ATV

Author: G.O.

  • Joshua Kimmich pritet të largohet nga Bayern Munich

    Joshua Kimmich pritet të largohet nga Bayern Munich

    Joshua Kimmich pritet të largohet nga Bayern Munich në fund të këtij edicioni.

    Ai është pjesë Bayernit tash e nëntë vite, por si asnjëherë më parë, këtë sezon marrëdhëniet e tij me klubin shpeshherë janë paraqitur si të acaruara.

    Kur bavarezët pësuan humbje ndaj Bayer Leverkusenit me rezultat 3-0 më herët gjatë këtij sezoni, mesfushori gjerman ishte përfshirë në një përleshje me asistentin e Thomas Tuchel.

    Duke marrë parasysh pakënaqësitë e lojtarit dhe faktin se kontrata e tij skadon në qershor të vitit të ardhshëm dhe duket se palët nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët, shitja e tij po duket të jetë opsioni më i mundshëm.

    Bayerni është i gatshëm që të lejojë shitjen e Kimmich gjatë verës, nëse vjen oferta e duhur.

    Klube si Manchester City, Liverpool, Arsenal, Real Madrid dhe Barcelona, janë në mesin e klubeve që i pëlqejnë lojtarit.

    Disa prej këtyre klubeve besohet se tashmë kanë kontaktuar lojtarin, teksa kujtojmë se më herët ishte raportuar se Barcelona ka shprehur interesim më konkret për shërbimet e tij.

  • Liverpool dhe Manchester United, të interesuar për Brahim Diaz

    Liverpool dhe Manchester United, të interesuar për Brahim Diaz

    Pas një fillimi shumë të vështirë, Brahim Diaz është duke shkëlqyer me fanellën e gjigantit spanjoll Real Madrid.

    Mesfushori i avancuar u rikthye në Santiago Bernabeu pas tre viteve të kaluara si i huazuar te Milani dhe tani është bërë një titullar i rëndësishëm te Los Blancos.

    Tani mesfushori maroken me pasaportë spanjolle ka arritur që në 33 ndeshje zyrtare të realizoi edhe nëntë gola dhe të dhuroj katër asistime me Los Blancos.

    E ardhmja e mesfushorit mund të jetë në elitën e futbollit anglez Premier League, pasi dy gjigantët anglez Liverpool dhe Manchester United janë të interesuara për shërbimet e tij.

    Megjithatë, bindja e 24-vjeçarit për t’u larguar nga Madridi nuk do të jetë një detyrë e lehtë, pasi vetë ai ka shprehur dëshirën për të qëndruar te bardhezinjtë dhe për të fituar tituj me ta.

    Edhe pse Diaz është i vetëdijshëm për interesimin e këtyre klubeve angleze, besnikëria e tij aktuale është te Real Madrid.

    Në rast se Diaz refuzon ofertat nga Liverpool dhe Manchester United, të dy klubet kanë në mendje alternativa. Liverpool është i interesuar për Jamal Musiala të Bayern Munichut, ndërsa Manchester United synon Michael Olise të Crystal Palace.

    Megjithatë, e ardhmja e Diaz në tregun e transferimeve të verës mbetet e panjohur pasi dy gjigantët anglezë vazhdojnë kërkimin e tyre për përforcime për të forcuar skuadrat e tyre përkatëse.

  • Osmani: Rinia – kapitali jonë i çmuar, potenciali pa të cilin Kosova s’mund të bëjë hapa përpara

    Osmani: Rinia – kapitali jonë i çmuar, potenciali pa të cilin Kosova s’mund të bëjë hapa përpara

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ditën e djeshme qëndroi në Lipjan, ku bashkë me të parin e kësaj komune, Imri Ahmeti, zhvilluan disa aktivitete.

    E para e shtetit pos tjerash, pati edhe bashkëbisedim me të rinjtë e kësaj komune si dhe me gratë ndërmarrëse.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo tha se rinia është kapitali jonë i çmuar, dhe potenciali pa të cilin Kosova nuk mund të bëjë hapa përpara.

  • ​Genc Nuza delegohet nga UEFA për ndeshjen kualifikuese të Euro 2025

    ​Genc Nuza delegohet nga UEFA për ndeshjen kualifikuese të Euro 2025

    Referi kosovar, Genz Nuza është deleguar nga UEFA për të ndarë drejtësinë në ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian Euro 2025 për grupmoshat U21.

    Gjyqtar i njohur për integritetin dhe drejtësinë e tij në fushë, Nuza do të ndaj drejtësinë në ndeshjen mes Belgjikës dhe Maltës në grupmoshat U21, raporton KosovaPress.

    “Ky delegim vë në dukje besimin në rritje të UEFA-s në aftësitë dhe profesionalizmin e gjyqtarëve kosovarë”, shkroi FFK në një komunikatë.

    Po ashtu, drejtësinë në këtë ndeshje së bashku me Nuzën do ta ndajnë edhe asistentët e tij, Edmond Zeqiri dhe Granit Hyseni, derisa Mentor Ajeti, do të jetë gjyqtar i katërt.

  • Dëmtohen disa pajisje të antenës së Policisë në Mitrovicë

    Dëmtohen disa pajisje të antenës së Policisë në Mitrovicë

    Një punëtor i PTK-së ka njoftuar se disa persona të dyshuar kanë bërë disa dëmtime në pajisjet e antenës së policisë si dhe janë këputur kabllot furnizuese të rrymës.

    Në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 20:30 në fshatin Melanicë, në Mitrovicë.

    Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore.

    Ndërkaq, lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe sipas udhëzimeve të tij, rasti kualifikohet si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes”.

  • Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Pjetër Shalës i vazhdohet paraburgimi

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit për Pjetër Shalën.

    Vendimi është marrë më 18 mars 2024 nga kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Paneli përmes kësaj: a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit; b. URDHËRON ZPS-në dhe avokatin e viktimave, nëse dëshiron, të paraqesin parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se e premtja, 3 maj 2024; c. URDHËRON mbrojtjen që të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të të akuzuarit, nëse dëshiron, jo më vonë se e premtja, 10 maj 2024; dhe d. VENDOSET që çdo përgjigje, nëse ZPS-ja dhe avokati i viktimave dëshirojnë, do të dorëzohet jo më vonë se e marta, 14 maj 2024”, thuhet në vendim.

    Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se Paneli ka konstatuar se ekziston rreziku për pengim të procesit të procedurave pranë DhSK-së si dhe rreziku për kryerjen e krimeve të mëtejshme nga i akuzuari.

    Ndërsa, sa i përket lirimit në arrest shtëpiak e cila ishte kërkesë e mbrojtjes së të akuzuarit, Paneli ka konstatuar se në atë mënyrë nuk mund të ofrohet monitorim efektiv i komunikimeve të tij.

    Sipas tyre, kjo gjë është e mundshme vetëm në objektet e paraburgimit në DhSK.

    “Në këtë drejtim, Paneli rikujton konsideratat e tij të mëparshme në lidhje me lirimin me kusht, duke përfshirë vlerësimin e tij për kushtet alternative të propozuara nga mbrojtja. Në mënyrë të veçantë, duke pasur parasysh faktorët e rrezikut të identifikuar më lart, Paneli konsideron se kushtet e propozuara nga mbrojtja, duke përfshirë vendosjen e të akuzuarit në arrest shtëpiak në rezidencën e tij në Belgjikë: (i) nuk trajtojnë mundësinë që i akuzuari të përdorë pajisje komunikimi që i përkasin të tjerëve ose duke u kërkuar të tjerëve që të përdorin pajisjet e tyre për këto qëllime; dhe (ii) nuk mund të sigurojë monitorimin efektiv të komunikimeve të të akuzuarit. Përkundrazi, garanci dhe masa të tilla janë të mundshme vetëm në objektet e paraburgimit të DhSK-së”, thuhet në vendim.

  • ShBA-ja shkatërron raketa dhe dronë të Huthëve

    ShBA-ja shkatërron raketa dhe dronë të Huthëve

    Ushtria amerikane tha se ka shkatërruar shtatë raketa dhe tre dronë në zonat në Jemen që kontrollohen nga rebelët e Huthit, të cilat tha se paraqisnin rrezik për anijet tregtare dhe ato të Marinës amerikane.

    Rebelët e Huthit, që mbështeten nga Irani, që nga nëntori po sulmojnë anijet në Detin e Kuq, për siç kanë thënë, në shenjë solidariteti me palestinezët pas nisjes së luftës në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së vepruan “në vetëmbrojtje” kur u përfshin dhe shkatërruan raketa dhe dronë, por edhe tre kontejnerë me armë në zonat e kontrolluara nga Huthët, tha komanda përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

    “U përcaktua se këto armë paraqisnin rrezik të menjëhershëm për anijet tregtare dhe ato të Marinës amerikane që gjenden në rajon. Këto veprime u ndërmorën për të mbrojtur lirinë e lëvizjes dhe për t’i bërë ujërat ndërkombëtare më të sigurta për Marinën amerikane dhe anijet tregtare”, tha Komanda Qendrore amerikane.

    Sulmet e Huthëve kanë detyruar anijet që kalojnë përmes rrugës kyçe tregtare në Detin e Kuq, që të ndryshojnë rrugëtimin e tyre, duke rritur kostot, në mënyrë që të shmangin sulmet.

    SHBA-ja dhe Britania kanë kryer sulme të vazhdueshme ndaj caqeve të rebelëve të Huthit në Jemen në përgjigje të sulmeve ndaj anijeve./REL

  • Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua

    Një burrë është arrestuar në Podujevë pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një grua.

