ATV

Author: G.O.

  • Këshilli i Prindërve jep disa propozime për blerjen e teksteve – Dragusha: Presim që javën tjetër mjetet të jenë në llogari

    Këshilli i Prindërve jep disa propozime për blerjen e teksteve – Dragusha: Presim që javën tjetër mjetet të jenë në llogari

    Këshilli i Prindërve të Kosovë të mërkurën është takuar me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, raporton Ekonomia Online.

    Pas takimit kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Gradusha, tha se kanë propozuar disa forma se si do të mund të bliheshin librat nga prindërit pas vendimit të Ministrisë.

    Sipas tij, pritet që vendimi përfundimtar të merret këtë javë, ndonëse pohoi se nuk kanë marrëveshje me Ministrinë.

    Dragusha shtoi se presim që javën tjetër mjetet të jenë në llogari, raporton EO.

    “Vendimi pritet të merret brenda dy ditëve, shpërndarja e librave nuk do të bëhet si vitet e kaluar. Ne nuk jemi pro këtij vendimi, tash jemi në një gjendje kur mësimi fillon edhe një javë dhe ne dëshirojmë që t’i mbrojmë të drejtat që të jemi të pajisur me libra në mënyrë që prindërit të mos shpenzojnë”.

    “Presim që deri në mesin e javës së ardhmes prindërit t’i kenë llogari mjete që t’i blejnë librat. Të hapen pika grumbullimi, secili prind t’i merr librat e Ministria të bëjmë pagesën”.

  • Nderohen familjet shqiptare që strehuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

    Nderohen familjet shqiptare që strehuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

    Është inauguruar sot në kryeqytet “Muri i Nderit”, në shenjë nderimi për sakrificën e shqiptarëve të Kosovës në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Në murin që u vendos në Parkun e Qytetit prej sot do të qëndrojnë emrat e 23 familjeve që ndihmuan dhe shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit.

    Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, tha se ky mur është dëshmi e një miqësie të garantuar të popullit shqiptar dhe atij hebre, derisa e vlerësoi si frymëzim për brezat e ardhshëm.

    Sipas tij, “Muri i nderit” është shtëpia e përbashkët e popullit hebre dhe popullit shqiptar, që i kushtohet jo vetëm historisë, por edhe prosperitetit.

    “Ngjashëm me Kopshtin e të Drejtëve Ndër Kombe në memorialin e Madh të Holokaustit ‘Yad Vashem’, falë punës së përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ne kemi zbuluar këtë pjesë të rëndësishme të historisë së dy popujve tanë. E megjithatë, rëndësia e këtij muri shkon përtej individëve që ky mur feston, muri jo vetëm përkujton aktet e tyre, por shërben edhe si monument për vlerat e përbashkëta dhe për miqësinë e garantuar të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën. Hebrenjtë që ikën nga Evropa në gjysmën e parë të shekullit të 20-të dhe shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë atij shekulli, e dinin se çfarë do të thoshte të privohesh nga shtëpia. Dhe për të dy popujt, ishte themelimi i një shteti, shteti i Izraelit dhe i shtetit të Kosovës, të cilat më në fund u dhanë atyre ndjenjën e fortë të shtëpisë, nga e cila i kishin privuar më parë. Muri i nderit që ne e dedikojmë sot tregon gjithashtu se populli hebre dhe ai shqiptar ndajnë një shtëpi në një kuptim kohor”, tha Kurti.

    Se ky mur i nderit është dëshmi e guximit për historinë e përbashkët të popullit shqiptar dhe atij hebre tha edhe kryetari i Prishtinës, Përpaim Rama.

    “Sot në zemër të Prishtinës ne zbuluam ‘Murin e nderit’, një dëshmi e guximit dhe dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzimit, vlera që formësojnë historinë tonë të përbashkët. Ky mur i nderit është më shumë se një strukturë, është një monument i zhytyr në histori të jashtëzakonshme. Duke qëndruar përpara tij, zemrat tona mbushen me krenari dhe përjetësojnë një të kaluar që do të frymëzojë breza e breza tjerë me radhë që do të vijnë”, u shpreh Rama.

    “Muri i nderit” është ngritur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan dhe Shoqata e Miqësisë Kosovë – Izrael.

    Drejtoresha e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, Shirley Cloyes DioGuardi, është shprehur mirënjohëse për tolerancën dhe guximin e popullit shqiptar.

