ATV

Author: ATVLive

  • Rreth 1.6 milion banorë rezidentë pritet t’i ketë Kosova

    Rreth 1.6 milion banorë rezidentë pritet t’i ketë Kosova

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Rreth 1.6 milion banorë janë regjistruar në Kosovë, në procesin që përfundoi të premten e kaluar.

    Shifra e saktë nuk është bërë e ditur të hënën, në konferencën përmbyllëse të Agjencisë së Statistikave, meqë ende duhet kohë për mbledhjen e të dhënave.

    “ASK-ja ka kohë t’i publikojë të dhënat preliminare në fund të muajit gusht, do të mundohemi të dhënat preliminare të jenë më herët, pra pritjet janë që të dhënat paraprake të publikohen në muajin korrik, pjesën e parë. Praktikat janë që të dhënat finale publikohen një vit pas datës së regjistrimit, apo deri në 15 muaj”, tha Avni Kastrati, U.D. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së.

    Mirëpo, demografi Besim Gollopeni vlerëson se Kosova nuk mund t’i ketë 1.6 milion banorë.

    “Statistikat janë zyrtare dhe duhet të merren si të tilla, mirëpo sipas disa vlerësimeve që kemi bërë, numri i banorëve rezidentë në Kosovë është 1.3, më së shumti 1.5 milion banorë, megjithatë duhet pranuar statistikat që janë zyrtare”, tha Gollopeni.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë përfundoi vetëm për banorët rezidentë, ndërkaq kosovarët që jetojnë në diasporë do të kenë mundësi të regjistrohen deri në fund të muajit gusht.

    Deri më tani, sipas të dhënave të ASK-së, janë rreth 600 mijë qytetarë nga diaspora që janë regjistruar në e-Kosova.

    Sipas Lirim Krasniqit, nga Germini kjo shifër është e qëndrueshme, veçse ka numër më të madh të kosovarëve në diasporë. Por, megjithatë për të parë rezultatin final, duhet pritur publikimin e të dhënave.

    “Të dhënat që i kanë prezantua ne nuk i kemi deri në fund të dhënat që i kemi marrë rezultoi se janë 280 mijë përmes platformës e-Kosova, por ende nuk e dimë sa janë regjistruar nga familjarët e tyre. 600 mijë është një shifër përfaqësuese edhe pse vlerësimet janë që janë diku rreth 800 mijë deri në 1 milion që jetojnë jashtë Kosovës, sido që të jetë duhet të priten që të publikohen të dhënat nga ASK-ja, deri në fund të vitit”, tha Krasniqi.

    Në procesin e regjistrimit morën pjesë mbi 5 mijë regjistrues, shumica nga të cilët ishin gra.

  • E kishte të ndaluar vozitjen, policia gjobit shoferin me 500 euro dhe ia konfiskon veturën

    E kishte të ndaluar vozitjen, policia gjobit shoferin me 500 euro dhe ia konfiskon veturën

    Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin i cili po drejtonte mjetin e tij nën masën mbrojtëse, shkruan Reporteri.net.

    Ndaj të njëjtit, është shqiptuar gjobë prej 500 euro, i është vazhduar masa mbrojtëse për gjashtë muaj, dhe i është konfiskuar vetura.

    Mos respektimi i masës mbrojtëse “ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”!

    Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin nën masën mbrojtëse “ndalim i drejtimit të mjetit me veprim motorik”, i njëjti është gjobitur 500€, 5 pikë negative dhe i është vazhduar masa mbrojtëse edhe për 6 muaj si dhe është konfiskuar automjeti.

  • Kelmendi takohet me ekspertë të Programit për Çështje të Brendshme të BE-së

    Kelmendi takohet me ekspertë të Programit për Çështje të Brendshme të BE-së

    Trajtimi i rasteve që kanë të bëjnë me veprat penale kundër mjedisit, ka qenë temë kryesore në takimin që Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka zhvilluar me ekspertë të Programit për Çështje të Brendshme të Bashkimit Evropian në Kosovë (HAPE), Mario Pellegrino, Eric Stephan dhe Massimiliani Moro, rpaorton EO.

