ATV

Author: ATVLive

  • Gjendje e rëndë prej mbeturinave në lagjen Kalabria ku është planifikuar të ndërtohet “Rruga A”

    Gjendje e rëndë prej mbeturinave në lagjen Kalabria ku është planifikuar të ndërtohet “Rruga A”

    Kryeqyteti vazhdon të ketë probleme me mbeturinat. Disa kontejnerë janë të stërmbushur derisa qese e gjera të tjera kanë dalë edhe jashtë tyre.

    Në lagjen Kalabria, ku është planifikuar të ndërtohet rruga “Jim Xhema”, e njohur edhe si “Rruga A”, problemi me mbeturina vazhdon të mbetet pas zgjidhje.

    Në fotot e siguruara nga ATV, shihet një gjendje e rëndë prej mbeturinave, për shkak të numrit të vogël të kontejnerëve dhe mos mbledhjes së tyre. /atvlive.tv

  • 2023 ta, vit i sulmeve ndaj policisë në veri, KFOR-it, EULEX-it dhe gazetarëve

    2023 ta, vit i sulmeve ndaj policisë në veri, KFOR-it, EULEX-it dhe gazetarëve

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Nga nëntori i 2022-s, kur kryetarët e katër komunave në veri nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje kryetarët e rinj u caktuan vetëm në prill. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të atij muaji kaluan pa asnjë incident. Pa ndonjë telashe kaloi edhe betimi i tyre, ndonëse u bë në objekte shkollore e alternativa të tjera.

    Por, kaq qetë nuk ishte edhe kur Lulzim Hetemi i Leposaviqit, Izmir Zeqiri i Zubin Potokut e Ilir Peci i Zveçanit me 26 maj hynë në objektet e komunave respektive.

    Grupe të qytetarëve serbë u mblodhën para ndërtesave komunale, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale, teksa sulmuan Policinë e në disa komuna pati të shtëna me kallashnikov.

    Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur protestuesit serbë në komunën e Zveçanit sulmuan pjesëtarët e KFOR-it, të cilët morën kontrollin e objektit të Komunës.
    Nga mjete të forta, shok-bomba të improvizuara e gjuajtje me armë, 93 ushtarë të misionit të NATO-s u plagosën rëndë dhe lehtë. Për pasojë, disa prej tyre e patën të pashmangshëm amputimin e gjymtyrëve.

    Nga sulmet nuk u kursyen as ekipet e mediave. Gazetarët, sipas AGK-së, u sulmuan mbi 20 herë. Sipas institucioneve kosovare, pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” dy organizata këto që më pas u shpallën terroriste, ishin prapa këtyre protestave të dhunshme.

    Ky mobilizim i serbëve për t’i kundërshtuar kryetarët shqiptarë, zgjati rreth 3 javë. Megjithëse, që nga maji, tendat e vendosura pranë objekteve komunale vazhdojnë të qëndrojnë.

    Tensionet e fundmajit, sipas njohësve të sigurisë, sollën frikë dhe panik te qytetarët e asaj pjese.

    Ndërkaq, vlerësohet se Kosova nuk e shfrytëzoi siç duhej gjithë këtë situatë të krijuar.

    Në Kosovë, deri më tani, janë arrestuar dhjetë persona për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

    Si lider i “demonstruesve të dhunshëm” u identifikua Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe është ende në paraburgim.

  • Bizneset private “vuajnë” nivelin e ulët të fuqisë punëtore

    Bizneset private “vuajnë” nivelin e ulët të fuqisë punëtore

    Përgatiti: Sara Shehu

    Gati 70 për qind e bizneseve këtë vit kanë shprehur shqetësim për shkak të mundësisë së largimit të fuqisë punëtore pas liberalizimit të vizave.

    Në një konferencë për media, Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, tha se institucionet qendrore duhet të punojnë në aspektin e përmirësimit të situatës në sektorin ekonomik.

    “67 për qind e bizneseve janë shumë të shqetësuar nga largimi i punëtorëve, pas 1 janarit me liberalizimin e vizave. 27 për qind kanë deklaruar se është e shqetësuese, 4 për qind kanë deklaruar si pak shqetësuese dhe 2 për qind kanë deklaruar se nuk është aspak shqetësuese”, tha Rafuna.

    Sfidë kryesore, sipas tij, gjatë viti 2023 bizneset kanë pasur edhe mungesën e personelit të kualifikuar. Mes tjerash, Rafuna shtoi se pritet që këtë vit të mos ketë rritje të inflacionit.

    “Pritjet tona janë që në vitin 2024 nuk do të këtë rritje të inflacionit dhe normave të interesit. Do të këtë ulje të inflacionit. Ky është një lajm i mirë edhe për bizneset që në vitin 2024 do të këtë rënie të normave të interesit. Kemi bërë një analizë me 500 biznese të sektorëve të ndryshëm dhe kemi nxjerrë se cilat kanë qenë sfidat dhe barrierat në vitin 2023. Del që gjatë vitit ka pasur një mungesë të kërkesës, këtu hyn edhe ndërtimtaria te shitja e banesave, 53 për qind kanë deklaruar që ka mungesë të porosive. 70 për qind kanë deklaruar që kanë mungesa të personelit të kualifikuar. Problemi me mungesë të energjisë elektrike kanë deklaruar se kanë 28 për qind”, tha Rafuna.

    Sidoqoftë, ai tha se Oda Ekonomike gjatë këtij viti do të realizojë një sërë projektesh për normalizimin e situatës në aspektin ekonomik për kompanitë private. Derisa nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian, Kosova ka humbur rreth 300 milionë euro projekte.

  • Greqia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës këtë vit

    Greqia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës këtë vit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Pas një kohe të gjatë pa njohje, pavarësinë e Kosovës këtë vit pritet ta njohë një shtet.

    Sipas zëvendësministrit të Jashtëm dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, Kosova mund të njihet nga Greqia, meqë raportet mes dy vendeve janë përafruar shumë.

    Ahmeti shprehet optimist se në vitin 2024 do të ketë edhe lëvizje pozitive sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, duke thënë se nuk ka asnjë kushtëzim lidhur me dialogun me Serbinë.

    Ahmeti komentoi edhe masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Këto masa, sipas tij, po e dëmtojnë vendin dhe po japin sinjal të gabuar për tërë rajonin.

  • Janari, muaji më kritik sa i përket ndotjes së ajrit

    Janari, muaji më kritik sa i përket ndotjes së ajrit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Shtimi i veturave, ulja e temperaturave e përdorimi më i madh i energjisë ka bërë që ndotja e ajrit të jetë më e theksuar në muajin janar.

    Andaj po bëhet thirrje te qytetarët e në veçanti ata me sëmundje kronike të kenë kujdes dhe t’iu shmangen daljeve në mëngjes dhe në mbrëmje, kur ajri është më i ndotur.

    Pasojat në shëndet që vijnë nga ndotja e ajrit, sipas asamblistëve, nuk janë të vogla. Sipas ambientalistit Alban Hyseni, faktor tjetër që po ndikon në shëndetin e njeriut janë edhe ndryshimet klimatike të cilat ndodhin në këta muaj.

    Në anën tjetër, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës në vitin që e lamë pas, ka pasur përmirësim të ajrit krahasuar me vitet paraprake.

    Ani pse indeksi i cilësisë së ajrit duhet të jetë nën 25 mikrogramë, në kryeqytet të enjten cilësia e ajrit ishte 68.

  • Më 2024, synohet zgjidhja e problemeve të vjetra në veri

    Më 2024, synohet zgjidhja e problemeve të vjetra në veri

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi e Zubin Potoku, ishin cak i Policisë për kryerjen e shumë aksioneve, gjatë vitit 2023.

    “Ka ardhë koha që ne të veprojmë – kemi vepru. Sfidat kanë qenë të mëdha. Rasti në Banjskë, vrasja e Afrimit. Sulmet me armë. Bllokadat. Ka pasë shumë aktivitete. Por duhet të pasqyrohen në raport të veçantë”, tha zëvendësdrejtori i stacionit të Policisë në Veri, Veton Elshani.

    Kështu, niveli i sigurisë në këtë pjesë të Kosovës, sipas zëvendësdrejtorit të policisë, ka arritur në fazë ku nuk mund të ketë kthim prapa.

    “Mund të them se asnjëherë nuk ka qenë më në kontroll. Këtë e kemi pa në praktikë. Ndryshe ka qenë në nëntor të vitit të kalum dhe në prill të këtij viti. Ndryshe është sot. Tash mund të dalësh me makinë dhe lëviz kudo në veri”, tha Elshani.

    Për të arritur në këtë pikë, një moment konsiderohet pikë e vërtetë kthese – aksioni në Banjsjkë.

    “Konsideroj që nëse flasim me matematikë: 10 për qind kanë ndiku veprimet para Banjskës, dhe 90 për qind ka ndiku reagimi në Banjskë, në kthesën për kontroll. Banjska e ka pasë viktimën, po mënyra e reagimit tonë, ka tregu se jemi të vendosur, nuk do të thotë që nuk munden me na dëmtu, por ne jemi të vendosur në rrugën tonë”, tha Elshani.

    “29 maj. Nuk duhet me e harru këtë datë. Sepse gjithçka filloi aty e kulmoi më 24 shtator. Prej asaj dite dhe tani ku po flasim, është arritur një qetësi”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Megjithatë, vlerësohet se ende kanë mbetur punë të pakryera.

    “Ne kemi sfida të tjera. Kemi banesa të uzurpume, të cilat duhet me u liru me abitat. Ura psh: është simbol i ndarjes, nuk ka asnjë arsye me qenë ashtu”, tha Elshani.

    “Në 2024 pres që në veri të shtrihen edhe institucionet e tjera siç është edhe ARBK-ja, regjistrimet e bizneseve, njerëzit duhet të fillojnë të paguajnë taksa, ujë rrymë…”, tha Elshani.

    Asgjë nuk do jetë siç ka qenë. Organet tona janë konsolidu. Kanë kapacitete për veprim në çdo kohë e çdo vend, për arsye sepse e mbrojnë”, tha Dashevci.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian është në pritje të një raporti përfundimtar të institucioneve të Kosovës, lidhur me hetimet për sulmin terrorist në Banjskë.

  • Qytetarët nuk pajtohen me vendosjen e shenjave para ndërtimit të urës

    Qytetarët nuk pajtohen me vendosjen e shenjave para ndërtimit të urës

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Projekti për të cilin qytetarët e Vitisë pritën gjatë, nuk iu doli siç e prisnin.

    Duke thënë se kjo është krejt e pakuptimtë, qytetarët frikësohen për fëmijët e tyre të cilët nëse ndjekin shenjat rrugore mund t’iu ndodhë ndonjë tragjedi.

    “Këtu s’ka as trotuar në pjesën tjetër është rrezik…”, tha Mihane Behxheti, qytetare.

    Pavarësisht kësaj, vitiasit shprehen optimistë se kjo do të rregullohet shumë shpejt.

    “Normal është pak rrezik, por ia kanë filluar të rregullojnë, shpresoj që edhe kjo të rregullohet”, tha Ekrem Ismaili, qytetar.

    Sipas asamblistit të PDK-së, Taulant Haxhiu, aty ishte planifikuar ndërtimi i një ure.

    Sidoqoftë, Haxhiu thotë se vendosja e shenjave para ndërtimit të urës për këmbësorë nuk arsyetohet.

    “Këtu kanë pasë qëllim që me bo qarkullimin në të dy kahet, por faji kryesor është tek inxhinieri dhe komuna, sepse kjo është krejt e pakuptimtë…”, tha Haxhiu.

    Por, kjo nuk është hera e parë me probleme të tilla në Viti.

    2 vjet më parë, semaforët në udhëkryqin Viti – Pozheran, ishte vendosur gabimisht, të cilët më pas u rregulluan.

  • Serbia e kthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Serbia e kthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ta mbrojnë shtetin e Serbisë nuk duan as ata që paguhen për këtë. Sipas të dhënave të Sindikatës së Ushtrisë së Serbisë, rreth 12 mijë profesionistë janë larguar nga ky institucion për shkak të kushteve, derisa mosha mesatare e ushtrisë serbe është 44 vjet.

    Këto të dhëna u publikuan në mediat serbe, pas njoftimit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë që i propozoi presidentit Aleksandar Vuçiq rikthimin e detyrimit për të shërbyer në ushtri deri në katër muaj.

    Një gjë e tillë ishte pezulluar tash e 13 vjet e sipas Ministrisë së Mbrojtjes, atje ushtria ka nevojë të plotësojë kuadrin rezervë. Ambiciet e shtetit serb për të shtuar numrin e ushtarëve ngjallën reagime edhe në Kosovë.

    “I kanë ble pajisjet e armatimin, por nuk kanë kapacitete njerëzore. Ata deklarojnë ndryshe në kuptim të vlerësimit të rreziqeve…, por realiteti lidhet me Kosovën dhe rajonin në përgjithësi me Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën në veçanti”, tha Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë.

    “Ky kontingjent që dalin në rrugë e protestojnë se janë të pakënaqur me sistemin social ekonomik e me perspektivën brenda vendit dëshiron t’i mbyllë ku edhe i disiplinon dhe i ushqen me frymën e patriotizmit”, tha deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

    Por shtimi i numrit të ushtarëve serbë nuk ka efekt në çështjet e sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës.

    “Kurrë Serbia nuk do ta shuajë ambicien e Kosovës… nesër me na gjet të papërgatitur na sulmon.. çka është detyrë e jona, nuk është preokupimi pse ata po e bëjnë detyrimin apo e rritin kapacitetin, se kjo është koncept komunist, sepse nuk e ka efektin, preokupimi ynë është ngritja e kapaciteteve ushtarake profesioniste që i kemi në plan”, tha Berisha.

    “Nuk ka kurrfarë efekti në çështje të sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës, kurrë pa dashtë me shmang atë që Serbisë nuk i shuhet ambicia për Kosovën. E jona është që t’i ngremë standardet dhe kapacitetet dhe do të shihet që Serbia nuk paraqet rrezik.”

    Serbia ka pothuajse 22 mijë e 500 ushtarë aktivë, ndonëse Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka vite që nuk ka publikuar të dhëna të sakta, edhe pse është e obliguar ta bëjë.

  • Tenderi 2.6 milionësh i “bllokuar”, MPB ja me procedurë emergjente bleu targa

    Tenderi 2.6 milionësh i “bllokuar”, MPB ja me procedurë emergjente bleu targa

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Derisa, tenderi 2 milionësh i Ministrisë së Punëve të Brendshme për “Furnizim me targa të automjeteve” nuk u nënshkrua as pas një viti, kjo ministri me procedurë emergjente ka blerë targa në vlerë 270 mijë euro.

    Urgjenca për blerjen e targave erdhi edhe pas interesimit të madh të qytetarëve serbë për t’i konvertuar ato ilegale në RKS.

    “Agjencia për Regjistrim Civil ka njoftuar se ka nevojë për targa shtesë dhe është e nevojshme të zhvillohet kjo procedurë e furnizimit emergjent, në mënyrë që të kemi mundësi t’i mbulojmë kërkesat e qytetarëve, sidomos për riregjistrimin e automjeteve me tabela serbe të qyteteve të Kosovës në ato RKS, për rajonin 02, deri në përzgjedhjen e kontraktuesit, sipas procedurës së hapur të prokurimit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

    Aktualisht qytetarët i kanë në dispozicion rreth 30 mijë palë targa.

    “Numri i targave për regjistrimin e automjeteve në dispozicion është: 27.956 palë targa RKS, por nga kjo sasi 5.393 palë targa për regjionin 02, janë me kontratë emergjente”, thuhet më tej në njoftimin e MPB-së.

    Teksa kritikoi Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe Autoritetet Kontraktuese për zvarritjen e tenderëve me procedurë të hapur, avokati Qëndrim Arifi nuk preferon këtë formë të cilën e ka ndjekur MPB-ja në këtë rast.

    “Herë me qëllim e herë pa qëllim, OSHP-ja dhe Autoritetet Kontraktuese i zvarrisin tenderët, ndërkohë procedurat ku kërkohet furnizim emergjent, pra janë të mbyllura dhe nuk janë aspak të preferuara, sepse nuk janë as transparente”, tha Arifi.

    Ministria e Punëve të Brendshme hapi thirrjen për tender për furnizim me targat e automjeteve në dhjetor të vitit 2022. Teksa, vlera e parashikuar e tenderit është 2.6 milionë, MPB-ja planifikonte blerjen e mbi 320 mijë palë targash të ndryshme.

  • Kurti, Konjufca e Haxhiu dënojnë rrahjen brutale të politikanit serb

    Kurti, Konjufca e Haxhiu dënojnë rrahjen brutale të politikanit serb

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Homazhet te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz, politikanit serb Nikola Sanduloviqit i kushtuan me arrestim dhe maltretim.

    Avokati i tij, Çedomir Stojkoviq, publikoi vendimin e autoriteteve serbe ku thuhet se ai akuzohet për kryerje të veprës penale të urrejtjes kombëtare, racore e fetare.

    “Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari Nikola Sanduloviq ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, dhe impotencës, në atë mënyrë që përmes rrjetit social X publikoi një përmbajtje në formë të videos, ku bën homazhe te varret në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz”, thuhet në arsyetimin e autoriteteve serbe.

    Ish-kandidati për president të Serbisë, është i vetmi politikan serb që ishte në Prekaz për t’i nderuar anëtarët e familjes Jashari, të cilët u vranë pikërisht nga forcat serbe në vitin 1998.

    Nikolla Sanduloviq, sipas avokatit, është ndaluar nga BIA dhe është rrahur brutalisht, derisa ka pasur raportime se ai është paralizuar. Për rrahjen e politikanit serb reagoi edhe kryeministri Albin Kurti.
    “Ky brutalitet i papërshkrueshëm përfaqëson tarifën që qeveria serbe u imponon qytetarëve të saj për guximin për të pranuar të vërtetën dhe për të ndjekur pajtimin. Ai, gjithashtu, përbën një shkelje serioze të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sulm të ngjashëm me Putinin ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, ka shkruar Kurti.

    Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar ta dënojnë aktin.

    “I bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike, që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”, ka shkruar Konjufca.

    “Serbia është ende në vitet e ‘90-ta dhe larg normalizimit të saj. Atje rrihet i vetmi opozitar dhe tentohet të eliminohet vetëm se e pranon të vërtetën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Haxhiut.

    Kjo nuk është hera e parë që Nikola Sanduloviq, politikan i cili përkrah shtetësinë e Kosovës, është në prag të vdekjes. Ai edhe ishte helmuar dy vjet më parë. Sanduloviq, mes tjerash, është ndër figurat e pakta në Serbi që e përkrahin hapur pavarësinë e Kosovës.