ATV

Author: ATVLive

  • Një emër e kishte shlyer nga lista e likuidimit, shtohet misteri rreth 14 vjeçarit që vrau 9 persona në një shkollë në Serbi

    Një emër e kishte shlyer nga lista e likuidimit, shtohet misteri rreth 14 vjeçarit që vrau 9 persona në një shkollë në Serbi

    Masakra që 14 vjeçari Kosta Keçmanoviq bëri dje në një shkollë fillore në Beograd, tronditi Serbinë e rajonin.

    Keçmanoviq, nxënës i klasës së shtatë fillore, kishte planifikuar qysh më parë masakrën. Ai vrau rojën e shkollës, Dragan Vlahoviq, si dhe tetë bashkëmoshatarë të tij.

    Telefoni i tij zbulon shumë sekrete dhe supozohet se Keçmanoviq po kërkonte një mënyrë për të bërë një koktej molotovi.

    Forenzika telefonike do të përcaktojë edhe detajet e bisedave dhe kujt i ka shkruar në mëngjesin fatal.

    Siç tha shefi i policisë së Beogradit, Veselin Miliq, Keçmanoviq e kishte planifikuar krimin për një muaj.

    14 vjeçari kishte përpiluar edhe një listë të fëmijëve që ai kishte planifikuar t’i likuidonte. Ai përpunoi një plan për hyrjen dhe daljen nga shkolla dhe vendosi objektiva prioritare.

    Ajo që u ra në sy të gjithëve ishte se një person në këtë listë ishte fshirë, dhe siç dyshohet, arsyeja është afrimi me ndonjë nga nxënësit që ishin në të.

    Kujtojmë se 14 vjeçari është arrestuar menjëherë. Po ashtu gjatë ditës u arrestuan edhe dy prindërit e tij.

  • ​43 vjet nga vdekja e diktatorit Josip Broz Tito

    ​43 vjet nga vdekja e diktatorit Josip Broz Tito

    Josip Broz Tito njihet për prishjen e marrëveshjes së Bujanit, ku ishte paraparë bashkimi i tokave shqiptare të mbetura në ish-Jugosllavi pas çlirimit nga pushtimi nazist dhe për shumë vepra gjenocidiale pas Luftës së Dytë Botërore.

    Dhjetëra mijëra shqiptarë u ekzekutuan, duke u zëvendësuar me një diktaturë të rëndë për shqiptarët. U ekzekutuan dhe u burgosën udhëheqësit e Lidhjes së dytë të Prizrenit.

    U vranë, u burgosën dhe u masakruan me mijëra shqiptarë gjatë periudhës së diktatorit Tito dhe politikës gjenocidiale serbe për t’i fituar të drejtat tona.

    U riaktivizua marrëveshja jugosllavo-turke e pasluftës së dytë botërore, ku më shumë së gjysma e shqiptarëve në ish-Jugosllavi u detyruan me dhunë të shpërngulen në Turqi, periudhë e cila zgjati nga viti 1938 e vazhdoi në vitin 1953, deri në fund të viteve 70-a.

    Paraprakisht ishte një marrëveshje në mes ish-Jugosllavisë dhe Turqisë e njohur si “Konventa jugosllavo-turke e vitit 1938”, e cila parashihte dëbimin e shqiptarëve për në Anadoll.

    U ndalua përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar nga paslufta e dytë botërore deri më 1968, ku me protesta masive, Tito u detyrua të lejojë përdorimin.

    U copëtuan tokat shqiptare në ish-Jugosllavi, ku gjysma e Maqedonisë u krijua nga tokat shqiptare të mbetura jashtë Shqipërisë së sotme londineze, më 1914-të.

    Presheva, Medvegja, Bujanovci, Pazari i ri (Novi Pazari) dhe shumë qytete tjera mbetën ndër Serbi.

    Qytete të shumta mbetën ndër Mal të Zi. U krijua Kosova e tanishme sipas planeve dhe dëshirave të politikes jugosllave.

    Pas Luftës së Dytë Botërore, Tito qeverisi vendin për 35 vjet deri në vdekjen e tij.

    Vdiq më 4 maj 1980 në Lubjanë.

