ATV

Author: ATVLive

  • Një burrë arrestohet në kryeqytet për keqtrajtim të fëmijës

    Një burrë arrestohet në kryeqytet për keqtrajtim të fëmijës

    Policia ka informuar se një person është arrestuar dje në Prishtinë për veprën penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

    Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi kishte keqtrajtuar dhe rrahur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”, është bërë e ditur në raportin policor.

  • Një person gjendet pa shenja jete në Prishtinë

    Një person gjendet pa shenja jete në Prishtinë

    Policia ka informuar se dje një person është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

    “Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Lidhur me rastin trupi i pajetë i viktimës është tërhequr nga mjekësia ligjore.”, ka bërë të ditur Policia.

    Ndërkohë, rasti është duke u hetuar.

  • Dimër në pranverë, bora mbulon një qytet të Kosovës

    Dimër në pranverë, bora mbulon një qytet të Kosovës

    Kjo javë kryesisht ka qenë me mot të ndryshueshëm, me diell dhe vranësira.

    Megjithatë dimri nuk ka ikur edhe pse jemi në fund të prillit. Në orët e hershme të mëngjesit komuna e Dragashit është mbuluar me petkun e bardhë të borës.

    Dragashi është prej komunave më malorë të Kosovës derisa bora në shumë raste mbetet deri në qershor.

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i vranët dhe me riga të izoluara shiu.

    “Një ditë që do t’i ngjasojë stinës së vjeshtë së vonë”, thuhet në parashikimin e motit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.

    Temperaturat minimale pritet të sillen ndërmjet 2 dhe 4 gradë celsius, ndërsa ato maksimale ndërmjet 10 dhe 13 gradë celsius.

    LEXO EDHE:

    Javë me shi – Parashikimi i motit me Diellza Dakën

  • BE shtyn hyrjen në fuqi të sistemit që zëvendëson vulat e pasaportave

    BE shtyn hyrjen në fuqi të sistemit që zëvendëson vulat e pasaportave

    Bashkimi Evropian ka shtyrë edhe një herë hyrjen në fuqi të Sistemit të Hyrës/Daljes (EES), një sistem i ri biometrik që supozohej të hynte në fuqi në nëntor të këtij viti.

    Siç raporton Independent, skema elektronike e kufirit, e cila ndër të tjera do të zëvendësojë vulosjen e pasaportave me regjistrimin dixhital të atyre që hyjnë dhe dalin nga zona Shengen, do të shtyhet sërish, pasi i njëjti nuk është ende gati, raporton Schengen Visa.

    “The Independent ka mësuar se skema e kufirit elektronik nuk do të zbatohet tani këtë vit, sepse databaza nga e cila varet nuk do të jetë gati me kohë”, pohon gazeta, duke theksuar se pritet një vendim zyrtar për një datë më të saktë. marrë në qershor.

    Ai gjithashtu pretendon se ndërsa data e ardhshme për nisjen e EES besohet të jetë maji 2024, ka shanse që kjo të ndodhë më vonë vitin e ardhshëm, pas Lojërave Olimpike verore që janë caktuar të mbahen në Francë midis 26 korrikut dhe 11 gushtit.

    SchengenVisaInfo.com ka kontaktuar eu-LISA, e cila është agjencia përgjegjëse për menaxhimin e funksionimit të sistemeve të IT në shkallë të gjerë në BE, në fushën e lirisë, sigurisë dhe drejtësisë, duke kërkuar një konfirmim për raportimin, por ka mori vetëm një premtim se agjencia “do t’i përgjigjet së shpejti” pyetjes sonë.

    Më parë ishte raportuar se qeveria franceze po planifikonte t’i kërkonte BE-së të shtynte funksionalizimin e EES deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, për shkak të Lojërave Olimpike.

    Një burim qeveritar i kishte thënë Telegrafit në mes të marsit se autoritetet donin të vononin futjen e EES në mënyrë që të parandalonin linjat e gjata kufitare në vendkalimet nga Mbretëria e Bashkuar dhe kaosin në aeroportet franceze pasi një numër i madh i shtetasve jo-BE. pritet të arrijë në Francë për këtë event, i cili është një nga më të mëdhenjtë e organizuar në vend në vitet e fundit.

    Skema EES tashmë është shtyrë një herë këtë vit, pasi e njëjta pritej të hynte në fuqi javën e ardhshme, më 1 maj, por u shty për në nëntor.

  • Probleme me shëndetin, Erdogan ndërpret intervistën televizive

    Probleme me shëndetin, Erdogan ndërpret intervistën televizive

    Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan iu desh të ndalonte papritmas transmetimin e drejtpërdrejtë dhe më vonë kërkoi falje për mungesën e tij, duke përmendur një krizë të papritur nga problemet me stomakun, gjatë një interviste të përbashkët me Ulke TV dhe Kanal 7 të martën.

    Erdogan, tani 69 vjeç, kishte bërë fushatë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale dhe ai kishte mbajtur tre fjalime më herët atë ditë.

    Për shkak të orarit të tij të ngjeshur, intervista filloi me më shumë se 90 minuta vonesë dhe u ndërpre pas vetëm dhjetë minutash në emision, duke e lënë gazetarin në mes të pyetjes.

  • Zgjedhjet e 14 majit, Rama: Do të kemi një rezultat kuptimplotë për të gjithë

    Zgjedhjet e 14 majit, Rama: Do të kemi një rezultat kuptimplotë për të gjithë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se në zgjedhjet e 14 majit do të ketë një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë.

    Në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Rama tha se “mbi të gjitha do të kemi një rezultat që aq sa do të na shpërblejë për punën që kemi bërë, aq do të na motivojë për punën që do të bëjmë”.

    “Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe zgjidhur si vend. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë sepse po dalim nga një kthesë e madhe e fortë në planin ekonomik”, tha ai, shkruan Atsh

    “Ju besoj e ndoqët raportin e Bankës Botërore për rajonin dhe vlerësimet shumë domethënëse për ekonominë shqiptare”, shtoi Rama.

  • Liberalizimi i vizave do të ndryshojë historinë e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës

    Liberalizimi i vizave do të ndryshojë historinë e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës

    Nga 1 janari 2024, kur nis së vërteti liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, punëtorët e sektorit privat në Kosovë, pavarësisht natyrës së punës, kushtimisht do të trajtohen ndryshe, gjithsesi më dinjitetshëm dhe puna e tyre do të vlerësohet, që do thotë do të kenë paga më të mëdha se deri më tani dhe kurrsesi 170 euro sa ishte paga minimale në Kosovë deri tani. Edhe punëtori nga Kosova do të ketë alternativa zgjedhjeje, ndërsa punëdhënësit duket se alternativa e vetme i mbetet trajtimi i punëtorëve siç duhet dhe siç e meritojnë, ose të mbesin pa ta.

    Duhet thënë qartë se liberalizimi i vizave për kosovarët (më në fund, si çështje, praktikisht e përmbyllur), do ta ndryshojë rrënjësisht historinë e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës.

    Tani e tutje, më saktësisht nga 1 janari 2024, kur nis së vërteti liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, punëtorët kosovarë, të punësuar në sektorin privat, pavarësisht natyrës së punës, detyrimisht do të trajtohen ndryshe, gjithsesi më dinjitetshëm dhe puna e tyre do të vlerësohet më realisht, që do thotë do të paguhen më shumë, pra do të kenë paga më të mëdha se deri më tani dhe kurrsesi 170 euro sa ishte paga minimale në Kosovë deri tani. Këtë ndryshim, së paku, do ta kushtëzojë liberalizimi i vizave, sikundër që do ta imponojë trajtimin më të mirë gjithanshëm të punëtorëve në sektorin privat. Me trajtim më të favorshëm të punëtorëve, pos pagave më të pranueshme, nënkuptohen edhe pagesat e orëve shtesë të punës, pagesat për punën gjatë vikendeve, pagesat e punës në orët e natës, përkujdesja për ushqimin e të punësuarve dhe veshmbathjen e tyre në procesin e punës, udhëtimin e tyre, shtëpi-vendi i punës dhe anasjelltas, kontratat e punës etj, etj.

    Ndryshe, lehtësisht punëdhënësit privat do të mbesin pa krahë pune. Punëtorët kosovarë që deri tani detyrimisht kanë “ulur’ kokën të punojnë sipas diktateve të punëdhënësit, pas liberalizimit të vizave, pa një pa dy mund t’i thonë lamtumirën, sepse, do t’iu krijohen mundësitë reale që ta provojnë të punojnë, qoftë edhe përkohësisht, në secilin vend të Europës Perëndimore. Dhe, mos të gënjehet ndokush nga punëdhënësit se me lehtësi dhe me kosto të lirë mund të zëvendësohen punëtorët “ikanak”. Nëse ndonjë pronari privat i shkon ndërmend se do të kompenzojë lehtësisht mungesën e punëtorëve kosovarë me punëtorë nga Lindja e Largët, nga Pakistani e Bangladeshi, Turqia e nga vende të tjera, e kanë gabim, sepse, në çfarëdo kushtesh të angazhimit të punëtorëve nga këto vende, punëtorët “e importuar” do të kushtojnë më shumë.

    Ndërkohë, frika e braktisjes së Kosovës, respektivisht rrezikimit për të pasur mungesë të punëtorëve në kompanitë e shumta private kosovare, është reale. Ky rrezik dhe alarmi për të është shpërfaqur që në ditët e para pas përfshirjes edhe të Kosovës me pandeminë COVID 19 dhe pasojave të saj, kur Europa mbarë, e sidomos shtetet e forta ekonomikisht dhe financiarisht shpërfaqën shqetësimin e tyre për mungesën evidente të punëtorëve të të gjitha lëmive dhe tok me këtë i zbutën në përmasa të pabesueshme mundësitë e punësimit të të huajve, aq të papranueshëm deri në këtë kohë.

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha së fundi për medien e vendit, se kompanitë private në vend kanë mungesë të theksuar të punëtorëve të kualifikuar. Ai përmendi edhe shifra konkrete të ‘ikanakëve”, duke shtuar se “ikja e të rinjve mbetet shqetësim për ta ngase që nga viti 2021 mbi 100 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën”.

    Ndërsa, sipas njohësve të rrethanave, në vitin 2022 edhe përkundër shumë procedurave për t’u pajisur me viza pune, vendin e kanë lëshuar rreth 60 mijë qytetarë të Kosovës, kryesisht të rinj dhe të reja.

    Sipas Azemit, ndonëse pronarët nuk duan të deklarohen për këtë çështje, mungesa ka në çdo sektorë, por ka edhe raste kur punëtorët e munguar të kualifikuar zëvendësohen me sish pa kualifikime përkatëse. Ai ka njoftuar se ka nisur të ndodhë një rritje e vogël e pagave te disa punëdhënës, por shqetësuese, sipas përfaqësuesit të Sindikatës së Punëtorëve Privat, mbeten pagat e punëtorëve teknik, të angazhuar për të kryer shërbime si kontraktues nga institucionet qendrore dhe të cilët edhe më tutje vazhdojnë të paguhen deri në 180 euro.

    Në këto raste, pra, nga janari 2023 nuk ka më pse të shprehet ndonjë shqetësim ose brengë. Pronarët e kompanive, qofshin ato edhe pastruese, që paguajnë punëtorët 180 euro për një muaj, me doemos që do të mbesin pa punëtorë.

    Liberalizimi i vizave do të tronditë në përmasa të mëdha tregun e punës, ndërsa nëse punëdhënësit e Kosovës nuk janë koshientë për këtë, pasojat do t’i bartin pikë së pari vetë ata, e pastaj në mënyrë zingjirore, shoqëria dhe shteti. Pastaj, ata duhet ta kenë të ditur se si do të gjenden dhe çfarë do të bëjnë më tutje. Por, duhet ta kenë shumë të qartë se kur të nisin të udhëtojnë pa viza qytetarët e këtij vendi, tregu i këtushëm i punës do të çrregullohet ndjeshëm. Ndërsa, ndjeshmëria, respektivisht shkalla e këtij çrregullimi do të varet shumë edhe nga secili punëdhënës kosovar. Punëtorët e Kosovës do të hamendësohen për ta braktisur vendin e tyre të punës këtu, vetëm atëherë kur kthehet vëmendja e punëdhënësit te ta, kur ata do të trajtohen siç e meritojnë dhe sa realisht e kanë vlerën. Ndryshe, me liberalizimin e vizave dhe me liberalizimin e skajshëm të mundësive të punësimit në Gjermani, në Itali, shtet ky i cili po alarmon se urgjentisht i nevojiten 1 milionë punëtorë, është e pamundur të ndalet hovi i braktisjes së vendeve të punës në Kosovë.

    Është llogari e thjeshtë: Pse të qëndrojë këtu një punëtor me 170 euro në muaj, kur dihet se shumica e çmimeve të të gjitha produkteve të nevojshme për një familje, e sidomos të produkteve elementare ushqimore, kanë kosto, pak a shumë të përafërt me çmimet ne shumicën e shteteve të Europës, ose goxha më të larta se atje? Prandaj, goxha shumë mbetet edhe në dorën e punëdhënësve tonë, zbutja e problemit të shkaktuar nga ikja e punëtorëve në vendet ku ofrohen kondita më të favorshme për ta. Nëse, pa humbur kohë, nis trajtimi i tyre më denjësisht, që nënkupton kushte më të mira dhe paga më të pranueshme, gjithsesi, do të ketë më pak “ikanakë”. Ose, në njëfarë mënyre, do të ndikohet që mos të përmbushen parashikimet ogurzeza se nëse sektori privat vazhdon të trajtojë punëtorët me kushtet aktuale që janë përtej minimaliste, që në vitin e parë pas liberalizimit, “tregu i punës” në Republikën tonë do të varfërohet deri në 150.000 punëtorë. Këto janë faktet e rrjedhojave dhe zhvillimeve të pritshme pas udhëtimeve pa viza të kosovarëve, që edhe pse zyrtarisht thuhet se këto udhëtime duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera, kosovarët dihet, do t’i shfrytëzojnë më së shumti për të punuar, qoftë edhe përkohësisht, qoftë edhe 90 ditë sa mundëso qëndrim regjimi pa viza i udhëtimeve.

    Ndërsa, deklarat e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, të bëra menjëherë pas nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave, se “liberalizimi i vizave do të mundësojë kontakte midis njerëzve, do të forcojë lidhjet tona me BE-në, do të konfirmojë përkushtimin e BE-së për rajonin dhe do të rrisë aktivitetet biznesore, arsimore dhe kulturore për qytetarët tanë”, janë më shumë llafe kurtoazie të shprehura në raste solemne, si të ishte ai i nënshkrimit të lirisë së lëvizjes pa viza.

    Natyrisht se liberalizimi i vizave pritet të ketë edhe ndikim pozitiv në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe social të Kosovës. Paratë e fituara në vendet e punës, gjithandej në shtetet ku do të ngarendin kosovarët pas 1 janarit të 2024-tës, fillimisht ata do t’i sjellin në vendlindje, te familjet e tyre. Ky është fitimi i parë, qoftë edhe fare simbolik, në zhvillimin e mundshëm ekonomik nga regjimi i lirisë së udhëtimit. Liberalizimi i vizave për Kosovën do të ofrojë mundësi të tjera të mira, sidomos për bizneset.

    “Në aspektin ekonomik, komuniteti i biznesit do të ketë mundësi për kontakte dhe partneritet të ri me kompani europiane, por në të njëjtën kohë, edhe për ofrim të shërbimeve, sepse shumë kompani prodhuese në Kosovë nuk kanë pasur mundësi lëvizjeje deri tani, çfarë edhe ka bërë që të presin për shërbime, apo gjëra të tjera, thonë njohësit e rrethanave. Përfaqësues të asociacioneve ekonomike të vendit, madje parashikojnë se liberalizimi do t’i kursejë Kosovës rreth 20 milionë euro në vit. E gjithë kjo, për shkakun se, sipas tyre, “qytetarët paguanin kosto shumë të lartë financiare kohore për të marrë një vizë biznesi, për bashkim familjar, vizë turistike apo pune, ndërsa termini për viza kishte kosto të lartë”.

    Megjithatë, liberalizimi i vizave do të ketë edhe kosto, domosdo, për Kosovën e brishtë, e cila megjithë varfërinë evidente dhe më të madhen në Europë, ka shpenzuar jo pak për të pasur këta punëtorë, për të shkolluar ata dhe për t’i aftësuar për tregun e punës. Por, tani më nuk ka dilema, as hamendësime të mëtutjeshme, tani e tutje edhe në Kosovë punëtorët nuk mund të paguhen “me një copë bukë” si në të kaluarën, siç thotë përfaqësuesi sindikalist. Tani e tutje, edhe punëtori nga Kosova ka alternativa zgjedhjeje. Ndërsa punëdhënësi duket se ka të vetmen alternativë: të trajtojë punëtorët siç duhet dhe siç e meritojnë, ose të mbesin pa ta.

  • Kupa e Shqipërisë, sot luhen ndeshjet e para të gjysmëfinales

    Kupa e Shqipërisë, sot luhen ndeshjet e para të gjysmëfinales

    Kupa e Shqipërisë i rikthehet sot aksionit me dy përballje tejet interesante, të vlefshme këto për ndeshjet e para të fazës gjysmëfinale të turneut.

    Të dy ndeshjet do të zhvillohen me fillim nga ora 18:00, ku spikat përballja tejet interesante mes Tiranës dhe Teutës, raporton KosovaPress.

    Po ashtu, ndeshje sot do të zhvillojë edhe kampioni aktual i kësaj gare, Vllaznia, e cila e pret në shtëpi skuadrën e Egnatias.

    Programin e plotë e gjeni më poshtë.

    18:00 KF Tirana – Teuta (Stadiumi Selman Stërmasi)

    18:00 Vllaznia – Egnatia (Stadiumi Loro Boriçi)

  • “Finalja” e Premier Ligës, City pret Arsenalin në “Etihad”

    “Finalja” e Premier Ligës, City pret Arsenalin në “Etihad”

    Sonte me fillim nga ora 21:00 stadiumi “Etihad” do të jetë nikoqir i super derbit anglez mes Manchester Cityt dhe Arsenalit, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e 33-të të Premier Ligës.

    Kjo përballje ndryshe po cilësohet edhe si luftë direkte për titull, duke marrë parasysh se Arsenali është aktualisht lider, ndërsa City e ndjek nga pas në vendin e dytë, raporton KosovaPress.

    “Topçinjtë” do ta kenë të vështirë sonte ndaj kampionit anglez, ku edhe kanë bilanc negativ në ndeshjet e kaluara.

    Arsenali nuk ka arritur ta mposht Manchester Cityn në Premier Ligë që nga viti 2015, dhe kurrë nën urdhrat e Pep Guardiolas. Që nga viti 2015, Arsenali ndaj Cityt ka një bilanc tejet negativ, duke regjistruar vetëm dy barazime dhe plot 14 humbje.

    Momentalisht, Arsenali zë vendin e parë në tabelë me 75 pikë, pesë sosh më shumë se vendi i dytë, City që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

    Sa i përket ndeshjes së sotme, të dy skuadrat do të kenë probleme me mungesa të lojtarëve, ku për Cityn nuk do të paraqitet Nathan Ake, kurse te Arsenali mungojnë Elneny, Saliba, Tomiyasu ndërsa në dyshime është Granit Xhaka.

    Formacionet e mundshme i gjeni më poshtë.

    Manchester City (3-2-4-1): Ederson; Akanji, Dias, Laporte; Stones, Rodri; Mahrez, Gundogan, De Bruyne, Grealish; Haaland

    Arsenal (4-3-3): Ramsdale; White, Holding, Gabriel, Zinchenko; Jorginho, Partey; Saka, Odegaard, Martinelli; Jesus

  • Javë me shi – Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Javë me shi – Parashikimi i motit me Diellza Dakën

    Dita e sotme në vendin tonë do të jetë kryesisht me vranësira dhe me reshje të shiut gjatë gjithë ditës.

    Temperaturën minimale do e mbajë Peja me 2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Gjilani me 15 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme në Kosovë do të jetë kryesisht me vranësira të lehta ku gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje të shiut.

    Temperaturën minimale do e mbajë përsëri Peja me 2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Ferizaj me 13 gradë Celsius.

    Parashikimin e plotë të motit me Diellza Dakën në ALARM të ATV-së, mund ta gjeni në videon e më poshtme: