-udhezime-dhe…

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës u uron suksese të gjithë maturantëve në këtë proces të rëndësishëm të vlerësimit.

  • Ministri italian anulon vizitën në SHBA pas komenteve të Trumpit për Melonin

    Ministri italian anulon vizitën në SHBA pas komenteve të Trumpit për Melonin

    Një përplasje e re diplomatike ka shpërthyer mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, pasi Trump deklaroi se Meloni i ishte “lutur” për të bërë një fotografi me të gjatë samitit të G7 në Francë dhe se ai kishte pranuar “nga keqardhja”.

    Meloni reagoi ashpër ndaj këtyre deklaratave, duke i quajtur ato “plotësisht të sajuara” dhe duke theksuar se “as unë dhe as Italia nuk lutemi”.

    Ajo u shpreh e habitur nga mënyra se si Trump trajton aleatët tradicionalë perëndimorë, duke sugjeruar se ai tregon më shumë mirëkuptim ndaj kundërshtarëve të Perëndimit sesa ndaj partnerëve të vjetër, raporton ap.

    Si shenjë proteste, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, anuloi vizitën e planifikuar në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme. Ai i cilësoi komentet e Trumpit si “serioze dhe fyese”, jo vetëm ndaj Melonit, por ndaj gjithë Italisë.

    Incidenti konsiderohet një tjetër goditje për marrëdhëniet mes dy liderëve, të cilët dikur kishin një raport të afërt politik. Tensionet mes tyre janë shtuar muajt e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me luftën me Iranin dhe kritikave të Trumpit ndaj Papa Leos XIV, të cilat Meloni i kishte dënuar publikisht.

    Përplasja e fundit ka nxitur reagime të shumta në Itali dhe rrezikon të thellojë më tej krizën diplomatike mes dy vendeve aleate.

  • Dogana e Kosovës sekuestron produkte të duhanit të ngrohur me vlerë rreth 12 mijë euro

    Dogana e Kosovës sekuestron produkte të duhanit të ngrohur me vlerë rreth 12 mijë euro

    Njësitet Anti Kontrabandë të Doganës së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme operative për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, kanë realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës.

    Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve të kryera zyrtarët doganorë kanë hasur dhe kanë sekuestruar gjithsej 33,000 njësi të produkteve të duhanit të ngrohur të markës TERREA, të cilat përdoren në pajisje elektronike për ngrohjen e duhanit, si dhe një pajisje elektronike për përdorimin e këtyre produkteve.

    Vlera e përafërt e mallit të sekuestruar llogaritet të jetë rreth 12,000 euro.

    Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme, me qëllim mbrojtjen e ekonomisë së vendit, garantimin e konkurrencës së drejtë në treg dhe mbrojtjen e të hyrave buxhetore të Republikës së Kosovës.

  • Mesazhet e LVV-së për LDK’në përmes Rrustemit: Elektorati preferon koalicion, shpresoj të jenë konstruktivë

    Mesazhet e LVV-së për LDK’në përmes Rrustemit: Elektorati preferon koalicion, shpresoj të jenë konstruktivë

    Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit ka sjell pak ndryshime në matematikat për krijimin e institucioneve të reja. LVV e Albin Kurtit me votat që ka marrë duket se do të arrijë ta krijojë qeverinë i vetëm me pakicat joserbe, derisa çështja e presidentit pritet të jetë temë e negociatave me partitë e tjera.

    Zyrtari i LVV’së, Adnan Rrustemi, i ftuar në emisionin Pressing të T7 të enjten ka dhënë sinjale se partia që Kurti drejton dhe elektorati i saj preferojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëpunim.

    Rrustemi ndërkohë ka përjashtuar PDK’në si një partner të mundshëm për bashkëqeverisje.

    “PDK’së i kemi ofru kryetarin e Kuvendit jo bashkëqeverisje. S’është e dobishme për Kosovën dhe PDK duhet të qëndrojë në opozitë. Edhe në aspektin elektoral preferenca e votuesve ka qenë bashkëpunimi me LDK’në”, ka thënë ai.

    Sipas Rrustemit, edhe votuesit e LDK’së do ta zgjidhnin si preferencë të dytë Lëvizjen Vetëvendosje.

    Deputeti i zgjedhur i VV-së në këtë intervistë ka folur edhe për temën e zgjedhjes së presidentit. Rrustemi ka thënë se Vjosa Osmani është politikane aktive dhe se LVV dëshiron një president konsensual.

    Megjithatë ai ka thënë se mund të gjendet një zgjidhje në kuadër të negociatave që do të zhvillojnë partitë politike.

    “Osmani është e mveshur me petkun aktiv politik”, ka thënë Rrustemi.

    I pyetur nëse LVV ka vullnet që t’ia jep opozitës pozitën e presidentit, Rrustemi ka thënë se “pozicionet politike duhet të jenë në përputhje me pozicionin elektoral”.

    Ai ka përmendur ftesat që LVV ia ka bërë LDK’së për bashkëqeverisje dhe refuzimet që partia e Abdixhikut i kishte bërë. Zyrtari i LVV’së ka thënë se shpreson që ketë herë LDK’ja edhe të pranojë ftesën për bashkëqeverisje dhe të jetë konstruktive në takime.

    “LDK refuzoi edhe takimet vitin e kaluar. Pra duhet me ndodhë një palë zgjedhje që LDK me e bo një gjysmë hapi. Pas zgjedhjeve të dhjetorit erdhi në takim por s’ishte konstruktive. Shpresojmë që herën e tretë edhe të vijë në takime edhe të jetë konstruktive”, ka thënë Rrustemi në Pressing të T7.

    Deklarime për një bashkëpunim ne mes të LDK’së dhe LVV’së ka dhënë edhe Lutfi Haziri në Pressing. Haziri madje ka paralajmëruar se Vjosa Osmani është e gatshme të tërhiqet nga synimi për presidente në rast të një marrëveshjeje.

    “Kjo marrëveshje do të mundësonte që vendi t’i kthehet stabilitetit”, ka deklaruar Haziri në T7.

    Ai tha se sipas procesit, ata do ta adaptojnë emrin e përveçëm.

    “LDK as nuk e ka pas e as nuk e ka asnjë problem me emër të përveçëm. Nëse mendohet se znj. Osmani ka qenë apo mundet me qenë problem, unë ju siguroj edhe sot që vetë ajo ka konfirmu që nuk është emri i saj problem në arritjen e një marrëveshje bashkëpunimi mes partive politike për t’i dhënë vendit stabilitet”, ka shtuar Haziri.