ATV

Author: ATVLive

  • Formacionet e mundshme të Realit dhe Chelseat

    Formacionet e mundshme të Realit dhe Chelseat

    “Santiago Bernabeu” do të jetë nikoqir i super përballjes së sotme mes Real Madridit dhe Chelseat, e vlefshme kjo për ndeshjen e parë mes dy klubeve në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

    Për të tretin sezon me radhë, dy gjigantët evropianë takohen mes vete në fazat eliminatore të turneut, ku fituesit e dy përballjeve të fundit që vazhduan deri në fund për ta fituar trofeun, raporton KosovaPress.

    Me dy skuadrat që janë larg të arrijnë objektivat e këtij sezon në kampionatet e tyre, të dyja do të kërkojnë suksesin në garën më prestigjioze evropiane, andaj pritet që sot të zhvillohet një ndeshje tejet e zjarrtë.

    Të dy skuadrat, si Reali ashtu edhe Chelsea u mposhtën në vikend me diferencë prej një goli, ku Reali u mposht si vendas nga Villarreali me shifrat 3:2, kurse Chelsea pësoi humbje 1:0 nga Wolverhamptoni.

    Takimi i fundit mes Realit dhe Chelseat daton në muajin prill të vitit 2022, ku asokohe Chelsea e mposhti Realin me rezultat të ngushtë 3:2.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Realin nuk do të paraqitet Mendy, kurse te Chelsea mungojnë Aubameyang, Badiashile, Broja, Chukwuemeka dhe Madueke.

    Formacionet e mundshme i gjeni më poshtë.

    Real Madrid (4-3-3): Courtois; Carvajal, Militao, Rudiger, Alaba; Kroos, Modric, Tchouameni; Valverde, Benzema, Vinicius

    Chelsea (4-3-3): Kepa; James, Fofana, Koulibaly, Chilwell; Kovacic, Enzo Fernandez, N’Golo Kante; Sterling, Havertz, Joao Felix

    21:00 Real Madrid – Chelsea (Stadiumi Santiago Bernabeu)

  • Akademik Anastas Angjeli promovon kolanën me 8 vëllime “Ditari i tranzicionit”

    Akademik Anastas Angjeli promovon kolanën me 8 vëllime “Ditari i tranzicionit”

    Promovohet në Akademinë e Shkencave, kolana “Ditari i tranzicionit”, me 8 vëllime, nga Akademik, Prof.Dr Anastas Angjeli. Kjo kolanë, si përmbledhje e ngjareve ekonomike në Shqipëri, për 30 vjet, vjen pak muaj pasi profesori mori çmimin “Eqerem Çabej”, çmimi më i rëndësishëm shkencor që akordohet nga Akademia e Shkencave.

    Në ceremoninë e organizuar, morën pjesë studiues, akademikë të njohur, gazetarë e profesorë. E ftuar e veçantë ishte edhe Zv Kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Justina Pulaj Shiroka. Në fjalën e saj ajo shprehu vlerësime jo vetëm për kolanën, por veçanërisht për figurën e njohur dhe të respektuar si dhe kontributin në ekonomi e politikë të Prof. Angjelit.

    “Akademik Angjeli është së pari intelektual i çmuar, ekonomist i përmasave evropiane, anëtar i Akademisë europiane të Shkencave, si dhe Doctor Honoris Causa në disa Universitete botërore”, u shpreh akademikja nga Kosova.

    Nga sa theksoi në fjalën e saj, Prof Angjeli është padyshim një nga studiuesit më të njohur në lëmin e ekonomisë dhe veçanërisht ekonomisë financiare.

    “Na ka dhuruar dhjetra publikime shkencore si autor dhe bashkëautor të publikuara në Shqipëri dhe jashtë vendit. Por jo vetëm kaq. Në këtë hark kohor ai ka mbajtur edhe mjaft detyra të larta shtetërore si deputet, ministër, anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë etj. Në botimet e tij, Akademik Angjeli ka pasqyruqar një begati diturish,në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë. Ndaj respekti dhe vlerësimi jonë është tepër i madh për të gjitha zgjidhjet praktike dhe analizat”, tha Akademikja Pulaj.

