ATV

Author: ATVLive

  • Shkolla tash e dy muaj pa një mësimdhënës, nganjëherë e zëvendëson edhe drejtoresha

    Shkolla tash e dy muaj pa një mësimdhënës, nganjëherë e zëvendëson edhe drejtoresha

    Shkolla fillore e mesme e ulët “12 Prilli”, në fshatin Vërmicë të Malishevës, tash e dy muaj ka mungesë të mësuesit për klasën e katërt, për shkak se mësimdhënësi paraprak është pensionuar. E për ta zëvendësuar atë po angazhohet një mësuese, e nga një herë edhe drejtoresha.

    Nxënësit e kësaj shkolle janë shprehur të shqetësuar për mënyrën se si po e vijojnë mësimin. Drejtoresha e shkollës ka refuzuar të flas. Ndërsa, në Komunën e Malishevës, thotë se pengesë e kanë një udhëzim administrativë. Megjithatë, njohësit e çështjeve arsimore theksojnë se në këto lloj situate, dëmi më të madh po iu bëhet nxënësve,

    Nxënësja e cila është në klasën e katërt, Florinda Gashi tregon se janë pa mësues gati 2 muaj dhe se në raste të rralla e mëson edhe drejtoresha.

    Po ashtu, Lorena Gashi tha se një mësuese zhvillon mësim për klasat e tretët dhe të katërt.

    Erblin Gashi, po ashtu në klasën e katërt, tha se i mungon mësuesja.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëresha Krasniqi u shpreh se për atë nuk është shumë e lehtë çështja e zëvendësimeve të mësimdhënësve sepse një gjë të tillë e pamundëson udhëzimi administrativ.

    Sipas saj, procedura e rekrutimit për zëvendësim zgjat mbi 60 ditë dhe për këtë arsyeje janë detyruar të obligojnë një mësuese për të dy klasat.

    Drejtoresha Krasniqi tha se janë në fazën e fundit të rekrutimit dhe se pritet shumë shpejt të shpallen rezultatet për mësimdhënësin e ri.

    Ndërkaq, njohësi i çështjeve arsimore, Rinor Qehaja theksoi se mungesa e mësimdhënësve dhe zëvendësimet e tilla i dëmton më së shumti nxënësit dhe se këtë situatë duhet marrë më seriozisht Ministria e Arsimit. Sipas tij, është e pa tolerueshme që nxënësit të qëndrojnë pa mësimdhënës muaj të tërë.

    Ndërkaq nga Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim, kanë thënë se në mungesën e mësimdhënësve, në raste të papritura sigurohet një zgjidhje e brendshme nga shkollat dhe aktivi profesional.

    Deri në publikimin e këtij artikulli nuk është marrë ndonjë informatë nëse është siguruar ndonjë zëvendësim i ri për klasën e katërt të shkollës “12 Prilli”, në fshatin Vërmicë të Malishevës.

  • Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit duket se po hyn në fuqi

    Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit duket se po hyn në fuqi

    Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, ka qenë një gëzim i madh për familjet e pengjeve dhe gjithashtu për palestinezët që prisnin lirimin e trefishit të njerëzve nga burgjet izraelite, shkruan BBC, transmeton KP.

    Megjithatë, dita e parë dhe deri më tani gjithçka do të planifikohet dhe kështu duhet të jetë që në orën 14:00, 13 pengje izraelite do të dalin, do t’i dorëzohen Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe do të kalojnë në Egjipt për kontrolle mjekësore përpara se të kthehen në Izrael për t’u ribashkuar me familjet e tyre.

    Pasi të jenë në duart e Izraelit, Izraeli do të lirojë 39 të burgosur palestinezë dhe më pas i njëjti proces duhet të përsëritet gjatë tri ditëve të ardhshme.

    Pas kësaj, ekziston mundësia e një zgjatje të mëtejshme të pauzës së luftimeve – me kusht që Hamasi të lirojë 10 pengje të tjera në ditë.

    Dje pati konfuzion për numrat dhe listat që nuk përputheshin, por tani, deri më tani gjithçka po shkon shumë mirë.

  • EULEX-i dislokon një ekip të specializuar për veriun

    EULEX-i dislokon një ekip të specializuar për veriun

    Një ekip i specializuar prej gjashtë këshilltarësh policor i është shtuar EULEX-it që nga dje, si përforcim i misionit në Kosovë, raporton Sinjali.

    Përmes një njoftimi për media, EULEX njofton se ky ekip do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë.

    “Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane”, thuhet në njoftimin e misionit.