    “Ndërkohë që ne kemi bërë përparime të mëdha në teknologji në shekullin 21, ne jemi mjerisht prapa në botë në përparimin moral dhe dua të citoj Gavra Mandil, i cili u citua nga një çift jugosllav që me familjen e tij u shpëtuan nga shqiptarët dhe tha ‘Shqiptarët mund të mos jenë edukuar në trashëgiminë e Gertës dhe Shilerit, rëndësinë më të madhe për jetën njerëzore, mirëpo ndërkohë që pjesa më e madhe e Evropës i ktheu shpinën shfarosjes së hebrenjve evropianë shqiptarët e Kosovës treguan tolerancë, sakrificë dhe guxim’”, tha Cloyes DioGuardi.

    Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, pjesë e familjes kosovare që strehoi një grup të hebrenjve, sot i pranishëm në ceremoni tha se ndjehet i lumtur që më në fund po njihet kontributi i shumë familjeve kosovare. Ai shtoi se po trashëgon marrëdhëniet me familjet e të mbijetuarve edhe sot.

    “Drejtova sot Shoqatën e Miqësisë Kosova Izrael që është themeluar në vitin 2005 nga gjyshi im i ndjerë, Mustafa Rezniqi dhe studiuesja e ndjerë Gjongyle Ilijazi. Ajo kishte bërë një kërkim të jashtëzakonshëm dhe kaq unik sa edhe unë sot e kam trashëguar punën e saj, pra kjo punë nuk ka filluar me mua, dhe jam shumë i lumtur që pata rastin të bashkëpunoj me të dhe më vjen shumë keq që ajo nuk është sot këtu me ne sepse edhe ajo do të ishte e lumtur dhe krenare për gjithë punën ku edhe ajo ka marrë pjesë. Komunikimi dhe marrëdhënia me familjet e të mbijetuarve po vazhdon, kështu që në të dyja anët po rritemi dhe zhvillohemi edhe më shumë dhe çdo ditë e më shumë miqësia jonë po forcohet”, tha Rezniqi.

    Ndërsa ish-kongresisti amerikan, Joseph J. DioGuardi, theksoi se toka shqiptare është tokë e shenjtë për popullin hebre, dhe se është një shembull i mirë për Amerikën sot. Ai u shpreh i lumtur për rrënjët e tij shqiptare.

    “Kjo tani është tokë e shenjtë, ky memorial do të vazhdojë si tokë e shenjtë për popullin hebre dhe për popullin shqiptar. Dhe ka një shembull të mirë të kësaj në Amerikë sot, dhe quhet Gettysburg, ne kishim një president që dha jetën që ne të mund të shpëtojmë nga skllavëria si një tmerr i plotë i drejtësisë për njerëzimin. Dhe, Shirley dhe unë ecëm në ato terrene dhe në atë pikë u vranë rreth 200.000 ushtarë, dhe më në fund ishte një president që u vra, emri i tij ishte Lincoln. Ne duhet të kujtojmë sakrificën përfundimtare që ai bëri, njësoj si sakrificat përfundimtare që shumë veta bënë deri më sot. Dhe jam shumë i lumtur që jam këtu me ju, jam shumë i lumtur që i njoh rrënjët e mia shqiptare. Nuk është e lehtë t’iu shpjegosh njerëzve se jam shqiptar kur ke emrin DioGuardi. Por ata nuk e dinë se sa e ndërlikuar është bota, sidomos për shqiptarët me të gjitha këto ndarje”, tha DioGuardi.

  • Qeveria shkarkon Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

    Qeveria shkarkon Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën e ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi.

    Arsyetimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të Ejupit para kabinetit qeveritar, e ka dhënë zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Zot para jush paraqes propozim-vendimin për përfundim të parakohshëm të mandatit të drejtori të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi. Mosparovimi i raporteve vjetore të AAC-së nga Kuvendi i Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të Ejupit nga ana e Bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje i ekspertëve austriakë si dhe një varg shkeljesh tjera, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundim të parakohshëm të mandatit të tij”, ka theksuar Durmishi.

    Vendimi për shkarkimin e Ejupit është përshëndetur nga Sindikata e punëtorëve të AAC-së, edhe pse ata e kanë quajtur vendim të vonuar.

    “Vendimi vjen pas tre vjetësh me një numër të madh shkeljesh profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit të sinjalizuara nga Sindikata jonë të cilat janë vulosur edhe nga trupa ndërkombëtare që kanë vërtetuar se nën udhëheqjen e tij, AAC-ja ishte bërë pothuajse jofunksionale. Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dy vite radhazi nuk i miratuan Raportet vjetore të AAC. Ky është largimi i tretë nga detyra në fushën e aviacionit për Bujar Ejupin. Urojmë që Ejupi të mos ketë më mundësi t’i afrohet institucioneve publike e as të lejohet të ketë autoritet ndaj të tjerëve, për shkak të veprimeve të tij përndjekëse e diskriminuese të ushtruara ndaj zyrtarëve të AAC të vërtetuara nga Institucioni i Avokatit të Popullit”, thuhet në reagimin e Sindikatës pas vendimit për shkarkim të Ejupit.

