ATV

Author: ATVLive

  • ​Bosnja i jep lamtumirën 30 viktimave të tjera të gjenocidit të Srebrenicës të identifikuara rishtazi

    ​Bosnja i jep lamtumirën 30 viktimave të tjera të gjenocidit të Srebrenicës të identifikuara rishtazi

    Duke shënuar 28 vjetorin e masakrës së Srebrenicës të vitit 1995, Bosnja dhe Hercegovina të martën i dha lamtumirën 30 viktimave të tjera të gjenocidit të identifikuara rishtazi.

    Çdo vit më 11 korrik, viktimat e identifikuara të gjenocidit varrosen në varrezën përkujtimore në Potocari, Bosnja lindore.

    Mijëra vizitorë nga vende të ndryshme marrin pjesë në ceremoni.

    Qendra përkujtimore është pika qendrore e kujtimit për miqtë dhe të afërmit e viktimave, kryesisht burra dhe djemë, të vrarë nga forcat serbe të Bosnjës.

    Pas funeralit të këtij viti, numri i varreve në varreza u rrit në 6751.

    Kryeministri malazez, Dritan Abazoviq, ministrja turke për shërbimet familjare dhe sociale, Mahira Ozdemor Goktas dhe shumë politikanë vendas morën pjesë në ceremoni.

    Abazoviq tha se gjenocidi i Srebrenicës nuk duhet të mohohet.

    “Gjenocidi nuk duhet mohuar kurrë. E vërteta ju bën të lirë dhe besoj se kur të gjithë ta pranojmë të vërtetën, rajoni do të marrë një rrugë tjetër, rrugën e pajtimit dhe përparimit”, tha Abazoviq.

    Presidenti malazez, Jakov Milatoviq në një video-mesazh tha se gjenocidi në Srebrenicë është tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

    Ministrja e Jashtme bullgare, Mariya Gabriel tha se “Nuk duhet të harrojmë kurrë atë që ndodhi në Srebrenicë”.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në rrjetet sociale tha se Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës mban në vetvete shumë tragjedi të patregueshme.

    “Një ditë kur kujtojmë vrasjen e 8372 njerëzve të pafajshëm dhe krimet e panumërta të përdhunimeve dhe torturave. Është gjithashtu përkujtim se e vërteta nuk nderohet por mohohet nga Serbia, vetë krim çnjerëzor”, tha Kurti.

    – Përkujtime

    Aktivitete të ndryshme u mbajtën për të përkujtuar gjenocidin në kryeqytet, Sarajevë, dhe në qytete të tjera të rajonit.

    Në urën historike në Mostar – një qytet ikonik me shumë besime – njerëzit u mblodhën për të kërcyer pa duartrokitje nga ura rreth 20 metra e lartë.

    Pjesëmarrësit hodhën gjithashtu zambakë të bardhë në lumin Neretva, duke simbolizuar pafajësinë e viktimave të gjenocidit.

    Kryeqyteti i Kroacisë, Zagrebi, mbajti një projeksion të lehtë të lules ikonike të Srebrenicës.

    Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve shpërndau gjithashtu lule të Srebrenicës në qytetin e Novi Pazarit për të kujtuar viktimat.

    Lulja ka një mesazh – e bardha nënkupton pafajësinë, e gjelbërta nënkupton shpresën dhe 11 petale qëndrojnë për datën 11 korrik të viti 1995.

    Ndërkohë, mijëra njerëz morën pjesë në Mars Mira, një marshim i përvitshëm i paqes.

    Mijëra njerëz nga e gjithë bota vijnë në qytetin boshnjak çdo vit dhe ndjekin të njëjtën rrugë pyjore të përdorur nga boshnjakët kur po iknin nga gjenocidi.

    Fushata zgjat tre ditë, duke kulmuar me mbërritjen e pjesëmarrësve në Potoçari.

    – Gjenocidi i Srebrenicës

    Më shumë se 8,000 burra dhe djemë myslimanë boshnjakë u vranë kur forcat serbe të Bosnjës sulmuan qytetin lindor të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht nga prania e trupave paqeruajtëse holandeze.

    Forcat serbe po përpiqeshin të merrnin territorin nga myslimanët boshnjakë dhe kroatët për të formuar një shtet.

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së e kishte shpallur Srebrenicën një “zonë të sigurt” në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat e udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së.

    Trupat holandeze nuk arritën të vepronin ndërsa forcat serbe pushtuan zonën, duke vrarë rreth 2,000 burra dhe djem vetëm më 11 korrik.

    Rreth 15,000 banorë të Srebrenicës u larguan në malet përreth, por trupat serbe gjuajtën dhe vranë 6,000 njerëz të tjerë.

    Trupat e viktimave janë gjetur në 570 vende në të gjithë vendin.

    Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vendosi se në Srebrenicë ishte kryer gjenocid.

    Më 8 qershor 2021, gjyqtarët e gjykatës së OKB-së lanë në fuqi në një gjykim të shkallës së dytë një vendim që dënonte Mlladiqin me burgim të përjetshëm për gjenocid, persekutim, krime kundër njerëzimit, shfarosje dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë. (AA)

  • ​Muriqi u rikthehet stërvitjeve me Majorkan

    ​Muriqi u rikthehet stërvitjeve me Majorkan

    Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ka nisur përgatitjet parasezonale me skuadrën spanjolle Majorka.

    Ai ishte njëri nga më meritoret që kjo skuadër përfundoi në vendin e nëntë me 50 pikë të mbledhura, raporton KosovaPress.

    Në edicionin garues 2023/24, reprezentuesi kosovar realizoi 15 gola, duke u futur në top 5-shen e sulmuesve më të mirë të La Ligas.

    Rikthimin e tij në stërvitje e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Majorkas me mbishkrimin “Rikthimi i Muriqit. Është radha e tij”.

  • ​“Mshele”, Qalaj përplaset me deputeten e VV-së

    ​“Mshele”, Qalaj përplaset me deputeten e VV-së

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj është përplasur me deputeten e LVV-së, Mirlinda Tishukaj Sadiku. Kësaj të fundit, Qalaj i tha “mshele”, gjatë kohës kur debatohej për rezervat shtetërore.

    Qalaj e ka pyetur ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për rezervat shtetërore, por për këtë ajo i tha se është sekret shtetëror dhe nuk i lejohet të flasë. Rozeta Hajdari po ashtu tha se Qalaj po shpif, për çka ka ndërhyrë edhe deputetja Mirlinda Tishukaj Sadiku.

    Kësaj të fundit iu drejtua me fjalën “mshele”, deputeti Rashit Qalaj.

    Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, po shqyrtohet Raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të MINT për vitin 2022.

  • Gjermanët apel Kosovës e Serbisë në prag të Samitit të NATO’s, këto janë kërkesat e tyre

    Gjermanët apel Kosovës e Serbisë në prag të Samitit të NATO’s, këto janë kërkesat e tyre

    Në prag të samitit të NATO-s qarqe qeveritare nga Gjermania kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe se po shqyrtojnë edhe mundësinë e masave ndaj Beogradit.

    Në prag të samitit të NATO-s, në Vilnë qarqe qeveritare nga Gjermania sërish kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit në Ballkan për situatën gjeopolitike në Evropë. Gjatë një takimi me gazetarë në Berlin, në prag të samitit të NATO-s, një zyrtar i lartë i kancelarisë gjermane i tha DW se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kthehen tryezës së bisedimeve:

    “Fokusi ynë është që të dy palët të zbatojnë atë që kanë premtuar, veçanërisht në Beograd, por edhe në Kosovë”, tha zyrtari duke pasur parsysh planin franko-gjerman dhe darkodimin për të në shkurt dhe mars të ketij viti. “Hapi tjetër është që të dyja palët të jenë të pranishme në bisedimet e udhëhequra nga BE dhe me pas të negociojnë në mënyrë konstruktive për Asociacionin e Komunave të Kosovës së Veriut.”

    Në fokus kryesor të samitit të NATO-s do të jetë mbështetja për Ukrainën. Por sigurisht që çështja e Kosovës dhe siguria në Ballkan do të jenë temë bisedimesh: “Unë besoj se ky samit është një mundësi e mirë për të gjithë për të kujtuar situatën gjeopolitike: Rusia e ka kthyer luftën përsëri në Evropë dhe për rrjedhojë NATO po rrit aftësinë e saj mbrojtëse. “Ajo që me të vërtetë nuk na duhet tani është, që në këtë situatë shumë të tensionuar gjeopolitike të kemi në Ballkan tensione të tilla që besojmë se janë të evitueshme”, tha zyrtari.

    Në shkëmbim intensiv me kryeminstrin e Shqipërisë

    Paralajmërimin e mëparshëm bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, se nëse Kosova vijon të vetëizolohet, duke mos përmbushur kërkesat e BE-së, mund të krijohet një “republikë e KFOR-it”, zyrtari tha “se këto vizione të kryeministrit të Shqipërisë janë shumë të largëta”.

    Por ai pranoi se kancelari gjerman “është në shkëmbim intensiv me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për çështjet e përgjithshme të stabilitetit në Ballkan”. Nga ana tjetër, ai bëri thirrje për implementim të marrëveshje së Ohrit: “Është vërtet koha që të gjitha palët e përfshira të zbatojnë atë për çka është rënë dakord. Nëse e bëjnë këtë – dhe sipas nesh nuk ka asgjë që i pengon – nuk ka nevojë për përsiatje të tilla”, tha zyrtari duke iu referuar deklarate se kryeministrit shqiptar Edi Rama.

    Sanksione edhe ndaj Beogradit

    Gjermania e rriti javen e kaluar presionin ndaj Kosoves duke anuluar përkohësisht tre projektet e para të bashkëpunimit me Kosovën, ne perputhje me vendimin e  marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian për masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Siç i konfirmoi DW-së ambasada gjermane në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin, bëhet fjalë për tri projekte që ende nuk kanë nisur akoma. “Janë konsultime dhe formate bashkëpunimi në fushat e bashkëpunimit të sigurisë dhe bashkëpunimit për zhvillimin”, tha ministria gjermane, por shtoi se ndëshkimet nuk prekin “projektet me sektorin e shoqërisë civile si dhe në projektet që tashmë kemi filluar t’i zbatojmë”. Të gjitha projektet e prekura mund të rifillojnë në çdo kohë. Parakusht për këtë është zbatimi i masave të nevojshme për shtencionimin e situatës në komunat veriore”, shkruan Ministria e Punëve të Jashtme në përgjigje të pyetjes së DW.

    DW e pyeti ministrinë e punëve të jashtme të Gjermanisë edhe se a ka ndër mend Gjermania të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, e cila po e refuzon nënshkrimin e Ujdise se Ohrit.

    Në përgjigjen e ministrisë së jashtme gjermane thuhej gjithashtu se “ashtu si Kosova, ne presim që Serbia të kontribuojë në mënyrë aktive në shtensionimin e gjendjes. “Serbia duhet të angazhohet qartazi për zbatimin e Ujdise së Ohrit, për të cilën ra dakord në fillim të këtij viti dhe nuk duhet të vërë më në dyshim vlefshmërinë dhe natyrën obliguese të saj”.

    “Duke pasur parasysh situatën e tensionuar – siç bëmë me Kosovën – ne po shqyrtojmë, pra, jo vetëm në kuadër të BE-së, por edhe në planin dypalësh se çfarë masash mund të ndërmerren ndaj Serbise, për shembull duke pezulluar projektet dhe formatet e bashkëpunimit”, tha ministria e punëve të jashtme.

    Deklaratat e presidentit Vučić (6.7.) tregojnë se si Kosova ashtu edhe Serbia aktualisht po e pengojnë në të njëjtën masë shtensionimin e situatës, thuhej me tej ne deklarate.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte njoftuar javën e kaluar, 6.7.2023 se po shqyrton mundësinë që javën e ardhshme të nënshkruajë një vendim për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme

    Ischinger: Jam kundër sanksioneve

    Politika e sanksioneve ndaj Kosovës është kritikuar shumë nga ekspertë dhe njohës të Ballkanit. Ish- ambasadori gjerman dhe njohës i Ballkanit Wolfgang Ischinger, në një takim zhvilluar me gazetarët e huaj të akredituar në Berlin, u shpreh skeptik ndaj kësaj metode.