    Pas vdekjes së diktatorit Tito, shqiptarët në ish-Jugosllavi vazhduan përpjekjet për krijimin e Republikës së Kosovës dhe të drejtave e shqiptarëve në tokat e tyre të mbetur nën republikat e tjera.

  • ​Ja kur zhvillohet finalja e dytë mes Pejës dhe Trepçës

    ​Ja kur zhvillohet finalja e dytë mes Pejës dhe Trepçës

    Trepça ka fituar betejën e parë të serisë finale të “Play-off”-it. Mitrovicasit mundën Pejën me rezultat 94:86 (24:19, 23:29, 18:21, 29:17), duke kaluar në epërsi prej 1:0, kurse sfida e radhës zhvillohet në Pejë.

    Në palestrën “Minatori” në Mitrovicë mbretëroi një atmosferë e zjarrtë nga tifozët e pranishëm aty që e stërmbushën sallën, teksa në parket u zhvilluar një dyluftim i ashpër mes dy ekipeve nga fillimi deri në fund të ndeshjes, raporton KosovaPress.

    Ballafaqimi i dytë mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet të dielën, ndërsa kampion shpallet skuadra që arrin tri fitore.

  • Escobar: Pati përparim të vogël drejt themelimit të Asociacionit

    Escobar: Pati përparim të vogël drejt themelimit të Asociacionit

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Ai i bëri këto komente një ditë pas takimit të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në të cilin palët mos mospajtimeve diskutuan për projekt statutin e Asociacionit, themelimi i të cilit kërkohet edhe me marrëveshjen e Ohrit, të cilën zoti Escobar e cilësoi ligjërisht të detyrueshme.

    “Zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zoti Escobar duke theksuar se brenda dy javësh kryenegociatorët e të dyja vendeve pritet të takohen për të diskutuar këtë çështje dhe të punojnë për një statut që funksionon.

    “Ky proces është shumë i rëndësishëm dhe të dyja palët, posaçërisht Kosova, duhet ta marr seriozisht dhe të ecë përpara në mënyrë të përshpejtuar”, tha Escobar dukë nënvizuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përqendruar që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet dhe ky realitet bëhet me Asociacionin.

    Ai tha se pati një përparim të vogël rreth themelimit të asociacionit në bisedimet e së martës, për të cilat shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ishin “një hap simbolik” rreth kësaj çështjeje.

    Projekt statuti i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, të cilët janë liruar sot nga detyra me vendim të qeverisë së Kosovës, u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane.

  • Sekretari i MSh-së vihet në krye të Bordit të ShSKUK-së

    Sekretari i MSh-së vihet në krye të Bordit të ShSKUK-së

    Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka njoftuar se është zgjedhur kryesues i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK).

    Ai në Facebook bëri të ditur se detyrat që i janë besuar, do t’i kryejë me përgjegjësi dhe nder.

    Statusi i plotë:

  • ​Zyrtare: Caktohet vendi i zhvillimit të ndeshjes Bjellorusi-Kosovë

    ​Zyrtare: Caktohet vendi i zhvillimit të ndeshjes Bjellorusi-Kosovë

    Kryeqyteti hungarez, Budapesti do të jetë vendi nikoqir i ndeshjes Bjellorusi – Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.

    Federata e Futbollit e Bjellorusisë nëpërmjet një shkrese zyrtare e ka njoftuar FFK-në se kjo ndeshje do të zhvillohet më 19 qershor në stadiumin “Szusza Ferenc” në Budapest.

    Tri ditë para kësaj ndeshje, Dardanët do të luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Rumanisë.

  • Rohde ripërsërit: Statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën

    Rohde ripërsërit: Statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde ka thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    “Jemi shumë larg në kuptimin e natyrës së Asociacionit megjithatë Gjermania do të vazhdojë të mbështes implementimin e plotë të gjitha marrëveshjeve që janë pranuar dhe nënshkruar në Bruksel, pro po ashtu që të mbështesim Kosovën. Gjithmonë e kemi thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

    Sipas tij politikanët duhet të punojnë të realizimin e atyre marrëveshjeve në mënyrë që të arrihet që të gjithë e duam, stabiliteti dhe paqja.