    “Temë e diskutimeve të përbashkëta gjatë këtij takimi ishte Kapitulli XXVII i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që ka të bëjë me veprat penale kundër mjedisit, duke përfshirë, rezultatet, sfidat dhe nevojat e Prokurorit të Shtetit për trajtimin sa më profesional të këtyre rasteve, si dhe mundësitë e bashkëpunimit më partnerët ndërkombëtar për adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë më mbrojtjen e mjedisit”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeprokurorit të shtetit.

    Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të takimeve dhe punëtorive të përbashkëta me prokurorët – koordinatorë për veprat penale kundër mjedisit.

    Ndërsa, në fund të takimit, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka falënderuar ekspertët e HAPE-së për ofrimin e mbështetjes për prokurorët e shtetit dhe shprehu angazhimin institucional në luftimin e veprave penale kundër mjedisit.

  • Atashe ushtarak në Beograd e dëshmitar në Hagë, historia e dyshimtë e oficerit gjerman

    Atashe ushtarak në Beograd e dëshmitar në Hagë, historia e dyshimtë e oficerit gjerman

    Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch, para disa ditësh ka dëshmuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në Hagë.

    E duket se ky dëshmitar është atashe ushtarak në Beograd, bazuar në faqen zyrtare të ambasadës gjermane atje.

    Gjatë dëshmisë së tij, oficeri gjerman tha se nuk e dinte se janë vrarë më shumë se 10 civilë në Kosovë nga forcat serbe dhe dokumenteve të publikuara online nga Qeveria serbe.

    Ai në Hagë dëshmoi për ngjarjet e qershorit 1999 në Prizren.

    Jensch gjatë dëshmisë së tij, ndër të tjera, ka thënë se gjatë një operacioni të KFOR-it në Kosovë, personat me uniforma me flamuj gjermanë janë kapur duke vjedhur, teksa ka shtuar se ka pasur edhe plaçkitje nga ushtarët e ushtrisë jugosllave.

  • Abdixhiku takon ambasadorin italian

    Abdixhiku takon ambasadorin italian

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu.

    Në një njoftim të LDK-së në Facebook, thuhet se Abdixhku ka njoftuar ambasadorin italian rreth qëndrimeve të kësaj partie karshi situatës politike në vend.

    Gjithashtu, gjatë takimit, Abdixhiku e ka ritheksuar nevojën për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.

    “Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin De Riu rreth qëndrimeve të LDK-së karshi situatës dhe zhvillimeve politike në vend. Gjatë takimit kryetari Abdixhiku po ashtu ritheksoi nevojën e vazhdueshme për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike.

    Po ashtu u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona, ndërsa kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që Italia i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset”, thuhen në njoftim.

  • AGK: Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas qortimit të ashpër nga KiE

    AGK: Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas qortimit të ashpër nga KiE

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka kërkuar që Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media pas “qortimit të ashpër nga ana e Këshillit të Europës”.

    AGK ka treguar se cilat janë pikat kryesore të kritikuara nga KiE në prjektligjin për KPM-në.

    AGK: Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas qortimit të ashpër nga KiE

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka kërkuar që Kuvendi ta përmirësojë projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media pas “qortimit të ashpër nga ana e Këshillit të Europës”.

    AGK ka treguar se cilat janë pikat kryesore të kritikuara nga KiE në prjektligjin për KPM-në.

    “Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në postimin e AGK-së.

    Postimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës:

    Kuvendi të përmirësojë projektligjin për KPM-në pas qortimit të ashpër nga ana e Këshillit të Europës

    Këshilli i Europës ka përgatitur një opinion ligjor për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe ka konfirmuar që disa aspekte të projektligjit nuk janë në përputhje me standardet më të mira europiane. Opinioni ligjor që mban datë 24 maj 2024 dhe është përgatitur për nevoja të Komisionit për Media të Kuvendit të Kosovës dhe konfirmon në tërësi shqetësimet tona të ngritura publikisht përmes konferencës për shtyp të mbajtur më 1 shkurt 2024.

    Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative.

    Ne shprehim keqardhjen tonë për qortimin që i është bërë shtetit të Kosovës nga ana e Këshillit të Europës, institucion ky në të cilin Kosova synon të anëtarësohet. Qortimi është rezultat i tendencës së qeverisë dhe shumicës parlametare për të kontrolluar mediat dhe rregullatorin e mediave (KPM) përmes këtij projektligji dhe refuzimit të qëllimshëm të Zyrës së Kryeministrit për të përfshirë industrinë e medias dhe shoqërinë civile në fazat e hershme të nismës legjislative.

    Mediat online që publikojnë video

    Sipas opinionit, definicioni i ri i shërbimeve mediale audiovizuale online i paraparë në projektligjin për KPM-në është problematik, sepse bashkon të gjitha llojet e mediave në një grup dhe si i tillë është i panevojshëm. Draftligji ia ndryshon kuptimin “shërbimeve të mediave audio vizuele” që është menduar me ligjet e Bashkimit Europian, duke shtuar kështu lloje të reja të mediave, prandaj edhe duhet të largohet.

    Sipas KiE-së, mediat online që publikojnë video nuk duhet të rregullohen njëjtë sikur televizionet dhe radiot dhe atyre mund t’iu kërkohet të regjistrohen në KPM vetëm nëse për to ka përfitime si për shembull: qasje në fonde publike, mbëshetetje apo akreditim i gazetarëve.

    Opinioni i KiE-së konfirmon qartë shqetësimin e ngritur nga ne se licensimi apo regjistrimi i mediave online që publikojnë video, i shoqëruar me obligimin për të kërkuar leje nga KPM-ja për ndryshimin e pronësisë dhe mundësinë e gjobitjes deri në 40,000 euro nuk është në pajtim me standardet europiane.
    Përbërja, mandati dhe shkarkimi i anëtarëve të KPM-së

    Sipas opinionit ligjor, propozimi që zgjedhja e kryetarit të KPM-së, të bëhet nga Kuvendi mund të rrisë ndikimin politik në KPM dhe një gjë e tillë nuk është në pajtim me standardet europiane dhe ato rajonale.

    Tutje, në lidhje me mandatin katër vjeçar të anëtarëve të KPM-së, opinioni i referohet qëndrimeve të zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSCE), të cilat kishin ngritur shqetësim se një gjë e tillë do reflektonte me ndikim politik. Në lidhje me rritjen e numrit të anëtarëve nga shtatë në 11, në opinion thuhet se mbetet e paqartë se përse është propozuar një gjë e tillë. Aty përmenden shembujt e rregullatorëve në Irlandë, Holandë dhe Itali ku rregullatorët përbëhen nga tre deri në maksimum nëntë anëtarë. Këshilli i Europës rekomandon që në vend se të rritet numri i anëtarëve, duhet të rritet stafi civil i KPM-së dhe kompetencat e zyrës ekzekutive.

    Në fund, sipas opinionit propozimi që kryetari i KPM-së të shkarkohet nëse nuk aprovohet raporti vjetor i këtij institicioni është tejet problematik dhe është mjet arbitrar, sipas së cilit Kuvendi mund të shkarkojë dhe zëvëndësojë gjithë përbërjen e KPM-së bazuar në kritere të padefinuara dhe një gjë e tillë nuk është në pajtim me standardet europiane.

    Hapja e televizioneve dhe radiove nga partitë politike dhe bashkësitë fetare

    Largimi i nenit që ndalonte licensimin e televizioneve dhe radiove nga partitë politike është një kthim prapa në standardet tashmë të vendosura në Kosovë. Duke iu referuar disa instrumenteve ndërkombëtare, opinioni rekomandon fuqishëm që të rikthehet neni që ua ndalonte partive politike të drejtën e hapjes së televizioneve dhe radiove.

    Në lidhje me bashkësitë fetare, opinioni citon një rekomandim të Këshillit të Europës sipas së cilit, shtetet duhet të përcaktojnë korniza ligjore që ua ndalojnë grupeve të fuqishme politike, ekonomike apo fetare që të fitojnë dominim në media dhe të ushtrojnë presion në to.

    Mungesa e konsultim dhe përfshirje së shoqërisë civile në draftimin e ligjit

    Sipas opinionit ligjor, është e paqartë deri në çfarë mase janë konsultuar akterët kryesorë gjatë draftimit dhe nëse ka pasur shpjegime për pranimin ose jo të vërejtjeve të tyre. Opinioni përmend standardet e Këshillit të Europës në lidhje me konsultimet, sipas së cilave standarde shtetet dhe autoritetet publike gjatë draftimit të legjislacionit duhet të lejojnë pjesëmarrje të plotë të mediave dhe shoqërisë civile, të organizojnë dëgjime publike dhe konsultime, të ftojnë dhe dëgjojnë të gjithë akterët, të lejojnë kohë të mjaftueshme për t’u përgjigjur, të publikojnë rezultatet e konsultimeve dhe të ofrojnë sqarime për pranimin ose mos pranimin e rekomandimeve nga aketërt e jashtëm.

    Si praktikë e mirë përmendet Grupi Punues në Mal të Zi, i përbërë nga 25 përfaqësues të cilët kishin punuar në ndryshimet e ligjeve për media për 2 vjet, duke zhvilluar më shumë se 25 takime. Mirëpo, meqenëse është vonë për të krijuar një grup punues, opinoni ligjor rekomandon që definicioni i shërbimeve audio-vizuele të kthehet siç kanë qenë fillimisht me draftligjin e parë [pa mediat online që publikojnë video] dhe ndryshimi i këtij aspekti të bëhet në një fazë më të vonshme.

    Ne përshëndesim bashkëpunimin dhe gatishmërinë e Këshillit të Europës, Bashkimit Europian dhe OSBE-së që të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare dhe shpresojmë që do të ketë vullnet politik për përmirësimin e projektligjit deri në atë masë sa të jetë plotësisht në përputhje me standardet me të mira europiane.
    Rikujtojmë Qeverinë dhe Parlamentin që Kosova ka shënuar rënie alarmante në Indeksin e Reporerëve Pa Kufij për 19 rënie, dhe se nisma për të ndryshuar Projektligjin e KPM-së ka kontribuar në këtë rënie.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK
    Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias

  • Qeveria e re maqedonase drejt formimit, kryetari i Kuvendit pritet të jetë shqiptar

    Qeveria e re maqedonase drejt formimit, kryetari i Kuvendit pritet të jetë shqiptar

    VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i katër partive politike shqiptare, VLEN, thonë se kanë përfunduar bisedimet për bashkëqeverisje dhe për ndarjen e posteve ministrore në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, por marrëveshja nuk do të bëhet e ditur pa mbylljen e bisedimeve edhe me lëvizjen ZNAM, një parti që pritet gjithashtu të jetë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm.

    Bazuar në prononcimet e zyrtarëve të VMRO DPMNE-së, marrëveshja do të bëhet e ditur pas konstituimit të Kuvendit të ri, më 28 maj. Pas mbledhjes së Kuvendit, kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski, në afat prej 10 ditësh duhet të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së re nga presidentja e shtetit, Gordana Silanovska-Davkova.

    “Bisedimet janë në një fazë të avancuar, por ende nuk kemi marrëveshje finale dhe derisa nuk e kemi një gjë të tillë, nuk do të mund të japim detaje. Bisedimet po zhvillohen për të gjitha çështjet, ndarjen e resorëve, por mbi të gjitha, për kuadrot që duhet të jenë të pranueshëm dhe të gatshëm të punojnë mbi parimet bazë të punës së Qeverisë së re”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski.

    Detaje nuk kanë dhënë as partitë politike shqiptare duke ia lënë këtë kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

    Jozyrtarisht bëhet e ditur se partitë shqiptare që tani janë në opozitë, në Qeverinë e re do të drejtojnë gjashtë ministri; shëndetësinë, ekonominë, ambientin jetësor, sistemin politik, punën dhe politikën sociale, një ministër parësor, si dhe një zëvendëskryeministër. Pjesë e bisedimeve është edhe Sekretariati për Çështjeve Evropiane, shruan Radio Evropa e Lirë.

    Partitë shqiptare në Qeverinë e re, siç bëhet e ditur, do të kenë edhe gjashtë zëvendësministra në Ministrinë e Arsimit, atë të Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes.

    Arben Taravari nga koalicioni VLEN nuk i ka hedhur poshtë këto të dhëna që tashmë përmenden në media dhe në opinionin e gjerë.

    “Mund të them se 95 për qind e zgjidhjeve kadrovike, për të cilat kemi rënë dakord tanimë, janë rrotulluar (raportuar) nëpër media. Besoj se këtyre ditëve do të bëhen publike pasi ajo [VMRO DPMNE-ja] synon të ketë mbi 80 vota në shumicën e re qeveritare, kështu që fjala përfundimtare është te mandatari i ardhshëm”, ka thënë Taravari.

