ATV

Author: ATVLive

  • Presidenti amerikan Biden uron presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhje

    Presidenti amerikan Biden uron presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhje

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, ka uruar presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili u rizgjodh në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sipas rezultateve preliminare.

    “Uroj presidentin e Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e rizgjedhjes së tij. Pres me padurim që si aleatë të NATO-s të vazhdojmë të punojmë së bashku për çështjet dypalëshe dhe sfidat e përbashkëta globale”, shkroi Biden.

  • Ndahen çmimet e edicionit të shtatë të PITF2023 “Burbuqe Berisha”, çmimi kryesor shkon në Kroaci

    Ndahen çmimet e edicionit të shtatë të PITF2023 “Burbuqe Berisha”, çmimi kryesor shkon në Kroaci

    Edicioni i shtatë i festivalit të vetëm ndërkombëtar të teatrove në vend, Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” 2023, ka përmbyllur me suksese të shumta festivalin që për shtatë ditë ishte edhe epiqendra e kulturës në kryeqytet.

    Në një ceremoni madhështore të ndarjes së çmimeve të organizuar në bashkëpunim më Kolegjin AAB, Art Image dhe ATV, kjo natë ishte e paharruar sidomos për garuesit e këtij edicioni që vinin nga: Spanja, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.

    Ndërsa para fillimit të ceremonisë, të pranishmit ndjekën shfaqjen e fundit garuese të PITF2023, “Arbri” nga Teatri Oda.

    Drejtoresha e festivalit, Doruntina Alshiqi u shpreh e lumtur që ky edicion përfundoi me sukses, duke theksuar se ishte një garë e ngushtë për jurinë.

    Edicioni i sivjetmë ka shënuar gjithsej shtatë shfaqje nga vendi, rajoni dhe bota, shfaqje këto të gjitha në programin garues.

    Këtë vit çmimin kryesor të PITF 2023, çmimin për aktorin më të mirë në rolin kryesor e gëzoi aktorja nga Kroacia, Buga Marija Simiç.

    Kjo është lista e plotë e çmimeve këtë vit në “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2023):

    Çmimi “Best Play: Student Choice” – “Arbri” – Kosovë

    Çmimi “Best Play: Media Choice” – “Arbri” – Kosovë

    Çmimi “Best Supporting Actor” – Ard Islami, “Club Albania”, Kosovë

    Çmimi “Best Director” – Fatos Berisha “Club Albania”, Kosovë

    Çmimi “Best Play” – “Fireworks – Sparks of Life” – Spanjë

    Çmimi kryesor i PITF 2023 “Best Actor” – Buga Marija Simiç “Rusalka” – Kroaci.

  • Erdogani mposht Kilicdaroglun, zgjidhet prapë President i Turqisë

    Erdogani mposht Kilicdaroglun, zgjidhet prapë President i Turqisë

    Rexhep Tajip Erdogan është shpallur edhe një herë fitues i Zgjedhjeve Presidenciale në Turqi, duke e mposhtur kështu rivalin e tij Kemal Kilicdaroglu.

    Erdogan tash e nëntë vjet e udhëheq vendin si president, ndërkaq pjesë e udhëheqjes së shtetit ka qenë që 20 vjet.

    Në vitet 1970 dhe 1980, Erdogan ishte aktiv në qarqet islamike, duke iu bashkuar Partisë pro-islamike të Mirëqenies.

    Në vitin 2001, ai themeloi një parti të re, me rrënjë islamike, Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), kun në vitin 2002 AKP fitoi shumicën në zgjedhjet parlamentare dhe që atëherë ka qeverisur vendin.

    Erdogan ishte kryeministër i Turqisë mga viti 2003 deri më 2014, duke kaluar pastaj po këtë vit në president të vendit.

    Prej 2018-ës në Turqi presidenti është kreu i shtetit, i cili drejton edhe qeverinë. Zyra e kryeministrit nuk ekziston më.

  • Nxënësit nuk i duan kiflet

    Nxënësit nuk i duan kiflet

    Shumica e shkollave fillore e të mesme të Prishtinës nuk duan të kthehet furnizimi me kifle e qumësht, të cilin e morën deri para tre vjetëve, si shujtë nga ana e Komunës.

    “Gjithmonë kemi humbur ushqim. Ka ndodh që 4-5 ditë nuk është larguar kiflja prej çantës”, tha drejtori i shkollës “Dardani”, Isak Bregaj.

    Por, drejtori i shkollës Dardania, Isak Bregaj, do ta mirëpriste që nga komuna të ofrohet një shujtë e nxehtë, megjithatë e konsideron sërish si një shpenzim të kotë.

    “Më mirë është ato mjete të shkojnë për investime dhe për mësimdhënës. Këtu e kemi bufenë gjithashtu, prindërit iu japin ushqimin nga shtëpia dhe nxënësit e hanë ushqimin nëpër klasa”, tha Bregaj.

    Një zgjidhje tjetër e ka edhe shkolla “Emin Duraku”. Ushqimi për nxënësit përgatitet në kuzhinën të cilën e kanë brenda shkollës.

    Ndërkohë, edhe Këshilli i Prindërve thotë se nuk ka kërkesa që të kthehen shujtat e mëparshme.

    “Për ta bërë funksional projektin e shujtave duhet goxha angazhim dhe investime, si në kuzhinat qendrore ashtu edhe nëpër shkolla. Sugjeroj që ky projekt ose të bëhet mirë, ose të mos iniciohet vetëm sa për të thënë që po jepen shujtat (siç ishte bërë nga Kryetari paraprak i Prishtinës)”, tha Jeton Demi nga këshilli i prindërve.

    Ndërkaq, në rast se fillohet me dërgimin e shujtave për nxënësit në shkollat e komunës së Prishtinës, ndërmarrja publike ”Kuzhina Qendrore” thotë se ka kapacitete.

    “Kemi edhe kapacitete edhe pajisjet, mirëpo duhet një riorganizim i punës dhe gjitha këto jemi duke i biseduar me komunën e Prishtinës, nëse fillon dërgimi i shujtave. Nuk kemi diçka konkrete, meqë është një barrë e madhe financiare, sepse të gjitha këto i paguan komuna”, tha Asdren Osaj, kryeshef i kuzhinës qendrore.

    Kuzhina qendrore aktualisht furnizon gjithsej 16 çerdhe, prej të cilave 8 janë publike dhe 8 me bazë në komunitet. Komuna e Prishtinës për 1 fëmijë për 3 shujta brenda ditës paguan 2 euro. /atvlive.tv

  • 24 vjet nga krimi makabër i familjes Kastrati dhe rënia e heroit Mensur Zyberaj

    24 vjet nga krimi makabër i familjes Kastrati dhe rënia e heroit Mensur Zyberaj

    Në vendin ku 24 vjet më parë forcat serbe vranë pesë anëtarë të familjes Kastrati në Pejë, familjarë, miq, e zyrtarë të lartë shtetërorë bënë homazhe e vunë kurora lulesh.

    Lendita Kastrati-Kelmendi, vajza e njërit prej të vrarëve kujtoi 28 majin e vitit 1999 si një ndër ditët më të tmerrshme të jetës së saj.

    “28 maji i vitit 1999-të ka qenë një ditë e tmerrshme për familjen time dhe të Kastratit. Jemi krenar që sot falë gjakut të tyre, ne e gëzojmë lirinë. Dhashtë zoti që ato vite të mos përsëriten asnjëherë”, tha Kastrati-Kelmendi.

    Po ashtu, në 24 vjetorin e rënies së heroit të kombit Mensur Zyberaj, në Rahovec u mbajt një organizim përkujtimor.

    Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi, tha se 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e qytetarëve të Rahovecit.

    Ndërsa, në qendrën kulturore, që mban me krenari emrin e heroit Mensur Zyberaj, interpretoi në kujtim të babait të saj vajza e heroit, Flaka Zyberaj. /atvlive.tv

  • Situata në veri, Kurti takohet me euro deputeten Von Cramon

    Situata në veri, Kurti takohet me euro deputeten Von Cramon

    Dy ditë pas ngjarjeve në veri, ku policia e Kosovës u angazhua të siguroj shkuarjen në punë të kryetarëve shqiptarë, raportuesja për Kosovën në parlamentin evropian Viola Von Cramon, vizitoi Kosovën.

    Ajo u prit nga kryeministri i vendit Albin Kurti, ku temë diskutimi qenë zhvillimet e fundit në vend.

    “Biseduan për zhvillimet në vend, me theks procesin e dialogut në Bruksel dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe për procesin pas-zgjedhor në katër komunat në veri të vendit. Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyer një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, është e rëndësishme që të fillojmë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës. Ndërsa, për sa i përket dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të saj, ai përsëriti që duhet zbatim i shpejtë, i plotë dhe i pakushtëzuar””, thuhet në njoftimin e Kryeminsitrisë.

    Megjithatë, Kosovës vazhdon që ti kërkohet që të mos bëjë hapa të një anshëm e destabilizues. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një postim në Twitter, i ka kërkuar Kosovës që ta qetësoj situatën në veri të vendit.

    “Kam folur me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth Kosovës. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja tani, si mënyra e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të depërshkallëzojë dhe të mos marrë hapa të njëanshëm dhe destabilizues. Misioni i NATO-s, KFOR, do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të sigurt”, ka thënë Stoltenberg.

    Situata në tri komunat veriore përfshirë komunat në Zvecan, Leposaviq e Zubin Potok, u tensionua të premten pas kundërshtimeve të serbëve që kryetarët e zgjedhur shqiptar në këto komuna, hynë në zyrat e tyre. /atvlive.tv

  • Marrëveshja Kosovë-Serbi në sytë e analistëve

    Marrëveshja Kosovë-Serbi në sytë e analistëve

    Mes Kosovës e Serbisë, tashmë ekziston një marrëveshje e dakorduar, mbi të cilën do duhej të veprojnë palët.

    Por situata në terren, është ndryshe nga ajo se çfarë thotë marrëveshja.

    Zhvillimit e fundit në veri të vendit, sipas analistes amerikane Ivana Stradner, erdhën si rezultat i politikës së presidentin serb Aleksandër Vuqiq, të ngashme me atë të presidentit rus, Vladimir Putin.

    “Vuçiq po ndjek plotësisht hapat e Putinit në karrierën e tij të hershme politike, kur Perëndimi besonte me naivitet se Putini mund të ishte properëndimor… Gjëja tjetër për Vuçiqin? Ai duhet të pastrojë reputacionin e tij në Perëndim dhe ai do të krijojë një lëvizje të re të rreme “pro-perëndimore”. Ai ka punuar për të për disa muaj dhe disa muaj më parë pashë disa serbë të rinj mbresëlënës në rrjetet sociale të cilët mburreshin se i bashkoheshin kësaj lëvizjeje”, thuhet në postimin e Stradner.

    Por sido që të veproj Vuqiqi, analistët tanë vlerësojnë se presioni ndërkombëtar, vazhdon të jetë mbi Kosovën.

    “Nëse i shohim lëvizjet e fundit të diplomacisë evropiane por edhe amerikane e vizitat e shpeshta në Qeverinë e Kosovës dhe deklarimet nga distanca, mund të shihet një lloj presioni që i bëhet Qeverisë së Kosovës për të ecur përpara në zbatimin e atyre marrëveshjeve, sidomos Asociacionit”, tha analisti politik, Shemsi Jashari.
    Por me gjithë këto, analisti tjetër bekim Kabashi, vlerëson se marrëveshja përfundimtare, do ndodh së shpejti.

    “Nëse e vëzhgojmë situatën në procesin e dialogut, atëherë na bën optimist për faktin sepse është shkuar sipas agjendës, pavarësisht mospajtimeve e kundërshtimeve të palëve. Palët janë ulur dhe kanë arritur marrëveshje. E kemi marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, pastaj janë ndjekur afatet e takimeve në Bruksel, marrëveshjen për të pagjeturit dhe hapja e temës së Asociacionit pavarësisht se nuk e kemi një draft i cili i ka përafrua palët, por Asociacioni ka filluar të diskutohet dhe mendoj që javëve në vazhdim do të kemi një qartësi më të madhe rreth kësaj teme””, tha analisti politik, Bekim Kabashi.

    Se mesi i vitit do ketë zhvillime dramatike, dhe së fundi i vitit do sjellë marrëveshjen përfundimtare, pati deklaruar edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajcak. /atvlive.tv

  • Nesër fillon java e parë e punës për kryetarët e ri në veri

    Nesër fillon java e parë e punës për kryetarët e ri në veri

    Flamuri i Republikës se Kosovës, qëndron i vendosur në hyrje të objektit komunës së Zveqanit.

    Në po këtë objekt, qëndrojnë edhe dy flamuj të tjerë të Serbisë.

    Kamerat e instaluara dje, gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës, janë të kthyera kah hapësirat për rreth objektit. Po ashtu, në të dyja hyrjet ndodhen edhe zyrtarët policorë.

    Kryetari i ri i komunës së Zveqanit, Ilir Peci nuk ndodhej sot në komunë, pasi është ditë pushimi, megjithatë ai pritet që nga nesër ta filloj javën e parë të punës në këtë objekt komunal.

    E pikërisht dita e nesërme, sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala mund të sjellë edhe ndonjë incident.

    “Problematika kryesore do kishte me qenë se çfarë do të ndodhë nga dita e nesërme. Pasi që ka paralajmrime, ka intenca që mundë të ketë ndonjë tensionim në veri, pasi dhjet mijë qytetarë të që kanë qenë në mitingun në Serbi janë kthyer”, tha Shala.

    Sa i takon prenzencës së shtuar të njësive policore në komunat veriore, Shala thekson se Policia është aty ku duhet të jetë.

    “Prezenca e Policisë së Kosovës i kontribon gjendjes për të garantuar rend dhe siguri në atë pjesë, dhe i kontribon de-eskalimit të situatës meqënse Policia e Kosovës është aty për të ofruar siguri për të gjithë qytetrët pa dallim Etnie”, tha Shala.

    Patrulla statike të policisë vërehen në lokacione të ndryshme në komunën e Zveqanit, por edhe lëvizje të njësive KFOR-it e Eulexit.

    Ndërkaq, ATV provoi të kuptonte se edhe sa gjatë do qëndrojnë njësitë policore në objektet komunale veriore, mirëpo as nga policia e as nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje.

    Megjithatë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare kanë kërkuar nga Qevberia e Kosovës që të ket kujdesë me situatën në veri të vendit, pas angazhimit të policisë për të siguruar kryetarët e komunave të Zveqanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut që ta kryejnë punën e tyre. /atvlive.tv

  • Erdogan fiton balotazhin presidencial, sipas agjencisë shtetërore

    Erdogan fiton balotazhin presidencial, sipas agjencisë shtetërore

    Në Turqi, të dielën, është mbajtur rundi i balotazhit në zgjedhjet presidenciale.

    Mbi 60 milionë qytetarë me të drejtë vote zgjodhën midis presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, dhe kandidatit të koalicionit opozitar, Kemal Kilicdaroglu. E sipas mediumit shtetëror turk, Erdogani e ka fituar tashmë balotazhin presidencial.

    Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka fituar rizgjedhjen, sipas rezultateve jozyrtare të agjencisë shtetërore Anadolu.

    Me 97 për qind të kutive të hapura në balotazh, Erdogan ka 52.1 për qind të votave dhe kundërshtari Kemal Kilicdaroglu ka 47.9 për qind.

  • Apeli ia ul dënimin të akuzuarës për mashtrim me viza nga afër 5 vjet burgim në 3

    Apeli ia ul dënimin të akuzuarës për mashtrim me viza nga afër 5 vjet burgim në 3

    Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke e dënuar me 3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë të akuzuarën për mashtrim me viza suedeze të 29 personave, Valbonë Peci.

    Aktgjykimi i Apelit përmes të cilit është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë më 20 prill 2023.

    Gjykata Themelore në Mitrovicë më 29 gusht 2022 e ka dënuar me 4 vite e 10 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë të akuzuarën Peci, po ashtu të njëjtës i është shqiptuar dënimi plotësues i urdhërimit të kompensimit të dëmit ndaj të dëmtuarve.

    Kundër këtij aktgjykimi ka paraqitur ankesë mbrojtësja e të akuzuarës Valbona Peci, avokatja Liridona Dervishaj-Pacolli, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe për shkak të vendimit mbi dënimin.

    Sipas vendimit të Apelit, ankesa e mbrojtjes është aprovuar si pjesërisht e bazuar, vetëm në lidhje me pretendimet për shkak të vendimit mbi dënimin.

    Apeli ka vendosur se gjykata e shkallës së parë në këtë rast rrethanat lehtësuese i ka nënvlerësuar, ndërsa rrethanat rënduese i ka mbivlerësuar, po ashtu ka ardhur në përfundimin se përgjegjësia penale e të akuzuarës është më e ulët se sa siç e ka vlerësuar shkalla e parë, andaj i ka shqiptuar dënim më të butë.

    Gjykata e Apelit ka gjetur se pretendimet e mbrojtjes për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nuk janë të bazuara sepse aktgjykimi i ankimuar është konkret dhe i qartë, është përshkruar qartë gjendja faktike e vërtetuar dhe janë paraqitur në mënyrë të plotë faktet dhe arsyet në të cilat gjykata është bazuar për zgjidhjen e kësaj çështje penale.

    Tutje, pretendimet e mbrojtjes për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli ka gjetur se nuk qëndrojnë, sepse gjendja faktike në këtë çështje penale është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë nga gjykata e shkallës së parë, dhe asgjë nuk ka ngelur në mëdyshje.

    “Se e akuzuara e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar dhe gjykuar, me pa mëdyshje nga gjykata e shkallës së parë është vërtetuar nga provat si ato personale dhe ato materiale, si deklaratat e të dëmtuarve në cilësi të dëshmitarëve si dhe foto dokumentacioni me tekstet e mesazheve në mes të së akuzuarës dhe të dëmtuarve”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Tutje, Apeli ka ardhur në përfundimin se nga provat e administruara dhe të vlerësuara drejtë nga gjykata e shkallës së parë, me të drejtë është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarës Valbona Peci ekzistojnë të gjitha tiparet objektive dhe subjektive të veprës penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së, për çka me të drejtë është shpallur penalisht përgjegjëse dhe fajtore.

    Gjykata e Apelit po ashtu ka konstatuar se pretendimet e mbrojtjes për shkelje të ligjit penal nuk qëndrojnë, sepse drejtë dhe në mënyrë të plotë është aplikuar ligji penal, kur gjykata e shkallës së parë të akuzuarën e ka shpallur fajtore për veprën penale e cila i vihet në barrë, dhe i ka shqiptuar dënimin e caktuar.

    Sa i përket pretendimeve ankimore të mbrojtjes për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, me rastin e shqiptimit të dënimit, ka mbivlerësuar rrethanat rënduese dhe ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese.

    “Duke pasur parasysh sidomos gjendjen ekonomike të varfër të të akuzuarës e që është e gjendjes së dobët ekonomike (të konstatuar në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar), faktin se më parë e akuzuara nuk ka qenë e dënuar, se ndaj saj nuk zhvillohet procedurë për ndonjë vepër tjetër penale, tani Kolegji penal i kësaj gjykate vlerëson se përgjegjësia penale e të akuzuarës është më e ultë se sa siç e ka vlerësuar gjykata e shkallës së parë, andaj tani të akuzuarës i shqiptohet dënim më i butë”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Apeli ka vlerësuar se ky dënim më i butë është i drejtë, në pajtim me dispozitat ligjore, në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarës si ekzekutore dhe me intensitetin e rrezikimit të vlerës së mbrojtur.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 11 shkurt 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Valbonë Pecit, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në Mitrovicë në raste dhe periudha të ndryshme kohore ka sjellë në lajthitje disa persona, me fshehjen e fakteve e me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror, e vetëdijshme për veprën dhe për pasojat e të njëjtës.

    Sipas aktakuzës, disa persona në dëm të pasurisë së vet të pandehurës i kanë dorëzuar shuma monetare në mënyrë që e njëjta t’iu sigurojë vizën e punës në Suedi, gjë që nuk e ka bërë në afatet e dakorduara, sepse për një veprim të tillë nuk ka pasur bazë, mundësi dhe as autorizim.

    Kështu, aktakuza thotë se nga 29 persona në intervale të ndryshme kohore gjatë vitit 2020 e 2021, sipas kësaj baze ka pranuar shuma monetare, në shumë kumulative prej 61 mijë e 600 euro.

    Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 e nenin 77 të Kodit Penal.