ATV

Author: K.B.

  • Brukseli i dërgon mesazh Serbisë: Normalizimi me Kosovën është kusht për integrim

    Brukseli i dërgon mesazh Serbisë: Normalizimi me Kosovën është kusht për integrim

    Parlamenti Evropian ka dërguar një mesazh të qartë për Serbinë, duke e bërë të ditur se rruga e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk mund të ecë përpara pa përmbushjen e reformave kyçe dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

    Në një reagim të publikuar në platformën X, Parlamenti Evropian theksoi se Serbia duhet të dëshmojë përkushtim të sinqertë ndaj vlerave dhe standardeve të Bashkimit Evropian.

    “Serbia duhet të tregojë angazhim të vërtetë ndaj vlerave të Bashkimit Evropian. Përparimi drejt anëtarësimit në BE është i mundur vetëm përmes reformave në sundimin e ligjit dhe forcimit të standardeve demokratike. Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Për zgjidhjen e krizës politike nevojiten zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Parlamenti Evropian në X.

    Përveç normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, institucioni evropian vuri theksin edhe te nevoja për reforma në sundimin e ligjit, forcimin e standardeve demokratike dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, si kushte thelbësore për avancimin e Serbisë në procesin e integrimit evropian.

  • Sot s’ka kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit mbi 20 tonë

    Sot s’ka kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit mbi 20 tonë

    Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit njoftoi se të dielën (12 korrik) nuk do të ketë kufizim të qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave mbi 20 tonë.

    “Bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, për nesër nuk pritet të plotësohen kushtet e përcaktuara në vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për zbatimin e kufizimeve të përkohshme të qarkullimit.

    Ministria do të vazhdojë të monitorojë çdo ditë parashikimet meteorologjike dhe do të njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo rast kur plotësohen kushtet për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit./KosovaPress

  • Gollopeni: Kosova ka humbur rreth 10% të popullsisë nga viti 2011 deri në vitin 2024

    Gollopeni: Kosova ka humbur rreth 10% të popullsisë nga viti 2011 deri në vitin 2024

    Demografi Besim Gollopeni ka deklaruar se Kosova ka shënuar rënie të ndjeshme të numrit të banorëve gjatë më shumë se një dekade.

    Në emisionin “Info Magazine”, mbrëmë në Klan Kosova, Gollopeni tha se krahasimi mes dy regjistrimeve të popullsisë tregon se Kosova ka humbur të paktën 10% të popullsisë.

    “Pra, nëse e shikojmë dhe bëjmë një krahasim mes pak më shumë se një dekade, po flas mes dy regjistrimeve, nuk po shkojmë më mbrapa. Vetëm nga viti 2011 deri në vitin 2024, Kosova ka humbur të paktën 10% të popullsisë. Pra, përderisa në vitin 2011 ne i kishim 1.8 milion banorë, sot i kemi 1.6 milion banorë. Ky numër mund të jetë edhe më i vogël se kaq, bazuar në bindjen dhe analizat e mia. Çdo vit, Kosova pritet që mesatarisht ta humbë 1% të popullsisë së përgjithshme”, tha Gollopeni në Klan Kosova.

  • Kurti pyetet për një mandat të ri të Vjosa Osmanit: Presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, fokusi nuk është te emrat

    Kurti pyetet për një mandat të ri të Vjosa Osmanit: Presidenti duhet të jetë figurë konsensuale, fokusi nuk është te emrat

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit të ardhshëm duhet të zhvillohet në përputhje me frymën dhe germën e Kushtetutës, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të jetë një figurë që përfaqëson unitetin dhe gëzon mbështetje sa më të gjerë politike.

    Pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, Kurti u pyet nëse është diskutuar mundësia e një mandati të ri për Osmanin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai nuk komentoi për emra konkretë, duke thënë se diskutimet aktualisht janë përqendruar në sigurimin e konsensusit të nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

    “Fryma dhe germa e Kushtetutës është për president që është shprehje e unitetit të popullit dhe që, në këtë kuptim, duhet të jetë konsensual”, tha Kurti.

    Sipas tij, sfida kryesore është sigurimi i numrit të nevojshëm të deputetëve në seancën ku do të votohet presidenti, pasi kërkohen së paku 80 deputetë të pranishëm.

    “Përqendrimi ynë nuk ka qenë tash për emrat e përveçëm për president, por për konceptin e përparimeve, për vizionin përpara dhe për atë se çfarë duhet të bëjmë strategjikisht që ta maksimizojmë numrin e deputetëve të cilët duhet të jenë së paku dy të tretat në ditën vendimtare kur do të vihet çështja e zgjedhjes së presidentit”, u shpreh ai.

    Kurti përmendi se në diskutimet e mëhershme janë përmendur edhe emra të tjerë për këtë pozitë, si Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, por theksoi se sigurimi i kuorumit dhe mbështetjes së nevojshme mbetet çështja kryesore.

    Ai tha se procesi duhet të synojë një figurë presidenciale që mund të marrë mbështetje sa më të gjerë politike dhe të kontribuojë në stabilitetin institucional.

  • Qeveria mban mbledhje – I ndan mbi 2.2 milionë euro për RTK’në

    Qeveria mban mbledhje – I ndan mbi 2.2 milionë euro për RTK’në

    Qeveria në detyrë e Kosovës, ditën e sotme ka mbajtur mbledhje elektronike ku ka marrë vendim për miratimin e kërkesës për alokimin e ndarjeve buxhetore në shumë prej dy milionë e dyqind e dyzet mijë euro për Radio Televizionin e Kosovës.

    Komunikata:

    Mbledhja e 27-të e Qeverisë

    Prishtinë, 10 korrik 202

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka:

    – Miratuar kërkesën për alokimin e ndarjeve buxhetore në shumë prej 2,240,000 € (dy milionë e dyqind e dyzet mijë euro) për Radio Televizionin e Kosovës.

    – Miratuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në shumën prej 48,216.57 € (dyzetetetë mijë e dyqindegjashtëmbëdhjetë euro e pesëdhjetë e shtatë centë), të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, për Ndërmarrjen Shoqërore NSH. “Magjistrala”.

    Kurti për bisedat me Abdixhikun: Ndërmarrje e gjerë, po flasim për parime, orare e funksione, do kohë për realizim
    Read more

  • Abdixhiku: U dakorduam të vazhdojmë komunikimin për të shmangur zgjedhjet

    Abdixhiku: U dakorduam të vazhdojmë komunikimin për të shmangur zgjedhjet

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur pas takimit me kreun e LVV-së, Albin Kurti.

    “Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme, të katërtat me radhë në më pak se 1 vit e gjysmë”.

    “U dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme për të shmangur zgjedhje të reja”.

  • Inspektorati i Tregut aksion edhe sot ndaj bizneseve të kriptovalutave dhe këmbimoreve, mbyllen edhe dy të tjerë

    Inspektorati i Tregut aksion edhe sot ndaj bizneseve të kriptovalutave dhe këmbimoreve, mbyllen edhe dy të tjerë

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme zbatimin e planit operacional të inspektimeve ndaj bizneseve që ushtrojnë veprimtari në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve në të gjithë territorin e vendit.

    Ministria e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacioni tha se gjatë aksionit të sotëm janë realizuar 14 inspektime.

    “Si rezultat i kontrolleve, janë mbyllur edhe dy biznese të tjera për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm për ushtrimin e veprimtarisë, ndërsa dy biznese janë gjobitur për mosrespektim të orarit të punës”.

    IQMT tha se çdo subjekt ekonomik që ushtron veprimtari në këtë sektor është i obliguar të përmbushë të gjitha kërkesat ligjore, duke siguruar pëlqimin për kushtet minimale teknike nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Kurti: Takimi me LDK-në, konstruktiv – do të ketë takime tjera

    Kurti: Takimi me LDK-në, konstruktiv – do të ketë takime tjera

    Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në një konferencë për media pas takimit, Kurti tha se takimi shkoi në një atmosferë konstruktive ku tha të jenë diskutuar shumë çështje të zhvillimeve politike, pastaj të dinamikave institucionale, dhe njëkohësisht edhe orarin përpara për konstituimin e institucioneve.

    “Ishte takimi i parë. I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për të zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, kryesinë e më pastaj edhe për qeverinë në mandat të ri dhe presidentin apo presidenten. Kemi diskutuar për të gjitha këto, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që do të mund ta ndanim me ju”.

