Në Hamburg është zhvilluar shorti për Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani. Shqipëria është në Grupin B së bashku me Spanjën e Kroacinë, derisa skuadra e fundit në grup është Italia.
Grupet e plota:
GRUPI A: Gjermani; Hungaria, Skocia, Zvicra
GRUPI B: Spanja; Shqipëria, Kroacia, Italia
GRUPI C: Anglia; Danimarka, Sllovenia, Serbia
GREPI D: Franca; Austria, Holanda, Fituesi i play-offit A
GRUPI E: Belgjika; Rumania, Sllovakia, Fituesi i play-offit B
GRUPI F: Portugalia; Turkia, Çekia, Fituesi i play-offit C
Përveç Gjermanisë nikoqire, 20 skuadra janë kualifikuar tani për turneun e verës së ardhshme, në mesin e të cila është edhe Shqipëria dhe tre vendet e mbetura do të vendosen përmes play-off-it në mars.
Në vazon e parë janë: Gjermania, Anglia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Portugalia.
Në vazon e dytë, bashkë me Shqipërinë janë edhe Danimarka, Hungaria, Turqia, Rumania dhe Austria.
Në të tretën: Holanda, Skocia, Sllovenia, Sllovakia, Kroacia dhe Çekia.
Ndërsa në vazon e katërt: Italia, Serbia dhe Zvicra deri tani, si edhe tri vendet e “playoff”-it.
Kjo do të jetë hera e parë që Gjermania do ta organizojë këtë ngjarje si e bashkuar.
Dhjetë qytete do të jenë nikoqire, ndërsa takimet do të zhvillohen në 10-të stadiume të klasit botëror.
Kampionati Evropian i vitit të ardhshëm do të fillojë më 14 qershor dhe do të përfundojë më 14 korrik.
Të rinjtë që jetojnë në Zvicër, Gjermani apo Austri, tani kanë mundësi të kthehen të punojnë në Kosovë, në Korporatën Speeex.
Platforma “Eeexplore Kosova” e cila u lansua të enjten, atyre që flasin gjermanisht, frëngjisht apo italisht, u ofron mundësi punësimi në sektorin e shërbimeve apo siç njihet BPO.
“Po të më thoshte dikush se do t’i thirrim diasporën të punojnë në Kosovë, nuk do të më besohej”, tha Fikret Murati, drejtor menaxhues i korporatës “Speeex”.
“Po e lansojmë një platformë me interes nacional, për ta thirrë diasporën në Kosovë, gjeneratën e dytë, në BPO”, tha Vigan Disha, anëtar i bordit të korporatës “Speeex”.
“Nuk d.m.th. që diaspora me i prishë letrat, por me ardhë me punu te familja e saj dhe me u kthy kur t’dojnë…”, tha Vedat Bajrami, aktor.
Projekti, indirekt ka për qëllim të ndikojë edhe në rritjen ekonomike të Kosovës, për çka u mirëprit edhe nga kryeministri Albin Kurti.
“Ky rast jo vetëm që tregon hap të rëndësishëm për Speex, por është tregues i qartë për ndikimin e mërgatës, në veçanti për ndikimin ekonomik nga Zvicra në Kosovës”, tha Kurti.
“Është një model i BPO, që mund të përcillet edhe nga të tjerë nga diaspora…”
Përveç përfitimeve tjera”, tha ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari.
Sipas ambasadorit të Gjermanisë dhe zëvendësambasadorit të Zvicrës, platforma Kosovës i shërben edhe në aspekte të tjera.
“Lansimi i platformës “Eksploro Kosovën” shënon një tjetër hap para në bashkëpunimin mes Zvicrës e Kosovës, popujve të tyre”, tha zv.ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Kristopher Fuchs.
“Kosovës i nevojitet një kompani si kjo, që i mban njerëzit brenda. Dhe mendoj se platforma që u lansua për ta integruar diasporën, është e jashtëzakonshme”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
Përveç punës në sektorin e shërbimeve përmes nënkontratave, të rinjve u ofrohet edhe mundësi shkollimi dhe banim me qira me çmim të volitshëm.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
13 pacientë të infektuar me HIV/AIDS i janë shtuar librit të regjistrimeve për pacientë të Klinikës Infektive në vitin 2023. E në këtë klinikë nga kjo sëmundje po trajtohen 65 pacientë.
“Krahas vitit paraprak ku ishin 9 raste të reja, këtë vit mund të themi se kemi një rritje të lehtë të rasteve me këtë sëmundje”, tha drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj.
Në Ditën Botërore të luftës kundër Sidës, sipas zëvendësministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, i rëndësishëm është informimi lidhur me rreziqet.
“Duhet të kenë qenë dhe të jenë pjesë e aktivitete e jo të mbesin komunitete të lëna anash”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se në Kosovë deri më tani janë raportuar 177 raste me virusin HIV. Përqindja më e lartë i takon gjinisë mashkullore. Njëkohësisht, Komuna e Prishtinës tashmë ka nisur fushatën për vetëdijesimin rreth rëndësisë së testimit.
“Jemi duke bërë fushata tash që të parandalohet përhapja e saj, të ketë sa më shumë testime, pasi që vetëm kështu mund ta parandalojmë përhapjen e saj”, tha drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.
Për më tepër, muajin e shkuar, kryeqytetit i është shtuar këshillimorja e parë për t’u testuar rreth sëmundjeve seksualisht të transmetueshme si HIV, Hepatit B, C dhe Sifilis.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Me rrafshimin e terrenit, ku Gani Demolli synonte të ndërtonte një stallë në Krilevë të Kamenicës, i kontraktuari Milaim Beka, me ekskavatorë, gërmoi edhe në pronë të shtetit.
Beka nuk arriti ta përfundojë atë që nisi, pasi punimet iu ndërprenë nga inspektorët komunalë që njoftuan Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Sipas të dhënave të KPMM-së, Milaim Beka i kontraktuar nga Gani Demolli, pa licencë, eksploatoi afro 100 metra kubë, gurë andezitë, në Pronën Shtetërore Ekonomia Pyjore. Në një përgjigje për ATV-në, tashmë i akuzuari Beka, tha se nuk ishte në dijeni se po gërmonte në tokë të shtetit.
“Nuk e kam ditur, se çfarë guri është. Unë kam hyrë për pronë private, por kur kanë ardhur inspektorët doli që është pronë e shtetit. Unë kam prekur shumë pak në tokë të shtetit”, tha Beka.
Referuar lëndës së përgatitur nga KPMM-ja, inspektimi i datës 20 nëntor në Krilevë rezultoi me sekuestrimin e dy kamionëve dhe një ekskavatori.
Por, sipas të akuzuarit Beka, pajisjet e përdorura gjatë aktivitetit të jashtëligjshëm, i janë kthyer.
“Kamionët i kanë liruar po atë ditë, ndërsa ekskavatorin e kanë mbajtur deri rreth datës 25 nëntor, nëse nuk gaboj”, tha Beka.
Ndërkaq, Gani Demolli, pronari i parcelës që ndodhet ngjitur me pronën shtetërore, konfirmoi se nuk ka poseduar asnjë leje që do t’i mundësonte gërmimin.
Këtë për televizionin e konfirmoi edhe inspektorati komunal.
“I lartcekuri arsyetimin e ka pasur që i duhet për stallë, gjoja se i ka thënë Ministria e Bujqësisë për rrafshim të hapësirës. Kjo përgjigje bie, sepse leja ndërtimore për objektin stallë merret në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Kamenicës. Ai s’e kishte atë leje e as pëlqim për shfrytëzim të hapësirës publike”, thuhet në përgjigjen e inspektoratit komunal.
Policia e ka cilësuar rastin si ‘’Ndotje, degradim apo shkatërrim i mjedisit’’, teksa ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal.
“Ju njoftojmë se njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Kamenicë në konsultim me prokurorin e shtetit, ka iniciuar rast për veprën penale “Ndotje, degradim apo shkatërrim i mjedisit”. Në lidhje me këtë, ndaj dy personave është ngritur kallëzim penal dhe rasti është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pa dhënë detaje lidhur me kthimin e mjeteve, Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar për ATV-në se tashmë ka pranuar kallëzimin penal.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, për këtë rast, sot, më 01 Dhjetor 2023, ka pranuar kallëzimin penal, nga Policia e Kosovës kundër të dyshuarve M.B dhe G.D. Ky rast do të ndahet në punë te një prokuror, i cili do të vendosë lidhur me veprimet e mëtutjeshme hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Ndërkaq, Inspektorati Komunal ka shqiptuar gjobë prej 800 eurosh ndaj Milaim Bekës. Nëse, gjoba paguhet në afatin e përcaktuar prej dhjetë ditësh, ai do të lirohet nga 50-përqindëshi i pagesës.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Kuvendi nuk do të mbajë seanca dy javë. Por, kur deputetët të kthehen përpara do ta kenë për shqyrtim Projektbuxhetin për vitin 2024.
Deri atëherë opozita po shpreson që pushteti do të reflektojë karshi disa kërkesave.
Kritika se nuk po merren parasysh amendamentet e propozuara nga opozita pati edhe shefi i grupit parlamentar nga AAK.
Ndërkaq, veç kësaj seance gjatë javës së dytë të dhjetorit do të mbahet edhe një seancë, më 15 dhjetor, ku Kuvendit do t’i drejtohet me fjalim vjetor presidentja, Vjosa Osmani.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Si zakonisht, seanca plenare nuk filloi me kohë. Andaj, ata pak deputetë e ministra që erdhën në sallë, vonesën njëorëshe e shfrytëzuan për llafe.
Kaq e qetë, Ganimete Musliu nuk ishte edhe kur seanca e dedikuar vetëm për pyetje parlamentare nisi. Mungesa e kryeministrit Albin Kurti dhe e disa vartësve të tij, nxiti reagimin e deputetes nga PDK-ja.
“Derisa na ua krijojmë luksin ata me ardhë me bo fushata e me rrejt popullin, me bo demagogji në këtë Kuvend dhe na i shikojmë prej ulëseve atyre hallall u koftë që nuk vijnë edhe me na rreh kapak. Andaj unë po tërhiqem nga kjo seancë”, tha deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.
