ATV

Author: E.R.

  • Analisti amerikan, Serwer: SHBA-ja ka braktisur neutralitetin, dënon Kosovën dhe jo Serbinë

    Analisti amerikan, Serwer: SHBA-ja ka braktisur neutralitetin, dënon Kosovën dhe jo Serbinë

    Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimin Evropian.

    Kështu e ka nisur analizën e tij, profesori amerikan, Daniel Serwer, i cili i është referuar reagimit të shefit të diplomacisë amerikane, Anthony Blinken pas zhvillimeve në veri të Kosovës.

    “Ky dënim ishte një kundërpërgjigje ndaj Qeverisë së Kosovës që vendosi kryetarë të zgjedhur të komunave në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës. Popullsia serbe pothuajse tërësisht i bojkotoi zgjedhjet, nën presionin e Beogradit. Amerikanët i kishin mbështetur zgjedhjet pa kritikuar Beogradin, por më pas kundërshtuan marrjen e detyrës nga kryetarët (shqiptarë). Ndërsa senatori Murphy ka pohuar se lëvizja e Kurtit ishte e papritur, kryeministri e bëri të ditur këtë dy ditë më parë”, pohoi profesori i Universitetit Johns Hopkins School.

    Asnjë dënim nga SHBA për lëvizjet e Serbisë

    Ai më tutje ka folur rreth lëvizjeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka mbajtur një tubim në Beograd dhe ka bartur me autobusë qytetarët serbë të Kosovës dhe kjo nuk u dënua prej amerikanëve.

    “Autobusët po transportonin serbët nga Kosova për në Beograd, pa pengesa, për tubimin e presidentit Vuçiq. Në të njëjtën kohë, Beogradi i ka vënë forcat e saja të armatosura në gatishmëri, në kundërshtim të qartë me marrëveshjen e normalizimit të sponsorizuar nga BE-ja që supozohet se e ka pranuar. Ajo gjithashtu ka mobilizuar banditë e saj në veri të Kosovës për të penguar fizikisht ardhjen e kryetarëve të zgjedhur atje”, pohoi ai.

    Analisti ka deklaruar se SHBA-ja nuk i dënoi këto lëvizje të shtetit serb, por vetëm të autoriteteve kosovare.

    “Nuk ka pasur asnjë dënim të SHBA-së për lëvizjet e Serbisë, por vetëm të Kosovës. Uashingtoni në thelb ka braktisur çdo pretendim të neutralitetit dhe ka miratuar disa nga prioritetet e Beogradit si të tijat. Kjo nuk është e vërtetë vetëm për vendosjen e kryetarëve të komunave, por edhe për Asociacionin e propozuar të Komunave me Shumicë Serbe brenda Kosovës dhe iniciativën e Ballkanit të Hapur që Serbia po promovon për të zgjeruar kontrollin e saj mbi serbët në vendet fqinje. Mbështetja e synimeve etno-nacionaliste të ‘botës serbe’ të Beogradit është bërë politika e Uashingtonit për Ballkanin.

    Kurti e ka logjikën, por a ka aftësi?

    Nuk jam i vetëdijshëm për mendimin aktual të kryeministrit Kurti për çështjen specifike të kryetarëve të komunave. Por, ai është një liberal demokrat i vdekur që beson në të drejta të barabarta sipas ligjit. Ai është gjithashtu ajo që unë do ta quaja një “sovranist”. Kurti beson se Kosova është dhe duhet të veprojë si një shtet sovran. Këto dy karakteristika e bëjnë vendosjen e kryetarëve të bashkive një lëvizje logjike, deklaron ai.

    “Megjithatë, logjika e vetme nuk mund të diktojë politikën. Aftësia gjithashtu ka rëndësi. Ai është i kufizuar në dy mënyra: Kosova ka forca të kufizuara policore në dispozicion për t’u marrë me dhunën serbe kundër kryetarëve të komunave dhe padyshim që ka shumë të kufizuar mbështetjen ndërkombëtare për instalimin e tyre. Një vend i vogël si Kosova nuk mund të përballojë të veprojë pa vetëdije për kufizimet e veta”, pohoi profesori amerikan.

    Amerikanët kanë aftësi, por u mungon logjika

    “Amerikanët mund t’ia vështirësojnë jetën Kurtit. Por, pozicioni i tyre mungon në logjikë. Si i mbështesni zgjedhjet dhe jo rezultatet e tyre legjitime? Si i përkrahni të drejtat e barabarta, por si e kundërshtoni vendosjen e zyrtarëve të zgjedhur për shkak të përkatësisë së tyre etnike? Si e dënoni veprimin e policisë për të mbrojtur kryetarët e zgjedhur, por jo rebelët që i sulmuan? Si pretendoni se marrëveshja e normalizimit, e cila përfshin një zotim për të mos përdorur forcën ushtarake, është ligjërisht e detyrueshme, por nuk e pengon mobilizimin serb të forcave të saj të armatosura në përgjigje të një konflikti politik brenda Kosovës?”, ka pyetur Serwer.

    “Shtetet e Bashkuara pretendojnë se mbështesin të drejta të barabarta dhe respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha shteteve ekzistuese në Ballkan. Duhet të nxjerrë përfundime logjike”, përfundoi ai.

  • Kurti për zhvillimet në Veri: I kuptoj shqetësimet e partnerëve, por çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve

    Kurti për zhvillimet në Veri: I kuptoj shqetësimet e partnerëve, por çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri, por se çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve

    Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.

    “Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë.

    Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.

    Kurti ka bërë me dije se të gjitha rrugët në veri janë të kalueshme, derisa ka falenderuar pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës “për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit”.

    “Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit”, thuhet në postimin e Kurtit.

  • KFOR-i për veriun: Situatë tejet e rrezikshme

    KFOR-i për veriun: Situatë tejet e rrezikshme

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka cilësuar tejmase të rrezikshme situatën që ka mbizotëruar të premten në veri të Kosovës, pas tensioneve që përcollën futjen e kryetarëve të rinj të komunave veriore në objektet e komunave.

    Në një komunikatë për media në mbrëmje, KFOR-i ka dënuar “veprimet e njëanshme” dhe ka bërë thirrje për përmbajtje.

    “KFOR-i është duke e monitoruar me kujdes situatën në komunat në veri të Kosovës, ku një seri përplasjesh janë shkaktuar nga hyrja me forcë e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është tejmase e rrezikshme për procesin e normalizimin dhe rrezikon përshkallëzim të mëtejmë të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto veprime të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Koordinimi midis të gjithë akterëve është thelbësor për ta shmangur përshkallëzimin e mëtejmë. Prioritet i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në reagim.

  • Dita kur gjykata konfirmoi padinë kundër Slobodan Milosheviqit

    Dita kur gjykata konfirmoi padinë kundër Slobodan Milosheviqit

    Gjykata e OKB-së mbi krimet e luftës në Hagë, më 27 maj të vitit 1999 ka konfirmuar se ka paditur presidentin jugosllav, Slobodan Milosheviq, si kriminel lufte.

    Më 1 prill të vitit 2001, Millosheviqi është arrestuar në Beograd. Ndërsa, me urdhrin e qeverisë serbe, me 28 qershor është ekstraduar për në Hagë, pasi paraprakisht është bërë publike aktakuza për krime lufte në Kosovë.

    Më vonë, Millosheviqi është akuzuar për krime edhe në Kroaci dhe gjenocid në Bosnje-Hercegovinë.

    Gjykimi kundër Millosheviqit në Hagë ka filluar me 12 shkurt të vitit 2002.

    Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje – Hercegovinë, ka zgjatur deri me 25 shkurt të vitit 2004. Mbrojtja e tij ka filluar me në fund të gushtit të atij viti.

    Gjykimi kundër Millosheviqit është ndërprerë me dhjetëra herë për shkak të problemeve kardiovaskolare dhe tensionit të lartë të gjakut.

    Më 11 mars të vitit 2006 në orën 9:30, Slobodan Milosheviq është gjetur i vdekur në qelinë e tij.

  • Kurti pret sot në takim Emisarin e Gjermanisë

    Kurti pret sot në takim Emisarin e Gjermanisë

    Kryeministri Albin Kurti do të takohet sot me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi do të mbahet në orën 10:00.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Mediat mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, ky takim vjen një ditë pas zhvillimeve në veri të vendit. Atje, Policia përdori gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës, në përpjekje për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat e tyre.

    Përkundër përleshjeve, kryetarët u vendosën në zyrat e tyre, konfirmoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

  • Ukraina gati për kundërsulmin e madh!

    Ukraina gati për kundërsulmin e madh!

    Ukraina është gati për ta nisur kundërofensivën e madhe të pritur kundër forcave të Rusisë.

    Këtë ia ka thënë BBC-së, Oleksiy Danilov, njëri nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në Kiev.

    Ai nuk ka thënë një datë por që ka thënë se një sulm për rimarrje të territorit të okupuar nga Vladimir Putin mund të nisë “nesër, pasnesër apo brenda javës”.

    Danilov ka bërë me dije se qeveria ukrainase “s’ka të drejtë gabimi” në vendimin e marrë ngase sipas tij kjo është një mundësi historike që nuk duhet humbur.

    Derisa ka dhënë intervistën për BBC-në përmendet se ka marrë një telefonatë nga presidenti Volodymyr Zelensky për të diskutuar rreth kundërsulmit.

    Daniloq është njeriu kryesor në kabinetin e Zelensky për luftën që po bën Ukraina.

  • Opozita: Kurti mashtron me shifrat për të punësuar, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë

    Opozita: Kurti mashtron me shifrat për të punësuar, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë

    Partitë opozitare në Kosovë po vlerësojnë se statistikat e publikuar nga kryeministri Albin Kurti, që për 21 muaj në Kosovë janë punësuar 37 350 persona, nuk qëndrojnë dhe janë mashtrim.

    Sipas Partisë Demokratike të Kosovës Qeveria është duke mashtruar publikun me këto shifra. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se shifrat për të punësuarit janë të krijuara ad-hoc, pasi sipas tyre, çdo ditë të rinjtë janë duke e lëshuar vendin. E nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se nuk dinë se nga i kanë marr Qeveria ato statistika, pasi sipas tyre, të dhënat nga tereni janë ndryshe.

    Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku, tha se numër i madh i të rinjve po ikin drejtë vendeve të BE-së, kjo për faktin se sipas tij, Qeveria nuk e ka mbështetur sektorin privat, i cili sipas tij, ofron më së shumti punësim.

    “Ne e shohim një ikje më të madhe të qytetarëve drejt Evropës dhe si sfidë e madhe e Kosovës mbetet emigrimi, në këtë drejtim si qeveri dhe Kuvendi duhet të luaj një rol drejt mbështetjes së sektorit privat, duke e ditur që sektori privat është sektori që më së shumit ofron punësim. Deri më tani nuk kemi parë që qeveria ka mbështetur drejtpërdrejt institucionet që të krijoj vende të sigurta të punës. Kemi parë që ka hapur një segment të ri që e ka quajtur ‘Super puna’ që realisht super punë konsiderohet një pagë mesatare 700 euro e  jo 264 euro kjo është vetëm për të nënçmuar të gjithë ata që angazhohen në këtë”, tha ai.

    Lushtaku tha se më shumë ka formalitet të të punësuarve se sa ka rritje të vërtetë të vendeve të punës, duke shtuar se në këtë rast nuk duhet që të mashtrohet publiku me këto shifra.

    Ai tha se vendi do të ballafaqohet me një krizë të vërtet pas liberalizimit të vizave nëse Qeveria nuk ndërmerr hapa që të krijojë kushte të favorshme për punëtorët.

    “Numri ka qenë në rritje, po më shumë ka formalitet të punësuarve se sa ka rritje të vërtet të të punësuarve. Këtu duhet të bëjmë dallimin sepse nuk mund të mashtroj ai edhe opinioni publik  me këto shifra sepse edhe Odat ekonomike edhe vetë bizneset më së miri din se çfarë vështirësive të mëdha kanë përballuar këto dy vitet e fundit gjatë qeverisjes se Kurtit duke pasur vështirësi të gjejnë edhe punëtorë. Ne e dimë shumë mirë që me liberalizimin e vizave, krenohemi si shtet që kemi arritur këtë sfidë, një vendim realisht i pa drejt deri më tani sepse ai është dashur të ndodhë në 2014”.

    “Sfidës i ndërlidhet me heqjen e vizave edhe pjesa e pa sigurisë se vendeve të punës dhe falimentimeve të bizneseve. Kosova do të ballafaqohet me një krize të vërtet nëse nuk arrin që bizneset ti rrisin pagat në sektorin privat dhe ti krijojnë kushte të favorshme për punëtoret të cilët duna të mbesin në Kosovë”, tha ai.

    Deputeti i LDK-së Besian Mustafa, tha se në lidhje me statistikat për të punësuarit nuk ka dakordim as ndëmrjet kryeministrit Kurti, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi e Ministrit të Financave Hekuarn Murati, pasi sipas tij, ata të tre kanë publikuar statistika të ndryshme.

    “Fillimisht do të duhej që të kishte një dakordancë mesë kryeministrit edhe zëvendësit të tij Bislimit dhe ministrit të financave sepse kemi parë numra të ndryshëm nga të tre. Pra do të duhej që të kishin të qartë mesë vete pra ju sugjeroj që të pini një kafe së bashku dhe të vendoseni se sa është numri i vërtet ose numri i saktë me të cilin do të dalin në publikë. Vetë fakti që nuk mund të pajtohen këta të tre që janë të një partie, të një pushteti dhe që të dy i ka emëruar vetë kryeministri tregon që shifrat janë të krijuara ad hoc aty për aty secili për vetë”, tha ai.

    Mustafa tha se nuk është e vërtet që janë krijuar dhjetëra, mijëra vende punë, pasi sipas tij, janë me mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo ditë.

    “Fatkeqësisht nëse kjo do të ishte e vërtet që qenkan krijuar me dhjetëra mijëra vende pune do të duhej që të përgjigjej kryeministri në një pyetje shumë elementare që fatkeqësisht zëvendësi i tij Bislimi ka dhënë një përgjigje jo serioze dhe qesharake. Është fakti që kemi me dhjetëra, mijëra të rijnë që po e lëshojnë Kosovën çdo vit duke e përfshirë dhe këtë mbi dy vjeçar të kësaj qeverie”.

    “Prandaj kam një pyetje për kryeministrin Kuri, nëse paska një zhvillim kaq të hovshëm ekonomik nëse paska vende kaq shumë të reja të punës të hapura në Kosovë pse rinia kosovare po e lëshon vendin, po e lëshon Kosovën me dhjetëra, mijëra çdo vit. Përgjigja do ta merr shumë të qartë, ku do të doja të dija edhe nga vetë kryeministri se ai përgjigjen nga rinia kosovare po e merr çdo ditë”, tha ai.

    Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, tha se ndërmarrjet ekonomike në vend nuk janë fare të kënaqur sa i përket investimeve e subvencionimeve nga Qeveria.

    Ai tha se këto statistika të bëra publike nga Kurti nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, të dhënat nga tereni e thonë të kundërtën.

    “Sa i përket qeverisë ajo është e thirru që të sheh vetëm pozitivisht, ndërsa nëse dalim në teren dhe i shohim edhe ndërmarrjet ekonomike, duke filluar nga ekonomit familjare, ndërmarrjet e mesëm dhe ndërmarrjet e mëdha e thënë të kundërtën dhe nuk janë fare të kënaqur sa i përket investimeve e sidomos subvencionimit të Qeverisë”.

    “Ajo që vlen të theksohet kjo Qeveri do të mbahet mend për mos pezmatueshmërinë e parasë publike që thuajse as gjë nuk po lëviz. Nuk dijë se nga i kanë marr këto statistika, mirëpo të dhënat që vijën nga tereni qytetarët dhe ndërmarrësit janë shumë, shumë të pa kënaqur me këtë qeveri dhe mund të them që kjo qeveri është qeveria më e dobët në historinë e qeverisej së shtetit të Kosovës”, tha ai.

  • Vendosja e kioskave të reja në Prishtinë rrezikon punën e shitësve ambulantë

    Vendosja e kioskave të reja në Prishtinë rrezikon punën e shitësve ambulantë

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI

    Projektit të ri të Komunës së Prishtinës për vendosjen e kioskave të reja, po i frikësohen shitësit ambulantë. Ata po kërkojnë që puna e tyre të mos ndërpritet gjatë implementimit të projektit. Për këtë, komuna ka premtuar zgjidhje.

    Musa Tullari është njëri nga shitësit ambulantë të librave në sheshin e kryeqytetit.

    Tullari shqetësim të vetëm e ka largimin e mundshëm nga kjo pjesë, derisa Komuna e Prishtinës t’i vendosë kioskat e reja.

    “Deri të vendosen kioskat e reja, atëherë ata duhet vetë me e rregullu këtë punë, që e bëjnë zëvendësimin me ato të reja, me na dhënë benefit diçka, me na financu për aq sa zgjat projekti, por nëse na lajnë pa kurrgjë, do të kemi vështirësi për të siguruar mirëqenien familjare”.

    Të njëjtin shqetësim e kanë edhe shitësit e tjerë, të cilët kërkojnë të mos mbesin pa punë, derisa të finalizohet projekti i ri i Komunës.

    “Punë tjetër nuk kemi, qitu jemi, nuk na kanë informu kurrgjë”.

    “Mendoj që montimi nuk zgjat shumë, por ne kurrsesi ta ndërprejmë, t’na thonë se zgjat 2-3 muaj e pastaj të vazhdojmë prapë, përndryshe do të jetë shumë problem”.

    Zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike kanë thënë për ATV-në, se projekti për vendosjen e kioskave të reja është në fazën fillestare, si dhe premtuan zgjidhje për shitësit kur të fillojnë punimet.

    “Shtëpizat e librave dhe organizimi i tyre pritet të ndodhë me riorganizimin e shitësve ambulantë, në të gjitha sheshet e kryeqytetit. Kioskat e reja për shitësit ambulantë që kanë qenë nëpër sheshe, janë në procedurë prokurimi. Shpejt pritet të nënshkruhet kontrata dhe të fillojnë punimet për kioskat e reja. Aktualisht, shitësit e librave janë të liruar nga pagesa, me qëllim lehtësimi për punën e tyre, për të cilët pritet të bëhet zgjidhje edhe gjatë kohës së realizimit të projektit”.

    Përveç sheshit “Zahir Pajaziti”, kioska të tilla pritet të vendosen edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.

  • FSK gati për ushtrimin më të madh ndërkombëtar, “Defender 23”

    FSK gati për ushtrimin më të madh ndërkombëtar, “Defender 23”

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Forca e Sigurisë së Kosovës tanimë është gati për ta organizuar ushtrimin më të madh ndërkombëtar “Defender 23” në të cilin do marrin pjesë edhe pesë vende që janë pjesë e NATO-s. Por, para se të nisë ushtrimi, FSK- do t’i prezantojë para qytetarëve një pjesë të pajisjeve ushtarake.

    I gjithë sheshi Skënderbeu, të dielën do mbushet me makineri dhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga ora 13:40, qytetarët në kryeqytet, do tw mund t’i shohin nga afër shumicën e pajisjeve ushtarake.

    Përveç Forcës së Sigurisë së Kosovës aty do të jenë edhe njësitë partnere që marrin pjesë në Kosovë kështu që do të kenë mundësi të shihen edhe njësitë pjesëmarrëse nga vendet e ndryshme, që do të jenë pjesë e ‘Defender Europe 23’… Do të kemi gjithashtu prezencë të ushtarakëve amerikanë që do të vijnë të na vizitojnë.

    Prezantimi i artilerisë, i paraprinë fillimin e ushtrimit më të madh ndërkombëtar “Defender 23”, i cili do tw organizohet në Gjakovë, dhe do tw zgjasë dy javë.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë me mbi 1300 pjesëtarë të saj në të gjithë këto aktivitete, mirëpo fokusi kryesor gjithmonë do të jetë Babaj i Bokës ku ne do të zbarkojmë regjimentin e parë të këmbësorisë për ta validuar, për të qenë të gatshëm për të zbatuar detyrat në kuadër të misionit të tij. Gjithashtu do të kemi njësi që do t’i zbarkojmë në Aeroportin e Gjakovës që do

    të jenë kryesisht njësi të regjimentit të qëndrueshmërisë së komandës së logjistikes e që gjithashtu do të validohen në detyrat e tyre të mbështetjes logjistike për regjimentin”.

    Për të marrë pjesë në ushtrim, në Kosovë do zbarkojnë edhe pesë vende që janë pjesë e NATO-s.

    “do të kemi njësi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të kemi njësi ushtarake që do të vijnë nga Shqipëria, do të kemi njësi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, do të kemi gjithashtu ekipe që do të vinë nga Kroacia dhe Turqia për t’u bashkangjitur njësive tona në ushtrim. Numri do të kalojë mbi 300 pjesëtarë të njësive të partnere të ndryshëm që do të zbarkojnë bashkë me ne në Babaj të Bokës”

    Ushtrimi ‘Defender Europe 23’ ka synim përgatitjen luftarake të vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere ndaj kërcënimeve konvencionale dhe jokonvencionale që mund të vijnë nga vende të ndryshme.

  • Kërkesa e serbëve për gërmime në Koshare konsiderohet e paarsyeshme

    Kërkesa e serbëve për gërmime në Koshare konsiderohet e paarsyeshme

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Kërkesat e organizatave serbe për personat e pagjetur dhe ato të institucioneve të Serbisë për gërmime në Koshare, po konsiderohen të paarsyeshme nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur. Sipas komisionit qeveritar kosovar zona e Koshares është e pastër, meqë aty është gërmuar disa herë, por kurrë s’u gjetën mbetje mortore. Një kthim i mundshëm në zonë, mund të ndodhë vetëm nëse ka informacione të reja.

    Me kërkesë të institucioneve të Serbisë, në Koshare u gërmua disa herë në kërkim të mbetjeve mortore të serbëve të zhdukur në luftë. Ndonëse pas gërmimeve nuk u gjet asgjë, familjarë të serbëve të zhdukur dhe organizata serbe kërkojnë sërish gërmime në lokacion të njëjtë.

    Kërkesat po konsiderohen paarsyeshme nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, meqë këtë zonë tanimë e konsiderojnë të pastër.

    Por ne e kemi përfundu Kosharen. Nuk kemi gjetë asgjë,. Ajo zonë është e pastër. Dihet se atje ka pasur luftë mes ushtrive. Dhe sipas ekspertëve atje që të ketë dyshime për varrezë masive.

    Kërkesat e vazhdueshme për gërmime në atë lokacion sipas Andin Hotit bëhen me qëllim për vonim të procesit.

    “Ne kemi qenë vitin e kaluar në Koshare. Në bazë të disa kërkesave të vazhdueshme vite me radhë të cilat i ka bërë Serbia me qëllim që ta prolongojë procesin.”

    Kthimi eventual në atë lokacion ndodhë vetëm nëse ka informacione të reja.

    “Ai lokacion është mbyllur vitin e kaluar. Dhe kemi gërmuar me javë të tëra derisa janë shterur te gjitha dyshimet. Ne aty mund të kthehemi vetëm nëse kemi lokacione të tjera.

    Nga 1617 personat që konsiderohen të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, rreth 350 janë serbë, 200 nga minoritetet tjera, dhe pjesa tjetër shqiptarë.