ATV

Author: K.B.

  • Nicole Kidman i jep fund martesës

    Nicole Kidman i jep fund martesës

    Nicole Kidman dhe Keith Urban kanë ndarë rrugët.

    Siç raportojnë mediat amerikane, çifti ka vendosur të divorcohet.

    Sipas TMZ-së, vendimi vjen pas një kohe të gjatë me kriza në raportin bashkëshortor.

    Kidman dhe Urban, të martuar që nga viti 2006, janë konsideruar prej vitesh si një nga çiftet më stabile në botën e showbiz-it.

    Ata janë parë së bashku edhe në paraqitje publike të fundit, çka ka shtuar dyshimet mbi vërtetësinë e raportimeve.

  • Reduktime me furnizim me ujë të pijshëm edhe në Drenas, në dispozicion vihen Autobotet

    Reduktime me furnizim me ujë të pijshëm edhe në Drenas, në dispozicion vihen Autobotet

    KRU “ Prishtina” ka njoftuar se për shkak të turbullirave në kanalin e Ibër-Lepenc,si pasoj e reshjeve të dendura ITU Drenas është jashtë funksionit.

    Kjo do të bëjë që në këtë komunë do të ketë reduktime me furnizim me ujë të pijshëm nga ora 10:30 deri 17:00.

    Gjatë kësaj kohe për konsumatorët do të jetë në dispozicion Autobotet, ku do të bëhet furnizimi me ujë sipas orarit.

    Ndërsa, furnizimi me ujë do të bëhet nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

  • Vërshimet në Kosovë, lajm në Australi

    Vërshimet në Kosovë, lajm në Australi

    Vërshimet e ditëve të fundit në Kosovë kanë zënë vend edhe në mediat e huaja, përfshirë edhe Sky Neës Australia.

    Ky televizion ka raportuar se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

    Po ashtu Sky Neës Australia ka përmendur edhe ndërprerjet e ujit.

  • Cilat shenja të horoskopit do t’i përmbushin të gjitha dëshirat në janar 2026

    Cilat shenja të horoskopit do t’i përmbushin të gjitha dëshirat në janar 2026

    Për shumë njerëz, kjo është një kohë ndryshimi, kur njerëzit në të gjithë vendin marrin vendime dhe përcaktojnë qëllime, megjithëse nuk është e sigurt që të gjithë do t’i përmbahen atyre gjatë gjithë vitit.

    Duke folur për janarin, astrologu Inbal Honigman tregon për ” Express “: “Në fillim të vitit, ata që janë të përqendruar dhe ambiciozë ecin me gjithë forcën e tyre. Bricjapi, si një shenjë jashtëzakonisht këmbëngulëse dhe e motivuar, udhëheq me Diellin, Merkurin, Venusin dhe Marsin në shenjën e Bricjapit të Detit, si dhe Hënën e re në Bricjap më 18 janar, e cila sjell mundësi të reja. Ndryshimi i madh vjen përmes Neptunit, planetit të iluzioneve, i cili pas katërmbëdhjetë vitesh largohet nga Peshqit dhe hyn në shenjën e Dashit.”

    Dashi

    Lajme të rëndësishme mbërrijnë për Dashin në formën e Neptunit, planetit të iluzioneve. Më 26 janar, ky planet hyn në shenjën tuaj dhe do të mbetet atje për katërmbëdhjetë vitet e ardhshme. Do të përputheni me ëndrrat tuaja dhe do të filloni t’i shndërroni ato në realitet. Planeti juaj sundues, Marsi pasionant, e fillon vitin në Bricjapin ambicioz dhe të fokusuar, që do të thotë se hyni në vitin e ri me plane të mëdha dhe një vendosmëri edhe më të madhe. Do të jeni të disiplinuar, të drejtpërdrejtë dhe të motivuar. Kur Marsi më njëzet e tre janar kalon në shenjën më të qetë të Ujorit, energjia juaj ndryshon drejtim dhe drejtohet më shumë drejt qëllimeve humanitare dhe përmirësimit të botës përreth jush, raporton Nova.rs.

    Demi

    Vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për ju për shkak të Uranit, planetit të rebelimit, i cili ka qenë në shenjën tuaj për rreth shtatë vjet tani. Për shkak të kësaj, keni pasur ndjesinë se duhet të ndryshoni identitetin dhe pasionet tuaja, por pa një ide të qartë në cilin drejtim. Së shpejti Urani do t’ju largohet përfundimisht dhe nuk do të kthehet për tetëdhjetë vitet e ardhshme. Megjithatë, gjatë gjithë janarit, Urani është ende në shenjën tuaj dhe retrograd, gjë që mund të shkaktojë një krizë vetëbesimi. Mund të ndiheni të pasigurt për punën, marrëdhënien ose vendbanimin tuaj, dhe përgjigjet e qarta do të mbërrijnë vetëm në shkurt.

    Binjakët

    Planeti juaj sundues, Merkuri, është simboli i komunikimit dhe aktivitetit të vazhdueshëm mendor, prandaj jeni natyrshëm i shoqërueshëm dhe i hapur për të folur. Gjatë janarit, Merkuri kalon nëpër tre shenja, duke sjellë tre faza të ndryshme. Dita e parë e muajit është në Shigjetar, kështu që fryma festive vazhdon ende. Pastaj kalon në Bricjapin ambicioz dhe fillon një periudhë tre-javore me fokus intensiv në biznes. Nga 20 janari, Merkuri hyn në Ujorin humanitar, duke paralajmëruar një fazë në të cilën do të dëshironi të përfshiheni në aktivitete bamirësie dhe të mbështesni të tjerët.

    Gaforrja

    Hëna e plotë më 3 janar është në shenjën tuaj. Çdo shenjë ka një hënë të plotë në vit, dhe këtë herë është radha juaj. Është një kohë ideale për manifestimin e dëshirave. Mund të ndizni një qiri, të bëni një listë dëshirash ose thjesht të kaloni kohë nën dritën e hënës. Me një zemër plot shpresë, dëshirat tuaja kanë një shans të madh për t’u realizuar. Meqenëse Hëna është trupi juaj qiellor sundues, energjia e saj është dyfish e fuqishme këtë ditë. Përveç kësaj, Jupiteri, planeti i lumturisë dhe prosperitetit, banon në shenjën tuaj gjatë gjithë muajit dhe sjell rrethana të favorshme që lidhen me paratë dhe fitimet.

    Luani

    Planeti juaj sundues është Dielli, i cili gjatë janarit 2026 hyn në aspekte të ngushta me planetë të tjerë disa herë, duke amplifikuar ndikimet e tyre. Nga data tre deri në dhjetë janar, Dielli lidhet me Venusin dhe sjell më shumë romancë në jetën tuaj. Nga data pesë deri në trembëdhjetë, ai është në një marrëdhënie të ngushtë me Marsin, planetin e pasionit, i cili ju jep guxim dhe forcë shtesë. Midis 20 dhe 22 janarit, Dielli lidhet me Merkurin, kështu që mund të shfaqen kontrata dhe marrëveshje të reja. Më 22 dhe 23 janar, ju jeni nën ndikimin e Plutonit, planetit të ripërtëritjes, dhe po mendoni seriozisht të lini disa gjëra pas.

  • Shqipe Pantina kritikon Lumir Abdixhikun, Sokol Havolli i reagon me sulm

    Shqipe Pantina kritikon Lumir Abdixhikun, Sokol Havolli i reagon me sulm

    Anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, ka pasur kritika për organizimin e brendshëm në parti, pas rezultatit zgjedhor të 28 dhjetorit që nxori LDK-në të tretën, me rënie të konsiderueshme në vota.

    Sipas saj, partia humbi orientimin duke u marrë ekskluzivisht me opozitë ndaj Kurtit dhe duke lënë anash alternativën që duhet t’u ofronte qytetarëve.

