ATV

Author: G.O.

  • IKShPK: Në dy javët e fundit janë raportuar tre të vdekur dhe mbi 600 të infektuar nga COVID-19

    IKShPK: Në dy javët e fundit janë raportuar tre të vdekur dhe mbi 600 të infektuar nga COVID-19

    661 raste pozitive dhe tre persona kanë humbur jetën nga COVID 19 përgjatë dy javëve të fundit në Kosovë.

    Kjo u bë e ditur nga IKSHPK-ja përmes një postimi në Facebook, teksa kanë njoftuar se nga 661 raste pozitive me Covid-19, prej tyre grupmosha më e prekur janë nga mosha 50-59.

    “Vaksinimi vazhdon të jetë masa mbrojtëse me efikase kundër COVID-19 dhe gripit, veçanërisht ndaj formave të rënda të sëmundjes. Mbrojtja përmes vaksinës e individëve në rrezik të lartë të rezultateve të rënda (si p.sh. të moshuarit) mbetet i rëndësishëm”, thuhet në njoftim.
    Po ashtu, IKSHPK ka njoftuar se në dy javët e fundit të muajit gusht respektivisht nga 7 deri me 20 gusht janë raportuar tri raste të vdekjes me COVID-19 dhe 661 raste pozitive.

  • Reagim nga Presidenca: Zotëria i parë s’ka kërkuar mbrojtje të afërt, ajo i ofrohet familjes së presidentes sipas ligjit

    Reagim nga Presidenca: Zotëria i parë s’ka kërkuar mbrojtje të afërt, ajo i ofrohet familjes së presidentes sipas ligjit

    Presidenca e Kosovës ka thënë se zotëria i parë, Prindon Sadriu nuk ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, por ajo i takon në përputhje me ligjin dhe vlerësimet e sigurisë.

    Në një reagim të lëshuar sot, Presidenca thotë se gjatë ditëve të fundit ka pasur vazhdimisht kanosje, kërcënime dhe nxitje dhune virtuele ndaj Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë, të cilat janë deponuar dhe janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës.

    “Zotëria i parë nuk ka kërkuar mbrojtje të afërt. Mbrojtja e afërt i ofrohet familjes së presidentes në përputhje me ligj dhe me vlerësimet e rrezikshmërisë.

    Pika 4.3 e procedurave standarde të operimit të njësisë për vlerësimin e kërcënimit dhe rrezikut parashohin me automatizëm nivelin e lartë të rrezikshmërisë, i cili i takon Presidentes së Kosovës dhe familjes së ngushtë të saj.

    Gjatë ditëve të fundit ka pasur vazhdimisht kanosje, kërcënime dhe nxitje dhune virtuele ndaj presidentes dhe familjes së saj të ngushtë, të cilat janë deponuar dhe janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës. Zotëria i parë personalisht nuk ka kërkuar asgjë. Vlerësimet e sigurisë i bëjnë institucionet e sigurisë”, thuhet në reagimin e Presidencës së Kosovës.

  • Turqia ndan 1 milion dollarë për FSK-në

    Turqia ndan 1 milion dollarë për FSK-në

    Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se zyrtarisht ka pranuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Turqisë, e cila ka ndarë 1 milon dollarë amerikan donacion për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

    Maqedonci ka thënë se ky donacion është pjesë e programit të mbështetjes së jashtme ushtarake të qeverisë turke.

    “Marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë qenë gjithnjë në nivelet më të larta dhe kontributi i Republikës së Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë i vazhdueshëm si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të pajisjeve ushtarake”– theksoi ai përmes një postimi në Facebook.

    Gjithashtu, ai falënderoi Republikën e Turqisë për donacionin duke vënë në theks të veçantë besimin e dyanshëm mes Kosovës dhe Turqisë.

    Ai shtoi se Turqia si shtet mik mbetet njëri nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

  • Scholz në Moldavi, lufta në Ukrainë në fokus të bisedimeve

    Scholz në Moldavi, lufta në Ukrainë në fokus të bisedimeve

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, qëndron më 21 gusht në Moldavi, ish-republikën sovjetike që gjendet në kufi me Ukrainën dhe e ndien kërcënimin nga pushtimi i nisur nga Rusia ndaj shtetit fqinj.

    Scholz do të takohet me presidenten e Moldavisë, Maia Sandu, dhe kryeministrin moldav, DorinRecean, në Kishiniev.

    Bisedat do të fokusohen kryesisht në ndikimin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës në këtë shtet të vogël me 2.6 milionë banorë.

    Qeveria e Moldavisë, që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka akuzuar Rusinë për dezinformim dhe destabilizim. Që nga vitet ’90, ushtarët rusë janë të stacionuar në rajonin e shkëputur të Transnistrisë, një rrip i ngushtë toke në lindje të Republikës.

    Scholz vizitoi Moldavinë vitin e kaluar në kuadër të një samiti evropian. Megjithatë, kjo vizitë është vizita e parë bilaterale që një kancelar gjerman ka zhvilluar në këtë shtet në 12 vjetët e fundit.

    Gjermania ka mbështetur me mbi 41 milionë euro sektorin e sigurisë së Moldavisë që nga viti 2018, sipas Qeverisë gjermane. Berlini është donatori i pestë më i madh i Moldavisë, që është një prej shteteve më të varfra në Evropë.

    Si Ukraina, Moldavia është shtet kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2022.

    Votuesit në Moldavi më 20 tetor do të votojnë në zgjedhjet presidenciale. Qytetarët po ashtu do të votojnë në një referendum nëse shteti duhet të anëtarësohet në BE, në mënyrë që ky synim të përfshihet në Kushtetutë.

  • Gazë – rritet numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

    Gazë – rritet numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

    Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit, 50 palestinezë u vranë dhe 124 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës.

    Sipas deklaratës të tyre, ushtria izraelite ka kryer “4 masakra” në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës ku edhe kanë humbur jetën viktimat.

    Numri i të vrarëve në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, në përgjithësi është rritur në 40.223 ndërsa numri i të plagosurve në 92.981.

    Ende ka njerëz të vdekur nën rrënoja dhe përreth rrugëve, por ekipet mjekësore dhe zyrtarët e Mbrojtjes Civile nuk mund të arrijnë tek trupat për shkak të pengesës së forcave izraelite, transmeton Anadolu.

  • Hovenier: Po sfidohemi me Kurtin, shpresojmë t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në

    Hovenier: Po sfidohemi me Kurtin, shpresojmë t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me ShBA-në

    Presidentja Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt në emër të USAID-it sot kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

    Pas kësaj marrëveshje, presidentja dhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, mbajtën një konferencë për media për të treguar përfitimet që kanë qytetarët nga këto fonde.

    Duke thënë se populli amerikan është krenar që mund të ofrojë këtë mbështetje, Hovenier këtu përmendi sërish marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë Kurti.

    “Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është e pakuptimtë. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime tashmë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti me disa veprime të saj dhe zgjedhje politike të saj. Siç kam thënë, po sfidohemi me Qeverinë e tanishme të Kosovës që kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”.

    Hovenier citoi edhe zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, Mathew Miller.

    “Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”.

    “Por, edhe disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë. Ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshje për të ofruar gati 34.5 milionë dollarë në fonde shtesë për zhvillim për popullin e Kosovës për të mbështetur rritjen e ekonomisë, qeverisjen e mirë dhe integrimin në BE. Ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdoshmërish për ndonjë qeveri të caktuar apo për veprimet politike të asaj qeverie”.

    Hovenier tha se duke e përmirësuar prosperitetin për të gjithë kosovarët, këto fonde të reja do të orientohen nga veprimtaritë dhe programet që do të përforcojnë edhe më shumë ekonominë e Kosovës, mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbimet qeveritare më efektive për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • Tre të vrarë në një shkollë në Bosnje – punëtori vret drejtorin, profesoreshën dhe sekretarin

    Tre të vrarë në një shkollë në Bosnje – punëtori vret drejtorin, profesoreshën dhe sekretarin

    Një sulmues hapi zjarr duke vrarë tre persona dhe plagosur rëndë një tjetër në një gjimnaz në Sanski Most, në veriperëndim të Bosnje e Hercegovinës.

    Sulmuesi qëlloi tre punonjës të shkollës me një pushkë automatike.

    Sipas raportimeve të mediave në Bosnjë, punonjësi i shkollës ka vrarë drejtorin, një profesoreshë dhe sekretaren e shkollës.

    Më pas ai ka tentuar të vrasë veten duke pësuar lëndime të rënda.

    “Të shtënat kanë ndodhur në orën 10:15, mashkulli N.N ka përdorur një armë zjarri automatik për të vrarë tre punonjës të shkollës. Pas kësaj, me shumë gjasa ka tentuar të vras edhe veten dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ai është transferuar në Qendrën Emergjente të Banja Lukës. Policia është në vendin e ngjarjes”, tha Adnan Beganoviq, zëdhënës i MPB-së të Qarkut Una-Sana.

  • Kosova mbështetet me 34.5 milionë dollarë nga USAID-i

    Kosova mbështetet me 34.5 milionë dollarë nga USAID-i

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe USAID kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit në vlerë prej 34.5 milion dollarësh, raporton Ekonomia Online.

    Amendamenti numër 06 i marrëveshjes së grantit për objektivat zhvillimore është nënshkruar nga Presidentja Osmani, në emër të Republikës së Kosovës dhe nga Mary Elieen Devitt, në emër të USAID.

    Ndërkaq pas takimit Osmani dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, do të deklarohen për media.

  • Motivi i vrasjes në Prishtinë dyshohet të jenë problemet familjare

    Motivi i vrasjes në Prishtinë dyshohet të jenë problemet familjare

    E dyshuara për vrasjen e mbrëmshme në Prishtinë është dërguar në mbajtje për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”, si dhe i është sekuestruar arma.

    Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Lauretë Ulaj, ka thënë se nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare.

    “Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë, rezultate nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti”.

    “Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente”, tha Ulaj për klankosova.

    Tutje, Ulaj tha se me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Partitë politike mund t’i shpenzojnë deri në 2 milionë e 50 mijë euro për fushatë

    Partitë politike mund t’i shpenzojnë deri në 2 milionë e 50 mijë euro për fushatë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është vendosur se një subjekt politik do të ketë të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro për fushatën e zgjedhjeve që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, raporton Ekonomia Online.

    Kështu ka bërë të ditur drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala.

    Ky vendim, siç tha ai, është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,047,149 votues.

    “Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, pra jo më pak se një (1) euro për votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,047,149 votues”, ka thënë Buzhala.

    KQZ-ja po ashtu ka vendosur për themelimin e komisionit për shqyrtimin e kundërshtimeve administrative të parashtruara kundër njoftimit për regjistrim të votueseve jashtë Kosovës. Sipas Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, çdo aplikues, të cilit i është refuzuar regjistrimi, ka të drejtë në kundërshtim administrativ ndaj njoftimit brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Zgjedhjet e rregullta parlamentare janë caktuar për t’u mbajtur më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.