ATV

Author: ATVLive

  • “Ninullë” nderohet me tre çmime në festivalin e filmit “Zuger Filmtage”

    “Ninullë” nderohet me tre çmime në festivalin e filmit “Zuger Filmtage”

    Filmi “Ninullë” i regjisorit të ri shqiptar nga Zvicra, Adrian Asllani, ka rrëmbyer tri çmime në festivalin e filmit në Zvicër, “Zuger Filmtage”.

    Regjisori i filmit, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin ALARM në ATV, tregoi se filmi “Ninullë” është edhe projekti i tij serioz të cilin e ka bërë me vet financim.

    Ai tha se për të ka qenë shumë me rëndësi edhe pjesëmarrja në festivalet “PriFest” dhe “Atlanta Film Festival”, ndërsa nuk ka pritur që të ketë kaq shumë jehonë edhe në festivalin “Zuger Filmtage”.

    “Unë jam gëzuar shumë kur i kam marrë çmimet, se për mua ky projekt ka qenë një projekt shumë i veçantë sepse ka qenë projekti i parë në Kosovë që e kam realizu. Është filmi i parë me të cilin kam marrë çmime, dhe thuajse është filmi i parë i imi seioz, sepse përpara kam bërë më shumë filma të shkurtër, por me mjete më të thjeshta, me mundësitë që i kemi pasë, thuajse pa para e pa buxhet. Ky ka qenë projekti i parë që me seriozitet kam punuar dhe jam përkushtuar shumë dhe për mua pjesëmarrja nëpër festivale, edhe në “PriFest” që isha në Kosovë, edhe në “Atlanta Film Festival” në SHBA, tash edhe në “Zuger Filmtage”, nuk e kam pritur që ka me pasë ky film këtë jehonë”, tha Asllani.

    Ai thotë se filmi është bërë me një buxhet modest, si vet financim, por për të ka qenë më me rëndësi që të paguhen njerëzit të cilët kanë kontribuuar në këtë film.

    “E kam vet financuar filmin, me do para. Në fakt nuk e kam pasë buxhetin shumë të lartë, por me ato mjete që kam pasë mundësi… për mua ka qenë me rëndësi që t’i paguaj njerëzit. Për mua, filmi, arti është shumë shtrenjtë për me e krijua, për shkak të teknikës. Shpeshherë, për shkak të teknikës për shkak të pasionit të madh, mundohet njeriu me i ulë çmimet edhe me e ba një kompromis, sidomos kur është i vetë financuem, por për mua ka qenë me rëndësi që t’i paguaj njerëzit dhe me ato mjete që i kam me i pagu mirë edhe me i trajtu mirë”, u shpreh regjisori Asllani. /atvlive.tv

    Bisedën e tij të plotë në ALARM e gjeni në videon më poshtë:

  • Prizreni, “qyteti muze” i Kosovës, përmes fotografive

    Prizreni, “qyteti muze” i Kosovës, përmes fotografive

    Përgatiti: Zeqir Hasani

    “Qytet muze”, ”Muzeu nën qiellin e hapur” apo edhe të “Dubrovniku i Ballkanit” janë vetëm disa nga epitetet që i ka qytetit antik Prizreni i cili cilësohet si njëri ndër qytetet më të bukura të Kosovës.

    Prizreni ka një pozitë të favorshme gjeografike, me siperfaqe prej 640 metra katror, gërshetimit harmonik të këtyre kulturave gjatë historisë dhe një numri të lakmueshëm të monumenteve të të gjitha kohërave.

    Në rubrikën ‘’Dikur dhe sot’’ këtë javë Salajdin Krasniqi, koleksionues I fotografive të vjetra, por edhe njohës i mirë i qytetit të Prizrenit, na tregon më shumë rreth objekteve të vjetra, dhe ndryshimin ndër vite.

    Prizreni njihet si një nga qytetet, me më së shumti monumente të kultit, një nga ato është edhe xhamia e Sinan Pashës.

    Prizreni, njihet edhe për ura të shumta, që ndër shekuj kanë bashkuar qytetin.

    Nga kalaja e Prizrenit, në pëllëmbë të dorës shihet çdo pjesë e qytetit, ndërtimi i të së cilës u bë për një arsye.

    Të vizitosh Prizrenin, dhe të mos ndalësh te një nga objektet më të rëndësishmë të popullit shqiptar është e pa imagjinueshme, e tillë është edhe monumenti i Lidhjes së Prizrenit që ishte rrënuar në luftën e fundit.