    “Unë nuk jam për aksione të tilla ndëshkuese. Unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të bëjë kujdes që vendimet tona për sanksione, sikur është vepruar më parë edhe kundër Polonisë apo Hungarisë, të mos sjellin rezultate kundërproduktive.” Ischigner tha se këto mund të sjellin armiqësime të panevojshme për bashkëpunimin në BE. Ai tha se vetë është për shpërblime, në vend të dënimit. Prandaj edhe unë do t’i propozoja zotit Borrel ose Lajçak që të bëjnë një listë me shpërblime për ata që bashkëpunojnë, ata që nuk bashkëpunojnë nuk marrin asgjë.”

    Ischinger tha gjithashtu se vendet Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE para Ukrainës.

    “Nuk mund ta dëmtojmë më tej besueshmërinë (që edhe ashtu është e dëmtuar) e rajonit ndaj Bashkimit Evropian”, tha Ischinger, i cili kujtoi se pikërisht  20 vjet më parë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u thamë se bëjnë pjesë në BE. Tani kanë kaluar 20 vjet, asgjë nuk ka ndodhur, zhgënjimi është i madh”, iu përgjigj Ischinger pyetjes së DW.

  • Pasi Turqia u pajtua që Suedia të anëtarësohet në NATO, Osmani: Radhën e ka Kosova

    Pasi Turqia u pajtua që Suedia të anëtarësohet në NATO, Osmani: Radhën e ka Kosova

    Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, është gëzuar për pajtimin e presidentit turk, Recep Taip Erdogan që Suedia të anëtarësohet në NATO.

    Ajo ka thënë se radhën e ka Kosova, Ukraina dhe Bosnje dhe Hercegovina në NATO.

    “Radhën e kanë Kosova, Ukraina dhe Bosnje dhe Hercegovina në NATO, për një Aleancë dhe për një Evropë më të sigurt e të qëndrueshme”, ka shkruar Osmani në Twitter.

    Turqia e kishte penguar Suedinë që të anëtarësohet në NATO me arsyetim se “strehon terroristët”.

  • Pacolli: Presidenti i Kenisë me shaka më tha se e do shtetësinë e Kosovës sepse ndihet gjysmë kosovar

    Pacolli: Presidenti i Kenisë me shaka më tha se e do shtetësinë e Kosovës sepse ndihet gjysmë kosovar

    Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka thënë se ka mbaruar takimin me presidentin e Kenisë, William Ruto, gjatë qëndrimit të tij në këtë shtet afrikan.

    Ai ka thënë se presidenti i këtij vendi i tha Pacollit se prejse kanë njohur pasaportën e Kosovës janë shtuar udhëtimet e kosovarëve në Kenia, përfshirë edhe aktivitete afariste.

    Madje, Pacolli thotë se në shkaka Ruto i tha se “njihet gjysmë kosovar dhe meriton shtetësinë e Kosovës”.

    ”Sapo perfundova takimin me presidentin e Republikes se Kenyas, William Ruto ne pallatin presidencial ne Nairobi. Takimi me mikun tim presidentin Ruto eshte gjithmone kenaqesi. I lumtur te degjoj qe pas pranimit zyrtar te pasaportes se Republikes se Kosoves shume kosovar po udhetojne per aktivitete biznesore atje. Potenciali ekonomik qe ka Kenya dhe Afrika eshte i jashtezakonshem. Me shaka presidenti Ruto deklaroi para ministrave te tij se ndjehet gjysme kosovar dhe i takon shtetesia e Kosoves, si per te treguar simpatine per vendin tone”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

  • Gërvalla s’tërhiqet nga deklarata, VV e mbron, opozita kërkon të shkarkohet

    Gërvalla s’tërhiqet nga deklarata, VV e mbron, opozita kërkon të shkarkohet

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, nuk ka hequr dorë nga deklarata në Dubrovnik ku tha se se pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”.

    Gërvallës në krah po i dalin edhe deputetë të partisë në pushtet, ndryshe nga përfaqësues të opozitës të cilët e kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të saj ose edhe shkarkimin për deklaratën të cilën e cilësojnë skandaloze dhe të pa-nevojshme.

    Ministrja e Jashtme po vazhdon të besojë se nuk ka gabuar kur Bashkimin Evropian e ka cilësuar “Tigër prej letre”.

    Kryediplomatja e shtetit që synon anëtarësim në BE përmes një postimi në “Facebook” ka ringritur pyetjen se: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë?

    Po kësaj pyetje ministrja Donika Gërvalla përmes një teksti të gjatë i është kundërpërgjigjur ashpër opozitës duke i cilësuar pa dinjitet, pa strategji, plan e pa vizion.

    Në linjë me Gërvallen ka qëndrim edhe deputeti i koalicionit, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai thotë se edhe brenda BE-së ka vet-kritikë të ngjashme, prandaj kërkon të mirëkuptohen kritikat e Gërvallës.

    “Që në ditën e parë që ka ardhë ka pasur një kërkesë për shkarkimin e Gërvallës. Unë besoj që ju duhet ta kuptoni edhe subjektet politike, të gjithë ata që mendojnë është që Gërvalla përfaqëson ca nga vlerat më të dëshmuara në shoqërinë tonë…Besoj që opozita edhe qarqet tjera duhet ta hedhin vëmendjen tek përmbajtja e politikës së jashtme, jo të tentojnë në çdo kohë të gjejnë ca gjëra të vogla mbi të cilën pastaj ta stigmatizojnë atë”, ka thënë Armend Muja, Deputet i LVV-së.

    Mirëkuptimin të cilin po e kërkon Muja nuk po e ofrojnë nga opozita. Dy partitë më të mëdha opozitare, thonë se dorëheqja me vetiniciativë ose edhe shkarkimin duhet të jenë veprimet pas kësaj paraqitje.

    “Nuk e mendoj që gjuha e tillë të sjellë përfitime, pavarësisht sjelljes së BE-së ndaj Serbisë ne nuk jemi ata që bëjmë vlerësimin dhe nuk jemi ata që duhet të ngutemi me deklarata të tilla, sepse nuk na shërbejnë”, ka thënë Ariana Shoshi-Musliu, Deputete e PDK-së.

    “Përderisa një ministre nuk është më kredibil dhe ngritë dyshime deri në përmasa të themi zbehjes së marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me partnerët tanë është shumë e natyrshme që është në autoritetin e Kryeministrit që të ndërmarrë masa”, ka thënë Anton Quni, Deputet i LDK-së.

    Quni dhe Musliu po kërkojnë shkarkimin e Gërvallës, por kolegu nga partia më e vogël opozitare synon shkarkimin e komplet Qeverisë.

    “Ajo për sekretarin Blinken që është naiv, ka qenë një deklaratë tepër skandaloze e ke deklaratën të ministres së Punëve të Jashtme, dhe së fundmi e ki skandalin më të madh të mos-takimi të Kryeministri (Kurti) me kryeministrin Edi Rama….Shihet se këtu nuk ka as diplomaci publike, as nuk ka ministri funksionale këtu është një katrahurë. Të mjerët ne ku ka rënë Kosova dhe në çfarë deregje është”, ka thënë Besnik Tahiri, Shef i GP-së së AAK-së.

    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, thotë se mocioni për rrëzimin është diskutuar përbrenda bllokut opozitar, të cilët kanë gatishmëri mirëpo brengën e kanë se a bëhen votat.

  • Kurti: Nuk ka ende drejtësi dhe paqe për Srebrenicën

    Kurti: Nuk ka ende drejtësi dhe paqe për Srebrenicën

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnje e Hercegovinën, teksa kritikoi politikanët në rajon që mohojnë gjenocidin e ndodhur në Bosnje.

    Gjatë ceremonisë përkujtimore për 28-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, të organizuar në Prishtinë, Kurti tha se “Serbia u bë përgjegjëse që nuk e ndaloi kryerjen e krimeve, ajo asnjëherë nuk u bë përgjegjëse që e kreu pamëshirshëm këtë gjenocid”.

    Sipas kryeministrit kosovar, dënimi me burgim të përjetshëm nga gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi, i ish-presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe ish-udhëheqësit ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq, për gjenocidin në Srebrenicë, janë tregues se ngjarjet në Bosnje u kryen nga jashtë.

    “Ky është tregues që gjenocidi në Bosnje nuk ka ndodhur nga brendësia, por nga jashtë, që përgjegjës nuk janë vetëm disa serbë të Bosnjës, por Serbia si shtet. Prandaj, ende nuk ka drejtësi dhe paqe për Srebrenicën dhe Bosnjën”, tha Kurti.

    Kurti kritikoi politikanët në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska që refuzojnë të pranojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Ky mohim, sipas tij, “vë kripë në plagën” e familjarëve të viktimave.

    “Ne duam paqe, bashkëpunim dhe barazi mes shteteve dhe popujve në Ballkan. Por, themelimi i kësaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e paimagjinueshme se si në shekullin 21 ka politikanë në rajonin tonë që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut dhe kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e duke vendosur drejtësi. Dhe i vetmi dialog i mirë kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, tha Kurti.

    I pranishëm në këtë ngjarje për të kujtuar viktimat e Srebrenicës ishte edhe deputeti nga Bosnje e Hercegovina, Shemsudin Mehmedoviq.

    Ai tha se më 11 korrik, kur bëhen 28 vjet nga kryerja e gjenocidit në Srebrenicë, e gjithë bota demokratike do të bëjë homazhe për mbi 8.000 viktimat.

    “Por, do të ketë edhe të tillë që nuk do të duan të bëjnë homazhe. Ata të cilët sot përkrahin Federatën Ruse, që bënë shkelje të mëdha kundër Ukrainës, kjo është Serbia dhe entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë. [Presidenti i Serbisë] Aleksandar Vuçiq dhe [presidenti i entitetit të Republikës Sërpska] Millorad Dodik, që nuk e pranojnë Kosovën tuaj dhe Bosnjën e Hercegovinën time. Ata nuk na pranojnë as si popuj për shkak të politikave të tyre gjenocidale dhe përsëritjes së krimeve”, tha ai.

    Sipas Mehmedoviqit, politika e Serbisë është që asnjëherë të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës, por në të ardhmen do ta njohë Republikën Sërpska si shtet “dhe në këtë mënyrë të tentojë të shkatërrojë pavarësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnje e Hercegovinës”.

    Dy vjet më parë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë që njeh ngjarjet e ndodhura në Srebrenicë si gjenocid.

    Në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, forcat e ushtrisë së serbëve në Bosnje, të udhëhequr nga gjenerali Ratko Mlladiq, kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem.

    Gjykata për krime të luftës në ish-Jugosllavi i ka cilësuar këto vrasje si gjenocid. Por, në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, nga nivele më të larta shtetërore vazhdojnë të mos e pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. /REL

  • Osmani pret në takim ambasadorin Rohde, diskutojnë për situatën e sigurisë në veri

    Osmani pret në takim ambasadorin Rohde, diskutojnë për situatën e sigurisë në veri

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde.

    Në këtë takim, Osmani dhe Rohde kanë diskutuar lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për deeskalimin e situatës.

    “Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe se sfidat aktuale do t’i tejkalojë me partnerët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    Presidentja Osmani diskutoi me ambasadorin Rohde dhe rreth përgatitjeve që po bëhen për samitin e radhës të Procesit të Berlinit, si dhe për Samitin e NATO-s në Lituani.

  • Arrihet marrëveshja, Erdogan do ta përkrahë anëtarësimin e Suedisë në NATO

    Arrihet marrëveshja, Erdogan do ta përkrahë anëtarësimin e Suedisë në NATO

    Situata në mes Turqisë dhe Suedisë rreth anëtarësimit të kësaj të fundit në NATO duket se ka marrë një zgjiedhje.

    BBC raporton se presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, është pajtuar të mbështesë Suedinë rreth anëtarësimit në NATO.

    Sekretari i NATO, Jens Stoltenberg, në një konferencë, tha se presidenti turk Erdogan do të përcjellë ofertën e Suedisë në parlamentin turk dhe “të sigurojë ratifikimin”.

    “Presidenti Erdogan ka rënë dakord të përcjellë protokollin e pranimit për Suedinë në Asamblenë e Madhe Kombëtare [parlamentin e Turqisë] sa më shpejt të jetë e mundur dhe të punojë ngushtë me asamblenë për të siguruar ratifikimin.” – tha Stoltenberg, raporton BBC.