ATV

Author: ATVLive

  • Tahiri: Paga mesatare në sektorin publik duhet të jetë 1000 euro

    Tahiri: Paga mesatare në sektorin publik duhet të jetë 1000 euro

    Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në mbledhjen e kryesisë nuk janë trajtuar tema jetike.

    “Më 14 shkurt 2021 ka qenë dita kur fitoi Vetëvendosje. Të enjten kur edhe kemi seancë, hyjmë në vitin e katërt të kësaj qeverie. Janë disa tema jetike për AAK-në të cilat do t’i ngrisim përmes 3 iniciativave”, tha Tahiri duke përmendur ato.

    Ai tha se kanë mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Tutje, ai tha se AAK do të merret me pagat në sektorin publik, duke shtuar se paga mesatare duhet të jetë 1000 euro, dhe në fund tha se do të merren edhe me Ligjin për Pagën Minimale.

    “Kemi mbledhur nënshkrimet për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për ligjin e Sigurimeve Shëndetësore. Mos e bë Zot me iu sëmurë dikujt prindi apo fëmija, krejt kursimet duhet me i shkri, me hy në borxh për shërimin. Paga në sektorin publik – Me ligjin e Pagave dhe ka të bëjë me iniciativën tonë që e kemi nisur javën e kaluar, për Amandamentimin e Ligjit të Pagave. Mendojmë që në sektorin publik paga mesatare duhet të jetë 1000 euro, një drejtor nuk guxon me pas rrogën nër 1000. Dhe me Ligjin për Pagën Minimale në sektorin privat dhe në momentin kur kjo iniciativë të përfundojë atëherë të veprojmë me Amandementimin e Ligjit për Pagën Minimale”, tha Tahiri.

  • “Kam menduar që të ka mbetur një grimë UÇK”, debatojnë Berisha e Maqedonci

    “Kam menduar që të ka mbetur një grimë UÇK”, debatojnë Berisha e Maqedonci

    Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha e ka pyetur sot ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin për takimin që disa media patën raportuar të ketë ndodhur mes tij, shefit të AKI-së, Petrit Ajetit dhe sekretares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit. Derisa për Ajetin ishte mohuar të ketë qenë pjesë e takimit, Maqedonci pati deklaruar se me Milhalin ishte takuar rastësisht duke ecur në malin e Gërmisë.

    Lidhur me këtë Maqedonci tha se “nuk është e ndaluar të takohemi me njerëz që funksionojnë në vend.”

    “Nuk konsideroj që është e ndaluar të takohemi me njerëz që funksionojnë në këtë vend”, ka thënë Maqedonci derisa ka mohuar që Ajeti të ketë qenë pjesë e takimit.

    Ndërsa deputeti i AAK-së, Bekë Berisha i është kundërpërgjigjur.

    “Kam menduar që të ka mbetur një grimë UÇK”, tha ai në mbledhjen e komisionit.

  • Kosova partner i fuqishëm ekonomik për Shqipërinë

    Kosova partner i fuqishëm ekonomik për Shqipërinë

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka pritur në takim zëvendësministrin për Evropë dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë Besart Kadia. Në këtë takim u tha se Kosova partner i fuqishëm ekonomik për Shqipërinë. Rafuna ka thënë se qëllimi i këtij takimi ishte adresimi i sfidave që paraqiten te bizneset, si dhe për ta bërë tregun e të dyja vendeve atraktiv për vizitorë.

    Rafuna tha se OEK është e gatshme për të kontribuar për thellimin e bashkëpunimit.

    “Do të bisedojmë se cilat janë kërkesat dhe idetë, për një zhvillim ekonomik mes dy qeverive. Ne si Odë Ekonomike jemi të gatshëm të labojrojmë për themelimin e bashkëpunimit”, tha Rafuna.

    Ndërsa, zëvendësministri Kadia u shpreh se synimi i këtij takimi është tregu atraktiv për të dyja shtetet.

    “Është një potencial i cili është i pafundmë sa i përket benefiteve dy palësh si u tha në takimet, ky është takimi i dytë i çështjeve diplomatike. Mbi 1287 biznese kosovare që është tregues i potencialit, ndërsa nga Shqipëria 2022 biznese janë të regjistruara në Kosovë. Prandaj synimi është tregu atraktiv për të dy shtetet”, u shpreh ai.

    Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj shtoi se Kosova do të jetë një partner i fuqishëm për Shqipërinë.

    “Kosova do të jetë një partner i fuqishëm për Shqipërinë. Ne e dimë se kemi çfarë të bëjmë, janë bërë gjëra të mira, por këto diskutime janë për t’i bërë akoma më mira,” shtoi Malaj.

    Takimi po mbahet i mbyllur për media./KP

  • Futbollisti i Llapit zgjedhet “Ylli i javës” në Superligë

    Futbollisti i Llapit zgjedhet “Ylli i javës” në Superligë

    Çmimi “Ylli i javës” për javën e 19-të, në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të Llapit, Diar Vokrri.

    Vokrri gjatë gjithë ndeshjes Drita-Llapi pati paraqitje të shkëlqyeshme në fazën defanzive, derisa ishte edhe asistues në golin e fitores të shënuar nga Arbnor Ramadani.

    Pasi mori këtë çmim mbrojtësi llapjan u shpreh i lumtur për vlerësimin dhe fitoren e skuadrës së tij në derbi, përcjellë KosovaPress.

    “Është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam shumë i lumtur për çmimin Ylli i javës . Është hera e parë që e fitoj këtë çmim dhe kjo më jep motiv shtesë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen. Fitorja kundër Dritës na shtyn para drejt synimeve tona në këtë edicion, pasi e dimë që Llapi këtë edicion është pretendent për titull dhe shpresojmë që në fund ta festojmë. Falënderoj bashkëlojtarët dhe klubin, ngase pa mbështetjen e tyre nuk do të isha sot këtu”, ka theksuar Diar Vokrri për faqen zyrtare të FFK-së.

  • ​Mourinho nis ta mësojë gjuhën gjermane, synon stolin e Byernit

    ​Mourinho nis ta mësojë gjuhën gjermane, synon stolin e Byernit

    José Mourinho nuk ndalet kurrë. Pas largimit të tij nga Roma, trajneri duket se po përgatit ardhjen e tij të re. Të paktën po përgatitet në rast se do të krijohet mundësia në të ardhmen.

    Sipas informacioneve të gazetës gjermane “Bild”, portugezi ka filluar ta mësojë gjermanisht. Që prej largimit nga Italia, vazhdimisht publikohen lajme për të ardhmen e tij. Dhe kjo e fundit tregon mësimin e gjuhës si një opsion për të qenë në gjendje të marr drejtimin e Bayern Munich në të ardhmen.

    Përveç uljes në stolin e një tjetër prej të mëdhenjve të Evropës, Mourinho do të kishte një motiv edhe më të madh për të marrë frenat e gjigantit bavarez. Pasi pushtoi Ligën Portugeze (Porto), Ligën Italiane (Inter Milan), Ligën Angleze (Chelsea) dhe Ligën Spanjolle (Real Madrid) , tani trajneri do të donte të plotësonte kuintetin e tij të veçantë duke u përpjekur të fitonte ligën gjermane, përcjellë KosovaPress.

    Madje, sipas “Bild”, nuk është hera e parë që klubi gjerman shfaqet në horizontin e portugezit, pasi ai kishte flirtuar tashmë me postin e trajnerit të Bayernit në të kaluarën.

    E gjithë kjo lind edhe në një moment delikat për skuadrën gjermane pas disfatës së dhimbshme të pësuar të shtunën ndaj Leverkusenit (3-0), e cila e lë mjaft në pikëpyetje trajnerin Thomas Tuchel.

  • Kuvendi i Kosovës këtë javë mban tri seanca

    Kuvendi i Kosovës këtë javë mban tri seanca

    Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj jave do të mbajë tri seanca plenare. Deputetët do të mblidhen të mekurën për të shqyrtuar pikat e mbetura nga e kaluara, ndërkaq të enjten do të mbahet seancë e re plenare. Kurse të shtunën do të ketë seancë solemne për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Këto u bënë të ditura, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

  • ​Maqedonci: 221 ushtarë të FSK-së janë larguar gjatë vitit 2023

    ​Maqedonci: 221 ushtarë të FSK-së janë larguar gjatë vitit 2023

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se 221 pjesëtarë të FSK-së janë larguar gjatë vitit të kaluar. Prej tyre, ai tha se janë 129 janë ndërprerje vullnetarë e punës.

    Para anëtarëve të Komisionit për Siguri, ministri tha ka pasur ankesa nga pjesëtarët e FSK-së gjatë këtij muaji për çështjen e kompensimit. Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje se sa është numri i padive, por që pohoi se ka numër të madh të tyre.

    Ai para anëtarëve të Komisionit Për Siguri u shpreh se është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë gjatë ushtrimit Defender Europe 23.

    Ndërkaq, i pyetur nga kryetari i Komisionit, Bekë Berisha sa e njohin edhe ndërkombëtarët validimin e këtij regjimenti, Maqedonci ka konfirmuar një gjë të tillë.

    Gjatë prezantimit të punës për vitin e kaluar, Maqedonci tha se kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 15 shtete.

    “Jemi duke marrë pjesë në vazhdimësi në grupin e kontaktit në Ukrainë. Kemi ofruar mbështetje për Ukrainën në disa fusha. Kemi ofruar Qendrën e Kërkim Shpëtimt. Kemi mbështetur edhe me transport të ndihmave”, tha ai.

    Gjatë vitit 2024, Maqedonci shtoi se ka pasur rritje të buxhetit prej 100 për qind.

    “Gjatë vitit të kaluar është bërë rrtija e pagave për Ushtrinë e Kosovës duke vendosur në fokus gradat e ulëta sepse aty ka qenë edhe nevoja më e madhe për ndërhyrje. Grada e ushtarit nga 422 euro, paga është rritur në 588, që nënkupton 39 përqind. Tetari i karrierës nga 465 në 609, është një rritje prej 31 përqind dhe tetari nga 489 euro në 609 që është rritje 31 përqind”, shtoi ai.

  • Rreth 4 mijë leje të punës për shtetasit e huaj, ja cili vend prin

    Rreth 4 mijë leje të punës për shtetasit e huaj, ja cili vend prin

    Mbi 1000 mijë qytetarë nga Turqia kanë marrë leje të punës në Kosovë gjatë vitit 2023. Pas Turqisë rendit Bangladeshi me numrin prej mbi 700 qytetarëve që kanë marrë leje të punës në

    Kështu thuhet në një publikim të Institutit GAP, në të cilin bëhet e ditur se në vitin 2023, numri i lejeve të punës të lëshuara nga Kosova për shtetasit e huaj ishte 3 mijë 646 apo për 667 leje më shumë se në vitin 2022.

    Sipas Institutit GAP, 440 qytetarë nga Shqipëria kanë marrë lejë të punës në Kosovë në vitin e kaluar.

  • ​Stojkoviq – Perëndimit: Disfata juaj, Serbia po blen armë strategjike nga Moska

    ​Stojkoviq – Perëndimit: Disfata juaj, Serbia po blen armë strategjike nga Moska

    Avokati serb, Cedomir Stojkoviq ka thënë se Perëndimi është përgjegjës për ledhatimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, derisa ka shtuar se prandaj Serbia po blen armë strategjike nga Moska.

    Përmes një shkrimi në X, Stojkoviq ka thënë se kjo nuk është disfata e vendit të tij, porse e Bashkimit Evropian dhe e Amerikës.

    Ai ka potencuar se në disa takime me amerikanë ka theksuar qartazi se Vuçiq nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe se do të vazhdonte të zbatonte politikën e presidentit rus, Vladimir Putin, shkruan KosovaPress.

    Sipër videos që ka shpërndarë, avokati serb ka thënë se injoranca krijon luftëra.

    “Por unë ju them po aq me besueshmëri, siç ju thashë gjithçka me besueshmëri më parë – nëse nuk filloni t’i korrigjoni këto gabime tuaja ME MILIONA DOLLARË DHE EURO të investuara në vendet e duhura, me mbështetje logjistike inteligjente ndaj njerëzve me integritet të gatshëm për të luftuar, do të keni të njëjtat armë strategjike ruse në Serbi që keni sot në Kaliningrad!”, ka shkruar ai mes tjerash.

    Shkrimi i plotë i tij:

    Hej BE & SHBA. Ju pyetët, tani shikoni: Serbia = Kalinigrad 2!

    Së shpejti me armë strategjike nga Moska.

    Kjo nuk është disfata e vendit tim. Kjo është disfata juaj! Ashtu si ardhja në pushtet e R. Fico-s së Putinit në Bratislavë nuk është disfatë e Sllovakisë, por disfatë e politikës dhe sistemit tuaj të sigurisë.

    Në vitin 2020, unë protestova me një grup të vogël njerëzish përpara ambasadës amerikane për shkak të mbështetjes së SHBA për agjentin e Putinit, Aleksandar Vuçiç. Këshilltarët nga administrata e Donald Trump u dehën në gomonen e Beogradit me bartësit e korrupsionit të rëndë nga qeveria e Vuçiqit (sipas raportimeve, Serbia u bë një nga vendet më të korruptuara në botë nën regjimin e Aleksandër Vuçiqit). Ata na kanë ofenduar dhe acaruar neve në Ballkan që donim demokraci, paqe, prosperitet dhe aleancë me Perëndimin – dhe asgjë nga këto nuk ishte, nuk është dhe nuk do të jetë e mundur me agjentët e Putinit në pushtet.

    Ju e keni krijuar këtë! NE luftuam kundër kësaj dhe ju mbështetët dhe sollët në pushtet ata që ia sollën Serbisë këtë të keqe.

    Ju keni një borxh ndaj rajonit!!! Dhe ju keni një borxh ndaj Serbisë dhe ndaj secilit prej fëmijëve të saj të devijuar!

    Sepse ju e përkëdhelet Aleksandar Vuçiqin në supe, ndërsa ai rrihte, arrestonte, shante, shkatërronte, varfëronte, degradonte ÇDO serb perëndimor, demokrat, liberal!

    Mund ta ndalonim atë (!!!) po të mos i jepte politika juaj pushtetin, pushtetin me të cilin na mundi! Me të cilën na shkatërroi!

    Ju u tërhoqët nga media e lirë dhe atë media ia dhatë Aleksandar Vuçiqit! (B92, TV Prva…) Ju ia dhatë ato atij pa i dhënë mundësi askujt tjetër për t’i blerë! Kjo ishte marrëveshja juaj me të! Kjo nuk ishte marrëveshja jonë me të! Ne protestuam kundër kësaj!

    Ne demokratët dhe serbët perëndimorë e evropianë KURRË nuk do të lejonim që këto media të bëhen pronë e ministrit të propagandës së Millosheviqit dhe agjentit të Putinit – Aleksandar Vuçiqit, pra kumbarëve dhe shokëve të tij! KURRË!

    Me ato media mbolli propagandën e Putinit! Përmes atyre mediave, ai shkatërroi demokracinë në Serbi, e cila do të kishte mbijetuar – nëse ato media do të kishin mbetur në pronësi të atyre që e duan gazetarinë dhe demokracinë. Por ju i keni dhënë ato media si DHURATË atyre që nxisin diktaturën dhe propagandën – popullit pro Putin të Vuçiqit!

    Dhe unë ju them: ju e keni fajin për këtë! Dhe ju na detyroheni ta korrigjoni këtë gabim! Sepse fajin e keni ju dhe jo ne!

    Në vitin 2023 (!!! Dymijë e njëzetetre), në takimet me disa amerikanë thashë qartë se Aleksandar Vuçiq nuk do të vendoste sanksione dhe do të vazhdonte të zbatonte politikën e Putinit.

    Unë, një serb, ju thashë ju amerikanëve! Unë, një serb, ju thashë amerikanëve se si të luftoni kundër kësaj! Dhe se mënyra për të luftuar kundër kësaj NUK është mënyra për të bashkëpunuar me Aleksandar Vuçiqin.

    Unë, një serb, përsërita të njëjtën gjë edhe në Bashkimin Evropian! Unë, një serb, ju thashë nga Brukseli se si të luftoni kundër kësaj!

    Ju nga Bashkimi Evropian thatë se ‘nuk e shihni propagandën ruse në Serbi’. Në vitin 2023 (!!!) ju e thatë këtë!

    Ju nga Bashkimi Evropian në Beograd i keni nënçmuar takimet për atë temë!

    Unë nuk isha serbi që ju poshtëroi nga Brukseli ashtu siç e poshtëroi Putini Macron-in në atë tryezë të gjatë të bardhë. Përkundrazi, ju nga Brukseli më poshtëruat mua, një serb, në zyrën tuaj në të njëjtën tryezë të gjatë. Ne shtetin tim! Duke më thënë se “nuk ka propagandë ruse dhe ndikim rus në Serbi, ndërsa në të njëjtën kohë qindra njerëz të koordinuar nga Moska dhe Shën Petersburgu ishin të përkushtuar për të shkatërruar karrierën dhe reputacionin tim – në vendin tim! Sepse unë luftoj kundër Putinit në vendin tim!

    Prandaj – MOS FAJSONI SERBET! Sepse serbët donin të luftonin kundër kësaj!

    JU NDALOJ TE FAJSONI (vetëm) SERBET! Sepse nuk mund të fajësosh as lituanezët, letonët dhe estonezët se janë pushtuar nga Rusia. As nuk i fajësoni çeçenët për rusifikimin dhe humbjen e identitetit.

    Po kështu, nuk mund të fajësoni (vetëm) serbët, një komb me mezi 7 milionë banorë, sepse ne e humbëm betejën tuaj gjeopolitike kundër Rusisë dhe betejën tonë për identitet kombëtar. Beteja në të cilën ju nga Brukseli dhe Uashingtoni e ndihmuat Rusinë, në vend të Serbisë, në atë betejë! Për ta fituar kundër serbëve. Pikërisht këtë bëtë duke ndihmuar Vuçiqin!

    Ju i dhatë mediat tona agjentit të Putinit, Vuçiqit, dhe bashkëpunëtorëve të tij nën ndikimin e Putinit. Ju i dhatë atij demokracinë tonë. Ju i dhatë atij miliona nga Brukseli për t’i përdorur kundër nesh. I sollët investime/fabrika ku mund të punësoheshin vetëm ata që i përshtateshin….

    Dhe tani ju keni Kaliningrad 2.

    Luftërat nuk krijohen nga agresioni. Injoranca krijon luftëra.

    Ju mund ta shpërfillni këtë video dhe këto fjalë përsëri.

    Por unë ju them po aq me besueshmëri, siç ju thashë gjithçka me besueshmëri më parë – nëse nuk filloni t’i korrigjoni këto gabime tuaja ME MILIONA DOLLARË DHE EURO të investuara në vendet e duhura, me mbështetje logjistike inteligjente ndaj njerëzve me integritet të gatshëm për të luftuar, do të keni të njëjtat armë strategjike ruse në Serbi që keni sot në Kaliningrad!

    Dhe do t’i keni falë gabimeve tuaja.

    Sepse serbët donin të luftonin. Për interesat që kemi të përbashkëta.

    Dhe ata pak serbë që kanë mbetur me identitetin e tyre të qartë dhe integritetin e ruajtur – ne kemi të drejtë t’i themi të gjitha këto kritika në fytyrën tuaj. Sepse kështu bëhet në familje!

    Dhe nëse nuk jemi familje, atëherë më falni, atëherë nuk ndajmë të njëjtat vlera, dhe më pas fyhemi nga këto kritika në të njëjtën mënyrë që Putini dhe Vuçiq e gjejnë veten të ofenduar lehtësisht.

    (Për ata që nuk e dinë – video shfaq tifozët e klubit më të madh të futbollit në Serbi – Red Star, një klub i financuar nga Industria e Naftës së Serbisë, pronar i të cilit që nga viti 2008 është Gazprom rus, që bleu Industrinë e Naftës së Serbisë me atë kontratë korruptive dhe kriminale. Për atë kontratë, në vitin 2023, ju kam dorëzuar një projekt se si mund ta anulojmë atë në mënyrë të pavarur nga qeveria serbe – por JU ZGJEDHET ta shpërfillni edhe atë.

    Kur shihni sistemet ruse të raketave Iskander në Serbi në vitin 2025 – mos harroni t’u përmendni mbikëqyrësve “detajin” që NIS është bartësi i operacioneve strategjike ruse në Ballkan dhe mënyra për të dëbuar Rusinë nga NIS – ju zgjodhët ta shpërfillni) .

    Deri atëherë, vetëm mbani mend: ora po troket!

  • ​Interi nën hetime

    ​Interi nën hetime

    Interi do të hetohet nga autoritetet për dy incidente në fitoren 4-2 ndaj Romës në “Olimpico” të shtunën në mbrëmje, përkatësisht një telefonatë e supozuar në dhomën e zhveshjes nga trajneri i pezulluar Simone Inzaghi dhe një gjest i bërë nga mbrojtësi Francesco Acerbi. gjatë festimit të golit.

    Inzaghi u suspendua për ndeshjen e Interit kundër Romës së Daniele De Rossi-t për shkak të kartonëve të verdhë.

    Megjithatë, mbrojtësi dhe golashënuesi Alessandro Bastoni la të kuptohet se Inzaghi kishte qenë në kontakt me skuadrën përmes telefonit në pushimin mes dy pjesëve, gjë që bie ndesh me rregullat e Serie A.

    Nëse këto pretendime vërtetohen, Inzaghi mund të duhet të shikojë sërish ndeshjen e ligës së Interit kundër Salernitana-s nga tribuna, dhe klubi gjithashtu mund të përballet me një gjobë, përcjellë KP.

    Acerbi gjithashtu mund të gjendej në telashe me federatën pasi u tregoi gishtin e mesit tifozëve të Romës kur festoi golin e parë në minutën e 17-të.

    Qendërmbrojtësi 36-vjeçar ishte pre e thirrjeve morbide nga tifozët vendas, të cilët thuhet se kishin bërë ofendime duke iu referuar betejës së tij me kancerin e testikujve në vitin 2013.

    Në rastin më të keq, zyra e Prokurorit të FIGC mund t’i japë një pezullim Acerbit për hakmarrjen e tij, por La Repubblica sugjeron që autoritetet mund të marrin një qasje më të butë duke pasur parasysh rrethanat.