ATV

Author: ATVLive

  • Gati një muaj prej kur i pranoi, KQZ-ja s’e ka përfunduar verifikimin e peticioneve

    Gati një muaj prej kur i pranoi, KQZ-ja s’e ka përfunduar verifikimin e peticioneve

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Gati një muaj ka kaluar prej se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar peticionet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

    Megjithatë, ende nuk dihet nëse është bërë verifikimi i të gjitha nënshkrimeve.

    Madje, KQZ-ja nuk tregoi se edhe sa mund të vonohet ky proces. Detaje, me arsyetimin se kjo i takon KQZ-së, nuk dha as ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ndonëse mohoi të ketë zvarritje në proces.

    “Besoj që kjo është njëfarë kalkulimi matematikor dhe është aty dhe besoj që ata shumë shpejt do të hapin procesin për nivelin tjetër, por nuk po zvarritet”, tha Krasniqi.

    Sipas udhëzimit administrativ, peticioni i hap rrugë votimit për shkarkimin e kryetarëve në të cilin nevojiten 50 për qind plus një e votuesve të regjistruar.
    E në rast se nisma për shkarkimin e kryetarëve ka sukses, presidentja duhet që jo më larg se 45 ditë nga shkarkimi i kryetarëve, t’i shpallë zgjedhjet e reja.

  • Sistemi i rimbursimit të depozitave mund të realizohet deri më 2025

    Sistemi i rimbursimit të depozitave mund të realizohet deri më 2025

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Shishe të tilla mbase pas një viti do të ketë më pak nëpër rrugë.

    E gjithë kjo falë të ashtuquajturit Sistemit për Rimbursimit të Depozitave.

    Sipas këtij sistemi, qytetarët do mund t’i kthejnë për riciklim shishet e plastikës, qelqit dhe kanaçet e aluminit.

    Fatmir Matoshi, ish-ministër i Infrastrukturës, në kohën e të cilit kishte filluar projekti tha se pas hapjes së thirrjes për Administrator krijohen mekanizma të mbikëqyrjes e më pas krijohen edhe grupet punuese.

    Sipas Matoshit, është e rëndësishme që qytetarët të informohen se nuk do të fitojnë para nga sistemi por çmimi i produktit do të rritet dhe ata do të rimbursohen për vlerën që paguajnë.

    Sistemit më së shumti i janë gëzuar ambientalistët, sipas të cilëve pritet të ketë reduktim të dukshëm të mbeturinave në ambient.

    Sistemin e Rimbursimit të Depozitave tash e shumë vjet e praktikojnë shumë vende në Evropë.

  • Rihapet konkursi për teatër të operës dhe baletit

    Rihapet konkursi për teatër të operës dhe baletit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Në mungesë të kushteve, Opera e Kosovës ka nisur provat para shfaqjes së operës së parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, në një sallë private në periferi të Prishtinës.

    Ndonëse, gurthemeli për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit u vendos para 14 vjetësh, Ministria e Kulturës ende nuk arriti as ta zgjedhë projektin ideor të ndërtesës.

    Sidoqoftë, pas dështimit të parë, MKRS-ja e ka rihapur thirrjen për projektimin e këtij objekti të shumëkërkuar.

    Teksa për projektin ideor janë paraparë 2.5 milionë euro, sipas Ministrisë së Kulturës, ndërtimi parashihet të kushtojë 50 milionë euro. Rihapja e konkursit u mirëprit nga komuniteti artistik.

    Megjithatë, mungesa e Teatrit të Operës dhe Baletit po konsiderohet fatkeqësi.

    Pavarësisht se Komuna e Prishtinës ndau tokën për ndërtim, ajo është lënë jashtë procedurave.

    “Kryeqyteti Prishtina nuk ka qenë I përfshirë, pavarësisht se do të duhej domosdoshmërisht të përfshihet në këto procedura”, tha Arbër Sadiki, drejtor i Urbanizmit në Prishtinë.

