ATV

Author: ATVLive

  • ​Gvardiol te City, Guardiola emocionon tifozët e kampionit evropian

    ​Gvardiol te City, Guardiola emocionon tifozët e kampionit evropian

    Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola në një konferencë për media e ka pranuar se skuadra e tij është shumë afër transferimit të mbrojtësit Josko Gvardiol.

    Mbrëmë u raportua se marrëveshja mes Cityt dhe RB Leipzig për Gvardiol është arritur, dhe se kampioni anglez e evropian do të paguajë plot 90 milionë euro për mbrojtësin kroat, raporton KosovaPress.

    “Gvardiol, çfarë mbiemri të bukur që ka! Ai është duke kryer testet mjekësore . Të gjithë e dinë se ai është këtu. Shpresojmë që ne do mundim ta mbyllim marrëveshjen gjatë orëve/ditëve të ardhshme”, tha Guardiola.

    Kur të kompletohet transferimi dhe të bëhet zyrtare nga Manchester City, Josko Gvardiol do të bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit.

  • ​Osmani: Po krijohet paqartësi, mbajtja e zgjedhjeve në veri s’ka të bëjë me referendum

    ​Osmani: Po krijohet paqartësi, mbajtja e zgjedhjeve në veri s’ka të bëjë me referendum

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në komunat veriore të Kosovës, derisa ka theksuar se kjo nuk ka të bëjë me referendum. Ajo ka thënë se iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj. Derisa ka theksuar se Kosova ka vullnet për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, ajo u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të parandalojnë ndërhyrjet e Serbisë në këtë proces.

    Osmani ka deklaruar se Serbia duhet ta dëshmojë që nuk do të ndërhyjë ilegalisht në zgjedhjet për katër komunat veriore të Kosovës.

    “Vullneti nga ana jonë për organizimin e zgjedhjeve të reja ekziston, tani duhet edhe serbët në këto komuan të tregojnë vullnetin për pjesëmarrje në zgjedhje dhe mbi të gjitha Serbia duhet ta dëshmojë, gjë që nuk e ka dëshmuar akoma që nuk do të ndërhyjë ilegalisht, siç ka bërë në të kaluarën, në zgjedhje që mbahen në komunat e Republikës së Kosovës. Dhe i bëjmë natyrisht thirrje partnerëve tanë ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë çmos që të parandalojnë ndërhyrje të tilla të paligjshme që shpesh herë kanë përfunduar me dhunë e frikësim ndaj qytetarëve serb në veri, që të mos i lejojnë ato që të bëhen nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Osmani gjatë një konference të mbajtur në Komunën e Istogut, e të transmetuar në faqen zyrtare të Presidencës në Facebook.

    Osmani ka ritheksuar se ekzistojnë dy mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, njëra nëse kryetarët japin dorëheqje he tjetra nëse qytetarët në këto komuna kërkojnë largimin e kryetarëve përmes peticionit.

    “Po krijohet një lloj paqartësie dhe një lloj hutie, nuk e di a është e qëllimshme apo jo dhe kjo çështje po lidhet me referendumin, kjo nuk ka fare të bëjë me referendum, është një kategori komplet tjetër ligjore, iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj, pra ekziston një ligj që ua njeh qytetarëve të të gjitha komunave, jo vetëm këtyre katër komuna, të drejtën që nëpërmjet peticionit dhe pastaj rivotimit ta largojnë një kryetar komune nëpërmjet votës. Nuk është referendum, quhet kategori e largimit të kryetarit përmes procesit të rivotimit”, ka thënë Osmani.

    Ajo ka thënë se çështjet teknike procedurale të afateve duhet të determinohen përmes udhëzimeve administrative apo rregulloreve të KQZ-së.

    “Krejt çka duhet është që çështjet teknike procedurale të afateve të determinohen nëpërmjet qoftë udhëzimeve administrative, qoftë rregulloreve të KQZ-së, tashmë ekziston një grup punues ku edhe kabineti im është prezent dhe të jap kontributin e vet. Unë u bëj thirrje anëtarëve të këtij grupi punues që urgjentisht ta përfundojnë punën. Sapo të krijohet baza ligjore atëherë qytetarët e këtyre komunave kanë të drejtë të dorëzojnë poziciononin”, ka shtuar Osmani./KosovaPress

  • Distria Krasniqi e pandalshme, i siguron Kosovës medalje në Mastersin e Budapestit

    Distria Krasniqi e pandalshme, i siguron Kosovës medalje në Mastersin e Budapestit

    Xhudistja jonë, Distria Krasniqi i ka siguruar Kosovës medalje në World Judo Masters, që po zhvillohet në Budapest të Hungarisë.

    Në kuadër të kategorisë deri në 52 kilogramë, Krasniqi e ka siguruar biletën drejt finales së kësaj gare, duke e mposhtur në gjysmëfinale xhudisten hungareze, Reka Pupp, raporton KP.

    Tani, në garën për medaljen e artë, Distria do ta ketë përballë xhudisten franceze, Amandine Buchard.

  • ​Kroçera “Club med II” me 283 turistë nga Belgjika e Franca në Portin e Vlorës

    ​Kroçera “Club med II” me 283 turistë nga Belgjika e Franca në Portin e Vlorës

    Kroçera “CLUB MED II“ me 283 turistë nga vende të ndryshme si Francë, Belgjikë, Itali, Algjeri etj mbërriti sot në radën e Portit të Vlorës.

    Sipas Drejtorisë së Përgjithshme Detare turistët do të dalin me mjetet e vogla lundruese në portin e Vlorës për procedurat e nevojshme kufitare dhe më pas për të vizituar pikat e ndryshme turistike.

    Krocera CLUB MED II ka ardhur nga Zakinthos – Greqi ku do të qëndrojë deri në orën 18:00 në radën e Vlorës dhe me pas do të niset për destinacion Korfuz – Greqi.

    Qyteti i Vlorës mbetet një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, shkruan ATSh.

    Mbërritja e kroçerave është pjesë e axhendës së Mesdheut, ku qyteti i Vlorës tashmë zë një vend të veçantë. Mjaft agjenci turistike janë përfshirë në këtë drejtim, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet më tej.

  • Alonso ia prish planet e Real Madridit

    Alonso ia prish planet e Real Madridit

    Xabi Alonso e ka rinovuar kontratën e tij te skuadra e Bayer Leverkusenit.

    Alonso ka nënshkruar kontratë të re afatgjate me Bayerin, e cila do ta mbajë te klubi gjerman deri në qershor të vitit 2026, raporton KP.

    Kjo gjë do t’i prish punë Real Madridit, pasi që raportohej se gjiganti spanjoll e sheh Alonson si zëvendësuesin e Carlo Ancelottit, i cili pritet të largohet nga klubi në fund të sezonit të ardhshëm.

  • Zvicra nuk do kërkojë ekstradimin të dyshuarit për vrasjen e 27-vjeçares argjentinase, do të gjykohet në Kosovë

    Zvicra nuk do kërkojë ekstradimin të dyshuarit për vrasjen e 27-vjeçares argjentinase, do të gjykohet në Kosovë

    Bernë, 4 gusht – Siç kemi raportuar, të martën e fundit në orët e hershme të mëngjesit (01:59) në Fushë Kosovë është vrarë një grua e re argjentinase, që më pas policia kosovare ka arrestuar edhe një mashkull (32) që dyshohet të jetë autor i këtij krimi. Mësohet se autori i krimit është një kosovar (E.N) me pasaportë zvicerane që dyshohet se hodhi nga dritarja e katit të gjashtë të hotelit 27-vjeçaren nga Argjentina, ka raportuar gazeta zvicerane “Le Canton27.ch.”

    Ky rast nga Policia e Kosovës është cilësuar si vrasje, nga ana e një shtetasi zviceran. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N, i dyshuar për veprën penale “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gazeta “Le Canton27.ch ka kontaktuar autoritetet zvicerane, ku këta të fundit kanë njoftuar se i dyshuari do të gjykohet në Kosovë.

    “Meqë vepra është kryer në Kosovë, prandaj nuk shoh asnjë arsye për një ekstradim në Zvicër, pa marrë parasysh se ai posedon pasaportë zvicerane…”, ka deklaruar për gazetën zvicerane “Le Canton27.ch” z. Raphael Frei, zyrtar për informacion nga Departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë (DFJP) në Bernë.

    Sipas policisë zvicerane, autori i krimit edhe sikur të ikte nga Kosova në Zvicër, autoritetet kosovare nga Prishtina do të kërkonin ekstradimin e personit në fjalë nga Zvicra në Kosovë. / Le Canton27.ch

  • Dënim i përjetshëm për Krivaqën, e 15 vjet prapa grilave për Arbër Sejdiun – aktgjykimi i plotë i Gjykatës për vrasjen e Marigona Osmanit

    Dënim i përjetshëm për Krivaqën, e 15 vjet prapa grilave për Arbër Sejdiun – aktgjykimi i plotë i Gjykatës për vrasjen e Marigona Osmanit

    Gjykata Themelore e Ferizajt ka dënuar sot me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërkaq me 15 vjet burgim është dënuar Arbër Sejdiu për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

    Trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurit Dridan Krivaçën dhe Arbër Sejdiu i gjeti fajtorë, ndërkaq në dënim do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Dardan Krivaça akuzohet se më datë 21 gusht 2021 në banesën në Ferizaj, në intervalin nga ora 10:14 deri të nesërmen më datë 22 gusht 2021 në ora 14:43, gjersa ka qenë duke bashkëjetuar me tani të ndjerën Marigona Osmani për motive të xhelozisë, me vetëdije ndërmerr veprime të dhunshme, posaçërisht të rënda – ekstreme ndaj saj.

    Gjatë dy ditëve rresht, kohë pas kohe në vazhdimësi me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike.

    Nga pasoja e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga shtypja, goditjet apo përplasja nga ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mprehtës shkaktohet vdekja e të ndjerës M.O., e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës – lëndimeve të shumëfishta.

    Politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejti nga asfiksia mekanike si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme nga thyerjet e ashtit, të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhje epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madhe dhe trurit të vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë dhe të njëjtën me ndihmën e Arbër Sejdiut e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Arbër Sejdiu akuzohet se me datë, vend dhe kohë të përshkruar si në dispozitiv, me dashje i ka ndihmuar të akuzuarit Dardan Krivaça ta kryej veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, në atë mënyrë që fillimisht kontakton me të akuzuarin Dardan Krivaça përmes telefonit dhe takohet në qytet, pastaj së bashku kthehen në banesën e të akuzuarii cili ishte duke bashkëjetuar me tani të ndjerën Marigona Osmani.

    Me dashje ndërmerr veprime duke i krijuar të akuzuarit Dardan Krivaça kushte për kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që përderisa i akuzuari Krivaça ishte duke ushtruar dhunë fizike ekstreme ndaj të ndjerës Marigona Osmani i akuzuari Arbër Sejdiu ofrohet tek dera e dhomës ku ishte e ndjera, vazhdon tek dera e hyrjes së banesës dhe përmes vrimës së derës së hyrjes së banesës shikon dhe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke i dëgjuar apo lëvizur aty pari.

    Ai po ashtu disa herë e provon derën e hyrjes se a është e mbyllur, e të cilat veprime i njëjti gjatë qëndrimit në banesë i përsëritë në mënyrë të vazhdueshme herë pas here për të mënjanuar pengesat për gjatë kohës sa i akuzuari Dardan Krivaça ishte duke ushtruar dhunë fizike ekstreme tek e ndjera.

    Po ashtu i njëjti disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore ku edhe nga video incizimet vërehet se gjatë gjithë kohës së qëndrimit në banesë të akuzuarit Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaça kanë biseduar në telefon dhe njëkohësisht kanë biseduar në mes vete, ku dhe qëndrimi i tij gjatë gjithë natës në banesën e të akuzuarit D., tregon qëllimin e tij për të ndihmuar atë në kryerjen e veprës penale.

    Ndërsa, për veprat penale të dhunimit dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale të dhunimit, të akuzuarit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu lirohen nga akuza.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

    Aktgjykimi i plotë:

    Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurve D.K. për shkak të veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe A.S., për shkak të veprës penale ndihma në kryerjen e veprës penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurit D.K. dhe A.S., i gjeti fajtorë dhe shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm për të pandehurin D.K., ndërsa për të pandehurin A.S., dënim burgimi në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vjet në të cilin dënim do të iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. I pandehuri D.K., akuzohet se në më datë 21 gusht 2021 në banesën në Ferizaj, në intervalin nga ora 10:14 deri të nesërmen më datë 22 gusht 2021 në ora 14:43, gjersa ka qenë duke bashkëjetuar me tani të ndjerën M.O., për motive të xhelozisë, me vetëdije ndërmerr veprime të dhunshme posaçërisht të rënda – ekstreme ndaj saj, në atë mënyrë që gjatë dy ditëve rresht, kohë pas kohe në vazhdimësi me një shkop të drurit e godet viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga pasoja e kësaj dhune ekstreme të shkaktuara nga shtypja, goditjet apo përplasja nga ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mprehtës shkaktohet vdekja e të ndjerës M.O., e cila ka ardhur si rrjedhojë e politraumës – lëndimeve të shumëfishta, ku politrauma dhe vdekja kanë ardhur drejtpërdrejti nga asfiksia mekanike si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasoj e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme nga thyerjet e ashtit, të nofullës së poshtme, thyerjet e brinjëve djathtas dhe majtas, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhje epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madhe dhe trurit të vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë dhe të njëjtën me ndihmën e të pandehurit A.S., e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Ndërsa, i pandehuri A.S., akuzohet se me datë, vend dhe kohë të përshkruar si në dispozitiv, me dashje i ka ndihmuar të akuzuarit D.K., ta kryej veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, në atë mënyrë që fillimisht kontakton me të akuzuarin D., përmes telefonit dhe takohet në qytet, pastaj së bashku kthehen në banesën e të akuzuari D.K., i cili ishte duke bashkëjetuar me tani të ndjerën M.O., dhe me dashje ndërmerr veprime duke i krijuar të akuzuarit D.K. kushte për kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që përderisa i akuzuari D., ishte duke ushtruar dhunë fizike ekstreme ndaj të ndjerës M., i akuzuari A., ofrohet tek dera e dhomës ku ishte e ndjera, vazhdon tek dera e hyrjes së banesës dhe përmes vrimës së derës së hyrjes së banesës shikon dhe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke i dëgjuar apo lëvizur aty pari dhe disa herë e provon derën e hyrjes se a është e mbyllur, e të cilat veprime i njëjti gjatë qëndrimit në banesë i përsëritë në mënyrë të vazhdueshme herë pas here për të mënjanuar pengesat për gjatë kohës sa i akuzuari D.

    Ishte duke ushtruar dhunë fizike ekstreme tek e ndjera M. Po ashtu i njëjti sida herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore ku edhe nga video incizimeve vërehet se gjatë gjithë kohës së qëndrimit në banesë të akuzuarit A. dhe D., kanë biseduar në telefon dhe njëkohësisht kanë biseduar në mes vete, ku dhe qëndrimi i tij gjatë gjithë natës në banesën e të akuzuarit D., tregon qëllimin e tij për të ndihmuar atë në kryerjen e veprës penale. Ndërsa për veprat penale të dhunimit dhe ndihme në kryerjen e veprës penale të dhunimit, të akuzuarit D.K. dhe A.S., lirohen nga akuza. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

    Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

  • RrGK mirëpret vendimin për Krivaqën: I ulët dënimi ndaj Arbër Sejdiut

    RrGK mirëpret vendimin për Krivaqën: I ulët dënimi ndaj Arbër Sejdiut

    Rrjeti i grave të Kosovës mirëpriti vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Ferizaj, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, i akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Por, RrGK vlerëson se dënimi prej 15 vjet burgim kundër Arbër Sejdiut është i ulët për veprën dhe pasojat që janë shkaktuar dhe të njëjtit është dashur që t’i shqiptohet dënimi kapital prej 25 vjetësh, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “RrGK do të analizojë vendimin për lirim nga aktakuza për dhunim dhe do të monitorojë rastin në instanca të tjera që vendimi i Gjykates Themelore ndaj Dardan Krivaqës të mos ndryshojë.”, u bë e ditur në komunikatë.

    RrGK shtoi se mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante.

  • Lulzim Hetemi, 70 ditë “i bllokuar” brenda komunës, flasin familja e tij: Është mirë, po e vazhdon punën

    Lulzim Hetemi, 70 ditë “i bllokuar” brenda komunës, flasin familja e tij: Është mirë, po e vazhdon punën

    Teksa po ndërmerren veprime në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të vendit, në objektin e komunës së Leposaviqit tash e 70 ditë po qëndron kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi.

    Deri më tani ai nuk është deklaruar për media për qëndrimin e tij në objektin komunal, ndërkohë që familjarë të tij kanë thënë për RTK-në se nga kontaktet që kanë, ai po vazhdon punën me mundësitë e tij.

    Por para dy muajsh, Hetemi mëngjeset i zbardhte në fshatin e tij të lindjes, Bistricë.

    Më 26 maj ai u nis nga shtëpia e tij për t’u futur në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit, ku edhe e mori zyrtarisht detyrën.

    As ai, por as familjarët e tij, atë ditë nuk e kishin menduar se nuk do të shihen për më shumë se dy muaj.

    “Dikush prej familjes pa e kontaktuar të paktën një herë në ditë nuk bëhet. Ai është mirë dhe po punon në ato mundësitë e tij aty. Edhe gjendja shëndetësore e tij është e mirë. Kushtet elementare i ka, si për nga ushqimi ashtu edhe nga ana higjienike, pasi objekti i përmbush të gjitha kërkesat”, tha për RTK-në, Bashkim Hetemi, vëllai i kryetarit të Leposaviqit.

    Bashkimi tregon se familja e ngushtë e kryetarit aktualisht jeton në Mitrovicë, për shkak të shkollimit të fëmijëve, teksa shton se mosprezenca e vëllait të tij në shtëpi është një mungesë e madhe për familjen.

    “Ndonjëherë janë disa situata që duhet të sakrifikosh. Normal që vërehet mungesa e tij, sepse u bënë që 2 muaj që ai është brenda në objektin e komunës. Fëmijët e tij janë të gjithë në shkollë dhe gjatë procesit mësimor vijojnë mësimin në qytetin e Mitrovicës. Brenda mundësive edhe ne kujdesemi për ta dhe për familjen, por normal që ju mungon”, ka shtuar Bashkim Hetemi.

    Ai dhe e gjithë familja Hetemi e presin me padurim rikthimin e tij, por presin që edhe situata në veri të vendit të normalizohet një ditë.

  • Burgimi i përjetshëm ndaj Krivaqës, reagon ​Osmani: Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital

    Burgimi i përjetshëm ndaj Krivaqës, reagon ​Osmani: Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Ferizaj shpalli aktgjykim dënues për dy të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit. Ajo ka thënë se dhuna nuk do të tolerohet dhe se femicidi do të ndalet.

    Duke shkruar për dënimin e sotëm, Osmani ka thënë se ky duhet të jetë mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet.

    “Autorët e femicidit meritojnë dënim kapital. Ashtu siç u dënua sot vrasësi e torturuesi i Marigona Osmanit. Le të jetë ky një mesazh për të gjithë ata që zgjedhin dhunën ndaj grave si mjet. Dhuna nuk do të tolerohet! Femicidi do të ndalet”, ka shkruar Osmani.

    Për vrasjen e Marigona Osmanit, Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën, për veprën penale “vrasje e rëndë”.

    Ndërkaq, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim, për veprën penale “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”.

    Të njëjtit janë liruar nga akuza për veprën penale “dhunim”.