ATV

Author: ATVLive

  • Osmani bisedon me të rinjtë për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë

    Osmani bisedon me të rinjtë për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po merr pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Evropian, ‘Alpbach 2023’, që po mbahet në Austri.

    Kësisoj, shefja e shtetit ka pasur një diskutim me të rinjtë nga e gjithë bota, transmeton Paparaci.

    “Një diskutim i gjallë dhe tërheqës këtë mëngjes me të rinj nga e gjithë bota në EFA2023. Biseduam për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë dhe përpjekjet tona sot si një demokraci e lulëzuar e përkushtuar ndaj integrimeve euroatlantike”, shkroi ajo në “X”.

  • Dallaveret në tender: Arrestohet edhe dyshuari i tretë në Suharekë

    Dallaveret në tender: Arrestohet edhe dyshuari i tretë në Suharekë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se e ka arrestuar edhe një person të hënën, i cili dyshohet për dallavere në një tender që peshon dhjetëra mijëra euro.

    Gjithsej, numri i të arrestuarve në këtë rast ka shkuar në tre. Më 22 gusht, Policia e Kosovës kishte arrestuar Enver Shabanin, drejtor i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashi, zyrtar i Komunës së Suharekës, të cilët dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.

    Ndaj Shabanit dhe Kabashit, Gjykata Themelore në Prizren, ua ka caktuar të enjten e kaluar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç).

    E, Policia sot njoftoi se i arrestuari i tretë është i dyshuari me inicialet B.S.

    “I dyshuari në bashkëveprim me persona zyrtar të komunës së Suharekës dhe menaxherin e kontratës pas përpilimit të procesverbaleve dhe situacioneve fiktive si dhe raportit fiktiv për kryerën e punëve lidhur me ketë tender, kompania ka lëshuar faturat për realizim të punëve me çka edhe janë realizuar pagesat nga komuna e Suharekës, ku në realitet punët apo shtrimi i rrugëve sipas kontratës nuk është realizuar”, tha Policia.

    I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, tha Policia.

    Ndaj të dyshuarit, pas përfundimit te intervistimit me vendim të prokurorit kompetent, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

    Sipas vendimit për fillimin e hetimeve, që Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda e ka marrë ndaj Shabanit dhe Kabashit, të njëjtit prej 18 maj 2022 deri më 12 dhjetor 2022, në Suharekë në cilësi të personave zyrtarë dhe atë Berat Kabashi në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe Enver Shabani në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete dhe për personat tjerë, të njëjtit me dashje shkelin ligjin e Prokurimit Publik.

    Sipas vendimit, Shabani dhe Kabashi me dashje nuk kanë kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuar me ligj, në atë mënyrë që me vendimin 01-Nr.016-29186 të datës 18.05.2022 të lëshuar nga Kryetari i Komunës së Suharekës caktohen në menaxhimin e kontratës me numër prokurimi 624-22-1007-5-2-1 dhe 624-22-016-521 me titullin e kontratës “ndërtimi i rrugëve: “Rexhepi Velia-me segment”, “Molika”, “Shaljanët – segment”, “Kovaçi”, “Tafa”, “Jetush Shala” dhe “Haxhi Shania”.. në fshatin Mushtisht”, mirëpo nga informatat e siguruara dhe verifikimit të të njëjtave është konstatuar se të hollat janë paguar për Operatorin Ekonomik mirëpo rrugët nuk janë shtruar siç parashihet në kontratë.

    Për këto veprime, në vendim thuhet se të njëjtit Komunës së Suharekës i kanë shkaktuar dëm në shumën prej 74 mijë e 214 euro e 74 cent.

  • Macron: Kosova dhe Serbia mund të përballen me pasoja nëse nuk sillen me përgjegjësi

    Macron: Kosova dhe Serbia mund të përballen me pasoja nëse nuk sillen me përgjegjësi

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën Kosovën dhe Serbinë se do të përballen me pasoja nëse nuk veprojnë me përgjegjësi kundruall situatës në veri të Kosovës. Gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të ambasadorëve francezë në Paris, presidenti Macron theksoi se Franca dhe Gjermania kanë ofruar një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar planit për të cilin palët u pajtuan më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

    “Presim një ri angazhim të qartë nga të dyja palë”, tha presidenti Macron duke u bërë thirrje atyre të punojnë për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, që serbët të kthehen në institucionet e vendit dhe situata të shtensionohet.

    “Franca dhe Gjermania i kanë bërë zotimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dyja palët nuk sillen me përgjegjësi”, tha presidenti Macron, duke theksuar se duhet qasje e kujdesshme posaçërisht kur qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është në rrezik.

    Bashkimi Evropian vendosi në qershor masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të siç thuhet, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe.

    Tensionet shpërthyen pasi grupe qytetarësh serbë u hodhën në protesta kundër vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

    Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

    Por Bashkimi Evropian ka thënë se veprimet e qeverisë “janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë” për të zbutur krizën në veri dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Përmendja e çështjes së vizave nga presidenti Macron, nga vëzhguesit në Kosovë u pa si një paralajmërim për thellim masash ndëshkuese për shkak të situatës në veri.

    Në muajin prill Bashkimi Evropian vendosi që qytetaret e Kosovës të përfshihen në regjimin e udhëtimit pa viza nga 1 janari i vitit 2024. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në këtë regjim dhe e fundit në proceset integruese evropiane.

    Presidenti francez tha të hënën se Bashkimi Evropian është në rrugën e zgjerimit, veçanërisht me rajonin e Ballkanit Perëndimor, por blloku duhet të reformohet nëse dëshiron të integrojë vende të reja./VOA

  • Kurti pas takimit me Lajçakun: Kemi nevojë për njohje reciproke

    Kurti pas takimit me Lajçakun: Kemi nevojë për njohje reciproke

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas takimi të zhvilluar në Bled të Sllovenisë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

    Ai ka treguar se me diplomatin sllovak kanë folur për mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Themelore.

    Sipas tij, “me procesin e ri-fokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke, de-jure dhe de-facto”.

    Nga kryeministria u tha se ata diskutuan për procesin e dialogut dhe rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj pa kushtëzime.

    “Kryeministri tha në dritën e fjalimit të presidentit të Këshillit Evropian për integrim të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 është e rëndësishme që të ketë avancim drejt normalizimit të plotë me njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e Qeverisë Kurti.

    “Në lidhje me situatën në katër komunat në veri të Kosovës, Kryeministri kujtoi që tashmë kemi një situate të de-eskaluar e cila nuk duhet të ri-eskalohet. Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet të ju prij një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”.

    Po ashtu u tha se aty u diskutua edhe për mundësitë për një takim të radhës të nivelit të lartë në Bruksel gjatë shtatorit.

    E, Lajçak me anë të një postimi në X ka theksuar se pati në takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë.

    “Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, shkroi ai në platformën “X”.

  • Hoxhaj: Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me Qeverinë Kurti i janë hapur dyert në tërë botën

    Hoxhaj: Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me Qeverinë Kurti i janë hapur dyert në tërë botën

    Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se Kosova nuk është mjaftueshëm prezente në politikën e jashtme.

    Sipas tij, Kosova është duke u kërcënuar për heqjen e liberalizimit të vizave për shkak të politikës së jashtme jo të duhur të Qeverisë Kurti.

    “Nga Evropa në Amerikë, e nga Azia në Amerikën Latine, Kosova asnjëherë nuk ka qenë me kaq pak prezencë në marrëdhëniet ndërkombëtare prej vitit 1989, sesa si tash me qeverinë Kurti! Politikës së jashtme së Kosovës i është shuar vullneti dhe tharë energjia e mbrojtjes së interesit shtetëror”, tha ai.

    “Aty ku me dekada Serbia ishte e izoluar, me qeverinë Kurti, i janë hapur dyert në tërë botën, sikurse asocimi i shpejt i Serbisë në ASEAN, organizatën më të madhe në Azi! Natyrisht, këtu për tërheqjet e njohjeve nga Azia, se as që mund të bëhet fjalë për të marrë njohje të reja! Si e sheh Evropa Kosovën, nuk tregojnë recitimet në Forumet Alpbach dhe Bled, por kërcënimet për heqjen e liberalizimit të vizave nga Parisi dhe Berlini!”.

  • Pas Shkupit Escobar udhëton në Sarajevë “për t’i dhënë mbështetje integritetit territorial të Bosnjës”

    Pas Shkupit Escobar udhëton në Sarajevë “për t’i dhënë mbështetje integritetit territorial të Bosnjës”

    Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar viziton Bosnje dhe Hercegovinën këtë javë, njofton ambasada amerikane në Sarajevë.

    Në njoftimin e ambasadës thuhet se Escobar do të diskutojë për situatën aktuale politike në dritën e përshkallëzimit të sulmeve ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, rendit kushtetues dhe shtetit të Bosnjë Hercegovinës.

    “Vizita e tij nënvizon mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për integritetin territorial, sovranitetin dhe karakterin multietnik të Bosnje Hercegovinës dhe për rrugën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftim.

    Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar qëndroi në Shkup për vizitë javën që lam pas, ku në fokus ishin ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

  • Ministrja Gervalla për ATV-në: Forumi Strategjik në Bled, një rast i mirë për lobim për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Interpol

    Ministrja Gervalla për ATV-në: Forumi Strategjik në Bled, një rast i mirë për lobim për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në BE dhe Interpol

    Në Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, përveç kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, po merr pjesë edhe shefja e diplomacisë kosovare, zonja Donika Gervalla.

    Nën temën “Solidaritet për Sigurinë Globale”, brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, gjatë ditës së sotme ,tema e debatit ishte edhe Kosova, si dhe bashkëpunimi rajonal, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe siguria.

    Kryediplomatja e Kosovës, zonja Donika Gervalla, në një intervistë për ATV-në dhe, ka thënë se “Delegacioni nga Kosova gjatë qëndrimit në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë ka zhvilluar një aktivitet të dendur politik dhe diplomatik me përfaqësues të lartë të BE-së, ata nga Këshilli Evropian, si dhe kryetarët e shtetit slloven dhe disa vende ballkanike.”

    “Gjatë gjithë këtyre takimeve, sikur më parë, edhe sot këtu në Forumin Strategjik në Bled, kemi shfrytëzuar rastin të lobojmë jo vetëm për njohje të reja, por edhe për integrime evropiane dhe euroatlantike. Paralelisht me këto, kemi diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në BE, Interpol, etj…” ka deklaruar më tej ministrja Gervalla. /atvlive.tv

  • Lajçak paralajmëron takime me Kurtin dhe Vuçiqin

    Lajçak paralajmëron takime me Kurtin dhe Vuçiqin

    Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka treguar për takimin të cilin në Bruksel e kishte me Gabriel Escobarin, emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.

    Lajçak ka thënë se ky takim ishte koordinues për sfidat që i presin – përmendi situatën në Veriun e Kosovës, për të cilën Lajçak thotë se de-përshkallëizmi i tij mbetet lartë në agjendën e tij.

    Në lidhje me këtë, Lajçak në vazhdim paralajmëroi për takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    ”Ndërsa ritmi në Bruksel u ngadalësua gjatë verës, sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk u zhdukën. Një fushë e veçantë që ka mbetur lart në agjendën time është situata në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak në Facebook, të dielën.

    ”Për t’u përgatitur për muajt e ardhshëm dhe për të forcuar më tej përpjekjet tona të përbashkëta, ftova Zëvendës Ndihmës Sekretarin Escobar në Bruksel për diskutime të thelluara dhe takime koordinuese. Së bashku me ekipet tona diskutuam në detaje çështjet e dialogut, ndamë vlerësime të situatës aktuale, zhvillimet e muajve të fundit dhe pritshmëritë për periudhën e ardhshme. Dhe ne gjithashtu u siguruam që të harmonizonim hapat dhe prioritetet e nevojshme të ardhshme”.

    ”Përpara qirasë tradicionale të javës së ardhshme në Bruksel, do të udhëtoj për në Alpbach, Bled dhe Beograd, ku do të takohem me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, por edhe me një numër partnerësh, miqsh dhe ekspertësh për Ballkanin Perëndimor dhe global. zhvillimet politike”, ka thënë ai.

    Në Veriun e Kosovës ka pasur situatë të përshkallëzuar, poqë ishte arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Brukselit.

    Brukseli kërkon nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes në mënyrë që Brukseli t’i shfuqizojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

  • Prishtina Parking ndryshon orarin e parkingjeve në Qendër

    Prishtina Parking ndryshon orarin e parkingjeve në Qendër

    Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking ka njoftuar se nga 28 gushti do të ndryshohet orari i parkingjeve në Zonën 1, e njohur si Qendra e Qytetit.

    Kjo kompani ka njoftuar të dielën në Facebook se konform Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, nga ora 07:00 deri në 23:00, nga e hëna deri të shtunën parkingu do të mund të shfrytëzohet me pagesë. Deri më tani, orari i parkingut me pagesë ka qenë deri në orën 19:00.

    “Konform Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës nga data 28.08.2023 do të ndryshohet orari i parkingjeve (parkingje komerciale dhe rezidenciale) në Zonën 1 (Qendra e Qytetit), duke filluar nga ora 7:00 deri në ora 23:00, nga e hëna deri të shtunën”, thuhet në njoftim.

    Në Zonën 1, parkingu për një orë kushton 1 euro.

  • Kurti në Slloveni flet me Abazoviqin dhe Ramën

    Kurti në Slloveni flet me Abazoviqin dhe Ramën

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023, ka marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob.

    Kurti në darkën e punës së kryeministrit të Sllovenisë, është parë teksa bisedon me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, kjo pasi janë ulur afër njëri-tjetrit.

    Kurti ka udhëtuar sot për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ku nesër do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale.