ATV

Author: ATVLive

  • Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

    Sipas njoftimit, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të rifillojë sot në orën 09:45 të mëngjesit ku edhe pritet të vazhdon dëshmia e dëshmitarit të Prokurorisë.

    Ndryshe dëshmitari i mbrojtur W04444, i cili pretendohet se është arrestuar dhe keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë periudhës përkatëse, është dëshmitari i 35-të i ZPS-së në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve.

    Sot pritet vazhdimi i dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur W04444.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë janë paraparë të mbahen katër seanca.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

  • Në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan vazhdon fushata informuese për udhëtim pa viza

    Në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan vazhdon fushata informuese për udhëtim pa viza

    Gjatë kësaj jave do të vazhdojë fushata e informimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kampanja vetëdijësuese sot vazhdon me Mitrovicën e Veriut dhe Zveçanin.

    Kampanja në Mitrovicën e Veriut mbahet nga oea 10:30 deri 12:30, kurse në Zveçan mbahet nga ora 13:00 deri në 15:00.

    “Merrni pjesë në kuiz për të fituar një udhëtim falas në Vjenë dhe mësoni më shumë për të drejtat tuaja të udhëtimit #paviza nga 1 janari 2024”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtra. Udhëtimi pa viza nënkupton se mund të udhëtoni lirshëm në shtetet e zonës Shengen, por nuk do të mund të punoni.

    Nga janari qytetarëve të Kosovës u mundësohet të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra në zonën Shengen, për shembull, si turist, për të vizituar miqtë ose familjen, për të marrë pjesë në ngjarje kulturore ose sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet të ngjashëm.

    Parlamenti Evropian miratoi në prill të këtij viti vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje u përmbyllën. Miratimi në Parlamentin Evropian ishte bërë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

    Ja shtetet që do të mund të udhëtohet pa viza deri në 90 ditë:

    Komisioni Evropian në vendimin për liberalizim kishte sqaruar se edhe pas liberalizimit të vizave, bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj, raporton RTKlive.Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda, raporton RTKlive.Republika e Kosovës, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kosova ishte vendim i vetëm në Ballkan që kishte më së shumti kritere për fituar liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

    Komisioni Evropian, në vitin 2018, kishte konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

    Etapat deri te liberalizimi i vizave për Kosovën

    Kosova ka kaluar disa etapa për të arritur liberalizmin e vizave

    Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën

    Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe

    Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.

    Hapat për heqjen e vizave:

    Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave

    Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian

    Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet

    Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave

    Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave

    Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave

    Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian

    Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe

    Liberalizimi hyn në fuqi.

  • Ismail Kadare flet për “Pallatin e Ëndrrave”: Mendova se do të më arrestonin

    Ismail Kadare flet për “Pallatin e Ëndrrave”: Mendova se do të më arrestonin

    Shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare rikthehet në libraritë italiane me një roman të shkruar rreth 40 vjet më parë.

    “Pallati i ëndrrave” ruan gjithë fuqinë dhe freskinë e së tashmes. Në një intervistë për “La Lettura” të Corriere della Sera, shkrimtari flet për kohën kur u shkrua romani, marrëdhënien me Enver Hoxhën, arratinë në Francë e deri për teknologjinë dhe frikën se mos kjo e fundit po na kontrollon mendjen.

    “Në kohën kur u shkrua ishte absolutisht aktual. Por edhe tani është aktual, por me kalimin e 40 viteve asgjë nuk ka humbur nga kualitetet e tij. Unë me gëzim i rishfaq edhe njëherë ato mendime për publikun e sotëm. E bën aktual fryma kritike, mohuese që ka pasur që në atë kohë, ka qenë shumë e ashpër. Më gëzon fakti që kam pasur një mendim aq radikal për kohën. Kjo ashpërsi nuk ka rënë me kalimin e kohës. Ndaj librit në ato vite pati presione, ndalime, kritika. Për herë të parë pas daljes së këtij romani mendova se do të më arrestonin, pasi fryma anti-sistem në të ishte e dukshme”, shprehet Kadare.

    I nderuar zoti Kadare, fillimisht ju falenderoj shumë që pranuat këtë intervistë. Kjo intervistë po bëhet me rastin e botimit në Itali të veprës suaj “Pallati i ëndrrave”, botuar në Shqipëri në vitin 1981. Cili është këndvështrimi juaj aktual ndaj një libri që keni shkruar më shumë se 40 vjet më parë?

    Është një libër i shkruar për atë kohë. Shqipëria ishte një vend totalitar dhe si shkrimtar ndjeja që përmasa e komunizmit dhe pushteti i tij mbi individin po bëhej absolut. E gjithë ajo atmosferë që përshkruhet në këtë vepër nuk ndryshon shumë nga totalitarizmi shtypës i Shqipërisë së Enver Hoxhës në atë periudhë. Në kokën time, gjithë ajo zymtësi që kam mundur të shpreh ishte e vërtetë, e sot kjo më gëzon që kam mundur ta shpreh. Letërsia të jep mundësinë e jetës dhe në kushte të tilla. Ky ishte fati im, jeta me letërsinë.

    Në kohën kur u shkrua ishte absolutisht aktual. Por edhe tani është aktual, por me kalimin e 40 viteve asgjë nuk ka humbur nga kualitetet e tij. Unë me gëzim i rishfaq edhe njëherë ato mendime për publikun e sotëm. E bën aktual fryma kritike, mohuese që ka pasur që në atë kohë, ka qenë shumë e ashpër. Më gëzon fakti që kam pasur një mendim aq radikal për kohën. Kjo ashpërsi nuk ka rënë me kalimin e kohës. Ndaj librit në ato vite pati presione, ndalime, kritika. Për herë të parë pas daljes së këtij romani mendova se do të më arrestonin, pasi fryma anti-sistem në të ishte e dukshme.

    Dhe cili është këndvështrimi juaj ndaj njeriut dhe shkrimtarit Ismail Kadare të vitit 1981? Mendoni se keni ndryshuar shumë? Dhe nëse po, si?

    Nuk mendoj se kam ndryshuar. Ne letërsi gjërat ndryshojnë shumë ngadalë, në mendjen e shkrimtarit gjithashtu, e kjo është diçka pozitive. Në vitin 1981 pikëpamjet e mia mbi totalitarizmin, kërkonin të konfiguronin një Shqipëri evropiane ashtu siç ishin rrënjët e saj. E kam mbrojtur këtë pikëpamje me veprat e mia, në mënyrë të natyrshme, duke besuar në një përkatësi të hershme evropiane të këtij populli që jetoi një nga sistemet më të egra komuniste. Gjithë vepra ime përpiqet të orientojë lexuesin drejt një zgjimi të brendshëm, por dhe aq të bukur që letërsia mund ta japë, dhe pse në ato vite dukej e pamundur.

    Për një person si unë, që sot lexon për herë të parë veprën “Pallati i ëndrrave”, ky roman është befasues sepse është shumë aktual. Mendonit se po shkruanit mbi të gjitha një alegori të regjimit komunist shqiptar? Apo ishit në dijeni, tashmë që në atë kohë, për shtrirjen universale dhe të përjetshme të romanit?

    Shkrimtari e ndjen me intuitë për gjërat që shkruan e jeton, se duke qenë të kohës ato janë njëkohësisht të përjetshme. Për fat të mirë kjo temë që zhvillohet në këtë roman është e përjetshme. Vepra është një satirë e totalitarizmit, që kalon kufijtë lokalë e kombëtarë. Thagma e këtij romani është shkruar te një nga novelat që kam shkruar paralelisht në atë kohë. Ndoshta te “Qorrfermani” kam idenë e një personazhi që të çon tek ëndrra. Më vonë, ky mendim do të fekste tek unë kur dëgjova mbi disa vjedhje në Tiranë. Vjedhje të çuditshme, groteske, në plan të parë, por që zgjuantek unë projektimin e skëterrës. Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E kam treguar këtë e në librin “Kohë për rrëfim”, një bisedë me një studiuese shqiptare ku them se “E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të shkruaja një vepër të tillë. Vetëm pasi shkrova dy kapitujt e parë të veprës, ndjeva se po realizoja atë që më ishte dukur e pamundur: skëterrën. Ishte një lloj mbretërie e vdekjes ku, në mos ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, një pjesë e jetës sonë që gjendej matanë, ndërkohë që ne ishim këtej. Romani pasqyron tensionin midis etnicitetit kombëtar dhe atij perandorak për një individ e dinasti, fati i të cilëve është i lidhur njëkohësisht me politikën kombëtare e atë ndërkombëtare. Isha i vetëdijshëm për fatalitetin që mund të më sillte ky libër, por aq i bindur në fuqinë universale të kësaj teme.

    A është fuqia e ëndrrave në roman e ngjashme me fuqinë e informacionit në botën e sotme?

    Imazhet e fuqishme dhe logjika gati surreale e bënin personazhin e këtij romani Mark Alemin shpesh të pafuqishëm përballë fuqisë së ëndrrave. Bota njerëzore ka aftësinë të përshkruajë e përsërisë veten në shumë forma, të gjejë mënyra për t’i mbijetuar pengesave. Alegoria e “Pallatit të Ëndrrave” në kontekstet e reja kulturore, shoqërore, apo një bote e cila tashmë po përballet me konflikte të reja më ashpra siç janë dy vatrat e luftërave të reja, që po sjellin një kërcënim për stabilitetin, rikthen vëmendjen tek nevoja e urtësisë njerëzore. Fuqia e informacionit në kohët e sotme po rikthen një tjetër totalitarizëm, atë mbi kulturën. Ruajtja e kulturës në këto ujëra të fuqishme të informacionit është detyrë e njerëzve të shkrimit.

    Çfarë mendoni për përpjekjet e teknologjisë, e cila po funksionon (punon) kudo në botën bashkëkohore, nga Kina në Silicon Valley, dhe po bëhen përpjekje të digjitalizohet gjithçka, dhe si rrjedhojë ndoshta një ditë a do të mund të arrihet deri aty sa të kontrollohet mendimi njerëzor?

    Kjo është një përpjekje e pamundur.

    Çfarë roli luajti vepra “Pallati i Ëndrrave” në lidhje me situatën tuaj në Shqipëri edhe në lidhje me vendimin që ju morët për të jetuar në Paris?

    Ky roman më solli shumë telashe dhe pse isha mësuar me telashe. Zakonisht botimi i veprave të mia shoqërohej gjithnjë me kritika në shtyp, mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve. Kudo në Tiranë flitej se “është ndaluar libri i Kadaresë dhe pritet dënimi”. Botimi i veprave të mia në Francë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në lidhje me situatën në të cilën unë si shkrimtar ndodhesha në Shqipëri. Franca, lexuesi perëndimor ka luajtur një rol në shpëtimin e situatës sime. Më vonë në Kafe Rostand në Paris kam takuar një gazetare franceze e cila më ka treguar se ka shkuar në ambasadën tonë dhe ka pyetur mbi gjendjen time. Erdhën shumë informacione nga Perëndimi, që shtypi i huaj interesohet për Kadarenë dhe kjo e trembi Enver Hoxhën. Në këtë rast veproi mekanizmi i mbrojtjes perëndimore. Ka qenë periudha më e zezë në jetën time.

    Largimi im drejt Francës duke ikur përgjithmonë nga vendi im erdhi në rrethana kur kuptova se kjo ishte mënyra e vetme për të ndryshuar kursin e regjimit në Shqipëri. Udhëheqësi komunist i asaj kohe duket se nuk do ta bënte një veprim të tillë. Ika kur mendova se ky veprim do të luante një rol për rënien e komunizmit në vend.

    Keni lindur në të njëjtin qytet, Gjirokastër, me diktatorin Enver Hoxha. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me të?

