ATV

Author: G.O.

  • Rama njofton rritje pagash për zjarrfikësit me të njëjtën formulë si për Forcat e Armatosura

    Rama njofton rritje pagash për zjarrfikësit me të njëjtën formulë si për Forcat e Armatosura

    Në prezantimin e strategjisë së re të Mbrojtjes Civile, kryeministri Edi Rama njoftoi rritje të pagave të zjarrfikësve me të njëjtën formulë si për Forcat e Armatosura. Sipas kreut të qeverisë pagat e zjarrfikësve nuk i përgjigjen lartësisë së detyrës së tyre, prandaj do t’i nënshtrohen rritjes së vazhdueshme të pagave.

    “Dua të nënvizoj që siç e kam thënë edhe më parë, por edhe e kam shpjeguar në përcaktimin e prioriteteve të ministrisë së Brendshme, zjarrfikësit do të kalojnë në një nivel tërësisht tjetër vëmendjeje, trajtimi dhe mbështetjeje. Do të thotë që ndër të tjera, zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të FA, që sot janë dëshmitare të një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të pagave me synimin që në Shqipërinë 2030, ne të kemi një forcë të armatosur të Shqipërisë në mesataren e pagave të NATO-s. Synim ambicioz për të realizueshëm, sot kemi FA më të mirëpaguara të rajonit. Në këtë formulë do të fusim edhe zjarrfikësit, që do të bëjmë rritje të vazhdueshme të pagës, shumë e rëndësishme dhe të domosdoshme. Çdo stinë vere, pagat e tyre nuk i përgjigjen lartësisë së kësaj sfide. Është një plan i tërë për modernizimin e mëtejshëm dhe rritjen e kapaciteteve të gjithë trupës tonë të zjarrfikësve. Për këtë arsye, unë kam shumë besim që ky vit, deri në përballjen e ardhshme, do të jetë kyç për një performancë më të mirë në territor, ku jo vetëm shpirti i sakrificës, ndjenja e fuqishme e shërbimit që i kanë karakterizuar për hir të së vërtetës të gjithë djemtë, edhe ndonjë vajzë, në këtë përballje, por edhe aftësitë teknike, mbështetja me teknologji, mjete që të jenë në një nivel që rritet vit pas viti”, tha Rama.

    Rama theksoi se masat e reja kundër zjarrvënësve janë gati dhe pritet të hidhen për konsultim publik.

    “Te zjarret klima ka ndikimin e vet të madh. Por ana tjetër e medaljes janë zjarrvënësit, të cilët do të kemi shtrëngim të ri në Kodin Penal. Është përgatitur dhe do të kalojë për konsultim publik bashkë me masat e tjera që lidhen me aktivitetet e paligjshme në dëm të territorit e pronës publike dhe ndërtimet e paligjshme”.

  • Nina Dobrev shfaqet e shkëlqyer në Paris pas ndarjes nga Shaun White dhe thashethemeve me Zac Efron

    Nina Dobrev shfaqet e shkëlqyer në Paris pas ndarjes nga Shaun White dhe thashethemeve me Zac Efron

    Nina Dobrev, 36 vjeçe, tregoi se është në një fazë të re pas ndarjes nga Shaun White, teksa u pa e mahnitshme në një mbrëmje vajzash gjatë Javës së Modës në Paris.

    Ajo mbërriti në eventin ekskluziv në hotelin luksoz The Costes, e veshur me një xhaketë të zezë të thellë dhe një fund midi të ngushtë, duke i kombinuar me stileto të zeza dhe aksesorë të thjeshtë, duke lënë të kuptohet eleganca e saj e natyrshme.

    Ish-çifti, që kishte qenë bashkë për pesë vjet dhe u fejua në tetor 2024, i dha fund marrëdhënies muajin e kaluar, sipas burimeve me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, shkruan DailyMail.

    Ndërsa Shaun po përqendrohet në jetën private dhe planet për familje, Nina po shijon kohën e saj në Paris dhe duket se po rikthehet fuqishëm në fokusin profesional dhe personal.

    Që nga ndarja, aktorja është fotografuar disa herë me Zac Efron, duke nxitur spekulime për një lidhje romantike.

    Megjithatë, ajo i përmbajti komentet dhe thjesht theksoi: “Po, jemi shokë”. Në javët e fundit, dyshja është parë duke kaluar kohë së bashku në Itali dhe në një jaht luksoz në Sardenjë, gjithmonë në shoqërinë e miqve të përbashkët të famshëm.

    Nina shprehu optimizëm për të ardhmen dhe theksoi rëndësinë e karrierës së saj: “Jam e entuziazmuar për të ardhmen dhe e vetmja gjë e garantuar është ndryshimi”, tha ajo, duke treguar qartazi se po përqendrohet në veten dhe në projektet e reja profesionale.

  • Takaichi pritet të bëhet kryeministrja e parë femër në histori në Japoni

    Takaichi pritet të bëhet kryeministrja e parë femër në histori në Japoni

    Partia në pushtet në Japoni ka zgjedhur Sanae Takaichi si udhëheqësen e saj të re, e cila pritet të bëhet kryeministrja e parë femër në historinë e vendit.

    Partia Liberale Demokratike (LDP) zgjodhi Takaichi-n, 64 vjeç, për të rifituar besimin e publikut të zemëruar nga rritja e çmimeve dhe për t’u përballur me sfidat që sjellin grupet e opozitës, të cilat premtojnë masa stimuluese dhe politika kundër të huajve.

    Një votim parlamentar për zgjedhjen e kryeministrit që do të zëvendësojë Shigeru Ishibën pritet më 15 tetor.

    Sfidat e udhëheqëses së re

    Presidentja e re e LDP-së ka të ngjarë të pasojë Ishibën si drejtuesja e ekonomisë së katërt më të madhe në botë, pasi partia, e cila ka qeverisur Japoninë për pjesën më të madhe të periudhës së pasluftës, është më e madhja në parlament. Megjithatë, kjo nuk është një garanci absolute, pasi partia dhe partneri i saj i koalicionit kanë humbur shumicën në të dyja dhomat gjatë vitit të kaluar.

    Takaichi, e vetmja grua midis pesë kandidatëve të LDP-së, mundi Shinjiro Koizumi-n, 44 vjeç, më të moderuar, në raundin e fundit të votimit për t’u bërë udhëheqësja më e re e vendit në kohët moderne. Ish-ministrja e Brendshme pason partinë në një periudhë krize.

    Parti të tjera, përfshirë Partinë Demokratike Popullore dhe Sanseiton anti-imigracionit, kanë tërhequr vazhdimisht votues, veçanërisht të rinjtë, larg LDP-së.

    “Kohët e fundit, kam dëgjuar zëra të ashpër nga e gjithë vendi që thonë se nuk e dinë më se çfarë përfaqëson LDP-ja”, tha Takaichi në fjalimin e saj para raundit të dytë të votimit.
    “Më motivon kjo ndjenjë urgjence. Doja ta shndërroja ankthin e njerëzve për jetën e tyre të përditshme dhe të ardhmen në shpresë”, shtoi ajo.

    Qëndrimet politike dhe vizioni ekonomik

    Takaichi, e cila thotë se heroi i saj politik është kryeministrja e parë e Britanisë, Margaret Thatcher, ofroi një vizion më të qartë ndryshimi sesa Koizumi.

    Mbështetëse e strategjisë “Abenomics” të kryeministrit të ndjerë Shinzo Abe për stimulimin e ekonomisë përmes shpenzimeve agresive dhe politikës monetare liruese, ajo më parë kritikoi rritjen e normave të interesit nga Banka e Japonisë. Një ndryshim i mundshëm politikash mund t’i trembë investitorët, të shqetësuar për borxhin e lartë të vendit.

    Takaichi përmendi gjithashtu mundësinë e rinegocimit të një marrëveshjeje investimi me presidentin amerikan Donald Trump, e cila uli tarifat ndëshkuese në këmbim të investimeve japoneze të mbështetura nga taksapaguesit.

    Qëndrimet nacionaliste dhe politika e jashtme

    Pikëpamjet e saj nacionaliste, si vizitat e rregullta në Faltoren Yasukuni kushtuar të rënëve japonezë të luftës, të cilën disa fqinjë aziatikë e shohin si simbol të militarizmit, mund të tensionojnë Korenë e Jugut dhe Kinën.

    Ajo gjithashtu mbështet rishikimin e kushtetutës pacifiste të Japonisë pas luftës dhe këtë vit propozoi që Japonia të formojë një “aleancë sigurie” me Tajvanin, një ishull demokratikisht të qeverisur i pretenduar nga Kina.

    Nëse zgjidhet, Takaichi tha se do të udhëtojë jashtë vendit më rregullisht për të përhapur mesazhin se “Japonia është kthyer!”.

  • Përmbytje masive nga reshjet e dendura të shiut në Bullgari

    Përmbytje masive nga reshjet e dendura të shiut në Bullgari

    Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në Bullgari, duke goditur rajonin e Burgasit, ku mes zonave të prekura ishte edhe fshati turistik Elenite.

