ATV

Author: ATVLive

  • Themelimi i “Asociacionit”, kryefjalë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Themelimi i “Asociacionit”, kryefjalë edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

    Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është shndërruar në kryefjalë dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku u diskutua raporti i UNMIK-ut për Kosovën. Në këtë mbledhje, shtetet aleate të Kosovës kanë përshëndetur marrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë të arritura në Bruksel dhe Ohër, por gjithashtu kanë kërkuar zbatim të zotimeve nga këto marrëveshje, me theks të veçantë, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

    Tani është veçse e konfirmuar se në takimin e 2 majit midis kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të diskutohen hapat e radhës për formimin e “Zajednicës”, si një nga obligimet “emergjente” të kondensuara nga marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

    Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe u shndërrua në kryefjalë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku shtete të rëndësishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe e Franca kërkuan që kjo çështje të trajtohet me urgjencë dhe që “Zajednica” të formohet menjëherë.

    Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fjalën e tij ka lavdëruar Kosovën dhe Serbinë për hapat në marrëveshjen siç e ka quajtur ai “ligjërisht të obligueshme” në Bruksel dhe Ohër, derisa ka kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë hapi i radhës në këtë drejtim.

    “Shpreh lëvdata për Kosovën dhe Serbinë për marrjen e hapave përpara me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme në Bruksel e Ohër. Ftojmë shtetet të lëvizin me shpejtësi në zbatimin e tyre dhe të shmangin krizat që mund të pengojnë progresin. Shpresojmë të shohim më shumë nga kjo frymë e re në takimin mes liderëve në Bruksel më 2 maj, pjesë e rëndësishme e këtij takimi do të jetë hapat e mëtutjeshëm të formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke respektuar Kushtetutën e Kosovës.”, tha ai.

  • Bislimi: Angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur

    Bislimi: Angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Suedisë, Jan Knutsson.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, Bislimi ka folur mbi objektivat dhe synimet e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

    “Zëvendëskryeministri Bislimi foli mbi objektivat e synimet e radhës, ku puna dhe angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur. Përtej vazhdimit të avancimit deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, marrja e pyetësorit dhe më tej e statusit të vendit kandidat vijojnë të mbeten prioritare dhe me vëmendje të veçantë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

  • Gërvalla Daçiqit: Thaçi dhe të tjerët do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre

    Gërvalla Daçiqit: Thaçi dhe të tjerët do ta dëshmojnë pafajësinë e tyre

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, dhe të tjerët në Hagë që po akuzohen për krime të pretenduara të luftës, janë të pafajshëm dhe argumentet janë në anën e tyre.

    Për këtë ajo ka folur derisa i është kundërpërgjigjur ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në seancën e Këshilli të Sigurimit të OKB-së.

    “Është e vërtetë që zotëri Thaçi është për momentin në Hagë, por unë besoj fuqimisht se ai do të dëshmojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ai vet, dhe të tjerët që janë të akuzuar, kanë çdo argument në anën e tyre, se janë të pafajshëm nga ato akuza, dhe nuk ja vlen asnjë koment më shumë lidhur me atë që thatë për mua, qoftë si dëshmitar, apo si diçka, pra ndërlidhjen time me çfarëdo dëshmie në Hagë, kjo është e pavërtetë”, ka thënë Gërvalla.

    Ajo ka theksuar se populli i Kosovës ka mbrojtur shtëpitë e tyre, por terroriste ishin forcat serbe të sponsorizuara nga shteti i tyre.

    Ministrja e Jashtme i ka thënë politikanit serb se ai dhe udhëheqësit në Serbi e kanë të vështirë të shpjegojnë për qytetarët se kanë humbur Kosovën në vitin 1999.

  • Diskutimi për të zhdukurit, “urgjencë” në takimin e 2 majit

    Diskutimi për të zhdukurit, “urgjencë” në takimin e 2 majit

    Pesë ditë para takimit Kosovë – Serbi në Bruksel, pikërisht në ditën e përkujtimit të të zhdukurve, kryeministri Albin Kurti deklaroi se çështja e tyre do të diskutohet atje.

    Madje, Kurti po pret që kjo çështje të trajtohet edhe me urgjencë.

    “Gjykimi në mungesë mundësohet tash e 4 vjet, prandaj i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që ato mijëra dëshmi që i kemi për krimet në Kosovë të shndërrohen e aktakuza për përgjegjësit, sikurse në Kroaci edhe në Kosovë mund të gjykohen në mungesë. Është e paarsyeshme çfarëdo vonese, se dëshmitarët po vdesin e po plaken”, tha Kurti.

    Derisa, për deklaratën e të zhdukurve me dhunë në nivel kryenegociatorësh është arritur pajtim, Andin Hoti shpreson se miratimi i saj të bëhet edhe nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.

    “Kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruajë, në moment të fundit Vuçiq është tërhequr për arsyet që unë nuk i di, kështu që unë po lutem dhe shpresoj që deklarata të nënshkruhet, të aprovohet në fakt më 2 maj dhe pastaj do të lutem më shumë që rezultatet të vijnë si pasojë e implementimit të kësaj deklarate”, tha Hoti.

    Megjithatë, pritjet po janë të pakta nga familjarët. Sipas tyre, ekzekutivi nuk po punon sa duhet.

    “Nuk ka send që nuk dihet, thotë se nuk ka të dhëna. Por kjo do punë dhe angazhim për zbardhjen e fatit të 1.600 personave…”, tha kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini.

    Sipas nenit katër të aneksit të marrëveshjes së Ohrit dhe miratimin e Deklaratës së të Zhdukurve, sipas përfaqësuesve të institucioneve, Serbia do të detyrohet ta marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë. /atvlive.tv

  • Ushtria e Sudanit thotë se zgjat armëpushimin, por luftimet vazhdojnë

    Ushtria e Sudanit thotë se zgjat armëpushimin, por luftimet vazhdojnë

    Ushtria e Sudanit ka njoftuar të enjten se do ta zgjasë armëpushimin për 72 orë, mirëpo luftimet vazhduan të trondisin kryeqytetin Khartoum dhe rajonin perëndimor të Darfurit, raportoi Reuters.

    Siç bëhet e ditur, nuk ka pasur asnjë konfirmim për zgjatje të armëpushimit nga forcat paraushtarake që po luftojnë në këtë vend.

    Qindra persona kanë vdekur dhe dhjetëra mijëra janë arratisur për të shpëtuar jetën e tyre në dy javë konflikt midis ushtrisë dhe Forcave Rivale të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

    Së bashku, ata rrëzuan një qeveri civile në një grusht shteti në tetor të vitit 2021, por tani janë të bllokuar në një luftë për pushtet që ka prishur një tranzicion të mbështetur ndërkombëtarisht drejt demokracisë dhe po kërcënon të destabilizojë rajonin.

    Ushtria të mërkurën tha se ka rënë dakord për një armëpushim të ri tre-ditor deri të dielën, të propozuar nga një grup rajonal afrikan, pas atij të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Arabia Saudite që do të skadonte të enjten mbrëma. Të enjten, ushtria përsëriti se do të zgjasë armëpushimin dhe tha se do ta respektojë atë në mënyrë të njëanshme.

    Ushtria pretendon se kontrollon shumicën e rajoneve të Sudanit dhe po mposht një dislokim të madh të RSF-së në Khartoum, ku disa zona të banuara janë kthyer në zona lufte.

    Pavarësisht një qetësie të pjesshme në luftime që nga fillimi i armëpushimit të parë 72-orësh, sulmet ajrore janë dëgjuar të enjten në kryeqytet dhe qytetet e afërta Omdurman dhe Bahri.