    Treva e Prizrenit është e banuar prej kohësh, si e tillë ruan edhe dëshmi të monumenteve arkeologjike nga koha e neolitit, eneolitit, bronzit, hekurit apo antikitetit, kjo dëshmohet edhe nga artefaktet e shumta të zbuluara, ku dëshmojnë se Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra të Evropës Juglindore dhe më gjerë.

    Për më shumë, shikoni storjen e plotë në videon e më poshtme:

  • Mbahet gjykimi i parë në mungesë ndaj të akuzuarit për krime lufte

    Mbahet gjykimi i parë në mungesë ndaj të akuzuarit për krime lufte

    Është mbajtur sot (e hënë) seanca fillestare për gjykim në mungesë, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili ngarkohet për krime lufte nga janari deri në maj të vitit 1999.

    Në këtë seancë nuk ishte prezent i akuzuari dhe nuk ka informacione për vendndodhjen e tij.

    Prokurorja Habibe Salihu para trupit gjykues tha se kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim të sigurimit të prezencës së Aksiqit.

    “Fillimisht kemi siguruar adresën të cilën e ka pasur në Republikën e Kosovës, i njëjti nuk ka qenë asnjëherë prezent në atë adresë. Kemi lëshuar urdhëresë, në mungesë të sigurimit të prezencës të tij, kemi siguruar adresën ku i njëjti e ka në Republikën e Serbisë. Kemi marrë përgjigje përmes Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar se nuk ka mundur të sigurohet prezenca e tij. Meqë janë plotësuar të gjitha kushtet kemi pritur për afatin ligjor për gjashtë muaj, me qëllim qe të njoftohet ai, pasi ka kaluar afati prej gjashtë muaj. Kemi konsideruar se janë plotësuar kushtet kohore, kemi paraqitur aktakuzë për gjykim në mungesë. Po ashtu duke vepruar sipas procedurave kemi bërë shpallje publike në gazetën zyrtare për aktakuzën dhe mbajtjen e kësaj seance. Si prokurore e kësaj çështje kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim qe të sigurohet i pandehuri, bë pamundësi të sigurimit të prezencës të tij”, tha ajo.

    Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani tha se janë plotësuar kushtet që të nis gjykimi në mungesë.

    “Mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit pasi që janë plotësuar kushtet ligjore. I akuzuari do të përfaqësohet nga mbrojtësi Zharko Gajiq gjatë tërë kësaj kohe”, tha ajo. /kp

  • Rritet varfëria në Kosovë, kaq familje jetojnë me 1.85 euro në ditë

    Rritet varfëria në Kosovë, kaq familje jetojnë me 1.85 euro në ditë

    Varfëria në Kosovë po vazhdon të rritet nga viti në vit, kështu duke bërë më të vështirë edhe gjendjen sociale të familjeve në nevojë. Sipas raportit të fundit nga UNDP-ja për vitin 2023, varfëria në Kosovë është rritur për 16 për qind, për çka ka rënie edhe të rritjes ekonomike. Derisa nevojat bazike të qytetarëve janë rritur, të hyrat sociale për familje janë të njëjta. Lidhur me këtë situatë, njëjtë thonë organizata humanitare në Kosovë, Kryqi i Kuq. Teksa potencojnë se nevojat elementare për familje nuk po arrijnë të përmbushen për shportën familjare, pasi që çdo komunë në Kosovë ka raste të varfërisë.

    Ndërkaq, ekonomistët vlerësojnë se papunësia dhe mungesa e indeksimit në treg janë shkaqe për nivelin e lartë të varfërisë në Kosovë.

    Menaxherja e projektit të “Pulsit Publik”, Alisa Hasani thekson për KosovaPress se nga të gjeturat kryesore të anketës për mirëqenien ekonomike të familjeve, rezulton se varfëria në Kosovë është në rritje dukshëm këtë vit.

    Ajo tha se derisa familjet në vitin 2021 kanë shpenzuar 200 euro në muaj për nevoja ushqimore, në vitin 2023 shpenzojnë më shumë për shkak se rritja e çmimeve ka ndikuar në mirëqenien e tyre.

    Po ashtu, nga Kryqi i Kuq, Armend Shala thotë se kërkesat nga familjet në nevojë janë të shumta, gjë për të cilën është e pamundur përmbushja e tyre. Sipas tij, të gjitha komunat në Kosovë kanë raste të familjeve të varfëra.

