ATV

Author: ATVLive

  • Kthehen në punë tre policët që ishin rrëmbyer nga Serbia

    Kthehen në punë tre policët që ishin rrëmbyer nga Serbia

    Tre zyrtarët policorë që ishin rrëmbyer nga Serbia, Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, tashmë janë kthyer në detyrë.

    Kësisoj, ata do të vazhdojnë punën në stacionin ku kanë qenë duke punuar deri në ditën kur u rrëmbyen, konfirmoi Policia e Kosovës.

    “Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Zyrtaret policor të potencuar nga ana juaj, janë duke punuar në stacionin përkatës ku kanë punuar edhe më herët”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

    Sefa, Zeka dhe Mustafa, ishin rrëmbyer më 14 qershor të këtij viti nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

    Ata ishin mbajtur në paraburgim për 10 ditë, kur edhe u liruan më 26 qershor.

  • ​ZKA: Sistemi shtetëror i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje

    ​ZKA: Sistemi shtetëror i mangët në mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar se sistemi shtetëror ka mangësi në angazhimin e hetuesve primar, përfshirjen e mbrojtësve të viktimave, shqyrtimin e rasteve me kohë nga organet e drejtësisë, si dhe në regjistrimin e rasteve të raportuara.

    Po ashtu sipas ZKA-së viktimat nuk kanë përkrahje sociale, në veçanti mungon përkrahja e tyre në aspektin ekonomik, si dhe mungojnë programet për trajtimin e kryerësve të veprave.

    “Procesi i auditimit identifikoi mangësi edhe në angazhimin adekuat të burimeve njerëzore, në procedurat e monitorimit dhe në mbështetjen e viktimave gjatë rehabilitimit. Gjatë intervenimit dhe ofrimit të shërbimeve emergjente, policia reagon në kohë optimale, porse ka dobësi në angazhim të hetuesve policorë, mungesë e procedurave për monitorimin e urdhrave mbrojtës, mos përcjellje e informatës te mbrojtësit e viktimave si dhe dobësi në regjistrimin e rasteve”, thuhet në raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje” për periudhën 2020-2022.

    Po ashtu ZKA bën të ditur se rezultatet e auditimit tregojnë se gjykatat me vonesë i trajtojnë rastet e dhunës në familje. Gjykatat themelore ende ballafaqohen me bartje të lëndëve të pazgjidhura nga vitet paraprake, ku disa prej tyre janë që nga viti 2016. Procesi i trajtimit në procedurë penale te rastet e dhunës në familje merr kohë më shumë se një vit. Po ashtu, vërehet mungesa e angazhimit institucional në regjistrimin e të dhënave në Data Bazën Nacionale për rastet e dhunës në familje.

    “Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca vlerësoi se është e domosdoshme rritja e angazhimit institucional për të trajtuar rastet e dhunës në familje dhe shpërndarja adekuate e burimeve. Zonja Spanca tha se zhvillimi i programeve gjithëpërfshirëse për rehabilitimin e viktimave, duke përfshirë mbështetjen psikologjike dhe kompensimet materiale është me rëndësi jetike. Me përpjekje të vazhdueshme dhe angazhime për ndryshim, institucionet përgjegjëse mund të krijojnë mjedis të atillë ku viktimat e dhunës në familje mbrohen, rehabilitohen dhe fuqizohen, duke kontribuar kështu në çrrënjosjen e dhunës në familje dhe në shoqëri”, thuhet në raport.

    Sipas auditorit, pavarësisht se institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë një sërë veprimesh për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, auditimi konstatoi se nuk janë arritur rezultate të kënaqshme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave.

    Me qëllim të përmirësimit të sistemit shtetëror për mbrojtjen dhe rehabilitimin e rasteve të dhunës në familje, ZKA dha gjithsej 19 rekomandime. Ndër këto, tri për Policinë e Kosovës, tri për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, katër për Qendrat për Punë Sociale, dy për Prokurorinë Themelore, dy për Gjykatat Themelore si dhe pesë për Ministrinë e Drejtësisë.

  • Osmani do të takohet me kreun e NATO-s më 7 shtator

    Osmani do të takohet me kreun e NATO-s më 7 shtator

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 7 shtator do të takohet me shefin e NATO’s, Jens Stoltenberg.

    Agjenda në fjalë është kumtuar nga faqja e NATO’s.

    “Të enjten, më 7 shtator 2023, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do ta presë znj. Vjosa Osmani-Sadriu. Sekretari i përgjithshëm dhe znj. Osmani do të mbajnë konferencë të përbashkët për media në seli të NATO-s pas takimit të tyre”, thuhet në njoftimin e NATO’s.

  • Prindërit ankohen në platformën “E-Kosova” për mosefikasitet

    Prindërit ankohen në platformën “E-Kosova” për mosefikasitet

    Blerja e librave e teksteve shkollore veçse ka filluar. Ekonomia Online të mërkurën ka qëndruar në njërën prej librarive në Kryeqytet, për të parë nga afër procesin e blerjes së librave nga prindërit.

    Për t’u pajisur me libra ishte edhe Albana Bajrami, nënë e tre fëmijëve, dy prej të cilëve akoma i ka në shkollë fillore.

    Ajo për Ekonomia Online tha se për momentin i ka marrë vetëm disa nga librat për njërin fëmijë, ngase akoma nuk e di se cilët libra do i duhen për fëmijën tjetër.

    Ajo nuk ishte në dijeni për koston e këtyre librave, teksa tregoi edhe për vështirësitë për aplikim për rimbursim.

    “Unë deri tani i bleva një palë libra, jo të gjitha, për klasën e dytë. I kam dy fëmijë në shkollën fillore. Të njërit fëmijë nuk i kam blerë ende librat, pasi presim nga kujdestarët e klasave që të na dërgojnë listën se në cilat shtëpi botuese do t’i blejnë ndërsa për klasën e dytë deri tani janë bërë 35.52 euro, që do të thotë që do të blejnë libra të tjerë në një shtëpi tjetër botuese deri tani i bleva në atë ‘Dukagjini’, në shtëpinë ‘Albas’ do t’i blej të tjerat, nuk e di sa do të kushtojnë që t’i kompletoj të gjithë librat për klasën e dytë”, u shpreh ajo.

    “Si çmime deri tani nuk e di çfarë të them se ngaqë i kemi marrë gjithmonë falas nuk mund ta di se si do të jenë të tjerat, por po shpresoj që t’i mbuloj edhe kostoja që thuhet se do t’i dërgoj Ministria e Arsimit. E bëra aplikimin, ende nuk kam ndonjë përgjigje por si aplikim e kam bërë për njërin fëmijë, për tjetrin nuk kam mundur ta bëjë”, u shpreh ajo.

    Sa i përket aplikimit, Bajrami tha se aplikimi në platformën “E-Kosova” nuk ka qenë edhe aq i shpejt e që për të kryer një aplikim të plotë i ishte dashur të hynte disa herë.

    Shkaku i vështirësive në këtë platformë, Bajrami tha se nuk ka arritur të rimbursohet.

    “Më është kthyer përgjigjja se keni bërë një aplikim, prisni edhe pak, se kur duhet ta bëjë tjetrin, të shohim njëherë, duhet të provoj. Nuk është shumë vështirë për të aplikuar por ishte pak si proces i ngadalshëm, ndoshta rrjeti i dobët, u desh dy, tre herë të futesh në proces për të bërë një aplikim të plotë”, tha Bajrami.

    E një nxënëse prishtinase e cila është në shkollë fillore, tha se akoma nuk i ka blerë dy libra duke shtuar se viteve të tjera librat i kanë marrë në shkollë.

    “Në këtë vit i kemi blerë librat vetë. Kam nevojë t’i blej edhe dy libra, ato janë art figurativ dhe edukatë fizike. Viteve të tjera i kemi marrë në shkollë”.

    Ekonomia Online ka biseduar me menaxherin shtëpisë botuese “Dukagjini”, Blerim Muhaxhiri. Ai tha se si shtëpi botuese kanë furnizim të mjaftueshëm për të gjitha libraritë dhe se një gjë të tillë e kanë bërë, sa i përket furnizimit me tekste shkollore të cilat i boton kjo shtëpi botuese.

    “Mund të themi se jo vetëm në rajonin e Prishtinës por në të gjithë Republikën e Kosovës të gjitha libraritë ku ndodhen i kemi furnizuar me të gjitha tekstet e shtëpisë botuese ‘Dukagjini’ dhe asnjë librari ose edhe ne si shtëpi botuese nuk kemi asnjë mungesë të asnjë teksti, përpos kësaj si librari, këtu në qendër në sheshin ‘Nëna Terezë’, te ‘Dukagjini Center’ ku e kemi hapur një pikë ambulative për t’u shërbyer sa më shpejt prindërit me tekste shkollore, tek pika tjetër në ‘Prishtina Mall’, në të gjitha pikat nuk ka asnjë mungesë të teksteve shkollore sa i përket shtëpisë botuese ‘Dukagjini’, ndërsa kemi bërë ftesë edhe prej shtëpive të tjera botuese edhe për të na furnizuar tre pika të librarisë ‘Dukagjini’ me të gjitha tekstet, disa kanë sjellur furnizim por të paktë”, u shpreh ai.

  • ​Nagavci: Jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve për tekstet shkollore

    ​Nagavci: Jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve për tekstet shkollore

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë janë në proces të aspekteve teknike për transferimin e mjeteve në xhirollogaritë e atyre që kanë aplikuar për subvencionim të teksteve shkollore.

    Ajo ka thënë se deri tani janë 92 mijë aplikime, derisa ka shtuar se janë duke i shqyrtuar të gjitha ankesat e pranuara deri tani.

    Ndërsa lidhur me rastet kur nxënësit janë 5 vjeç, ajo ka thënë se pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve.

    Ajo ka shtuar se mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator “me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”.

    “Deri tash në këtë platformë kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër. Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirrollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar”, ka shkruar ajo.

  • Qeveria gjermane nuk arrin të marrë vendim për subvencionimin e energjisë elektrike

    Qeveria gjermane nuk arrin të marrë vendim për subvencionimin e energjisë elektrike

    Qeveria e koalicionit të majtë-liberal të Gjermanisë nuk arriti të merrte një vendim për subvencionimin e energjisë elektrike gjatë dy ditëve të takimeve në Meseberg.

    Një propozim nga Ministria e Ekonomisë dhe Klimës e udhëhequr nga të Gjelbrit për të kufizuar çmimet në 6 cent për kilovat-orë për industri të caktuara nuk mund të fitonte mbështetjen e kancelarit Olaf Scholz.

    Duke folur me gazetarët të mërkurën, kancelari Scholz tha se qeveria ka ndërmarrë tashmë përpjekje serioze për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji.

    “Fakti që vepruam kaq herët na ndihmoi të kalonim dimrin dhe nuk bëri ftohtë në shtëpitë dhe fabrikat tona, dhe ekonomia ishte në gjendje të vazhdonte të funksiononte,” tha ai, duke iu referuar masave të qeverisë për të zëvendësuar importet ruse të energjisë dhe për të nxitur alternativat e rinovueshme.

    “Dhe ne shpenzuam shumë para për ta subvencionuar këtë, shumë miliarda, pasi rritja e çmimit ishte e dukshme kudo gjatë asaj kohe. Tani po shohim që çmimet po bien sërish”, shtoi ai.

    Socialdemokrati Olaf Scholz nënvizoi se çmimet e importit të Gjermanisë panë një rënie të ndjeshme në korrik, duke treguar se rënia e çmimeve të energjisë ka një ndikim pozitiv tek kompanitë.

    “Kostot e përgjithshme të importit për Gjermaninë po bien dhe ky është rezultat i strategjisë që kemi zhvilluar. Dhe strategjia jonë synon të sigurojë kosto të ulëta të energjisë elektrike në Gjermani duke zgjeruar energjitë e rinovueshme me një ritëm edhe më të shpejtë”, tha ai.

    Më parë, ministri i financave Christian Lindner nga partia liberale FDP hodhi poshtë planet e të Gjelbërve për të subvencionuar energjinë elektrike të përdorur nga kompanitë industriale. Ai argumentoi se një masë e tillë do të binte ndesh me parimet e ekonomisë sociale të tregut dhe do të ishte veprim “ekonomikisht jo i mençur”./AA/

  • 11 nga serialet më të mira televizive për t’i shikuar në shtator

    11 nga serialet më të mira televizive për t’i shikuar në shtator

    Nga “Top Boy” deri te “The Other Black Girl” dhe “The Morning Show”, kritikja e filmit, gazetarja, pedagogia universitare dhe shkrimtarja amerikane, Caryn James, propozon serialet më të mirë për të parë në muajin shtator.

    1. “Top Boy”

    Traileri për sezonin e fundit të dramës së mirënjohur për tregtarët e drogës, besnikërinë, tradhtitë dhe vrasjet premton pikërisht atë që do të prisnit nga ky serial pa kompromis që përfundoi sezonin e kaluar me vdekjen e një personazhi kryesor. Në këtë serial antagonistët kryesorë që konkurrojnë për të sunduar botën e drogës kthehen, me Ashley Walters si Dushane dhe Kane Robinson si Sully. Atyre kësaj here i bashkohet Barry Keoghan, i ri nga roli i tij i nominuar për Oscar në The Banshees of Inisherin, dhe Brian Gleeson. “Top Boy” shfaqet premierë ndërkombëtarisht më 7 shtator në Netflix.

    2. “The Changeling”

    Kjo dramë e frikshme është e bazuar në romanin bestseller të vitit 2017 nga Victor LaValle, i njohur për përzierjen e realizmit dhe të mbinatyrshmes, në prozë elokuente. E njëjta përzierje e vërtetë dhe e botës tjetër vlen për serialin, me Stanfield si një librashitës i përkushtuar ndaj gruas së tij, Emës (Clark Backo) dhe djalit të tyre të mitur. Ema has në një grua të çuditshme në Brazil, e cila me sa duket i bën magji asaj dhe fëmijës së saj të ardhshëm.

    “The Changeling” do të shfaqet premierë më 8 shtator në Apple TV+ ndërkombëtarisht.

    3. “The Morning Show”

    Jon Hamm në këtë serial i bashkohet sezonit të tretë këtu si një manjat teknologjik i quajtur Paul Marks, i cili si njerëzit e jetës reale të quajtur Musk, Bezos dhe Branson, ka anijen e tij kozmike të kompanisë. Me fillimin e sezonit, do të shohim nëse Alex (Jennifer Aniston) ose Bradley (Reese Witherspoon) do të shkojnë në hapësirë.

    “The Morning Show” do të shfaqet premierë më 13 shtator në Apple TV ndërkombëtarisht.

    Në këtë listë bëjnë pjesë edhe serialet: “The Other Black Girl”, “American Horror Story: Delicate”, “Sex Education”, “The Continental: From the World of John Wick”, “Still Up”, “Krapopolis”,”Gen V” dhe “The Long Shadow”./BBC/

  • ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

    ​Përfundon dëgjimi i dëshmitarit, gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve vazhdon të hënën

    Dëshmitari i nëntëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    E tërë dëshmia e tij është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun ndërsa prokurori Matt Halling e ka bërë një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së tij.

    Në seancën e së martës, prokurori ka thënë se kjo dëshmi ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari të 04566.

    Derisa e ka lexuar përmbledhjen në gjykatore, ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Drenoc.

    Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata ka bërë te ditur se seancat në këtë proces gjyqësor do të vazhdojnë të hënën e 4 shtatorit.

    Nga 19 dëshmitarë të prokurorisë, vetëm tre prej tyre kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./KP

  • ​Donjeta Sadiku dhe tre boksierë të tjerë synojnë Lojërat Olimpike “Parisi 2024”

    ​Donjeta Sadiku dhe tre boksierë të tjerë synojnë Lojërat Olimpike “Parisi 2024”

    Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), ka caktuar vendet mikpritëse dhe datat për turnetë kualifikues botëror të boksit për në Lojërat Olimpike Paris 2024.

    Për shkak të pezullimit të Federatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA) nga IOC, edhe këtë herë garat kualifikuese për LO Paris 2024 i organizon ‘task forca’ e aranzhuar nga IOC.

    Kështu, turneu i parë kualifikues botëror do të mbahet në Busto Arsizio të Italisë, prej 29 shkurt deri më 12 mars 2024, ku do të ndahen 49 kuota, 21 për femrat dhe 28 për meshkujt nga të gjitha kategoritë.

    Vendi mikpritës për turneun e dytë kualifikues është caktuar Bangkoku i Tailandës, prej 23 maj deri më 3 qershor 2024, ku do të ndahen 51 kuotat e fundit për të dyja konkurrencat.

    Boksierët kosovarë në Lojërat Evropiane Krakoë dhe Malopolska 2023 humbën mundësinë e parë për të fituar normën olimpike, por të dy turnetë e lartpërmendur janë mundësitë e fundit për të marrë ‘vizën’ për Paris 2024.

    Favoritja kryesore për të fituar normën olimpike është Donjeta Sadiku, kategoria 60 kg, ku në të dy turnet e vitit të ardhshëm, mund të kualifikohet nëse zë njërën nga tri pozitat e para.

    Gjasa të mira ka edhe Shpetim Bajoku, kategoria 63.5 kg, i cili për të fituar normën duhet të përfundojë në katër të parët në turneun e parë ose në pesë të parët në turneun e dytë. E njëjta vlen edhe Patriot Behramin (71 kg), ndërsa Bashkim Bajokut (51 kg) i duhet të jetë në katër të parët në turneun e parë ose të dytë.

    Garuesit e kualifikuar deri më tani nga Lojërat Evropiane 2023, dhe atë që do të kualifikohen në turnet kontinental të Afrizë, Azisë, Oqeanisë dhe Amerikës.

  • Vuçiq me Lajçakun: Jam i shqetësuar për planin e Kurtit për të dëbuar serbët dhe për të pushtuar veriun me dhunë

    Vuçiq me Lajçakun: Jam i shqetësuar për planin e Kurtit për të dëbuar serbët dhe për të pushtuar veriun me dhunë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe i ka përcjellë shqetësimin e tij për zhvillimet në Kosovë.

    Pas bisedës dy orëshe, Vuçiq ka thënë në Instagram se Lajçakut ia ka përcjellë shqetësimin e tij lidhur me planin e Kurtit për pushtimin e veriut të Kosovës dhe dëbimin e serbëve.

    “Jam shumë i shqetësuar për zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë dhe planin e Kurtit për të pushtuar me dhunë veriun e krahinës dhe për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore. Këtë ia kam përcjellë përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështjeve tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak”, tha Vuçiq.