Mospraninë e ministrave për t’i dëgjuar pyetjet e deputetëve e kritikuan edhe dy partitë tjera opozitare.
Seanca vazhdoi me pyetjet e ligjvënësve drejtuar pesë ministrave që ishin të pranishëm. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ishte ai që më së shpeshti doli në foltore.
Për dallim nga kolegu i tij, edhe pse e pranishme, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, refuzoi të përgjigjet në pyetjen e shtruar nga deputetja Eliza Hoxha.
Veç kështu nuk veproi edhe kur pyetja i erdhi nga deputeti i partisë në pushtet.
Për shkak të mungesës së kryeministrit dhe ministrave, shumica e pyetjeve parlamentare u barten për seancat e radhës.
Sidoqoftë, mosprania e ministrave në seanca plenare nuk është praktikë e re.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Shkoi për vizitë në Gjilan, por më së paku foli rreth qytetit. Albin Kurti në fakt diskutoi një mori çështjesh në nivel shtetëror, duke filluar nga dialogu me Serbinë.
Përgjigje pati edhe rreth marrëveshjes për energji. Sipas tij, të gjitha vonesat ndodhin nga pala tjetër tash gati dy vjet.
Më pas radha u erdhi projekteve të parapara për Gjilanin. Bashkë me kryetarin e qytetit, Alban Hyseni, kryeministri përmendi tri projekte.
I pari është stadiumi me rreth 15 milionë euro për të cilin procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme. Më pas unaza rrugore me përafërsisht 26 milionë euro, tashmë e buxhetuar. Dhe i treti është bulevardi, me rreth 20 mijë metra katrorë hapësirë publike, po ashtu i buxhetuar. Gjatë kësaj vizite kryeministri tha se do t’i ndjekë nga afër punimet që po bëhen në rrugën “Hamdi Kurteshi”.
Ndërkaq, nuk e ka komentuar deklaratën e ministrit Liburn Aliu, i cili tha se Kosova është projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:
Vetëm muajin e kaluar, më shumë se tre mijë qytetarët në katër komunat në veri të vendit hoqën targat ilegale serbe dhe regjistruan automjetet e tyre në RKS, duke shfrytëzuar mundësinë që u ofron një udhëzim administrativ i MPB-së.
Por, neni 6 i këtij akti nënligjor mundëson regjistrimin e automjetit edhe nëse pronari nuk i posedon targat – duke u shërbyer me një raport policor për humbjen ose vjedhjen e tyre.
Pikërisht në këtë kohë, në veri, janë shtuar rastet e raportimit të humbjes apo vjedhjes së targave dhe dokumenteve të automjeteve.
“Janë rritë raportimet për shembull për dokumente, libreza qarkullimi të humbura, targa të humbura, në përgjithësi këto raporte që kanë të bëjnë sidomos me targat e automjeteve”, tha Veton Elshani, zv.drejtor rajonal i Policisë – Mitrovicë e Veriut.
Duke marrë parasysh mungesën e komunikimit direkt me institucionet e Serbisë, ekspertë të sigurisë vlerësojnë se kjo dispozitë krijon hapësirë për regjistrim të automjeteve të dyshimta, të vjedhura apo që nuk i përmbushin kriteret.
“Mundësia e keqpërdorimit është shumë e madhe. Mos të harrojmë që aty mund të jetë edhe një çështje tjetër, ndoshta qarqe të ndryshme në veriun e vendit tentojnë që targat ilegale ndoshta t’i dërgojnë në Serbi, t’i kthejnë ato, që të mos lejojnë që ato targa të jenë pronë e institucioneve të Kosovës, që t’i dorëzojnë ato. Pra, lojëra të ndryshme”, tha deputeti, njëherit edhe ish-drejtor i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.
“Grupet kriminale të auto-krimeve mund të përdorin këtë vakum institucional-ligjor… Do të duhej të kishte një rishikim të këtij udhëzimi administrativ, që mos t’i jepet fare mundësia e interferimit grupeve kriminale”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.
Përkundër mundësisë së verifikimit përmes INTERPOL-it, koloneli në pension Rrahman Sylejmani nuk përjashton mundësinë e keqpërdorimit të këtij akti nënligjor, që ai e vlerëson joshës për komunitetin serb.
“Prej një X pronari, që për shembull shkon e paraqet në stacion policor, e nxjerrë një vërtetim apo raport policor se i kanë humbur, i janë dëmtuar, apo në forma tjera, me atë a fiton të drejtën formalisht për tërheqje dhe regjistrim në sistem të Republikës së Kosovës. Por, çdo veturë, çdo kërkesë i nënshtrohet verifikimit, pak ka mundësi edhe pse fillimisht ndoshta e mundëson që dikush ta vë në lajthitje organin, por ato verifikohen”, tha Sylejmani.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur në pyetjet e ATV-së për këtë çështje e as nuk ka treguar nëse do të shqyrtojë mundësinë e plotësim-ndryshimit të udhëzimit administrativ.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: