ATV

Author: D.K.

  • ChatGPT prezanton sistemin e parashikimit të moshës për të ndarë përvojën e të rinjve nga ajo e të rriturve

    ChatGPT prezanton sistemin e parashikimit të moshës për të ndarë përvojën e të rinjve nga ajo e të rriturve

    OpenAI ka nisur implementimin e një sistemi të ri të parashikimit të moshës në të gjitha planet konsumatore të ChatGPT, me qëllim identifikimin më të saktë të përdoruesve që mund të jenë nën moshën 18 vjeç. Ky hap shënon një ndryshim të rëndësishëm nga mbështetja vetëm te mosha e vetëdeklaruar, drejt mekanizmave automatike që bazohen në sjelljen reale të përdoruesve.

    Sipas OpenAI, sistemi i ri synon të aplikojë mbrojtjet e duhura për adoleshentët, ndërkohë që përdoruesit e rritur do të kenë një përvojë më pak të kufizuar. Zhvillimi vjen në një moment kur autoritetet rregullatore dhe ligjvënësit po rrisin presionin ndaj kompanive të inteligjencës artificiale për të garantuar siguri më të madhe për të miturit.

    Modeli i parashikimit të moshës analizon një kombinim faktorësh, përfshirë kohëzgjatjen e ekzistencës së llogarisë, modelet e përdorimit, oraret e aktivitetit dhe çdo informacion mbi moshën që përdoruesi mund të ketë dhënë më parë. OpenAI thekson se kjo metodë i lejon platformës të vlerësojë moshën pa kërkuar vazhdimisht deklarime apo verifikime identiteti, duke shmangur ndërprerjet e shpeshta në përdorim.

    Kompania e përshkruan këtë sistem si adaptiv dhe jo absolut. Në rastet kur sinjalet nuk janë të qarta, ChatGPT kalon automatikisht në një përvojë më të sigurt. Kur një llogari vlerësohet se i përket një të mituri, aplikohen kufizime shtesë për disa kategori përmbajtjeje që konsiderohen më të rrezikshme për adoleshentët. Këto përfshijnë dhunën grafike, përshkrime të vetëdëmtimit, role-play seksual ose të dhunshëm, sfida virale që mund të nxisin sjellje të rrezikshme, si dhe përmbajtje që promovon standarde ekstreme bukurie, dieta të pashëndetshme apo turpërim trupor.

    OpenAI thotë se këto masa janë ndërtuar me ndihmën e ekspertëve të zhvillimit të fëmijëve, duke u bazuar në studime që tregojnë se adoleshentët kanë një perceptim ndryshe të rrezikut dhe kontroll më të ulët të impulseve krahasuar me të rriturit.

    Kompania pranon se sistemet automatike mund të gabojnë. Përdoruesit që identifikohen gabimisht si nën 18 vjeç kanë mundësinë të rikthejnë qasjen e plotë përmes një procesi verifikimi të moshës, i cili realizohet përmes një kontrolli me selfie nga platforma Persona. Sipas OpenAI, ky proces është i shpejtë, i kthyeshëm dhe nuk kërkon ruajtje të përhershme të dokumenteve identifikuese, duke adresuar shqetësimet për privatësinë.

    Sistemi i ri është pjesë e një strategjie më të gjerë të OpenAI për mbrojtjen e përdoruesve të rinj. Kohët e fundit, kompania ka prezantuar edhe mjete kontrolli prindëror, që u mundësojnë kujdestarëve të menaxhojnë përdorimin e ChatGPT nga adoleshentët, përfshirë orare të kufizuara përdorimi dhe sinjalizime në raste shqetësimi emocional. Paralelisht, OpenAI ka krijuar një këshill të jashtëm ekspertësh për të studiuar ndikimin e inteligjencës artificiale në shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale.

    Zhvillimi vjen në një kohë kur OpenAI dhe kompani të tjera të fushës po përballen me vëzhgim të shtuar rregullator, përfshirë hetime nga Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA dhe procese ligjore të lidhura me sigurinë e përdoruesve. OpenAI ka bërë të ditur se do të vazhdojë të përmirësojë modelin e parashikimit të moshës, duke monitoruar saktësinë dhe përpjekjet për të anashkaluar kufizimet.

    Sistemi pritet të shtrihet edhe në Bashkimin Evropian në javët në vijim, në përputhje me kërkesat rregullatore rajonale. Ndërsa kompania e cilëson këtë përditësim si një hap të rëndësishëm, OpenAI thekson se ndërtimi i një inteligjence artificiale të ndjeshme ndaj moshës mbetet një proces i vazhdueshëm.

  • Trumpi dëshiron më shumë se Grenlandën – ai e do Hënën

    Trumpi dëshiron më shumë se Grenlandën – ai e do Hënën

    Joshja ndaj eksplorimit të hapësirës mbetet e fuqishme, veçanërisht për një president që kërkon me dëshpërim të lërë një trashëgimi pas vetes.

    Nga: Philip Johnston 
    Përkthimi: ATV

    Askund në Tokë nuk ke më shumë siguri për të vënë në perspektivë ankthin modern sesa në Egjipt. Vizita ime e fundit te piramidat e Gizës ishte për t’u mahnitur si nga mrekullia e jashtëzakonshme inxhinierike, ashtu edhe nga lashtësia e tyre. Ne jemi më afër në kohë me Kleopatrën, faraonen e fundit e cila vdiq dy mijë vjet më parë, sesa ajo ishte me Kufunë, ndërtuesin e Piramidës së Madhe – e vetmja e mbijetuar e Shtatë Mrekullive të botës së lashtë. Përmasat e historisë që shfaqen aty janë marramendëse.

    Kjo, padyshim, i bën të gjitha manovrat rreth kalimit të Robert Jenrickut te Reform-a, apo edhe përpjekjen e Donald Trumpit për të aneksuar Grenlandën, të duken si një gungë e vogël në rrugën e kohës. Me të vërtetë, nëse presidenti amerikan dëshiron të dijë se si duket me të vërtetë ngritja narcisiste, ai duhet të shkojë në Abu Simbel dhe të shohë statujat kolosale të Ramzesit II të gdhendura në shpatin e malit.

    Ka qenë një udhëheqës që dinte si ta projektonte imazhin e tij dhe të manipulonte të vërtetën. Grekët e quajtën atë Ozimandia, dhe në poezinë e tij të madhe me të njëjtin emër, Shelley tall ambiciet e tij grandioze dhe përkohshmërinë e pushtetit. Trumpi është Ozimandia i sotëm, deri te “buzërrudhur dhe ftohtas ngërdheshur”.

    Udhëtimi im në tokën antike të Egjiptit përkoi me vdekjen e Erich von Dänikenit, shkrimtarit populist që çoi para teorinë se piramidat u ndërtuan nga jashtëtokësorët. Në librin e tij Karrocat e zotave? [Chariots of the Gods?] ai sugjeroi se qytetërimi njerëzor është produkt i ndërhyrjes së qëllimshme nga jashtëtokësorët.

    Teza e tij qendrore ishte se vizitorët “e hapësirës”, në kohët e lashta kishin kryer një “eksperiment shumimi” mbi banorët e Tokës, “derisa më në fund ata prodhuan një krijesë mjaftueshëm inteligjente që t’i barteshin rregullat e shoqërisë”.

    Pyetja e tij “A ishte Zoti astronaut?” ushqeu dekada të tëra me teori konspirative të Epokës së Re, të përforcuara më pas nga interneti dhe rrjetet sociale. Ai mund të ekspozohej si diletant dhe mashtrues, por librat e tij vazhduan të pranoheshin nga një audiencë naive për të cilën ishte e pamundur për të besuar se egjiptianët e lashtë ishin në gjendje të bënin monumente të tilla.

    Megjithatë, ideja absurde që jashtëtokësorët që zotërojnë mjetet teknologjike për të udhëtuar nëpër kozmos do të linin pas një grumbull gurësh dhe një gjuhë misterioze si provë të pranisë së tyre, nuk dukej se i shqetësonte besimtarët. As fakti që eksplorimi hapësinor është pafundësisht më pak i mundshëm sesa mijëra egjiptianë duke përdorur litarë dhe saja për të tërhequr blloqe masive guri në pozicion në Piramidën e Madhe – pa marrë parasysh se sa e jashtëzakonshme mund të duket ajo përpjekje për ne sot.