    “Tani kemi një situatë kur ende kemi struktura paralele, i gjithë qëllimi i Asociacionit që të sjellë strukturat paralele, në kuadër të legjislacionit të Kosovës”, theksoi tutje ai në RTK.

    Diplomati gjerman ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të ekipit menaxhues, duke thënë se vendimi i sotëm nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit.

  • Vuçiq tregon arsyet që mund ta kenë dërguar adoleshentin të vriste nëntë persona në një shkollë

    Vuçiq tregon arsyet që mund ta kenë dërguar adoleshentin të vriste nëntë persona në një shkollë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq iu drejtua publikut pas masakrës së tmerrshme në Vraçar.

    Siç tha ai, adoleshenti që dyshohet se ka vrarë tetë nxënës dhe një roje në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” do të vendoset në një klinikë psikiatrike, babai si pronar i armës është arrestuar dhe në mbajtje është marrë edhe nëna e tij.

    “Duhej të shikonim modelet, të shikonim përgjegjësinë e secilit prej nesh dhe të kërkonim një zgjidhje që diçka e tillë, sado e paparashikueshme dhe e papritur të jetë, të mos ndodhë më kurrë, por jetojmë në një botë të tillë që është e mundur. Nuk nxitova, askush nuk nxitojë me deklarata, ne donim të shikonim ku dështoi sistemi. Ku qëndron përgjegjësia e secilit prej nesh sepse nuk mund t’i kthejmë fëmijët te prindërit e tyre”, tha i pari i shtetit serb.

    Presidenti i Serbisë tha se djali (K.K.) do të vendoset në një pjesë të veçantë të Klinikës për Neuropsikiatri dhe se do të vlerësohet përgjegjësia e të gjithëve, raporton nova.

    “Babai i tij u arrestua si pronar i armës, të cilën padyshim e mbante dhe e ruante në mënyrë të paligjshme, edhe pse kishte të gjitha lejet e nevojshme. Është ndaluar edhe nëna”, tha Vuçiq, duke shtuar se “është i detyruar të flasë për shkaqet dhe përgjegjësinë reale pasi në rrjetet sociale po përhapen të pavërteta të shumta”.

    Vuçiq tha se djali e ka pranuar se gjithçka e kishte planifikuar, “ai e shpjegoi në një mënyrë të çuditshme, të cilën nuk mund t’ia shpjegosh askujt që ka humbur fëmijët. Disa flasin për dhunën e bashkëmoshatarëve dhe se ai kërcënoi më herët me bomba. Ju lutemi njerëzit mos shpifni se ai kërcënoi me bomba. Ai mendoi të hidhte bomba molotov për të mos lejuar të tjerët të hynin deri sa të mbaronte punën monstruoze. Megjithatë, ai u frikësua dhe për këtë arsye hoqi dorë nga kokteji molotov”, tha ai.

  • Vatikani konfirmon misionin e paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

    Vatikani konfirmon misionin e paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

    Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Pietro Parolin, e konfirmoi të mërkurën ekzistencën e një “misioni paqeje” të Vatikanit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, disa ditë pasi Papa Françesku zbuloi një operacion sekret në të cilin tha se po punohej.

    Kardinali Parolin u shpreh i habitur që zyrtarët në Rusi dhe në Ukrainë u shprehën të befasuar lidhur me nismën e Vatikanit, kur u pyetën për komentet e Françeskut. Duke folur gjatë një konference në Vatikan, Parolin tha se të dy vendet ishin informuar më parë, sipas Vatican News.

    “Bazuar në njohuritë e mia, ata e dinë. Por, ju e dini se si shkojnë këto gjëra, në burokraci mund të ndodhë që komunikimet që supozohet të mbërrijnë nuk mbërrijnë”, citohet të ketë thënë Parolin.

    “Këto janë vetëm interpretimet e mia, por e di që të dyja palët ishin të informuara”, shtoi ai.

    Françesku zbuloi ekzistencën e një “misioni” të Vatikanit më 30 prill, gjatë një konference shtypi pas vizitës në Hungari.

    Gjatë tre ditëve të tij në Budapest, Françesku zhvilloi takime private me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili ka vazhduar të mbajë marrëdhënie me Moskën, si dhe me ish të dërguarin e Kishës Ortodokse Ruse, e cila e ka mbështetur fuqishëm luftën e Rusisë në Ukrainë.

    Françesku u pyet gjatë konferencës për shtyp nëse Orban ose Mitropoliti Hilarion i Kishës Ortodokse Ruse mund ta ndihmonin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Vatikani për t’i dhënë fund luftës.

    “Mund ta imagjinoni që në këtë takim nuk folëm vetëm për Kësulëkuqen, apo jo?” u përgjigj Françesku.

    Ai përsëriti gatishmërinë e tij për të bërë gjithçka që duhet për t’i dhënë fund luftës. “Gjithashtu, është një mision që po zhvillohet tani, por ende nuk është publik. Të shohim se si… Kur të jetë publike do të flas për të”, tha ai.

    Parolin i konfirmoi komentet e Françeskut. Por, ai foli për një “mision” në të ardhmen, jo për një që tashmë ka qenë duke u zhvilluar.

    Komentet e Parolinit erdhën ditën kur Papa Françesku përshëndeti të dërguarin aktual të jashtëm të Kishës Ortodokse Ruse, Metropolitin Anthony, në fund të grumbullimit të përjavshëm në Sheshin e Shën Pjetrit.

    Parolin theksoi se Anthony kishte ardhur në Vatikan si pjesë e kontakteve të rregullta midis dy kishave dhe se prania e tij nuk kishte lidhje me misionin e paqes.

    Vatikani ka një traditë të neutralitetit diplomatik dhe punës në prapavija për t’u dhënë fund konflikteve. Françesku është përpjekur të mos e antagonizojë Moskën me deklaratat e tij të përsëritura të solidaritetit me popullin ukrainas.

    Javën e kaluar, para se Françesku të shkonte në Hungari, kryeministri i Ukrainës i bëri thirrje Papës dhe kërkoi ndihmën e tij në veçanti për të ndihmuar për kthimin e fëmijëve ukrainas të deportuar në Rusi. /REL

  • Dëgjohen disa audio-incizime në gjykimin për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të KPM-së

    Dëgjohen disa audio-incizime në gjykimin për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të KPM-së

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën janë dëgjuar disa audio-incizime si prova materiale ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, i cili po akuzohet për korrupsion.

    Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi ka konstatuar se në këtë seancë ka ndryshim të trupit gjykues, ashtu që në vend të gjykatëses Shpresa Hasaj-Hysen, ishte gjykatësja Sulltane Hoti duke u konsideruar të lexuara të gjitha veprimet procedurale të ndërmarra deri më tani me pajtimin e të gjitha palëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndërkaq, lidhur me dëgjimin e audio-incizime, prokurorja e shtetit Merrushe Llugiqi ka deklaruar se mbetet pranë propozimit që CD të administrohet si provë dhe të bëhet dëgjimi i plotë i tyre, pasi që sipas saj të njëjtat nuk janë propozuar të ndara dhe çdo ndarje e tyre nuk do të ishte në interes të drejtësisë.

    Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Latifi, avokati Driton Musliu ka thënë se video-incizimi dhe audio-incizimi të cilat përfshijnë Arben Bilallin dhe Elhami Hazirin nuk mund të procedohen si prova kundër Luan Latifit pasi që sipas tij, ato biseda i ka bërë Arben Bilalli, e që në bazë të parimit që ishte refuzuar dëgjimi i Bilallit edhe këto prova në bazë të nenit 119 nenit 253 dhe 257 duhet të përjashtohen nga ky gjykim.

    Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari ka thënë se për shkak se Arben Bilalli dhe Luan Latifi janë akuzuar nga Prokuroria se kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje. atëherë padrejtësisht është veçuar procedura ashtu që sipas tij tani e tutje të gjitha provat që janë nxjerrë lidhur me këtë çështje duhet të shqyrtohen këtu në gjykatë ngase kanë ndërlidhje të ngushtë të gjitha bisedat mes vete dhe se çdo veprim i Luan Latifit është i ndërlidhur me cilindo veprim të Arben Bilallit.

    “Pra, veprimet e Arben Bilallit dhe Luan Latifit janë të ndërlidhura në mes veti sikurse mishi me kockën, janë të ngjitura mes veti dhe se në cilëndo bisedë inkriminuese Luan Latifi dhe Arben Latifi janë kryefjala dhe kallëzuesi i çdo fjalie”, tha Rudari.

    Pas kësaj, trupi gjykues ka aprovuar propozimin e prokurores së shtetit që të administrohen si provë audio-incizimet, duke vazhduar me dëgjimin e audio-incizimit të parë.

    Pas dëgjimit të audio-incizimit të parë, prokurorja Llugiqi ka thënë se në këtë pjesë të bisedës të zhvilluar në mes të Arben Bilallit dhe Elhamiut, Enverit dhe Ymerit të cilët kanë pasur një takim në zyre të Arbenit kuptojmë se Elhamiu, e kishte pasur të realizuar një takim me të pandehurin Luan Latifi dhe pas atij takimi e kishte kuptuar dhe kishte ngritur dyshimet e tij që këta persona po kërkojnë diçka prej tij për të kryer punë.

    Ndërkaq, pas dëgjimit të audio-incizimi të dytë, prokurorja Llugiqi sqaroi se ajo bisedë ishte zhvilluar në mes të Elhamiut dhe Luanit në takimin e 24 qershorit 2021 në një restaurant në Gjilan duke cituar disa fjali që janë dëgjuar në këtë incizim.

    Më pas, seanca është ndërprerë për shkak të pauzës duke vazhduar përsëri në sesionin e pasdites ku fillimisht gjykatësi Ajvazi ka udhëzuar prokuroren që të dëgjohen vetëm minutat ku ajo konsideron se janë inkriminuese për të akuzuarin.

    Ndërsa, avokati Musliu ka dhënë vërejtjet e tij sa i përket transkriptimit të video-incizimet nga prokurorja e shtetit duke propozuar që të dëgjohet edhe një herë një paragraf i cituar dhe të transkriptohet ashtu siç është.

    Pas dëgjimit dhe leximit të transkriptim nga avokati Musliu, prokurorja Llugiqi është pajtuar më vërejtjet e avokatit dhe deklarimin e tij.

    Tutje, seanca ka vazhduar me dëgjimin e audio-incizimit të tretë, për të cilin prokurorja deklaroi se ai është një takim i 25 qershorit 2021 i bërë në zyrat e Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ku takohet i pandehuri Arben Bilalli zyrtar, me të dëmtuarit Elhami Haziri dhe Enver Berisha, duke cituar disa fjali nga ky incizim.

    Lidhur me këtë, i akuzuari Latifi tha se nuk ndihet përgjegjës për asnjë sekondë dhe nuk është përgjegjës për atë se çfarë ka folur Arbeni me Elhamin, duke shtuar se përgjegjësit janë individuale dhe nuk mund të marrë përsipër gjërat e tyre personale një palë e tretë.

    Më pas, është dëgjuar edhe audio-incizimi i katërt, për të cilin po ashtu prokurorja Llugiqi tha se edhe kjo është një bisedë e 25 qershorit 2021 e cila ishte bërë në mes të pandehurit Arben Bilallit me të dëmtuarin Elhami Haziri dhe Enver Berisha në zyre të KPM-së, duke cituar disa fjali nga ky incizim për të cilën avokati Musliu pati vërejtje me arsyetimin se sërish këto prova janë biseda në mes të Arbenit dhe Elhamis dhe sërish në bazë të nenit 119,253,256 dhe 257 nuk kanë mundësi të sfidohen me këto prova nga personi i cili ka thënë ato.

    Meqenëse ishte përfundimi i orarit të punës në gjykatë, seanca është ndërprerë ndërsa e radhës u caktua të mbahet më 4 korrik 2023.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

    Ndërsa, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Driton Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

    Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

    Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

    Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.

    Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

    Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Telkos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

    Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

    Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

    Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

    Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.

    Për këto veprime, dy të akuzuarit thuhet se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.