ATV

Author: ATVLive

  • Me shfaqjen “Fefu dhe shoqet e saj, nis edicioni i 11-të i festivalit “FemArt”

    Me shfaqjen “Fefu dhe shoqet e saj, nis edicioni i 11-të i festivalit “FemArt”

    Me shfaqjen “Fefu dhe shoqet e saj”, të hënën mbrëma në Prishtinë, nisi edicioni i 11-të i festivalit “FemArt”, festival ky i cili çdo vit fokusohet te gratë, në veçanti te ato krijuese.

    “Përgatitjet kanë zgjatë një vit. Ka disa shfaqje të cilat i kemi negociua edhe dy vite. “FemArt-i” është festival tradicional më i madhi në Kosovë e në rajon sa i përket artit të prezantuar prej grave dhe nga gratë. Është festivali më i madh feminist në rajonin e Ballkanit. Jam i lumtur që ia dolëm me një laramani të tillë, me një shfaqje të krijuar enkas nga aktorët, regjisorja e jonë me një DJ nga Bosnja e Hercegovina”, tha drejtoresha e festivalit, Zana Hoxha.

    Hapja e edicionit të 11-të të festivalit u bë me shfaqjen e regjisores Arlinda Morina “Fefu dhe shoqet e saj”.

    “Në shfaqje jam ndierë tepër mirë se tanë jetën time kam dashur një shfaqje në kafe, sepse gjithmonë kam menduar që çdo kafehangji e ka një host që i pret njerëzit me ardh edhe me hy. Qëllimi i im ka qenë që gratë me u bë bashkë me një kafe të bukur siç është mensa”, tha regjisorja e shfaqjes Arlinda Morina. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Berisha “shmang” dorëheqjen: Kush mendon se tërhiqen para krimit, sheh veshin pa pasqyrë

    ​Berisha “shmang” dorëheqjen: Kush mendon se tërhiqen para krimit, sheh veshin pa pasqyrë

    Në daljen e sotme për mediat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndryshoi vullnetin e shqiptarëve, ku si referencë tashmë pati raportin paraprak të OSBE-ODIHR.

    Berisha në një konferencë për media, ka vlerësuar raportin e OSBE/ODIHR, të Autoriteteve Lokale Rajonale dhe të Parlamentit Evropian, të cilët, sipas tij, dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë, transmeton KP.

    “Unë vlerësoj raportin e OSBE/ODIHR, të Autoriteteve Lokale Rajonale dhe të Parlamentit Evropian, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan nën presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, vullnetin e shqiptarëve, ndryshoi rezultatin e votimit. Raporti paraprak, ndonëse është paraprak dhe jo përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke filluar nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si një akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor, ndalet në të gjitha format antiligjore të ndërhyrjes në vullnetin e qytetarëve shqiptarë nga qeveria, nënvizon blerjen masive të votës, gjer dhe presionet e tjera të administratës mafioze, më e pranishme se kurrë në qendrat e votimit dhe procesin e votimit”, tha ai.

    Berisha është pyetur nëse mban përgjegjësi që koalicioni Bashkë Fitojmë, ka humbur edhe në Shkodër, madje ai është pyetur nëse do të jap dorëheqje.

    “Shkodra votoi nën pushtim të vërtetë. Të gjitha pollet e kundërshtarëve tanë, por dhe tonat, e nxirrnin Bardh Spahinë 14 gjer në 16 pikë përpara. Nëse mendon ti apo ndokush tjetër se tërhiqet Sali Berisha para krimit, ai sheh veshin pa pasqyrë. Unë kurrë nuk tërhiqem para bandat të krimit shtetëror dhe joshtetëror. Shkodran është shembulli më i shëmtuar, në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës. Në Shkodër u përdorën sasi kolosale, dhjetëra milionë euro dhe jam i bindur se qytetarët e Shkodrës, zgjedhën e krimit, pushtetin e krimit, nuk do ta pranojnë”, tha ai.