    Dislokimi i këtij ekipi special do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit derisa, siç ka thënë EULEX-i, “misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.

    Pjesëtarët e Ekipit Special të EULEX-it janë të dërguar tre nga Holanda dhe tre nga Suedia. Ata do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.

    “Dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren”, thuhet në njoftim.

  • Diplomojnë 45 zyrtare korrektuese në 24 vjetorin e themelimit të ShKK-së

    Diplomojnë 45 zyrtare korrektuese në 24 vjetorin e themelimit të ShKK-së

    Me rastin e shënimit të 24 vjetorit të themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë diplomuar 45 zyrtare korrektuese nga gjenerata e 43-të.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shënimi i përvjetorëve të këtyre institucioneve ka rëndësinë e veçantë kur progresi tyre është evident. Ai shtoi se është hartuar reforma ligjore që avancon shërbimet ndaj të burgosurve dhe të drejtave të tyre.

    Kurti potencoi se ShKK-ja me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore, me sukses po certifikon 45 zyrtare korrektuese gra.

    Ai shtoi se është në proces themelimi i institucioneve që ofrojnë shërbime të veçanta për të burgosurit me nevoja të veçanta, personave të moshuar, ata me sëmundje kronike dhe ata të varur nga substancat narkotike.

    Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është në rrugë të mbarë të garantimit të një mjedisi të sigurtë për të gjithë. Ai theksoi se “synimi ynë është që të gjithë të burgosurit që nië ditë do të lirohen, të mund të integrohen në shoqëri më të mirë, më të drejtë dhe më të aftë se sa që ishin më herët”.

    Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është institucion që ka shënuar progres përveç në infrastrukturë, edhe në cilësinë e shërbimit dhe profesionalizmit.

    Ajo shtoi se sistemi korrektues i Kosovës ka synim sigurimin e një mjedisi të sigurtë për të gjithë.

    Haxhiu kërkoi nga zyrtarë të ShKK-së që punën e tyre ta kryejnë me nder dhe përgjegjësi të lartë, derisa theksoi se misioni i tyre është i lartë dhe i shenjtë.

    Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani tha se do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për t’i promovuar vlerat e drejtësisë. Ai shtoi se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka punuar dhe po vazhdon të punojë kundër kontrabandës dhe korrupsionit.

  • Arratiset një person nga burgu i Lipjanit

    Arratiset një person nga burgu i Lipjanit

    Të enjten rreth orës 21:14, një person është arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit.“Lipjan / 23.11.2023-21:14.

    Raportohet se i dyshuari mashkull shtetas i Malit të Zi ka kryer veprën penale të lartcekur.

    Njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Gërvalla para deputetëve: Vitin tjetër synojmë të blejmë objekte për disa ambasada e konsullata

    Gërvalla para deputetëve: Vitin tjetër synojmë të blejmë objekte për disa ambasada e konsullata

    Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka raportuar ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla në lidhje me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e vitit 2024 që e përfshinë këtë Ministri, raporton Ekonomia Online.

    Gërvalla tha se prioriteti i MPJD-së gjatë këtij mandati është ndërtimi i fushave më bashëkohone të diplomacisë, të cilat janë diplomacia publike dhe ajo ekonomike. Ajo tha se prioritet i Ministrisë është edhe blerja e objekteve të ambasadave e konsullatave.

    “Fokusi apo prioriteti i MPJD-së gjatë këtij mandati është ndërtimi i fushave më bashëkohore të diplomacisë, të cilat janë diplomacia publike dhe ajo ekonomike dhe një pjesë të madhe të buxhetit e kemi fokusuar më këto lëmi. MPJD ka propozuar buxhet 47 milionë euro për pesë kategoritë”, tha ajo.

    Kryetarja e këtij Komisioni Arbëreshë Kryeziu Hyseni, ka pyetur ministren se cili është plani i Ministrisë që numri i objekteve diplomatike të shtohet në vitin e ardhshëm.

    Gërvalla tha se fokusi është që edhe gjatë viti të ardhshëm të shtohet numri i objekteve ne vendet e huja, më qëllim që të ruhet buxheti.

    “Është e vëretë që kemi blerë ndërtesat, proceduar janë të përfunduar në Kroaci, kemi marr vendimi që do të filloj procedurat për Strasburg. Çfarë duam të arrijmë për blerjen, në radhë të parë duam të kursejmë buxhet, qerat janë të larta. E dyta blerja e objekteve e shpreh vullnetin e këtij shteti për të qëndruar dhe përfaqësuar me dinjitet aty për këtë i kemi dhënë prioritet”, tha ajo.

