ATV

Author: G.O.

  • Justin Bieber publikon fotografinë më të ëmbël me djalin e tij njëvjeçar, Jack Blues

    Justin Bieber publikon fotografinë më të ëmbël me djalin e tij njëvjeçar, Jack Blues

    Justin Bieber ndau disa imazhe të reja në Instagram, ku shfaqej me veshje të thjeshta sportive: një bluzë me zinxhir dhe pantallona të gjera gri, bashkuar me një kapelë të bardhë dhe një varëse ari.

    Mes fotografive të shumta në të njëjtin stil, bie në sy një moment shumë i ëmbël me djalin e tij njëvjeçar, Jack Blues.

    Justin shihet duke e mbajtur djalin në krahë dhe duke e puthur, ndërsa i vogli përshtatej me babain me një kostum gri, por me detajet e këndshme të kapuçit me veshë kafshësh. Si gjithmonë, fytyra e fëmijës nuk u zbulua, sipas preferencës së çiftit, shkruan DailyMail.

    Kjo postim vjen pas udhëtimit të Bieber dhe Hailey-t drejt Palm Springs me Mercedesin e tyre elektrik prej 200 mijë dollarësh afërsisht (rreth 180 mijë euro).

    Justin ishte veshur me një bluzë rozë, ndërsa Hailey me një xhaketë dhe një fashë flokësh.

    Edhe pse këngëtari nuk publikoi asgjë në ditëlindjen e 29-të të Hailey-t, ajo ndau një video ku shfaqeshin duke ecur dorë për dore gjatë asaj që e quajti “java ime më e mirë”.

    Çifti, i martuar prej gjashtë vitesh, u njoh në vitin 2009, nisi lidhjen në 2015 dhe u ribashkuan në 2018, pak muaj pas ndarjes së Justin nga Selena Gomez.

    Në frontin profesional, Hailey së fundmi shiti kompaninë e saj Rhode për 1 miliard dollarë (rreth 900 milionë euro), duke mbetur drejtore kreative.

    Ndërsa Justin ka nënshkruar një marrëveshje rekord prej 10 milionë dollarësh (afërsisht rreth 9 milionë euro) për të qenë kryeakt në Coachella 2025. /Telegrafi/

     

  • Pse është vështirë të jetohet me një grua të mençur

    Pse është vështirë të jetohet me një grua të mençur

    Koeficienti i lartë i inteligjencës në shumë situata jetësore është përparësi, mirëpo ai përfundimisht nuk është çelës për jetë të thjeshtë dhe të lumtur.

    Inteligjenca shumë njerëzve nuk u është bekim, por mallkim.

    Pse ndodh kjo?- përgjigjen psikologët.

    Çdo person me aftësi të jashtëzakonshme mendore ka pesë karakteristika specifike, me të cilat vetes dhe atyre që jetojnë rreth tij ua vështirësojnë jetën, por që nuk mund të heqin dorë.

    1. Shpesh mendojnë së tepërmi, në vend që të ndiejnë

    Njerëzit me inteligjencë mesatare dhe të ulët janë mjaft llafazanë, që është gjë e shkëlqyeshme për psiken e tyre – presionin emocional e nxjerrin jashtë nëpërmjet bisedës, vallëzimit, qarjes etj.

    Nga ana tjetër, të mençurit, kryesisht çdo gjë e mbajnë për vete, andaj shpesh duken të ftohtë dhe të pandjenja, ndërkaq brenda vetes bëjnë beteja të ashpra.

    2. Shpesh janë të vetmuara dhe të pasigurta

    Nga femrat shumë të mençura sot pritet shumë më tepër se nga të tjerët.

    Përpiqen t’i plotësojnë pritjet mirëpo me përpjekje të fuqishme që t’ua dëshmojnë të gjithëve, i largojnë nga vetja njerëzit e afërm dhe shpesh përfundojnë plotësisht të vetmuara.

    3. Shumica synojnë të kuptojnë vlerën e punës së rëndë

    Femrat e mençura drejtojnë kohën, më shpejt dhe me pak mund i përfundojnë detyrat, mirëpo fakti që të gjitha i përfundojnë dhe fitojnë me përpjekje minimale, sipas tyre, ndonjëherë nuk është aspak mirë.

    Inteligjenca e lartë mund të jetë problem për njerëzit të cilët nga fëmijëria konstatojnë që nuk janë të detyruar të angazhohen si edhe njerëzit e tjerë, ndërkaq mund të jenë në të njëjtin nivel.