    Sipas Alexander Dzhartov, kryekomisioner për Siguri dhe Zjarre, banorët e Elenite ishin paralajmëruar për shirat, por intensiteti erdhi papritur.

    “Gjatë 24 orëve të fundit, kemi punuar në mbi 400 sinjale. 340 prej tyre lidhnin me reagimin ndaj kushteve të këqija të motit. Kryesisht bëhej fjalë për heqjen e objekteve dhe pemëve të rrezikshme që kishin rënë. Çdo gjë tjetër lidhej me evakuimin, kullimin dhe sigurimin e ndërtesave”, tha Dzhartov.

    Sipas tij, qindra persona janë evakuuar dhe akomoduar në objekte komunale, ku do t’u sigurohet ujë dhe ushqim.

    Dzhartov shtoi se dëmi material ende nuk është vlerësuar, por është i konsiderueshëm. Deri më tani zyrtarisht nuk ka viktima nga përmbytja.

  • Izraeli ndalon sulmet në Gazë pas kërkesave të Trumpit

    Izraeli ndalon sulmet në Gazë pas kërkesave të Trumpit

    Pas deklaratave të Hamasit dhe presidentit amerikan Donald Trump lidhur me propozimin për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për lirimin e pengjeve, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se Shefi i Shtabit, Gjenerallejtënant Eyal Zamir, është takuar me gjeneralët më të lartë për një “vlerësim të posaçëm të situatës në dritën e zhvillimeve”.

    Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se “sipas urdhrit të nivelit politik”, Zamir u ka kërkuar Forcave Mbrojtëse të Izraelit që të përgatiten “për zbatimin e fazës së parë të planit të Trump për lirimin e pengjeve”, pa dhënë detaje të saktë mbi përmbajtjen e këtij urdhri, raporton timesofisrael.

    Deklarata gjithashtu konfirmon raportimet se liderët politikë i kanë urdhëruar IDF-së të ndalojë ofensivën për marrjen e qytetit të Gazës dhe të përqendrohet në operacione mbrojtëse, duke theksuar: “Siguria e forcave tona është me rëndësi supreme dhe të gjitha kapacitetet e IDF-së do t’i caktohen Komandës së Jugut për mbrojtjen e trupave tona”.

    “Shefi i shtabit theksoi se, për shkak të ndjeshmërisë operative, forcat duhet të tregojnë një gatishmëri dhe vetëdije të shtuar. Po ashtu, u theksua nevoja për një reagim të shpejtë për të neutralizuar çdo kërcënim”, shtohet në deklaratë.

    Kjo vjen pas një video-mesazhi të presidentit amerikan, Donald Trump, në të cilin ai i bëri thirrje Izraelit të ndalojë bombardimet në Gazë, pasi Hamasi ka pranuar propozimin amerikan për t’i dhënë fund luftës.

    Radioja ushtarake izraelite raportoi se urdhri kërkon që operacionet të reduktohen në minimum dhe që trupat në terren të kryejnë vetëm të ashtuquajturat “manovra mbrojtëse”.

    Ky urdhër u dha pas bisedimeve gjatë natës midis zyrtarëve izraelitë dhe atyre amerikanë.

  • Kancelari gjerman thotë se plani i Trump është shansi më i mirë për paqe në Gaza

    Kancelari gjerman thotë se plani i Trump është shansi më i mirë për paqe në Gaza

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e përshkroi planin e paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Gazën si “shansin më të mirë për paqe” dhe shprehu mbështetjen e tij pas apelit të presidentit amerikan drejtuar të dyja palëve.

    “Lirimi i pengjeve dhe paqja në Gaza janë të mundura. Hamasi tani ka rënë dakord në parim me planin e paqes të Presidentit Trump.

    Gjermania mbështet plotësisht apelin e Presidentit Donald Trump drejtuar të dyja palëve. Pengjet duhet të lirohen. Hamasi duhet të çarmatoset. Luftimet duhet të ndalen menjëherë. E gjithë kjo duhet të ndodhë shumë shpejt. Pas pothuajse dy vitesh, ky është shansi më i mirë për paqe. Gjermania do të vazhdojë të jetë e përfshirë”, tha Merz në një postim në platformën “X”.

  • 79 aksidente dhe mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

    79 aksidente dhe mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka bërë të ditur se 1 mijë e 851 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, janë raportuar gjithsejt 79 aksidente, 25 prej tyre me persona të lënduar dhe 54 vetëm me dëme materiale.