    Deputetja e VV-së Fitore Pacolli, ka pyetur ministren se në këto misione dhe ambasada a do të shtohet numri i stafit, raporton EO.

    Për këtë ministrja tha se pas më shumë se dy vitesh tani këtë javë hapen konkurset për diplomat të rijnë.

    “Më në fund pas një beteje më shumë se dy vjeçare kemi arritura që këtë javë të hapim konkurset për diplomat të ri, kjo është mundësuar fal ndryshime në ligj. Nuk jemi të kënaqur me të gjithë përfaqshim. Gjenerata e reja të diplomatëve do të bëjnë një përqasim shumë të madh”, tha ajo.

  • Presidenti Macron dekoron poetin Lulzim Tafa me urdhrin e lartë “Oficer i letrave dhe arteve”

    Presidenti Macron dekoron poetin Lulzim Tafa me urdhrin e lartë “Oficer i letrave dhe arteve”

    Vetëm pak ditë pasi Presidenti Francez, Emanuel Makron e dekoroi në Tiranë shkrimtarin Ismail Kadare me urdhërin “Oficier i Madh i Legjionit të Nderit”, Ministrja e Kulturës së Francës, Rima Abdul Malak e ka nënshkruar dekretin me të cilin i akordon poetit të mirënjohur kosovar, Lulzim Tafa, dekoratën ”Oficier i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”.

    Kjo është dekorata më e lartë që shteti francez e jep në fushën e artit dhe letërsisë dhe po ashtu është edhe dekorata më e lartë që ndonjë artist apo shkrimtar nga Kosova e ka marrë deri më tani nga shteti francez. Me këtë dekoratë Franca nderon personalitete të shquara franceze dhe ndërkombëtare për të arritura në fushën e artit dhe të letërisisë.

    “Urdhërin Kombëtar të Letrave dhe Arteve” e ndanë Ministria e Kulturës së Francës dhe nga viti 1957 dhe është nën patronatin e Presidentit të Republikës së Francës.

    Lulzim Tafa është njëri ndër poetët kosovarë më të njohur në botë, veprat e të cilit janë përkthyer në rreth tridhjetë gjuhë të botës. Tafa nga kritika letrare botërore është cilësuar si një ndër poetët kryesorë postmodernistë të Evropës, ndërsa përmes librave të tij është mjaftë i njohur edhe për lexuesit në Francë.

    Kohët e fundit, Lulzim Tafa, është bërë i njohur edhe për artin e tij në shërbim të paqes. Ai u bë shumë i njohur para shpërthimit të luftës në Ukrainë me poezinë ”Fol me poetët rusë” si dhe me letrat dërguar shumë artistëve dhe shkrimtarëve rusë me lutjet që të ndikojnë te politika që ta parandalojnë luftën.

    Si rezultat i përpjekjeve të tij anti luftë me anë të poezisë ai është nderuar nga shumë institucione kulturore e arsimore edhe në Ukrainë si dhe është dekoruar edhe nga Patriarku i Ukrainës, Patriarku Filaret me urdhërin “Yuri i Shenjtë Fitimtar”.

    Lulzim Tafa po ashtu ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare, mban shumë tituj nderi në akademi dhe universitete ndërkombëare.

    Ndër të tjera është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Evropës si dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, Arteve dhe Letërsisë në Paris.

    Ceremonia e dekorimit të poetit Lulzim Tafa me urdhërin “ Oficer i Letrave dhe Arteve” do të bëhet me ceremoni zyrtare në Rezidencën Franceze në Prishtinë.

  • Vendimi i kushtetueses për faljen e tatimit në pronë i vë komunat në pozitë të vështirë

    Vendimi i kushtetueses për faljen e tatimit në pronë i vë komunat në pozitë të vështirë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Tatimin në Pronë, sipas të cilit komunat do të vendosin vetë për faljen e 100 eurove, i ka vënë në pozitë të palakmueshme.

    Në komunën e Malishevës thonë se janë përballë dilemës, meqë në një anë janë qytetarët që duan t’i ndihmojnë e në anën tjetër investimet kapitale.

    Por, disa komuna tashmë e kanë ndarë mendjen. Menjëherë, pas vendimit të gjykatës, Komuna e Vushtrrisë nuk e kundërshton faljen e 100 eurove për tatimin në pronë.

    Gjykata Kushtetuese të mërkurën njoftoi se ka vendosur që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat, nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

    Neni i Ligjit për tatim në pronë që u kontestua në Kushtetuese, përcakton që çdo tatimpagues për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit jo më shumë se 100 euro.

  • As pas 570 ditëve s’nënshkruhet tenderi që burgjet të pajisjen me aparate kundër zjarrit

    As pas 570 ditëve s’nënshkruhet tenderi që burgjet të pajisjen me aparate kundër zjarrit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore u përfshi dy herë nga zjarri. Të martën, një pjesë e dokumenteve që ndodheshin në zyrat që u dogjën, u bënë shkrumb e hi.

    Dëmet mund të ishin më të vogla nëse sistemi kundër zjarrit do të ishte më efikas. Por, tenderi për “Servisim dhe mirëmbajtje të aparateve kundër zjarrit” i hapur fillimisht më 30 mars, kishte dështuar.

    Tenderi ishte hapur edhe në korrik, por për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, është i pezulluar. Tenderi për mirëmbajtje të pajisjeve kundër zjarrit i hapur në maj të vitit të kaluar, i ka dështuar 3 herë edhe Shërbimit Korrektues. I njëjti tender, rrezikon të dështojë përsëri teksa është pezulluar në tetor të këtij viti.

    Duke mos u përgjigjur në pyetjen e redaksisë se kur është bërë servisimi i aparateve kundër zjarrit për herë të fundit, nga Shërbimi Korrektues njoftuan se posedojnë pajisje të mjaftueshme.

    “Përveç pajisjeve në secilin institucion, kemi edhe stafin e trajnuar dhe të certifikuar si zjarrfikës, të cilët janë përgjegjës për mirëmbajtjen e sistemit. Po ashtu, në të gjitha institucionet korrektuese janë të vendosura edhe aparatet e nevojshme kundër zjarrit, të cilat aktualisht janë në gjendje të mirë dhe të gatshme për përdorim në rast nevoje”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

    Ndërkohë, shoqëria civile sheh mangësi në procedurat e prokurimit publik në vazhdimësi.

    Tenderi në vlerë prej 100 mijë eurosh, përveç servisimit parashihte edhe furnizimin me aparate për fikjen e zjarrit, hidrantë të ujit me pajisje përcjellëse dhe detektor tymi për Institucionet Korrektuese dhe Institucionin e Mjekësisë Ligjore.

  • Heshtje e plotë, “edhe një ditë afat” për kontratën KEDS – “Elektrosever”

    Heshtje e plotë, “edhe një ditë afat” për kontratën KEDS – “Elektrosever”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    “Java e ardhshme duhet të jetë java e fundit gjatë së cilës kontrata duhet të nënshkruhet përfundimisht dhe të fillojë zbatimi i saj”. Kështu kishte deklaruar zëvendëskryeministri për Dialog, Besnik Bislimi.

    E premtja e 24 Nëntorit është afati i radhës i caktuar për nënshkrimin e kontratës ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, e cila do t’i hapte rrugë nisjes së faturimit të energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

    Asnjë nga akterët e përfshirë, KEDS-i, Elektroseveri, ZRRE-ja, Qeveria dhe BE-ja nuk treguan nëse ajo tashmë është nënshkruar, apo do të nënshkruhet të premten.

    ATV-ja kuptoi se puna për finalizimin e procesit po vijon në nivel teknik, pas disa propozim-ndryshimeve të paraqitura në përmbajtjen e kontratës nga Përfaqësuesi i Posaçëm për Dialogun, Miroslav Lajcak, më 16 Nëntor në Bruksel.

    Kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit për nën-kontraktim të energjisë, sipas Udhërrëfyesit për Energjinë, do të duhej të ishte nënshkruar më së largu 10 ditë nga licencimi i Elektroseverit.

    Megjithatë, një vit e gjysmë nga licencimi në Kosovë i kompanisë bijë të ndërmarrjes shtetërore energjetike të Serbisë – faturimi në katër komunat me shumicë serbe në veri nuk ka nisur.

    Që nga licencimi i Elektroseverit, si pasojë e mos-faturimit të energjisë në këto komuna, kostoja buxhetore vlerësohet të jetë rreth 60 milionë euro.
    Prej tyre, rreth 31 milionë euro në periudhën Korrik-Dhjetor 2022 dhe afër 30 milionë këtë vit, deri tani.

    Në Shkurt të këtij viti, kryeministri Albin Kurti njoftoi se kostoja e përgjithshme buxhetore nga mos-pagesa e energjisë elektrike në katër komunat në veri, që nga viti 1999, pa llogaritur koston e këtij viti, është rreth 320 milionë euro.