ATV

Author: ATVLive

  • S’dihet kur do të fillojë zbatimi i ligjit që mban dhunuesin larg viktimës

    S’dihet kur do të fillojë zbatimi i ligjit që mban dhunuesin larg viktimës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Vrasja e Hamide Magashit në oborrin e Gjinekologjisë nga burri i saj, pati ngritur alarmin tek institucionet për zbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike, i cili ishte miratuar qysh në vitin 2015.

    Një ditë pas varrimit të Magashit, Ministrja e Drejtësisë njoftoi se Qeveria do t’i ndajë 3 milionë euro për byzylykët që sinjalizojnë Policinë kur dhunuesi i afrohet viktimës.

    Ekzekutivi, për këtë ligj, në prill të 2023-tës, i ndau 600 mijë euro. Por, zbatimi ende nuk ka filluar. Derisa, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje se kur mund të vendosen hallkat e para, Ministrja e Drejtësisë, të martën foli vetëm për rëndësinë.

    Zvarritja e zbatimit të këtij ligji, sipas njohësve të fushës së drejtësisë, mund të çojë në viktima të tjera.

    “Derisa nuk zbatohet një ligj që është miratuar kaq moti, është tregues se mund të ketë raste të tjera të dhunës…”, tha avokati Yll Zeka.

    Megjithatë, një tjetër avokat propozon që vendosja e rrathëve sinjalizues, kurdo që ndodhë, të bëhet me kujdes.

    “Byzylykët nuk duhet të jenë të dukshëm, sepse kryerësit e veprave bëhen target i sulmeve…”, tha avokati Visar Rrecaj.

    Derisa Ligji për mbikëqyrje elektronike nuk është zbatuar disa gra të vrara në Kosovë viteve të fundit, u vranë derisa kishin urdhër mbrojte nga gjykata.

  • Shkolla e vjetër në Doganaj të Kaçanikut, në gjendje të rëndë

    Shkolla e vjetër në Doganaj të Kaçanikut, në gjendje të rëndë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Klasa pa ndriçim, të vogla e të ftohta. Në këto kushte mbajnë mësim 300 nxënësit e shkollës ”Ali Asllani” në Doganaj të Kaçanikut.

    Derisa Ministria e Arsimit i la anash, nxënësit janë detyruar të gjejnë alternativa të tjera për ta përballuar të ftohtin. Nga shtëpitë sollën këtë ngrohëse.

    “Shkollën e kemi në gjendje të keqe, pikon sa herë që bie shi, s’kemi as ndriçim, edhe është shumë ftohtë”, thotë Ylli Raka, nxënës.

    Zhvillimin e orës mësimore në këto kushte aspak të lehta, nuk e ka as mësimdhënësi, Xhevat Pojani.

    “Kjo shkollë i ka kushtet minimale për mësim. Ne vetëm në mesin e klasës e mbajmë mësimin se uji pikon, nuk e di ku është problemi po nxënësit po na pësojnë, se klasat e errëta e kushtet e rënda”, tha mësimdhënësi i Biologjisë, Xhevat Pojani.

    Drejtori i shkollës, Fitim Selmani, tha se ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje pse janë ndërprerë punimet.

    “Ende nuk kemi marrë përgjigje, në mënyrë elektronike e kam përcjellë një kërkesë me ditë pse nuk kanë fillua punimet, por s’kam marrë përgjigje”, tha drejtori i shkollës, Fitim Selmani.

    Përveç që menaxhmenti i shkollës nuk është në dijeni për pezullimin e punimeve, arsyet MASHTI nuk ia ka treguar as Komunës e përgjigje nuk i ka kthyer as ATV-së.

  • ​Interpoli lëshon fletarrest për Milan Radojçiqin

    ​Interpoli lëshon fletarrest për Milan Radojçiqin

    Interpoli ka lëshuar fletarrest për të sanksionuarin e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojçiq, mëson KosovaPress nga burime brenda institucioneve relevante.

    Radojçiq u pa së fundmi në manastirin e Banjskës në veri të vendit, ku qëndruan terroristët serbë, pas sulmit terrorist ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.

    Një pjesë e terroristëve kanë arritur të largohen, ndër ta edhe Radojçiq, i cili ishte i plagosur dhe shërohej në Serbi.

    Dy muaj më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar video nga banesa dhe vila ekskluzive e terroristit Milan Radojçiq për çka pati shkruar se kanë dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi grupit terrorist në Banjskë ishte Milan Radojçiq.

    Ndërkaq, hiç më larg se sot, është raportuar se Policia e Kosovës ka konfiskuar një anije me shpejtësi të madhe e që i përket Radojçiqit.

    Kujtojmë se edhe vetë ish-nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh i sanksionuari i SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojçiq, ka pranuar publikisht se ka marrë pjesë në organizimin e grupit terrorist që ushtroi agresion ndaj Kosovës, më 24 shtator. Lidhur me këtë ai është marrë në pyetje nga një Gjykatë në Beograd, ndërsa është liruar nga mbajtja, një ditë pas marrjes në pyetje.

  • ​Festivali folklorik në Libohovë, grupet folklorike paraqesin kostumet dhe traditën

    ​Festivali folklorik në Libohovë, grupet folklorike paraqesin kostumet dhe traditën

    Festivali Tipologjik Folklorik Kombëtar po mbahet aktualisht në Libohovë nën autoritetin e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale.

    Eventi folklorik që vjen në edicionin e tij të 15-të këtë vit sjell bashkë grupe nga shumë treva me qëllim evidentimin edhe të qyteteve më vegjël, krahinave me karakteristika të veçanta etnografike kostumeve, riteve tradicionale dhe pasurinë e botës materiale që i shoqëron ato.

    “Ne jemi përpjekur që pjesë e festivalit të jenë të gjitha trevat, të gjitha zonat që e interpretojnë polifoninë kështu që në këtë skenë do kemi të përfaqësuar jo vetëm zonën e Labërisë por edhe qyteza e fshatra më të vegjël e kultivojnë shumëzërëshin. Jemi përpjekur që të sjellim një program që nuk është i ezauzuar dhe i njohur nga publiku dhe siç u pa kemi prurje shumë të mira”, tha Niko Kotherja, kreu i Qendrës së Veprimtarive Tradicionale.

    Grupet pjesëmarrëse po prezantohen me disa prej aseteve të folklorit dhe isopolifonisë së Jugut që nga polifonia e bregut e këngët e Neço Mukës deri tek vajet e rralla të korit të grave të moshuara të Selosë.

    Guri Rokaj dhe grupi i tij nga Mallakastra sollën në festival motive të restauruara të kostumeve dhe një grup më të kompletuar në numër artisësh si dhe prurje të dedikuara folklorike.

    “Sot për Libohovën e Avni Rustemit do të sjellim dy këngë epike dhe një këngë humoristike. Përveç këngëve ne sjellim kostumet që janë pasqyra dhe karakteri i çdo grupi si pjesë e identitetit të kombit shqiptar,” tha Guri Rokaj nga grupi i Mallakastrës.

    Grupi i Himarës prej 40 vjetësh përcjell traditën e folklorit qindravjeçar të bregdetit. Katina Beleri marrëse e grupit flet për emocionet që përcjell shumëzërëshi i Himarës.

    “Jemi grupi polifonik i Himarës që e përfaqëson këtë zonë prej 40 vjetësh. Në këtë festival sjellim tri këngë, njëra e Neço Mukës, një tjetër këngë të vjetër “Erdhi prilli shkriu bora” dhe këngën e Amazonës që na i kërkojnë përherë,” u shpreh Katina Beleri nga grupi i Himarës.

    Festivali që zhvillohet çdo dy vjet evidenton edhe larminë me karakter etnik të prurjeve folklorike.

    Përzgjedhja e Libohovës për mbajtjen e eventit të këtij viti ishte në funksion të njohjes të qendrave në dukje të vogla administrative por që janë bartëse burimore të folklorit. Eventi i këtij viti po dallohet për numrin e madh të të rinjve dhe për risjelljen e disa prej motiveve të përcjella që prej mesjetës së vonë. /tch

  • ​Marrëveshja për refugjatët, nis diskutimi në Parlamentin e Shqipërisë

    ​Marrëveshja për refugjatët, nis diskutimi në Parlamentin e Shqipërisë

    Në komisionin parlamentar të sigurisë u diskutua projekt marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për emigrantët në shqyrtimin e azil kërkimit në vendin tonë.

    Në emër të qeverisë shqiptare ministri i Punëve të Brendshme Taulant Balla tha se kjo qendër do të ndërtohet tërësisht me financimet e palës italiane dhe bëhet fjalë për një qëndrim të përkohshëm të emigrantëve në Shqipëri.

    “Emigrantët nuk do dalin asnjëherë jashtë zonave gjatë gjithë qëndrimin në Shqipëri, në rast se do lokalizohen do kthehen në zonë duke iu dorëzuar palës italiane që administron kampin. Të gjitha shpenzimet për ngritjen e qendrave, shpenzimet shëndetësore, shpenzimet për sigurinë do mbulohen 100 për qind nga pala italiane dhe çdo shpenzim tjetër të paparashikuar,” tha Balla.

    Mbledhja e këtij komisioni u bllokua nga deputetët e opozitës, të cilët u ulën në vendet e kolegëve të mazhorancës, duke bërë që mbledhja të shtyhet për t’u zhvilluar online.

    Këtë bllokim të këtij komisioni e udhëhoqi deputeti Flamur Noka, i cili tha se “ne duam të lulëzojë biznesi i ndershëm shqiptar, jo mafia. ne duam marrëveshje kundër krimit”.

    Noka u ul në karrigen e Nasip Naços, kryerat i Komisionit të Sigurisë. /tch

  • ​Shumica e bullgarëve miratojnë anëtarësimin e Bullgarisë në BE

    ​Shumica e bullgarëve miratojnë anëtarësimin e Bullgarisë në BE

    Parlamenti Evropian publikoi të mërkurën sondazhin e tij të Eurobarometrit për vjeshtën 2023, duke demonstruar mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve për BE-në dhe interesin më të madh për zgjedhjet e ardhshme evropiane.

    Përqindja e bullgarëve që thonë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE është 57%, që e vendos vendin në vendin e fundit krahas Italisë (57%) dhe Austrisë (55%) dhe përfaqëson një rënie prej 10 pikë përqindjeje nga vendi tjetër, Qipro (67%).

    Arsyet kryesore të përmendura nga të anketuarit bullgarë janë mundësitë e reja të punës që sjell BE-ja (49%), përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve të BE-së (31%), me kontributin e BE-së në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë që mbetet në vendin e tretë me 25%.

    Prioritetet kryesore të Parlamentit Evropian sipas të anketuarve bullgarë duhet të jenë lufta kundër varfërisë dhe përjashtimit social (44%), mbështetja për ekonominë dhe krijimi i vendeve të reja të punës (39%), shëndeti publik (35%), si dhe temat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe e ardhmja e Evropës (të dyja me 23%).

    Veprimi për ndryshimet klimatike u njoh nga vetëm 11% e të anketuarve dhe migrimi dhe azili nga 9%.

    Të dhënat për Bullgarinë për standardet e jetesës janë afër mesatares së BE-së – 72% e të anketuarve (10 pikë përqindje më pak krahasuar me pranverën 2023) mendojnë se standardi i tyre i jetesës do të përkeqësohet vitin e ardhshëm. Nga ana tjetër, 59% e bullgarëve (më shumë se 20 pp mbi mesataren e BE) thonë se kanë vështirësi në pagesën e faturave ndonjëherë ose shumicën e kohës.

