ATV

Author: G.O.

  • Rohde: Takimi i Kurtit me delegatët euro-amerikan nënvizon angazhimin për zgjidhje të qëndrueshme

    Rohde: Takimi i Kurtit me delegatët euro-amerikan nënvizon angazhimin për zgjidhje të qëndrueshme

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimi i sotëm ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me pesëshen diplomatike nënvizon angazhimin e palodhshëm për zgjidhje të qëndrueshme.

    “Mbledhja e sotme e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesve nga Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Italia, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, nënvizon angazhimin e palodhshëm për zgjidhje të qëndrueshme dhe në këtë mënyrë përshpejtimin e integrimit të plotë në familjen euroatlantike”, ka shkruar Rohde.

  • Deri në 100,000 njerëz protestojnë pro Palestinës në Londër

    Deri në 100,000 njerëz protestojnë pro Palestinës në Londër

    Rreth 100,000 njerëz marshuan sot në Londër në mbështetje të Palestinës, duke bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës.

    Marshimi filloi në Marble Arch përpara se të shkonte në Whitehall dhe të përfundonte në Sheshin e Parlamentit.

    Policia Metropolitane vlerësoi se deri në 100,000 njerëz i ishin bashkuar protestës që nga ora 14:00 me orën lokale, duke rritur vlerësimin e tyre të mëparshëm prej 70,000.

  • Gjendet një trup i pajetë në Prishtinë

    Gjendet një trup i pajetë në Prishtinë

    Sot rreth orës 15:00, në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë është gjetur një person pa shenja jete.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet emergjente.

    Trupi i pajetë është gjetur brenda një banese në rrugën e lartcekur.

  • Gjenden mbetjet mortore të 4 viktimave nga lufta e fundit në Bishtazhin të Gjakovës

    Gjenden mbetjet mortore të 4 viktimave nga lufta e fundit në Bishtazhin të Gjakovës

    Në Bishtazhin të Gjakovës, për herë të dytë prej vitit 1999 janë rikthyer gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore nga lufta e fundit në Kosovë.

    Deri më tani, janë gjetur eshtra kockore të rreth katër viktimave, që i përkasin periudhës së luftës.

    Kështu bëri të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, derisa tregon se gërmimet në këtë lokacion ende nuk kanë përfunduar.

    Gara në një intervistë për KosovaPress tha se lokacionin është përcaktuar me ndihmën e satelitëve dhe me përkrahjen nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Ai shtoi se gërmimet kanë filluar më datën 14 shtator dhe po vazhdojnë ende.

    “Gërmimet që janë duke u realizuar që nga data 14 shtator, diku më datë 4 tetor është hasur në mbetje mortore ose në pjesë kockore. Pra, është konfirmuar ekzistimi i kësaj varreze masive. Esenciale ka qenë për të përcaktuar saktë lokacionin e dyshuar kanë qenë pamjet apo imazhet satelitore, të cilët i kemi siguruar me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nga arkivat ndërkombëtare… Për momentin është herët të përcaktohet numri i personave si individ ose viktimave të zhvarrosura deri më tani. Megjithatë, sipas të dhënave nga ana e doktorëve ose antropologëve tanë mjekoligjor… numri i individëve do të jetë të paktën katër deri më tani. Meqë edhe në ditët në vijim do të vazhdojnë gërmimet dhe vlerësimet në këtë lokacion”, potencoi Gara.

    Ndërsa, zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti tha se në këtë lokacion janë gjetur vetëm pjesë kockore, që nuk i përkasin trupave të plotë, derisa shtoi se çështja e identifikimit të tyre do të merr muaj për t’u kryer procedurat jashtë vendit.

    “Të gjitha mbetjet kockore janë duke u tërhequr dhe duke u dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore, ku më vonë do të ekzaminohen. Për momentin kemi gjetje vetëm të pjesëve kockore, por që nuk i përkasin trupave të plotë. Sidoqoftë, ekzaminimi i plotë i këtyre mbetjeve kockore do të bëhet vetëm sa të përfundoj lokacioni në Bishtazhin, pasi të përmbyllet lokacioni, do ta kemi një pasqyrë të qartë se me sa individë kemi të bëjmë në këtë lokacion. Pasi të ekzaminohen mbetjet skeletore në Institutin për Mjekësi ligjore do të merren edhe mostrat kockore që do të dërgohen për analizë gjenetike, ku pastaj kjo analizë pritet të zgjasë disa muaj, dhe në fund priten rezultatet që lidhen me identifikimin e këtyre mbejteve mortore”, theksoi Haliti.

    Gërmimin në Bishtazhin të Gjakovës, Gara e quan projekt madhor dhe sfidues, derisa shtoi se janë rikthyer në këtë lokacion pas 24 vitesh.

  • Pesë emisarët arrijnë në Beograd, fillojnë takimin me Vuçiqin

    Pesë emisarët arrijnë në Beograd, fillojnë takimin me Vuçiqin

    Pesëshja e emisarëve perëndimorë ka arritur në Beograd.

    Ata rreth orës 14:30 kanë arritur në presidencën serbe dhe kanë filluar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic.

    Pesëshja e udhëhequr nga Lajcak dhe e përbërë nga Escobar, Plotner, Bone dhe Cattaneo gjatë paradites kanë qëndruar në Prishtinë ku janë takuar me kryeministrin Albin Kurti, të cilit i kanë propozuar edhe një plan të ri për atë se si duhet ecur përpara me dialogun.

    Lajcak ka thënë se të njëjtin plan do t’ia dorëzojnë edhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic prej të cilit presin gjithashtu komente.

    Presidenti serb pak para këtij takimi kishte dramatizuar duke thënë se s’ka fjetur me netë të tëra dhe se ky takim i sotëm do të jetë prej ditëve më të vështira për të dhe për Serbinë

  • Mbi 4 mijë palestinezë të vdekur, mes tyre 1.756 fëmijë

    Mbi 4 mijë palestinezë të vdekur, mes tyre 1.756 fëmijë

    Të paktën 4,385 persona janë vrarë dhe 13,651 janë plagosur si pasojë e bombardimeve izraelite të Gazës që nga 7 tetori, tha sot Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

    Nga numri i përgjithshëm i viktimave 1,756 ishin fëmijë dhe 976 gra, shtoi ministria e shëndetësisë.

    Autoritetet lëshuan gjithashtu një deklaratë duke kritikuar përjashtimin e karburantit nga ndihmat humanitare që dërgohen në Gaza.

    Ato argumentuan se do të vendoste jetën e të sëmurëve dhe të plagosurve në rrezik.

    “I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Egjiptit që të punojnë menjëherë për të sjellë karburant dhe nevoja urgjente shëndetësore përpara se të humbin më shumë viktima në spitale”, thuhet në deklaratë.

  • ALDE miraton rezolutën për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen

    ALDE miraton rezolutën për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen

    Këshilli i Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE) miratoi me shumicë të plotë një rezolutë urgjente për pranimin e Bullgarisë në Shengen, të propozuar nga Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (MRF), tha zyra e shtypit e eurodeputetit Ilhan Kyuchyuk, të shtunën.

    Partitë anëtare të Aleancës i bëjnë thirrje Këshillit Evropian që të heqë menjëherë veton për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, duke theksuar faktin se vetoja e pajustifikuar ndaj dy vendeve ka një sërë pasojash negative, pasi shkel sundimin e ligjit, dëmton reputacionin e BE-së, nxit propagandën antievropiane, diskriminon qytetarët dhe bizneset.

    ALDE argumenton se pranimi i të dy vendeve në Shengen do të forcojë kufijtë e jashtëm të BE-së, do të përmirësojë bashkëpunimin midis autoriteteve të zbatimit të ligjit, dhe do të nxisë rritjen ekonomike dhe tregtinë. /BTA

  • Muaji rozë, mamografia nuk është proces i dëmshëm e as i dhimbshëm

    Muaji rozë, mamografia nuk është proces i dëmshëm e as i dhimbshëm

    Aleanca e Gruas së Kosovës me mbështetje të Institutit Ndërkombëtar Demokratik (NDI), në kuadër të fushatës sensibilizuese për kancerin e gjirit, organizoi sot një panel diskutimi me temën ‘’Zbulimi i hershëm shpëton jetë, bashkë jemi më të forta”.

    Kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës, Diellza Kukaj tha se emocionohet sa herë që dëgjon historitë prekëse të grave që kanë fituar betejën ndaj kancerit të gjirit.

    “Sinqerisht, emocionohem shumë sa herë që dëgjoj historitë prekëse të grave të forta dhe luftarake, të cilat kanë triumfuar betejën mbi këtë sëmundje. Janë ato gra, të cilat nuk flasin vetëm për vetën, por flasin për qindra e mijëra gra të tjera në Kosovë, por edhe më gjerë… Jo shumë kohë më parë, nuk flitej më tutje për këtë sëmundje, me raste të caktuara nuk ndaheshin as momente të vështira, sikur ky të ishte një detaj familjar, i cili nuk do të shërbente për asgjë nëse nuk do të ndahej me të tjerët…Muaji rozë le të shndërrohet në fushatë simbolike që na vetëdijeson të gjithëve për kujdesin e shtuar që duhet të kemi ndaj trupit tonë në çdo ditë të vitit”, tha Kukaj.

    Ndërkaq, onkologu Behar Raci tha se numri i të prekurve me kancer të gjirit është në rritje, jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel botëror.

    “Kjo fushatë e ndërgjegjësimit nga viti në vit ka shkuar duke u rritur dhe mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë. Kështu së bashku, duke e rritur sensibilizimin ne ndikojmë pozitivisht duke zbuluar në stadet sa të më hershme ose duke zvogëluar edhe incidencën që do të na ndihmojë në trajtim. Sëmundja e kancerit të gjirit është një ndër sëmundjet më sfiduese që sot përballet jo vetëm Kosova dhe rajoni, por përballet gjithë njerëzimi. Sëmundjet kanceroze në botë, janë në vendin e dytë, si për nga vdekshmëria edhe numri i rasteve”, tha Raci.

    Ndërsa, drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkendije Naza tha se mamografia duhet të bëhet edhe pa pasur simptoma, pasi nuk është proces i dëmshëm, por as i dhimbshëm.

    “Gjëja më e parë që do të donim ta bënte një pacient që të shkonte te mjeku pa pasur asnjë simptomë, ta mbërrijë moshën 40-vjeçare pa asnjë simptomë ta bëjë një mamografi. Kjo është rruga më e shpejtë, më e shkurtër dhe më e saktë e diagnostikimit të pacientit…Mamografia është metodë që bëhet me rreze Rëntgen, për sqarim për të gjithë, rrezet Rëntgen që përdoren për mamografi janë rreze të dobëta, aq të buta sa që absolutisht asnjë efekt anësor nuk e kanë te shëndeti i femrës”, potencoi Nuza.

    Drejtoresha e Organizatës “Renesansa”, Violeta Pirana ndau përvojën e saj kur ishte prekur nga kanceri i gjirit, derisa tha se marrja e lajmit të diagnostikimit me këtë sëmundje ‘është një ankth i madh’.

    “Kur merr një grua diagnozën e kancerit, atëherë ajo është një ankth i madh, që rrënon të gjitha ëndrrat, rrënon të gjitha synimet që ka pasur në jetë, sepse kanceri i gjirit atakon më së shumti mbi moshën 50-vjeçare deri në 60… Në momentin kur merr një lajm të hidhur që ke kancer, e vetmja gjë që të shkon në mendje në të mijtën e sekondës se edhe sa vjet më kanë mbetur të jetoj. Për këtë gjë nuk flet pacienti, kjo gjë e mundon”, u shpreh Pirana.

    Ndryshe, tetori është i njohur si muaji rozë që ka për qëllim trajtimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

  • Ancelotti për spekulimet me Brazilin: Gjithçka përfundon së shpejti

    Ancelotti për spekulimet me Brazilin: Gjithçka përfundon së shpejti

    Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka folur për të ardhmen e tij dhe spekulimet që po e lidhin me stolin e Kombëtares së Brazilit.

    Vazhdimisht përflitet së Ancelotti do të bëhet trajneri i ri i Brazilit, ndërsa trajneri i Realit tha se spekulimet do të përfundojnë së shpejti, raporton KosovaPress.

    “Të gjitha spekulimet do të përfundojnë së shpejti”, tha Ancelotti.

    I pyetur nëse dëshiron ta vazhdojë karrierën te Reali, Ancelotti tha:

    “Jam tejet i lumtur këtu. Jam gjithashtu pak vetjak, kështu që gjithmonë duhet ta bësh më të mirën. Unë nuk flas gjithmonë për të ardhmen time”.

  • De Zerbi: Guardiola është trajneri më i mirë në botë

    De Zerbi: Guardiola është trajneri më i mirë në botë

    Një ditë më parë trajneri i Man City-t, Pep Guardiola lavdëroi homologun e tij tek Brightoni, Roberto De Zerbi.

    Madje, Guardiola tha se strategu italian do të jetë trajneri i ardhshëm i Man City-t.

    Ndërkohë, pak orë para ndeshjes se Brightonit me Cityn, De Zerbi thuru elozh për Guardiolën.

    Sipas italianit, strategu spanjoll është trajneri më i mirë në botë.

    “Pep është trajneri më i mirë në botë. Ai është referencë jo vetëm për mua, por besoj për të gjithë trajnerët. Jam i lumtur kur ai flet për mua”, ka thënë De Xerbi.

    Ai thotë se ende duhet punuar shumë tek Brightoni që kjo skuadër të rritet akoma më shumë.

    “Ne do punojmë për t’u përmirësuar, skuadra ende nuk është një ekip i madh. Ne po punojmë me pasion, por e dimë që jemi Brighton dhe duhet të bëjmë shumë sepse sezoni është i vështirë”, ka theksuar italiani.