ATV

Author: K.B.

  • Peticion për ndalim të shamisë islame në të gjitha shkollat zvicerane

    Peticion për ndalim të shamisë islame në të gjitha shkollat zvicerane

    Një iniciativë e re për të ndaluar shamisë në shkollat zvicerane ka arritur në Bernë. Komiteti i Egerkingen, i lidhur me Partinë Popullore Zvicerane (UDC), dorëzoi të hënën një peticion me 12,000 nënshkrime në Bernë. Kjo pason një debat të ashpër që filloi verën e kaluar në pjesën gjermanishtfolëse të Zvicrës.

    Historia nisi këtë verë në Eschenbach, një qytet me rreth 10,000 banorë në kantonin St. Gallen. Një mësuese myslimane – ose së paku një grua që dëshironte të jepte mësim në një shkollë fillore lokale – i u refuzua pozita për shkak të shamisë, pas reagimeve të një pjese të popullsisë që kërkonte një arsim “të neutralitetit fetar”.

    Në Zvicrën gjermanishtfolëse, çështja mori shpejt një dimension politik. Ndalimi i shamisë në shkolla po diskutohet tani në parlamentet kantonale të St. Gallen dhe Aargau. Edhe në Cyrih, Partia Popullore Zvicerane (SVP/UDC) ka rilindur këtë ide.

    Ndalimi është i fokusuar vetëm tek Islami

    Komiteti i Egerkingen ka bërë një peticion që kërkon ndalimin e shamisë islame në shkollat publike zvicerane, për të gjithë mësuesit dhe nxënësit, nga kopshtet deri në universitet. Mbulesat e kokës të feve të tjera, si kippa hebraike, nuk do të preken.

    Sipas Walter Wobmann, president i komitetit të Egerkingen dhe ish-këshilltar kombëtar i SVP-së, ky ndalim është një mënyrë për të parandaluar indoktrinimin. “Shamija simbolizon vlera shumë të ndryshme nga ato të vendit tonë, i cili është demokratik dhe i lirë. Pozicione kaq ekstreme, si ato të Islamit politik, nuk kanë vend këtu. Nuk duhet lejuar të rrënjosin gradualisht.”

    “Për të kufizuar ndikimin e Islamit në shkolla”

    Teksti i peticionit shtrihet edhe në praktikat e tjera fetare: nuk duhet të riorganizohen provimet gjatë Ramazanit, dhe nuk duhet asnjë pushim për festat islame. Wobmann argumenton se kjo është një mënyrë për të kufizuar ndikimin e Islamit në shkolla, transmeton albinfo.ch.

    “Ne nuk duam rregulla të veçanta për fëmijët myslimanë sepse jetojmë në një vend me orientim kristian, një vend perëndimor. Nuk ka nevojë të krijohet një fe e re në shkolla që të bëhet dominante. Kjo është problemi: ne kemi festat tona dhe nuk ka nevojë për rregulla speciale për myslimanët,” insiston ai.

    Drejt një votimi kombëtar?

    Për sociologen Mallory Schneuwly Purdie, ligjëruese e lartë në Qendrën Zvicerane për Islam dhe Shoqëri, argumentet e Wobmann-it, të bazuara në frikën e një “zëvendësimi të madh”, janë të pabazuara. “Popullsia myslimane mbetet e qëndrueshme: po rritet në numra absolutë, por po ashtu edhe popullsia zvicerane,” vë në dukje ajo.

    Megjithatë, Këshilli Federal duhet të marrë në konsideratë peticionin. Megjithatë, duket e pamundur që të ndjekë kërkesat e tij. Qeveria së fundmi ka refuzuar idenë e ndalimit të shamisë për nxënësit, duke preferuar një qasje më liberale, ku gratë myslimane vendosin vetë nëse do ta mbajnë atë apo jo.

    Debati është larg përfundimit. Komiteti i Egerkingen ka pasur tashmë disa suksese në referendume, duke qenë pas ndalimeve të minaretëve dhe burkës. Aktualisht po shqyrton mundësinë e nisjes së një iniciative popullore për shamisë në shkolla. Një referendum kombëtar nuk është i përjashtuar dhe mund të çojë në ndalim, paralajmëron Schneuwly Purdie.

    “Argumentet rreth shamisë në shkolla mobilizojnë si ata kundër imigracionit, mbështetësit e sekularizmit, ashtu edhe disa që mbrojnë të drejtat e grave. Këto perspektiva të ndryshme mund të gjejnë një terren të përbashkët rreth kësaj çështjeje,” shton ajo.

  • Masa sigurie në ceremoni, biznesmeni i vrarë në Elbasan varroset sot

    Masa sigurie në ceremoni, biznesmeni i vrarë në Elbasan varroset sot

    Biznesmeni Mondi Mëhalla (Edmond Hyka) do të përcillet për në banesën e fundit këtë të martë në orën 10:00, në qytetin e Elbasanit.

    Ceremonia mortore për 43-vjeçarin, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së dielës brenda automjetit të tij, do të zhvillohet nën masa të shumta sigurie, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve po vijojnë intensivisht.

    Burime të grupit hetimor konfirmojnë se një person nga Lezha është shoqëruar nga policia, pasi dyshohet se mund të ketë dijeni rreth konfliktit që Mëhalla kishte pak ditë para ekzekutimit.

    Kjo përplasje, ende e paqartë në motive, po shihet si një nga pistat kryesore të hetimit ndërsa policia ka konfirmuar se Naldo Gjini është emri i parë i dyshuar si i përfshirë në ekzekutimin mafioz të biznesmenit.

    Struktura të shumta të policisë janë angazhuar në kërkim të tij, ndërsa kontrollet po shtrihen në disa qytete.

    Sipas ekspertëve, Mëhalla është qëlluar me tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, një metodë tipike e ekzekutimit profesional.

    Ai sapo ishte futur në automjet kur u sulmua. Deri tani janë shoqëruar të paktën 15 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

    Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e Elbasanit dhe vijon kontrollet në banesa, rrugë dytësore dhe zona periferike.

    Familjarë dhe të afërm të viktimës janë marrë në pyetje për të ndihmuar në identifikimin e konflikteve të mundshme që 43-vjeçari mund të ketë pasur së fundmi.

    Burime zyrtare konfirmojnë se Mëhalla kishte precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

    Ky fakt, së bashku me konfliktin e ditëve të fundit, po konsiderohet një pistë e fortë që hetuesit po e ndjekin me përparësi.

    Grupi i posaçëm hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, vazhdon punën për mbledhjen e çdo prove dhe për analizimin e pamjeve filmike të zonës.

    Autorët vijojnë të jenë ende në arrati, ndërsa priten zhvillime të reja në orët në vijim.

  • 58 aksidente e 1800 gjoba brenda 24-orëve të fundit

    58 aksidente e 1800 gjoba brenda 24-orëve të fundit

    Në vendin tonë gjatë 24- orëve të fundit janë shënuar 58 aksidente trafiku ku prej tyre 26 me të lënduar dhe 32 me dëme materiale.

    Po ashtu është bërë e ditur se në këtë interval kohor Policia e Kosovës ka shqiptuar 1800 gjoba trafiku për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    6 persona janë arrestuar, 4 janë dërguar në mbatje dhe 1 në vuatje të dënimit.

  • Vrasja e Edmond Mëhallës drejt zbardhjes, zbulohet shkaku i ekzekutimit të biznesmenit

    Vrasja e Edmond Mëhallës drejt zbardhjes, zbulohet shkaku i ekzekutimit të biznesmenit

    Vrasja e Edmond Mëhallës që ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit në Elbasan, po shkon drejt zbardhjes.

    A2 CNN-ja raporton se policia ka arrestuar dy persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë.

    Të arrestuarit dyshohet se kanë ndihmuar në organizimin dhe mbulimin e gjurmëve, ndërsa i shpalluri në kërkim konsiderohet si një nga personat kryesorë për zbardhjen e plotë të dinamikës.

    Shkak i vrasjes dyshohet të jetë një konflikt i kohës së fundit të viktimës.

    Mbrëmjen e djeshme policia ka shoqëruar një person me banim në Lezhë. Bëhet fjalë për shtetasin Naldi Gj. i cili rezulton se ka lëvizur pak ditë më parë me automjetin tip “Audi” para se të ndodhte vrasja. Ky mjet u gjet i djegur dhe dyshohet se u përdor nga autorët.

    Automjeti është në pronësi të një prej kompanive të vetë viktimës, Mondi Mëhalla

    Në shtëpinë e Naldi Gj. në Lezhë është ushtruar kontroll dhe personi po shoqërohet në policinë e Elbasanit për të dhënë shpjegime për lëvizjet e tij.

  • Presidentja Osmani në ditëlindjen e ish-Presidentit Ibrahim Rugova: Ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta

    Presidentja Osmani në ditëlindjen e ish-Presidentit Ibrahim Rugova: Ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në 81-vjetorin e lindjes së ish-Presidentit Ibrahim Rugova e ka quajtur atë arkitekt të pavarësisë, duke theksuar se ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike.

    “I lindur 81 vjet më parë, arkitekti i pavarësisë, Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë. Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore. Ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik”, ka shkruar Osmani.

  • Kuvendi Komunal i Prishtinës thirr mbledhjen inauguruese më 9 dhjetor

    Kuvendi Komunal i Prishtinës thirr mbledhjen inauguruese më 9 dhjetor

    Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbajë mbledhjen inauguruese të hënën, më 9 dhjetor, ku pritet të bëhet betimi i anëtarëve të rinj të Kuvendit të Kryeqytetit, si dhe betimi i kryetarit të ri të Prishtinës.

    Në këtë seancë do të zhvillohet edhe zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit. Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00.

    Zgjedhjet lokale në Prishtinë janë fituar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me kandidatin Përparim Rama, i cili do ta marrë mandatin e ri në krye të kryeqytetit.

  • Arrestohen tre persona në veri të Mitrovicës, u rrahën mes vete

    Arrestohen tre persona në veri të Mitrovicës, u rrahën mes vete

    Tre persona janë arrestuar (dy shtetas të Kosovës dhe njëri i Serbisë) pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje ishin përleshur fizikisht mes vete.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 16:00 në rrugën “Zoran Dzindzic”, në veri të Mitrovicës.

    Tutje bëhet e ditur se si pasojë e përleshjes të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore për çka u është ofruar tretman mjekësor.

    “Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj boshnjakë (dy shtetas të Kosovës dhe njëri shtetas i Serbisë) pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje ishin përleshur fizikisht në mes vete. Si pasojë e përleshjes të dyshuarit kanë pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe u është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Dy persona goditen nga rryma në Gjilan, po ndërronin njehsorët

    Dy persona goditen nga rryma në Gjilan, po ndërronin njehsorët

    Dy persona janë goditur nga rryma të hënën në rrugën “Skënderbeu” në Gjilan, pasi ishin duke punuar në ndërrimin e njehsorëve.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë thuhet se te dy viktimat kanë pësuar lëndime trupore me ç’rast edhe kanë pranuar tretman mjekësor.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe inspektori i punës, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

    “Dy viktimat meshkuj kosovarë derisa kanë qenë duke punuar në ndërrimin e njehsorëve, janë goditur nga rryma. Si pasojë të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe inspektori i punës. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

  • EULEX-i rekomandon kamera në uniformat e policisë për të parandaluar keqtrajtimet

    EULEX-i rekomandon kamera në uniformat e policisë për të parandaluar keqtrajtimet

    EULEX-i ka monitoruar 25 raste ku ishin të përfshirë zyrtarët policorë dhe ka gjetur se në shumicën e rasteve dhuna ndaj viktimave ka ndodhur jashtë ambienteve të policisë. EULEX-i ka rekomanduar nisjen e përdorimit të kamerave në uniformat e zyrtarëve policorë. Rekomandimi është përkrahur edhe nga ekspertët e sigurisë

    Rrahja me shqelma, shuplaka e goditje me shkopinj gome janë disa nga keqtrajtimet e pretenduara që zyrtarët policorë u kanë bërë të ndaluarve, ka konstatuar misioni i BE-së për sundimin e ligjit – EULEX.

    Sipas një raporti të EULEX-it, bazuar në shqyrtimin e aktgjykimeve që lidheshin me këto keqtrajtime gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndaj 22 viktimave dhuna ka ndodhur jashtë ambienteve të policisë e për 11 të tjerë brenda ambienteve të policisë.

    EULEX- i këto pretendime i ka nxjerrë nga monitorimi i 25 rasteve.

    “Bazuar në shqyrtimin e aktgjykimeve është e qartë se nga 41 zyrtarë policorë të akuzuar në ato 24 raste, 18 ishin pjesë ‘e njësive speciale’ të ndryshme (44%), 15 u përkisnin njësive të rregullta ose njësia e tyre nuk ishte e specifikuar në aktgjykim (37%), pesë ishin hetues (12%) dhe tre ishin nga policia e trafikut (7%). Rastet përfshinin gjithsej 29 viktima, përfshirë tre të mitur”, thuhet në raportin e EULEX-it.

    Në raport thuhet se në total janë 73 akuza të ngritura kundër 41 zyrtarëve policorë dhe se hapat hetimorë të ndërmarrë nuk ishin mjaftueshëm të shpejtë.

    “Në raste të shumëfishta, hetimet fillestare u nisën disa javë pas akuzave publike, duke çuar në uljen e disponueshmërisë së provave. Intervistat me personat e përfshirë (zyrtarë policorë, viktima të dyshuara dhe dëshmitarë) ndonjëherë u mbajtën me vonesa, ndonjëherë disa muaj pas incidentit, edhe kur identiteti i tyre ishte i njohur; kjo qasje mund të rezultojë në uljen e vlerës së provave dhe të rrisë rrezikun e deklaratave të koordinuara. Ndërsa vonesat për mbajtjen e intervistave mund të arsyetohen me prioritete operative dhe mungesë të personelit, duhet të merret në konsideratë se mungesa e shpejtësisë mund të ndikojë në efektivitetin e përgjithshëm të hetimeve”, thuhet në raport.

    Në rekomandimet e EULEX-it thuhet se përmes trajnimeve, zyrtarët policorë duhet të marrin mesazhin se çdo formë e keqtrajtimit është e paligjshme dhe duhet të ndëshkohet.

  • Haradinaj: Mbështesim cilëndo qeveri, përpos Kurtit

    Haradinaj: Mbështesim cilëndo qeveri, përpos Kurtit

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij nuk do e mbështesë një qeveri tjetër të udhëhequr nga Albin Kurti.

    Haradinaj deklaroi se cilido nga opozita do ta ketë ndihmën e AAK-së, kur u pyet për Hamzën e Abdixhikun.

    “Nuk kemi kushte. Unë e kam nderin të jem i kandiduar për kryeministër, por cilido që udhëheqë me qeverinë do ta ketë ndihmen time. Unë duhet të sqaroj që nuk mbështesim Kurti 3 ose 4”, theksoi ai.

    Ai në t7 theksoi se edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ishte i hapur për bashkëpunim me partitë opozitare, mirëpo mungesa e numrave ia mundësoi VV-së zvarritjen e institucioneve dhe humbi pastaj edhe interesimi për qeveri të ish-opozitës.

    Zgjedhjet e reja do të mbahen më 28 dhjetor, dhe kreu i pari i Aleancës për Ardhmërisë së Kosovës tha se beson se ish-opozitarët do të jenë fitues.