    “Pse ekziston një parti politike? A ekziston veç me i bo opozitë një partie që është në pushtet apo ekziston për shkak se ti përfaqëson diçka, i përfaqëson disa vlera, i përfaqëson disa parime. Këtu ka qenë huqja edhe e LDK-së, sepse u fokusuan shumë me i bo opozitë Kurtit, duke harruar vlerat që ata i përfaqësojnë. Në rregull është, opozitën duhesh ta bësh. Për një qytetar, një votues që nuk i përket asnjë subjekti politik dhe po pajtohet që Kurti nuk po qeverisë mirë, ai do me pa se çka i ofron t’i ndryshe, cila është alternativa? Kritika që unë e kam për subjektin tim, jashtë fushatës, kur është hera e fundit që kryetari, nënkryetarët, kryesia e kanë vizitu një nëndegë?”, ka pyetur Pantina, duke goditur direkt mungesën e punës në terren.

    Pantina ka thumbuar projektin e kryetarit Lumir Abdixhiku për reformimin e partisë. Ajo e quajti procesin të gabuar pasi, sipas saj, u tentua eliminimi i strukturave të vjetra për t’u dhënë pozita udhëheqëse personave pa përvojë politike.

    “Reforma është lënë në gjysmë. Nuk mund të bësh reformë duke larguar strukturat e vjetra. I është dhënë hapësirë dikujt që nuk e njeh LDK-në dhe vjen nga fusha krejt tjera, duke krijuar rezistencë te anëtarësia”, u shpreh ajo në Debat Plus.

    Këto deklarata nuk i kanë pëlqyer Sokol Havollit, i cili ishte po ashtu kandidat për deputet.

    Ai e ka sulmuar Pantinën duke e akuzuar për goditje pas shpine ndaj partisë.

    “Çka të duhen kundërshtarë politikë kur disa janë brenda? Shqipe Pantina pas çdo dështimi politik personal, sonte ia dha edhe një goditje LDK-së. A je mirë? Apo kaq të ka mjaftu? Pfff…”, ka shkruar Havolli.

    Sipas rezultateve aktuale ndërsa po vazhdon numërimi edhe i një pjese të votave me postë, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 14 deputetë në Kuvend.

  • Dehidratimi në dimër mund të ketë pasoja serioze: Ja sa ujë duhet të pini çdo ditë

    Dehidratimi në dimër mund të ketë pasoja serioze: Ja sa ujë duhet të pini çdo ditë

    Ekspertët paralajmërojnë se ndjenja e etjes bie deri në 40% në dimër – pasojat shfaqen në lodhje, imunitet dhe veshka

    Jadira Santiago Banuelos, ligjëruese klinike dhe mjeke e mjekësisë familjare në Purdue University, thekson se gjatë muajve të dimrit dehidratimi shpesh nënvlerësohet, edhe pse mund të çojë në lodhje të shtuar, përqendrim të dobët dhe probleme serioze shëndetësore, përfshirë dëmtime të veshkave.

    Siç raporton Euronews, ruajtja e hidratimit të duhur në dimër është po aq e rëndësishme sa në verë, madje, në disa raste, edhe më e rëndësishme.

    Sipas Banuelos, hidratimi luan rol kyç në gjithçka, nga shëndeti i lëkurës deri te imuniteti, veçanërisht kur temperaturat bien. “Kur jemi të hidratuar mirë nga brenda, edhe lëkura jonë është më e hidratuar, gjë që ndihmon në luftimin e thatësisë,” shpjegon ajo. “Uji ndihmon gjithashtu në lubrifikimin e nyjave, çka është veçanërisht e rëndësishme gjatë aktiviteteve fizike dimërore, si pastrimi i borës.” Hidratimi ndihmon edhe në forcimin e sistemit imunitar gjatë sezonit të ftohjeve dhe gripit, sepse ruan shtresën mbrojtëse të mukozave, duke e bërë më të vështirë depërtimin e viruseve dhe baktereve.