  • ​Murati i reagon AKK-së: Hipokrizi dërgimi i Ligjit për tatim në Kushtetuese

    ​Murati i reagon AKK-së: Hipokrizi dërgimi i Ligjit për tatim në Kushtetuese

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka quajtur absurde dhe hipokrizi paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.

    Ministri Murati pas mbledhjes së Qeverisë, theksoi se ligji ka hyrë në fuqi dhe nuk mund të bllokohet.

    “Ka një lloj hipokrize sa i përket çështjeve të halleve që i qajnë. Është e pavërtetë që dëmtohet buxheti i komunave. Deri në datën e djeshme janë mbledhur 32.3 milionë euro. Kjo është vetëm një lojë e disa prej komunave dhe në këtë rast e AKK-së”, u shpreh ai.

    Gjatë ditë, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paralajmëruar se komunat do ta dërgojnë Ligjin për Tatimin në pronën e paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.

  • Kodi Civil në Kuvend sivjet – Haxhiu: Jemi duke punuar me deputetë që janë kundër

    Kodi Civil në Kuvend sivjet – Haxhiu: Jemi duke punuar me deputetë që janë kundër

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se gjatë këtij viti pritet që në Kuvendin e Kosovës të shkojë për votim Kodi Civil dhe ai i Procedurës Civile, raporton Ekonomia Online.

    Ajo tha se vonesat për t’u votuar këto kode kanë duke ndodhur pasi po punohet me deputet që janë kundër.

    Sipas saj, ata janë duke diskutuar edhe me deputete e mazhorancës, por edhe të opozitës që kur ky ligj të shkoj për votim në Kuvend të mos dështojë.

    “Sot u votua edhe dokumenti i Kodit të Procedurës Civile. Planifikojmë që brenda këtij viti të procedojmë edhe Kodin Civil edhe Kodin e Procedurës Civile. Ne jemi duke punuar me deputetët që Kodi të mos dështojë kur të shkoj në Kuvend”, tha ajo.

  • Qeveria shtyn regjistrimin e popullsisë në Kosovë

    Qeveria shtyn regjistrimin e popullsisë në Kosovë

    Qeveria e Kosovës të mërkurën ka marr vendim për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë.

    Kryeministri Albin Kurti tha se ky proces do të nis me dy muaj vonesë.

    “Procesin nuk mund ta fillojmë para datën 1 nëntor 2023, por dy muaj me vonesë, shkaku i pamundësisë së ASK-së që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit. Regjistrimi i popullsisë do të bëhet nga data 1 nëntor 2023”, tha Kurti para ministrave.

  • Qeveria e Kosovës ndan 60 mijë euro për mbështetjen e punësimit të grave

    Qeveria e Kosovës ndan 60 mijë euro për mbështetjen e punësimit të grave

    Qeveria e Kosovës ndan 60 mijë euro për mbështetje e punësimit të grave dhe 100 mijë euro të tjera për investimin në infrastrukturë.

    Këto mjete janë në kuadër të zbatimit të masës 1.3 dhe masës 5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

    Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar edhe koncept-dokumentin për Kodin e Procedurës Civile.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në paraqitjen e këtij dokumenti tha se struktura e tij do të përbëhet nga pesë pjesë.

    Po ashtu qeveria ka miratuar edhe koncept-dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës.

    Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, po ashtu i janë propozuar Kuvendit të Kosovës, emrat e dy kandidatëve, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi Loku për dy pozita të anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës.

  • Kryeministri Kurti deklarohet për vizitën në Athinë

    Kryeministri Kurti deklarohet për vizitën në Athinë

    Kryeministri Albin Kurti tha se pjesëmarrja e Kosovës në Athinë përbën një hap të rëndësishëm për avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Greqisë.

    “Me ftesë të kryeministrit të Greqisë kishim një darkë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Presidenti I Ukrainës ishte pjesëmarrës në këtë takim, nxorëm një deklaratë të përbashkët. Ku bën thirrje për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ndërkaq, në darkën e përbashkët unë theksova se anëtarësimi i Kosovës në BE nuk ka alternativë. Në takimet biletarele me kryeministrin e Greqisë theksova rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjes bazë, deeskalimi në katër komunat në veri praktikisht ka ndodhur”, tha ai në mbledhjen e qeverisë.

    Ai shtoi se Kosova është duke zbatuar dakordimin e arritur në Bratislavë.

  • Detaje nga dosja e Ridvan Muharremit në gjykatë

    Detaje nga dosja e Ridvan Muharremit në gjykatë

    Ridvan Muharremi, një afarist nga Prishtina, po dyshohet se u përfshi në keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

    Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Muharremi, së bashku me dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, po mbahen në paraburgim për 30 ditë.

    Në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës, siç përshkruhet në dosje, avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, gjithë procesin ndaj klientit të tij e ka quajtur politik. Ai gjithashtu kishte kërkuar që të refuzohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj Ridvan Muharremit.

    Mes tjerash, avokati Halimi tha se në rastin ndaj Ridvan Muharremit nuk ka asnjë keqpërdorim e as vjedhje.

    Sipas dosjes, Halimi ka thënë se Ridvan Muharremi vjen nga një familje me traditë patriotike, është një afarist i suksesshëm dhe njeh njerëz nga shumë vende të botës.

    Avokati Mahmut Halimi e ka pranuar se klienti i tij u angazhua për t’i siguruar kontaktet rreth rezervave shtetërore. Ai tha se kontaktin me pronarin e kompanisë “Yafe Turizm” nga Turqia e ka pasur në restorantin e tij në Prishtinë “Bukë e Zemër”, duke i kërkuar atij ndihmë për sigurimin e rezervave shtetërore.

    Kjo, sipas avokatit, u bë për shkak të gjendjes së krijuar në tregun ndërkombëtarë pas agresionit rus mbi Ukrainën.

  • Vazhdon përhapja e zjarreve pranë Athinës për të dytën ditë radhazi

    Vazhdon përhapja e zjarreve pranë Athinës për të dytën ditë radhazi

    Qindra zjarrfikës punuan gjatë natës për ta kontrolluar një zjarr masiv në periferi të Athinës, ku edhe më shumë banorë u detyruan të evakuohen pasi autoritetet paralajmëruan më 23 gusht se rreziku nga zjarret e reja është i lartë në mbarë vendin.

    Njëzet njerëz janë vrarë nga zjarret që shpërthyen në Greqinë veriore më 19 gusht dhe u përhapën shpejt, të nxitura nga erërat e forta në valë e dytë të madhe të zjarreve këtë verë.

    Një zjarr pranë fshatit Fyli, rreth 25 kilometra në veri të Athinës, u përhap në drejtim të qytetit Menidi, ku rreth 150 njerëz u evakuuan nga tre shtëpi për të moshuar, tha një zyrtar lokal.

    “Ne e mbajtëm zjarrin larg shtëpive”, tha nënkryetari i Menidit, Stathis Topalidis, për transmetuesin shtetëror ERT. “Fatkeqësisht era nuk po ndihmon fare”.

    Ai tha se të moshuarit u evakuuan me autobusë drejt hoteleve ose objekteve të tjera të përkujdesit.

    Zjarri ka lënë prapa shumë dëm, duke djegur shtëpi dhe makina në fshatin Fyli dhe duke detyruar banorët të largohen në këmbë, disa duke mbuluar fytyrën me rroba përderisa një re e dendur tymi e mbulonte kryeqytetin.

    Disa vullnetarë ngarkuan dele në bagazhet e makinave për t’i shpëtuar nga flakët.

    Ekipet e shpëtimit zbuluan 18 trupa të djegur më 22 gusht, që besohet të jenë emigrantë, në një zonë rurale pranë pyllit Dadia në rajonin verior të Evros në kufi me Turqinë, një rrugë e zakonshme për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Azia që kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian.

    Në qytetin grek Alexandroupolis aty pranë, dhjetëra pacientë spitalorë u evakuuan në një traget.

    Një imazh satelitor i transmetuar në televizionin shtetëror tregoi se tymi nga zjarret e Evros ishte përhapur në ishujt e Jonit në veriperëndim, jo shumë larg Italisë.

    Zjarret e verës janë të zakonshme në Greqi, por këtë vit ato janë përkeqësuar nga moti jashtëzakonisht i nxehtë, i thatë dhe me erë, të cilin shkencëtarët e lidhin me ndryshime klimatike.

    Temperatura rekorde në botë: Si ndikon Ballkani Perëndimor në ndryshimet klimatike
    Në korrik, dhjetëra mijëra turistë të huaj u evakuuan nga ishulli i Rodosit, ku një zjarr u dogj për një javë, duke djegur hotele dhe pyje./REL/