    Vetëm në fantashkencë është e mundur të udhëtosh te ylli më i afërt. Në vitin 2012, sonda hapësinore Voyager 1 u bë objekti i parë i krijuar nga njeriu që doli nga Sistemi Diellor. Ajo u nis pothuajse 50 vjet më parë; megjithatë, më 15 nëntor të këtij viti do të jetë vetëm një ditë drite larg Tokës. Ylli më i afërt me një planet në orbitë që mund të mbajë jetë është më shumë se katër vjet drite larg.

    Pra, do të kalojnë mijëra vjet para se çdo qenie, që mund të ndajë këtë univers me ne, të dëgjojë tingujt e Koncertit të Dytë të Brandenburgut të Bahut ose të përpiqet të gjejë kuptimin e vizatimeve të përfshira në të ashtuquajturin Regjistri i Artë që sonda mban.

    Do të kishin menduar se, përballë pamundësisë së udhëtimeve në hapësirë, ne do t’i braktisnim ëndrrat tona dhe do të pranonim se nuk po shkojmë askund. Mbi të gjitha, janë 53 vjet nga ulja e fundit me ekuipazh në Hënë nga Apollo 17, një epokë të cilën ne, në mënyrë tepër optimiste, e pamë si fillimin e Epokës Hapësinore, por doli se ky ishte fundi i saj.

    Por, tundimi mbetet i fuqishëm, veçanërisht për dikë që kërkon me dëshpërim të lërë një trashëgimi, pra Donald J. Trump. Para Krishtlindjes, ai lëshoi një urdhër ekzekutiv që udhëzonte NASA-n të çonte një njeri në Hënë deri në vitin 2028 – para se ai të përfundojë mandatet e tij të dytë.

    Gjatë fundjavës, raketa e Sistemit të Lëshimit Hapësinor (SLS) dhe kapsula hapësinore Orion u zhvendosën nga Qendra Hapësinore Kenedi e NASA-s në platformën e nisjes. Ishte një kujtim i atyre ditëve të ngazëllyera në fund të viteve ‘60 dhe në fillim të viteve ‘70 të shekullit XX, kur raketat e mëdha Saturn ishin duke u vendosur në pozicion.

    Artemisi II është planifikuar të niset muajin e ardhshëm, me katër anëtarë ekuipazhi në bord të cilët drejtohen drejt Hënës, megjithëse jo për të zbritur.

    Ajo do të shërbejë, në vend të kësaj, për të vendosur themelet për një ulje hënore nga astronautët me misionin Artemis III, ndoshta vitin e ardhshëm. Pas kësaj, tetë ulje të tjera janë planifikuar për të ngritur një bazë të përhershme në Hënë, për eksperimentim shkencor dhe për t’u përdorur si trampolinë drejt Marsit.

    A ka ndonjë kuptim në këtë dhe a mund të përballohet? Qëndrueshmëria e projektit u përmirësua paksa nga zhvillimi i mjeteve të ripërdorshme që çoi Kongresin e ShBA-së, vitin e kaluar, nën Trumpin, të financojë misionet nën një Ligj të madh e të bukur [One Big Beautiful Bill Act]. Por, gjithsesi do të kushtojë me miliarda.

    Dhe, megjithëse do të jetë e jashtëzakonshme të shihet një herë tjetër njeriu duke ecur në sipërfaqen e fqinjit tonë më të afërt qiellor, a mund të justifikohet me të vërtetë kjo? Duke u kthyer te programi Apollo, mund të shihet sot si një aventurë e madhe, por ishte thellësisht e papëlqyeshme mes shumë amerikanëve për shkak të kostos.

    Ai u motivua po aq nga politika e Luftës së Ftohtë sa edhe nga kërkimi për përparim shkencor. Në vitin 1962, presidenti John F. Kennedy caktoi objektivin për ta çuar njeriun në Hënë deri në fund të dekadës, kryesisht për t’i treguar Bashkimit Sovjetik se Perëndimi kapitalist mund të bënte atë që shteti sklerotik komunist do ta kishte të pamundur për ta arritur. Mbështetja e Trumpit për Artemisin është gjithashtu politike, pasi ai dëshiron të ketë avantazh ndaj Kinës e cila gjithashtu po planifikon misione me ekuipazh, megjithëse jo deri në vitin 2030.

    Cilido qoftë arsyetimi – dhe nëse ndoshta do të ishte më mirë të shpenzoheshin paratë për një kurë për Alzheimerin – dëshira për t’u çliruar nga Toka mbetet e fortë. Deri më tani, nuk ka të njëjtin ndjesi entuziazmi rreth Artemisit si ajo që unë e kujtoj në fëmijë me Apollon.

    Kur ajo niset muajin e ardhshëm (duke supozuar se kjo ndodh, duke pasur parasysh shumë defekte teknike me anijen hapësinore), presidenti Trump sigurisht do ta shfrytëzojë atë deri në maksimum. Megjithatë, a është një trampolinë drejt yjeve apo thjesht ëndrra e një njeriu mendjemadh? “Shihni ç’bëra! Dhe brenga ju hëngërt”!

  • Rockstar bën gjest human – lojtar i sëmurë rëndë provon GTA VI para daljes

    Rockstar bën gjest human – lojtar i sëmurë rëndë provon GTA VI para daljes

    Ndërsa miliona lojtarë në mbarë botën po presin me padurim premierën e lojës Grand Theft Auto VI në vjeshtën e vitit 2026 – projekti më ambicioz i industrisë së videolojërave – Rockstar Games ka treguar edhe njëherë anën njerëzore të saj.

    E gjithë historia filloi me një apel publik nga Anthony Armstrong, një zhvillues nga Ubisoft Toronto, i cili përmes LinkedIn i është drejtuar drejtuesve të Rockstar‑it. Një anëtar i afërt i familjes së tij, i cili ka luftuar me kancerin për vite me radhë, ka marrë një parashikim jetësor prej vetëm disa muajsh – që do të thotë se ka pasur shumë pak shanse të përjetojë daljen zyrtare të GTA VI.

    Armstrong kërkoi që t’i jepet familjarit të tij – një fans i devotshëm i kësaj serie video-lojërash – mundësia të shohë dhe të luajë pak nga loja para prezantimit zyrtar, duke respektuar të gjitha marrëveshjet e konfidencialitetit.

    Falë mbështetjes së madhe nga komuniteti, postimi i tij arriti te njerëzit e duhur. Sipas informacioneve të fundit, Shtraus Zelnick, CEO i Take‑Two Interactive (kompania nënë e Rockstar‑it), e kontaktoi Armstrong‑in dhe i dha lajme të mira — dhe është arritur një marrëveshje për këtë mundësi të veçantë. Armstrong më pas fshiu postimin për të mbrojtur privatësinë e familjes së tij.

    Ky nuk është rasti i parë kur Rockstar bën një gjest të tillë për ndonjë fan. Një situatë e ngjashme ishte edhe me Red Dead Redemption 2 në vitin 2018, kur një fan i sëmurë rëndë mori mundësinë të testojë lojën para daljes në shitje.

    Kujtojmë se data zyrtare e daljes së GTA VI është planifikuar për nëntor 2026 për PlayStation 5 dhe Xbox Series X/S, ndërsa versioni për PC pritet të vijë pak më vonë. 

  • iPhone 18 Pro dhe Pro Max do të kenë ekrane OLED të përparuara LTPO+

    iPhone 18 Pro dhe Pro Max do të kenë ekrane OLED të përparuara LTPO+

    Një raport i ri që vjen nga burimet e zinxhirit të furnizimit të ETNews, thotë se Apple po planifikon të prezantojë panele të përparuara LTPO+ OLED me modelet e ardhshme iPhone 18 Pro dhe 18 Pro Max. Përveç natyrës së supozuar më efikase nga ana e energjisë të ekraneve LTPO+, ato do t’i lejojnë gjithashtu Apple të vendosë skanerin IR, të përdorur për Face ID, pas ekranit.

    Për më tepër, disa njerëz të njohur me çështjen dyshojnë se Apple do ta zhvendosë edhe kamerën selfie pas ekranit pa bërë kompromis me cilësinë.

    Është interesante se kjo do ta nxirrte prodhuesin kinez të paneleve BOE nga zinxhiri i furnizimit të Apple për modelet Pro, pasi vetëm LG dhe Samsung mund të prodhojnë ekrane LTPO+ OLED. Megjithatë, BOE mund të prodhojë ende panele për modelet jo-Pro. Raporti gjithashtu sugjeron që Apple do të përfshijë panele LTPO+ në M6 MacBook Pro të ridizajnuar.

  • Ramiz TAFILAJ: DY VËLLEZËR, DY ÇANTA SHKOLLE, NJË FLAMUR, RRËFIMI QË PO E NXJERR KOSOVËN NGA HARTA E VOGËL

    Ramiz TAFILAJ: DY VËLLEZËR, DY ÇANTA SHKOLLE, NJË FLAMUR, RRËFIMI QË PO E NXJERR KOSOVËN NGA HARTA E VOGËL

    Nga Prishtina në Orlando. Nga mungesa e fondeve te medaljet e arta. Një histori që nuk duhet të kalohet në heshtje.
    Në një shtëpi modeste në Kosovë, aty ku mbrëmjet shpesh mbyllen me libra të hapur e jo me lodra, rriten dy djem që po ia ndryshojnë fytyrën shpresës shqiptare. Gjini dhe Lumi Rrahmani, dy vëllezër të vegjël në moshë, por gjigantë në dije, janë sot emra që po përmenden në sallat më prestigjioze të garave shkencore botërore.
    Kjo nuk është një histori luksi. Nuk është një histori privilegji.
    Është një histori sakrifice, mungese, këmbënguljeje dhe besimi të verbër te dija.
    Ndërsa shumë fëmijë rriten mes telefonave dhe lojërave, Gjini dhe Lumi u rritën mes formulave, eksperimenteve dhe pyetjeve që nuk kanë përgjigje të thjeshta. Që herët u dallua se këta dy djem nuk ishin të zakonshëm.
    Ata nuk mësonin për nota, por për të kuptuar botën.
    Prindërit e tyre, Xhevdet Rrahmani dhe Linda Jashanica Rrahmani, e panë talentin, por edhe barrën. Sepse ta rrisësh talentin në Kosovë shpesh do të thotë të luftosh vetëm. Me paga modeste, me dyer institucionesh pjesrisht të mbyllura dhe me shpresën se “dikush do ta vërejë”.
    Shpesh, netët përfundonin me një pyetje të dhimbshme:
    A do të kemi para për udhëtimin e radhës?
    Gjini dhe Lumi nuk garojnë për vete. Ata garojnë për Kosovën. Por Kosova, jo gjithmonë, ka qenë pranë tyre.
    Ata kanë përfaqësuar vendin tonë në SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe, Itali, Holandë, Egjipt, Malajzi dhe shumë vende të tjera. Në secilin udhëtim, çantat e tyre ishin të lehta me rroba, por të rënda me përgjegjësi: të mos e zhgënjejnë kombin.
    Në shkencë, inteligjencë artificiale, biologji, matematikë, kodim dhe gjuhë angleze, ata u kthyen vazhdimisht fitues, duke marrë vende të para dhe medalje të arta, shpesh përballë nxënësve që kishin pas vetes shtete të fuqishme dhe sponsorë të mëdhenj.
    Në Orlando, Florida, në Neo Science Olympiad, ndodhi ajo që tashmë është bërë model i heshtur i suksesit shqiptar:
    Vendi i Parë në Inteligjencë Artificiale – Medalje e Artë
    Biologji “Best of the Best” – Medalje e Artë
    Matematikë – Medalje e Bronztë.
    Dy djem nga Kosova, një shtet i vogël, pa buxhete të mëdha, pa mbështetje të strukturuar, qëndruan në podium përkrah flamujve më të fuqishëm të botës.
    Dhe sërish, pas duartrokitjeve, u kthyen në realitet:
    Shpesh, Gjini dhe Lumi janë detyruar t’u drejtohen komuniteteve shqiptare, jo për luks, por për bileta avioni, për tarifa regjistrimi, për një shans tjetër. Shpesh, përgjigjja ka qenë heshtja.
    Herë pas here – një ndihmë. Por asnjëherë siguri.
    Në një shtet që flet për të ardhmen, këta dy fëmijë po e ndërtojnë atë pa garanci.
    Në muajin gusht, Gjini dhe Lumi pritet ta përfaqësojnë sërish Kosovën në Kanada. Ky nuk është thjesht një udhëtim tjetër. Është një provë për ne si shoqëri.
    A do t’i lejojmë këta yje të shuhen nga mungesa e mbështetjes?
    Apo do të tregojmë se dimë ta mbrojmë dijen tonë?
    Thirrje institucioneve, Ministrisë së Arsimit, biznesit dhe mërgatës shqiptare: Mos i lini vetëm.
    Një shtet nuk matet me fjalë, por me mënyrën se si i trajton fëmijët e tij më të talentuar.
    Gjini dhe Lumi Rrahmani nuk janë vetëm dy emra.
    Ata janë pasqyra e asaj çfarë mund të bëhet Kosova nëse investon në dije.
    Nëse sot nuk i ndihmojmë, nesër nuk kemi të drejtë të ankohemi pse talenti ikën.
    Sepse këta dy djem nuk po kërkojnë mëshirë – po kërkojnë mundësi për ta bërë Kosovën krenare, sërish dhe sërish.
  • Brenda rafinerisë zvicerane që prodhon lingotat e arit të çmuar

    Brenda rafinerisë zvicerane që prodhon lingotat e arit të çmuar

    Sekreti i një suksesi pothuajse shekullor është të mos biesh në sy. Në Castel San Pietro, një qytet me rreth dy mijë banorë në Kantonin Ticino të Zvicrës, një ndërtesë industriale e vogël dhe e thjeshtë fsheh pas pamjes anonime tonelata ari. Pas një gardhi dhe një vije të lehtë me tela me gjemba, ndodhet një nga qendrat më të rëndësishme të industrisë globale të arit, rafineria MKS PAMP.

    Çdo vit, në korridoret e kësaj fabrike kalojnë sasi të mëdha metali të çmuar. MKS PAMP është një nga gjashtë rafineritë zvicerane që kanë një rol kyç, marrin arin bruto nga minierat e gjithë botës dhe e shndërrojnë në ar të pastër dhe të shkëlqyeshëm, të njohur në formën e tij finale nga tregjet dhe konsumatorët.

    Aktiviteti është intensifikuar ndjeshëm në javët e fundit, teksa çmimi i arit ka arritur pothuajse çdo ditë nivele rekord, i shtyrë nga tensionet gjeopolitike. Nga kjo rafineri del ari i destinuar për industrinë e bizhuterive, por edhe për banka dhe banka qendrore. Këtu prodhohen gjithashtu lingotat e famshme të arit.

    Një lingot standard, që peshon mbi 12 kilogramë, ka një vlerë prej rreth 1.5 milionë eurosh. Vetëm 21 lingota të vendosura mbi një paletë kapin vlerën e më shumë se 31 milionë eurove, një pasuri e jashtëzakonshme e përmbledhur në një hapësirë minimale.

    Në fabrikë punojnë rreth 300 persona në tre turne, gjashtë ditë në javë. “Këtu përpunojmë kryesisht ar, argjend dhe metale të grupit të platinit”, shpjegon drejtori menaxhues i impiantit, Phaedon Stamatopoulos. Lënda e parë vjen si nga minierat, në formën e metalit gjysmë të përpunuar, ashtu edhe nga burime dytësore, përfshirë banka, kompani tregtare dhe materiale të ricikluara nga industria e bizhuterive.

    Procesi i rafinimit nis nga blloqe prej 150 kilogramësh, të cilat përmes shkrirjes dhe trajtimeve kimike e elektrike shndërrohen në ar pothuajse të pastër. Në fund, ari merr forma të ndryshme, nga lingotat mikroskopike prej një grami, me vlerë rreth 150 euro, deri te lingoti standard.

    Industria e përpunimit të arit është jetike për ekonominë zvicerane. Në vitin 2024, pothuajse një e treta e eksporteve të Zvicrës përbëhej nga ari dhe metalet e çmuara, më shumë se industria farmaceutike dhe katër herë më shumë se industria e orëve. Rreth 25 përqind e arit botëror kalon çdo vit përmes Zvicrës.

    Rritja e fortë e çmimit të arit ka zgjeruar edhe bazën e investitorëve. Nga një aset i qëndrueshëm dhe mbrojtës, ari është kthyer në një mundësi fitimi me shifra dyshifrore, duke tërhequr gjithnjë e më shumë investitorë të vegjël. Përmes platformës Gold Avenue, e lidhur me MKS PAMP, çdokush mund të blejë edhe një gram ar, ta ruajë në kasafortë ose ta marrë në shtëpi.

    Transaksionet janë rritur me 80 përqind vetëm gjatë vitit të fundit, ndërsa 40 përqind e tyre vijnë nga investitorë italianë. Aktualisht, kompania administron rreth 650 milionë euro pasuri në ar për llogari të klientëve të saj, një e treta e të cilëve janë qytetarë italianë.

    Pas ndërtesave të padukshme dhe të sigurta të luginave zvicerane, ari vazhdon të mbetet një nga asetet më të fuqishme dhe më të kërkuara në botë.

  • Një bakter i rrezikshëm gjendet në telefonat celularë

    Një bakter i rrezikshëm gjendet në telefonat celularë

    “Pseudomonas aeruginosa” është një bakter shumë agresiv dhe kryeson listën e atyre që gjenden në telefonat celularë.

    Arsyeja është e thjeshtë: patogjeni kërkon shumë pak lëndë ushqyese dhe kështu lulëzon në një gamë të gjerë sipërfaqesh, nga pajisjet spitalore te lavamanët dhe telefonat inteligjentë.

    Pseudomonas është gjithashtu ndër bakteret më rezistente ndaj antibiotikëve: një arsye tjetër për të kufizuar përdorimin e telefonave celularë.

    Pseudomonas aeruginosa mund të shkaktojë infeksione në gjak, mushkëri (pneumoni), traktin urinar ose pjesë të tjera të trupit pas operacionit.

  • Jo fejesë, jo martesë: Njihuni me unazat e divorcit

    Jo fejesë, jo martesë: Njihuni me unazat e divorcit

    Divorci po hyn në një epokë të re dhe jo domosdoshmërisht të zymtë. Sipas një trendi që po fiton terren, gjithnjë e më shumë gra po zgjedhin ta shënojnë ndarjen jo me heshtje apo keqardhje, por me simbole të reja personale: unazat e divorcit.

    Të ashtuquajturat divorce rings po shihen si një mënyrë për të rimarrë kontrollin mbi një histori që ka përfunduar.

    Në shumicën e rasteve, gratë zgjedhin të ripërdorin gurët e unazës së fejesës ose martesës diamante, safirë apo gurë të tjerë dhe t’i transformojnë në një bizhuteri të re, që nuk ka më lidhje me simbolikën e vjetër.

    Gurët ndahen, ripozicionohen ose vendosen në dizajne krejt të ndryshme: unaza ari, forma skulpturore, ose edhe bizhuteri të tjera si varëse apo vathë.

    Në fund, unazat e divorcit janë më shumë sesa një trend mode. Ato pasqyrojnë një ndryshim kulturor: një mënyrë më e hapur, më e vetëdijshme dhe më pak stigmatizuese për të folur për fundet dhe për fillimet që vijnë pas tyre.

  • 8 problemet shëndetësore që shfaqin simptomat e tyre në sy

    8 problemet shëndetësore që shfaqin simptomat e tyre në sy

    Sipas ekspertëve më shumë se 30 gjendje shëndetësore shfaqin simptoma në sy.

    Prandaj doktorët e syve janë zakonisht të parët që pikasin probleme të caktuara në trup.

    Ja cilat janë ato:

    Njollat e kuqe

    Të shkaktuara nga pikat e gjakut në sy, mund të jenë shenjë e diabetit, një sëmundje që po përhapet gjithmonë e më shumë tek njerëzit. Kur rriten nivelet e sheqerit në gjak, enët e gjakut fillojnë të bllokohen dhe të ënjten. Kështu mund të plasin enët e vogla të gjakut në retinë, duke shkaktuar gjakderdhje. Nëse nuk trajtohet, ajo mund të shkaktojë probleme me shikimin, madje dhe verbim.

    Sytë e përgjakur

    Mund të shkaktohen edhe nga shumë gjendje të tjera shëndetësore, duke filluar nga një kollë intensive deri tek infeksioni fungal.

    Sytë e skuqur, të acaruar apo të ënjtur

    Janë shpesh simptoma të alergjive, të shkaktuara nga ajrit i ndotur, pluhuri ose grimcat e ngurta.

    Sytë e tharë 

    Janë efekt anësor si të përdorimit të kompjuterit ashtu edhe të disa ilaçeve, si pilulat e gjumit, ato për lehtësimin e dhimbjeve, depresionit etj. Sëmundjet autoimune mund të shkaktojnë gjithashtu tharje të syve, sidomos sindroma Sjogren, që dëmton gjëndrat zbutëse dhe prekin më shumë të moshuarat.

    Të shohësh vetëm larg

    Shumë njerëz me kalimin e moshës e humbasin aftësinë për t’u fokusuar në gjërat që i kanë afër, si tek menytë në restorant, megjithatë, edhe disa ilaçe të caktuara, si antidepresantët, mund ta shkaktojnë këtë gjendje, të quajtur largpamësi, në moshë më të hershme.

    Vizioni i turbullt

    Mund të shkaktohet nga një listë e gjatë problemesh shëndetësore, megjithatë, për ata që janë të rrezikuar nga tensioni i lartë i gjakut, mund të jetë një shenjë që duhet të kontrollohen menjëherë tek mjeku. Në rastet kur shikimi fillon të errësohet nga efektet anësore të hipertensionit, duhet të merret menjëherë një trajtim mjekësor, pasi rrezikohet shikimi.

    Melanoma

    Okulistët mund të jenë të parët që mund të zbulojnë disa lloje kanceri. Një okulist mund të kontrollojë për melanomën okulare, një formë e rrallë e melanomës që zakonisht nuk mund të zbulohet duke u parë në pasqyrë. Nëse përjashtohen shkaktarët e tjerë të presionit ose dhimbjeve në sy, ekspertët thonë se okulistët mund të vërejnë për një tumor të mundshëm në tru.

    Kolesteroli i lartë

    Mund të shkaktojnë shpesh unaza të bardha përreth syve, si dhe njolla të verdha tek qepallat. Këto shenja shfaqen më shumë tek të moshuarit, megjithatë, në çdo rast, ata mund të paralajmërojnë se duhet të bëhet një kontroll i niveleve të kolesterolit. Mjeku endokrinolog pediatër, shpjegon dëmet që mund të shkaktojë mungesa e kësaj vitamine në organizëm. Një rëndësi të veçantë është ushqyerja e fëmijëve me gji dhe ekspozimi i gjatë në diell.

  • David Beckham në Zvicër injoroi pyetjet në lidhje me mosmarrëveshjet familjare me djalin e tij Brooklyn

    David Beckham në Zvicër injoroi pyetjet në lidhje me mosmarrëveshjet familjare me djalin e tij Brooklyn

    David Beckham u shfaq në Davos të Zvicrës me rastin e Forumit Ekonomik Botëror dhe shmangu përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve në lidhje me konfliktin me djalin e tij të madh Brooklyn. Kjo është paraqitja e tij e parë publike që kur Brooklyn Beckham foli publikisht për mosmarrëveshjet familjare.Gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, ish-futbollisti 50-vjeçar mori pjesë në regjistrimin e një episodi të podkastit Reconsidering, të drejtuar nga autori Adam Grant. Ndërsa po bënte foto me tifozët, një gazetar i Sky News u përpoq të merrte komentin e tij.

    “David, a ke ndonjë mesazh për Brooklyn sot?” pyeti gazetari, por Beckham u kthye dhe u largua pa thënë një fjalë. Pyetjes shtesë: “A je i zhgënjyer që çështjet familjare po bëhen publike?”, ai gjithashtu nuk u përgjigj.

    Menjëherë para kësaj, gjatë regjistrimit të podkastit, Beckham dukej i lodhur dhe kryesisht reagoi shkurt dhe me përmbajtje, pa bërë ndonjë deklaratë domethënëse.

    Një ditë më parë, 26-vjeçari Brooklyn Beckham postoi një mesazh në Instagram në të cilin deklaroi se nuk dëshiron të pajtohet me familjen e tij dhe se, siç shkroi ai, “për herë të parë në jetën e tij, ai po mbron veten”. Ai dhe gruaja e tij Nicola Peltz nuk kanë marrë pjesë në ngjarje të mëdha familjare në muajt e fundit, përfshirë festën e 50-vjetorit të David Beckham.

    Në postimin e tij, Brooklyn akuzoi prindërit e tij, David dhe Victoria, se e “kontrollonin” dhe se, sipas tij, imazhi i tyre publik është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Ai deklaroi gjithashtu se vetëm pasi gjeti “paqe dhe lehtësim” me Nicolën, ishte në gjendje të përballonte ankthin.