    “SULM SEKSUAL/ Podujevë 17.03.2024. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Shahini: Shqetësuese rënia e fuqisë blerëse e mungesa e punëtorëve, jemi bërë konsumatorë të produkteve të huaja

    Shahini: Shqetësuese rënia e fuqisë blerëse e mungesa e punëtorëve, jemi bërë konsumatorë të produkteve të huaja

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë se gjendja e bizneseve nuk është e mirë për shkak të krizave të shpeshta. Ai thotë se kosovarët janë bërë konsumatorë të produkteve të huaja për shkak të përqindjes së lartë të importeve.

    Ai thotë se këtë vit ka rënë edhe fuqia blerëse dhe se kjo po shihet si brengë për shtetin.

    Shqetësuese e sheh edhe mungesën e punëtorëve, teksa ka kritika edhe për mënyrën se si po adresohet kjo çështje nga institucionet.

    “Bizneset e Kosovës janë në gjendje jo të mirë për shkak të krizave të njëpasnjëshme por edhe për shkak të rënies së fuqisë blerëse e cila ka rezultuar që këtë vit të kemi më pak konsumatorë dhe kjo është një breng për të gjithë qytetarët e vendit dhe vet shtetin e Kosovës duke u varfëruar çdo vit. Pothuajse në gjithë sektorët ka kërkesa të vazhdueshme për punëtoret por zakonisht bizneset kërkojnë punëtorë të lirë por nuk ka më punëtorë të mirë, ata janë punëtorë të cilët duhet të paguhen, aftësohen për tregun e punës dhe bashkërisht të kemi fuqi të punës më aktive e produktive duke i dhënë shtytje zhvillimit ekonomik të vendit”, thotë Shahini.

    Shahini ka treguar edhe për ndikimin që kanë pasur luftërat në për botë në ekonominë vendëse.

    “Luftërat të cilat po ndodhin në Ukrainë-Rusi, Palestinë-Izrael janë vende që po ndikojnë në mënyrë indirekte në Kosovë, sidomos lufta në Ukrainë ka ndikuar në çrregullimin e tregjeve globale dhe ato kanë pësuar rritje të çmimeve rënieve të produktivitetit dhe sanksionet që janë marrë në vendet tjera kanë ndikuar që të kenë mungesë të produkteve dhe shtrenjtim të tyre.

    I pyetur rreth qasjes institucionale drejtuar bizneseve në vend, Shahini deklaroi se po mungon një “hallkë lidhëse” e cila po tërheq probleme tjera.

    “Partneriteti mes sektorit privat dhe publik nuk është në nivelin e duhur, mungon një hallkë lidhëse mes sektorit privat dhe institucioneve qendrore, me qeverisje lokale kemi raporte mira e po ashtu edhe bizneset, por shumicën e rasteve dhe problemeve prodhohen nga qendra, nga institucionet qendrore dhe bizneset kanë probleme të njëpasnjëshme, me zvarritje të licencave, leje të punës, ndryshimet ekonomike ato fiskale, dhe këto probleme besoj se do të filloj të mendon për sektorin privat më mirë dhe të jetë nxitës i zhvillimit  ekonomik të prodhimit vendor e po ashtu edhe investimeve të huaja”.

    Shahini i ka quajtur qytetarët e Kosovës si konsumatorë të produkteve të huaja. Thotë se importet aktualisht janë 90 për qind.

    “Qeveria ka fuqi të nxit zhvillim në vend, nxit prodhimtari vendore, stimuloj këtë formë që të kem më pak importe. Aktualisht importet e Kosovës janë rreth 90 për qind e ky trend nuk po zbritet dhe neve na mbetet të jemi konsumatorë të produkteve të huaja. Kosova brenda vitit të kaluar ka importuar mbi 5.7 miliardë euro produkte të ndryshme dhe këto produkte janë në konsum të qytetarëve të vendit, mendoni sikur këto të ishin në qarkullim të brendshëm dhe sa do fuqizohej ekonomia e vendit prandaj strategjia e zhvillimit ekonomik për bizneset dhe ekonominë e brendshme mungon, ashtu sikur ligji për tregti të brendshme”, thotë ai.

  • Policia jep detaje për aksidentin në Milloshevë

    Policia jep detaje për aksidentin në Milloshevë

    ATV-ja pak më parë raportoi për një aksident trafiku në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, konkretisht afër fshatit Milloshevë, ndërsa tani Policia jep detaje.

    Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha se në këtë aksident janë përfshirë katër vetura, ndërsa janë lënduar tre persona.

    “Sot rreth orës 08:00 në rrugën nacionale Mitrovicë – Prishtinë saktësisht në fshatin Milloshevë ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë 4 automjete. Si pasojë e aksidentit janë lënduar tre persona dhe janë shkaktuar dëme materiale”, ka thënë Ahmeti.

    Sipas Ahmetit, me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.

    Aksident trafiku në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, raportohet për të lënduar