ATV

Author: ATVLive

  • Kjo është data kur do të ndërrohet ora

    Kjo është data kur do të ndërrohet ora

    Ora dimërore rikthehet të dielën më 29 tetor. Më pas do të lëvizim nga 3 në orën 2:00 pas mesnate dhe kështu do të kemi një orë shtesë për të fjetur.

    Kompjuterët, celularët dhe pajisjet e tjera moderne që tregojnë kohën e saktë do të “kalojnë” automatikisht në kohën e dimrit.

    Nëse keni ende një tregues të kohës analoge ose një pajisje më të vjetër që “nuk di” ta bëjë këtë automatikisht, mos harroni të lëvizni duart një orë pas, nga 3 në 2 orë.

    Nuk është arritur ende një marrëveshje për propozimin e katër viteve më parë të Komisionit Evropian për heqjen e ndryshimit sezonal të orës në javën e fundit të marsit, pra në tetor.

    Në vitin 2019, propozimi u mbështet nga Parlamenti Evropian, por ai duhet të miratohet nga shtetet anëtare.

  • Prokurori serb: Nuk dihet se në çfarë cilësie do të dëgjohet Radoiçiq, si qytetar apo i dyshuar

    Prokurori serb: Nuk dihet se në çfarë cilësie do të dëgjohet Radoiçiq, si qytetar apo i dyshuar

    Nga deklarata e Aleksandar Vuçiqit nuk është e qartë se në çfarë cilësie ka mundur të dëgjohet Milan Radoiçiq para organeve gjyqësore serbe, tha prokurori Goran Iliq

    “Nga deklarata e Vuçiqit nuk është e qartë nëse Milan Radoiçiq do të dëgjohej si qytetar dhe kjo ndodh kur një person ka dijeni për një vepër penale por nuk ka statusin e të dyshuarit. Një mundësi tjetër është që ai të dëgjohet si i dyshuar dhe nëse ka një mbrojtës, atëherë deklarata e tij ka karakter provash dhe në të mund të bazohet aktgjykimi i gjykatës. Nuk e dimë se në çfarë statusi do të thirret dhe do të merret në pyetje në polici dhe në prokurori”, ka thënë prokurori Goran Iliq në N1.

    Duke folur për RTS, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Milan Radoiçiq ndodhet në Serbi dhe se do t’i përgjigjet ftesës së organeve kompetente.

    Milan Radoiçiq dyshohet nga autoritetet kosovare si një nga organizatorët e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës ku mbeti i vrarë një polic.

  • Rashiq: Konflikti i armatosur në Banjskë ishte akt terrorist, Kurti është pacifist dhe intelektual

    Rashiq: Konflikti i armatosur në Banjskë ishte akt terrorist, Kurti është pacifist dhe intelektual

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq tha sot se sulmi i armatosur në Banjskë, i cili u krye nga një formacion paramilitar, ishte akt terrorist.

    Rashiq tha se kryeministri Kurti është pacifist e intelektual, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “(Kryeministri i Qeverisë së Kosovës) Albin Kurti për mendimin tim është pacifist dhe intelektual”, ka thënë Rashiq për Nova.rs.

    I pyetur se sa realiste është që KFOR-i të marrë përsipër sigurinë në veri të Kosovës, Rashiq tha se mandati i KFOR-it thotë se anëtarët e tij ruajnë kufijtë e jashtëm dhe për sa i përket sigurisë së brendshme, nuk është realiste të pritet një ushtar nga Finlanda, Turqia, Suedia, Britania apo dikush tjetër.

    “Rrjedhimisht, për këtë ju nevojiten institucione që i njohin njerëzit dhe këtë e bën policia. Mendoj se është pothuajse e pamundur që KFOR-i ta mbrojë atë siguri të brendshme,” tha Rashiq.

    Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

    Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pa u lirun.

    Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

    Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.

  • ​Gashi: Parandaluam depërtimin e zjarrit në Fakultetin e Mjekësisë

    ​Gashi: Parandaluam depërtimin e zjarrit në Fakultetin e Mjekësisë

    Dy lokale afariste brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë kapluar nga zjarri mëngjesin e së premtes. Përveç dëmeve materiale nuk është raportuar për të lënduar, derisa zjarrfikësit që kanë intervenuar kanë parandaluar përhapjen e tij në Fakultetin e Mjekësisë, i cili është prapa lokaleve të djegura.

    Komandanti i Brigadës së Zjarrfikëseve në Prishtinë, Mal Gashi, tha se zjarri ka qenë i përmasave të mëdha.

    “Zjarri ka qenë i përmasave të mëdha se siç po shihet nuk është vetëm një lokal por janë dy lokale apo më shumë. Po ashtu materiali i ndërtimit të këtyre lokaleve është aq i dobët dhe pa asnjë kriter që zjarri ka mundësi të përhapjes me shpejtësi marramendëse të lartë. Me rëndësi tjetër ka qenë se kur kanë intervenuar zjarrfikësit nuk e kanë lënë me depërtu zjarrin në objektin e fakultetit i cili është i ri dhe shumë me vlerë. Pak është kap një pjesë e objektit por aty është ndal dhe nuk është lënë me u zgjeruar”, tha ai.

    Mirëpo shtoi se me të marrë informacionin në orën 07:15 kanë dal në teren dhe e kanë lokalizuar zjarrin dhe shuar atë.

    “Në orën 07:15 minuta në mëngjes është dhënë informata se është duke djegur një lokal. Kur kanë ardhur ekipet këtu, fati që ka qenë mëngjes dhe komunikacioni s’ka qenë shumë i dendur kanë arritur shumë shpejtë. Në mënyrë shumë profesionale kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit, në radhë të parë në izolimin që mos me lënë mu shpërnda në objekte të tjera dhe tashmë po shihet se është në fund. Për të lënduar nuk kemi informata që dikush është lënduar”, theksoi Mala.

    Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës duke bërë të ditur se kanë ndërmarrë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që e karakterizojnë ngjarjen./kp

  • Ramush Haradinaj dëshmon në rastin e njohur si 53-milionëshi

    Ramush Haradinaj dëshmon në rastin e njohur si 53-milionëshi

    Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj të premten ka dëshmuar në rastin e njohur si 53-milionëshi, në të cilin është i akuzuar bashkëpartiaku i tij, Pal Lekaj dhe të tjerë.

    Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri. Haradinaj, është dëshmitar i propozuar nga mbrojtja.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.Ndërsa, më 9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

  • “Genug”, balada më e re e këngëtares Donna Dafi

    “Genug”, balada më e re e këngëtares Donna Dafi

    Artistja Donna Dafi, në baladën e saj më të re “Genug”, që në shqip do të thotë “Mjaft”, ka bërë bujë të madhe në industrinë e muzikës botërore.

    Në videoklipin “Genug”, ylli i muzikës pop, Donna Dafi, flet për përvojat e një gruaje të fortë që ka rënë pre e një marrëdhënieje të pasinqertë. Gruaja, duke i parë këto veprime të partnerit të saj, i përmbledh emocionet e veta dhe, pa u hamendur, i jep fund kësaj marrëdhënieje, duke i thënë “mjaft”.

    Kjo këngë, që është duke e magjepsur audiencën në mbarë botën, në ndërdijen e dëgjuesit ka një mesazh shumë më të fuqishëm se thyerjen, atë të vetëvlerësimit dhe fuqizimit të gruas para një partneri dhe çdo mashkulli jo të sinqertë.

    Vlen të theksohet se Donna Dafi, si në veprat të tjera edhe në “Genug”, është shfaqur si këngëtare dhe kompozitore.

    Donna Dafi, e cila jeton dhe vepron në Gjermani, ka një prejardhje unike, gjysmë shqiptare dhe gjysmë nigeriane/gjermane.