    Nuk kam pasur asnjë marrëdhënie personale me të. Ne kemi qenë komshinj, në lagjen më të vjetër e më të madhe të Gjirokastrës, te rrugica që unë i kam ringjallur emrin e çuditshëm “Sokaku i të marrëve”. Në Gjirokastër Enver Hoxha nuk njihej shumë gjatë luftës, pasi shtëpitë gjirokastrite kishin shumë identitet të fortë dhe nuk lejonin spikatjen e identiteteve të zbehta. Mendimi im i gjithëkohshëm për Enver Hoxhën ka qenë jo pozitiv. Nuk gjendet në veprën time askund ndonjë përshkrim ku të theksohet admirimi për të. Kjo shpaloset qartë, sidomos, te “Dimri i vetmisë së madhe”, ku ai përshkruhet gjerësisht në biseda me të tjerët dhe s’ka ndonjë ndryshim midis tij dhe galerisë së personazheve krejtësisht negative të atij që quhej blloku komunist.

    Në moshën 11-vjeçare ju kopjuat me dorë të gjithë Makbethin. Pse Shekspiri ishte kaq i rëndësishëm për ju?

    Tragjedia e Shekspirit pushtoi mendjen time që kur isha ende fëmijë. Makbethi shfaqi para meje botën e letërsisë. U dhashë pas kësaj magjepsjeje siç i jepesh një feje. Me mendimin se po ta kopjoje librin bëhet yti, pra bëheshe autor, e kopjova të gjithin me dorë me një laps e një letër. Ky ishte një koncept i çuditshëm që nuk e di se nga më lindi dhe nuk arrij ta shpjegoj dot, por një ide e tillë më vazhdoi për një kohë shumë të gjatë, duke menduar se përderisa unë kopjoja një libër, isha njëkohësisht dhe pjesëmarrës në krijimin e tij. Kështu, pasi kopjova një pjesë të Makbethit, jetoja vetëm me të. Shekspiri ka qenë gjithnjë i rëndësishëm në veprën time e vijon të jetë si një mjeshtër që të udhëheq drejt portave të letërsisë së madhe.

    Ndryshe nga shkrimtarët e tjerë të mëdhenj të mërguar, si Conrad, Nabokov apo Kundera, ju nuk e keni braktisur kurrë gjuhën tuaj origjinale, shqipen. Përse?

    Mendoja se mund ti jepja më shumë artit tim me këtë gjuhë. Gjuha shqipe më ka dhënë gjithë hapësirën për të shprehur përmes saj përfytyrimet e mia. Nuk kam ndjerë asnjëherë pengesë në artin tim nga kjo gjuhë, por jam magjepsur vazhdimisht pas bukurisë së saj.

  • PSD sot mban aksion simbolik në lidhje me Asociacionin

    PSD sot mban aksion simbolik në lidhje me Asociacionin

    Partia Socialdemokrate sot do të realizojë një aksion simbolik në sheshin Ibrahim Rugova në lidhje me çështjen e asociacionit.

    Në njoftim thuhet se aksioni do të nisë në orën 11:00.

    Poashtu, kryetari i PSD’së, Dardan Molliqaj do të prononcohet për media.

    “Sot, me datën 13 nëntor (e hënë), nga ora 11:00, pranë Sheshit Ibrahim Rugova PSD, realizon aksion simbolik lidhur me çështjen e Asociacionit, ku do të prononcohet për media kryetari i PSD-së, z.Dardan Molliqaj.”

  • AAK-ja mbanë tryezë për Buxhetin për vitin 2024

    AAK-ja mbanë tryezë për Buxhetin për vitin 2024

    Grupi Parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve me sektorë të ndryshëm në vend, sot organizon tryezën e radhës që për temë ka “Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024”.

    Sipas njoftimit për media nga kjo parti, tryeza do të mbahet në ora 13:00, në sallën nr. 506 në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    “Në këtë tryezë do të ketë diskutime të ndryshme nga njohës të fushës dhe kryetarë komunash”, thuhet në njoftim të AAK-së.

  • Borrell sot pret ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Borrell sot pret ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

    Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë sot një takim në Bruksel nën drejtimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

    Fillimisht, ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të diskutojnë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe zhvillimet e fundit në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin.

    Siç njofton faqja zyrtare e BE-së, Këshilli më pas do të shkëmbejë pikëpamjet mbi situatën në Izrael dhe rajon, dimensionin e politikës së jashtme të sigurisë ekonomike.

    Pas Këshillit të Punëve të Jashtme më 13 nëntor 2023, ministrat e BE-së do të marrin pjesë në takimin ministror BE-Ballkani Perëndimor së bashku me gjashtë ministrat e jashtëm të partnerëve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbisë.

    Takimi do të fillojë në orën 17:30 dhe do të drejtohet nga kryediplomati evropian Josep Borrell.

  • Dita Botërore e Mirësjelljes

    Dita Botërore e Mirësjelljes

    13 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita Botërore e Mirësjelljes.

    Kjo është dita, e cila në gjithë botën është e kushtuar për njohjen e asaj që vërtet do të thotë të jesh i sjellshëm. Kjo do të thotë t’i kushtoni vëmendje dhe kujdes të tjerëve.

    Japonezët e promovuan këtë iniciativë: Dita Botërore e Mirësjelljes lindi në Japoni falë Lëvizjes Japan Small Kindness, e themeluar në vitin 1988 në Tokio.

    A e dini me të vërtetë se çfarë është mirësjellja? Para së gjithash, është edukim i mirë, sjellje të mira.

    Thuaj: “faleminderit”, “ju lutem”, “më fal”. Por kjo nuk mjafton. Mirësjellja është gjithashtu një person i mirë: altruist, bujar dhe i dobishëm me të tjerët, pa interes.

    Ju duhet ta dini se mirësjellja është e mirë jo vetëm për ata që e marrin atë, domethënë për të gjithë ata që janë përreth jush, por mbi të gjitha për ata që e bëjnë këtë.

    Për më tepër, është gjithashtu e mirë për zemrën tuaj, duke ju bërë të ndiheni të qetë dhe të relaksuar.

    Pra, ka kaq shumë arsye për të mësuar se si ta bëni atë me lehtësi dhe me një vëmendje ndaj tjetrit. Dhe jo vetëm në ditën që feston mirësjelljen, por çdo ditë të jetës suaj.

  • ​Kapiteni i Izraelit: Luajtëm në një fushë derrash

    ​Kapiteni i Izraelit: Luajtëm në një fushë derrash

    Fitorja e Kosovës ndaj Izraelit me rezultat 1-0 ishte mjaftë e rëndësishme për “Dardanët”, sidomos në aspektin e motivimit të tyre, por ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” po përflitet shumë edhe për shkak të kushteve aspak të mira në fushën e stadiumit e cila ishte tejet e keqe për shkak të të reshurave të shiut.

    Kapiteni i Izraelit Eran Zahavi , i cili u rikthye në kombëtare pas një periudhe të gjatë, e ka quajtur “fushë derrash” stadiumin në kqryeqytet.

    “Nuk e di a ta quaj fushë futbolli, ishte më shumë një fushë derrash. E dinim që nuk do të ishte e lehtë në asnjë situatë. Nuk morëm pikë, por ne dhamë gjithçka. Shanset nuk kanë ndryshuar shumë. Do të duhet të mposhtim Rumaninë dhe të përpiqemi të marrim pikë nga Zvicra.”, tha ai.

    Më tutje ai shtoi se në një fushë të tillë nuk ishte e mundur të zhvillohej futboll i vërtetë.

    “Nuk kishte futboll të vërtetë këtu. Ne nuk mund të sillemi normalisht në një lojë si kjo. Ishte e vështirë edhe të ndalosh një top në këtë situatë. Shpresoj që të bëjmë më shumë në ndeshjen e radhës dhe ky është qëllimi.”, theksoi ai.

  • Gazeta italiane: Shqipëria në rrugën e duhur për një rekord të ri turistik më 2024

    Gazeta italiane: Shqipëria në rrugën e duhur për një rekord të ri turistik më 2024

    Pasi arriti një numër rekord të turistëve në 2023, Shqipëria është në rrugën e duhur për të rrëmbyer edhe titullin e “Mbretëreshës së Turizmit 2024”, shkruan gazetarja Marisa Ingrosso në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

    Sipas presidentit të Unionit Shqiptar të Turizmit, Rrahman Kasa, operatorët raportuan një rritje prej 35% të kontratave të garantuara për turizmin e organizuar për vitin e ardhshëm, përcjell atsh.

    “Në Sarandë, qyteti jugor i Shqipërisë dhe një destinacion i preferuar për bashkatdhetarët tanë, disa objekte tashmë janë plotësisht të rezervuara për gushtin. Edhe në Vlorë, jam i sigurt se në 2-3 muaj do të kemi një pjesë të mirë të akomodimeve të rezervuara”, tha Lorenzo Lonoce nga Pulia, i cili ka krijuar operatorin turistik më të madh shqiptar të specializuar për turistët italianë.

    Ka shumë faktorë që përcaktojnë suksesin e një destinacioni. Një prej tyre është sigurisht aksesueshmëria e lehtë.

    “Nëpërmjet “Air Albania”, “Ita”, “WizzAir” dhe gjithashtu “Ryan Air” distanca Itali-Shqipëri është shkurtuar”, tha Lonoce.

    “Po shfaqen shumë operatorë turistikë që nuk e kishin menduar kurrë Shqipërinë si nje destinacion turistik në rritje. Pritet një verë dhe një pranverë më e populluar. Për të mos thënë që tani po krijohet edhe binjakëzimi kulturor me qytetet”, shtoi ai, transmeton KosovaPress.

    “Çmimet e vendosura këtë vit në kontratat e garancisë për sezonin e ardhshëm kanë shënuar një rritje drastike që varion nga 15 në 25%” dhe kjo do të jetë si pasojë e mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe rritjes së kostove”, tha Kasa.

    Sipas ekspertit, në tetë muajt e parë të këtij viti, italianët ishin grupi i dytë më i madh i turistëve, menjëherë pas shqiptarëve nga Kosova.

    Sipas Ministrisë së Turizmit në Shqipëri, vendi është vizituar nga 660 000 italianë nga gjithsej 9 milionë shtetas të huaj.

    Së fundi, një tjetër faktor i suksesit të turizmit shqiptar është planifikimi.

    Qeveria e drejtuar nga Edi Rama sapo ka nënshkruar një marrëveshje me “ITB Berlin”, panairin më të madh të turizmit në botë.

    Shqipëria do të jetë zyrtarisht vendi i nderit për vitin 2025. Dhe programi i promovimit fillon në mars 2024 dhe përfundon në mars 2025.

    Shqipëria do të jetë gjithashtu organizatore e takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, që do të zhvillohet në pranverë në Tiranë me pjesëmarrjen e 40 ministrave evropianë të Turizmit.

  • Kurti për fitoren e Kosovës: Tash shohim drejt Zvicrës

    Kurti për fitoren e Kosovës: Tash shohim drejt Zvicrës

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas fitores së Kosovës kundër Izraelit me rezultat 1-0, ballafaqim të cilin e vendosi goli i Milot Rashicës në fund të pjesës së parë.

    Ai ka shkruar në Instagram ku ka thënë se fitorja në “Fadil Vokrri” nuk ishte e lehtë, por që tani duhet shikuar tek përballja e radhës me Zvicrën, raporton KosovaPress.

    “Ndeshje jo e lehtë për ekipin tonë, por të cilën e kaluan me sukses. Fitorja e dytë radhazi për Kosovën, pas asaj me Andorrën. Tash drejt Zvicrës në një tjetër përballje futbollistike të veçantë, ku ndeshja e fundit në Prishtinë u karakterizua nga një barazim plot emocione. E mesa duket, emocionet do të na shoqërojnë deri në fund të këtyre kualifikueseve.”.

    Me fitoren ndaj Izraelit, Kosova tani ka 10 pikë në vendin e katërt të grupit I të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.