ATV

Author: ATVLive

  • Për herë të parë hapet dyqani GANT në Albi Mall

    Për herë të parë hapet dyqani GANT në Albi Mall

    Brendi i njohur botëror që u krijua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, GANT, po hap dyqanin e parë në Albi Mall.

    I njohur për stilet moderne dhe shumë trendi, Gant është i pranishëm në 70 tregje botërore, në më shumë se 4000 lokale duke u bërë kështu një nga brendet me ndikimin më masiv në tregun e veshjeve.

    Me më shumë se 70 vjet histori në industrinë e modës, Gant është lider për veshje kualitative për grupmosha të ndryshme, që tashmë ka arritur ambicien e shndërrimit në brend të vërtetë të stilit të jetesës.

    Të premten, më 14 Prill, nga ora 20:30, Gant hap dyqanin mbresëlënës dhe ekskluziv në Albi Mall për të gjithë adhuruesit e modës.

    Ju presim në hapjen e madhe!

  • BE: Do të monitorohet qartë niveli i zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

    BE: Do të monitorohet qartë niveli i zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

    Bashkimi Evropian është duke insistuar që Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

    “Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai.

    Sipas tij, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare.

    Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

    Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve më 27 shkurt dhe për planin e zbatimit më 18 mars.

    Ndonëse ato nuk i kanë nënshkruar dokumentet, BE-ja ka thënë se marrëveshjet janë ligjërisht obliguese.

    Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

  • Meta takohet me Escobarin: Angazhimi i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi garanton përfundim të suksesshëm

    Meta takohet me Escobarin: Angazhimi i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi garanton përfundim të suksesshëm

    Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është takuar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    Me të tha se pati komunikim të hapur.

    Mdër tjerash, Meta dhe Escobar kanë folur edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Vlerësova se angazhimi i SHBA-së në procesin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garanton përfundimin e suksesshëm të dialogut mes dy vendeve”, shkroi Meta në Twitter.

    Për Shqipërinë, kryetari i Partisë së Lirisë tha se “aleanca me SHBA-në është thelbësore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit”.

    “Falënderova zotin Escobar për mbështetjen e projektit të bazës së NATO-s në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse lidhur me sigurinë kibernetike”, shkroi ndër tjerash Meta.

  • Fluturoni në Mars me SpaceX: Animacioni i ri i pabesueshëm për të zbarkuar njerëzit në Planetin e Kuq brenda 5-10 viteve

    Fluturoni në Mars me SpaceX: Animacioni i ri i pabesueshëm për të zbarkuar njerëzit në Planetin e Kuq brenda 5-10 viteve

    SpaceX ka treguar me anë një videoje të animuar sesi planifikon që t’i dërgojë njerëzit në Mars duke përdorur anijen kozmike që do të kushtojë 3 miliardë dollarë.

    Videoja tregon raketën në bazë teksa bëhet gati për lëshim dhe niset drejt orbitës. Pasi lëshon kapsulën në orbitë, raketa kthehet në bazë për t’u përdorur sërish.

    Megjithatë, më shumë sesa udhëtimin e parë me njerëz drejt Planetit të Kuq, animimi duket se përcjell një vizion të shumë viteve në të ardhmen kur udhëtimet vajtje-ardhje për në planetin e kuq do të jenë një gjë normale.

    Në Mars, sipas videos, është ndërtuar një vendqëndrim për njerëzit, ndërsa animimi përfundon me astronautët që ulen në sipërfaqen e planetit të kuq dhe bëhen gati të zbresin njerëzit e transportuar.

    SpaceX i Elon Musk-ut pritet që të dërgojë njerëz në Planetin e Kuq brenda 5 ose 10 viteve.

  • Pavarësisht pasojave, Daçiq thotë se Serbia e zbaton planin evropian deri në pikën ku kalohen vijat e kuqe

    Pavarësisht pasojave, Daçiq thotë se Serbia e zbaton planin evropian deri në pikën ku kalohen vijat e kuqe

    Serbia ka marrë përsipër të zbatojë parimet e propozimit evropian deri në pikën ku kalohen vijat ekuqe, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq.

    Daçiq theksoi se është mirë që të dialogohet për gjithçka që nuk është njohje e Kosovës.

    “Është mirë që të bëhet dialog që Serbia të mos akuzohet dhe të mos jetë në bankën e të akuzuarve”, tha Daçiq.

    Daçiq ka shtuar se përfaqësuesit e Kosovës janë “shumë nervozë” sepse duhet të formojnë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

    “Për ta fakti që ai moment po afron është një provë. Qëllimi i Kosovës nuk është formimi i Asociacionit por dëbimi i serbëve nga Kosova”, tha Daçiq.

    Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë theksoi se qasja e Serbisë do të jetë konstruktive.

    Bashkimi Evropian është duke insistuar që Kosova dhe Serbia e kanë për obligim që të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, bashkë me aneksin për të, pasi në të kundërtën do të përballen me pasoja.

    Palët kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve më 27 shkurt në Bruksel, derisa për aneksin më 18 mars në Ohër.

    Lidhur me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje është deklaruar të martën sërish, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ai është përgjigjur në pyetjet rreth deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili është cituar – nga mediat në Serbi – të ketë thënë se do t’i zbatojë disa pjesë të Marrëveshjes, por disa tjera nuk do t’i pranojë.

    Vuçiq, po ashtu, është cituar të ketë thënë se, qëndrimet e tij për moszbatim të disa pikave të Marrëveshjes, ua ka shprehur qartë disa bashkëbiseduesve evropianë.

    Një deklaratë e tillë e presidentit të Serbisë është në kundërshtim me deklaratat e kryediplomatit të BE-së, Josep Borell, se palët janë pajtuar për të gjitha pikat e Marrëveshjes, dhe për të gjitha pikat e aneksit për zbatimin e saj.

    Duke u përgjigjur në pyetjen se “a është e vdekur Marrëveshja, pasi njëra palë thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj”, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “Marrëveshja është gjithsesi e gjallë dhe në lëvizje“.

    “Përderisa nuk komentojmë deklaratat e mundshme, pa e njohur kontekstin, dhe pa dashur të hymë në komente të secilës deklaratë rreth kësaj Marrëveshjeje, dua të fokusohem në Marrëveshjen si të tillë. Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, u pajtuan në Ohër që të nisin menjëherë zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes, përfshirë edhe aneksin. Kjo është ajo për çfarë jemi pajtuar. Ky është obligimi politik që të dyja palët morën dhe ajo që shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së presin nga ato”, ka thënë Stano, duke përsëritur se është shumë qartë se ajo për çfarë janë pajtuar palët, duhet të zbatohet.

    “Pikat e Marrëveshjes, si dhe aneksi, do të përfshihen në kapitullin 35 të kornizës negociuese në rastin e Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia ka obligim kontraktual që të zbatojë pikat e Marrëveshjes, nëse dëshiron të arrijë progres në procesin e anëtarësimit. Pra, kemi një marrëveshje dhe një obligim që ajo të zbatohet, pa zgjedhur pjesë të saj“, ka thënë Stano duke shtuar se moszbatimi do të ketë pasoja edhe për reputacionin ndërkombëtar.

    Sipas tij, zbatimi është kyç për palët që të dëshmojnë se sa janë partnere të besueshme për BE-në dhe vendet anëtare, raporton REL.

    Mes tjerash, Stano ka thënë se do të monitorohet qartë niveli i zbatimit, dhe nëse nuk zbatohen pjesë të Marrëveshjes, do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së, por edhe pasoja financiare.

    “Monitorimi i zbatimit në terren, i veprimeve të palëve, do të jetë mjeti kryesor i Bashkimit Evropian, vendeve anëtare dhe bashkësisë ndërkombëtare, për të gjykuar përparimin, dhe a është apo jo marrëveshja gjallë. Dhe natyrisht do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja politike, pasoja për reputacion por edhe pasoja financiare“ ka thënë ai.

  • Qeveria e shkarkon kryesuesin që mbeti vetëm, i emëron bord të përkohshëm edhe Trainkos-it

    Qeveria e shkarkon kryesuesin që mbeti vetëm, i emëron bord të përkohshëm edhe Trainkos-it

    Qeveria e ka shkarkuar kryesuesin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike, Trainkos, Nol Dedajn, të cilin e kishte emëruar vetë më 10 gusht 2022. Ai kishte mbetur anëtar i vetëm i bordit, pasi të gjithë drejtorët kanë dhënë dorëheqje, u tha në mbledhjen e Qeverisë. Ekzekutivi e ka emëruar një bord të ri, të përkohshëm.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se “neni 19.3 i ligjit për ndërmarrjet publike i kërkon Qeverisë të shkarkojë anëtarët e bordit të drejtorëve për të cilët ka arsye për të besuar se i kanë shkelur detyrat” që të punojnë me ndershmëri, besnikëri dhe në interes të ndërmarrjes.

    “Bordi është vonuar për t’i kërkuar përgjegjësi menaxhmentit për rënien e vazhdueshme të performancës dhe shkeljet e evidentuara të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2016-2021 dhe nuk ka marrë masa për uljen e shpenzimeve në raport me të hyrat e ndërmarrjes”, tha ajo.

    Rizvanolli tregoi se “tre anëtarë të bordit kanë dhënë dorëheqje, duke e njoftuar aksionarin se e kanë të pamundshme t’i përmbushin detyrat”

    “Dy anëtarë të tjerë kishin dhënë dorëheqje më herët për shkaqe personale. Kështu, kryesuesi ka ngelur i vetmi anëtar i bodit. Këto rrethana japin arsye për të besuar se kryesuesi i bordit ka shkelur detyrat fiduciare dhe nuk ka përmbushur përgjegjësitë e parapara me kodin e etikës dhe qeverisjes korporative. Rrjedhimisht, propozoj shkarkimin e bordit, përkatësisht kryesuesit si anëtar i vetëm i mbetur, z. Nol Dedaj”, tha ajo.

    Tutje, Rizvanolli propozoi emërimin e bordit të përkohshëm të drejtorëve që tha se do të shërbejë jo më gjatë se gjashtë muaj.

    Bordi i ri i përkohshëm do ta ketë këtë përbërje: Rizah Spanca, kryesues; Astrit Mehaj, anëtar; Hasan Preteni, anëtar dhe Shaban Neziri, anëtar.

  • Talibanët: Ndalimi i grave për të punuar për OKB, është çështje e brendshme

    Talibanët: Ndalimi i grave për të punuar për OKB, është çështje e brendshme

    Administrata e talibanëve ka deklaruar se vendimi që gratë afgane të mos lejohen të punojnë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), është “një çështje e brendshme”, pasi organizata me shtrirje globale shprehu shqetësim për situatën e krijuar dhe njoftoi se do të rishikojë vendimin për të zhvilluar projekte në Afganistan.

    Pas vërejtjes së OKB-së për kufizimet e reja që u vendosën javën e kaluar, Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i talibanëve, ka theksuar të mërkurën se ky vendim “duhet të respektohet nga të gjitha palët”.

    Duke qenë se vendimi do të shkelte statutin e saj, OKB-ja ka deklaruar se nuk mund ta pranojnë atë. OKB-ja u ka kërkuar të gjithë punonjësve të saj që të mos punojnë në zyrat e organizatës deri më 5 maj, teksa organizata po kryen konsultime dhe rishikon operacionet e saj.

    Të martën, Misioni i OKB-së në Afganistan tha se administrata talibane do të jetë përgjegjëse për çdo ndikim negativ humanitar në këtë proces.

