ATV

Author: ATVLive

  • Hohmann largohet nga posti i ambasadores së BE në Shqipëri

    Hohmann largohet nga posti i ambasadores së BE në Shqipëri

    Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann, do të largohet para kohe nga posti i saj në fund të kësaj vere. Hohmann do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman nga 1 Shtatori 2023, ku pritet të marrë një tjetër post të lartë në shërbimin diplomatik.

    Prej datës 2 Gusht të vitit 2022, Christiane Hohmann ka qenë në vendin tonë si ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian. Më parë, ajo ka qenë ambasadore e Gjermanisë në Estoni, në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe ka mbajtur disa poste të tjera të larta në shërbimin diplomatik.

    Largimi i diplomates gjermane e lë bosh postin e ambasadorit të BE në Tiranë. Me shumë gjasa, zëvendësuesi i Hohmann pritet të mësohet në vjeshtë.

  • Trazirat pas vrasjes së 17-vjeçarit, Franca në “shtetrrethim” me 40 mijë policë në rrugë

    Trazirat pas vrasjes së 17-vjeçarit, Franca në “shtetrrethim” me 40 mijë policë në rrugë

    Autoritetet franceze janë të alarmuara për protestat e dhunshme dhe trazirat që kanë shpërthyer në vend, pas vrasjes së 17-vjeçarit Nahel nga policia.

    Prej dy netësh radhazi ndërtesave dhe automjeteve në qytete të ndryshme iu vu zjarri, teksa mijëra njerëz (kryesisht të rinj) dolën në rrugë për të protestuar, pasi u shpërnda në rrjet video ku adoleshenti brenda makinës qëllohej me armë nga policia.

    Policia shtiu mbi të riun në periferinë pariziene të Nanterre pasi ai nuk iu përgjigj thirrjes së tyre për të ndaluar, teksa kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

    Demonstratat që pasuan incidentin kanë bërë që Presidenti Emanuel Makron të urdhërojë vendosjen e 40,000 oficerëve mbrëmjen e kësaj të enjten në shërbim, mes frikës së një natë e tretë trazirash do të ndodhë ne veçanti në Paris.

    Gjithashtu policia në kryeqytet ka dhënë urdhër që shërbimet e autobusëve dhe tramvajit të mbyllen herët, në mënyrë që të mos jenë shënjestra për banditë dhe vandalët.

    Ndërkohë, qyteti Clamart me një popullsi prej 54,000 banorësh, që ndodhet në periferinë jugperëndimore të Parisit njoftoi një shtetrrethim brenda natës që do të zgjasë edhe në fundjavë.

    Shtetrrethimi do të nisë në orën 21:00 dhe vijon deri në 06:00 të mëngjesit nga e enjtja mbrëma deri të hënën.

    Sakaq, ministrat e Makron kanë bërë thirrje për qetësi teksa u mblodhën për një takim për krizën që ka kapluar vendin këtë mëngjes.

    Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha: “Profesionistët që mbjellin tension duhet të shkojnë në shtëpi. Përgjigja e shtetit do të jetë jashtëzakonisht e ashpër”.

    Ministri konfirmoi gjithashtu se numri i oficerëve në detyrë sonte do të katërfishohej nga 9,000 në 40,000, me numrin e oficerëve të vendosur vetëm në rajonin e Parisit të dyfishuar me 5,000.

    Në takimin urgjent që mbajti gjatë paradites, vetë Macron mësohet të jetë shprehur: “Këto akte janë krejtësisht të pajustifikueshme”.

    Ai gjithashtu ka kërkuar një plan për ditët në vijim, në mënyrë që paqja e plotë të mund të kthehet në vend.

    Por ndryshe mendojnë aktivistët francezë, të cilët përsëritën thirrjet për të trajtuar atë që ata e shohin si abuzim sistematik të policisë, veçanërisht në lagjet ku shumë banorë luftojnë me varfërinë dhe diskriminimin racor ose klasor.

    Ndërkohë, raportohet se në dy mbrëmjet që pasuan incidentin, pati përplasje të ashpra midis policisë dhe të rinjve në qendrat strehimore dhe lagje të tjera vulnerabile.

    Në shesh, përballë ekipeve të policisë kundër trazirave pati gaz lotsjellës dhe granata trullosëse, ashtu si edhe gurë, flakë dhe fishekzjarrë. Demonstratat u përhapën edhe në qytete të tjera të mërkurën mbrëma, pavarësisht nga prania e shtuar e policisë.

  • Profesori i të drejtës ndërkombëtare tregon se pse konferenca ndërkombëtare nuk është e mirë

    Profesori i të drejtës ndërkombëtare tregon se pse konferenca ndërkombëtare nuk është e mirë

    Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Bashkim Rrahmani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ideja e mbajtjes së një konference për Kosovën dhe Serbinë është e panevojshme në fazën në të cilën gjenden këto dy vende tani.

    “Personalisht mendoj se BE-ja do të bëjë një kthim prapa, nuk do të arrihen efektet e dëshiruara krahas një procesi të ndërmjetësuar nga BE e cila po zgjatë më shumë se 10 vite dhe në momentin kur ne po presim finalizimin e një marrëveshje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që i kemi me Serbinë, na vjen si rrufe një ide për një konferencë, e cila është përmendur edhe nga ish-kryeministri para pak vitesh sikur këto ditët e fundit po përmendet edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Mendoj se një konferencë e tillë është absolutisht e panevojshme në fazën në të cilën gjendemi ne, në momentet kur BE-ja ka tentuar që të luajë rolin e ndërmjetësuesit në negociata”, tha Rrahmani. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste

    “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste

    Dy organizata serbe “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, të cilat veprojnë në veri të vendit, Qeveria e Kosovës i shpalli organizata terroriste.

    Kryeministri Albin Kurti tha se këto dy organizata paraqesin kërcënim serioz për sigurinë vendit dhe se qytetarët duhet të mbrohen nga veprimet me elemente terroriste.

    Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vendosja para drejtësisë e këtyre grupeve është sigurim i qetësisë në pjesën veriore.

    “Institucionet relevante kanë identifikuar disa grupe terroriste që janë duke kryer veprime të drejtpërdrejta terroriste ndaj Kosovës. Këto grupe ndër vite janë toleruar. Për më shumë se 2 vjet, vendimet tona të ligjshme janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme ndaj kundërshtarëve politikë, sulme ndaj gazetarëve dhe të ngjashme”, tha Sveçla.

    Por, kundër këtij vendimi doli një ministër i ekzekutivit. Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e cilësoi vendimin të ngutshëm.

    “Disa propozime janë të ngutura dhe mendoj se duhet të ecim me shumë kujdes. Me respekt ndaj jush ministër, ju jeni punëtor. Ju lus që nëse ka mundësi sërish të mendoni që edhe një herë të shohim këtë propozim dhe vendim, sepse frikësohem se do të ndahemi nga bashkëbiseduesit tanë në veri”, tha Rashiq.

    Por, përgjigje për këtë pati ministri Sveçla.

    “Janë pikërisht këto dy entitete që përmes dhunës e shantazheve po e pamundësojnë këtë bashkëbisedim me qytetarët aty. Jemi të bindur që sjellja para drejtësisë e pjesëtarëve të këtyre dy entiteteve është garanci për bashkëbisedim”, tha Sveçla.

    Ndërkaq, sipas Institutit për Drejtësi, pas këtij vendimi, funksioni i këtyre organizatave duhet të ndalet dhe çdo pjesëmarrje në këto organizata tani e tutje mund të pasojë me arrestim.

    “Ka të drejtë t’i shpallë, por vendimi duhet të jetë i bazuar mirë, në mënyrë që të argumentohen. Është mirë me kanë me ndërkombëtarët, sepse në aspektin diplomatik mund të ketë pasoja. Do të ndalohet funksionimi i kësaj organizate, nëse provon me funksionu do të ketë edhe arrestime, pasi fushëveprimtaria e saj është në kundërshtim me ligjin”, tha Lavdim Makshana nga IKD.

    Logo të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”, bashkë me armatim, eksploziv e uniforma ushtarake u gjetën të premten e javës së kaluar, në një veturë në veri të vendit. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Dështojnë të votohen marrëveshjet ndërkombëtare

    Dështojnë të votohen marrëveshjet ndërkombëtare

    Për të gjashtën herë, në seancën e së enjtes u sollën për votim dy marrëveshje ndërkombëtare.

    “Nuk mund të fillojmë pa kuorumin e nevojshëm, i cili është për marrëveshje ndërkombëtare. I ftojmë grupet parlamentare”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Por, pavarësisht që arritën të mblidheshin mbi 80 deputetë, sa nevojiten për votim të tyre, partitë opozitare nuk i dhanë përkrahje Marrëveshjes së kredisë mes Qeverisë së Kosovës, KOSTT-it dhe Bankës Gjermane, duke mos marrë pjesë në votim.