  • Ushqimet që ulin në mënyrë natyrale tensionin e gjakut dhe kolesterolin

    Ushqimet që ulin në mënyrë natyrale tensionin e gjakut dhe kolesterolin

    Dr. Leroy Lott ndan ushqimet që duhet të përfshini në dietën tuaj për të përmirësuar shëndetin e zemrës.

    Në krye të listës së tij janë boronicat, të cilat ai pretendon se “shpërndajnë nxehtësinë e brendshme dhe i sjellin dobi muskujve të zemrës”. Këto manaferra të vogla janë gjithashtu të mbushura me antioksidantë dhe lëndë ushqyese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës duke parandaluar bllokimin e arterieve nga kolesteroli.

    Ai vazhdoi duke thënë se edhe luleshtrydhet meritojnë një vend në listë sepse ndihmojnë në shëndetin e zemrës në një mënyrë të ngjashme me boronicat. Ato gjithashtu mund të përmirësojnë ndjeshmërinë e trupit ndaj insulinës.

    Gjithashtu duhet të përfshini arra në dietën tuaj sepse ato nxisin qarkullimin e gjakut dhe ulin presionin e gjakut. Ai thekson se arrat bëjnë mrekulli edhe për zemrën sepse janë plot me yndyrna të shëndetshme dhe fibra, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të kolesterolit.

    Spinaqi ishte i katërti në listën e Doktor Lott. Ai tha se është i shkëlqyer si për zemrën ashtu edhe për mëlçinë. I sjell dobi zemrës suaj në një numër mënyrash të tjera: Përmban nitrate që ndihmojnë në zgjerimin e enëve të gjakut dhe përmirësimin e rrjedhjes së gjakut, si dhe kalium, folat dhe magnez, të cilat ndihmojnë trupin tuaj të prodhojë oksid nitrik, një molekulë që ul presionin e gjakut.

    Lott gjithashtu veçoi salmonin sepse “pasuron gjakun”. Ky peshk është plot me acide yndyrore omega-3, të cilat njihen për uljen e inflamacionit, uljen e kolesterolit, rregullimin e presionit të gjakut dhe përmirësimin e rrjedhjes së gjakut.

    Ai gjithashtu rekomandon vajin e ullirit, duke thënë se konsumi i moderuar mund të jetë i mirë për zemrën tuaj sepse është i pasur me acide yndyrore të pangopura, të cilat mund të rrisin kolesterolin e mirë HDL dhe të ulin kolesterolin e keq LDL. Ai gjithashtu përmban përbërës që mund të ndihmojnë në parandalimin e grumbullimit të pllakave në arterie.

    Së fundmi, ai sugjeroi shtimin e fasuleve në dietë sepse ato “rrisin qarkullimin e gjakut” dhe “stimulojnë sistemin mbiveshkor”. Fasulet janë të pasura me antioksidantë, folat dhe magnez, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e presionit të gjakut.

  • Këto pije në mëngjes zvogëlojnë fryrjen dhe ruajnë shëndetin e zorrëve

    Këto pije në mëngjes zvogëlojnë fryrjen dhe ruajnë shëndetin e zorrëve

    Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës dhe anashkalimi i tij mund të çojë në të ngrënit e tepërt, dispepsi dhe fryrje.

    Nutricionistja Rujuta Diwekar thotë se mëngjesi është çelësi për një fillim të mirë të ditës.

    Nëse shpesh zgjoheni me një ndjenjë rëndese në stomak, zgjidhja mund të qëndrojë te pija juaj e preferuar e mëngjesit.

    Dr. Saurabh Sethi, një gastroenterolog me përvojë në universitete si AIIMS, Harvard dhe Stanford, rekomandon katër pije të thjeshta që mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të zorrëve dhe të ofrojnë më shumë energji gjatë gjithë ditës.

    Çaji jeshil

    Çaji jeshil është i pasur me antioksidantë dhe përbërës të quajtur katekina, të cilët kanë një efekt të dobishëm në tretje dhe zvogëlojnë fryrjen.

    Matcha

    Matcha është një lloj i veçantë çaji jeshil pluhur, me tre herë më shumë antioksidantë sesa çaji jeshil i rregullt. Për shkak të natyrës së tij të koncentruar, është veçanërisht i dobishëm për tretjen.

    Çaj i zi

    Çaji i zi përmban polifenole dhe antioksidantë që kanë një efekt të dobishëm në sistemin tretës dhe florën e zorrëve.