    Ajo shtoi se ajo çka pasqyrohet në këtë kolanë ka qenë edhe një mësim edhe për Kosovën duke mësuar nga gabimet si dy ekonomi të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi në fjalën e tij u shpreh se kolana “Ditari i Tranzicionit ekonomik”, ka tre specifika.

    “Është e para herë që një përmbledhje studimesh e analizash kaq voluminoze në ekonomi, të promovohet në këto mjedise të Akademisë së Shkencave. Kolana është produkt i një autori, por ai në shkrimin e konceptimin e saj shfaqet me disa cilësi e funksione. Ky ditar rrok një periudhë të papersëritshme të ekonomisë e historisë shqiptare, atë të tranzicionit, që rezulton më i veshtiri e i shoqëruar me dukuri e eksperimente të panjohura më pare. Në këto zhvillime, autori ka qenë protagonist e oponent, sipas rastit, i reformave të thella a të veçanta, që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Kështu kjo kolanë, është ditar e dëshmi me vlerë i tre dekadave aktivitet intensiv e punë kërkimore-shkencore prej autorit: në fushat akademike e mediatike, institucionale e qeverisëse, intelektuale e qytetare”, u shpreh Gjinushi në fjalën e tij.

    Altin Tanku, Drejtor i Kërkimit Shkencor në Bankën e Shqipërisë u shprh se kjo, vepër shumëdimensionale në këndvështrimin ekonomik vjen si kombinim të gjitha elementëve së bashku duke sjellë pikërisht filozofinë e zhvillimit nga një ekonomi e centralizuar drejt ekonomisë së tregut të drejtuar nga iniciativa e lirë.

    “Vepra ka një veçori si në aspektin historik, aspektin e kërkimit por dhe aspektin e politikbërjes. Të tre këto aspekte e bëjnë këtë vepër një bashkëpunëtore të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera financiare dhe ekonomike”, tha Tanku.

    Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë , Adrian Civici theksoi në fjalën e tij se në kolanën që përmledh ngjajrjet ekonomike të këtyre 30 viteve, ndihet qartë pulsi i gjithë vendimarrjes ekonomike shqiptare dhe gjithë sfidave që kaloi Shqipëria për të arritur deri këtu ku është.

    “Kjo kolanë ka brenda dinamikën e këtyre sfidave që kërkonin zgjidhje në funksion të bërjes më mirë të gjithë gjërave. Në këtë aspekt kjo vepër për të gjithë studiuesit e financave dhe ekonomisë, por edhe për një masë të gjëre lexuesisht përfshi dhe studentët, natyrisht që është një burim për të mësuar dhe kuptuar”, tha Civici.

    Studiuesi dhe gazetari, Lorenc Vangjeli, i cili është edhe redaktor i kësaj kolane, shprehu gjithashtu vlerësimet e tij.

    “Janë tetë libra me një kryepersonazh, Paranë. Janë kujtesë për kohën kur në Shqipëri paraja ishte mjet për të mbijetuar dhe për të sotmen kur paraja është bërë qëllim i vetëm në jetë. Atëherë më të guximshmit i luteshin perëndisë për pak më shumë liri, bukë e dinjitet, kurse sot paraja është perëndia kryerëndë e qiellit të vetmuar arbnor pa perëndi të tjera”, tha Vangjeli.

    Vetë autori u shpreh se kjo kolanë erdhi si pasojë e dy detyrimeve personale, së pari për të lënë një gjurmë në në historinë e tranzicionit, sepse shumë pak kur flitet për zhvillimet ekonomike, financiare dhe sociale që janë bërë në Shqipëri kemi informacion dhe brezat e ardshëm duhet të dinë nga cfarë ekonomie kemi rrjedhur dhe drejt ccfarë ekonomie po shkojmë.

    ”Besoj që me këtë kolanë kam dhënë një kontribut modest për këtë pjesë. Së dyti isha përballë presionit të fëmijëve miqve dhe bashkëpunëtorëve të mi, që këto botime t’i përmblidhja në një kolanë për t’ju lënë brezave të rinj, studiuesve, studentëve disa informacione për disa reforma e procese që janë zhvilluar në vendin tonë. Këto dy arsye dhe disa vite punë, sjellin sot këtë kolanë”, tha Angjeli.

  • Sot vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitarja e parë vazhdon dëshminë

    Sot vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitarja e parë vazhdon dëshminë

    Dëshmitarja e parë në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit do të vazhdojë sot dëshminë e saj.

    Gjatë ditës së djeshme, dëshmia e saj është marrë në seancë private gjatë gjithë kohës dhe pothuajse asgjë nuk ka qenë e hapur për publikun.

    Sipas deklarimeve të gjykatës, do të duhen katër ditë që dëshmitarja e parë të përfundojë dëshminë e saj, ndërsa mbrojtja do të ketë kohën e vet për të bërë pyetje.

    Specialja është kritikuar lidhur me mbajtjen e seancave private dhe përmbajtjeve të redaktuara në rastin ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

  • Sveçla tregon në detaje si u plagos serbi në veri: Kanë nisur hetimet intensive

    Sveçla tregon në detaje si u plagos serbi në veri: Kanë nisur hetimet intensive

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për incidentin e sotëm që ka ndodhur në rrugën nacionale në mes të Leposaviqit dhe Zveçanit, ku është plagosur një qytetar i Kosovës i etnisë serbe.

    Sveçla në një status në Facebook ka treguar se kanë filluar hetimet intensive të Inspektoratit të Policisë së Kosovës, por edhe vetë Policisë lidhur me rastin.

    “Pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intensive.”, ka shkruar ai.

    Sveçla tregon detajet e sulmit, ku thotë se vetura nuk i ishte bindur urdhërit të zyrtarit policor, andaj polici ka shtënë me armë.

    “Sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit. Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J”, thotë tutje ministri.

    4 zyrtarë policorë janë arrestuar si pasojë e incidentit.

    “Pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të prokurorit, 4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast. Të njejtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK. Me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave, hetimet do të vazhdojnë intenzivisht dhe gjithësecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin”, përfundon ai.

  • Zyra e BE-së dënon incidentin në veri ku mbeti një serb i plagosur

    Zyra e BE-së dënon incidentin në veri ku mbeti një serb i plagosur

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar incidentin në veri të Kosovës, ku mbeti i plagosur një qytetar.

    “BE në Kosovë dënon incidentin e sigurisë, ku një serb i Kosovës është qëlluar dhe plagosur mbrëmë afër pikëkaklimit kufitar të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit”, thuhet në reagimin e lëshuar.

    Policia e Kosovës ka njoftuar për përfshirjen e katër zyrtarëve policorë në plagosjen e qytetarit serb Milan Jovanoviç, një natë më parë pranë Urës së Bistricës në Leposaviç.

    “Si rezultat i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”, sqaron njoftimi.

    Tutje thuhet se zyrtari në fjalë është suspenduar, bashkë me tre të tjerë që dyshohen për përfshirje në rast.

    “Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

  • Begaj pas takimit me Escobarin, vlerëson rolin e ShBA-së për negociatat Kosovë-Serbi

    Begaj pas takimit me Escobarin, vlerëson rolin e ShBA-së për negociatat Kosovë-Serbi

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Tiranë, “rikonfirmuam pozicionet e palëkundura të dy vendeve tona, për të ardhmen euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”.

    Ai tha se e ka vlerësuar partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA-së, transmeton Paparaci.

    Shefi i shtetit shqiptar tha se ka shprehur mirënjohjen për kontributin e SHBA-së në rritjen e kapaciteteve kibernetike të Shqipërisë.

    “Nënvizova rolin e paçmuar që Shtetet e Bashkuara dhe Escobar kanë luajtur në procesin e negociatave Kosovë-Serbi”, shkroi ai Facebook.

