ATV

Author: ATVLive

  • Kuka: Trajnerët të ulin egon e tyre, po e ngulfatin sportin

    Kuka: Trajnerët të ulin egon e tyre, po e ngulfatin sportin

    Trajneri i xhudos, Driton Kuka ka kërkuar nga institucionet sportive që të merren më shumë me përgatitjen e trajnerëve për sporte të ndryshme në mënyrë që e ardhmja e sportit kosovar të jetë më e mirë.

    Kuka mori pjesë në tryezën sportive që u organizua nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës ku po punohet në Ligjin e ri të Sportit që pritet të votohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Kuka ka thënë se çështjen e përgatitjes së trajnerëve e ka ngritur edhe gjatë bisedimit me njohësit e fushës së sportit.

    “Kosova po ka suksese në grupmosha në 4-5 sporte, do të thotë po fitohen medalje evropiane e botërore por me grupmosha jepen sinjalet të cilat mandej duhet ecur para me profesionalizëm deri në detajet më të vogla. Sfida fillon aty ku talenti nuk mjafton, aty ku profesionalizmi i trajnerëve fillon dhe të tillë kemi pak, shumë pak”, ka shkruar Kuka. Tutje ai ka shtuar se disa trajner duke mos e pranuar mosdijen e tyre, po e ngulfasin vet sportin dhe talentet e tij.

    “Potencova edhe një problem që po i ngulfat talentet. Ego e trajnerëve për të mos pranuar realitetin (mosdijen). Me zëvendësministren Daulina Osmani u dakorduam që të punohet në këtë drejtim. Besoj që do kemi hapa konkret në këtë drejtim, si të ndërtohen garuesit me potencial në garues kulminant. Federatat të kuptojnë që pa trajner elitar nuk ka rezultate elitare. Kosova ka potencial talentësh në shumë sporte por që pak po e prekin kulminacionin”, ka shtuar Kuka.

  • ​Pozitë e opozitë me deklarata kontradiktore për raportimin e Bislimit

    ​Pozitë e opozitë me deklarata kontradiktore për raportimin e Bislimit

    Pas raportimit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, deputetet Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Ariana Musliu-Shoshi kanë dalë me deklarata kontradiktore lidhur me raportimin e tij për dialogun. Derisa mbledhja e këtij Komisioni u mbajt me dyer të mbyllura, kryetarja Kryeziu-Hysnei tha se kjo për shkak të shpalosjes së dokukemnteve konfidenciale. Por, një gjë të tillë e mohoi deputetja e PDK-së, Musliu-Shoshi.

    Deputetja nga radhët e pushtetit Arbëreshë Kryeziu – Hyseni tha se deputetët kanë marrë informacione që kanë qenë të nevojshme sidomos për deputetët e opozitës, të cilët i ka akuzuar për deklarime të pavërteta për procesin e dialogut.

    “Vetë fakti që kemi vendosur ta mbajmë një takim të mbyllur është se zëvendëskryeministri na ka paralajmëruar se do të ndajë me ne disa dokumente të cilat janë konfidenciale dhe nuk preferohet të ndahen me opinionin për shkak se procesi është shumë fragjil në fazën që është… Kemi folur për procesin e dialogut në faza të ndryshme…, por fokusi ka qenë te çështja e Banjskës dhe kemi folur shumë edhe për atë se çfarë pritet të ndodhë në procesin e dialogut tash e tutje. Kemi marrë informacione që besoj se kanë qenë shumë të nevojshme të ndahen në veçanti për deputetët e opozitës të cilët herë pas here i shohim që nxjerrin në opinionin publik informacione që janë krejtësisht të pavërteta”, ka theksuar Kryeziu-Hyseni.

    Ky raportim, sipas saj, “ka ndihmuar që të paktën këtë të mos e bëjnë tash e tutje”.

    Porse ndryshe deklaroi Musliu-Shoshi, e cila madje e ka akuzuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për sulm personal.

    “Mora një sulm personal, i cili nuk është aspak për t’u vlerësuar. Por nëse zëvendëskryeministri e vlerëson, atëherë ato sulme personale mund edhe t’i bëj publike, sepse vlerësoj se jam faqebardhë në çdo aspekt. Sulmet ishin të nivelit profesor-student, gjoja se jam kapur në plagjiaturë në kohën sa kam qenë studente në AUK, por kjo nuk qëndron pasi kam qenë studente me A-ja dhe kam qenë bursiste. Prandaj, të gjitha këto janë lehtë të qasshme dhe më vjen keq që në nivelin akademik dhe atë që përfaqëson sot, kemi ardhur në pikën ku në vend se të raportojë për atë çka po ndodh dhe rrugën që po ndjek në dialog, shteti jonë në kohën kur nuk e kemi asnjë aleat të vetëm i cili sot na përkrah në këtë drejtim, lëshohet në një nivel kaq të ulët personal me mua dhe deputetët e tjerë”, tha Musliu Shoshi.

    Musliu Shoshi, para gazetarëve ka thënë se nuk ka pasur asnjë dokument konfidencial që është shfaqur në Komision i cili ishte i mbyllur për media.

    “Jemi gjithmonë transparent sepse e vlerësoj që dialogu ka njëfarë mase të konfidencialtetit, por disa gjëra kryesore duhet të dihen nga ju si media. Në këtë mbledhje, nuk pat as edhe një informatë të vetme të cilën e konsiderojmë konfidenciale. Krejt ajo çka provon pushteti të bëjë është të ngre drama në publik se gjoja po flitet diçka konfidenciale. Nuk pat asgjë më shumë se ajo çfarë keni parë dhe dëgjuar nga Bislimi. Ajo çfarë kërkova ishte të na tregojë nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk janë partnerë me të cilët bashkëpunojmë, nëse Borrelli e Lajçaku nuk janë kredibil në përfaqësim. Atëherë në çfarë rruge po shkojmë, kush janë partnerët tanë me të cilët duhet të ecim përpara? Pse çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës duhet të shndërrohen në instrumente për t’u diskutuar në organizata ndërkombëtare, siç ishte ajo në Këshillin e Sigurimit. Çka është duke munguar në këtë linjë të komunikimit me aleatët tanë ndërkombëtarë?”, shtoi Musliu-Shoshi.

  • OKB: Çdo shtet anëtar që i shet armë Izraelit ka ‘përgjegjësi’

    OKB: Çdo shtet anëtar që i shet armë Izraelit ka ‘përgjegjësi’

    “Ne duam të shohim të respektohen vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë . Ne duam të shohim rifillimin e financimit për UNRWA dhe sinqerisht të rritet duke pasur parasysh nevojat në rritje.

    “Unë mendoj se çdo shtet anëtar që shet ose transferon armë ka përgjegjësi në lidhje me mënyrën se si ato armë përdoren kudo në botë,” u tha Stephane Dujarric gazetarëve në Nju Jork kur u pyet nëse OKB do t’u bënte thirrje vendeve anëtare të shkurtojnë financat dhe ndihma ushtarake për Izraelin, duke përfshirë ata që shkurtuan fondet për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinë (UNRWA).

    Dujarric përsëriti kërkesën e OKB-së për një armëpushim humanitar, lirim të menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe rritje të ndihmës humanitare.

    Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), ndërsa sulmet ajrore që synojnë Rafahun vazhdojnë të intensifikohen, ka pasur raportime për civilë që po largoheshin nga zona drejt Deir al Balah dhe kampit të refugjatëve An Nuseirat.

    “Nuk ka ku të shkojë,” tha Dujarric, duke shtuar se zonat e mbrojtura që supozohej të ishin të sigurta, janë sulmuar.

    “Të shkosh në veri nuk është e sigurt për shkak të mjeteve të pashpërthyera, për shkak të mungesës së strehimit. Tani, ka njerëz që lëvizin, por unë nuk jam në dijeni të ndonjë lëvizjeje masive të njerëzve”, shtoi ai.

    Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 28,567 njerëz dhe duke plagosur 68,291 të tjerë, ndërsa rreth 1,200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.

    Lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85% të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.

    Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

  • Kuvendi voton për rikthimin e basteve, 22 Nëntori shpallet festë zyrtare në Shqipëri

    Kuvendi voton për rikthimin e basteve, 22 Nëntori shpallet festë zyrtare në Shqipëri

    Vetëm 15 minuta seancë i mjaftuan mazhorancës socialiste për të kaluar me 72 vota pro ligjin për rihapjen e basteve sportive.

    Mes bilbilave dhe kaosit të krijuar nga deputetët e Rithemelimit dhe grupit Bardhi, Kuvendi i Shqipërisë i dha “OK” këtë të enjte projektligjit “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.

    Propozimi u miratua vetëm me votat e socialistëve në tërësi dhe nen për nen (34 nene). Të vetmit që abstenuan nga radhët e socialistëve janë ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe deputeti Erjon Braçe, ndërsa në sallë mungonte kryeministri Edi Rama.

    Ndryshimet në projektligjin për lojërat e fatit parashikojnë rikthimin e basteve sportive vetëm online pas më shumë se 5 vitesh, nga koha kur qeveria mbylli mijëra pika fizike në të gjithë territorin, shkruan A2 CNN.

    E drejta për ta ushtruar këtë aktivitet do t’i jepet vetëm 10 operatorëve dhe përzgjedhja e tyre do të realizohet nëpërmjet një komisioni të veçantë.

    Socialistët po ashtu votuan propozimin për të shpallur 22 Nëntorin, një festë zyrtare. Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë ditë pushimi duke nisur nga ky vit. Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë dhe vlerësohet për rëndësinë e tij të institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe.

  • AP: Blinkeni pritet të trajtojë tensionet Kosovë-Serbi gjatë vizitës në Shqipëri

    AP: Blinkeni pritet të trajtojë tensionet Kosovë-Serbi gjatë vizitës në Shqipëri

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken viziton Shqipërinë sot, e enjte për të riafirmuar marrëdhëniet me një partner kyç në Ballkan dhe një aleat në mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.

    Blinken do të takohet me zyrtarë të lartë dhe do të fokusohet në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor pasi Shqipëria dhe disa fqinjë kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë. Uashingtoni ka mbështetur fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE.

    ShBA-ja ka vlerësuar lidershipin e Shqipërisë në rajonin e shkatërruar nga lufta dhe rolin e saj të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si një anëtare jo e përhershme. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka dërguar rregullisht njësi të vogla të ushtrisë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare dhe operacionet e NATO-s.

    Shqipëria do të presë një samit ndërkombëtar për Ukrainën në fund të këtij muaji, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës.

    Associated Press shkruan se tensionet mes fqinjëve, Kosovës dhe Serbisë, mund të trajtohen gjatë vizitës së Blinkenit në Tiranë.

    “Negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja për të normalizuar marrëdhëniet e tyre kanë pasur progres të ngadaltë, ndërsa incidentet e rastësishme të dhunshme kanë nxitur frikën e destabilitetit. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë shprehur shqetësimin për ndalimin e fundit të Kosovës për dinarin si monedhë në komunat e saj me shumicë serbe”, thuhet tutje.

    Blinkeni gjithashtu do të njohë rolin e Shqipërisë pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht 2021, ndërsa trupat e ShBA-së dhe NATO-s u tërhoqën nga vendi. Shqipëria ishte e para që strehoi rreth 3200 afganë të arratisur përpara se të zhvendoseshin për vendosjen përfundimtare në Shtetet e Bashkuara.

    Blinkeni pritet të takojë disa nga afganët e mbetur ende në Shqipëri.

    Pas ditës së tij në kryeqytetin e Shqipërisë, Blinkeni shkon në Gjermani për Konferencën e Sigurisë në Munich.

  • Ambasadori amerikan thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Ambasadori amerikan thërret konferencë të jashtëzakonshme

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thirrur mediat në një konferencë të jashtëzakonshme që do ta mbajë nga ora 15:00.

    Konferenca do të mbahet para ambasadës amerikane në Prishtinë.

    Hovenier ka thënë se SHBA kërkon nga Kosova shtyrjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi dhe që të ketë komunikim të mjaftueshëm për qytetarët që preken nga ky vendim.

    Një paralajmërim i ashpër për këtë çështje erdhi nga Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, i cili i kërkoi Qeverisë së Kosovës të tërhiqet nga vendimi për dinarin dhe tha se mund të mos e konsiderojnë këtë qeveri si partnere.

    “Ai [kryeministri Kurti] kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, tha ai.

    Zyrtari amerikan kishte thënë për Zërin e Amerikës se kishte pasur disa kontakte me kryeministrin Kurti para shpalljes së vendimit dhe vetëm një shkëmbim të shkurtër pas shpalljes së tij.

  • Trupi gjykues aprovon vendimin: Gregory Kehoe nuk është më avokat i Thaçit

    Trupi gjykues aprovon vendimin: Gregory Kehoe nuk është më avokat i Thaçit

    Gregory Kehoe nuk do të jetë më avokat i Hashim Thaçit në Hagë.

    Pas kërkesës për largim, ajo është aprovuar nga trupi gjykues.

    Deri te largimi erdhi për shkak të problemeve financiare me të cilat po përballet mbrojtja e Thaçit.

    Njoftimi:

    Më 14 shkurt 2024, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët miratoi tërheqjen e Gregori Kihou si kryembrojtës i Hashim Thaçit. Ky vendim hyn në fuqi kur Administratorja cakton bashkëmbrojtësin e ri. Duke marrë parasysh se Thaçi dhe Lluka Mishetiq (aktualisht njëri nga bashkëmbrojtësit e Thaçit) u pajtuan që Mishetiqi të zëvendësojë Kihoun, Trupi Gjykues ftoi palët dhe Administratoren që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të caktuar Mishetiqin si kryembrojtës të Thaçit sa më shpejtë që të jetë e realizueshme.

    Trupi Gjykues miratoi gjithashtu tërheqjen e bashkëmbrojtësit të Thaçit, Xhoe Rider, ndërsa udhëzoi Administratoren që të marrë vendim në lidhje me kërkesën për tërheqjen e tre ndihmësve juridik dhe pesë ndihmësve administrative të ekipit.

    Së fundi, Trupi Gjykues shqyrtoi kërkesën e Kihout për pagimin e shpenzimeve nga DHSK-ja gjatë periudhës kalimtare, d.m.th. pas caktimit të mbrojtësit të ri. Trupi Gjykues vuri në dukje se Administratorja mund të vendos të udhëzojë Kihoun që të vazhdojë të veprojë ose të ndihmojë mbrojtësin zëvendësues (për një periudhë prej 45 ditësh), por, duke marrë parasysh se mbrojtësi i ri nuk është caktuar ende dhe Administratorja nuk ka lëshuar këto udhëzime për Kihoun, Trupi Gjykues konstatoi se kërkesa është e parakohshme në këtë fazë dhe rrjedhimisht e hodhi poshtë.

  • Prishtina stoliset me flamuj të Kosovës për festën e Pavarësisë

    Prishtina stoliset me flamuj të Kosovës për festën e Pavarësisë

    Për nder të 16-të vjetorit të shënimit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, sheshet e Prishtinës janë dekoruar me flamuj.

    Për këtë datë janë organizuar disa aktivitete nga institucionet shtetërore, si homazhe e aktivitete kulturore, raporton EO.

    Kjo festë pritet të shënohet në çdo komunë të Kosovës, pasi kanë paralajmëruar edhe aktivitete të ndryshme kulturore.

    Ndërsa, disa qytetarë të anketuar nga Ekonomia Online, në sheshet e kryeqytetit mirëpresin vendosjen e flamujve në sheshe dhe rrugë.

  • Pse Cillian Murphy nuk pranon të bëjë foto me mbështetësit e tij?!

    Pse Cillian Murphy nuk pranon të bëjë foto me mbështetësit e tij?!

    Cillian Murphy ka folur në lidhje me karrierën dhe jetën e tij profesionale dhe jo vetëm.

    Ai gjithashtu ka zbuluar edhe arsyen se pse nuk pranon të bëjë foto me fansat dhe mbështetësit e tij.

    “Unë nuk bëj foto. Sapo fillova ta bëja këtë, ndryshoi jetën time. Thjesht mendoj se është më mirë të përshëndes dhe të bëjmë një bisedë të vogël. Unë ua them këtë shumë njerëzve, ju e dini, miqve të mi aktorë, dhe ata janë thjesht si: Ndihem shumë keq”.

    Pra, ju nuk keni nevojë për një regjistrim fotografik të çdo vendi ku keni qenë brenda një dite.

  • Ndalohen katër persona për falsifikim të parasë

    Ndalohen katër persona për falsifikim të parasë

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka ndërmarr një aksion në rajonin e Prizrenit për kontroll të veturave.

    Gjatë këtij aksioni janë ndaluar dy vetura, BMW X5 dhe Shkoda, me katër (4) persona, për shkak të dyshimit se personat të cilët gjenden në këto vetura shpërndajnë para të falsifikuara. Gjatë kontrollit në veturën BMW X5 është hasur sasia e parave të dyshuara si të falsifikuara në shumën prej njëzet e katërmijë e gjashtëqind (24,600.oo) euro.

    Prokuroria Speciale njofton se në këtë rast janë sekuestruar njëzet e katërmijë e gjashtëqind (24,600.oo) euro, dy (2) automjete të përdorura nga personat e dyshuar, si dhe nëntë (9) telefona celularë.

    Po ashtu, të dyshuarit janë intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, si dhe të njëjtit janë shtetas të Republikës së Shqipërisë.

    Me aktvendim të Prokurorit nga Prokurorisë Speciale personat e dyshuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.