ATV

Author: ATVLive

  • ​Konjufca arsyeton Kurtin: Lajçak po kryen punën në mënyrë të papërgjegjshme

    ​Konjufca arsyeton Kurtin: Lajçak po kryen punën në mënyrë të papërgjegjshme

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi se çelësi për avancimin e dialogut është asociacioni bashkë me njohjen. Sipas tij, është në përgjegjësinë e Kosovës që të gjejë formën e asociacionit, që është në përputhje me kushtetutën dhe që nuk cenon rendin juridik. Konjufca tha se deklarimet e kryeministrit Albin Kurti për të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk janë akuza por konstatime. Tutje, ai u shpreh se i njëjti po e kryen punën e tij në mënyrë të papërgjegjshme.

    Para gazetarëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës deklaroi se dialogu nuk mund të ecë përpara pa njohjen e shtetësisë së Kosovës.

    “Vetëm një çelës është i mundshëm për të ecur dialogu përpara, asociacioni bashkë me njohjen, përndryshe nuk ka avancim të dialogut, është problem… Serbia duhet që të pajtohet se kur ta kalon kufirin në Merdare është në një shtet tjetër. Duhet ta njoh, flamurin, simbolet nuk duhet që të na pengojë kur aplikojmë ne në organizata ndërkombëtare. Pastaj është në përgjegjësinë e Kosovës të gjejë një formë të asociacionit që është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk e cenon rendin juridik. Nëse mundoheni me shkatërrua ide atëherë jeni në favor të Serbisë. Është përfaqësim i pozicionit të Serbisë. Nuk është akuzë kjo, kjo është thjesht identifikim i një njeriu i cili po e kryen punë e vet goxha në mënyrë të papërgjegjshme”, tha ai.

    Ai mohoi që ka pasur akuza ndaj Lajçak, veçse tha se shefi i ekzekutivit ka konstatuar mënyrën e punës së tij, ku siç tha Konjufca, “është pozicionim në krahun e Serbisë”.

    “Së pari nuk mendoj që ato ishin akuza, ishin disa konstatime të mënyrës së punës së z. Lajcak. Është vërejtur me thënë të drejtën qysh në fillim që zotëri Lajcak më shumë qëndrimet të cilat i artikulon, më shumë janë le të themi ato marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht, e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i vendos në zgjidhjet që i propozon, të mund të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, qysh të mund të akomodojë në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë. E cili është pozicionimi i Serbisë? Pozicionimi i Serbisë është që Kosova duhet ta bëjë një asociacion jashtë çdo ombrelle politike të procesit i cili e ka arrit këtë pikë ku jemi tash”, deklaroi Konjufca.

    Konjufca u shpreh se Kosova nuk mund ta bëjë asociacionin, nëse nuk është në horizont njohja nga ana e Serbisë, për çka u shpreh se ka devijim nga ideja origjinale.

    “Qasja origjinale ka qenë kjo që meqenëse Kosova nuk mund ta bëjë asociacionin, sepse përndryshe do ta kishte bërë prej 2013 do ta kishte bërë në qeverinë e Isa Mustafës, ose Hashim Thaçit, ose më të hershme tash me VV është më vështirë që të bëhet. Sepse ne e kemi marr një mandat goxha të fuqishëm politik me disa premtime tjera. Cilat kanë qenë ato premtime, ato kanë qenë se Kosova nuk mund të ecë as një hap përpara në procesin e dialogut nëse nuk e ka në horizont njohjen nga ana e Serbisë. Pikërisht duke pas këtë parasysh ekspertët që e kanë përpiluar marrëveshjen e Ohrit e kanë zgjeruar ombrellën. Zgjerimi i ombrellës është që aty të jetë njohja dhe asociacioni. Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur don ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon atë dhe thotë që ky është pozicion i Serbisë. Nëse Lajçak e artikulon këtë dhe thotë që ky është pozicion i BE atëherë ne mund të themi që Lajçak paska kontribuar që ky pozicion zyrtar i BE-së të jetë kjo që e përfaqëson Serbia. Mua nuk më duket kjo e drejtpeshuar fare. Është devijim prej idesë origjinale”, shtoi më tej Konjufca.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano i ka quajtur të pabaza deklarimet e kryeministrit Albin Kurti drejtuar të dërguarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Ai tha se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë mbështetur për Lajçak dhe Borrel. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në takimin e 14 shtatorit, Lajçak ishte pozicionuar me Serbinë. /kp

  • Rama përmend Kosovën në ShBA: Jemi një komb i vogël, por me dy shtete – shqiptarët janë kudo

    Rama përmend Kosovën në ShBA: Jemi një komb i vogël, por me dy shtete – shqiptarët janë kudo

    Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në takimin vjetor të “Iniciativës Globale Klinton”, që u mbajt në New York.

    Aty ai ka folur për ngjarje prej asaj të dhënies së ndihmës së afganëve por edhe punën që do ta bëjnë në Këshillin e Sigurimit.

    Gjithashtu Rama ka përmendur edhe Kosovën para të ftuarve në kontekstin se “ne jemi një rast mjaft i veçantë sepse jemi një komb i vogël, por me dy shtete, Shqipëria dhe Kosova dhe shqiptarët jetojnë kudo”.

    “Ne vërtetë shpresojmë që kjo nismë do të zhvillohet dhe kjo urë midis të gjithë njerëzve vullnetmirë, kompanive vullnetmira, organizatave vullnetmira dhe Kombeve të Bashkuara do të ndërtohet duke tejkaluar edhe paragjykimin që është aty domethënë, që Shtetet e Bashkuara janë të ngadalta e kështu me radhë por shpresojmë që kjo do të zhvillohet. Kur u goditëm nga tërmeti qemë të bekuar se patëm miq dhe nuk na lanë vetëm as Bashkimi Europian, as Turqia, nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga shumë të tjerë të cilët na ndihmuan ndërkohë që qysh prej momentit të parë ishte e jashtëzakonshme të shihje ekipet e shpëtimit të vinin nga mbarë Evropa e madje dhe nga Izraeli për të të ndihmuar me shpëtimin e njerëzve që ishin ende gjallë nën rrënoja. Po kështu ishte e jashtëzakonshme të shihje vetë shqiptaret nga të gjitha vendet ku jetojmë, sepse ne jemi një rast mjaft i veçantë sepse jemi një komb i vogël, por me dy shtete, Shqipëria dhe Kosova dhe shqiptarët jetojnë kudo dhe ju e dini ndoshta më mirë se unë se nëqoftëse doni të hani mirë, shkoni në një restorant të mirë shqiptar në New York dhe gjithë ndihma prej tyre ishte e jashtëzakonshme”, ka thënë Rama ndër të tjera.

  • Lajçak për takimin ku ishte edhe Osmani: Iu përgjigjem pyetjeve dhe shqetësimeve të liderëve

    Lajçak për takimin ku ishte edhe Osmani: Iu përgjigjem pyetjeve dhe shqetësimeve të liderëve

    Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, ka shkruar për takimin që kanë pasur në Nju Jork me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Lajcak ka thënë se kanë pasur diskutime interesante dhe se kanë biseduar në detaje për procesin e zgjerimit dhe se u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve legjitime dhe shqetësimeve që krerët e gjashtë shteteve kanë pasur.

    “ Diskutim interesant dreke i organizuar nga Josep Borell me gjashtë Presidentët e Ballkanit Perëndimor në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ne folëm në detaje për zgjerimin dhe iu përgjigjëm pyetjeve dhe shqetësimeve legjitime që kishin liderët”, ka shkruar Lajcak.

  • ​Dogana konfiskon 30 automjete të pazhdoganura

    ​Dogana konfiskon 30 automjete të pazhdoganura

    Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë sekuestruar 30 automjete të pa-zhdoganuara në Rahovec dhe Malishevë.

    Njësitë e Doganës kanë identifikuar dhe kryer kontrollin e automjeteve me targa të huaja, si dhe kanë gjetur auto pjesë pa dokumentacionin e nevojshëm që dëshmon se automjetet nuk janë te zhdoganuara.

    “Njësitë Antikontrabandë të Doganës të Kosovës vazhdojnë të kryejnë kontrolla nëpër territorin e vendit për të parandaluar veprimtarinë e kontrabandës. Gjatë një operacioni janë kryer kontrolle në tre lokacione të ndryshme, me pika thelbësore në Xërxe të Rahovecit dhe dy në Carallukë të Malishevës. Si rezultat të këtyre kontrolleve, janë zbuluar dhe sekuestruar 30 automjete të pa-zhdoganuara, si dhe pjesë të automjeteve të paligjshme në këto tri lokacione. Në përputhje me procedurat ligjore, është filluar procesi i kundërvajtjeve”, thuhet në njoftimin e Doganës.

  • ​Borrell: Jemi duke u përgatitur për valën e ardhshme të zgjerimit

    ​Borrell: Jemi duke u përgatitur për valën e ardhshme të zgjerimit

    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se janë duke u përgatitur për valën e ardhshme të zgjerimit.

    Kështu tha Borrell ndërkohë që është deklaruar për takimin e mbrëmshëm në Nju Jork me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani, me rastin e sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

    Borrell i quajti ata anëtarë të ardhshëm të BE-së, teksa tha se janë duke u përgatitur për valën e re të zgjerimit.

    Takim tradicional me gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, anëtarët e ardhshëm të BE-së. Ne diskutuam sfidat aktuale globale, përafrimin, punën e përbashkët në forume shumëpalëshe dhe reformat. Duke u përgatitur për valën e ardhshme të zgjerimit, ne duam ta bëjmë realitet integrimin progresiv”, ka shkruar Borrell në rrjetin social ‘X’.

  • Detaje nga rasti tragjik në Malishevë

    Detaje nga rasti tragjik në Malishevë

    Sot rreth orës 07:15 një vrasje ka ndodhur në Banjë të Malishevës. Mësohet se A.B., i cili është nga komuna e Suharekës, u vra nga një person i komunës së Malishevës me inicialet I.Z.
    Vrasjen e ka konfirmuar për ATV-në, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    Sipas policisë, ende nuk dihen motivet që çuan drejt vrasjes, pavarësisht që sot, një i dyshuar është dorëzuar menjëherë në stacionin policor në Malishevë.

    Ekipet mjekësore kishin dalë në vendin e ngjarjes, ku kishin konstatuar vdekjen e tij, e po ashtu bashkë me ekipet mjekësore edhe njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe kanë njoftuar edhe Prokurorinë e Shtetit.

    Vlen të ceket se deri para pak çastesh, trupi i të ndjerit kishte qëndruar në vendin e ngjarjes, mirëpo tani është larguar dhe në vendin e ngjarjes kanë mbetur vetëm veturat afër të të cilave i ndjeri ishte vrarë.

    Ekipet e forenzikës janë duke qëndruar në vend të ngjarjes ku po grumbullojnë prova dhe fakte të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

    Vlen të ceket që rruga, e cila kalon nga fshati Duhël për në fshatin Bellanicë, ka mbetur e mbyllur për qytetarët, kështu që këta të fundit, po përdorin rrugë të tjera alternative nëpër fshatin Senik e Lladrovicë. /atvlive.tv

  • ​Hovenier: ShBA beson në Lajçakun dhe Borrellin si ndërmjetësues të dialogut

    ​Hovenier: ShBA beson në Lajçakun dhe Borrellin si ndërmjetësues të dialogut

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen ndaj Bashkimit Evropian si ndërmjetësues të dialogut. Mbështetje konkrete ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i dha sot (e mërkurë) edhe ndërmjetësve evropianë të dialogut, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

    Në samitin e Paqes dhe Demokracisë (KDPS), Hovenier tha se vetëm normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi i sjell dy vendet më pranë institucioneve trans-atlantike. Derisa theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e shohin dialogun e lehtësuar nga BE si më të mirën dhe si të vetmen mënyrë për të avancuar dhe arritur integrimin e plotë evropian dhe paqe e prosperitet të qëndrueshëm në rajon.

    E siç tha ai, zbatimi i marrëveshjes së bazike dhe aneksit të saj nga të dyja palët, mbetet pritshmëri e ShBA-së.

    “Ne po përpiqemi të mbështesim secilin vend këtu për t’u transformuar, për t’u bërë një kontribues i sigurisë dhe jo një burim problemesh dhe destabiliteti. Kjo do të thotë se do të vazhdoni të shihni mbështetjen e plotë amerikane për dialogun e lehtësuar nga BE. ShBA ka besim të plotë në Bashkimin Evropian, në lehtësimin e saj të dialogut, dhe se ShBA ka besim të plotë te përfaqësuesi i Lartë Borrell dhe përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike. Dhe, këtu nuk dua të flas me fjalë. Është e rëndësishme për të gjithë akterët në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë ‘poker’ me letrat që u janë shpërndarë. Dhe për të mbajtur parasysh këtë vizion që punon drejt marrëdhënies së normalizimit, duke punuar drejt zbatimit komplet dhe të plotë të [marrëveshjes së] Ohrit dhe aneksit të zbatimit të saj nga të dyja palët që është pritshmëria jonë, zbatimi i plotë nga të gjithë, është rruga përpara, e sjell Kosovën shumë më afër këtij vizioni që ne ndajmë për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, tha Hovenier, dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, drejtoi akuza ndaj Lajçakut, që e cilësoi si ndërmjetësues të njëanshëm.

    Ai theksoi se ShBA-ja dhe vendet transatlantike e mbështesin paqen dhe angazhohen për të, sikurse bën në Bosnje dhe në Kosovë, porse shtoi se njerëzit e rajonit duhet të jenë udhëheqës në avancimin e vziionit të tyre.

    “Unë kam qenë dëshmitar i dorës së parë i fuqisë, kapacitetit të aleancave transatlantike dhe strukturave evropiane dhe partneriteteve që ne ndërtuam së bashku kur mobilizuam forcat tona për t’i dhënë fund spastrimit etnik apo dhunës në Bosnje apo këtu në Kosovë. Herë pas here, pa pushim, Aleancat Translatike, angazhimi diplomatik, veprimet e NATO-s, aktiviteti dhe vendimet e BE-së janë dëshmuar në elementë thelbësorë dhe të rëndësisë kritike të angazhimit të diplomacisë dhe sigurisë në ndjekjen e paqes. Por ne nuk mund ta arrijmë këtë, ne mund ta mbështesim atë, ne mund ta lehtësojmë atë, por njerëzit e rajonit duhet të jenë udhëheqës në shikimin dhe avancimin e vizionit të tyre dhe ne jemi të gatshëm të qëndrojmë plotësisht në mbështetje të një vendi të fuqishëm dhe kuptimplotë”, tha Hovenier.

    Ambasadori amerikan theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor mbetet në institucionet evropiane dhe transatlantike.

    “Procesi zyrtar i anëtarësimit në BE është duke u zhvilluar për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Këto janë ndryshime. Dhe ndërsa sfida kryesore aktuale për arritjen e këtij vizioni të një Evrope krejtësisht të lirë dhe në paqe, që përfshin Ballkanin Perëndimor në opinionet tona, padyshim që lufta brutale e gjithanshme që Putin po bën tani për Ukrainën, siç e thashë tashmë në fjalim, Ballkani Perëndimor mbetet një element thelbësor, jo vetëm kritik, por absolutisht thelbësor i vizionit. Evropa nuk është e tërë pa Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të qartë. Pra, ndërsa ky rajon është qartësisht pjesë qendrore e Evropës, sot jam po aq i sigurt sa kam qenë ndonjëherë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor mbetet në institucionet evropiane dhe transatlantike”, vijoi ai.

    Edhe pse sfidat e sigurisë dhe politike sot nuk ndihen si në epokën e Millosheviqit, Hovenier theksoi se një dështim për të arritur marrëdhënie të normalizuara mes Kosovës dhe Serbisë është dhe mbetet pengesë e madhe për avancimin e rajonit.

    “Qëllimi i SHBA-së mbetet shumë, shumë i qartë, kjo marrëveshje aktuale, kjo përpjekje për të avancuar marrëdhëniet e normalizuara është një hap i përkohshëm drejt një qëllimi eventual të njohjes reciproke mes këtyre dy vendeve, kjo duhet të ndodhë, nuk mund të keni paqe të qëndrueshme pa të. Por një dështim për të avancuar, një dështim për të arritur marrëdhënie të normalizuara është dhe mbetet një pengesë e madhe për avancimin e këtij rajoni në institucionet evropiane dhe euroatlantike me të gjitha pasojat shoqëruese, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për rajonin.

    Ambasadori amerikan u shpreh se janë duke punuar shumë për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë, që të kenë të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë. Sipas tij, ShBA-ja pret që ta sheh Kosovën “të zërë vendin e saj të merituar, si një vend i mesëm i vogël i Ballkanit Perëndimor, vend që njihet nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar për atë që është, një shtet plotësisht i pavarur dhe sovran, kjo është e padiskutueshme.”

  • ​Gjuha e urrejtjes në rritje, Konjufca: Politikanët nuk janë shembull i mirë

    ​Gjuha e urrejtjes në rritje, Konjufca: Politikanët nuk janë shembull i mirë

    Politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca. Sipas tij, përgjegjësia bie mbi secilin përfaqësues politik që ta dënojë gjuhën e urrejtjes. Konjufca deklaroi se Kuvendi është në procedurën e hartimit të Kodit të Etikës, e cila sipas tij do të ndihmojë për krijimin e praktikave demokratike të komunikimit. Kështu tha ai në konferencën “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, ku mes tjerash u nënvizua se gjuha e urrejtjes në Kosovë është në rritje.

    Konjufca tha se gjuha e urrejtjes është një fenomen global, i cili po sfidon në çdo shtet të botës.

    “Fatkeqësisht, ekzistojnë raste të shumta kur edhe politikanët nuk kanë arritur të jenë shembull i mirë i luftimit të gjuhës së urrejtjes në diskursin publik dhe ta ofrojnë atë shembull, atë model që duhet dhe kjo është një model i cili promovon një gjuhë që promovon veçoritë e secilit individ, vlerat e tij, e sidomos të grupeve shoqërore, grupeve etnike, të grupeve identitare të ndryshme racore, fetare, seksuale e kështu me radhë. Një prej formave më të shprehura e dekurajimit për përfshirjen publike dhe politike, sidomos në grupet më të cenueshme shoqërore, pra është gjuha e urrejtjes. Konsiderohet që përgjegjësia bie mbi secilin përfaqësues politik që jo vetëm ta dënojmë gjuhën dhe e cila nxit urrejtje, por edhe të ftojmë mbështetësit dhe qytetarët për tolerancë dhe mirëkuptim, pavarësisht dallimeve që i kemi”, deklaroi Konjufca.

    Pavarësisht legjislacionit, kryeparlamentari shtoi se përvoja e deritashme ka dëshmuar nevojën për përforcimin e mekanizmave.

    “Kuvendi i Kosovës është në procedurën e hartimit të Kodit të Etikës, ne ende si Kuvend nuk e kemi Kodin e Etikës. Jemi duke e përpiluar atë. Dhe kjo ma merr mendja që më shumë do të ndihmojë përfaqësuesve të popullit për krijimin e praktikave demokratike të komunikimit. Dhe që ato të jenë më të kontrolluara, më të standardizuara dhe që të mos lejojmë përdorimin e shprehjeve të tilla, të cilat më vjen keq do të mund t’i keni dëgjuar edhe në Parlamentin e Kosovës”, u shpreh ai.

    Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se gjuha e urrejtjes i prek më së shumti grupet e ndjeshme dhe se ky fenomen është i njëjtë me terrorizmin.

    “Për BE-në gjuha e urrejtjes dhe krimi i urrejtjes janë krime serioze sepse ndikojnë shumë në të drejtat fondamentale të individëve, të shoqërisë në përgjithësi dhe minojnë edhe vet themelin e shoqërisë tonë. Komisioni ka përfshirë edhe gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes në zgjerimin e krimeve të BE-së dhe që nga 2021 në dhjetor, gjuha e urrejtjes dhe krimi i urrejtjes do të jenë në të njëjtën grup të krimeve sikurse edhe terrorizmi, trafikimi me qenie njerëzore, drogat e paligjshme, trafikimi i armëve e kështu me radhë. Gjuha e urrejtjes i prek më së shumti ata më të ndjeshmit, komunitetin LGBTI, rom, ashkali, egjiptas dhe komunitetet tjera joshumicë, si dhe vajzat, gratë nga të gjitha komunitetet, persona me pa aftësi dhe çfarëdo grupi tjetër që ndihet sikur në disavantazh apo i margjinalizuar”, u shpreh Szunyog.

    Sipas tij, raportet rregullative të Kosovës kanë ndërmarrë masat e duhura për të adresuar gjuhën e urrejtjes.

    Me këtë rast, kryetari Glauk Konjufca ka përmendur edhe rastet kur është hasur gjuhë e urrejtjes në librat shkollor, për çka tha se janë dëshmi që nuk ka pasur kontroll e as cilësi para se të njëjtat të publikohen.

    Për këtë foli edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj ku tha se janë analizuar 47 teksteve shkollore, ku është vërejtur në masë të madhe gjuha e urrejtjes.

    “Nëse i referohemi një analize të thjesht të diskursit të komunikimit publik sot në vendin tonë, unë mund të konstatoj se gjuha e urrejtjes në baza diskriminuese ndaj grave, personave LGBTI është në rritje dhe kjo kryesisht mbi bazën e seksit, gjinisë, identitetit gjinor të tyre. E kjo rritje vërehet dukshëm siç u tha edhe nga kryetari i Kuvendit, në rrjete sociale, si platforma që lehtësojnë qasjen gjithëpërfshirëse të secilit dhe mundësinë të lehtë për të shprehur, pamenduar për pasojat që mund t’i ketë ajo që komentojnë në këto platforma”, tha Qelaj.

    Tutje, ai theksoi se janë në fazën përfundimtare të analizimit të gjuhës në diskursin publik, ku siç tha ai, është vërejtur gjuhë e urrejtjes nga deputetët në debatet parlamentare për Kodin Civil.

    E drejtoresha e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut “YIHR”, Marigona Shabiu tha se qytetarët janë vazhdimisht dëshmitarë të një kulture fyese të debatit në Kuvend.

    “Një gjuhë e tillë është kërcënim për vet demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Historia ka treguar që gjuha e urrejtjes është një akt në serinë e akteve që shpesh herë rezulton në krime më të madh të urrejtjes dhe si e tillë përbën rrezik për çdo shoqëri dhe qytetar. Rrezikshmëria e gjuhës së urrejtjes si një akt shumëfishohet kur ajo instrumentalizohet dhe përdoret nga vetë zyrtarët e liderët shtetëror, që bartin pushtet institucional. Fatkeqësisht ne jemi dëshmitar të këtij fenomeni në vazhdimësi në Kosovë. Fillojmë me Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë institucion që supozohet të jetë forum për promovimin e barazisë, lirisë së gjithëpërfshirjes, kemi dëgjuar të përdoret gjuhë e urrejtjes si diskriminuese, ashtu edhe pezhorative ndaj komuniteteve dhe individëve më të cenueshëm të shoqërisë tonë”, përfundoi ajo.

    Edhe Shabiu ka përmendur seancën e 16 marsit ku është debatuar për Kodin Civil, ku tha se ka krijuar ndjenjë të frikës dhe pasigurisë për komunitetin LGBTI.Sipas saj, personat e njëjtë nuk po ndëshkohen dhe vazhdojnë të mbajnë pozita. /KP

  • “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, Szunyog: Hyn në të njëjtin grup me terrorizmin

    “Gjuha e urrejtjes në diskursin publik”, Szunyog: Hyn në të njëjtin grup me terrorizmin

    Është mbajtur konferenca e nivelit të lartë me për “gjuhën e urrejtjes në diskursin publik”, ku shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se çfarëdo lloji i urrejtjes është e papërputhshme me vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

    Szunyog tha se për BE-në, gjuha e urrejtjes është krim serioz, pasi sipas tij, ndikon shumë në të drejtat fundamentale të individëve, shoqërisë dhe e minojnë vetë themelin e shoqërisë kosovare.

    “Komisioni ka përfshirë gjuhën e urrejtjes në zgjerimin e krimeve të BE-së dhe që nga 2021-ta, gjuha e urrejtjes dhe kthimi i urrejtjes do të jenë në të njëjtin grup të krimeve sikurse terrorizmi, trafikimi me qenie njerëzore, trafikimi i armëve e kështu me radhë”.

    “Gjuha e urrejtjes i prek ata më të ndjeshmit, komunitetin LGBTQ+, romët, ashkalinjë, egjiptianë dhe komunitetet e tjera joshumicë, vajzat, gratë nga të gjitha komunitetet, personat me aftësi të kufizuara dhe të gjitha grupet e tjera që ndihen sikurse është në disavantazh apo i margjinalizuar me pjesën tjetër të shoqërisë”, tha Szunyog, njofton Klankosova.tv.

    Më tej, ai tha se raportet rregullative të Kosovës kanë ndërmarrë masat e duhura për ta adresuar gjuhen e urrejtjes në Kosovë, teksa bëri ftesë që e njëjta të bëhet edhe në raportet e tjera vjetore.

  • Muja për Lajçakun: Hoqi pikën 14, Kosova e ka bërë pjesën e saj – Serbia jo

    Muja për Lajçakun: Hoqi pikën 14, Kosova e ka bërë pjesën e saj – Serbia jo

    Deputeti i Vetëvendosjes mbrojti në studion e Debatit në A2 CNN, qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti, në lidhje me akuzat e këtij të fundit ndaj ndërmjetësit europian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili sipas tij favorizon Beogradin.

    Armedn Muja tha se ka pak dallime mes draftit serb dhe atij të ndërmjetësit. Sipas tij nga 139 marrëveshjet, “Lajçak ka marrë një nga ato dhe vetëm pjesërisht duke hequr pikën 14 që i shkon në favor Kosovës dhe duke e bërë asociacionin në qendër”.

    Sipas tij në Kosovë është mbushur kupa nga përpjekjet e ndërmjetësit. “Në Kosovë është mbushur kupa nga përpjekjet e ndërmjetësit, se vazhdimisht Kosovës i ofrohen udhërrëfyes, të themelojë asociacionin dhe pastaj të shohim dhe kjo ka degraduar nga ndërmjetësi i BE. As marrëveshja e 2013 nuk thoshte që asociacioni ishte në qendër. Pse nuk zbatohet pika 14 e marrëveshjes? Prisja që në Kosovë të dilnin edhe nga e djathta jonë dhe të thoshin pse nuk është listuar neni 4?”.

    I pyetur se çfarë do të ndodhë me dialogun pas kësaj, Muja theksoi se nuk është qëllimi i dialogut ruajtja e dialogut, por bashkëpunimin, integri i dhe arritja e marrëveshjes.

    “Ky dialog daton nga 8 shtatori 2010 dhe BE është bërë ndërmjetës pas rezolutës së Asamblesë së OKB. Kosova nuk ka opsionin të zgjedhë ndërmjetësit, por të mbrojë interesat. Nuk është qëllimi i dialogut ruajtja e dialogut. Qëllimi i dialogut është bashkëpunimi mes palëve, promovimi i integrimit europian dhe arritja e marrëveshjes që shkon në të mirë të njerëzve. Ajo që kemi parë është që kur Kosova tenton të avancojë në objektiva. Detyrë e Kosovës është të përgjigjet në çdo rast kur ndërmjetësi e fton, por t’i artikulojë qartë kur e shikon që dialogu po kushtëzohet mbi qëndrimet e Serbisë. Kemi tendencë të vetëfajësimit të vazhdueshëm. Studiot televizive e kanë bërë asociacionin në qendër”.

    I pyetur për zgjedhjet në veri, deputeti i Vetëvendosjes theksoi se Kosova e ka bërë pjesën e saj, kurse Serbia jo, ndërsa pret nga ndërkombëtarët heqjen e masave ndëshkuese.

    “Kosova po ushtron sovranitetin, zgjedhjet u pranuan ndërkombëtarisht dhe çdo gjë që është kërkuar nga Kosova është zbatuar. Masat janë të kthyeshme dhe presim që kjo të bëhet. Kosova ka ndërmarrë hapat e depërshkallëzimit, por pala serbe nuk e ka bërë këtë gjë. Në planin e sekuencimi nuk kishte hapa konkretë se kur do të pranohet Kosova në organizata, prandaj Kosova insiston që këto të jenë komponentë. Ndërmjetësi na thotë të zbatojmë asociacionin”.

    Duke debatuar me të, kryeredaktori i Telegraf Muhamet Hajrullahu, tha se publiku në Kosovë nuk e ka të qartë sesi do të vazhdojë ky dialog, ndërsa janë 3 çështje pa përgjigje.

    “Janë 3 çështje që publiku nuk ka përgjigje. Jam me ju për ligjshmërinë dhe kushtetushmërinë, por publiku në Kosovë dhe unë nuk e kam të qartë sa do të vazhdojë ky dialog. Ky dialog po e lë Kosovën në stanjacion, jo ta avancojë Kosovën. As ka pasur njohje apo përfaqësim e aplikim në organizata. Unë do të doja të ishim anëtar i secilës organizatë rajonale dhe këtë nuk mund ta bëjmë pa miqtë perëndimorë dhe këta miq nuk po e përkrahin Kosovën”.