    Klipin “Genug”, e cila këndohet në gjuhën gjermane dhe shqipe, mund ta dëgjoni në videon më poshtë:

  • Deputeti serb: Dënoj vrasjen e policit të Kosovës

    Deputeti serb: Dënoj vrasjen e policit të Kosovës

    Deputeti serb Gjorgje Miketiq, e ka dënuar vrasjen e policit të Kosovës Afrim Bunjaku.

    Ai tha se është e nevojshme të bëhet një hetim i plotë për atë çfarë ndodhi në Banjskë.

    “Çdo gjë që ka ndodhur të dielen ishte e tmerrshme. Unë e dënojë fuqishëm vrasjen e një polici. Po ashtu edhe përdorimin e tmerrshëm të dhunës nëse ka ndodhur duhet dënuar”,tha Miketiq për Euronews Albania.

    “Ne nuk e dimë sa njerëz janë vrarë dhe ne duhet të caktojmë sa serbë janë plagosur apo dorëzuar, kemi nevojë për një hetim për këtë çështje”, theksoi ai.

    Deputeti i partisë “Zajedno” apo (Së Bashku) tha se e kishte pyetur presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, lidhur me informacionin se nënkryetari i listës serbe Milan Radojiçiq, ishte në mesin e sulmuesve të policisë së Kosovës, gjë që siç tha serbët kanë nevojë ta dinë.

  • Prokurori Abazi: Aksioni është realizuar kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Radojiçiq

    Prokurori Abazi: Aksioni është realizuar kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Radojiçiq

    Prokurori special Naim Abazi ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës të premten është zhvilluar kryesisht në pronat të cilat tanimë janë evidentuar si prona të të dyshuarit Milan Radojiçiq.

    Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Abazi tha se aksioni është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale e me urdhër të gjykatës kompetente.

    “Ky aksion është bë me urdhër të Gjykatës, me kërkesë të kësaj Prokurorie në pesë lokacione të ndyshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës. Kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të të dyshuarit Milan Radojiçiq, ndërsa sa i përket rezultateve ose gjërat që kemi gjetë në këto lokacione, provat qoftë ato materale dhe ato sendeve të cilat ne konsiderojmë të sekuestrohen do t’ju njoftojmë me kohë pëmes një kumtese nga zëdhënësësit e kësaj Prokurorie”, tha Abazi.

    I njëjti shtoi se janë duke i evidentuar pronat të cilat dyshohen se janë në emër të Radojiçiqit dhe personave të tretë ku ai i ka transferuar ato prona.

    “Gjithçka që i përket operacionit dhe çështjeve të realizimit sa i përket kësaj urdhërese është përkujdesë Policia e Kosovës me detaje. Ne jemi ende tu i evidentu pronat të cilat dyshohet se kanë qenë në emër të tij apo personave të tretë ku ai ka transferu këto prona, por për rezultatin e tyre më saktësisht do t’ju njoftojmë në një njoftim të radhës pasi të përfundon në tërësi operacioni”, tha Abazi.

    Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se aksioni është kryer në katër prej pesë lokacioneve ku po zhvillohen bastisjet.

  • Zjarr afër QKUK-së

    Zjarr afër QKUK-së

    Një objekt në afërsi të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, raportohet se është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm.

    Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me tymin e madh që u pa te QKUK, ku ka njoftuar se një objekt është përfshirë nga zjarri.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, e cila ka thënë se nuk raportohet për persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 07:00, është raportuar se në QKUK në Prishtinë, një objekt (lokal) është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Ahmeti.

  • Pamje të reja nga bastisja e Policisë së Kosovës në veri

    Pamje të reja nga bastisja e Policisë së Kosovës në veri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke kryer bastisje në pesë lokacione në veri të vendit, lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e së dielës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

    Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit të PSRK-së.

    Derisa sipas Kontaktplus medium lokal në veri ka publikuar disa foto të reja nga bastisja në pjesën veriore të Mitrovicës.