    “Jam optimist për rrugën përpara, jam me shpresë që racionaliteti që po mbizotëron do të vazhdon të ekzistojë në këto takime, prandaj edhe po e theksoj që është takimi i parë, meqë do të ketë edhe takime tjera”, tha Kurti.

  • Bisedat për formimin e institucioneve, Kurti, Abdixhiku e Osmani më shumë se dy orë në takim

    Bisedat për formimin e institucioneve, Kurti, Abdixhiku e Osmani më shumë se dy orë në takim

    Tashmë janë bërë dy orë që nga fillimi i takimit mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

    Përderisa, Kurti është shoqëruar për në takim nga Hekuran Murati, Abdixhiku, ka shkuar në takim nën shoqërinë e ish-presidentes, Vjosa Osmani.

    Takimi mes liderëve politikë në vend, po bëhet pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, me ftesë të Kurtit, lidhur me formimin e institucioneve të vendit.

    Në anën tjetër, Kurti, ditën e sotme ka zhvilluar takim edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën.

  • Blerim Isufaj dërgon në Gjykatë Kushtetuese rastin lidhur me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit

    Blerim Isufaj dërgon në Gjykatë Kushtetuese rastin lidhur me shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) të premten ka trajtuar çështjen e ankesës së Blerim Isufajt lidhur me konkursin për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Gjatë mbledhjes, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka propozuar që në rend të ditës të përfshihet edhe autorizimi për drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, për ta përfaqësuar Këshillin në Gjykatën Kushtetuese lidhur me dhënien e komenteve për ankesën e Isufajt.

    Propozimi është miratuar unanimisht nga anëtarët e KPK-së.

    “Këshilli autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Sami Istrefi, që ta përfaqësojë Këshillin Prokurorial të Kosovës në Gjykatën Kushtetuese për dhënien e komenteve lidhur me ankesën e z. Blerim Isufaj, e cila ka të bëjë me shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

    Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kishte dërguar rastin në Gjykatën Administrative pas vendimit të KPK-së për hapjen e konkursit të ri për Kryeprokuror të Shtetit.

    Më 18 maj 2026, KPK kishte miratuar shpalljen e konkursit për këtë pozitë me pesë vota për, një kundër dhe një abstenim. Vendimi ishte kundërshtuar nga Isufaj, i cili kishte paraqitur padi duke kërkuar anulimin e tij si të kundërligjshëm.

    Në padinë e tij, Isufaj ka pretenduar se KPK nuk ka pasur të drejtë të hapë konkurs të ri, pasi sipas tij ekziston ende vendimi i vitit 2023, me të cilin ai ishte propozuar për dekretim te presidentja e atëhershme.

    Sipas tij, ky vendim nuk është shfuqizuar dhe vazhdon të prodhojë efekte juridike, pasi nuk është nxjerrë ndonjë akt formal për tërheqjen ose anulimin e tij.

    “Vendimi i KPK-së i datës 18.05.2026 për shpalljen e konkursit të ri, i nxjerrë pa shfuqizim formal të propozimit paraprak, e prek drejtpërdrejtë sferën juridike të paditësit”, thuhet në padinë e Isufajt.

    Isufaj ka kërkuar gjithashtu që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të KPK-së për shpalljen e konkursit deri në një vendim përfundimtar të gjykatës në këtë çështje administrative.

    Megjithatë, Gjykata Administrative më 5 qershor kishte refuzuar kërkesën e tij për masë të sigurisë, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar këtë vendim, duke vlerësuar se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për vendosjen e një mase të tillë.

    Sipas Apelit, për caktimin e masës së sigurisë duhet të plotësohen në mënyrë kumulative dy kushte: shmangia e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm ndaj interesave të propozuesit dhe moscenimi i rëndë i interesit publik.

    “Vetëm pretendimi i paditësit se do t’i shkaktohet dëm është argument i pamjaftueshëm për caktimin e masës së sigurisë”, kishte vlerësuar Kolegji i Apelit.

    Ndërkohë, më 19 qershor 2026, KPK kishte miratuar pesë kandidaturat për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Në garë janë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi. Kallxo/