    Në rast se bisedimet mbyllen me sukses, këto tri subjekte politike do të kenë një shumicë parlamentare prej 78 deputetësh, por VMRO DPMNE-ja synon numrin prej 83 deputetëve apo dy të tretat për t’i miratuar ligjet që kërkojnë këtë shumicë të votave.

    Partitë shqiptare, bazuar në prononcimet e tyre, do të udhëheqin edhe me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut që pritet të konstituohet të martën, më 28 maj.

    Në këtë pozitë pritet të emërohet Afrim Gashi nga parti Alternativa, që është pjesë e koalicionit VLEN.

    Gashi në një prononcim për mediat nuk e ka përgënjeshtruar lajmin duke thënë se “me rëndësi është që shqiptarët do të vazhdojnë të kryejnë një nga tri funksionet më të rëndësishme në shtet”, që nënkupton se kryetar i Kuvendit do të zgjidhet një shqiptar.

    Bazuar në paralajmërimet e VMRO DPMNE-së, Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet të zgjidhet më së voni deri më 20 qershor.

  • Petkoviq nervozohet me avancimin e statusit të Kosovës në AP të NATO-s

    Petkoviq nervozohet me avancimin e statusit të Kosovës në AP të NATO-s

    Petkoviq: Pranimi i Kosovës si anëtare e asociuar e NATO-s është një shpërblim tjetër për terrorin ndaj serbëve

    Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq tha se pranimi i Kosovës si anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s “e ekspozoi të gjithë politikën e standardeve të dyfishta të Perëndimit”.

    Ai e akuzon Perëndimin se “edhe një herë e shpërbleu fëmijën e vet”.

    “Cilat janë sanksionet perëndimore ndaj Prishtinës, gjatë së cilës e ashtuquajtura Kosovë merr liberalizimin e vizave, merr pjesë në të gjitha tubimet ndërkombëtare dhe avancon drejt disa organizatave ndërkombëtare?”, tha Petkoviq.

    Ai shkoi edhe më tej, duke thënë se kohët e fundit Perëndimi “po ushtron presion të fortë ndaj Serbisë dhe popullit serb, sepse është e qartë se një Serbi e fortë me Aleksandar Vuçiqin në krye është gjemb në sytë e shumë fuqive perëndimore”.

  • Borrelli thotë se është i tmerruar nga sulmi në Rafah ku u vranë edhe fëmijë

    Borrelli thotë se është i tmerruar nga sulmi në Rafah ku u vranë edhe fëmijë

    Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se është i tmerruar nga raportimet se Izraeli ka vrarë dhjetëra persona në Rafah, përfshirë fëmijë të vegjël.

    “I tmerruar nga lajmet që dolën nga Rafah mbi sulmet izraelite që vranë dhjetëra persona të zhvendosur, përfshirë fëmijë të vegjël. Unë e dënoj këtë në termat më të ashpër”.

    “Nuk ka vend të sigurt në Gaza. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë. Urdhrat e GjND-së dhe DNH-ja duhet të respektohen nga të gjitha palët”, ka shkruar Borrelli në platformën “X”.

  • Ragip Xhaka mes lotësh e shijon suksesin e Granitit

    Ragip Xhaka mes lotësh e shijon suksesin e Granitit

    Ragip Xhaka ka bërë sakrifica të mëdha në jetë, nga një i burgosur politik e deri tek migrimi jashtë vendit.

    Por, babait të dy vëllezërve, Taulant e Granit Xhaka po i shpërblehen vuajtjet dhe mundi që i kishte bërë gjatë jetës.

    Taulanti e kishte bërë krenar me paraqitjet heroike me Kombëtaren shqiptare, por edhe me karrierën e tij me Baselin.

    Kurse, Graniti, pasi shkëlqyer edhe në të kaluarën me Baselin, Borussia Monchengladbachun e Arsenalin, së fundmi ia riktheu krenarinë me dy trofe historikë me Bayer Leverkusenin, titullin në Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë.

    Mes lotësh, Xhaka senior u pa duke e përqafuar djalin e tij, i cili e bëri edhe një herë krenar.

    Për t’i vlerësuar dhe nderuar dy vendet, atë të zemrës dhe atë që iu gjet në kohëra të vështira, Ragip Xhaka e kishte marrë një vendim fantastik.

    “I kam dy djem, njërin ia dhashë Shqipërisë, e tjetrin Zvicrës.”