    Çaj menteje

    Ky çaj rekomandohet veçanërisht për njerëzit që vuajnë nga fryrja ose kanë simptoma të sindromës së zorrës së irritueshme.

    Këshilla përfundimtare

    Shmangni shtimin e qumështit dhe sheqerit të zakonshëm në këto pije, pasi ato mund ta rrisin më tej fryrjen. Nëse preferoni, përdorni qumësht pa laktozë ose alternativa me bazë bimore si qumështi i bajameve ose i tërshërës.

  • Për shkak të këtij gabimi, kur pimë kafe, kemi më shumë sulme në zemër dhe goditje në tru – mund të jetë fatale

    Për shkak të këtij gabimi, kur pimë kafe, kemi më shumë sulme në zemër dhe goditje në tru – mund të jetë fatale

    Çfarë gabimi bëjmë më shpesh në mëngjes – dhe pse mund të jetë fatal për shëndetin

    Një nga gabimet më të zakonshme që bëjmë në rutinën e mëngjesit është fillimi i ditës me kafe, në vend që t’i japim trupit ujë. Shumëkush nuk e kupton se ky zakon i përditshëm, i padëmshëm në dukje, mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për sulme në zemër dhe goditje në tru.

    Pse ndodh kjo?

    Në orët e para të mëngjesit, gjaku është më i trashë, për shkak të mungesës së lëngjeve gjatë natës. Pikërisht për këtë arsye, sipas studimeve kardiologjike, shumica e infarkteve dhe goditjeve në tru ndodhin herët në mëngjes. Trupi ka nevojë urgjente për ujë për të holluar gjakun dhe për të aktivizuar qarkullimin.

    Por çfarë bëjmë shpesh? Në vend të ujit, konsumojmë menjëherë kafe. Dhe këtu qëndron problemi: kafeja është diuretik – një filxhan kafe bën që trupi të nxjerrë deri në 6–7 herë më shumë ujë sesa ka marrë. Rezultati është dehidratimi i mëtejshëm, trashja e gjakut dhe një barrë e shtuar mbi zemrën dhe enët e gjakut, transmeton Telegrafi.

    Pasojat afatgjata

    Konsumimi i përditshëm i kafesë në këtë mënyrë, pa ujë të mjaftueshëm, krijon një paradoks: në vend që trupi të marrë lëngje për të shpëlarë indet dhe për të larguar toksinat, gjaku bëhet edhe më i trashë, enët e gjakut humbasin elasticitetin dhe bëhen më të forta e më të brishta.

    Me kalimin e viteve, ky cikël çon në dëmtim kronik të sistemit kardiovaskular, duke rritur ndjeshëm rrezikun për hipertension, aterosklerozë, infarkt miokardi dhe goditje cerebrale.

    Mjekësia moderne thekson: njeriu është aq i vjetër sa të vjetra janë enët e tij të gjakut. Pa ujë të mjaftueshëm, indet përreth enëve dëmtohen, gjaku nuk qarkullon siç duhet dhe zemra detyrohet të punojë më fort.

    Në situata të tilla, shpesh pacientëve u përshkruhen diuretikë për të ulur tensionin, gjë që e përkeqëson edhe më shumë mungesën e ujit në trup. Kështu krijohet një rreth vicioz, ku organizmi humb gjithnjë e më shumë lëngje vit pas viti.

    Çfarë thonë ekspertët

    Mayo Clinic dhe Harvard Health theksojnë se hidrimi i rregullt është i domosdoshëm për ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe për parandalimin e komplikimeve kardiovaskulare.

    Sipas European Society of Cardiology, personat që pijnë mjaftueshëm ujë kanë rrezik më të ulët për hipertension dhe sëmundje koronare.

    Studime të publikuara në Journal of the American Heart Association kanë treguar se dehidratimi i përsëritur lidhet me rritje të presionit të gjakut dhe dëmtim të arterieve në afatgjatë.

    Çfarë të bëjmë?

    ▪ Fillojeni ditën me një gotë të madhe ujë para kafesë.
    ▪ Mos e konsumoni kafenë me stomakun bosh dhe gjithmonë shoqërojeni me ujë.
    ▪ Sigurohuni që gjatë ditës të pini mjaftueshëm lëngje (1.5–2 litra ujë, varësisht nga aktiviteti fizik dhe kushtet klimatike).
    ▪ Dëgjoni trupin tuaj: dhimbja e kokës, lodhja dhe rënia e përqendrimit shpesh janë shenja të dehidratimit, jo vetëm të mungesës së gjumit.