    Tenderi për përzgjedhjen e projektit ideor ishte anuluar, pas vendimit final të Organit Shqyrtues të Prokurimit. OSHP-ja kishte konstatuar se kompanitë garuese kishin shfaqur identitetin e tyre gjatë aplikimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

  • I arrestuari nga Serbia, Hasan Dakaj, vizitohet nga familja për herë të parë

    I arrestuari nga Serbia, Hasan Dakaj, vizitohet nga familja për herë të parë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kjo veturë nuk ka lëvizur nga vendi nga 5 janari. Pronari i saj, Hasan Dakaj, po në këtë datë u ndalua posa nga hyri nga Kosova në Serbi dhe u arrestua nga policia serbe, nën dyshime për krime lufte.

    Gjatë kësaj kohe sa qëndron në paraburgim kontakti mes familjes dhe ish-ushtarit të UÇK-së ishte minimal.

    “Ditën e parë e ka thirrë gruan e tij në telefon 1 minutë, edhe i ka thënë që “gjithçka po bëjnë me trupin tim…”, tha Gëzim Dakaj, vëlla i Hasan Dakajt.

    Por, tani pas pak më shumë se gjashtë javësh, këtë të mërkurë familja e takoi për herë të parë.

    “Sot kanë shku vëllai, gruaja e tij dhe djali. Më herët më shkrujtën që ka përfundu takimi, tash janë duke u kthy…”, tha Dakaj.

    Derisa familja është rrugës për t’u kthyer në Kosovë pas takimit, avokatët po punojnë në lirimin e tij.

    “Rruga drejt lirimit të tij, është e vështirë. Ai po mbahet pa të drejtë dhe pa fakte…”, tha Xhevdet Smakiqi, avokat i Hasan Dakajt.

    Përderisa 45-vjeçari mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Serbi, sipas vëllait të tij, institucionet kosovare nuk u kanë ofruar mbështetje.

    “Përveç shkrimeve në Facebook dhe vizitës së Jetish Jasharit, nuk kanë bërë institucionet asgjë. Ka gruan, djalin më të madh 13 vjeç dhe një fëmijë që ende nuk flet…”, tha Gëzim Dakaj.

    Ndërkaq, banorët e Fshatit Krishë të Prizrenit në të cilin jeton Dakaj, për ta mbështetur familjen kanë mbledhur afro 20 mijë euro.

  • Gjykimi ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca

    Gjykimi ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak minuta pas orës dhjetë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, arrin në sallën e gjykimit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Konjufca po ballafaqohet me akuzat e Prokurorisë për hedhje të gazit lotsjellës, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur në gusht të vitit 2016.

    Por, kryeparlamentari nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes për t’u përgjigjur para gjykatës, duke vendosur të mbrohet në heshtje.

    Paraprakisht, gjatë kësaj seance dëshminë lidhur me ngjarjet e asaj date e dha deputeti Pal Lekaj. Megjithatë, as Lekajt nuk i kujtohet se kush hodhi gaz, e madje as të jetë ndërprerë ndonjë mbledhje e kryesisë.

    Gjatës seancës, gjithashtu, janë administruar provat, përfshirë edhe provë procesverbali i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, që u propozua nga Prokuroria.

    Në fund të javës, është planifikuar fjala përfundimtare, në këtë rast vepra penale e të cilit, sipas Prokurorisë, është kryer në vitin 2016.

    Konjufca akuzohet se sa ishte deputet hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

  • BE-ja thërret takim për dinarin në Bruksel, Bislimi thotë se nuk shkon

    BE-ja thërret takim për dinarin në Bruksel, Bislimi thotë se nuk shkon

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për të diskutuar çështjen e dinarit serb në Kosovë, Bashkimi Evropian ka kërkuar mbajtjen e një takimi në Bruksel javën e ardhshme.

    Teksa tregoi se Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajcak, e ka caktuar takimin dhe temën në agjendë pa dakordim paraprak me të dyja palët, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se nuk do të shkojë në Bruksel.

    “Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për në Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për marrëveshjen. Do të shohim se kush do të shkojë”, tha Bislimi.

    Paraprakisht, në Çagllavicë, në një diskutim për zhvillimin ekonomik për serbët në Kosovë, zëvendëskryeministri Bislimi njoftoi se pas BQK-së, Qeveria do të ndërmarrë masa tranzitore për ndikimin e rregullores te komuniteti serb.

    “Në ditët në vijim, Qeveria do të dalë me 10 masa, me të cilat do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë që më pas do të garantonte zbatimin plotësisht të formalizimit të sistemit të pagesave”, tha Bislimi.

    Më 1 Shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-së, e cila njeh euro si valutë të vetme për pagesa. Më 7 Shkurt, një automjet nga Serbia, që transportonte miliona dinarë, nuk u lejua të hynte në Kosovë.

    Më 12 Shkurt, Banka Qendrore prezantoi periudhën tremujore kalimtare dhe masat lehtësuese, të cilat SHBA-ja i vlerësoi të pamjaftueshme duke kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit dhe një zgjidhje të përkohshme.

    Në këtë fazë nuk ka qartësi se si do të vijohet me pagesat me dinarë, të cilat pjesëtarë të komunitetit serb i përfitojnë nga skemat pensionale dhe sociale të Serbisë.

  • Aliu: Hapet thirrja për aplikim për bashkëfinancimin e projekteve në komuna

    Aliu: Hapet thirrja për aplikim për bashkëfinancimin e projekteve në komuna

    Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka hapur thirrjen publike për bashkëfinancimin e projekteve nëpër komuna në vlerë prej 17 milionë euro.

    Për këtë thirrje, ka njoftuar Ministri Liburn Aliu, i cili ka treguar kriteret për përzgjedhjen e projektit.

    “Aplikimit tuaj ju lutem që t’i bashkangjitni projektin me paramasë e parallogari dhe të tregoni nëse mund të participoni në financimin e tij”, ka thënë ai.

    Bashkëfinancimi vlen për të gjitha komunat e vendit. Kërkesat do të shqyrtohen në pjesën e parë të muajit mars, derisa në pjesën e dytë të muajit mars do të nënshkruhen memorandumet.

    Ndërkohë, në fillim të muajit prill do të dërgohen për miratim në Qeverinë e Kosovës.

  • Vajzat U17/ Kosova pëson humbje nga Finlanda

    Vajzat U17/ Kosova pëson humbje nga Finlanda

    Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave e grupmoshës nën 17-vjeç ka zhvilluar sot ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024, që po mbahen në Portugali.

    Kosova, e cila ndodhet në Grupin 2 të Ligës A, pësoi humbje me rezultat të thellë ndaj kombëtares së Finlandës, me rezultat 5:0.

    Finlandezet e siguruan epërsinë me të filluar ndeshja, me ç’ rast në minutën e shtatë përmes Todoshchenko shënuan golin e parë.

    Me të filluar pjesa e dytë, përkatësisht në minutën 48 u akordua penallti për finlandezet, por gjuajtjen e Olivia Ulenius e priti portierja Leyla Gërvalla.

    Megjithatë, vetëm një minutë më vonë Finlanda e gjeti rrugën e golit përmes Laura Oksanës.

    Përzgjedhësja Sanije Krasniqi, në minutën e 60-të bëri dy zëvendësime, duke futur në lojë Viola Nuhajn dhe Loela Ahmetin, në vend të Albonita Statovcit dhe Elona Pacit, por as me këtë ndryshim, Kosova nuk arriti ta ndalë kundërshtarin.

    Kështu, në minutën e 71-të Finlanda realizoi golin e tretë përmes Jelena Todoshchenkos, e cila shënoi hat-trick në këtë takim, pasi realizoi edhe në minutën e 76-të për 4:0. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar 5:0 e vendosi Bella Aalto, në minutën e 77-të.

    Ndeshjen e radhës Dardanet e zhvillojnë të shtunën nga ora 12:00, ku i pret një sfidë edhe më e vështirë kundër Portugalisë nikoqire.

  • Prodhuesit britanikë të armatimeve BAE Systems, fitime rekord nga luftërat në Ukrainë e Izrael-Gaza

    Prodhuesit britanikë të armatimeve BAE Systems, fitime rekord nga luftërat në Ukrainë e Izrael-Gaza

    Shtimi i shpenzimeve në armatime të nxitura nga lufta në Ukrainë dhe konflikti Izrael-Gaza i ka sjellë fitime rekord prodhuesve britanikë të armëve ‘BAE Systems’ vitin e kaluar, teksa rritje e mëtejshme pritet dhe në vitin në vijim.

    Kompania e listuar në bursën FTSE 100 regjistronte fitime në 2.7 miliardë paundë pa llogaritur interesin, nga shitjet e armëve në rreth 25.3 miliardë paundë në vitin 2023, shkruan e përditshmja The Guardian.

    Aksionet e kompanive të armatimeve në përgjithesi janë rritur në dy vitet e fundit pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022 teksa qeveritë kanë rivlerësuar planet e tyre të shpenzimeve ushtarake.

    Lufta brutale në Lindjen e Mesme e nisur më 7 tetor ishte një tjetër faktor, e nxitur nga sulmi i papritur i Hamas brenda Izraelit ku raportohet se u vranë rreth 1000 izraelitë, çka u pasua më një fushatë të gjerë bombardimesh nga ushtria izraelite në Gaza, ku kanë humbur jetën më shumë se 25 000 palestinezë.

    Ndërkohë grupi britanik BAE Systems shton fitimet e saj teksa ka zgjeruar interesat dhe në ndërtimin e nëndetëseve, tankeve dhe avionëve luftarakë, përveç armëve e municioneve.

    Kreu i saj Charles Woodburn, tha se prodhuesi priste rritje të mëtejshme biznesi në vitet në vijim.

    “Mungesa e stabilitetit në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, ashtu si dhe në pjesë të tjera të botës ka sjellë në fokus rolin tonë në mbrojtje të sigurisë kombëtare”, tha ai sot për gazetarët.

    “Megjithse shumica e volumit të shitjeve vjen nga programe ekzistuese para konfliktit në Ukrainë, porosi të reja kanë ardhur për blinda të rëndë dhe municione”.

    BAE është krijuar në 1999 nga shkrirja e grupeve Marconi Electronic Systems dhe kompanisë shtetërore britanike të aeronautikës British Aerospace, e Hawker Siddeley.

    Grupi është përfshirë dhe në kontratën e fundit për ndërtimin e nëndetëseve bërthamore për Australinë, për të cilën Franca u ankua se i takonte asaj, si dhe një seri pajisjesh të luftës ajrore për Italinë, Japoninë e Britaninë.

    Ëoodburn tha se ishte i kënaqur me vlerësimet në bursën e Londrës.

    Ai shtonte se BAE Systems nuk do të bëjë si kompani të tjera që po listohen në bursën e SHBA, pasi biznesi po ecën mire dhe qeveria e ndalon të bjerë në pronësi të huaj. /tch

  • Vdekja e 4 vjeçares, QKUK: Ka pasur infeksion të shkallës së lartë

    Vdekja e 4 vjeçares, QKUK: Ka pasur infeksion të shkallës së lartë

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me vdekjen e 4 vjeçares e cila vdiq të hënën në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kishte pësuar infeksion akut të rëndë të shkallës së lartë – sepsë.

    Në një reagim të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar thuhet se pacientja ishte pranuar të dielën në mesditë nga Spitali i Gjakovës “Isa Grezda”.

    Sipas njoftimit, pacientja ishte pranuar “me parametra vital dhe me gjendje mjaftë të rënduar shëndetësore”.

    QKUK-ja ka thënë se në Qendrën Emergjente janë kryer të gjitha procedurat.

    “Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë (infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”, thuhet në njoftim.

    SHSKUK-ja ka thënë se ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali në Gjakovë dhe QKUK-ja.

    Ky institucion ka apeluar që të mos ketë spekulime për rastin deri në rezultatet e hetuesisë, për të cilat është shprehur se do t’i marrë parasysh për veprime të mëtejme.