    Njohësi i çështjeve sociale, Artan Mustafa arsyen e varfërisë në Kosovë e konsideron shkallën e ulët të papunësisë. Ai tha se Kosova ka shkallën më të ulët të punësimit dhe për këtë shkak shumë familje kanë nevojë për ndihma sociale, por se edhe ato nuk mbulojnë të gjitha familjet.

    Në një përgjigje me shkrim, nga Agjencia e Statistikave në Kosovë, sa i përket të dhënave të fundit për njerëzit që jetojnë në varfëri janë që nga viti 2017. Derisa në vitin 2016 ka qenë në ulje 38.6%, në vitin 2017 ka përfunduar me 47.2% në rritje. /kp

  • Shefi i NATO-s në Kosovë për t’i dërguar mesazh Rusisë

    Shefi i NATO-s në Kosovë për t’i dërguar mesazh Rusisë

    Në vazhdën e kërcënimeve dhe pas deklaratës se presidentit të Ukrainës, Volodymir Zelensky se zotëron prova qe Rusia po kërkon të hapë një vatër të re konflikti në Ballkanin Perëndimor mobilizohet NATO. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut, Jens Stoltenberg, do të zhvillojë takime me të gjithë liderët e Ballkanit për t’i dërguar Rusisë mesazhin se NATO nuk do të lejojë asnjë lloj konflikti në Ballkanin Perëndimor.

    Të hënën shefi i NATO-s do të nis tourin tre ditor në Ballkan. Takimi i parë në agjendë është ai me drejtuesit e lartë politikë dhe ushtarakë vendas dhe ndërkombëtarë të Bosnje Hercegovinës. Në të njëjtën ditë, pasditen e së hënës, do të jetë në Kosovë ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Njëjtë si në Bosnjë Hercegovinë, edhe në Kosovë do të takohet me drejtuesit ushtarakë të KFOR dhe NATO-s atje, ku do të përcjellë edhe një mesazh të tijin.

    Të martën e 21 nëntorit, Jens Stoltenberg do jetë fillimisht në Serbi ku e pret në bisedime presidenti Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrja Ana Bërnabiq.

    Një vizitë është parashikuar me shkencëtarë serbë ku do të prezantohet edhe teknologjia me e re e zhvilluar nga NATO në funksion të paqes dhe sigurisë.

    Në Maqedoninë e Veriu pas bisedimeve me presidentin Stevo Pendarovski dhe kreun e qeverisë Dimitar Kovaçevski, kreu i Aleancës së Atlantikut do të mbajë një fjalim në parlamentin e Maqedonisë pasi më herët do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin, shqiptarin Talat Xhaferi.

    I gjithë turi do të mbyllet me një takim dhe konferencë të përbashkët mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup të mërkurën e 22 nëntorit. Në të pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama. Përveç udhëheqësve të rajonit, në tryezën e diskutimeve do të jenë edhe presidenti kroat dhe kryeministri slloven.

    Vizita e Jens Stoltenberg vjen në një moment të rindezjes së tensioneve në Ballkan, e veçmas ato mes Kosovës dhe Serbisë pas ngjarjes terroriste në Banjskë. Po aq në sfondin e këtij turi intensiv janë edhe diskutimet mbi të ardhmen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të vazhdimit të konfliktit në Ukrainë.

  • Gjykata Komerciale “në hall” me konkursin për gjyqtarët serbë

    Gjykata Komerciale “në hall” me konkursin për gjyqtarët serbë

    Prej disa muajsh, Gjykata Komerciale është në kërkim të gjyqtarëve të rinj, që vijnë nga radhët e minoriteteve.

    Të gjitha konkurset e brendshme të hapura deri më tani, kanë dështuar.

    Kryetari i Gjykatës, Mahir Tutuli, ka drojën se fatin e njëjtë do ta ketë edhe konkursi i ri i hapur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

    “Përkundër që janë hap disa konkurse, katër konkurse nëse nuk gaboj kanë qenë gjithsej, në asnjërën prej konkurseve nuk ka aplikuar asnjë kandidat, qoftë i përkatësisë serbe, qoftë nga minoritetet tjera dhe ato vende mbeten të rezervuara, nuk janë plotësuar ende”, ka deklaruar Mahir Tutuli – Kryetar i Gjykatës Komerciale.

    Për këtë refuzim, Tutuli e ka një spjegim.

    “Fusha komerciale është fushë specifike. Ekspertiza në këtë fushë është deficitare jo vetëm tek komunitetet, por edhe tek gjyqtarët e përkatësisë shqiptare. Pra është fushë specifike për të cilën duhet një specifikë e veçantë. Zakonisht gjyqtarët që janë të akomoduar në sektorët tjerë, e njohin punën e tyre, është problematike që të riorientohen”, vijon ai.