  • Komandanti i KFOR-it shkon në Shqipëri, diskuton me zyrtarët e mbrojtjes për situatën e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it shkon në Shqipëri, diskuton me zyrtarët e mbrojtjes për situatën e sigurisë në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri.

    Në Tiranë, Ristuccia u takua sot me ministrin Mbrojtjes Niko Peleshi dhe Arben Kingjin, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

    “Ministri Peleshi dhe gjeneralmajor Ristuccia diskutuan për situatën e përgjithshme në zonë dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Bashkimi shpallet kampion i Kosovës

    Bashkimi shpallet kampion i Kosovës

    Bashkimi është shpallur kampion i Kosovës në Superligen e Femrave. Prizrenaset kanë shënuar fitoren në ndeshjen me Prishtinën me rezultat 78:64.

    Bashkimi arriti të shpallej kampion pasi arriti tre fitore nga pesë ndeshje të zhvilluar gjithsej.

    Medaljet e argjendta te vajzat e Prishtinës i ndau Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova dhe Komesari i Garave në FBK Faton Kurshumlija kurse medaljet e arit i ndau Anëtari i Bordit të FBK-së Rrahman Përteshi dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

    Trofeun e MVP-së te lojtarja më e mirë Khadija Brown Haywood, e ndau Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, kurse Kupën te kapitenia Aulona Muhadri e dorëzoi Kryetari Fetahu.

    Këtë vit KBF Bashkimi ka fituar gjithashtu edhe Kupën në Final 8 në Rahovec, ku pati triumfuar ndaj Prishtinës.

  • Haradinaj paralajmëron dështimin e zgjedhjeve në veri

    Haradinaj paralajmëron dështimin e zgjedhjeve në veri

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka folur rreth organizimit të zgjedhjeve në veri që pritet të mbahet më 23 prill.

    Haradinaj tha në Klan Kosova se këto zgjedhje do të dështojnë.

    “Prapë ne do ta humbim fytyrën tonë. Nëse rezultati është nën 10 për qind niveli pjesëmarrjes. Mos të bëjmë hajgare. Ne jemi duke e mashtruar vetën. Edhe aleatët të lënë për të dështuar, në mënyrë që ta tregojnë vendin”, tha Haradinaj.

    Ai tha se u insistua me ‘budallakinë e vendit tonë’ që të mbahen zgjedhjet sërish atje.

    “E kemi ngrirë kokën e kemi thënë ne jemi shtet, e kemi Kushtetutën, i kemi ligjet i shpallim zgjedhjet. E ku kemi mbërritur? Mos me pas ardhur amerikani që të na nxjerrë nga aty, kishim mbetur në të”, theksoi ai.

  • Krasniqi reagon pas sulmit ndaj Valon Sylës: Askush s’ka të drejtë të cenojë demokracinë dhe pluralizmin e mendimeve

    Krasniqi reagon pas sulmit ndaj Valon Sylës: Askush s’ka të drejtë të cenojë demokracinë dhe pluralizmin e mendimeve

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar për sulmin ndaj gazetarit, Valon Syla

    Krasniqi e ka dënuar fuqishëm këtë sulm duke e quajtur sulm ndaj fjalës dhe medias së lirë madje ai ka shkuar edhe më larg duke thënë se ky “është sulm ndaj vet shtetit të Kosovës.

    “Dënoj fuqishëm sulmin ndaj gazetarit Valon Syla dhe bëj thirrje që sulmuesit të arrestohen dhe të dalin sa më parë para drejtësisë. Çdo sulm ndaj gazetarëve, fjalës dhe medias së lirë – është sulm ndaj vet shtetit të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

    “Demokracia dhe pluralizmi i mendimeve, tolerimi i tjetrit edhe kur nuk pajtohemi, janë vlerat më të mëdha të shoqërisë dhe vendit tonë, prandaj, askush dhe asgjë nuk ka të drejtë t’i cenojë ato”.