ATV

Author: ATVLive

  • ​Joshua Kimmich nuk e pranon ofertën e Barçës

    ​Joshua Kimmich nuk e pranon ofertën e Barçës

    Nëse Joshua Kimmich ishte një përforcim prioritar për Xavi Hernández, ai është gjithashtu një prioritet për Hansi Flick, trajnerin e ri të Barçës që do të prezantohet këtë javë si i tillë. Të dy bashkëpunuan në kombëtaren gjermane dhe në Bayern Munich.

    Kontaktet janë avancuar, por negociatat janë ndërprerë për shkak të mosmarrëveshjes ekonomike që ekziston mes ofertës së paraqitur nga Barcelona dhe dëshirave financiare të lojtarit gjerman.

    Sipas burimeve të ndryshme, KImmich aktualisht fiton rreth 19.5 milionë euro bruto, një shifër që Barcelona përpiqet ta arrijë. Në realitet janë dy elementë që vonojnë marrëveshjen.

    Më pas, sfida është të ruhet një bilanc pagash që do të rritet në sezonin e ardhshëm me pagën e Leëandoëskit, e cila është afër 30 milionë euro. Kërkesat e Kimmich bien ndesh me nevojat e Barçës, kështu që do të duhet të shohim në muajt e ardhshëm se çfarë do të ndodhë me këtë inkorporim të mundshëm.

  • Rriten skemat e përfituesve për fëmijë me aftësi të kufizuara

    Rriten skemat e përfituesve për fëmijë me aftësi të kufizuara

    Janë rritur skemat për përkrahje financiare familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara.

    Në muajin prill 2024, nga skema për përkrahje financiare familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 444, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 3 054 përfitues, vërehet një rritje prej 12,8%.

    Rënie e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë.

    Ndërsa bazuar në të dhënat e ASK-së del se ka rënie të përfituesve nga skema e pensionistëve.

    Në muajin prill 2024, krahasuar me muajin prill 2023, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet e Trepçës (-19,1%); skema për pensionet invalidore (-18,2%); skema e ndihmës sociale (-7,6%) skema për pensionet familjare (-7,1%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,1%); skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (0,8%).

    Rritje e përfituesve nga skemat e pensioneve,krahasuar me një vit më parë

    Në muajin prill 2024, krahasuar me muajin prill 2023 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: Pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike ( 10,8%); skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) (10,4%); Skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (8,6%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (6,0%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,8%); skema e pensioneve bazike të moshës (1,7%); skema e kompensimeve për personat e verbër (0,6%); skema për veteranët e luftës (0,5%).

  • Komisioni për Administratë Publike e Media shqyrton sot Projektligjin për KPM-në

    Komisioni për Administratë Publike e Media shqyrton sot Projektligjin për KPM-në

    Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal sot do të mbajë mbledhjen e radhës.

    Në mbledhjen që fillon në ora 10:00, do të shqyrtohet Projekligji për Komisionin e Pavarur të Mediave.

    Njoftimi i plotë:

    Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal

    Rendi i ditës:

    Miratimi i rendit të ditës;
    Shqyrtimi Projektligjit nr. 08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave;
    Të ndryshme.
    Vendi: N303Koha: 10:00

  • Tërmeti me magnitudë 6.6 ballë godet Paqësorin Jugor

    Tërmeti me magnitudë 6.6 ballë godet Paqësorin Jugor

    Një tërmet i fortë me magnitudë 6.6 u regjistrua këtë të hënë, arkipelagun Tonga, në Oqeanin Paqësor Jugor, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS).

    Tërmeti kishte një thellësi fokale prej rreth 112 kilometrash dhe epiqendra e tij ishte më pak se 200 kilometra në veri të Nuku’alofa, kryeqyteti i arkipelagut Tonga, sipas të dhënave të institutit.

    Ndërkohë, nuk ka pasur raportime të menjëhershme për dëme në Tonga, shkruajnë mediat e huaja.

  • Dialogu dhe zgjerimi – pre e së djathtës në BE

    Dialogu dhe zgjerimi – pre e së djathtës në BE

    Nëse sondazhet dalin të sakta, zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian do të tregojnë rritje të mbështetjes për partitë populiste të krahut të djathtë dhe për ato të ekstremit të djathtë – tashmë pjesë e disa parlamenteve kombëtare.

    Këto forca mbështesin një mendim politik që ka tendenca të jetë më konservator dhe më nacionalist. Janë kundër imigrimit, kundër multikulturalizmit e disa edhe kundër zgjerimit të BE-së.

    Me fjalët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, “populistët e krahut të djathtë janë gati të shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar për fëmijët tanë; ata ngjallin ndjenja kundër refugjatëve dhe pakicave”.

    Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen nga data 6 deri më 9 qershor. Deputetët e këtij institucioni zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët – mbi 400 milionë syresh në të 27 vendet anëtare.

    Një sondazh i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ka gjetur se ky proces do të sjellë forcim të ndjeshëm të së djathtës radikale.

    Arsyet variojnë – nga rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës deri te frika se kufijtë e hapur rrezikojnë identitetin kombëtar dhe vlerat tradicionale.

    Për pasojë, dy grupet kryesore politike – Partia Popullore Evropiane dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve – do ta ruajnë shumicën, por me rezultate më të dobëta, sipas sondazhit. Ato kanë përjetuar rënie edhe në zgjedhjet e vitit 2019 tashmë – grupi i parë për 2.8 për qind, ndërsa i dyti për 5.9 për qind.

    Në përbërjen në largim të Parlamentit Evropian, e djathta ka 128 vende nga 705 gjithsej. Në përbërjen e ardhshme, sipas sondazheve, ajo mund të fitojë pothuajse një të katërtën e tyre.

    Vesko Garçeviq, i cili ka shërbyer si ambasador i Malit të Zi në Bruksel, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Parlamenti Evropian ka më pak ndikim se dy institucionet e tjera të BE-së – Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian – por shton se ai nuk mund të anashkalohet për disa çështje të rëndësishme. Për shembull, Komisioni Evropian nuk mund ta marrë detyrën pa u konfirmuar me shumicë votash në Parlamentin Evropian.

    “Trendi i rritjes së partive të djathta do të reflektohet në përbërjen e Parlamentit të ri Evropian. Por, çështja është nëse ato parti do të jenë vendimmarrëse, kur të bëhet fjalë për Komisionin e ri, apo do të jenë pakicë e konsiderueshme brenda Parlamentit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe jam i sigurt se do ta përcaktojë mënyrën se si Parlamenti dhe institucionet tjera evropiane do të punojnë në vitet në vazhdim”, thotë Garçeviq.

    Sondazhi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ka gjetur se partitë e së djathtës radikale kanë tendencë të dalin të parat në nëntë vende të Evropës, përfshirë: Francën, Austrinë dhe Italinë, ndërsa të dytat ose të tretat në nëntë vende të tjera, përfshirë: Gjermaninë dhe Spanjën.

    Garçeviq thotë se kjo është problematike, sepse ndikimi që kanë këto zgjedhje në debatet kombëtare, implikon edhe vendimet e Komisionit dhe të Këshillit Evropian. Garçeviq përmend në mënyrë të veçantë Ballkanin Perëndimor.

    “Këtu jam i shqetësuar sidomos për zgjedhjet në Francë. Ato mund ta ndryshojnë lojën, sepse janë shtetet individuale ato që e formësojnë qasjen e Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për Ballkanin”, thotë ai.

    Këtij qëndrimi i bën jehonë edhe Andi Hoxhaj, ligjërues në Kolegjin Universitar të Londrës. Duke folur për Exposenë, ai pret që partitë e ekstremit të djathtë ta zgjasin mbylljen e BE-së ndaj rajonit të Evropës juglindore.

    “Shumë prej tyre janë kundër zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor për shkak të, siç thonë, çështjeve kulturore dhe problematikave institucionale. Nëse partitë e ekstremit të djathtë do të kenë fuqi më të madhe seç kanë aktualisht, atëherë politika e zgjerimit do të jetë në pikëpyetje goxha të madhe”, thotë Hoxhaj.

    Hoxhaj thotë se kjo politikë do ta lërë edhe një rrezik pas – atë të influencës edhe më të madhe nga Rusia dhe Kina. Si vende më të cenueshme, ai përmend Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Dhe për këtë bën përgjegjëse vetë BE-në.

    “… sepse BE-ja ka lënë një vakum në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se politika e zgjerimit, në 15 vjetët e fundit, është përdorur vetëm për influencë në Ballkan, por pa pasur një qasje afatgjate se kur këto vende do të integrohen, apo si do të integrohen. Ky vakum pastaj ka bërë që fuqitë e mëdha, si Kina dhe Rusia, të ndërhyjnë me investime të jashtëzakonshme në infrastruktura specifike, si: ekonomia, transporti e kështu me radhë”, thotë Hoxhaj.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë vit do të kandidojë për rizgjedhje, ka thënë në fjalimin për gjendjen e BE-së shtatorin e kaluar, se blloku duhet t’i përgjigjet “thirrjes së historisë” dhe të pranojë një numër të madh vendesh, përfshirë nga Ballkani Perëndimor.

    “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë”, ka thënë ajo.

    BE-ja ka shprehur mbështetje për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor qysh në vitin 2003, në një samit në Selanik të Greqisë. Por, që nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e këtij rajoni është anëtarësuar në BE në vitin 2013.

    Të tjerat janë në faza të ndryshme të integrimit, ndërsa Kosova është më së largu – ajo vetëm ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

    Me rritjen e së djathtës ekstreme, Garçeviq, tani profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, thotë se Kosovës do t’i vështirësohet tutje edhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    “Për shkak të ideologjisë dhe jo interesave në rajon, partitë e ekstremit të djathtë do të dalin në anën e Serbisë dhe do ta mbështesin atë kundrejt Kosovës. Kjo, pastaj, do ta zgjasë edhe më shumë procesin e negociatave mes tyre. E, nëse ndryshon edhe administrata amerikane, ajo po ashtu mund të anojë më shumë nga Serbia. Në një skenar të tillë, mund të imagjinoj edhe rikthimin e idesë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në vitet e ardhshme”, thotë Garçeviq.

    Në zgjedhje, pas atyre për Parlamentin Evropian, do të jetë edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së – përgjegjës edhe për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Në pesë vjetët e kaluar, këtë pozitë e ka mbajtur Josep Borrell, diplomat nga Spanja – vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

    Analistët tërheqin vërejtjen se disa udhëheqës nacionalistë në Ballkan mund të përpiqen edhe ta shfrytëzojnë vakumin politik, që rezulton nga këto procese zgjedhore, për ta komplikuar situatën në terren. Në mënyrë të veçantë përmendet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik – që të dy me pikëpamje shpesh pro-ruse.

    Shqetësim në vete, sipas tyre, përbën edhe Maqedonia e Veriut, ku, këtë muaj, partia nacionaliste VMRO-DPMNE është kthyer në pushtet, duke i fituar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

    “Së pari Ballkani, pastaj Brukseli”, ka thënë presidentja e re e këtij vendi, Gordana Silanovska-Davkova.

    Analistët nuk presin që nga rritja e së djathtës, të ketë ndonjë ndryshim politik sa i përket Rusisë dhe Ukrainës – dy vendeve në luftë – apo mbrojtjes së lirisë në Evropë.

    Për t’i ndalur hovin kësaj rryme, ata thonë se, mes tjerash, duhet përmirësuar kushtet sociale dhe ekonomike – gjë që pastaj do ta frenojë edhe tërheqjen nga populizmi.

    Zgjedhjet në Evropë këtë vit do të jenë të parat prej se është finalizuar dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2020.

    Ato do të jenë të parat edhe pas disa krizave të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar rrënjësisht politikën në BE dhe në vendet e saj anëtare, të tilla si: pandemia COVID-19, pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia dhe lufta në Gazë.

    Pjesëmarrja, si rëndom, pritet të jetë më e ulët se në zgjedhjet parlamentare kombëtare.

    Por, me fjalët e kryeministres italiane, Giorgia Meloni – partia e së cilës ka rrënjë neo-fashiste – “koha e patriotëve ka ardhur”. (Radio Evropae Lirë)

  • ASK jep sot detajet finale nga regjistrimi i popullsisë në Kosovë

    ASK jep sot detajet finale nga regjistrimi i popullsisë në Kosovë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) mban sot konferencën përmbyllëse për medie për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

    Konferenca pritet të filloj nga ora 10:00 në zyrat e ASK-së.

  • Kryesia e Kuvendit mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Kryesia e Kuvendit mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Sot do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. Mbledhja është njoftuar të fillojë në ora 10:00.

    Në rend të ditës janë disa pika, përfshirë shqyrtimin e projekt-rezolutës për tri vjet qeverisje, si dhe propozimin e rendit të ditës për seancën plenare të radhës.

    Ky është rendi i plotë i ditës:

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
    II. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024:

    Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.III. Seanca plenare e shtyrë nga data e paraparë që të mbahet më 24 maj 2024:

    Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.

    IV. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    Pyetjet parlamentare,

    Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
    Votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë,

    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-296 për të huajt,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-277 për Sport,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-264 për Rininë,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-304 për bankat,

    Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

    Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,

    Shqyrtimi i Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës,

    Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

    Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare.

  • Vazhdon sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Të enjten e ka përfundusr dëshminë e tij dëshmitari i 66-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky dëshmitar ishte me masa mbrojtëse.

    Gjatë seancës të enjten kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se orari i dy seancave pasuese është paksa i pazakontë dhe në njërën prej këtyre planifikohet që të mbahet një diskutim për ecurinë e çështjes.

    Smith III ka theksuar se ka mundësi që një gjë e tillë të ndodhë sot gjatë seancës së pasdites.

  • Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, sot vendoset për avancimin e statusit të Kosovës

    Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, sot vendoset për avancimin e statusit të Kosovës

    Kosova sot është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila shqyrton avancimin e statusit të vendit tonë në këtë organizatë.

    Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate. Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës.

    Kosova përfaqësohet nga deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Halit, të cilët janë shprehur optimistë se epilogu do të jetë pozitivë.

    Ata do të jenë prezentë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po mbahet në Sofje.

    Ndërsa delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asocuar.

    Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.

    Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

    Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

    Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

    Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

    Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

    Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

  • Nderim Neziri thotë se menaxherat i ndajnë këngëtarët nga gratë

    Nderim Neziri thotë se menaxherat i ndajnë këngëtarët nga gratë

    Në një diskutim mbi skenën muzikore dhe funksionimin e artistëve në “label” dhe me menaxher, Nderim Neziri në një moment deklaron se për shkak të strategjisë, ka menaxher që i ndajnë artistët e tyre nga gratë.

    Ky mendim ka rrjedh gjatë një diskutimi në “The Elite Way”, teksa po flitej me këngëtarin Uki Latifi dhe për atë se pse ai ka vendosur të jetë artist i pavarur.

    Neziri ka shtuar tutje se kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë, pasi është një strategji e importuar nga jashtë, nga shoubizi internacional. /atvlive.tv

    Deklarata e plotë në videon më poshtë: