ATV

Author: ATVLive

  • Në ditën e minatorëve edhe Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi feston ditëlindjen e 60-të në zyrën e tij

    Në ditën e minatorëve edhe Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi feston ditëlindjen e 60-të në zyrën e tij

    Sot, Kryetari aktual i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka mbushur 60 vjet.

    Ai po e feston ditëlindjen e tij në një ditë të zakonshme pune. Por, tani në një pozitë ndryshe, si kryetar i Komunës së Leposaviqit.

    Ditëlindja e tij me 20 shkurt përkon me Ditën e Minatorit të Trepçës.

  • Rohde: Emërimi i Fodas thekson marrëdhëniet e veçanta Kosovë-Gjermani

    Rohde: Emërimi i Fodas thekson marrëdhëniet e veçanta Kosovë-Gjermani

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, e ka vlerësuar si lajm të madh emërimin e bashkëkombësit të tij, Franco Foda në krye të Kombëtares së Kosovës në Futboll.

    “I dëshiroj atij dhe tërë ekipit sukses të madh”, është shprehur Rohde.

    Ai ka thënë se emërimi i Fodas thekson edhe më shumë marrëdhëniet e veçanta që kanë Kosova dhe Gjermania, përfshirë këto në fushën e sportit.

  • Kurti: Kosova synon të tërheqë investimet e huaja direkte

    Kurti: Kosova synon të tërheqë investimet e huaja direkte

    Sot në Prishtinë është mbajtur takimi i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, foli rreth mundësive të furnizimit të Kosovës me energji të ripërtëritshme, ku tha se kanë qëllime ambicioze rreth peizazhit energjetik të Kosovës, duke vazhduar njëkohësisht ndërtimin mbi pasuritë tona minerale.

    “Kosova është duke iu drejtuar energjisë së ripërëritshme, me qëllime ambicioze për të transformuar peizazhin e saj energjetik, përderisa gjithashtu vazhdojmë të ndërtojmë mbi trashëgiminë tone të pasur minerale. Para pak javësh kemi përmbyllur ankandin e parë për 100 megavat në Rahovec, me ç’rast 6 korporata serioze ndodhen në garë për prodhim të energjisë së ripërtëritshme, në këtë rast, diellit”, ka deklaruar Kurti.

    Sipas të parit të qeverisë, investimet e huaja direkte janë dyfishuar. Ai tha se planifikohen të jenë edhe 150 megavat tjerë në llote me nga 75 megavat, për të cilat destinacioni nuk do të jetë i specifikuar, duke marrë parasysh se përcaktimi do të bëhet në koordinim me korporatat fituese.

    Kurti shtoi se pritet që ato të finalizohen në korrik të këtij viti. “Synimi ynë është që me strategjinë 2022-2031, t’i shtojmë 1200 megavat prodhim të energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme, që është shumë ambicioze, por njëkohësisht e realizueshme” ka përfunduar ai.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se bujqësia është njëra ndër sektorët që ka shënuar eksporte. Po ashtu, sipas tij edhe sektori IT-së është një sektor që ka shënuar bum të zhvillimit.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

    E nderuara, znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë edhe Tregtisë,

    I nderuari, z. Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal,

    I nderuari, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe

    Zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë, Getoar Mjeku,

    Të nderuar udhëheqës të institucioneve të pavarura shtetërore,

    I nderuari, z. Artan Mehmeti, shef i sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime,

    I nderuari, z. Sergyi Maslichenko, drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim,

    I nderuari, ambasador i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot,

    Të nderuar përfaqësues të sektorit privat,

    Të nderuar përfaqësues të odave dhe asociacioneve sektoriale dhe bilaterale në Kosovë,

    Të nderuar përfaqësues të Agjencive zhvillimore,

    Zonja dhe zotërinj,

    Të nderuar të pranishëm,

    Është nder dhe kënaqësi që të hap këtë ngjarje, ku do të ndajmë vizionet dhe synimet për rrugëtimin e ardhshëm të Kosovës drejt rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, jam i motivuar nga pozicioni unik që zë vendi ynë dhe mundësitë për të ndërtuar një ekonomi progresive, të hapur, gjithëpërfshirëse dhe stabile. Ne synojmë të tërheqim investimet e huaja direkte që sjellin vlerë të lartë dhe punësim cilësor për qytetarët tanë. Në këtë drejtim, Qeveria jonë ka ndërtuar një bazë të mirë për përmirësime të mëtejshme. Vetëm gjatë tri viteve të fundit, investimet e huaja direkte janë dyfishuar, po ashtu edhe eksportet, ndërkaq raporti ndërmjet eksporteve dhe importeve është rritur nga gati 1 me 9 sa ka qenë, në edhe më mirë se 1 me 6.

    Vazhdimi në këtë rrugëtim të suksesshëm, kërkon angazhim të palëkundur. I tillë është përkushtimi ynë për një mjedis biznesi i cili jo vetëm lehtëson dhe inkurajon operimin e ndërmarrjeve brenda dhe jashtë vendit, por gjithashtu fton inovacionin dhe konkurrencën. Kemi vendosur si prioritet të lartë reformimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, për të minimizuar barrën administrative dhe për të siguruar një mjedis të barabartë për të gjithë. Kjo përfshin nxitje fiskale për sektorë kyçë dhe investime në infrastrukturë dhe arsim, për të përgatitur fuqinë punëtore të Kosovës për sfidat e ardhshme.

    Qeveria jonë ka vënë në fokus ndërlidhjen e tregut të punës me arsimin dhe aftësimin profesional.

    Promovimi i sektorëve që janë të duhur për Kosovën është esencial për të maksimizuar potencialin tonë ekonomik. Bujqësia dhe sektorët e ushqimit në Kosovë përbëjnë një themel të ekonomisë së eksportit, duke llogaritur 17% të eksporteve totale dhe karakterizohen nga disa avantazhe konkurruese si për shembull, kostot konkurruese të punës, klima kontinentale e përshtatshme dhe industria e gjallë e verës. Ndërkohë, Kosova po shfrytëzon bumin global të teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, duke u pozicionuar si një destinacion kryesor për shërbimet BPO (Business Process Outsourcing), të mundësuara nga teknologjia e informacionit, me një sektor të teknologjisë që ka treguar rritje të konsiderueshme që nga viti 2015. Sektorët e prodhimit të lehtë kanë arritur të krijojnë një prani të konsiderueshme, me pajisjet elektrike, metalin, plastikën dhe prodhimin e drurit, që drejtojnë më shumë se 43% të eksporteve në 2023, duke theksuar pozicionin e fortë të vendit në këto industri. Kosova gjithashtu është duke iu drejtuar energjisë së ripërtëritshme, me qëllime ambicioze për të transformuar peizazhin e saj energjetik, përderisa gjithashtu vazhdojmë të ndërtojmë mbi trashëgiminë tonë të pasur minerare.

    Para pak javësh kemi përmbyllur ankandin e parë për 100 megavatë në Rahovec, me ç ‘rast gjashtë korporata serioze ndërkombëtare ndodhen në garë për prodhim të energjisë nga burime të ripërtëritshme, në këtë rast diellin. Ndërkaq edhe 150 megavatë të tjerë do t’i kemi në llote nga 75 megavatë gjatë këtij viti, me shpresë gjatë mesit të vitit 2024, me ç ‘rast nuk do të jenë të specifikuara për nga vendi meqenëse bashkë me korporatat të cilat do të fitojnë ne do të arrijmë që ta bëjmë këtë përcaktim. Pra synimi ynë është që me Strategjinë 2022-2031 t’i shtojmë 1200 megavat prodhim të energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme që është shumë ambicioze por njëkohësisht edhe e realizueshme.

    Gjithashtu ne dëshirojmë që të bëhemi destinacion i dëshiruar për prodhimin e automjeteve elektrike për shkak të fuqisë punëtore dinamike dhe me kosto konkurruese. Nuk është e rastësishme që në Kosovë kemi raste kur bizneset e caktuara importojnë lëndën e parë ta zëmë nga një vend siç është Austria, dhe prodhimin final e dërgojnë në një vend fqinj të Austrisë siç është Zvicra. Kostot operuese në Kosovë janë të ulëta, edhe sa i përket fuqisë punëtore që paguhet edhe sa i përket qiramarrjes e cila është përgjithësisht e lirë.

    Ne jemi të përkushtuar për të ndërtuar një platformë të fortë për dialogun publiko-privat, që mundëson identifikimin e mundësive dhe adresimin efikas të sfidave. Pra, edhe mundësitë edhe sfidat të shohim se sa mund t’i përcaktojmë së bashku dhe kjo është mënyra se qysh ne mendojmë se ecim përpara: edhe konkurrencë edhe inovacion edhe bashkëpunim. Jo konkurrencë pa bashkëpunim, por natyrisht edhe jo bashkëpunim pa konkurrencë.

    Përmes bashkëpunimit të ngushtë me sektorin privat, asociacionet e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe në koordinimin me Shefin tim të Stafit, Luan Dalipin, kemi arritur të zhvillojmë një plan vjetor ambicioz për vitin 2024. Ky plan është mbështetur edhe nga Sekretariati i pavarur i Këshillit, i financuar nga SECO zvicerane, për çka i falënderojmë, dhe i menaxhuar nga BERZh-i në Kosovë, të cilët gjithashtu i falënderojmë.

    Ky plan përfshin një sërë aktivitetesh të synuara për të nxitur investimet dhe eksportet, si dhe për të intensifikuar dhe thelluar dialogun ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Në këtë plan vjetor janë tri ngjarje kryesore, në tetor dhe në nëntor 2024, në Kosovë, të cilat ofrojnë mundësi të vlefshme për promovim të investimeve të huaja direkte dhe eksportit, si dhe për të gjitha kombinimet e rrjetëzimit: ‘Qeveri-Qeveri’, ‘Biznes-Qeveri’ dhe ‘Biznes-Biznes’. Periudhat për t’u mbajtur mend e shpresoj që të gjithë ju do t’i vendosni në kalendarin e aktivitetve dhe planeve që bëni për vitin në të cilin ndodhemi, janë:

    3-12 tetor 2024, për shërbimet e mundësuara nga TIK;

    24-26 tetor 2024, për Javën e Industrisë së Ushqimit të Kosovës; dhe

    20-26 nëntor 2024, për Konventën e Industrisë së Drurit.

    Gjatë nëntorit të kaluar, nën organizimin e Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, janë mbajtur takime me përfaqësues të odave dhe kompanive më konkurruese të dhjetë sektorëve, prej të cilave kanë rezultuar rreth 130 kërkesa nga sektori privat.

    Dialogu i bazuar në vlera midis sektorit publik dhe atij privat është jetik për identifikimin e mundësive dhe zgjidhjen efikase të sfidave për zhvillimin e sektorit privat.

    Pra, ne jemi një Qeveri që nuk i sheh vlerat e ndara nga interesi, ne i shohim ato bashkë. Është e mundshme t’i kemi bashkë, ne e dimë që nuk janë e njëjta gjë. Vlerat dhe interesi nuk janë e njëjta gjë. Mirëpo nuk duam as vlera por pa interes, ku nuk ka përfitim, ndonjë farë lloj vetëmjaftueshmërie e vlerave por pa dobi materiale nuk është preferencë e jona. Por edhe nuk ka nevojitet një interes brutal i cili shpërfill çfarëdo vlerash. Ne besojmë që është e mundur t’i kemi të dyja këto dhe kjo duhet të jetë princip pune në dialogun tonë publiko-privat.

    Ky dialog ndërmjet sektorit publik dhe privat është jetik për identifikimin e mundësive dhe zgjidhjen efikase të sfidave për zhvillimin e sektorit privat.

    Ne e kuptojmë që një partneritet i fortë midis qeverisë dhe bizneseve është thelbësor për të krijuar një ekonomi dinamike dhe inovative. Përmes këtij dialogu, ne synojmë të kemi një kuptim të përbashkët të mundësive dhe sfidave, duke u angazhuar për zgjidhje të qëndrueshme nga të cilat përfitojnë të gjithë akterët e përfshirë. Kjo do të thotë të dëgjojmë me vëmendje, njëri tjetrin sidomos ne juve, të jemi transparentë në vendimmarrje dhe të veprojmë me integritet.

    Ndërsa përparojmë, Kosova mbetet e vendosur që të luajë një rol të rëndësishëm në skenën ekonomike rajonale dhe ndërkombëtare. Me një pozicionim strategjik në Evropën Juglindore dhe qasje në tregjet kyçe, së bashku me një fuqi punëtore të re, të shkathët dhe shumëgjuhëshe, dhe një ekonomi të hapur e të qëndrueshme, jemi të përgatitur të mirëpresim investitorët dhe partnerët që dëshirojnë të jenë pjesë e historisë sonë të suksesit.

    Ju faleminderit për kontributin e deritanishëm dhe ju dëshiroj punë të mbarë në këtë diskutim gjithsesi të nevojshëm.

  • Sofra unifikuese e pensionistëve të Klinës në nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

    Sofra unifikuese e pensionistëve të Klinës në nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

    Grupi për kundërshtimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos në Kline, të mbështetur nga Shoqata Atdhetare “KOSOVA” në Michigan të Amerikës, kanë organizuar një darkë për pensionistët e komunës së Klinës në shënim të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

    Darka festive për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës u organizua në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë të plejadës së baballarëve, gjyshërve (pensionisteve) të Klinës. Pjesë e kësaj darke ishin disa nga pensionistë të cilët në etapa të ndryshe kane dhënë kontribut në çështjen kombëtare.

    Organizatoret theksuan se janë munduar të bëjnë selektimin e disa prej pensionisteve të cilët në forma të ndryshme, ata, ose familjet e tyre kane dhëne kontribut të veçantë që ne sot të festojmë Pavarësinë e Kosovës, pra fal kontributit të tyre dhe shumë familjeve të tjera sot ne festojmë të lirë në shtetin tonë, për të cilin u sakrifikuan shumë e shumë gjenerata.

    E veçanta e kësaj darke ishin mysafiret e nderit, siç janë Hoxha i njohur z. Xhevat Kryeziu, kontributi i tij prej patrioti, humanisti, e pajtimtari e bën atë të njohur në gjithë Kosovën e më gjere, ai njihet për veprimtarinë e tij në vitet e 90 në udhëheqjen e aksionit për pajtimin e gjaqeve. Ai ishte dora e djathtë e pajtimtarit të madh Anton Qeta ku edhe sot e kësaj dite gjendet pranë çdo familje e cila ka nevojë për pajtim nga ngatërresa të ndryshme.

    Mysafir tjetër ishte kleriku, humanisti, shkrimtarin dom Lush Gjergji, njeriu i cili njihet si studiuesi dhe shkruesi i biografisë së nobelistës se vetme shqiptare, Nënë Tereza.

    Mysafir të ftuar ishin edhe Kryeimami i Klinës Hoxhë Blerim Musliu i cili përveç që njihet për kultivimin e vlerave kombëtare dhe kultivimit të harmonisë fetare, ai është i gatshëm për të kontribuar çdo herë në organizime për të mirën e qytetit të Klinës.

    Pjesë e kësaj darke ishte babai i Jetullah Deskut, i vrarë në vitin 1990 në ish- Armatën Popullore të Jugosllavisë, babai i Mujë Krasniqit, Komandantit të njohur të UÇK-së, disa nga prindër të dëshmoreve dhe familjeve të njohura për kontributin e dhënë në Komunën e Klinës.

    Nga kjo darkë u përçuan mesazhe të harmonisë fetare dhe u bën thirrje për unitet dhe punë të mira, me fjalë rasti nga organizatoret, të përfaqësuar nga Veton Raci, fjalë rasti nga Dom Lush Gjergji, Hoxhë Xhevat Kryeziu dhe Hoxhe Blerim Musliu, për të vazhduar me një program kulturor-artistik, ku e veçantë ishte paraqitja e Shpëtim dhe Ismet Gashi, bijtë e dëshmorit Beqir Gashi të cilët kënduan këngën kushtuar babait dëshmor si dhe me pikë muzikore me këngë rapsodike ku performuan Lek dhe Gjok Duhani, të cilët kënduan një këngë kushtuar nobelistes Nënë Tereza.

    Më poshtë mund të dëgjoni pjesë nga fjalimet e folësve në këtë darkë festive e mbajtur në Zllakuqan të Klinës, ku nga të pranishmit u kërkua që ky takim të shndërrohet ne darkë tradicionale.

  • BE-ja bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të vdekjes së Navalnyt: Përgjegjësia bie mbi Putinin

    BE-ja bën thirrje për një hetim ndërkombëtar të vdekjes së Navalnyt: Përgjegjësia bie mbi Putinin

    Bashkimi Evropian është i indinjuar nga vdekja e politikanit opozitar rus Alexei Navalny, për të cilën përgjegjësia përfundimtare bie mbi presidentin rus Vladimir Putin dhe autoritetet ruse, thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

    “Vdekja e papritur dhe tronditëse e z. Navalny është një tjetër shenjë e represionit të përshpejtuar dhe sistematik në Rusi”, thuhet në deklaratë, raporton KosovaPress.

    Sipas deklaratës, Rusia duhet të lejojë një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent për rrethanat e vdekjes së tij të papritur.

    “BE-ja nuk do t’i kursejë përpjekjet për llogaridhënie prej udhëheqjes politike dhe autoriteteve të Rusisë, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë; dhe për vendosjen e kostove të mëtejshme për veprimet e tyre, duke përfshirë edhe me sanksione”, thuhet po aty.

    Anembanë botës, qytetarët janë mbledhur në nderim të kujtimit të Alexei Navalnyt. Në Rusi, autoritetet u përpoqën ta parandalojnë këtë gjë në një numër të vendeve dhe qindra qytetarë janë arrestuar. Ata duhet të lirohen menjëherë.

    “Navalny u kthye me trimëri në Rusi pas atentatit me agjentin nervor “Novichok” të ndaluar sipas Konventës për Armët Kimike, në të cilën Federata Ruse është shtet palë. Ai po vuante disa dënime të motivuara politikisht në një koloni të rreptë penale në Siberi, ku u zhvendos për t’u izoluar nga pjesa tjetër e botës. Familjes së tij i ishte kufizuar qasja tek ai. Avokatët e tij janë nën presion të vazhdueshëm dhe tre prej tyre janë në mbajtje prej tetorit 2023”, vijon deklarata.

    Bashkimi Evropian e ka dënuar vazhdimisht në termat më të ashpër të mundshëm helmimin e tij dhe të gjitha vendimet e motivuara politikisht kundër tij për aktivitetet e tij legjitime politike dhe kundër korrupsionit, duke kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte. BE-ja, në mënyrë të përsëritur dhe duke iu drejtuar autoriteteve në Moskë, i ka bërë thirrje Rusisë që të garantojë sigurinë dhe shëndetin e tij, por më kot.

    “Gjatë gjithë jetës së tij, Navalny ka treguar guxim të pabesueshëm, përkushtim ndaj vendit dhe bashkëqytetarëve të tij, si dhe vendosmëri në punën kundër korrupsionit që ai zhvilloi në mbarë Rusinë, duke bërë për vete shumë qytetarë në mbarë vendin. Kjo është arsyeja pse Putini dhe regjimi i tij kishin frikë prej tij, gjithashtu në kontekstin e vazhdimit të luftës së paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe zgjedhjeve presidenciale ruse në mars.”

    Sipas deklaratës, vdekja e papritur dhe tronditëse e Navalnyt është një tjetër shenjë e represionit të përshpejtuar dhe sistematik në Rusi.

    Bashkimi Evropian përsërit thirrjen e vet ndaj Rusisë që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë të burgosurit e tjerë politikë, përfshirë Yuri Dmitriev, Vladimir Kara-Murza, Ilya Yashin, Alexei Gorinov, Lilia Chanysheva, Ksenia Fadeeva, Alexandra Skochilenko dhe Ivan Safronov.

  • Turqia e gatshme t’i ndihmojë Kosovës në shkëmbimin e përvojave në fushën e Arkivave

    Turqia e gatshme t’i ndihmojë Kosovës në shkëmbimin e përvojave në fushën e Arkivave

    Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Shtetërore të Turqisë, Uğur Ünal, ka vizituar të martën Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, ku u prit nga homologu i tij kosovar, Bislim Bislimi, raporton EO.

    Temë diskutimi ishte bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e Arkivave.

    Drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, tha se institucioni që ai e drejton, bashkëpunimin me shtetin turk e vlerëson shkaku i shkëmbimit të përvojave.

    “Shumë zyrtarë janë trajnuar duke qenë se ka një pjesë historie të përbashkët mes marrëdhënieve mes dy popujve. Ky bashkëpunim do behet me konkret edhe kjo vizitë është në funksion te thellimi, AShAK-ja do e përdor si udhërrëfim të përbashkët. Ka mungesë të investimeve në ketë sektor me rëndësi të madhe pasi aty ruhet e vërteta e bazuar në fakt e gjithë historikut të shtetit”, tha Bislimi.

    Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Shtetërore të Turqisë, Uğur Ünal, tha se shteti i tij ka lidhshmëri të madhe me Kosovën. ndër to sipas saj janë edhe Arkivat.

    “Dihet që historia dhe kujtesa e një populli janë arkivat mirëpo ajo kujtesë e diskuton haptazi, arkivi osman përmban dokumente të shumta edhe për Kosovën, po flasim një institucion që miliona dokumente, me Kosovën ne t’i shkëmbejmë përvojat tona”, tha ai.

    Unal tha se dokumentet përfshijnë fusha të shumta, politike e historike, sociologjike kulturore. Ai përmendi edhe numrin e madh të kërkesave për hulumtime nga vende të ndryshme.

    “Sistemi në Perandorinë Osmane po studiohet nga hulumtues të shumtë, e gjysma e tyre janë të huaj e qe me anë të tyre bëjnë hulumtime, edhe nga Kosova ka po e marr shembull znj. Hatixhen, hulumtuese e rregullt në arkivin tonë”.

  • ​FFK me buxhet 20 milionësh për vitin 2024

    ​FFK me buxhet 20 milionësh për vitin 2024

    Në Kuvendin e punës të Federatës së Futbollit të Kosovës është miratuar edhe buxheti për vitin 2024.

    Ky buxhet do të ketë një rritje prej një milionë euro më shumë krahasuar me vitin e kaluar, pra do të jetë 20 milionë e 970 mijë e 566 euro.

    Drejtori i financave në FFK zbuloi detaje se cilat janë kanalet nga të cilat do të vijnë këto të hyra duke thënë se ato vijnë nga kontrata me sponsor, nga UEFA-, FIFA dhe nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Ky projektbuxhet u miratua nga të gjithë delegatët në Kuvendin e Punës së FFK-së.

  • Prokurori i ZPP-së thotë se familja e dëshmitarit serb ishte ndaluar nga UÇK-ja

    Prokurori i ZPP-së thotë se familja e dëshmitarit serb ishte ndaluar nga UÇK-ja

    Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Nico Baarlink, ka thënë se familja e dëshmitarit të 46-të ishte ndaluar nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rrethinën e Rahovecit, e më pas ishte ndarë në dy lokacione.

    Në përmbledhjen e prezantuar të martën, ai ka thënë se babai e vëllai i tij ishin dërguar në Malishevë, e nëna, kunata dhe nipi i porsalindur në ish-stacionin policor.

    Kjo thuhet se kishte ndodhur më 17 korrik të 1998-s.

    “Në bazë të asaj që ja ka thënë nëna dëshmitarit më 17 korrik 98’, babai vëllai, nëna, kunata dhe nipi i sapolindur i dëshmitarit janë ndaluar nga pjesëtarë të UCK-së në rrethinën e Rahovecit. Babai dhe vëllai i dëshmitarit u çua në makinë drejt Malishevës ndërsa nëna, kunata dhe nipi i sapolindur u mbajtën në ish-stacionin e policisë së Malishevës rreth tetë ditë. Nëna e dëshmitarit dëgjonte rënkime që vinin nga burrat e mbajtur në bodrumin e ndërtesës. Të tetën ditë, nëna, kunata dhe nipi i dëshmitarit janë nxjerrë nga ndërtesa dhe janë vendosur në një autobus bashkë me gratë dhe fëmijët e tjerë krahas burrave serb me duar të lidhura dhe kokë ulur”, ka thënë Baarlink.

    Sipas prokurorit, babai dhe vëllai i dëshmitarit 428 nuk ishin autobus dhe më pas dëshmitari s’i kishte parë më kurrë.

    “Në këtë pikë nëna, kunata dhe nipi i dëshmitarit janë ndarë nga burrat dhe janë liruar pas pak ditësh”, ka shtuar ai.

  • ​Aktakuzë për G.I, tentoi të hy nga Shqipëria me 655.97 gram marihuanë

    ​Aktakuzë për G.I, tentoi të hy nga Shqipëria me 655.97 gram marihuanë

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit G.I., i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri G.I., me datë 01.12.2023 rreth orës 23:10 min në Pikë Kalimin Kufitar të Vërmicës, saktësisht në hyrje nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Kosovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, importon substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që i pandehuri pasi siguron narkotikun në një vend të panjohur në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet autobusit pronë e një prej kompanive turistike, e depërton narkotikun në Republikën e Kosovës, mirëpo në hyrje të kufirit, i njëjti autobus së bashku me pasagjerët selektohet për kontroll të detajuar në vijën e dytë të kontrollit, dhe gjatë kontrollimit të përbashkët në mes të zyrtarëve policor dhe atyre doganor, haset një çantë krahu në vendin ku vendosen valigjet e krahut në pjesën e bagazhit sipër në autobus, dhe sekuestrohet një qese najloni me substancë të dyshuar për narkotikë, e cila substancë narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit kanabis (marihuana), nga matjet neto me peshë të përgjithshme prej 655.97 gram.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

  • Konjufca e pranon që dinari i ka acaruar raportet me amerikanët: Deklarata e O’Brien shqetësuese, e dimë pse janë “idhnu”

    Konjufca e pranon që dinari i ka acaruar raportet me amerikanët: Deklarata e O’Brien shqetësuese, e dimë pse janë “idhnu”

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka interpretuar deklaratën e ashpër të James O’Brien, ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për raportin mes Kosovës dhe SHBA-së.

    Konjufca ka thënë se deklarata e O’Brien ishte shqetësuese, por sipas tij “partneriteti është mos me u befasu”, duke aluduar se SHBA-të u befasuan me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.

    “Ajo ishte shqetësuese. Nuk ka çka me interpretu aty. Ne dëshirojmë që të trajtohemi me partneritet nga ana e Kosovës. Tash aty munden me e interpretu sepse z. O’Brien po konsideron që me e ndalë dinarin në Kosovë është mu prishë partneriteti me SHBA-në. Tash na duhet me shtru pyetjen se pse qenka kjo. Pse pe prishka relacionin e Kosovës me SHBA-në?”, deklaroi Konjufca.

    “Unë qysh e interpretoj, është kështu: Sepse komuniteti serb ka jetu me dinarin 24 vjet. Është sikur me diçka mësohesh, ajo është përditshmëria jote, shkon çohesh në mëngjes shkon aty në vetëshërbim, paguan aty me dinar, del atje merr pagën, del pensioni këndej. Krejt jeta jote është dinari. Ai është një komunitet i Kosovës që jeton në Kosovë. Tash nëse e ndal dinarin, mënyra qysh kanë jetu ata, tash atyne iu mbrapet jeta, iu kthehet përmbys. Ata po thonë që ju përmes këtyre veprimeve kështu, ju po na befasoni. E partneriteti, është mos me u befasu”.

    “Tash, unë ty të them “mirë ish kanë me më kallëzu më herët”. Atje a di për çka flitet në veri? Ata pensionerat u çuan në protestë, ajo të shkakton tensione. Tash tensionet e rrezikojnë sigurinë e Kosovës dhe nëse cenohet siguria mundet me ardhë deri tek dalja jashtë prej kontrollit. Kur del situata jashtë prej kontrollit, përgjegjësinë më të madhe prapë e merr Amerika. Jo përgjegjësinë pse ka dalë, po për me e nalë me e kthy në binarë. Gjithmonë e shohin këtë prej perspektivës së sigurisë”.

    “Qëllimi jonë është me e kuptu sa ma mirë që është e mundshme se cili është kufiri mes detyrave të shpisë që duhet mi bë patjetër dhe cilat janë ato që asnjo s’duhet me i bë pa vetë, pa pytë. Një shtet është i organizuar në masën që don me i ditë ato që duhet me i bë vetë edhe cilat janë ato kur duhet me pytë”, deklaroi Konjufca për Demos.

    Ndryshe, javën e kaluar, SHBA-ja i ka dhënë një goditje Qeverisë së Kosovës.

    Ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili tha se vendimi për ta zbatuar rregulloren e BQK-së për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë. Ndërsa para tij, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien paralajmëroi se SHBA mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse merr vendime pa u konsultuar.