    Prandaj shumica e femrave të mençura kurrë nuk mësojnë t’i shfrytëzojnë maksimalisht kapacitetet e veta.

    4. Shpesh i shikojnë si të bezdisshme

    Femrat e mençura kryesisht mund të lavdërohen me njohurinë e gjerë nga fushat më të ndryshme. Prandaj mund të marrin pjesë në çdo bisedim, ndërsa janë të prira edhe t’i përmirësojnë të tjerët në bisedë, me fakte etj.

    Kështu, shumica i shohin si femra të bezdisshme të cilat duan të përzihen në çdo gjë. Për këtë shkak shpesh njerëzit u shmangen.

    5. Analizojnë së tepërmi

    Për shkak të mendimeve dhe analizave të tepërta të çdo situate, femrave të mençura u mbetet shumë pak kohë që të merren me diç tjetër, nuk kanë kohë as për veten e vet.

    Femra që mendojnë shumë shpesh, vuajnë nga ankthi, bëhen të pavendosura dhe nuk mund të vendosin cilës rrugë të ecin.

    A e njihni ndonjë femër që i shkon përshtati këtyre kritereve?

    A mund ta gjeni ju vetën brenda këtyre fakteve?

  • Zjarri apokaliptik në Hong Kong, të paktën 55 të vdekur dhe 280 të zhdukur

    Zjarri apokaliptik në Hong Kong, të paktën 55 të vdekur dhe 280 të zhdukur

    Numri i të vdekurve nga zjarri që përfshiu disa ndërtesa në një kompleks banimi në Tai Po, një periferi të Territoreve të Reja të Hong Kongut, është rritur në 55, me 280 të zhdukur.

    Kryetari Ekzekutiv, John Lee e njoftoi lajmin në një konferencë për shtyp të mbajtur në Spitalin “Princi i Uellsit”.

    Lee shtoi se flakët ishin “nën kontroll” që pak pas mesnatës sipas orës lokale. Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, presidenti kinez Xi Jinping shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave këtë mbrëmje. Policia ka arrestuar tre burra me dyshimin për vrasje të paqëllimshme.

    Videoja nga vendi i ngjarjes tregonte ndërtesat fqinje të përfshira nga flakët, me shkëndija intensive dhe tym që dilte nga dritaret e shumë apartamenteve ndërsa binte nata.

    Zjarrfikësit po drejtonin avionë uji drejt flakëve nga shkallët e larta të zjarrit. Flakët shkaktuan një re flakësh dhe tymi të trashë që valëvitej mbi skelat prej bambuje dhe rrjetat e ndërtimit të instaluara përgjatë pjesës së jashtme të kompleksit, i vendosur në lagjen “Tai Po”, duke shkatërruar shtatë nga tetë ndërtesat e banimit të kompleksit.

    Skelat prej bambuje janë një tipar i zakonshëm në projektet e ndërtimit dhe rinovimit të Hong Kongut, megjithëse qeveria njoftoi më parë këtë vit se do të fillonte ta hiqte gradualisht nga projektet publike për arsye sigurie.

    Policia tha se deri në pasdite, ishin marrë raportime të shumta për njerëz të bllokuar në ndërtesën ku filloi zjarri, përfshirë një burrë dhe një grua të gjetur pa ndjenja dhe që vuanin nga djegie të rënda.

    Zjarri, fillimisht i klasifikuar si Niveli 1, u rrit në Nivelin 4 në orën 15:34 dhe më në fund në nivelin më të lartë, Nivelin 5, në orën 18:22 sipas kohës lokale, sipas shkallës së ashpërsisë së Hong Kongut.

    Zyrtarët e distriktit Tai Po kanë hapur strehimore të përkohshme për ata që kanë mbetur të pastrehë nga flakët. Tai Po është një zonë periferike në Territoret e Reja, në pjesën veriore të Hong Kongut dhe pranë kufirit me qytetin kinez Shenzhen.

     

  • Ushtarët turq të KFOR-it bashkë me instruktorë hungarezë zhvillojnë stërvitje intensive për kontrollin e turmave

    Ushtarët turq të KFOR-it bashkë me instruktorë hungarezë zhvillojnë stërvitje intensive për kontrollin e turmave

    Ushtarët turq nga Batalioni i Forcës së Rezervës Operacionale, pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, vazhdojnë stërvitjet e tyre të përditshme në gjithë Kosovën.

    Në bashkëpunim me instruktorët hungarezë nga Batalioni i Rezervës Taktike të KFOR-it (KTRBN), ata kanë përfunduar ushtrime intensive në kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave (CRC), duke forcuar gatishmërinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të marrë vendime efektive nën presion.

    KFOR thekson se stërvitjet e tilla janë thelbësore për të siguruar reagime të qeta dhe të koordinuara në situata sfiduese, duke kontribuar në efektivitetin e misionit dhe në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.

  • Franca nis shërbimin vullnetar ushtarak për 18 dhe 19-vjeçarët

    Franca nis shërbimin vullnetar ushtarak për 18 dhe 19-vjeçarët

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar se mijëra vullnetarë të moshës 18 dhe 19 vjeç do të fillojnë të shërbejnë në ushtri vitin e ardhshëm, ndërsa ka prezantuar një program të ri që synon të forcojë forcat e armatosura të Francës për t’iu përgjigjur shqetësimeve në rritje mbi kërcënimin e Rusisë ndaj vendeve evropiane.

    Vullnetarët e rinj do të shërbejnë në uniformë për 10 muaj vetëm brenda territorit të Francës, jo në operacione ushtarake jashtë vendit, ka bërë të ditur Macron në një fjalim në bazën ushtarake Varces, në Alpet Franceze.

    “Një shërbim i ri kombëtar do të krijohet gradualisht, duke filluar nga vera e ardhshme”, ka thënë Macron.

    “Në këtë botë të pasigurt ku pushteti mbizotëron mbi ligjin dhe lufta është një realitet gjithmonë i pranishëm, kombi ynë nuk ka të drejtë të ketë frikë, panik, papërgatitje ose përçarje”, ka shtuar ai.

    Programi do të nisë me 3,000 të rinj që do të zgjidhen verën e ardhshme dhe gradualisht do të rritet në 10,000 në vit deri në vitin 2030. Franca ka ambicie të arrijë deri në 50,000 vullnetarë në vit deri në vitin 2035, një shifër që do të përshtatet në varësi të kontekstit global, ka bërë të ditur Macron.

    Vullnetarët do të kenë status ushtarak dhe do të marrin paga dhe pajisje. Pas një trajnimi njëmujor, ata do të caktohen për nëntë muaj në një njësi ku do të kryejnë të njëjtat misione si personeli ushtarak aktiv, ka sqaruar presidenti francez.

  • Zhduket një burrë në Gjilan, Policia: Vetura e tij u gjet pranë pendës së fshatit Livoq – vazhdon kërkimi

    Zhduket një burrë në Gjilan, Policia: Vetura e tij u gjet pranë pendës së fshatit Livoq – vazhdon kërkimi

    Sot, rreth orës 10:05, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se një 32-vjeçar në Gjilan ka dalë nga shtëpia rreth orës 07:00 dhe që nga ajo kohë nuk dihet vendndodhja e tij.

    Sipas gazetës Sinjali zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani bëri të ditur se “gjatë veprimeve të para hetimore, vetura e personit është gjetur në afërsi të pendës së fshatit Livoq.”

    “Njësitë policore relevante, së bashku me ekipet e Zjarrfikësve dhe të Emergjencës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e rrethanave dhe gjetjen e personit. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me vendimin e të cilit është iniciuar rasti “Person i zhdukur”“, tha tutje ai.

  • Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për t’u liruar

    Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për t’u liruar

    Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për t’u liruar.

    “Mospranimin e rekursit të kërkuesit/të pandehurit Ilir Metaj, kundër vendimit nr. 183 (87-2025-284), datë 08.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, sot ishte parashikuar të mbahej seanca paraprake ndaj Metës, e cila u shty për në datën 5 dhjetor.

    Prej më shumë se një viti kreu i Partisë së Lirisë ndodhet në qeli.

  • Edhe Bebe Rexha shpreh ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi

    Edhe Bebe Rexha shpreh ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi

    Lajmi i ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur shqiptar, Shpat Kasapit, ka prekur jo vetëm publikun vendas, por ka shkuar përtej kufijve, duke prekur edhe artistë me famë botërore. Mes tyre është edhe Bebe Rexha, e cila ka reaguar me një gjest të ndjeshëm në rrjetet sociale.

    Këngëtarja shqiptaro-amerikane ka rishpërndarë në Instagram Story një video të Shpatit, ku ai shihet duke interpretuar këngë patriotike. Bashkë me videon, Bebe Rexha ka vendosur një emoji të një pëllumbi dhe flamurit shqiptar, një simbolikë që përfaqëson qartë ngushëllimin dhe respektin e saj për artistin e ndjerë.

    Reagimi i saj ka prekur shumë ndjekës, pasi vjen nga një artiste që, edhe pse me karrierë ndërkombëtare dhe jetesë në ShBA, nuk harron rrënjët e saj. Si Bebe Rexha, ashtu edhe Shpat Kasapi, ndajnë të njëjtën origjinë – të dy janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, gjë që e bën reagimin e saj edhe më personal.

    Lajmi i trishtë për vdekjen e Shpatit duket se ka mbërritur shpejt në adresën e largët të Bebe Rexhës, e cila zgjodhi të shprehë dhimbjen dhe respektin e saj në mënyrë të thjeshtë, por shumë domethënëse.

    Ky gjest i artistes me famë botërore tregon edhe një herë se komuniteti artistik shqiptar mbetet i bashkuar në gëzime e në dhimbje — pavarësisht distancave. /Telegrafi/

  • ​Papa Leoni takohet me presidentin e Turqisë

    ​Papa Leoni takohet me presidentin e Turqisë

    Papa Leoni mbërriti këtë mëngjes në Ankara për të nisur udhëtimin e tij të parë apostolik jashtë vendit që nga fillimi i papatit të tij, duke vizituar Turqinë dhe Libanin. Ndalesa e parë ishte Mauzoleu i Atatürk-ut për të nderuar themeluesin e Turqisë moderne.

    Presidenti turk Recep Tayip Erdogan e mirëpriti Papa Leonin XIV në Pallatin Presidencial, dhe ceremonia u transmetua nga televizioni shtetëror TRT.

    Papa u nis nga Aeroporti Fiumicino në orën 7:58 me një Airbus A320neo të ITA Airways dhe do të kthehet në Romë pasditen e së martës, më 2 dhjetor, shkruan ANSA.

    Gjatë fluturimit, Papa Leo theksoi rëndësinë e dërgimit të një mesazhi të së vërtetës, harmonisë dhe paqes. Duke përkujtuar përvjetorin e 1,700-të të Nikaia, ai tha se udhëtimi promovon unitetin mes krishterëve dhe një mesazh më të gjerë paqeje për botën. Ai ftoi të gjithë njerëzit, pavarësisht nga dallimet apo feja, të kërkojnë unitet dhe vëllazëri.

    Ai gjithashtu uroi gazetarët për Ditën e Falenderimeve, duke i falënderuar për shërbimin e tyre ndaj Vatikanit dhe botës.

    Papa Leon XIV u shoqërua në aeroplan nga sigurimi i Vatikanit dhe policia, dhe u prit nga drejtues të ITA Airways dhe autoritete italiane të aviacionit dhe aeroporteve. Ai iu përshëndet të pranishmëve para se të hipte në aeroplan, transmeton KosovaPress.

    Presidenti italian Sergio Mattarella i dërgoi një mesazh Papës, duke i uruar sukses dhe duke lavdëruar misionin e tij për të promovuar “harmoninë ndërfetare, pluralizmin kulturor dhe vëllazërinë njerëzore në Turqi dhe Liban”.

  • Maqedonci flet për arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së: Serbia vazhdon të zbatojë qasje hegjemoniste ndaj Kosovës

    Maqedonci flet për arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së: Serbia vazhdon të zbatojë qasje hegjemoniste ndaj Kosovës

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka komentuar arrestimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga autoritetet serbe, duke thënë se Serbia po vazhdon ta mbajë një qasje hegjemoniste ndaj shtetit të Kosovës.

    Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Maqedonci theksoi se problemi i Serbisë nuk lidhet vetëm me individë të caktuar, por me qasjen e saj ndaj Kosovës si shtet.

    “Ne si Ministri e Mbrojtjes që përfaqësojmë trashëgiminë ushtarake të popullit tonë, në këtë rast të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, jemi të angazhuar sa herë që kemi mundësi që ta bëjmë këtë me partnerët tanë për të ngritur çështjen e arrestimeve të pjesëtarëve të UÇK. Por përtej arrestimeve të pjesëtarëve të UÇK, Serbia vazhdon të zbatojë qasje hegjemoniste në raport me vetë ekzistencën e shtetit tonë. Nuk është problem vetëm një pjesëtar i UÇK, nuk është problem vetëm një polic, është problem që Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste në raport të vendit tonë duke mos njohur asnjë arritje të vendit tonë dhe duke e trajtuar Kosovën si pjesë të saj. Problematike në thelb është te qasja hegjemoniste e Serbisë, kurse të tjerat pastaj janë vetëm pasoja”, tha Maqedonci.