ATV

Author: ATVLive

  • “This Barbie is the President”, fraza e Osmanit iu bie në sy edhe mediave ndërkombëtare

    “This Barbie is the President”, fraza e Osmanit iu bie në sy edhe mediave ndërkombëtare

    Presidentja bëhet lidhja e dytë e Kosovës me filmin e suksesshëm të Hollywood.

    Fraza e fundit me të cilën përmbylli fjalimin para gazetarëve në fundvit presidentja Vjosa Osmani ishte një e shkëputur nga filmi i famshëm i këtij viti “Barbie”.

    Për këtë Osmani mori vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

    Një artikull për këtë e ka shkruar media amerikane “Politico”, përcjell Express.

    Me një xhaketë sportive rozë të ndezur të mërkurën, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kishte një mesazh për të mbyllur një konferencë për shtyp për gazetarët, shkruan ky medium.

    “Kjo Barbie është Presidente”, tha ajo, duke bërë shenjë me veten ndërsa dhoma shpërtheu në duartrokitje.

    Osmani – e cila u zgjodh si presidentja e dytë femër e Kosovës në vitin 2021 – ka qenë një avokate e barazisë gjinore në vendin e vogël ballkanik, duke folur kundër dhunës ndaj grave dhe duke kryesuar kabinetin më të barabartë gjinor në historinë e Kosovës.

    “Në arsim, sport, kulturë, biznes, shkencë apo politikë, gratë kanë treguar se janë të afta të arrijnë majat e suksesit… Për të gjitha gratë dhe vajzat e republikës, sot dhe çdo ditë: Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por më e rëndësishmja, kurrë mos ndaloni së besuari”, tha Osmani në një deklaratë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas këtë vit.

    Barbie, filmi kryesor i Hollywoodit i verës 2023, ka një tjetër lidhje befasuese me Prishtinën. Filmi përfshin një skenë të këngëtares angleze dhe shqiptare Dua Lipa, e cila u emërua Ambasadore Barbie — më falni, ambasadore nderi — e Kosovës në vitin 2022.

    Aktualisht nuk ka ndonjë të dhënë nëse Barbieland e njeh Kosovën, përmbyll artikullin Politico.

  • KEDS dhe KESCO sigurojnë se do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë për festat e fundvitit

    KEDS dhe KESCO sigurojnë se do të ketë furnizim të qëndrueshëm me rrymë për festat e fundvitit

    KEDS dhe KESCO njoftojnë të gjithë konsumatorët se aktualisht furnizimi me energji elektrike në Kosovë është stabil.

    Përgjatë tërë verës janë realizuar mirëmbajtje te nevojshme dhe qindra projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të kemi një rrjet të qëndrueshëm, sidomos përgjatë dimrit, kur kërkesat për energji elektrike janë më të mëdha.

    Meqë ndodhemi në prag të Vitit të Ri, janë paracaktuar mbi 400 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion të përkujdesen që konsumatorët të festojnë më drita.

    Përveç punimeve të planifikuara, KEDS-i ka punuar dhe punon vazhdimisht në mirëmbajtjen preventivt të rrjetit elektrik, me qëllim që të gjithë konsumatorët tanë të kenë furnizim stabil me energji elektrike.

    Megjithatë, furnizimi pa ndërprerje për qytetin e Malishevës mbetet ende sfidues, sepse, njëjtë siç kemi informuar edhe më parë, për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve transmitive të tensionit të lartë mund të shkaktohen mbingarkesa. Probleme të njëjta mund të kemi edhe në disa lokacione të kufizuara të qytetit të Ferizajit.

    Pavarësisht parapërgatitjeve të duhura e me kohë të bëra nga KEDS-i për furnizim të qëndrueshëm gjatë festave të fundvitit, respektivisht përgjatë dimrit, krahas një urimi të përzemërt për Vitin e Ri 2024, ju bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që ta përdorin energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale, sepse, duke qenë kështu, përveçse nuk shkaktohet ngarkesë e madhe në rrjet, energjia elektrike shpërndahet tek të gjithë dhe në mënyrë lineare.

  • Studentët bllokojnë për 24 orë qendrën e Beogradit, kërkojnë hapjen e listës së votuesve

    Studentët bllokojnë për 24 orë qendrën e Beogradit, kërkojnë hapjen e listës së votuesve

    Studentët filluan më 29 dhjetor një bllokadë 24-orëshe të kryqëzimit të rrugëve në qendër të Beogradit, duke protestuar pas akuzave për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit dhe duke kërkuar nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.

    Ky lokacion është një nga më të ngarkuarit në kryeqytetin e Serbisë.

    Ata po bllokojnë kryqëzimin e rrugëve Birçaninova dhe Kneza Millosha, në afërsi të ndërtesës së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale.

    Siç raportoi një gazetar i Radios Evropa e Lirë (RSE), policia rrugore po rregullon trafikun në një zonë dhe po shmang automjetet.
    Rruga Kneza Milosha është një nga rrugët më të frekuentuara në kryeqytet.

    Një nga organizatorët, Ivan Bjelic, duke folur me megafon, tha se automjetet e ambulancës do të lejohen të qarkullojnë gjatë bllokadës.

    Ai paralajmëroi një program muzikor gjatë bllokadës si dhe ngritjen e një kampi me tenda.

    Siç njoftuan më herët, bllokada do të zgjasë 24 orë – deri të shtunën e 30 dhjetorit në mesditë – kur planifikojnë t’i bashkohen protestës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë.

    Kjo është vetëm një nga protestat e studentëve. Të fundit u mbajtën më 27 dhjetor përballë Fakultetit Filozofik.

    Atë ditë ata kanë përsëritur zyrtarisht kërkesën e tyre për hapjen e listës zgjedhore për të përcaktuar nëse ka parregullsi në të.

    Studentët iu bashkuan protestave që kanë vazhduar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të thirrura nga koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës”, duke akuzuar ndër të tjera Partinë Progresive Serbe (SNS), që është partia në pushtet, për vjedhje në zgjedhje duke regjistruar në adresat e Beogradit votuesit e saj nga Serbia dhe jashtë vendit.

    Dyshime për rregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.

    Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje gjithashtu autoriteteve në Serbi që të hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë./REL/

  • ​Ushtarët italianë të KFOR-it do të mbajnë stërvitje pranë Zubin Potokut

    ​Ushtarët italianë të KFOR-it do të mbajnë stërvitje pranë Zubin Potokut

    Ushtarë italianë të caktuar në misionin e NATO-së në Kosovë KFOR, Ekipi Komanda-Lindje (RC-East), do të kryejë kërkesat vjetore të trajnimit amfib në Digën e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut, më 30 dhjetor 2023.

    Aktiviteti stërvitor do të përfshijë ushtarë nga ushtria italiane dhe anije italiane me qëllim që të plotësojnë kërkesat e specifikuara të trajnimit të njësisë, thuhet në njoftim.

    KFOR-i është një mision paqeruajtës i udhëhequr nga NATO, i përbërë nga pjesëtarë të shërbimit nga 27 vende dhe synon të krijojë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, duke ofruar paqe dhe stabilitetin në rajon.

  • ​Dy qytetarë në Viti gjejnë një kuletë me mbi një mijë euro, e dorëzuan në polici

    ​Dy qytetarë në Viti gjejnë një kuletë me mbi një mijë euro, e dorëzuan në polici

    Dy qytetarë në Viti pasi gjeten një kuletë në të cilën kishte edhe mbi një mijë euro para, kanë bërë një veprim ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare duke e dorëzuar atë në polici. Ndërsa, policia ka identifikuar personin që i kishte humbur portofolio, dhe të njëjtit në bazë të procedurave ligjore i është kthyer.

    “Sot (e premte) rreth orës 12:00 kanë ardhur në Stacionin Policor në Viti dy qytetarë dhe deklarojë se në rrugën “Adem Jashari” në Viti kanë gjetur një portofol me 1030 euro si dhe dokumente personale. Policia nëpërmjet rrugëve operative ka arrit me e identifikuar personin që i kishte humbur portofolio, dhe të njëjtit në bazë të procedurave ligjore i është kthyer, ku me rastin e kthimit të pranishëm ishte edhe qytetaret që e kishin gjetur portofolin”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Sipas raportit, pronari i kuletës falënderoi policinë dhe palët qe i kanë kthyer portofolion.

  • Ish-ambasadori holandez shkruan për vdekjen Dick Martyt: E mori të vërtetën në varr

    Ish-ambasadori holandez shkruan për vdekjen Dick Martyt: E mori të vërtetën në varr

    Dje është njoftuar se Dick Marty, ish-senator zviceran dhe autor i raportit mbi dyshimet për trafikim të organeve nga UÇK-ja, ka vdekur në moshën 78-vjeçare.

    Në lidhje me këtë temë, ka shkruar Robert Bosch, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë.

    Në shkrimin e tij, Bosch ka shkruar se është pikëlluese të lexosh këtë, për shkak se Marty e ka marrë të vërtetën e tij në varr.

    Më tutje, ai ka përmendur edhe faktin që Marty gjatë një interviste kishte deklaruar se shërbimi sekret serb kishte ofruar para për ta vrarë atë dhe për t’ia lënë fajin shqiptarëve.

    “Kohë më parë, Marty në një intervistë për mediat zvicerane tha se shërbimet sekrete serbe po ofrojnë para për ta vrarë dhe më pas për t’ua lënë fajin shqiptarëve”, ka shkruar ai në “Facebook”.

  • ​Agjencia për Informim e Privatësi pranon 666 ankesa për 2023

    ​Agjencia për Informim e Privatësi pranon 666 ankesa për 2023

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 ka pranuar gjithsej 666 ankesa që kanë të bëjnë me zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

    Për mohimin e qasjes në dokumente publike, AIP ka pranuar 549 ankesa, 449 prej tyre janë mbyllur, ndërsa 100 janë në proces të shqyrtimit.

    AIP njofton se janë shqiptuar 14 gjoba administrative për moszbatim të vendimeve detyruese: ndaj Komunës së Fushë Kosovës 10 gjoba, Universitetit Publik “Hasan Prishtina” një gjobë, Komunës së Shtërpcës një, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës një dhe Komunës së Gjilanit po ashtu një gjobë, teksa shuma totale e të gjitha gjobave është 47 mijë euro.

    Ndërsa, në kuadër të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, AIP ka pranuar 117 ankesa, ka kryer 118 inspektime, prej të cilave, 60 inspektime, sipas ankesës, 58 sipas detyrës zyrtare. Numri në total i vendimeve të nxjerra është 178.

    AIP ka shqiptuar katër gjoba, prej tyre tri për kontrollues privatë (Asistenca Rrugore e Kosovës dhe Asistenca Rrugore “Kenguri” për aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë, si dhe ‘Soma’ Sh. P. K. për mos zbatimin e vendimit të Agjencisë për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë); ndërsa një gjobë ndaj Partisë Socialdemokrate për publikimin e të dhënave personale. Shuma totale e gjobave është 32 mijë euro.

    Ndryshe, gjatë 2023, Agjencia për Informim dhe Privatësi është bërë anëtare me të drejta të plota në Shoqatën Frankofone për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

    Ajo është përfaqësuar në tetë konferenca ndërkombëtare dhe rajonale në cilësinë e panelistes, si dhe ka qenë nikoqire e Konferencës Rajonale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ‘’Iniciativa 20i7’.

    Janë lëshuar 48 këshilla dhe opinione ligjore për kontrollues publikë dhe privatë, janë miratuar katër rregullore dhe janë nxjerrë pesë udhëzues për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe janë lëshuar tetë vendime për transferim ndërkombëtar të të dhënave personale.

  • ​Haradinaj: Siguria e vendit kërkon më shumë seriozitet nga Qeveria Kurti

    ​Haradinaj: Siguria e vendit kërkon më shumë seriozitet nga Qeveria Kurti

    Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është i shqetësuar për trajtimin jo të dinjitetshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga qeveria aktuale.

    Ai në një postim në Facebook ka thënë se ka qenë gjithmonë në mbështetje të Forcës së Sigurisë.

    “Është mahnitëse gatishmëria e të rinjve tanë për të shërbyer për Atdheun. Sot u certifikuan edhe 325 ushtarë të rinj. Me këtë rast, uroj shumë suksese për ta, në këtë rrugë fisnike. Me përkushtim të madh, kam qenë gjithmonë në përkrahje të Forcave të Sigurisë, e po me atë përkushtim, ngritëm statusin e Forcës në Ushtri, me përkrahje të aleatëve. Por, sot ndjehem i shqetësuar për trajtimin jo të dinjitetshëm të Forcës nga qeveria aktuale. Me dhjetëra miliona euro të buxhetit, u humbën këtë vit, për shkak të papërgjegjësisë qeveritare”, ka thënë Haradinaj.

    Ai ka shtuar se siguria e vendit kërkon përkushtim madhor dhe serioz të qeverisë

    “Këto veprime të Qeverisë, cungojnë kapacitetet tona të sigurisë. Kosova do të hyjë në vitin që po vjen, me 58 milionë euro më pak armatim, municion e mjete ushtarake. Përpos vullnetit qytetar për të shërbyer, siguria e vendit kërkon përkushtim madhor dhe serioz të qeverisë”, është shprehur Haradinaj.

  • Policia merr një parcelë që përdorej nga institucionet serbe në Mitrovicë të Veriut

    Policia merr një parcelë që përdorej nga institucionet serbe në Mitrovicë të Veriut

    Anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut kanë miratuar propozimin për ndarjen e një parcele prej 27.400 metrash katrorë për Policinë e Kosovës, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

    Sipas informacioneve të Radios Evropa e Lirë, në atë hapësirë janë të vendosura Ndërmarrja Publike “Standard”, Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit dhe Autoriteti i Përkohshëm Komunal.

    Të gjitha këto institucione punojnë sipas sistemit serb.

    Udhëheqësi i partisë Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviq, shkroi në Facebook se në këtë parcelë ka edhe një sallë sportive.

    Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tha se vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut është “i paligjshëm”.

    Përmes një njoftimi, nga kjo parti thanë se vendimi u mor pa asnjë konsultim apo diskutim publik në të cilin do të duhej të merrnin pjesë qytetarët, duke shtuar se qëllimi i këtij vendimi është “përkeqësimi i situatës në terren dhe presioni ndaj popullatës serbe”.

    “Për shkak të këtij vendimi, Lista Serbe do të kërkojë një takim urgjent me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha ambasadorët QUINT-t dhe Bashkimit Evropian dhe do të kërkojë prej tyre reagimin urgjent ndaj synimit të regjimit në Prishtinë për të shkaktuar tensione të reja dhe kërcënimit të paqes dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, tha Lista Serbe.
    Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut aktualisht përbëhet kryesisht nga këshilltarë nga komuniteti shqiptar, për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në veri që u mbajtën në prill. Po ashtu, kjo komunë me shumicë serbe udhëhiqet nga kryetari Erden Atiq, i cili vjen nga partia, Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

    Arsenijeviq e ka krahasuar këtë vendim të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut me “okupim” dhe ka paralajmëruar se do të ndjekë “të gjitha procedurat demokratike dhe ligjore për ta zhbërë këtë vendim të paligjshëm”.

    Në fund të majit, në katër komunat në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe – u rritën tensionet pasi kryetarët e rinj shqiptarë nisën punën. Një përshkallëzim i dhunës ndodhi në Zveçan, ku protestuesit u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Në protestën e 29 majit u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it.

    Tensionet kulmuan më 24 shtator, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan në Banjskë të Zveçanit, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Komuniteti ndërkombëtar e dënoi ashpër sulmin dhe kërkoi që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
    Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Kosova për sulmin e fajëson shtetin e Serbisë, por Beogradi mohon përfshirjen.

  • Françoise Bettencourt Meyers bëhet gruaja e parë që zotëron pasuri 100 miliardë dollarëshe

    Françoise Bettencourt Meyers bëhet gruaja e parë që zotëron pasuri 100 miliardë dollarëshe

    Trashëgimtarja e L’Oréal, Françoise Bettencourt Meyers, është bërë gruaja e parë që ka arritur të zotërojë një pasuri prej 100 miliardë dollarësh (£ 78.5 miliardë; € 90.1 miliardë), sipas një renditjeje të njerëzve më të pasur në botë.

    Gjigandi francez i bukurisë i themeluar nga gjyshi i saj është në rrugë për performancën më të mirë në bursën e aksioneve në dekada, duke shënuar një nivel rekord në Paris të enjten.

    Kompania ka shënuar rimëkëmbjen e shitjeve pas pandemisë, kur njerëzit në izolim përdornin më pak makeup.

    Pasuria e zonjës Bettencourt Meyers, kaloi 100 miliardë dollarë në Indeksin e Miliarderëve të Bloomberg, duke e bërë atë personin e 12-të më të pasur në botë, transmeton atvlive.tv.

    Ajo është ende larg nga konkurrenti francez Bernard Arnault, i cili është i dyti në listë me një pasuri prej 179 miliardë dollarësh. Arnault është themeluesi i LVMH, grupi më i madh i luksit në botë, i cili posedon një portofol me marka të shtrenjta si Fendi dhe Louis Vuitton.

    Zonja Bettencourt Meyers është zëvendëspresidente e këshillit të kompanisë. Ajo dhe familja e saj janë aksionerët më të mëdhenj të kompanisë L’Oréal me një pjesëmarrje rreth 35%.

    Ajo u bë trashëgimtare e L’Oréa pas vdekjes së nënës së saj, Liliane Bettencourt, në vitin 2017. /atvlive.tv