    Berisha është pyetur nëse PD do ta njeh rezultatin.

    “Unë po flas qartë se kemi të bëjmë me procesin më të shëmtuar në historinë e vendit. Kemi të bëjmë me një proces ku qytetarët shqiptarë nuk votuan të lirë. Mbi bazën e saj, PD dhe koalicioni do marrë të gjitha vendimet. Nuk mundet populli opozitar, një gjë u faktua, siç e patë. Përkundrejt kësaj stuhie të hapur për asgjësimin e opozitës, opozita qëndroi fuqishëm. Qëndroi dhe u faktoi shqiptarëve se qeveria dështoi në çdo përpjekje për ta asgjësuar atë, përveçse ndryshimin e rezultateve të zgjedhjeve kur blihej vota me 300 euro, kur operatori në votimin elektronik votonte për zgjedhësit, shoqëronte zgjedhësit, etj. Këto i kemi të gjitha të dokumentuara”, tha ai.

    Ai shtoi se Edi Rama nxori bandat, liroi nga burgu me marrëveshje për të mposhtur votën e qytetarëve të Shkodrës.

  • 35-vjeçarit nga Kosova i bëhet atentat në Hannover të Gjermanisë

    35-vjeçarit nga Kosova i bëhet atentat në Hannover të Gjermanisë

    Një 35-vjeçarit nga Kosova i është bërë atentat në Hannover të Gjermanisë.

    Sh.B po udhëtonte me veturën e tij të tipit “GOLF VII”, ngjyrë e bardhë teksa u qëllua me breshëri plumbash nga disa persona.

    Ai ka arritur që të zbres nga vetura dhe të ik nga vendi i ngjarjes.

    35-vjeçari më pas është gjetur dhe prangos pasi që rezultonte në kërkim për trafikim droge, shkruan gazeta gjermane BILD.
    Avokati i kosovarit, refuzoi të komentonte se kush mund të ishte i dyshuari që sulmoi klientin e tij.

    “Asnjë koment”, u përgjigj shkurtimisht ai.

    As Prokuroria e Hannoverit nuk u prononcua lidhur me rastin.

    Zëdhënësja Paula Topp tha se për arsye të hetimeve, nuk e komentojnë.

    Sipas gazetës gjermane, Sh.B, 35-vjeçari nga Kosova dyshohet se mund të jetë koka e një bande të drogës.

    Muaj më parë forcat speciale kishin bastisur një depo në Wedemark në Hannover.

    Policia në kamionin e ngarkuar me perime gjeti gjashtë çantë me 160 kilogramë marihuanë.

    Vlera e drogës në tregun e zi sipas policisë kap vlerën e 750 mijë eurove. Kamioni kishte për destinacion Spanjën.

  • ​Krasniqi: S’do të zmbrapsemi duke kërkuar drejtësi për zhdukjen e dhunshme të Ukshin Hotit

    ​Krasniqi: S’do të zmbrapsemi duke kërkuar drejtësi për zhdukjen e dhunshme të Ukshin Hotit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kujtuar profesor Ukshin Hotin, në 24 vjetorin e zhdukjes së tij.

    Krasniqi ka deklaruar se nuk do të ndalen asnjëherë duke kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e dhunshme të tij.

    Ai ka shkruar se Ukshin Hoti ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare.

    “Asnjë fjalë. Asnjë lajm. Asnjë informatë. I munguar, sot e 24 vjet. I zhdukur dhunshëm nga duart e shtetit serb, natyrisht, me paramendim. Megjithatë, i munguar vetëm fizikisht, sepse, si veprimtar, intelektual e atdhetar, përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, Profesor Hoti ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai ka thënë se të pagjeturit janë plagë e hapur dhe dhimbje e përditshme.

    “Prandaj, ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë duke kërkuar drejtësi e përgjegjësi për zhdukjen e dhunshme të Profesor Hotit. Njëjtë si edhe për të gjithë 1617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë e të cilët figurojnë akoma të pagjetur. Sepse ata, të gjithë, janë plaga jonë e hapur. Janë dhembja jonë e përditshme”, ka shkruar ai në Facebook.

    Më 16 maj të vitit 1999, pas daljes nga qelia e Burgut të Dubravës, Ukshin Hoti zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

    Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga Masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshin Hoti ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

  • Red Bull Conquer The Castle këtë vikend vjen në Kosovë

    Red Bull Conquer The Castle këtë vikend vjen në Kosovë

    Red Bull Conquer The Castle është një garë me pengesa ku pjesëmarrësit kthehen prapa në kohë dhe përjetojnë se si do të ishte të pushtoje Kalanë e Prizrenit të vitit 1913.

    Në një shteg prej 1.5 km, garuesit duhet të thyejnë mbrojtjen e kështjellës, të cilat përbëhen nga më shumë se 9 pengesa të vështira, përpara se të vendosin flamurin e fitores në terrenin e kështjellës.

    Andaj,

    Me datë 21/05/2023, te Kalaja e Prizrenit në orën 14:00

    Ju mirëpresim të na bashkangjiteni për të ndjekur këtë ngjarje të pa parë më heret!

    Vizioni i kësaj shfaqe është promovimi i sporteve, atletikes dhe aktivitetet e brendit Red Bull edhe në Kosovë.

    Bashkpunëtor i ngjarjes është AMC Corporation dhe Bibaj Sport
    Perkrahje e plote nga Komuna e Prizrenit

    Shpërblimet për 3 vendet e para janë:
    Vendi i parë voucher per paisje sportive ne Bibaj OBS
    Vendi i dytë atlete nga Bibaj lifestyle
    Vendi i tretë dhuratë nga Red Bull Shop

    Regjistrimi I pjesëmarrësve është falas, mund të regjistroheni duke ndjekur këtë link :

    https://participate.redbull.com/en/events/red-bull-conquer-the-castle-kos/2023/

    Garuesit duhet të jenë 18+

  • Albi Mall, Cineplexx dhe Maraklitë e kerreve sjellin Fast and Furious Meeting!

    Albi Mall, Cineplexx dhe Maraklitë e kerreve sjellin Fast and Furious Meeting!

    Njëri nga filmat e shumëpritur dhe më të mëdhenjë të vitit, Fast and Furious 10, arrin më 17 maj në Cineplexx, ku do të organizohen shumë aktivitete dhe do të ketë super-shpërblime.

    Për premierën e Fast and Furious 10, më 17 maj, për të gjithë adhuruesit e veturave, Albi Mall bashkë me Cineplexx dhe grupin Marakli t’kerreve nga ora 17:00 nisin një Fast & Furious Meeting në parking të qendrës tregtare, ku do të ketë Car Show, dhe shumë pije FALAS nga Redbull, Birra Laško, Kraš, Fructal dhe Ujë Dea.
    Në këtë event do të mund t’i shihni disa nga veturat më të mira sportive dhe më të shtrenjta në Kosovë.

    Përveç Fast and Furious Meeting, gjatë eventit Pre Premiere i cili do të mbahet nga ora 19:00, do të ketë lojë shpërblyese.

    Në kinemanë në Prishtinë do të dhurohen:

    4x goma vere nga EuroGoma

    2x Syze Ray-Ban dhe #Vogue nga Optika Simon

    3x Kupona me vlerë 50€ për derivate në Shell Kosova

    3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Armani Exchange

    3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Driveline

    3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Bibaj Sport

    3x Gift Cards në vlerë prej 60€ nga Art n’flok

    Biletat për këtë film mund t’i blini çdo ditë prej orës 16:00 në Cineplexx, ose edhe online përmes aplikacionit Cineplexx KS. Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo.

  • Ambasadori i Francës: Nga marrëveshja e Brukselit palët përfitojnë shumë

    Ambasadori i Francës: Nga marrëveshja e Brukselit palët përfitojnë shumë

    Plani evropian është mundësi që nuk duhet humbur dhe se duhet zbatuar sa më parë, është thënë në tryezën e organizuar të hënën në Mitrovicë të Jugut, e ku morën pjesë ambasadorë, politikanë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjersa foli për ecurinë e dialogut, ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është hap i rëndësishëm në dialog. Ai ka folur edhe për zgjedhjet në veri.

    “Rezultati i zgjedhjeve lokale shfaqi se sa komplekse është situata dhe se ekziston potenciali për t’u rritur tensionet në terren. Pra mënyra më e mirë për të përshkruar situatën është ‘e qetë, por e tensionuar’”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se nga marrëveshja e Brukselit dhe ajo për planin e zbatimit të saj, e arritur në Ohër, palët përfitojnë shumë. E për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të veturave ai ka thënë se nuk është koha.

    “Ka elemente pozitive për të gjithë në marrëveshje, BE po e shikon nga afër zbatimin e marrëveshjes dhe do të ketë pasoja për palët jokonstruktive. Zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi do të bëhet pjesë e marrëdhënieve të BE-së me Serbinë”, ka thënë ambasadori Guerot.

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar qasjen e Qeverisë në dialog.

    “Moszbatimi i Marrëveshjes së vitit 2013 e ka sjellë këtë situatë. Ne edhe shumicës së re, që i bëri dy vjet mandat, ia kemi rekomanduar që pa hezitim ta zbatojnë Marrëveshjen e vitit 2013”, është shprehur Haziri.

    E ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se serbët e Kosovës duhet të jenë më të përfshirë në vendimmarrje.

    “Çdo marrëveshje që çon në paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë, ne serbët e Kosovës e mbështesim. Serbët e Kosovës nuk kanë qenë të përfshirë në dialog, as nga Beogradi dhe as nga Prishtina”, ka bërë të ditur Nenad Rashiq.

    Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të serbëve në Kosovë, si Rada Trajkoviq, që gjendjen e serbëve të Kosovës e krahasoi me atë të shqiptarëve në vitet ’90, dhe Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i partisë Serbët e Kosovës, i cili akuzoi Listën Serbe se mban monopolin e jetës politike të serbëve.

  • “Asociacioni, të pagjeturit”, Krejt çfarë u diskutua dje në mes të Bislimit dhe Petkoviqit në Bruksel

    “Asociacioni, të pagjeturit”, Krejt çfarë u diskutua dje në mes të Bislimit dhe Petkoviqit në Bruksel

    Në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

    Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.

    Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.

    Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumentin që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqen e tyre”, tha Bislimi në fund të takimit.

    Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.

    Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.

    “Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejmë i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët… për këto, Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës, me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, u tha Petkoviq gazetarëve.

    Ndërkaq, pas takimit Lajçak shkroi në Tëitter se me palët ka diskutuar për rrugën përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Sipas tij, takimi i 15 majit, synoi që të “qartësonte çështjet e hapura”.

    “Diskutimet do të vazhdojnë”, theksoi ai.

    Para takimit trepalësh, Lajçak zhvilloi takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.

    Ky ishte takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

    Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

    Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.

    Duke folur për takimet në Prishtinë dhe Beograd, përfshirë edhe me kryeministrin kosovar Kurti, dhe presidentin serb Vuçiq, Lajçak tha se liderëve u ka përcjellë pritshmërinë për përqendrimin në normalizimin e raporteve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    “Nënvizova po ashtu rëndësinë që të evitohet çfarëdo lëvizje e pakoordinuar që mund të dëmtojë procesin”, ka shkruar Lajçak. Ndërkaq, duke iu referuar vizitës që zhvilloi në veri të Kosovës, ku ka biseduar për situatën aktuale, ai ka tërhequr vërejtjen se “ajo që kam dëgjuar, më ka shqetësuar”.

    “Prandaj ritheksova nevojën për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqendrim të plotë në normalizimin”, shkroi ai.

    Zyrtari i lartë evropian po ashtu është shprehur se pret nga Bislimi dhe Petkoviqi që të jenë të gatshëm të pajtohen për hapa konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

    BE-ja pret që pas takimit të së hënës të ketë edhe takime të grupeve punuese dhe të ekspertëve, por edhe të komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

    Palët tashmë kanë shprehur qëndrime të ndryshme rreth prioriteteve sa i përket zbatimit të pikave të Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj.

    Ekzekutivi kosovar insiston se duhet të zbatohen të gjitha pikat e marrëveshjes, por Beogradi këmbëngul që fillimisht të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

    Edhe BE-ja, sipas një zyrtari të lartë, është e mendimit që themelimi i Asociacionit është çështja kryesore që do të vendosë edhe fatin e tërë procesit dhe kjo çështje konsiderohet si prioriteti kryesor, edhe pse sipas Aneksit të marrëveshjes, të gjitha pikat formalisht duhet të kenë rëndësinë e njëjtë.

    Drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit, që u prezantua në Bruksel më 2 maj, u refuzua menjëherë nga Qeveria e Kosovës dhe ky refuzim ishte i pritshëm për BE-në.

    Kryeministri Kurti kishte prezantuar një vizion të tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se ishte frymëzuar nga marrëveshja e Kroacisë me Serbinë.

    Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshjes për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore. /REL/

  • Veliaj thellon fitoren, 50 mijë vota më shumë se Këlliçi në Tiranë

    Veliaj thellon fitoren, 50 mijë vota më shumë se Këlliçi në Tiranë

    Në Bashkinë Tiranë nga 941 qendra votimi në total, deri më tani janë numëruar 823 prej tyre.

    Kandidati i PS, Erion Veliaj kryeson rezultatin e numërimit të votave me 54.30 % (137.886 vota).

    Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi e ndjek me 34.94 % (88.732 vota), me rreth 50 mijë vota pas Velajt.

    Ndërsa kandidatët e partive të tjera, konkretisht Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë ka marrë deri tani 4.80% të votave.

    Roland Bejko, kandidati i Partisë Demokatike me 4.27%.

    Nga ana tjetër Lajla Përnaska e PDIU me 0.74%, ndërsa Marko Dajti i Frontit të Majtë ka 0.95%.

  • “Prenk Jakova” organizon koncert në Prishtinë në 80-vjetorin e lindjes së kompozitorit Ballata

    “Prenk Jakova” organizon koncert në Prishtinë në 80-vjetorin e lindjes së kompozitorit Ballata

    Me iniciativën e drejtoreshës së shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtine, Jeta Dida Bujari, në bashkëpunim me të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle për muaj me radhë është punuar në organizimin dhe finalizimin e koncertit kushtuar kompozitorit Zeqirja Ballata.

    Prandaj, kjo shkollë do të shfaqë koncertin për ndër të përvjetorit të 80-të të lindjes së Ballatës. Koncerti do të organizohet të martën në amfiteatrin e bibliotekës kombëtare në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.

    Nën udhëheqjen e dirigjentes Lirjona Sylejmani, kori dhe orkestra me solistë të mirënjohur të shkollës, do të interpretojë vepra të kompozitorit Ballata dhe kompozitorëve të tjerë botërorë.

    Ky koncert tashmë është tradicional në këtë shkollë që prej dy vitesh, duke nderuar në vitin 2021 kompozitorin Aleksander Peçi, pastaj kompozitorin Fahri Beqirin dhe nesër edhe Ballatën, për të vazhduar tutje e për tënderuar për kontributin e tyre në lëmin e edukimit muzikor profesional edhe shumë artiste të tjerë që janë apo edhe nuk ndodhen në mesin tonë.