    Sipas ligjit, Gjykata është e detyruar që t’i përmbushë disa vende me gjyqtarë serbë.

    Përkundër mungesës së tyre, kryetari Tutuli thotë se puna zhvillohet pa ndonjë problem për të gjitha komunitetet.

    “Gjykata Komerciale trajton çështje ndërmjet personave juridik, respektivisht bizneseve. Bizneset nuk kanë përkatësi etnike dhe nuk mund të bëhet ndarje e tillë si në gjykatat e tjera, ku varësisht prej përkatësisë etnike me marrëveshje të veçanta është përcaktu që kompetente do të jenë gjykatat apo divizionet që janë formu për ato çështje”, ka përfunduar Tutuli.

    Që nga nëntori i vitit të kaluar, kur në mënyrë të organizuar serbët u larguan nga institucionet, gjykatat në Kosovë janë ballafaquar me mungesë të gjyqtarëve serbë.

  • Macroni planifikon të rrisë furnizimet mjekësore për Gazën

    Macroni planifikon të rrisë furnizimet mjekësore për Gazën

    Presidenti francez, Emmanuel Macron tha sot se ai planifikon të marrë me qira një avion të ri që do të transportojë 10 tonë furnizime mjekësore për Gazën.

    Macroni vuri në dukje se fluturimet që transportonin më shumë se 100 tonë ndihma humanitare tashmë janë dorëzuar në Egjipt, i cili kufizohet me Gazën. Fluturimi i ri, shkroi ai në X, do të përfshijë “dy njësi mjekësore të lëvizshme për të trajtuar rreth 500 individë të plagosur rëndë secila”.

    Ai shtoi se një transportues helikopterësh amfibë do të mbërrijë në Egjipt “në ditët në vijim” dhe do të ketë 40 shtretër për të trajtuar lëndimet e rënda dhe për të lehtësuar transferimin e civilëve të plagosur në spitalet e afërta nëse është e nevojshme”.

    Përveç kësaj, tha ai, Franca është e përgatitur të transportojë deri në 50 fëmijë të lënduar ose të sëmurë në spitalet franceze, raporton NBC News, transmeton Klankosova.tv.

    Macroni tha gjithashtu se lirimi i pengjeve, përfshirë tetë shtetas francezë, mbetet një prioritet, por ai theksoi nevojën për një armëpushim midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

  • Burri raporton gruan në Polici, ushtron dhunë psikike ndaj tij

    Burri raporton gruan në Polici, ushtron dhunë psikike ndaj tij

    Policia ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur të dielën në Prishtinë.

    Siç njofton policia, një grua ka ushtruar dhunë psikike ndaj burrit të saj.

    Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se e dyshuara femër kosovare ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës kosovar. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton policia.

  • Rama uron Abdixhikun për rizgjedhjen kryetar i LDK-së: Jam i bindur se do të realizoni vizionin tuaj

    Rama uron Abdixhikun për rizgjedhjen kryetar i LDK-së: Jam i bindur se do të realizoni vizionin tuaj

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar Lumir Abdixhikun me rastin e rizgjedhjes kryetar i LDK-së për katër vitet e ardhshme.

    Rama përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është i bindur se Abdixhiku do të realizojë vizionin e tij për një shoqëri të mirë, ekonomi më të fortë.

    “Urime të përzemërta Lumir Abdixhiku për rizgjedhjen si Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës! Jam i bindur se do të realizoni vizionin tuaj për një shoqëri më të mirë, ekonomi më të fortë dhe përparim në çdo fushë të jetës”, ka shkruar Rama.

  • Tahiri: Qeveria s’ka strategji, shkon në dialog pa u ndëshkuar Serbia

    Tahiri: Qeveria s’ka strategji, shkon në dialog pa u ndëshkuar Serbia

    Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka shkruar në Facebook se Qeveria nuk ka “asnjë strategji” në bisedime.

    Tahiri e kritikoi Qeverinë e Kosovës që, siç tha, u kthye në dialog pa u ndëshkuar Serbia.

    “Qeveria jone nuk udheheq por vetem raporton (per sulmin ne Banjske). Asnje strategji nuk ka, madje BE beri nje veprim hoqi ndermjetesit dhe vuri tre lidere evropian; Serbia nuk u ndeshkua, ndersa kete jave qeveria merre pjese ne Dialog pa u ndeshkua Serbia”, shkroi Tahiri.