    Shtëpia e Bardhë ka thënë të enjten se është e shqetësuar nga shkeljet e armëpushimit, duke shtuar se situata mund të përkeqësohet në çdo moment dhe u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të largohen brenda 48 orëve.

    Të paktën 512 njerëz janë vrarë dhe rreth 4,200 janë plagosur nga luftimet që nga 15 prilli.

    Shumë të huaj kanë mbetur të bllokuar në Sudan pavarësisht evakuimit të mijëra të tjerëve.

  • Mbahet edicioni i 15-të i panairit ndërkombëtar të edukimit

    Mbahet edicioni i 15-të i panairit ndërkombëtar të edukimit

    Redon Mehmeti, këtë vit përfundon shkollën e mesme. Megjithëse është në përfundim të shkollimit, ai vendosi që studimet universitare t’i vazhdojë në Kolegjin AAB.

    Përmes edicionit të 15-të të Panairit Ndërkombëtar të Edukimit, ai u informua për kushtet që ofron ky Kolegj.

    “Kam ardhë për Fakultetin e AAB-së, u informova edhe për drejtimet që i kanë, është një fakultet i mirë, tash që jam si maturant, po mendoj ta vazhdoj edhe fakultetin. Kushtet i kanë shumë të mira edhe për drejtimet u informova”, tha Redon Mehmeti, nxënës.

    Të interesuar për të vazhduar shkollimin pati edhe për shkollën British School of Kosova.

    “Kishte shumë zgjedhje të mira, për British School kam dëgjuar edhe më herët, por tash po më pëlqen më shumë dhe besoj që e zgjedh si shkollë”, Tha Erona Gosalci, nxënëse.

    Ndërkaq, përfaqësuesi i Kolegjit AAB thotë se vizitorët e këtij panairi do të përfitojnë zbritje në të gjitha drejtimet që ofron Kolegji AAB.

    “Kolegji AAB tradicionalisht merr pjesë në Panairin e Edukimit, i cili mbahet në Prishtinë, ku kemi një numër jashtëzakonisht të madh të vizitorëve, të cilët vijnë dhe informohen sa u përket drejtimeve dhe mundësive që ofron Kolegji AAB. Vizitorët që vijnë këtu kanë mundësi të përfitojnë zbritje nga 5 deri në 15 për qind, në të gjitha drejtimet që ofron Kolegji AAB”, përfaqësuesi i “Kolegjit AAB”, Ertan Galushi.

    I themeluar menjëherë pas luftës, Kolegji AAB është institucioni i parë jopublik i arsimit të lartë në Kosovë, me 14 fusha studimi të shpërndara nëpër fakultete përkatëse.

    Ndërkaq, British School of Kosova ofron dhe siguron arsimim cilësor nga niveli parashkollor e deri në atë të mesëm të lartë me drejtimet: shkenca natyrore dhe shkenca shoqërore dhe me mundësi zgjedhjeje në klasa kombëtare apo ndërkombëtare. /atvlive.tv

  • Ndërtimi i QMF-së në “Veternik”, punë e “stërzgjatur” e komunës së Prishtinës

    Ndërtimi i QMF-së në “Veternik”, punë e “stërzgjatur” e komunës së Prishtinës

    Kjo qendër ka filluar të ndërtohet në vitin 2021, dhe po në atë vit nën udhëheqjen e ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte paraparë të funksionalizohej.

    Por, drejtori i ri i Shëndetësisë në këtë komunë, Izet Sadiku, thotë se këtë projekt e kanë gjetur me shumë probleme.

    “Kjo është dashur të përfundojë para se me ardhë ne, por kur kemi ardhë ne në vitin e kaluar, qeverisja jonë, kemi parë që ka pasur shumë parregullsi në zbatimin e projektit nga qeverisja e kalume dhe mbas disa diskutimeve me operatorin e punimeve kemi gjetur zgjidhje”, tha Sadiku.

    Ai premton se shumë shpejt do të jetë gati gjithçka në këtë qendër.

    “Jemi në fazën përfundimtare të punimeve. Pritet që gjatë qershorit të hapet dhe të ofrojë shërbime për qytetarët”, tha Sadiku.

    Stërzgjatja e punimeve i ka detyruar banorët e kësaj lagjeje që të marrin shërbime mjekësore nëpër QMF të tjera.

    “Këtu ka filluar ndërtimi në qershor 2021, lagjja ka nevojë për QMF. Ne duhet të shkojmë në Ulpianë kur kemi nevojë për të marrë shërbime mjekësore”, tha Ahmet Duklini, banor.

    “Kanë zgjatur goxha shumë këto punime, nuk është mirë, por çka kemi dëgju prej udhëheqësve komunalë, po pritet që brenda një afati të shkurt ka me u lëshu për përdorim”, tha Ahmet Hoti, banor.

    Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen Veternik, është projekt i financuar nga Komuna e Prishtinës, i cili arrin vlerën rreth 470 mijë euro.

    Ndryshe, kjo qendër pritet t’iu shërbejë afro 20 mijë banorëve të lagjes. /atvlive.tv

  • 5 vjet pritje për 1.5 kilometra, nis ndërtimi i rrugës “A”

    5 vjet pritje për 1.5 kilometra, nis ndërtimi i rrugës “A”

    U deshën më shumë se pesë vjet që të fillojnë punimet për 1.5 kilometra të “rrugës A”, në kryeqytet.

    Këto punime, sipas kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, do të përfundojnë brenda afatit.

    Do të punohet në të dyja anët, nga ana e Kalabrisë dhe Prishtinës së Re. Kjo është faza e parë dhe trajton edhe çështjen e kanalizimit. Rruga e re po krijohet dhe është me standarde të reja. Prishtina veçse po frymon me lehtë dhe rrugët po i krijojmë. Faza e parë është 8.4 milionë euro. Pastaj do të vazhdohet edhe në faza të tjera. Kjo fazë do të marrë kohë 240 ditë punë dhe do të bëhet përurimi i saj”, tha Rama.

    Se punimet do të përfundojnë shpejt, e thotë me bindje edhe pronari i kompanisë kontraktuese.

    Komuna e Prishtinës këtë projekt po e cilëson më të madhin në dekadën e fundit.

    Nisjen e punimeve të këtij projekti, me padurim e kanë pritur banorët të cilët telashin më të madh e kanë përballjen me ujëra të zeza.

    “Projektin e kemi pritë shumë gjatë. Unë jam banor këtu dhe bash e kam shumë afër, kemi pasë shumë probleme me kundërmimin e jemi shumë të kënaqur me këtë”, thotë Ismail Hoxha, banor.

    “Ne e presim këtë projekt me shumë kënaqësi e shpresojmë që në të ardhmen të mos kemi probleme”, thotë Emrush Helshani, banor.

    “Rruga A” do të ketë 6 korsi gjithsej, për autobusë, shtigje për biçikleta, qasje në rrugët anësore dhe ndërlidhje me “Rrugën B”. /atvlive.tv

  • Rruga drejt bjeshkëve të Rugovës me shumë gropa, dëmtohen makinat e turistëve dhe bizneset e vendasve

    Rruga drejt bjeshkëve të Rugovës me shumë gropa, dëmtohen makinat e turistëve dhe bizneset e vendasve

    Qëllimin e kanë të shkojnë lart në Grykën e Rugovës.

    Por, për të arritur në vendin turistik, vizitorët duhet të kalojnë nëpër këtë rrugë.

    “Gjendja e rrugës momentalisht është e tmerrshme”, tha Fatos Ademaj, vizitor.

    Andaj, jo rrallë, qytetarët nisen ta vizitojnë Rugovën, por përfundojnë te automekaniku.

    “Po shkakton dëme në automjete boll, se është shumë e dëmtuar deri lart në bjeshkë…”, thotw Petrit Nikqi, vozitës në rrugën Pejë – Rugovë.

    Madje, ka të tjerë që kthehen në mes të rrugës.

    “Gjendja është e mjerueshme. Tashmë ka ndodhur që turistët janë kthyer prapa…”, tha Naser Lajqi nga Syri i Vizionit.

    Sipas shoqërisë civile në Pejë, intervenimi duhet të bëhet para se të nisë sezoni turistik.

    “Është kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, megjithatë Komuna e Pejës mbase duhet në mënyrë vetjake ta sanojë rrugën, para se të largohen vizitorët”, tha Lajçi.

    Rruga nga Qendra e Pejës e deri lart në pikën më të lartë, është afërsisht 20 kilometra. /atvlive.tv

  • Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, Gjykata refuzon kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës

    Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, Gjykata refuzon kërkesën e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës

    Nga muaji shkurt kur është mbajtur shqyrtimi fillestar në rastin e dytë rreth dhunimit të 11-vjeçares, gjykimi nuk ka vazhduar, pasi mbrojtja ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës për hedhje të aktakuzës.

    Në këtë rast po akuzohen tetë persona.

    Por, Gjykata Themelore e Prishtinës më 18 prill ka marrë vendim për të refuzuar kërkesën e mbrojtjes.

    Në vendimin e siguruar nga televizioni, thuhet se Gjykata ka gjetur se aktakuza nuk ka asnjë shkelje ligjore dhe bazohet në prova e në dëshminë e viktimës.

    “Gjykata nuk është e thirrur në këtë fazë të procedurës penale të bëjë vlerësim të plotë dhe të gjithanshëm të provave dhe të peshojë vetëm provuese të secilës provë veç e veç, siç kërkohet me rastin kur vendoset me aktgjykim. Gjykata gjen të rëndësishme të theksojë se aktakuza mbështetet në deklarimet e palës së dëmtuar, e dhënë në prokurori dhe polici, e cila përshkruan në detaje rastin, pastaj deklaratën e dëshmitarëve dhe provave materiale siç janë: raporti e ekzaminimit klinik mjekësor për të dëmtuarën, raportin e ekspertimit, agjencia e Kosovës për Forenzikë, raportin mbi vlerësimin psikologjik të të dëmtuarës etj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Megjithatë, më 23 prill, mbrojtja ka dorëzuar sërish ankesë në Gjykatën e Apelit, por nga kjo gjykatë në një përgjigje me shkrim, ka thënë se lëndën nuk e ka pranuar ende për shqyrtim.

    Teksa kanë kritika për mosefikasitet në gjykimin e këtyre rasteve, monitorues të sistemit të drejtësisë, renditin disa arsye se pse është e rëndësishme që të trajtohen me prioritet.

    Është dashur që procedurat në këtë rast të zhvillohen me efikasitet më të madh se në rastet e tjera, për shkak që është një kategori e ndjeshme e viktimave, mirëpo në praktikë e kemi parë që nuk ka pasur efikasitet në gjykimin e këtyre rasteve”, tha Lavdim Makshana nga Instituti I Kosovës për Drejtësi.

    Për rastin i cili tronditi opinion publik, Departamenti për të Mitur i ka shpallur fajtorë në shkurt të këtij viti katër persona dhe i ka dënuar me gjithsej 40 vjet burgim, ndërsa njërin e ka liruar nga akuza në mungesë të provave.

    Por, Prokuroria pas zgjerimit të hetimeve ngriti aktakuzë edhe ndaj shtatë personave të tjerë, të cilët po mbahen në paraburgim.

    Sipas aktakuzës, vajza 11-vjeçare ishte dhunuar seksualisht për 7 orë në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit.

    Në rastin e parë gjatë një muaji ishin caktuar katër seanca dhe gjykimi kishte marrë shpejt një epilog. /atvlive.tv