    Pas këtij diskutimi, opozita nuk mori pjesë as në votimin e marrëveshjes se kredisë mes Qeverisë e Bankës Evropiane për rindërtimin e Projektit “Ngrohja solare e Prishtinës”.

    Mospajtimet vazhduan edhe mes deputetëve të tjerë.

    Pas kësaj, seanca u ndërpre duke bërë që veç këtyre marrëveshjeve të dështojnë për t’u votuar edhe 15 pika të tjera të papërfunduara nga seancat e muajit prill, maj e qershor. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Këshilli evropian përkrah idenë e një konferencë për Kosovën dhe Serbinë

    Këshilli evropian përkrah idenë e një konferencë për Kosovën dhe Serbinë

    Ideja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, është përkrahur nga Këshilli Evropian.

    Madje, presidenti i Këshillit, Charles Michel, ka theksuar se konferenca duhet të organizohet sa më shpejt.

    Michel, bashkë me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, para nisjes së samitit dyditor në Bruksel, ku është diskutuar mes tjerash edhe për tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, deklaruan se duhet të tejkalohet situata e krijuar mes dy vendeve.

    “Mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e bëra së bashku me bashkëpunimin e mirë me NATO-n, nga përfaqësuesi i lartë, Borrel, dhe dua të them se mbështesim edhe idenë që sa më shpejt të jetë e mundur të organizohet një konferencë me disa anëtarë të BE-së shumë aktive, për t’i mbështetur të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese, duke u koordinuar me SHBA-në, sepse ne e ndiejmë atë, gjithë të mirën për Ballkanin Perëndimor, me Ballkanin Perëndimor”, tha Michel.

    “Situata në Kosovë dëshmon edhe bashkëpunimin NATO-BE. NATO-ja mbështet fuqimisht përpjekjet e Bashkimit Evropian, përpjekjet diplomatike që BE-ja lehtëson dialogun me procesin tonë ushtarak në terren, forcat e KFOR-it. Ne kemi shtuar praninë tonë atje dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të deeskalojnë situatën dhe të ndalin çdo veprim që mund t’i rrisë më tej tensionet dhe të angazhohet në mirëbesim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Stoltenberg.

    Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Josep Borrell, ka paralajmëruar se shtetet anëtare tashmë kanë vendosur për ndërmarrjen e disa masave.

    “Do ta kërkoj përkrahjen e udhëheqësve që të vazhdohet vendosja e presionit ndaj tyre (Kosovës dhe Serbisë), me qëllim të shmangies së eskalimit dhe kthimit te normalja. Shtetet anëtare kanë vendosur… që duhet të ndërmerren masa, ekonomike dhe politike, me qëllim që t’u bëhet e qartë atyre se nëse nuk kontribuojnë për deeskalim, kjo vjen me një kosto”, tha Borrell.

    Gjatë këtij samiti dyditor në Bruksel, liderët e BE-së do të diskutojnë edhe për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Gjithashtu, temë e diskutimeve do të jetë edhe lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ekonominë, sigurinë, mbrojtjen, migrimin dhe marrëdhëniet e jashtme. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeministri Kurti me propozime për deeskalim të situatës

    Kryeministri Kurti me propozime për deeskalim të situatës

    Për de-eskalim të situatës në katër komunat e Veriut, kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm. Mirëpo, ai ka disa kushte të cilat, sipas tij, janë kumtuar te Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, gjatë takimit në Bruksel.

    Kurti ka thënë se Serbia duhet t’i tërheqë protestuesit e dhunshëm, ndërsa Republika e Kosovës do të bëjë reduktimin e forcave policore pranë objekteve komunale.

    “Në takimin tonë të fundit në Bruksel, para një jave, në përgjigje të një tryeze që propozonte hapa de-eskalimi nga Josep Borrell, bëra propozimin me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë presim nga Serbia në këmbim. Ne besojmë se duhet të ndërmerren veprime urgjente drejt këtij qëllimi dhe jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”, tha Kurti.

    Veç tërheqjes së protestuesve, Kurti ka kërkuar nga Serbia që të zotohen për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë.

    “Po ashtu, Serbia duhet ta reduktojë gatishmërinë e forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit. Gjithashtu, Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, tha Kurti.

    Në adresimin e tij, kryeministri Albin Kurti ka ritheksuar se është i gatshëm për dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Një muaj punë, asnjë projekt i nisur në Zveçan e Zubin Potok

    Një muaj punë, asnjë projekt i nisur në Zveçan e Zubin Potok

    Në objektin e Komunës shkoi vetëm një herë.

    Por funksionin e tij si i zgjedhur për ta udhëhequr Zveçanin, Ilir Peci, po e kryen goxha larg komunës, në një objekt të improvizuar.

    Sidoqoftë, vendi thotë se nuk e pengoi që punën ta vazhdojë, derisa për një muaj nga kur mori mandatin, veçse ka kompletuar stafin.

    “Brenda këtij muaji i kemi formuar drejtoritë pothuajse komplet, brenda kabinetit ka edhe nga komuniteti serb, kemi një drejtoreshë, nënkryetarja është serbe”, tha kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci.

    Ani pse e vendosur në fshat, në këtë zyrë po kryhen shërbimet administrative, madje edhe për qytetarët serbë.

    “Shumica janë duke u kryer, ka shumë edhe nga komuniteti serb që po vijnë për dokumentacione të nevojshme, janë duke u kryer shumë mirë”, tha Peci.

    Në të njëjtën situatë gjendet edhe kolegu i tij partiak, që tashmë udhëheq Zubin-Potokun, Izmir Zeqiri.

    Në objektin alternativ në fshatin Qabër, rreth 10 kilometra larg objektit zyrtar të komunës, punët administrative po kryhen normalisht, sipas shefit të kabinetit të kryetarit.

    “Për këtë kohë brenda një muaji kemi arritur çdo send është duke funksionu, çdo shërbim është duke u kry, si na ana e vulës, stafit, dikastereve e kabinetit të kryetarit”, tha shefi i kabinetit të kryetarit të Zubin-Potokut, Fadil Veseli.

    Madje, edhe drejtorët pothuajse janë sistemuar të gjithë nëpër drejtori, derisa interesimi i serbëve që të jenë pjesë e komunës, thonë se është goxha i madh.

    “Ka shumë të interesuar për kyçjen në kabinetin e kryetarit, shumë ka të interesuar që kryesisht janë të komunitetit serb”, tha Veseli.

    Por përkundër këtyre, si komuna e Zveçanit njashtu edhe ajo e Zubin-Potokut, deri tash nuk kanë nisur asnjë projekt, veçse plane në letër thonë se kanë.
    “Kemi plane, por nuk kemi filluar ende. Tash që në ditët e ardhshme edhe korniza buxhetore për vitin 2024”, tha kryetari Peci.

    “Kemi planet tona që i kemi bërë, kemi bërë edhe kornizën buxhetore. I kemi bërë edhe projektet që si zakonisht janë më shumë projekte për anën e komunitetit serb”, tha Veseli.

    Kryetarët e këtyre dy komunave veriore, morën besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit, ndonëse dalja e votuesve ishte tejet e ulët. /atvlive.tv

    Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Vjen reagimi i presidentit Erdoğan pas djegies së Kuranit në Suedi

    Vjen reagimi i presidentit Erdoğan pas djegies së Kuranit në Suedi

    Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, reagoi në lidhje me djegien e një kopjeje të Kuranit në Suedi, ndërsa krahas autorit, kritikoi autoritetet që lejuan këtë veprim në emër të “lirisë së mendimit”, raporton Anadolu.

    “Ata që e lejuan këtë krim nën maskën e ‘lirisë së mendimit’ dhe ata që mbyllën sytë përballë kësaj poshtërsie, njëlloj sikurse ata që e kryen, nuk do t’i arrijnë qëllimet e tyre”, tha Erdoğan në një program Bajrami me anëtarët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Istanbul, në të cilin ai u lidh onlajn.

    Ai tha se megjithëse dy miliardë muslimanë anekënd botës po festojnë në një klimë qetësie, “armiqtë e Islamit dhe njerëzimit po përpiqen të hedhin hije mbi këtë klimë me provokimet e tyre nën mbrojtjen e policisë”.

