ATV

Author: ATVLive

  • Nga një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për dhënien e ndihmës gjatë grabitjes së armatosur në Suharekë

    Nga një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për dhënien e ndihmës gjatë grabitjes së armatosur në Suharekë

    Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi të mërkurën suharekasit ishte planifikuar si në filma nga grupi prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën.

    Para se të arratiseshin ata u gjuajtën me njësinë policore që intervenoi në vendin e ngjarjes, duke e lënë të plagosur një polic. Tashmë tre të dyshuar janë arrestuar, ndërsa dy nga ta sot kanë dalë para Gjykatës Themelore të Prizrenit.

    Kjo e fundit ka vendosur nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve që kanë dhënë ndihmë në grabitjen e argjendarisë në Suharekë tashmë ka përfunduar dhe pritet një vendim ndaj tyre.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.

    “Caktohet masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, duke llogaritur nga data e arrestimit 25.11.2023”.

  • Shengeni ushtarak, NATO me një plan të ri për ta parandaluar luftën në Evropë

    Shengeni ushtarak, NATO me një plan të ri për ta parandaluar luftën në Evropë

    Peizazhi politik që e pret Evropën në vazhdim është i panjohur nga ai i një viti apo dy viteve më parë. Evropa është përballur me një realitet të ri gjeopolitik si pasojë e pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia dhe BE-ja është detyruar të rishqyrtojë gjithçka, nga qëndrimi i saj ushtarak dhe marrëdhëniet me Ukrainën, tek sfidat teknologjike dhe tregtare dhe institucionet e veta.

    Si do të vazhdojë BE-ja të forcojë sigurinë e saj me konfliktin e ndezur në oborrin e saj dhe një rend botëror në ndryshim? Duket se as vetë Brukseli dhe kontinenti i vjetër nuk kanë një përgjigje. Megjithatë, kohë pas kohe propozime të reja dalin në skenë, herë të mirëpritura, e herë jo. I tillë është propozimi për “Shengenin ushtarak”, një ide që ka ndezur polemika dhe ka tërhequr reagime të ashpra nga Rusia.

    Kremlini tha dje se dëshira e NATO-s për të krijuar një version ushtarak të zonës Shengen në Evropë, i cili do të lejonte forcat e armatosura të aleancës ushtarake perëndimore të lëvizin lirshëm për t’iu kundërvënë Rusisë më me forcë, ka rritur tensionet dhe ka ngritur shqetësime. Kreu i Komandës së Logjistikës së NATO-s për Evropë (JSEC), Gjeneral Letonton Alexander Sollfrank, i tha Reuters të enjten se do të dëshironte të shihte një zonë të tillë. “Po na mbaron koha,” tha Sollfrank.

    “Ajo që nuk e bëjmë në kohë paqeje nuk do të jetë gati në rast krize apo lufte”, theksoi ai. JSEC, e vendosur në qytetin gjerman të Ulm, koordinon lëvizjen e njerëzve dhe materialeve të bllokut të NATO-s në të gjithë kontinentin. Ndërsa JSEC u krijua në 2021 për të përmirësuar përgatitjet për një luftë të mundshme me Rusinë, burokracia mund të shkaktojë vonesa serioze në reagimin në rast të një lufte me Rusinë. NATO po ndihmon Ukrainën në luftën e saj me Rusinë dhe Kievi shpreson që një ditë të bashkohet me aleancën. Vetë NATO, megjithatë, nuk është në luftë me Rusinë, dhe presidenti i SHBA Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë pohojnë se po përpiqen ta shmangin atë për shkak të arsenalit të madh bërthamor të Moskës.

    Reagimi i ashpër rus

    Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska do të përgjigjet nëse ky “Shengen ushtarak” bëhet realitet. “NATO e ka konsideruar gjithmonë vendin tonë një të ashtuquajtur armik ideologjik. Tani haptas e konsideron atë një kundërshtar të dukshëm. Kjo deklaratë nuk i shërben asgjë tjetër veçse ngritjes së tensioneve në Evropë dhe kjo ka pasoja,” tha Peskov. Bisedimet për krijimin e një “Shengeni ushtarak” tregojnë edhe një herë se Evropa nuk është e gatshme të dëgjojë shqetësimet legjitime të Moskës, por është e gatshme të forcojë sigurinë e saj në kurriz të Rusisë, tha Peskov. “Është NATO ajo që po lëviz vazhdimisht infrastrukturën e saj ushtarake drejt kufirit tonë. Nuk jemi ne ata që lëvizim drejt infrastrukturës së NATO-s. NATO po afrohet më pranë nesh dhe kjo mund të shkaktojë vetëm shqetësim dhe të çojë në masa hakmarrëse për të garantuar sigurinë tonë,” tha Peskov.

    Planet e NATO-s

    Që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe rënia e ish-BRSS, NATO është zgjeruar rreth 1000 kilometra në lindje, duke pranuar Poloninë dhe shtetet baltike në aleancën e saj, duke zgjeruar krahun e saj lindor në një total prej 4000 kilometrash. NATO aktualisht ka 10,000 ushtarë në tetë grupe beteje të stacionuara në të gjithë Evropën Lindore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi vitin e kaluar se ka plane për të përforcuar këto forca të dislokuara me 300,000 ushtarë të gatishmërisë së lartë në rezervë.Forca e reagimit të shpejtë të NATO-s aktualisht numëron deri në 40,000 dhe ndryshimi i propozuar përbën një rishikim të gjerë në përgjigje të militarizimit rus. Sipas planeve, NATO do të lëvizë gjithashtu rezervat e municioneve dhe furnizimeve të tjera më larg në lindje, një tranzicion që do të përfundojë brenda këtij viti.NATO mban tetë grupe beteje në të gjithë Evropën Lindore , që synojnë të veprojnë si një mbrojtje fillestare e vijës së parë në rast të një pushtimi rus. Katër janë në shtetet baltike dhe Poloni, dhe këto u plotësuan me krijimin e katër të tjerave në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki pas sulmit ndaj Ukrainës.

  • Durmishi: Të gjitha rrugët që menaxhohen nga MMPHI janë të pastruara dhe në gjendje të mirë

    Durmishi: Të gjitha rrugët që menaxhohen nga MMPHI janë të pastruara dhe në gjendje të mirë

    Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se gjendja e rrugëve që menaxhohen nga ministria, janë në gjendje të mirë.

    “Të gjitha rrugët që menagjohen nga MMPHI janë të pastruara dhe në gjendje të mirë”, ka shkruar Durmishi.

    Ai ka publikuar edhe disa pamje.

  • Lushaku-Sadriu: Qeveria po bën propagandë mashtruese me gratë viktima të dhunës

    Lushaku-Sadriu: Qeveria po bën propagandë mashtruese me gratë viktima të dhunës

    Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku- Sadriu e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës në krye me kryeministrin Albin Kurtin se po bën fushatë propaganduese me gratë viktima të dhunës.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se viteve të fundit dhuna ndaj grave ka shënuar rritje.

    “Dje, filluan 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, përgjatë viteve të fundit dhuna ndaj grave është duke shënuar rritje. Ashtu siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në mars të këtij viti,

    shteti jonë ka dështuar të marrë masa për parandalimin e dhunës ndaj grave. Gati çdo e dyta grua ka përjetuar dhunë në familje. Në këtë katrahurë mosveprimi, dje Ministria e Drejtësisë, duke u dërguar mesazhe në telefona privat qytetarëve të Kosovës dhe duke ju thënë se gjoja Ministria paska ashpërsuar dënimet, bëri propagandë mashtruese duke dashur ta prezantojë veten si shpëtuese të grave”, shkruan ajo.

    “Me këtë rast, Qeveria Kurti dëshmoi që është mashtruese- se nuk është në kompetencën e saj ashpërsimi i dënimeve; dhe është e paaftë- se nuk ka ka asnjë rezultat në ato që ka kompetencë”, shtoi ajo.Lushaku-Sadriu ka theksuar se “paaftësia” qeverisëse e krerëve aktual është e dëmshme.

    Këta janë qeveritarë që as nuk dinë e as nuk mësojnë. Veç mashtrojnë. Padituria e tyre është e frikshme. Paaftësia e tyre qeverisëse është e dëmshme. E propagandën mashtruese e kanë të neveritshme”, shkroi ajo.

    Mes tjerash, ajo ka theksuar se sot Ministria e Drejtësisë duhet të japë dy përgjigje.

    “A e ka siguruar sistemin elektronik të monitorimit të burgosurve? Sa buxhet enkas ka ndarë për tu ngritur kapacitetet e gjyqtarëve për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje?”.

    Teksa përmend raportin e BE-së për Kosovën, ajo tregon mungesën e vullnetit të Qeverisë për dhunën në familje.

    “Se sa ka shënuar arritje Qeveria për të adresuar dhunën me bazë gjinore, tregojnë rastet e vrasjeve makabre në dy vitet e fundit të grave nga ish të burgosur të pambikëqyrur; po ashtu, tregon Raporti i BE-së për Kosovën i publikuar këtë muaj, e që konstaton mungesë vullneti e dështim të institucioneve në adresimin e dhunës në familje. Është për keqardhje se si Qeveria bën fushatë politike me gratë viktima të dhunës, duke bërë kështu propagandë mashtruese me një çështje kaq të ndjeshme; çështjen e dhunës ndaj grave”, shkroi Lushaku-Sadriu.

  • Nesër Dita e FSK’së, Presidentja Osmani shkon në Kazermën “Adem Jashari”

    Nesër Dita e FSK’së, Presidentja Osmani shkon në Kazermën “Adem Jashari”

    Për Ditën e Forcës, të hënën e 27 nëntorit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të vizitojë në kazermën “Adem Jashari”.

    Për këtë ka njoftuar zyra për media e presidencës, duke treguar agjendën për nesër të Osmanit.

    ”Në orë 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani viziton kazermën “Adem Jashari”, me rastin e DITËS SË FORCËS. Vendi: Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

  • Ekskluzive: Trajneri italian në bisedime me FFK-në për postin e selektorit

    Ekskluzive: Trajneri italian në bisedime me FFK-në për postin e selektorit

    Trajneri Hivzi Ahmeti në emisionin ‘A PLAY’ në ATV, e ka zbuluar emrin trajnerit italian i cili është në negociata me Federatën e futbollit të Kosovës.

    Sipas Ahmetit, është Giovanni Colella, i cili ka qenë trajner i Patizanit me të cilin e kishte fituar titullin e Kampionit në Shqipëri.

    ‘Giovanni Colella është në bisedime me FFK-në, ai është pa klub,por ka interesim nga shumë klube për të, por Colella nëse ka ofertë nga Kosova, ai do t`i refuzonte të gjitha skuadrat tjera’.

    Përndryshe kur jemi te pozita e selektorit të Kosova, deri me tani për këtë pozitë kanë shprehur interesim rreth 50 trajnerë.

  • Arrestohet edhe personi i tretë për grabitjen e armatosur në Suharekë

    Arrestohet edhe personi i tretë për grabitjen e armatosur në Suharekë

    Disa persona të armatosur tronditën Suharekën dhe gjithë Kosovën, pasi grabitën argjendarinë ‘Diakos’, duke mbushur çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u më pas u zhdukën.

    Para se të arratiseshin ata u gjuajtën me njësinë policore që intervenoi në vendin e ngjarjes, duke e lënë të plagosur një polic. Kryesit e veprës ndodhen ende në arrati, mirëpo dje dhe sot në drejtim të zbardhjes së këtij rasti janë arrestuar tre persona.

    Prokurorja e Shtetit, Ervehe Gashi, ka konfirmuar për Sinjalin se është arrestuar edhe personi i tretë i dyshuar për këtë grabitje.

    E njëjta dje po ashtu konfirmoi edhe ndalimin e dy personave tjerë të arrestuartë cilët dyshohet se kanë ndihmuar të dyshuarit ta kryejnë grabitjen e armatosur.

    Gashi tha se për shkak të ruajtjes së hetimeve, nuk mund të jepen më shumë informacione.

    “Interesi i hetimit është sa më pak informata aq më mirë, nuk janë grabitësit por ndihmësit. Dy persona janë arrestu. Të dy janë në ndalim. Jemi në identifikim e sipër të të dyshuarve tjerë”, tha shkurtimisht prokurorja Gashi.

    Ndryshe, gjatë ditës së djeshme u gjet vetura e të dyshuarve, e cila ishte braktisur në një bjeshkë.

    Sinjali mëson se automjeti me të cilin ata kanë arritur të arratisen, me targa të vjedhura të rajonit të Prishtinës “01”, që sipas pamjeve duket të jetë e tipit “Chevrolet Cruze” u gjet në një bjeshkë.

    Nga Policia e kanë konfirmuar se të akoma nuk është zbuluar identiteti i të dyshuarve, por hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre po vazhdojnë.

    Gjithçka dyshohet se ndodhi para orës 16:00, kur të dyshuarit ia mësynë argjendarisë, e cila ndodhet në rrugën “Brigada 123”, zbritën nga një veturë, të maskuar e të armatosur dhe tronditën punëtorin që ndodhej brenda.

    Hajnat po dyshohet se kanë lidhur me rrip punëtorin e argjendarisë dhe nisën t’i zbrazin raftet e mbushura me stoli të arit ashtu siç e kishin planifikuar, teksa njëri prej tyre po bënte roje jashtë lokalit me kallashnikov, duke i tmerruar qytetarët në pikë të ditës

    Teksa grabitja po kryhej, dikush e njoftoi Policinë dhe intervenimi i njësisë policore ishte i shpejt, ku i gjetën të dyshuarit në vendin e ngjarjes, por që u konfrontuan me ta. Siç shihet në pamjet e publikuara nga Sinjali, posa arrin Policia, njëri polic del nga vetura zyrtare dhe aty nis shkëmbimi i zjarrit.

    Për pasojë, një zyrtar policor u plagos me armë zjarri në këmbë, teksa gjatë aksionit mbeti i lënduar edhe një polic tjetër – gjendja e të cilëve fatmirësisht është stabile dhe të njëjtit janë jashtë rrezikut për jetë.

    Kjo situatë alarmoi Policinë dhe vuri në lëvizje edhe njësi të tjera policore, por të dyshuarit arritën të largoheshin nga vendi i ngjarjes.

    Në njoftimin e fundit të Policisë lidhur me këtë rast, thuhet se derisa po iknin, të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme, në mënyrë që t’ua pamundësojnë zyrtarëve policorë që t’i kapnin, shkruan Sinjali.

    Ndonëse arritën të zhduken, duke lënë pak gjurmë, Sinjali mëson se Policia ka aktivizuar tashmë “Unazën e Çeliktë”, ku si rezultat janë shtuar pika kontrolli në lokacione të ndryshme.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim edhe me Drejtoritë e tjera Rajonale janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit, identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

    Policia po ashtu ka bërë një kërkesë për të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në kapjen e kryesve të këtij rasti, të kontaktojnë në numrat e PK-së.

  • Kurti: Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend, kjo përmendore është një shenjë e guximit

    Kurti: Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend, kjo përmendore është një shenjë e guximit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në zbulimin e shtatores së Adem Demaçit në sheshin në Podujevë, ka thënë se kjo përmendore do të deklarojë para brezave një virtyt të dyfishtë të shoqërisë.

    “Adem Demaçi prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend. Ne sot po shpallim në mes nesh se kjo përmendore do të deklarojë para brezave një virtyt të dyfishtë të shoqërisë. Kjo përmendore është një shenjë e guximit dhe barra e drejtësisë., që ne ia interpretojmë vetvetes si garanci të një të ardhme që ia vlen”, ka deklaruar Kurti.

    “Baca Adem ishte figura shumë këndore e realiteti i dehur me dashurinë për letërsinë bartës i dashurisë, gazetar i fjalës i lirë në rininë e pjekur, dhe përfaqësues politik i luftës çlirimtare në pjekurinë e vonë”.

  • Zbulohet shtatorja e Adem Demaçit në Podujevë

    Zbulohet shtatorja e Adem Demaçit në Podujevë

    Podujeva është bërë qyteti i parë me shtatore të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

    Kryeministri Albin tha se njeriu i popullit, baca Adem ishte personalitet unik në veprimin dhe me gjuhën e tij në vetëmohimin për të tjerët dhe në shqipen tonë të dashur.

    “Na nevojitet një homazh i thellë për një shpirt kaq gjithëpërfshirës, ngase u deshtë një guxim i madh për ta mbajtur një shpirt kaq të lirë, kërkohet një vetëdije e paskaje për ta mbajtur një vetëdije të paepur. Për ne si ndjekës të përpjekjeve të tij do të jetë gjithnjë e vështirë të përkufizojmë personalitetin e kësaj përmase por na duhet t’i përkufizojmë në gjuhë dhe në gurë sepse këta janë dy binarët ku mbështetet treni ynë i historisë. Mbi vargun dhe kullën, ne urojmë që monumenti ynë kushtuar heroit tonë të mendimit të lirisë të jetë edhe kullë edhe gjuhë”, tha ai.

    Sipas Kurtit, ata që jetojnë me të vërtet nuk janë të shpeshtë dhe kanë një virtyt të pashoq, shprehja e tyre është e barabartë me jetën e tyre, Adem Demaçi na mëson një direktivë të lartë për të gjithë “Kur diktatura nuk e kërcënon lirinë, atëherë duhet dyshuar te liria”.

    “Ky njeri i madh të cilit sot ia lartësojmë në mënyrë solemne peshën e gurit, e ktheu lirinë në kusht të ekzistencës dhe në përvojën intime apsolute. Një përvojë e tillë e lirisë e meriton një monument e më shumë. Ky monument dhe fjalët që do ta shoqërojmë me dekada e kanë një synim, në çdo kohë e çdo paqe duhet të na tregojnë se nuk i përkasim asnjë rendi merite po e huqem referencën te baca Adem, si përvojë gjigante e furtunave që i përballte dhe i përvujturi më i fortë i lirisë nën çdo kusht. Adem Demaçi prehet i qet sepse jetojë përnjëmend, ai e kishte devizën e vet, nuk ka pse vlen një jetë pa drejtësinë që duhet për ta mbajtur gjallë”, tha ai, duke shtuar se kjo përmendore është shenja e guximit dhe barra e drejtësisë, që ne i tregojmë vetvetes si garancë të një të ardhme që ia vlen. /kp/

  • Çmimet e gomave të automjeteve të njëjta por montimi më i shtrenjtë, apelohet për kujdes

    Çmimet e gomave të automjeteve të njëjta por montimi më i shtrenjtë, apelohet për kujdes

    Policia e Kosovës dhe ekspertë të komunikacionit kanë apeluar për kujdes më të shtuar në rrugë, pasi niveli i rrezikshmërisë pas reshjeve të borës është më i lartë, sidomos kur nuk bëhet ndërrimi i gomave të automjeteve. E derisa, gjobat janë të larta, çmimi i gomave nuk ka ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, ka një ngritje të çmimit sa i përket montimit dhe balansimit të gomave.

    Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim, ka theksuar se nga 15 nëntori deri më 15 mars, shoferët duhet t’i kenë të përgatitur automjetet e tyre për qarkullim në kushtet dimërore. Ata gjithashtu shtuan se patrullat në bazë ditore janë në kontroll për të kontribuar së bashku për një siguri më të madhe për të gjithë.

    Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit, ka thënë për KosovaPress, se mos ndërrimi i gomave të verës në ato të dimrit, çon deri te aksidentet, ku edhe niveli i rrezikshmërisë është i lartë.

    Gjithashtu në këtë kontekst, ai bën thirrje për fillimin e programeve të vetëdijesimit që do të duhej të fillojnë nga tetori.

    Pronari i njërës nga auto-gomave, Bujar Breznica tregoi se çmimet e gomave nuk kanë ndryshuar shumë nga viti i kaluar, por ato varen nga madhësia dhe tipi i gomave. Ai gjithashtu shpjegon dallimin në mes gomave të dimrit, derisa thekson se në vitin 2021, gomat kanë qenë më shtrenjtët se vitet e fundit.

    Ndërkaq për montimin dhe balancimin e gomave, ai thotë se këtë vit çmimi është më shtrenjtë.

    Mungesa pajisjeve dimërore, do të shoqërohet me ndëshkim financiar, ku shoferi do të dënohet me një gjobë prej 40 eurosh. Ligji parashikon gjoba prej 100 deri në 300 euro për personat juridikë dhe institucione publike që nuk e mbajnë shoferin e tyre të pajisur me gomat e duhura dimëror, por gjithashtu ka gjoba edhe për mungesë të zinxhirëve./kp