    Rreth 68% e të anketuarve të BE-së thonë se ka të ngjarë të votojnë nëse zgjedhjet e Parlamentit Evropian mbahen brenda një jave – një rritje prej 9 pp krahasuar me vjeshtën 2018. Ndërkohë, të dhënat për Bullgarinë tregojnë se vetëm 39% (2 pp poshtë krahasuar me vjeshtën 2018) e bullgarëve janë të interesuar për zgjedhjet e ardhshme evropiane dhe pak më shumë se gjysma e të anketuarve bullgarë (51%, 1 për qind më shumë në krahasim me vjeshtën 2018, 4 për qind më pak nga pranvera 2023) do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin brenda një jave. /BTA

  • ​Dhuratat e Krishtlindjes, italianët do të shpenzojnë 186 euro për person

    ​Dhuratat e Krishtlindjes, italianët do të shpenzojnë 186 euro për person

    Qendra kërkimore e shoqatës së shitësve me pakicë Confcommercio tha të mërkurën se 43 milionë njerëz në Itali do të blejnë dhurata për Krishtlindje të vitit 2023, me një shpenzim mesatar prej 186 eurove për person.

    Kjo është rritur nga 165 euro për kokë vitin e kaluar në terma realë, tha Confcommercio, sipas së cilës shpenzimet e përgjithshme për dhuratat e Krishtlindjes në Itali do të arrijnë në tetë miliardë euro.

    Ky nivel tejkalon shpenzimet për sezonet festive të vitit 2022 dhe 2021 (7.1 miliardë dhe 7.8 miliardë përkatësisht me çmimet e vitit 2023), por është ende nën atë të vitit 2020 (8.3 miliardë) dhe të periudhës para Covid-it.

    Më shumë se 73% e njerëzve të intervistuar për studimin do të japin dhurata dhe rreth 4 në 10 prej atyre që do ta bëjnë këtë e konsiderojnë blerjen e dhuratave “një shpenzim që pëlqejnë të marrin përsipër”. /ANSA

  • Psikologia thotë se diagnoza me “probleme të shëndetit mendor”, nuk e shfajëson një vrasës

    Psikologia thotë se diagnoza me “probleme të shëndetit mendor”, nuk e shfajëson një vrasës

    Psikologia Antigona Qenaj-Sejdiu, në emisionin ALARM në ATV, shpjegoi se personat të cilët kanë probleme të shëndetit mendor, jo gjithmonë mund të bëhen vrasës.

    Tendenca për të përcaktuar si me probleme të shëndetit mendor një vrasës, sipas psikologes Qenaj – Sejdiu, është për me e shfajësua vrasjen. Ajo thotë se vrasësi nuk mund të shfajësohet duke marrë një diagnozë të tillë.

    “Nuk ekziston ndonjë gjen i cili lidhet direkt me tiparet e një vrasësi. Ka tipare të caktuara, të cilat përshkruajnë një vrasës, siç është psikopatia, personi mundet me shfaqë simptoma të neuroticizmit, shfaqë vështirësi për me pasë empati ose nuk ka fare empati, nuk arrin me e ndje tjetrin, nuk arrin me i kuptu ndjenjat e tjetrit, nuk përjeton dhimbje ose nuk i vjen gjynah. Pra, këto janë vetëm tiparet e një vrasësi, por jo gjithmonë këta persona mund të bëhen vrasës. Etiketimet se persona të këtillë kanë probleme të shëndetit mendor, frikësojnë njerëzit të cilët përjetojnë realisht probleme të shëndetit mendor, dhe e dyta, tentohet që përmes etiketimit të tillë me u shfajësua kriminelët, e që në asnjë formë, nuk shfajësohet një person që është vrasës duke tentuar me marrë një diagnozë të tillë për me e arsyetua vrasjen”, tha psikologia Qenaj – Sejdiu.

    Duke komentuar rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ajo tha se me intervenimin e shpejtë të organeve të drejtësisë, qytetarëve iu është rritur ndjenja e shpresës dhe besimit në institucione.

    “Hajnat nëse i marrim, ata thjeshtë ekzistojnë edhe kriminelët e tjerë ekzistojnë edhe nuk nënkupton që ndonjë hajn ka probleme të shëndetit mendor. Kështu që Ligji vlen për të gjithë, Ligji duhet me qenë aty për t’i mbrojtur viktimat, sepse e pamë në rastin e fundit kur organet e drejtësisë e marrin situatën nën kontroll, të gjithë ne e rritëm ndjenjën e shpresës edhe të besimit, përkundër frikës që përjetuam secili prej neve, sepse secili kemi fëmijë, familjarë, vëlla motër, edhe patëm një ndjenjë të frikës që mund të na ndodh gjithsecilit, por kur organet reaguan me shpejtësi, të gjithë ne e përjetuam një ndjenjë të çlirimit, një ndjenjë shprese në institucione”, tha Qenaj – Sejdiu. /atvlive.tv

  • TikTok dhe ChatGPT, fajtorë për dështimin në “PISA”, sociologu jep alarmin

    TikTok dhe ChatGPT, fajtorë për dështimin në “PISA”, sociologu jep alarmin

    Sociologu Jeton Brajshori, në një prononcim për ATV-në, duke komentuar rezultatin e dobët të nxënësve të Kosovës në “PISA”, tha se një trend i tillë i rënies së rezultateve shihet të jetë prezentë edhe në gjithë Evropën.

    Ai përmend se rrjtet sociale, ndër ta TikTok-u dhe Intelegjenca Artificiale ChatGPT, janë ndër shkaktarët kryesor të rënies së interesimit të nxënësve për të mësuar.

    “Është e vërtetë që rezultatet kanë qenë shumë të dobëta, pra ato rezultate të cilat i kemi parë dje, mirëpo realisht në qoftë se i shohim në të gjitha vendet e Evropës, ka në përgjithësi në gjithë Evropën rënie të rezultateve, për arsye se shumica, edhe tek ne por edhe më gjerë, fëmijët sot nuk është që merren shumë me lexime, mirëpo më shumë kalojnë kohë në tiktok, pra merren me rrjete sociale dhe tanimë e kemi edhe ChatGPT-në, e cila është një formë e mirë e ndihmesës së nxënësve për të arritur diçka, të ketë pista të reja të hulumtimit, mirëpo edhe të keq përdoret dhe të përdoret vetëm për gjëra të tilla, atëherë e shohim në praktikë se rezultatet janë të dobëta”, tha Brajshori.

    Sipas tij, për të shënuar progres në këtë drejtim, duhet të zhvillohet më shumë mendimi kritik, duke filluar nga familja e pastaj të vazhdojë edhe nëpër shkolla.

    “Çka nënkuptojmë me analfabetizëm 80 për qind funksional, analfabetizëm funksional është kur personi di shkrim lexim mirë, por nuk di të mendojë. Nuk e kemi të zhvilluar mendimin kritik, gjë të cilën duhet ta fillojmë që nga familja, në shkollë dhe të vazhdojmë tutje t’i zgjerojmë njohuritë tona vetë”, tha Brajshori. /atvlive.tv

  • ​Shkyçet nga ujësjellësi Qendra Tregtare në Podujevë, kishte borxh 26 mijë euro

    ​Shkyçet nga ujësjellësi Qendra Tregtare në Podujevë, kishte borxh 26 mijë euro

    KRU Prishtina ka ndërmarrë sot një aksion për shkyçjen e borxhlinjve në disa komuna të Kosovës.

    Aksionet janë duke u zhvilluar në Podujevë, Shtime, Lipjan, Graçanicë, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.

    Për shkak të borxhit të papaguar në shumën 26 mijë euro nga rrjeti i ujësjellësit është shkyçur Qendra Tregtare në Podujevë.

    “S’ka ujë pa paguar faturat”, ka thënë KRU Prishtina në një postim në Facebook.