    “Sulmi i poshtër ndaj librit tonë të shenjtë, Kuranit, në Suedi, në ditën e parë të Bajramit, është një prej këtyre rasteve…Dua të dihet se si Türkiye, nuk do të përkulemi kurrë para politikës së provokimit ose të kërcënimit. Ne do të shfaqim reagimin tonë në mënyrën më të fortë të mundshme derisa organizatat terroriste dhe armiqtë e Islamit të luftohen me vendosmëri. Do t’u mësojmë arrogantëve perëndimorë se nuk është liri e mendimit të fyhen vlerat e shenjta të muslimanëve”, tha presidenti Erdoğan.

    Të mërkurën, një person i identifikuar si Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit nën mbrojtjen e policisë përpara xhamisë së Stockholmit.

    Më 12 qershor, gjykata suedeze e apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së ulët për të anuluar ndalimin e djegies së Kuranit, duke vendosur se policia nuk kishte baza ligjore për të parandaluar dy protesta për djegien e Kuranit në fillim të këtij viti.

    Në shkurt, policia refuzoi të lejojë dy përpjekje për djegien e Kuranit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë, pasi politikani danez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të Kuranit para ambasadës turke në Stokholm në janar të këtij viti.

    Më vonë, dy persona që u përpoqën të organizonin protesta provokuese përpara ambasadës së Irakut dhe Türkiyes në Stokholm, apeluan vendimin.

    Në prill, Gjykata Administrative e Stokholmit e ndryshoi vendimin, duke vendosur se rreziqet e sigurisë ishin të pamjaftueshme për të kufizuar mundësinë e protestave.

  • Apeli liron nga akuza për privim të kundërligjshëm të lirisë dy ish-drejtorët e IPK-së

    Apeli liron nga akuza për privim të kundërligjshëm të lirisë dy ish-drejtorët e IPK-së

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke liruar nga akuza ish-drejtorin e Departamentit për Hetime në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), Jetullah Aliu dhe ish-drejtoreshën për Hetime Speciale në këtë institucion, Valbona Osmani, të akuzuar për privim të kundërligjshëm nga liria.

    Aktgjykimi i Apelit është marrë më 25 maj 2023, nga kolegji i gjyqtarëve me përbërje nga kryetari i kolegjit Ferit Osmani dhe anëtarë gjyqtarët Kadrije Goga-Lubishtani dhe Skender Çoçaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 korrik 2022, e kishte liruar nga akuza ish-kryeshefin e IPK-së, Fitim Shishani, ndërsa me nga 1 vit e 5 muaj burgim me kusht, i kishte dënuar të akuzuarit Aliu dhe Osmani.

    Ndaj këtij aktgjykimi, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbrojtësit e të akuzuarit Aliu, avokatët Skender Musa dhe Faton Hyseni dhe mbrojtësi i të akuzuarës Osmani, avokati Florin Vërtopi.

    Prokuroria kishte ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, kurse mbrojtja për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozim që të mbrojturit e tyre të shpallen të pafajshëm ose lënda të kthehet në rigjykim.

    Apeli refuzoi si të pabazuar ankesën e Prokurorisë, ndërsa vendosi t’i aprovojë ato të mbrojtësve të dy të akuzuarve, ndërsa ndryshoi aktgjykimin e Themelores, duke liruar nga akuza Aliun dhe Osmanin.

    Në arsyetimin e vendimit, thuhet se Apeli konstatoi se aktgjykimi i ankimuar duhet të ndryshohet përkitazi me të pandehurit Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza, kurse ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, refuzohet si e pabazuar.

    Sipas Apelit, me aktgjykimin e ankimuar përkitazi me të pandehurit Aliu dhe Osmani, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike është shkelur Ligji Penal sipas nenit 385, par.1, nënpar.1.3 të KPP-së në dëm të të pandehurve, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se kanë kryer veprën penale “Privim i kundërligjshëm i lirisë”.

    “Kjo për faktin se nga gjitha provat dhe dëshmitë të paraqitura gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penale, nuk është vërtetuar se të pandehurit Fitim Shishani, Jetullah Aliu dhe Valbona Osmani ta kenë burgosur, mbajtur të mbyllur apo në çfarëdo mënyrë tjetër ta kenë privuar nga liria të dëmtuarin-dëshmitarin Q.V, ashtu siç pretendohet në aktakuzë dhe në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vendim.

    Tutje, Apeli thekson se i dëmtuari nuk ishte privuar kundërligjshëm nga liria, ngase ishte marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit dhe se kjo dëshmohet edhe me procesverbalet e Stacionit Policor në Ferizaj.