Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se sot janë nisur 351 besimtarë, nga Prishtina, Lipjani, Fushë Kosova e Obiliqi, drejt haxhit.
“Sot, herët në mëngjes, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, 351 besimtarë nga Prishtina, Lipjani, Fushë Kosova dhe Obiliqi, janë nisur drejt vendeve të shenjta për ta kryer haxhin.”
Sot pritet të udhëtojnë edhe grupe tjera.
“Ky ishte grupi i tretë që udhëtoi. Sipas udhëheqësve të Haxhit në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, çdo gjë sa i përket fluturimeve është duke shkuar sipas planit të paraparë. Sot pritet që të udhëtojnë edhe grupet e tjera të besimtarëve, për të plotësuar kështu numrin prej 1576 besimtarë, që do ta kryejnë haxhin këtë vit nga Kosova.”
Polici që është plagosur rëndë në një sulm me thikë në qytetin gjerman, Manhajm, të premten e kaluar, ka vdekur, thanë autoritetet lokale.
Polici 29 vjeç ka qenë një nga gjashtë personat që janë plagosur nga sulmuesi, i cili është ndaluar në vendin e ngjarjes.
Ai është goditur disa herë me thikë në kokë.
Pavarësisht se i është nënshtruar një operacioni urgjent, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka vdekur pasditen e së dielës.
“Ky lajm më ka tronditur deri në palcë”, tha lideri i landit Baden-Vyrtemberg, ku ndodhet qyteti Manhajm.
Sulmi tregon “rrezikun – shpesh të pallogaritshëm – me të cilin përballen oficerët e policisë çdo ditë”, tha Winfried Kretschmann.
Sulmi ka ndodhur të premten në një shesh të qytetit Manhajm.
Sulmuesi i dyshuar, që besohet të jetë një afgan 25-vjeçar, i cili ka arritur në Gjermani në vitin 2014, është qëlluar dhe plagosur nga policia në vendngjarje.
Ardita Sinani ka shpallur fitoren në Komunën e Preshevës pas zgjedhjeve të së dielës.
Sipas saj, Partia për Veprim Demokratik ka arritur të marrë 4 mijë e 75 vota.
Ajo ka thënë më tej se PDSH-ja i ka 3 mijë e703, Aleanca 1 mijë e185 dhe APN 2 mijë e 850.
“Kjo fitore përpos që është rritje për subjektin tonë politik, krahasim me numrin në rënie të votuesve, për neve është shumëfish më e madh e ne kemi dominuar në të gjitha bastionet e jemi dominues në bastionet e APN-së”, tha Sinani, raporton Telegrafi.
Sinani ka thënë se për katër vjetët e ardhshme do të qeverisë “me maturi e përgjegjësi”.
Rezultatet preliminare në zgjedhjet lokale në Preshevë:
Partia për Veprim Demokratik – 4078 vota – 11 këshilltarë
Partia Demokratike Shqiptare – 3093 vota – 8 këshilltarë
Alternativa për Ndryshim – 2856 vota – 8 këshilltarë
Lëvizja për reforma – 2140 vota – 6 këshilltarë
Aleanca për Luginën – 1154 vota – 3 këshilltarë
Unioni Demokratik Shqiptar – 566 vota – 1 këshilltar
Lista serbe – 641 vota – 1 këshilltar
Fronti për Ndryshim nga ana tjetër, ka shpallur fitoren e zgjedhjeve në Bujanoc.
Gjashtë shkolla fillore në Prishtinë, nga 1 shtatori do ta kenë orarin më të zgjatur. Komuna ka menduar që me vitin e ri shkollor 2024-2025, të fillojë me mësimin gjithë ditor.
Por njohësit e arsimit thonë se kjo është në kundërshtim me ligjin në fuqi, ngase mësimi tërë ditor e tejkalon normën e orëve të rregullta për mësimdhënësit, që parashihet me kontratë.
Që projekti të realizohet, Qehaja thotë se duhet angazhim shtesë të mësimdhënësve.
“Legjislacioni e mire definon angazhimin e mësimdhënësve, të shpërndara në 20 orë në përgatitje e 20 orë mësim të rregullt. Është e rëndësishme që mësimi gjithë ditorë të jetë i mirë planifikuar, pjesa kryqe e të cilit është shpërndarja e resurseve njerëzorë, pra sa e mësimdhënës mund të angazhohen tërë ditën sa duhet të rekrutohen e sa të tjerë do të shpërndahen në shkolla për të plotësuar fontin e orëve. Është vështirë e pritshme që një mësimdhënës i vetëm të qëndroj i angazhuar në proces mësimor për tete orë”, tha Rinor Qehaja, njohës i arsimit.
Meqë kontrata për mësimdhënësit parasheh 20 orë mësim të rregullt, ATV-ja, ka pyetur Drejtorinë e Arsimit se kush do të mbajë mësim me fëmijët deri pasdite, por nuk ka marrë përgjigje.
Por ATV, ka mësuar se komuna e Prishtinës, do të hap konkurs për rekrutimin e stafit të ri, për këto gjashtë institucione arsimore.
Sido që të jetë, paqartësi për mënyrën e mbajtjes së mësimit tërë ditor kanë edhe vetë shkollat në të cilat do të fillojë pilot-projekti.
“Ende jemi në fazën e diskutimeve, ende nuk është një vendim si do të duket si dizajn. Por nëse do të ketë nevojë për staf shtesë besoj që komuna e Prishtinës e ka menduar edhe atë pjesë”, tha Visar Osmani, drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku”.
Ministria e Arsimit, kanë njoftuar se janë të gatshëm për t’i ndihmuar komunat pilot- projektin për mësimin gjithë ditorë.
Gjashtë shkollat në të cilat do të aplikohet mësimi gjithëditor janë Shkolla Model, “Dardania”, “Emin Duraku”, “Eqrem Qabej”, “Xhevdet Doda” dhe “Xhemajl Mustafa”.
Ura e Ibrit në Mitrovicë njihet si simbol i ndarjes së qytetit, në veri e jug të lumit.
Mirëpo qytetarët, kryesisht të rinjtë në moshë, po i shfrytëzojnë muret e saj edhe për mesazhe dashurie.
Shprehjet janë të motiveve të ndryshme.
“Këto janë disa ndjenja të qastit që të rinjt po i shprehin, janë nga ato herë dashurie herë urrejtje të cilat i shprehin në ato momente”, thotë një qytetare.
“Ndjenjat e tyre ata i shfaqin përmes mbishkrimeve dhe muraleve te ura. Janë shkrime të ndryshme dashurie, urrejtje etj. Ndoshta edhe pendohen më vonë, por në shumicën e rasteve nuk besoj”, thotë një qytetar.
Në shumicën e rasteve, dedikimet janë të panjohura.
Mirëpo, nganjëherë përdoren vetëm inicialet.
“Flasin sikur me kode, i shkruajnë disa fjalë që dihet që i përdorë vetëm ai ose ajo dhe merren vesh”, tha një qytetare.
Sipas psikologut Artan Fejza, autorët janë kryesisht të rinjtë që duan të lënë gjurmë.
“Është pak a shumë një katarsis i ndjenjave të tyre ku ata mendojnë se do të lëjnë gjurmë përmes atyre shkrimeve tek audienca, personat, të cilët mund të jenë edhe anonimë, dhe ata e gjykojnë si një veprim që është në interes të shfryrjes së ndjenjave që kanë”, tha Fejza.
Ndërsa për sociologun Ramadan Beshiri, këtyre shkrimeve, ua përforcon kuptimin edhe vendi ku shkruhen.
“Nga aspekti i dashurisë dhe i romansierëve, urat i kanë përdorur si një lloj metafore e një lidhjeje të pashkëputshme në mes të dy personave”, tha Beshiri.
Përveç mbishkrimeve të thjeshta, Ura e Ibrit është shfrytëzuar shpesh edhe për murale artistike.
Korporata Energjetike e Kosovës ende nuk e ka shpallur tenderin për investimet e planifikuara për këtë vit, në vlerë 105 milionë euro, për rehabilitimin dhe modernizimin e një njësie prodhuese të Termocentralit Kosova A.
“Plani është që të hapet shpallja e interesit. Kompanitë ose konsorcuimet të kenë një periudhë rreth dy-mujore ku mund të vizitojnë termocentralin, të marrin informacione teknike shtesë, të japin komentet e tyre, duke qenë se është një punë shumë e madhe dhe e ndërlikuar teknikisht dhe pastaj dokumentacioni i plotë i tenderit të lansohet pas kësaj periudhe”, tha minsitrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Përkundër këtyre paralajmërimeve, ATV-ja kuptoi se ende është kryer vlerësimi i gjendjes, e rrjedhimisht as vizitat nga palët eventualisht të interesuara.
Në Ministrinë e Ekonomisë nuk dhanë një përgjigje të re.
Ndërsa në KEK, muajin e kaluar, njoftuan se po përgatisin dokumentacionin.
“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton së aktualisht zyrtarët e korporatës janë duke finalizuar dokumentacionin e nevojshëm për inicim të procedurës për Rehabilitimin dhe Modernizimin e njësisë A3”, tha zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli.
Në këto rrethana, marrë parasysh procedurat, afatet dhe praktikat e prokurimit, Kosova rrezikon edhe një dimër pa investime në njësitë prodhuese, të vjetruara.
“Çdo vonesë, sigurisht, ndikon në sigurinë e furnizimit me energji, sepse bie besueshmëria e këtyre termocentraleve. Besueshmëri më e ulët do të thotë kapacitete të disponueshme më të ulëta gjatë vitit të ardhshëm”, tha Naim Bujupi, ekspert i energjisë.
Muaj më parë Ministria e Ekonomisë konfirmoi shtyrjen për vitin tjetër, të investimeve në termocentralin Kosova B, për reduktimin e ndotjes, nëpërmjet fondeve të BE-së në vlerë 38.5 milionë euro; si dhe për modernizimin e turbinave në vlerë 56 milionë euro, nëpërmjet kontratës me General Electric.
Ndalja e përkohshme e prodhimit për investime eventuale në dy njësi prodhuese, në dy termocentrale më 2025, sipas ekspertit të energjisë Naim Bujupi, mund të ndikojë në tarifat e energjisë në vitin pasues.
“Shkëmbimet me Shqipërinë nuk mund ta kompensojnë tërë këtë energji, tërë këtë kapacitet prodhues, dhe atëherë i bie se duhet të importohet nga tregu rajonal, sigurisht, me çmime më të larta… Gjithmonë importi është më i shtrenjtë se çmimi i energjisë që prodhohet në vend dhe ajo diferencë duhet të paguhet nga qytetarët e Kosovës”, tha Bujupi.
Zingjiri i vonesave pritet të prekë edhe njësinë e dytë prodhuese të Kosovës B, që sipas programit për zbatimin e Strategjisë së Energjisë, më 2025 do të duhej t’i nënshtrohej një rehabilitimi të thellë, në vlerë 88 milionë euro.
Ka kaluar një muaj e gjysmë prej kur qeveria vendosi që Agjencia Kadastrale t’i regjistrojë 24 hektarë pronë në emër të Manastirit të Deçanit, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Por, brenda kësaj periudhe, ATV-ja mëson se institucionet e shtetit nuk kanë bërë asnjë hap që ky objekt ortodoks të mos jetë në listën e monumenteve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, të organizatës “Europa Nostra”.
Kjo e fundit, më 2021 e listoi Manastirin e Deçanit në Programin e 7 Monumenteve më të rrezikuara në Evropë, ndërsa një nga arsyet kryesore kishte qenë moszbatimi i vendimit të Kushtetueses.
“Europa Nostra” nuk ka kthyer përgjigje, nëse është duke e rishqyrtuar rrezikshmërinë e manastirit, pavarësisht disa tentimeve të televizionit, që nga muaji mars.
Përgjigje zyrtare nuk ktheu as Ministria e Kulturës në Prishtinë, që kishte qenë e zëshme kundër vendimit të organizatës më të vjetër të trashëgimisë kulturore në kontinent. Madje, as presidenca, meqë më 2021, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin dërguar letër shqetësuese ndaj listës.
Historiani Shkodran Imeraj vlerëson se institucionet do të duhej të ishin më aktive për ta bindur Europa Nostran, sidomos pas zhvillimeve të fundit.
“Tashmë janë larguar edhe rreziqet juridike, përkundër që nuk ka pasur asnjëherë rreziqe faktike për Manastirin e Deçanit… Qeveria do të duhej të kërkonte heqjen…”, tha Imeraj.
Në anën tjetër, igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, tha për ATV-në se vendime si kjo e Europa Nostras, nuk kanë pasur motive politike. Ndërsa, përmend edhe listën e UNESCO-s, ku po ashtu përfshihet monumenti i udhëhequr nga klerikët serbë.
“Manastiri i Deçanit ka mbetur në listën e UNESCO-s të vendeve të rrezikuara të trashëgimisë kulturore, që nga viti 2005. Duke marrë parasysh vitet e trazuara të pasluftës në Kosovë dhe situatën e paqëndrueshme politike, ka shqetësime për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Unë besoj fuqishëm se situata do të bëhet më e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare, do ta respektojnë trashëgiminë kulturore të të gjitha grupeve, pasi ajo përbën thesarin e gjithë neve”, tha Janjiq.
Në korrik të 2022-ës, një ekip i Europa Nostras qëndroi në Kosovë, ku vizitoi edhe Manastirin e Deçanit. Më pas nxori komunikatë duke thënë se shqetësimet e përmendura në Programin e 2021-ës qëndrojnë ende.
Përveç çështjes së pronave, përmenden edhe planet për rrugën Deçan-Plavë skaj manastirit, si Zonë e Veçantë e Mbrojtur, nevojat për ruajtjen e objektit 24/7 nga ana e KFOR-it, si dhe përpjekjet për ta rishikuar identitetin kulturor e historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, nëse u përket shqiptarëve apo serbëve.
Kur doli lista e re me 7 monumentet e rrezikuara, vitin e kaluar, kjo organizatë kishte konfirmuar se është duke e monitoruar vazhdimisht situatën me Manastirin e Deçanit. Prandaj mbetet të shihet nëse regjistrimi i pronave do të mjaftojë për ta ndryshuar opinionin lidhur me këtë temë.
Kompanitë që ofrojnë automjete me qira po kërkojnë plotësim-ndryshimin e ligjit të ri për rregullat e komunikacionit rrugor.
Në shoqatën me rreth 100 biznese të rentave u shprehën të shqetësuar për faktin se po u sekuestrohen automjetet, si pasojë e shkeljeve të kryera nga klientët.
“Automjeti konfiskohet në kohëzgjatje derisa ai person ka ndalesë në patentë shofer, që për biznesin është absurde, sepse ai person që merr makinën me qira, nuk është pronë e tij, dhe biznesi nuk ka mundësi të bëjë verifikimin”, tha Albion Shala, kryetar i shoqatës.
Bizneset ankohen për koston e lartë financiare dhe procedurat e gjata për kthimin e automjeteve.
“Është liruar automjeti pas 29 dite. Në fund të kësaj periudhe, unë jam detyruar të shkoj dhe ta marrë automjetin prej pikës grumbulluese, dhe më është dashur të paguajë bartjen e automjetit, plus qiranë ditore të atij biznesi privat…Shuma të cilën e kam paguar është 175 euro për bartje dhe qiranë ditore”, tha Kushtrim Shaqiri, pronar i një “Rent a Car”.
Nëse kërkesat e tyre nuk merret parasysh, sipas Shaqirit, dëmet mund të jenë të pariparueshme.
“Nëse vazhdon kjo problematikë na largon prej punës, sepse, humbjet financiare janë të mëdha marrë parasysh që funksionojnë si biznese sezonale”, tha Shaqiri.
Deputetë të partive opozitare në Kuvend e vlerësuan të domosdoshëm plotësim-ndryshimin e ligjit.
“Konsideroj se do duhej të rikthehet ligji me një procedurë krejtësisht të re nga fillimi dhe të rishkruhet, ripërpunohet, ri dizajnohet në shumë pika dhe jo vetëm në këtë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“Është e padrejtë nëse ke rent dhe konfiskohet automjeti i Rentës, duhet të rishikohet ligji dhe të amandamentohet, sepse nuk ka dokument të vdekur”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Pushtetarët tashmë janë në dijeni të këtij shqetësimi.
“Do të konsultohemi me institucionet tjera relevante, dhe shumë shpejtë do të kemi një përgjigje konkrete se çfarë do të ndërmarrim ne dhe kompanitë në fjalë në mënyrë që ky problem të zgjidhet”, tha deputetja e LV-së, Fitore Pacolli.
Ligji i ri për rregullat në trafikun rrugor, me të cilin janë ashpërsuar ndëshkimet për kundërvajtësit, ka hyrë në fuqi më 3 Prill.
Po e cilëson si rrugëtimin më të rëndësishëm në jetë, prandaj Hamide Morina po pret e gëzuar, për t’i kryer kontrollet e dokumenteve në Aeroportin e Prishtinës.
Tok me bashkëshortin, kjo po shkon drejt Qabesë, për ta kryer ritualin e haxhit, si një nga pesë shtyllat kryesore të fesë islame.
“Po shkoj me burrin, është shumë Sevda shumë ditë e mirë e sotit që po shkojmë ishallah Allahu na pranon, është hera e parë, më gjithë qef e sevda po shkoj”, tha Hamide Morina, haxhilere.
Paraditen e së dielës, u nis grupi i parë prej 215 haxhilerëve. Ndërsa për në vendet e shenjta të myslimanëve, do të shkojnë 1576 kosovarë.
Disa prej tyre shprehen se udhëtimi për në Mekë e Medine, është më i veçantë se gjetiu.
“Çshtë hera e parë që shkojë në Haxh e në Umre jam kanë dy herë, mezi po pres me shku në vende të shenjta e të bekume”, tha Fatmir Maliqi, haxhiler.
“Është një ndjenjë shumë e veçante, këtë vit jam më I kompletuar se e kom nënën edhe bashkëshorten”, tha Osman Krasniqi haxhiler.
“Është emocion shpirtëror, së pari shëndetin që e kam e edhe kushtet, ishalla zoti ua mundëson të gjithëve me shkua”, tha Zymer Tahiri, haxhiler.
Ndër lutjet që do t’i bëjnë gjatë kohës së haxhit, thonë se do ta kenë Kosovën.
“Do të lutemi për vendin tonë për atdheun tonë, për popullin tonë për Kosovën tonë të dashur”, tha Bujar Fera, haxhiler.
Haxhilerët kosovarë udhëtojnë të ndarë në grupe, ndërsa fluturime do të ketë deri në mesnatën e së hënës.
Nga Bashkësia Islame thonë se interesimi për të shkuar në këto vende Arabe është I madh, madje për vitin 2025, nuk ka më vende të lira.
“Interesimi është rritë, tashmë pothuajse edhe për vitin e ardhshëm e kemi mbushur numrin, në listë të pritjes janë edhe për vitin 2026”, tha Fitim Gashi nga Bashkësia Islame.
Çmimi për ta kryer haxhin, në Kosovë sivjet kushtoi 6450 euro për person, që është çmimi më i lartë ndonjëherë.