    Pse dehidratimi në dimër shpesh neglizhohet
    Shumë njerëz nuk e lidhin dimrin me rrezikun e dehidratimit dhe, si pasojë, nuk e monitorojnë sasinë e ujit që pinë. Për më tepër, ndjenja natyrale e etjes dobësohet ndjeshëm. Banuelos shpjegon se receptorët e etjes mund të bien deri në rreth 40 për qind, çka do të thotë se një person mund të jetë tashmë i dehidratuar në momentin kur ndjen etje. Ajri i thatë i dimrit tërheq lagështinë nga lëkura, njerëzit urinojnë më shpesh dhe djersitja vazhdon, edhe pse është më pak e dukshme. “Ne ende djersitemi, por në të ftohtë djersa avullon më shpejt, ndaj nuk e vërejmë”, shton ajo, transmeton Telegrafi.

    Rreziqet shëndetësore të dehidratimit
    Dehidratimi mund të shkaktojë një sërë simptomash, në varësi të ashpërsisë: marramendje, lëkurë të thatë, buzë të çara, dobësi, lodhje dhe të ashtuquajturën “mjegull mendore”. Nëse zgjat në kohë, pasojat mund të jenë më serioze, duke rritur rrezikun për probleme me veshkat, përfshirë gurët në veshka dhe, në raste ekstreme, dështimin e tyre.

    Sa ujë duhet të pini realisht?
    Rekomandimi i përhapur për tetë gota ujë në ditë nuk i përshtatet të gjithëve. Sipas Banuelos, burrave zakonisht u nevojiten rreth 13 gota ujë në ditë (afërsisht tre litra), ndërsa grave rreth nëntë gota (rreth dy litra). Këto nevoja rriten gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies, kur gratë mund të kenë nevojë për sasi të ngjashme me ato të burrave.

    Këshilla praktike për t’u hidratuar më mirë në dimër
    Përveç ujit, hidratimi mund të mbështetet edhe nga çajrat pa sheqer, supat e ngrohta dhe ushqimet e pasura me ujë si perimet dhe frutat. Vendosja e një shisheje uji pranë jush gjatë ditës, pirja e ujit edhe kur nuk ndjeni etje dhe përdorimi i ajrimit ose lagështuesve të ajrit në ambiente të mbyllura mund të ndihmojnë ndjeshëm. Gjithashtu, kufizoni pijet që dehidratojnë, si alkooli dhe kafeina e tepërt.

    Në përmbledhje, dimri nuk është justifikim për të harruar ujin. Përkundrazi, hidratimi i rregullt është një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive për të ruajtur energjinë, imunitetin dhe shëndetin e përgjithshëm gjatë muajve të ftohtë.

  • Me ujin deri në gjunjë e në shi, qytetari del pi kafe mes përmbytjesh në Mal të Zi

    Me ujin deri në gjunjë e në shi, qytetari del pi kafe mes përmbytjesh në Mal të Zi

    Një qytetar në Malin e Zi e ka marrë me sportivitet situatën e përmbytjeve dhe është ulur jashtë lokalit për të pirë një kafe me ujin që i kishte arritur deri në gjunjë.

    “Populli ynë nuk dorëzohet, nuk e ndalin as përmbytjet e as moti i keq… as kur noton deri te tavolina, me ujin deri në gjunjë, por kafeja duhet patjetër të pihet. Ne jemi mësuar me gjithçka, mjafton që kafeja të jetë aty”, ka shkruar i njëjti në profilin e tij në Instagram.

  • Shtatë arsye pse zgjoheni vazhdimisht me dhimbje koke

    Shtatë arsye pse zgjoheni vazhdimisht me dhimbje koke

    Zgjimi me dhimbje koke mund të sinjalizojë një çrregullim të gjumit ose një problem tjetër shëndetësor. Është thelbësore të identifikohen shkaktarët si gjumi i dobët, alergjitë ose depresioni.

    Sipas Health, ka shtatë arsye pse mund të zgjoheni me dhimbje koke.

    Apnea e gjumit

    Një shkak i zakonshëm i dhimbjeve të kokës në mëngjes është apnea e gjumit, një gjendje në të cilën ndaloni periodikisht frymëmarrjen gjatë natës.

    Pastaj trupi juaj ju zgjon dhe ju vazhdoni të merrni frymë. Mund të mos e kuptoni fare se kjo po ndodh. Pyetni partnerin ose një mik nëse gërhisni me zë të lartë, pasi kjo është shpesh një shenjë.

    Megjithatë, mbani mend se gërhitja nuk do të thotë gjithmonë se keni apnea të gjumit. Sidoqoftë, mjeku juaj mund t’ju referojë për një studim gjumi, i cili është mënyra më e saktë për të diagnostikuar apnean e gjumit.

    Pagjumësia

    Me siguri keni dëgjuar për pagjumësinë, një çrregullim i zakonshëm i gjumit që mund të shkaktojë probleme me gjumin ose të pengojë një gjumë të mirë gjatë natës. Dhimbjet e kokës janë një nga problemet shëndetësore të shkaktuara nga kjo gjendje.

    Simptomat e pagjumësisë përfshijnë vështirësi në të rënë në gjumë, qëndrim në gjumë për një kohë të shkurtër ose zgjim shumë herët. Gjithashtu mund të zgjoheni duke u ndjerë të përgjumur dhe të lodhur gjatë ditës.

    Kërcitja e dhëmbëve

    Kërcitja e dhëmbëve, e njohur edhe si bruksizëm, mund të shkaktojë dhimbje në muskujt e nofullës ose në nyjen temporomandibulare (ose TMJ, emri i zakonshëm për një çrregullim të nofullës që ndonjëherë përfshin kërcitje) gjatë natës. Kjo dhimbje mund të çojë në dhimbje koke.

    Mund të mos e kuptoni që po i kërcisni dhëmbët, por kini kujdes nga dhimbjet e veshit, ndjeshmëria e muskujve, ndjeshmëria e dhëmbëve ose dhimbjet e nofullës. Këto janë të gjitha simptoma të bruksizmit. Një dentist mund të zbulojë një problem nëse ekziston.

    Alergjitë

    Dhimbjet e kokës në mëngjes mund të shkaktohen edhe nga alergjenët. Ekspozimi ndaj marimangave të pluhurit gjatë gjumit (atyre u pëlqen të jetojnë në çarçafët dhe dyshekun tuaj) gjithashtu mund t’ju zgjojë me dhimbje koke për shkak të bllokimit të sinuseve që ato shkaktojnë.

    Nëse keni alergji, provoni të përdorni çarçafë rezistentë ndaj alergjive, mbulesa jastëkësh, mbulesa dysheku dhe jorganë të veçantë të projektuar për t’ju mbrojtur nga ekspozimi ndaj marimangave të pluhurit dhe lani çarçafët më shpesh. Mjeku juaj mund t’ju ndihmojë të gjeni mënyra shtesë për të lehtësuar simptomat tuaja.

    Migrena

    Edhe pse këto dhimbje koke të përsëritura mund të ndodhin në çdo kohë, migrenat janë më të zakonshme në mëngjes. Ato shpesh ndodhin në njërën anë të kokës, me dhimbje pulsuese ose goditëse të moderuara deri në të forta.

    Shenja të tjera që tregojnë se mund të keni migrenë përfshijnë të përzierat, dobësinë dhe ndjeshmërinë ndaj dritës dhe zhurmës. Ekzistojnë gjithashtu simptoma të mundshme që mund të shfaqen deri në 24 orë para dhimbjes së kokës, siç është aura.

    Mungesa ose gjumi i tepruar

    Shumë ose shumë pak gjumë mund të shkaktojë dhimbje koke nga tensioni. Ato shpesh ndihen sikur një fashë po shtrëngohet rreth kokës. Gjithashtu mund të përjetoni dhimbje ose shqetësim në kokë, skalp ose qafë.

    Depresioni dhe ankthi

    Depresioni dhe ankthi gjithashtu mund të shkaktojnë dhimbje koke nga tensioni në mëngjes. Nëse vini re dhimbje koke që ndodhin gjatë kohës kur përjetoni ose parashikoni stres (si p.sh. në mëngjes para punës), flisni me një profesionist të kujdesit shëndetësor për të vlerësuar nëse shkaku është një gjendje e shëndetit mendor.

  • SBASHK-u me thirrje urgjente që të bëhen inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat

    SBASHK-u me thirrje urgjente që të bëhen inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat

    SBASHK-u derisa ka përkrahur vendimin për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri me 12 janar, por thekson se kjo situatë me përmbytjet dëshmon se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.

    SBASHK-u në një reagim ka bërë thirrje urgjente që të bëhen inspektime në të gjitha shkolla, vlerësim real sanim i menjëhershëm të dëmeve dhe transparencë institucionale. Po ashtu ata kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi.

    Reagimi i plotë:

    REAGIM i SBASHK-ut

    Reshjet e shumta të shiut dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë krijuar rrezik serioz për sigurinë në shumë shkolla dhe për familjet e punëtorëve të arsimit. Kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore mbetet e pambrojtur dhe se reagimi institucional shpesh vjen vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.

    SBASHK-u përkrah vendimet e disa drejtorive komunale të Arsimit, si edhe vendimin e MASHTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër.

    Megjithatë, shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete.

    SBASHK-u KËRKON URGJENTISHT:

    Inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat;

    Vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore;

    Sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku për nxënësit dhe mësimdhënësit;

    Transparencë dhe përgjegjësi institucionale.

    Në veçanti kërkojmë inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, si:

    Drenasi, Malisheva, Suhareka, Fushë-Kosova, Klina, Gjakova, Dragashi dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze.

    PARALAJMËRIM SINDIKAL:

    SBASHK-u nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK-u do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.

    Siguria nuk negociohet.

    SBASHK-u, në mbrojtje të punëtorëve të arsimit.

  • Ferizaj: 17-vjeçari shkakton aksident duke i ikur policisë, ishte pa patent e me regjistrim të skaduar – i shqiptohen tri gjoba

    Ferizaj: 17-vjeçari shkakton aksident duke i ikur policisë, ishte pa patent e me regjistrim të skaduar – i shqiptohen tri gjoba

    Një person në Ferizaj nuk i është shenjës stop të dhënë nga policia, dhe i njëjti ka vazhduar lëvizjen me veturë duke shkaktuar aksident trafiku, shkruan Reporteri.net.

    17-vjeçari me veturën e tipit Golf, është përplasur me një veturë tjetër, dhe pas verifikimit ka rezultuar se i njëjti nuk posedon patentë shofer dhe se veturën e kishte me afat regjistrimi të skaduar.

    Ndaj tij janë shqiptuar tri gjoba, në vlerë, 150, 250 dhe 200 euro, si dhe është inicuar rast për në gjykatë.

    KOMUNIKATË PËR MEDIA:

    Një person nuk i ndalet patrullës së policisë dhe shkakton aksident trafiku në Ferizaj

    Njësitë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë ndërmarrë veprime ndaj një personi për disa kundërvajtje në trafik.

    Më datë 05.01.2026, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, personi E.A. (17 vjeç), duke lëvizur me automjetin VW Golf me targa vendore, nuk është ndalur në shenjën stop të dhënë nga policia.

    Më pas, duke vazhduar lëvizjen, në rrugën magjistrale në fshatin Bibaj të Ferizajt, ka shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale, duke u përplasur me një automjet tjetër.

    Gjatë verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se i dyshuari nuk posedonte patentë shoferi, ndërsa automjeti që drejtonte ishte i paregjistruar, me afat regjistrimi të skaduar që nga 13.10.2024.

    Për këto kundërvajtje, policia ka ndërmarrë këto masa:

    -150 euro gjobë për mosndalje në shenjën “STOP” të policisë
    -250 euro gjobë për shkaktim të aksidentit të trafikut
    – 200 euro gjobë për drejtim të automjetit me afat të skaduar të regjistrimit
    – Është inicuar rast për gjykatë për kundërvajtje për drejtim të automjetit pa patentë shoferi, si dhe automjeti është konfiskuar përkohësisht.

    Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë qytetarët që të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi dhe të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.