    Në një deklaratë, Mujahid akuzoi qeveritë e huaja për situatën humanitare të shkaktuar nga sanksionet e vendosura ndaj sektorit bankar dhe ngrirjes së aseteve të Bankës Qendrore afgane – që gjenden jashtë vendit – teksa disa prej këtyre aseteve janë vendosur në një fond mirëbesimi zviceran.

    Disa diplomatë dhe zyrtarë të ndihmës në Afganistan si dhe në mbarë botën kanë shprehur shqetësimin se donatorët do të tërheqin mbështetjen për programin më të madh të ndihmës humanitare në Afganistan dhe se zbatimi i programeve dhe komunikimi me gratë dhe vajzat në këtë vend konservator do të jetë i pamundur nëse grave u ndalohet puna në OKB.

    Autoritetet talibane në dhjetor njoftuan se shumica e punonjësve femra të organizatave joqeveritare afgane nuk do të lejohen të punojnë.

    Agjencia humanitare e OKB-së ka njoftuar se një plan i madh financimi për Afganistanin për vitin 2023, është financuar më pak se 5 për qind.

    “Nëse një plan financimi nuk sigurohet urgjentisht, miliona afganë do të përballen me urinë, sëmundje dhe vdekje”, ka thënë OKB-ja.

  • Latifi: Sulmi ndaj Valon Sylës është paralajmërim i një shoqnie e cila sikur do të vetëshkatërrohet

    Latifi: Sulmi ndaj Valon Sylës është paralajmërim i një shoqnie e cila sikur do të vetëshkatërrohet

    Profesori universitar, Blerim Latifi, ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

    Latifi ka thënë se 24 orë në ditë i promovojnë nëpër studio televizive dhe faqe portalesh vahabët e talebanët shqipfolës.

    “Për secilën çështje të shoqnisë dhe shtetit i kanë bërë pika reference njerëzit pa edukatë qytetare, pa kulturë e dituri moderne, por me botëkuptime agresive mesjetare. Të tillët sot mund t’i shohësh veç në mediat e Kabulit dhe Tehranit. Madje të tillët i kanë shndërru në superstarë të sferës publike. E pastaj çuditen pse ndodhë dhuna kundër atyre që, duke besu se jetojnë në një shoqëri europiane e liberale, e ushtrojnë të drejtën për të pasur mendim kritik mbi ta, por edhe të drejtën demokratike për t’i bërë subjekte komedie”, ka shkruar ai.

    Latifi tha se nëse nuk nuk jeni hipokritë, nuk duhet të çuditeni fare, sepse aty ku talebanët dhe vahabët e diktojnë opinionin publik dhe kufijtë e lirisë së shprehjes, aty, mos sot nesër, do ta keni edhe përgjakjen e sferës publike.

    “Sulmi mbi Valon Sylën është paralajmërim i kësaj. Është paralajmërim i një shoqnie e cila sikur do të vetëshkatërrohet, që pastaj të shpallet i dështuar ky shtet dhe mbi dështimin e tij të justifikohet rikthimi i Serbisë”, ka shkruar ai.

  • Qeveria ndan mbi 5.5 milionë euro për bizneset

    Qeveria ndan mbi 5.5 milionë euro për bizneset

    Qeveria e Kosovës ka marrë aprovimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje për bizneset.

    Zëvendësministri i Financave, Resul Makreshi, tha se vlera totale e mjeteve është 5.5 milionë euro dhe do të përfitojnë bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, raporton Ekonomia Online.

    “Këto mjete në vlerë prej 5.528.000 ndahen në kuadër të bashkëpunimit me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore për të vazhduar mbështetjen e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme”.

  • ​Rasti “Bejta”, Qerimi: Do të presim vendimin e Këshillit të Etikës

    ​Rasti “Bejta”, Qerimi: Do të presim vendimin e Këshillit të Etikës

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi deklaroi sot se rastin e profesorit të UP-së, Bekim Bejta e kanë shqyrtuar me urgjencë, me ç’rast, atë e kanë suspenduar për gjashtë muaj. Megjithatë, sa i përket shkarkimit të profesorit, Bejta, ai tha se janë në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Etikës.

    Pas mbledhjes së mbajtur me Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor, Qerimi u shpreh se të gjitha denoncimet që janë të hapura do të shqyrtohen nga Këshilli i Etikës.

    “Sërish, denoncimet që janë të hapura do të shqyrtohen nga Këshilli i Etikës, sepse është kompetenca e atij Këshilli, prandaj, ne do të presim vendimin përfundimtar të Këshillit të Etikës”, tha Qerimi.

    I pyetur nëse do të ketë vendim për shkarkimin e profesorit në fjalë, Qerimi tha se në këtë mënyrë nuk kanë pasur ndonjë rekomandim të tillë nga njësia përkatëse.

    “Ne do të veprojmë, kur emërojmë dikë ta zëmë si senat akademik ose kur e avancojmë dikë në thirrje akademike, këtë e bëjmë mbi bazën e propozimit të njësisë përkatëse akademike dhe në këtë mënyrë ne nuk kemi pas ndonjë rekomandim të tillë nga njësia përkatëse, ankesë ose denoncim institucional zyrtar. Gjithë ajo çfarë kemi pasur ka qenë vendimi i fundit i Këshillit të Etikes, i cili gjithashtu nuk rekomandon ndonjë masë specifike. Por, duke pas parasysh se ka denoncime të hapura dhe në pritje të një vendimi nga ana e Këshillit të Etikes për të, ne morëm vendimin e sotëm për suspendim efektiv të menjëhershëm”, u shpreh ai.

    Qerimi tha se ajo çfarë ka ndodhur ndër vite në lidhje me profesorin, Bekim Bejta, është problem real, porse ka pasur vendime të ndërkohëshme.

    “Ajo çfarë ka ndodhur ndër vite në të vërtetë është problemi real, sepse denoncimi i parë ndaj tij ka qenë në vitin 2016 dhe ka pas disa vendime të ndërkohshme gjatë atyre viteve, prandaj, për ato mund të pyesni dikë tjetër pse nuk është ndërmarrë asgjë..1:47 Ndërsa, sa i përket Këshillit të Etikës, ne po punojmë që t’i mbështesim ata në kuptim institucional që ata të jenë në një pozicion të veprojnë në mënyrë më efikase”, tha mes tjerash Qerimi.

    Nëse ka ankesa të tilla edhe për profesorë të tjerë, Qerimi u shpreh se nuk janë në dijeni për ankesa të tilla.

    “Nuk jam në dijeni të ankesave ndaj profesorëve të tjerë, sigurisht se ne kemi menaxhmenetet e njësive akademike, ato kanë komisionet e tyre disiplinore, studentet kanë përfaqësuesit e tyre e gjithashtu kanë mundësi që të ngrisin në çdo kohë ankesa”, tha ai.

    Ndërkaq, në lidhje me dyshimet që kanë ngritur disa studentë ndaj të njëjtit profesor për ngacmime seksuale, ai nënvizoi se nuk ka ndonjë informacion të tillë, por shtoi se do ta orientojë te zyrtarja përgjegjëse në rektorat, Drita Hyseni.

    Dy javë më parë në media është publikuar një audioincizim, në të cilin dëgjohet profesori Bekim Bejta, duke iu drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese. Më 6 prill 2023 aktivistët e organizatës studentore Studim, Kritikë dhe Veprim (SKV) kanë protestuar para Rektoratit të UP-së me kërkesën që të merren masa ndaj profesorit universitar Bekim Bejta, i cili ligjëron në Fakultetin e Filologjisë. Ndërkaq, sot, është bërë e ditur se profesori Universitar, Bekim Bejta është suspenduar nga puna në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”./KP